Skip to Content Skip to Navigation

Që të Kemi Paqe dhe Lumturi

Plaku Riçard G. Skot
I Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve


Plaku Riçard G. Skot,  “Që të Kemi Paqe dhe Lumturi” 

Mbrëmje Rreth Vatrës për të Rinjtë në Moshë Madhore • 12 Shtator 2010 • Universiteti “Brigam Jang”

Kam përgatitur plot lutje një mesazh të hartuar që të të sjell ty paqe dhe lumturi në një botë të trazuar. E di se të vërtetat që përmban, japin zgjidhje sepse bashkëshortja ime e çmuar, Zhanina, dhe unë e kemi provuar vlerën e tyre në vetë jetën tonë.

Që ti të marrësh përfitimin maksimal nga koha jonë së bashku, të sugjeroj që të shkruash me kujdes cilatdo mbresa që të vijnë. Ato janë mesazhe të personalizuara nga Zoti, të dërguara me anë të Frymës së Shenjtë, për të të drejtuar ty.

Ordinancat e Tempullit Forcojnë Familjen dhe Shtëpinë

Dy kolonat jetike që mbështesin Planin e Lumturisë të Atit në Qiell, janë familja dhe shtëpia. Domethënia e tyre shumë e lartë nënvizohet nga përpjekjet këmbëngulëse të Satanit për të copëtuar familjen dhe për të dobësuar gradualisht domethënien e ordinancave të tempullit, që e lidhin së bashku familjen për përjetësinë. Ai e bën këtë me anë të nxitjes së vazhdueshme për të përkrahur shthurjen seksuale dhe për të ndotur shprehjen e shenjtë intime të dashurisë mes një bashkëshorti e bashkëshorteje, që çon në lindjen e fëmijëve.

Pesëdhjetë e shtatë vite më parë, më 16 korrik 1953, Zhanina ime e dashur dhe unë u gjunjëzuam, si një çift i ri, në një altar në Tempullin e Mantit të Jutas. Presidenti Ljuis R. Anderson ushtroi autoritetin vulosës dhe na shpalli si bashkëshort e bashkëshorte, të martuar për kohën dhe për të gjithë përjetësinë. Nuk kam forcë të përshkruaj paqen dhe qetësinë që vijnë nga siguria se, ndërsa vazhdoj të jetoj [në mënyrë të tillë] që të kualifikohem, unë do të jem në gjendje të jem përgjithmonë me Zhaninën time të dashur dhe fëmijët tanë të bindur, për shkak të asaj ordinance të shenjtë të kryer me autoritetin e duhur të priftërisë në një Shtëpi të Zotit.

Shtatë fëmijët tanë janë të lidhur me ne nëpërmjet ordinancave të shenjta të tempullit. Bashkëshortja ime e shtrenjtë, Zhanina, dhe dy prej fëmijëve tanë janë përtej velit. Ata na japin motivim të fuqishëm që, secili prej anëtarëve të mbetur të familjes sonë, të jetojë në mënyrë të tillë që së bashku ne të mund të marrim të gjitha bekimet e përjetshme të premtuara në tempull.

Vulosja në tempull merr kuptim më të madh ndërsa jeta shpaloset dhe ti zbulon bukurinë e karakteristikave të ndryshme mes teje, bashkëshortes tënde dhe fëmijëve tuaj. Ju mund të ndani dashurinë tuaj për njëri-tjetrin dhe mirënjohjen për bekimin që jeni së bashku. Ju madje mund të afroheni më pranë njëri-tjetrit dhe të gjeni përmbushje më të madhe në vdekshmëri.

Kur bashkëshortja ime qe shtatzënë me fëmijën tonë të tretë, fëmija ynë i dytë qe shumë i sëmurë. Zhanina do ta mbante në prehër ndërsa i bënin grafi fluoroskopike. Ajo pësoi rrezatim me të tepërt dhe, si rezultat, nuk mund të kishte fëmijë të tjerë dhe ai që kishte në bark, ndërroi jetë parakohshëm. Por ne i kemi ata. Ata na lindën në besëlidhje. Ky është bekimi i ordinancave të tempullit. Edhe pse këto prova në vdekshmëri patën kohëzgjatje të ndryshme, ata që u vulosën tek ne me priftërinë e shenjtë me anë të ordinancave të tempullit të shenjtë, do të jenë tanët përgjithmonë.

E di se do të kem privilegjin të jem me atë bashkëshorte të mrekullueshme, të cilën e dua me gjithë zemër, dhe me ata fëmijë që janë me të, në anën tjetër të velit, për shkak të shanseve që janë bërë të mundura përmes ordinancave të përjetshme që u kryen në tempullin e Mantit. Çfarë bekimi të kemi edhe një herë në tokë autoritetin vulosës, me efekt jo vetëm për këtë jetë të vdekshme, por për përjetësitë. Jam mirënjohës që Zoti e ka rivendosur ungjillin e Tij në plotësinë e tij, përfshirë ordinancat të cilat kërkohen që ne të jemi të lumtur në botë dhe që të jetojmë jetë të lumtura përgjithmonë në jetën e përtejme.

Ajo çfarë është bërë për mua një pjesë me rëndësi jetike e kujtimit të bekimeve që vijnë nga tempulli, është se unë e dua çdo ditë e më shumë bashkëshorten time. Unë e kuptoj se vulosja ime me bashkëshorten time në një kuptim nuk na është dhënë ende përjetësisht. Ne i kemi jetuar urdhërimet. Ne kemi marrë bekimet e ordinancave në tempull. Ne i kemi respektuar ato urdhërime, por ajo dhe unë, që të dy, duhet të gjendemi të denjë përtej velit, që ato ordinanca të mund të vulosen nga Shpirti i Shenjtë i Premtimit.

Kërkesa që ato të vulosen me anë të Shpirtit të Shenjtë të Premtimit, është mënyra si sigurojnë Ati në Qiell dhe Shpëtimtari që asnjë nuk do t’i marrë ato bekime padenjësisht. Një individ mund të jetë i aftë t’i mashtrojë njerëzit duke u dukur si i drejtë, por nuk mund të ketë mashtrim të tillë për Frymën e Shenjtë.

Diskutim me Një Çift të Rinjsh të Sapomartuar

U kam kërkuar Rebeka dhe Ben Marlouit, një çifti të sapomartuar, të më japin një dorë ndërsa përpiqem të të ndihmoj të përgatitesh për martesë të përjetshme.

Plaku Skot: Ben Marloui, ti je një burrë jashtëzakonisht i bekuar. Si ia more zemrën një engjëlli?

Ben Marloui: E di. Ajo është e bukur.

Rebeka Marloui: Është e kundërta.

Plaku Skot: Ajo nuk është vetëm e bukur, ajo është shumë inteligjente.

Beni: Po, është.

Plaku Skot: E di se ju do ta kuptoni se ky është një bekim në jetën tuaj, ndërsa vazhdoni planet tuaja për të ardhmen. Dëshiroj t’ju bëj disa pyetje, nëse mundem? Rebeka, vulosja jote me Benin, a e ka sjellë gjithë lumturinë që ëndërroje se do ta sillte?

Rebeka: E solli të gjithë lumturinë e më tepër dhe arsyeja pse është se, tani që jemi vulosur, ne mund të bëjmë gjithçka së bashku. Dhe kjo qe diçka që nuk e kisha kuptuar plotësisht përpara se të vuloseshim. Por aftësia për të bërë gjithçka së bashku dhe për të kaluar gjithçka së bashku, ka qenë një bekim i madh. Dhe thjesht dija se, pavarësisht nga çfarëdo që të ndodhë, ne do të jemi së bashku përgjithmonë, është një bekim i mrekullueshëm.

Plaku Skot: Si e shfaq Beni vlerësimin e tij për ty?

Rebeka: Beni është kaq i mirë në bërjen e gjërave të vogla dhe për mua, kjo tregon vlerësim. Nuk është një gjë e madhe këtu a një gjë e madhe atje, por është bërja vazhdimisht e gjërave të vogla për të treguar se është mirënjohës ndaj meje.

Plaku Skot: Çfarë bën Rebeka që ta bëjë jetën tënde të lumtur?

Beni: Çdo gjë që bën ajo, më bën të lumtur.

Plaku Skot: Djema, kujtojeni atë shprehje kur të bëheni bashkëshortë! Kjo është e shkëlqyer. A i merrni së bashku vendimet jetike? Si e bëni këtë?

Beni: Po, e bëjmë. Kemi pasur shumë mundësi, që kur jemi vulosur, që të bisedojmë e diskutojmë për gjërat që po vijnë në të ardhmen e të dyve ne. Nganjëherë mund të mos biem dakord plotësisht dhe kjo është gjë e shkëlqyer për ne, sepse atëherë e dimë se mund të mbështetemi tek Ati Qiellor. Kjo është një gjë për të cilën biem dakord që të dy.

Plaku Skot: Pra, nëse ka ndryshim në opinione, atëherë ju e gjeni përgjigjen së bashku nëpërmjet lutjes me Atin Qiellor.

Rebeka: Absolutisht.

Plaku Skot: Ky është një model i shkëlqyer, i shkëlqyer për jetën. Si e përcaktoni se cila duhet të jetë përparësia më e madhe në martesën tuaj?

Rebeka: Një gjë që ka qenë një bekim kaq i madh për ne është se, që kur e kemi njohur njëri-tjetrin, kemi pasur të njëjtat përparësi në jetën tonë. Kjo e ka ndihmuar shumë martesën tonë, sepse ne po punojmë që të dy për të njëjtat synime. Ne kemi vendosur që përparësitë tona janë, së pari, Zoti dhe ungjilli – dhe kjo vërtet që e ka ndihmuar martesën tonë – pastaj njëri-tjetri, familjet tona dhe familja që kemi krijuar së bashku. Gjithçka tjetër shkon në vendin e vet kur ti i vë këto gjëra të parat.

Plaku Skot: Nuk mund të bësh gabim kur je lutur që të dish se cili është vullneti i Zotit dhe pastaj t’i kërkosh Atij të të ndihmojë ta përmbushësh atë. Ky duket si një model i shkëlqyer për një jetë të lumtur, të frytshme e të gëzuar. Faleminderit. A keni pasur ndonjëherë ndonjë mosmarrëveshje për ndonjë gjë në martesën tuaj?

Beni: Kemi pasur. Siç thashë më parë, kemi pasur disa mundësi ku kemi mundur të mësojmë e të rritemi së bashku.

Rebeka: Mendoj se për shkak të formimit tonë dhe këndvështrimeve të ndryshme, sigurisht, do të ketë mosmarrëveshje në martesë. Por mendoj se mënyra se si i zgjidhim ato është gjëja e rëndësishme. Siç tha Beni më parë, pavarësisht se për çfarë nuk biem dakord, ne gjithmonë jemi dakord që t’i drejtohemi Zotit. Kjo është mënyra si e zgjidhim çfarëdo mosmarrëveshje që mund të kemi.

Beni: Por nuk e di se si mund të mos jesh dakord me Rebekën.

Plaku Skot: Mendoj se ai do të bëhet diplomat! A i studioni së bashku shkrimet e shenjta?

Beni: Po, e bëjmë. Dhe është një rast kaq i veçantë kur çdo mëngjes ose çdo natë, kemi mundësinë të qëndrojmë së bashku. Një gjë që vërtet jemi përpjekur ta bëjmë pasi kemi bërë studimin tonë personal, është që të përpiqemi të mendojmë për pyetje – ndoshta diçka që nuk e kuptuam. Atëherë, kur qëndrojmë bashkë si shokë, ne flasim për ato pyetje. Dhe ajo jep kuptimin e saj, sepse ka qenë bekuar me një familje të mrekullueshme që i ka dhënë kaq shumë dijeni për ungjillin. Dhe misioni im dhe familja ime më kanë ndihmuar kaq shumë të fitoj njohuri të ungjillit, por gjithashtu njohuritë për të përditshmen, që i duhen çdo njeriu.

Plaku Skot: Ju që të dy, jeni të bekuar të keni mbështetjen e prindërve që ju duan, dhe janë dakord me atë që po bëni. Ky është një bekim i pamasë në jetë.

Kur unë i studioja shkrimet e shenjta me gruan time, ajo lexonte, unë lexoja, ne bënim komente. Jo domosdoshmërisht i lexonim së bashku fragmentet. A është ky një model që e keni gjetur të dobishëm, apo veproni në ndonjë mënyrë tjetër?

Rebeka: Ne gjithmonë bëjmë studimin tonë personal të shkrimit të shenjtë. Nganjëherë rrimë bashkë dhe, siç tha Beni, i bëjmë njëri-tjetrit pyetjet që mund të kemi. Unë gjithmonë kam shumë më tepër pyetje se ai. Nganjëherë shohim se çfarë po ndodh në jetën tonë dhe vendimet që po marrim ose sfidat që mund të kemi dhe e drejtojmë studimin tonë personal tek këto gjëra, që mundësisht të gjejmë përgjigje për pyetjet tona në shkrimet e shenjta.

Plaku Skot: A keni ndonjë këshillë për të rinjtë që po e dëgjojnë këtë, beqarë e të martuar, se si e keni gjetur lumturinë në martesën tuaj së bashku?

Beni: Mendoj se gjëja më e mirë për mua është që të mund të kaloj kohë me Rebekën – gjithmonë duke e lënë mënjanë punën ose shkollën që të sigurohemi se kemi ca kohë së bashku që të mund të bisedojmë, të mund të komunikojmë dhe ne thjesht vazhdojmë të biem në dashuri me njëri-tjetrin.

Plaku Skot: A keni një mbrëmje kur takoheni normalisht, që të mund të dilni jashtë e të bëni aktivitete?

Rebeka: Po, natën e së premtes. Ai punon në QTM netëve të të shtunave, sepse, mendoj, ata marrin në punë të martuarit në fundjava, që beqarët të mund të dalin në takime. Kështu, nata e së premtes është nata jonë e takimit.

Plaku Skot: Oh, duhet të jetë zbavitëse. Cilat janë disa nga gjërat që bëni në natën e takimeve?

Beni: Na pëlqejnë shumë filmat, kështu që kjo është ndoshta një nga gjërat e parapëlqyera tonat – thjesht të rrimë e të shijojmë një film – sepse kjo i bllokon gjërat për të cilat jemi të shqetësuar apo të stresuar, dhe është thjesht koha kur mund të rrimë së bashku.

Plaku Skot: Kjo mund të jetë e shkëlqyer për një çift të martuar, por mendoj se është ide torollake për dy njerëz që po përpiqen ta njohin njëri-tjetrin! Nëse je një i ri që po përpiqesh të njohësh një të re, për atë qiell, mos e ço në kinema! Tani, nëse je i martuar me një engjëll, mund ta kuptoj pse do ta bëje këtë.

Rebeka: Jam dakord me këtë, megjithatë.

Plaku Skot: Bëni gjëra emocionuese. Bëni diçka që do ta bëjë atë një mbrëmje interesante. Por mos bëni si bëra unë. Kur takohesha me gruan time, një natë, e parakalova një makinë policie nga ana e gabuar. Ata na çuan në polici. A mund ta imagjinoni të përpiqesh t’i bësh përshtypje një zonjusheje duke qenë në një rajon policie?

Rebeka: Kjo është më emocionuese se filmat!

Plaku Skot: Kjo është tamam Rebeka. Ajo gjithçka e kthen në një gjë pozitive dhe gjithmonë e bën jetën të lumtur. A po planifikoni të keni vetë familjen tuaj?

Rebeka: Po. Absolutisht. Është diçka që e kemi vazhdimisht në mendje, sepse e kuptojmë që është një urdhërim i Atit Qiellor. Meqë kemi pasur familje kaq të mrekullueshme, e kuptojmë pse është kaq e rëndësishme në ungjill dhe dëshirojmë ta kemi për veten tonë.

Plaku Skot: A do të vendosni se sa fëmijë të keni, apo do ta lini ta vendosë Zoti atë?

Beni: Ajo e ka një numër. Unë do ta lë Zotin të vendosë.

Rebeka: Do ta lëmë të vendosë Zoti.

Plaku Skot: Vërtet dëshiroj t’ju falënderoj që të dyve, që qetë kaq të mirë dhe bëtë këtë sonte. Është thjesht një gëzim. Kurdoherë kam pranë ndonjërin prej jush, jeta ime zbukurohet. E di Ben që, vite më parë, kur ky ëngjëll ishte vetëm një fëmijë e vogël dhe bashkëshortja ime ndërroi jetë, ajo e dinte se shpirti im kishte nevojë për gëzim. Ajo më merrte në telefon dhe dëgjoja ato fjalë që do të ma emociononin zemrën: “Përshëndetje Plaku Skot. Jam Rebeka.” Dhe që nga ajo kohë ka qenë një bekim i mrekullueshëm t’ju njihja ju dhe tani, t’ju shoh që të dyve kaq shumë, shumë të lumtur në martesë.

Beni: Ne vërtet jemi shumë, shumë të lumtur.

Plaku Skot: A ka ndonjë gjë që doni ta komentoni? Gjithë bota po ju dëgjon. Ndonjë sugjerim që do të donit ta bënit?

Rebeka: Mendoj se një gjë për të cilën Beni është vërtet, vërtet i mirë, që unë e kam vlerësuar në martesën tonë, është, siç thashë, bërja e gjërave të vogla. Bërja e gjërave të vogla që ndihmojnë që marrëdhënia juaj të shkojë përpara. Shpirtërisht gjithashtu – të lexoni shkrimet tuaja të shenjta çdo ditë dhe të luteni së bashku dhe individualisht çdo ditë, dhe të shkoni në tempull, dhe të bëni ato gjëra të vogla. E di se misioni i Benit na ka bekuar kaq shumë sepse ai mundi t’i krijonte ato zakone në misionin e tij, të cilat ai ka mundur t’i zbatojë në martesën tonë, që e përmirësojnë atë kaq shumë.

Plaku Skot: Faleminderit.

Beni: Këshilla ime e vetme do të ishte të thuash “të dua” çdo ditë. Kjo është një gjë që unë e kam bërë në martesën tonë, e cila na ka bekuar tepër. Dhe jo vetëm ta thuash atë me gojë – por ta nënkuptosh me zemër gjithashtu.

Plaku Skot: Faleminderit shumë, shumë të dyve.

Përqendrimi tek Krijimi i Marrëdhënieve Familjare

Dikur, mora një mësim të rëndësishëm nga bashkëshortja ime. Udhëtoja gjerësisht në punën time. Nuk kisha qenë për gati dy javë dhe u ktheva në shtëpi një mëngjes të shtune. Kisha katër orë kohë përpara se të shkoja në një mbledhje. Vura re se makina jonë e vogël larëse ishte prishur dhe gruaja ime po i lante rrobat me dorë. Duke pasur një përgatitje inxhinierike, fillova të rregulloj makinën larëse.

Zhanina erdhi dhe tha: “Riç, çfarë po bën?”

I thashë: “Po riparoj makinën larëse, që të mos të të duhet të lash me dorë”.

Ajo tha: “Jo. Shko të luash me fëmijët.”

I thashë: “Mund të luaj me ta në çfarëdo kohe. Dua të të ndihmoj ty.”

Ajo tha: “Riçard, të lutem shko të luash me fëmijët”.

Kur më foli me atë autoritet, e përshëndeta dhe u binda.

Kalova një kohë të mrekullueshme me fëmijët tanë. Ne ndoqëm njëri-tjetrin rreth e rrotull dhe u rrokullisëm mbi gjethet e vjeshtës. Më vonë, shkova në mbledhjen time. Ndoshta do ta kisha harruar atë përvojë sikur të mos ishte për mësimin që ajo dëshironte që të mësoja.

Mëngjesin tjetër, rreth orës 4 të mëngjesit, u zgjova kur ndjeva dy krahë të vegjël në qafë, një puthje në faqe dhe këto fjalë të pëshpëritura në veshin tim, që nuk do t’i harroj kurrë: “Babi, unë të dua. Ti je miku im më i miri fare.”

A po të ndodh ajo lloj përvoje me fëmijët e tu? Nëse jo, po humbet një nga gëzimet hyjnore të jetës. Nëse nuk je martuar ende, mund ta vendosësh tani që, kur të jesh prind, lumturia e fëmijëve të tu do të jetë një përparësi shumë e lartë në jetën tënde.

Bindja na Kualifikon që të Udhëhiqemi nga Zoti

Kur jeton urdhërimet e Jezu Krishtit, ti kualifikohesh që të udhëhiqesh nga Zoti. Si rrjedhim, nuk do të marrësh pjesë në gjërat e gabuara që vazhdojnë rreth teje. Ti mund të dallosh një shoqe të përjetshme, me të cilën të kesh një jetë të mrekullueshme kur që të dy shprehni besim tek Shpëtimtari e forca e Tij dhe jetoni me denjësi gjatë kohës para martesës.

Bëjeni vendin ku jetoni, pavarësisht sa i përulur dhe i përkohshëm, mishërimin e një mjedisi të pastër e të drejtë, ku Shpirti të mund të banojë. Mbajeni atë një qiell paqeje pa konflikt apo mosmarrëveshje. Kjo këshillë jepet edhe për ata që janë të martuar edhe për ata që janë beqarë. Nëse filloni tani ta bëni shtëpinë tuaj një mjedis ku Shpirti të mund të banojë, do të ketë gjithmonë e më shumë gjasa që ju të jeni të aftë të veproni kështu kur të keni një familje tuajën.

Të rinj, mos e shkoni kohën kot me kërkime boshe. Shërbeni një mision të denjë. Pastaj bëjeni përparësinë tuaj më të lartë gjetjen e një shoqeje të përjetshme e të denjë. Përparoni në jetë dhe punoni për këtë. Jo thjesht të endeni pa përpjekje në këtë periudhë të jetës. Ajo kalon tepër shpejt. Kur të kuptoni se po krijoni një interes të fuqishëm për një të re, tregojini asaj se jeni një njeri i veçantë, që për të do të ishte interesante ta njihte më mirë. Çojeni atë në vende që ia vlen. Shfaqni një farë iniciative. Është shumë në rregull të shkoni në kinema pasi të martoheni, por është budallallëk ta bëni më përpara. Njiheni njëri-tjetrin. Nëse dëshironi të keni një bashkëshorte të mrekullueshme, duhet të jeni tërheqës për atë.

Nëse e keni gjetur dikë, filloni t’i rritni me drejtësi këto ndjenja së bashku. Ju mund të krijoni një periudhë para martese e një martesë jashtëzakonisht të mrekullueshme dhe të jeni shumë, shumë të lumtur përjetësisht, duke ndenjur brenda kufijve të denjësisë që ka caktuar Zoti.

Si mundet ta shmangin kapërcimin e kufirit dhe rënien në tundim dy njerëz të dashuruar? Le ta përkufizojmë dashurinë: Ta duash një tjetër drejtësisht është ta mbrosh, ta lartësosh, ta mbash të dëlirë dhe të pafëlliqur, të sakrifikosh veten në dobi të tjetrit. Të duash është të mbash rezervë për shenjtërinë e martesës përvojat e shenjta dhe intime. Kur këto përvoja shprehen siç duhet në martesë, ato i afrojnë së bashku bashkëshortin e bashkëshorten dhe i forcojnë për përgjegjësitë në rritje të prindërimit. Këto veprime të shenjta çojnë në formimin e trupave fizikë për fëmijët shpirtërorë që Ati në Qiell ua beson një nëne e një ati. Në atë mjedis të shenjtë, shprehja e duhur intime është e bukur dhe qëllimplote. Kur të kujtoni këto fakte, do të dëshironi ta mbani të pastër e të dëlirë periudhën tuaj paramartesore.

Këshillë për Çiftet e Martuara

Tani, dëshiroj të të flas ty që e ke gjetur tashmë shoqen tënde të përjetshme. Ju ftoj juve që nuk jeni martuar ende, të dëgjoni me kujdes, kështu që kur të vijë koha, ju të mund ta bëni martesën tuaj më të mirën që mund të jetë.

Proklamata mbi familjen deklaron se bashkëshorti e bashkëshortja duhet të jenë partnerë të barabartë (shih “Familja: Një Proklamatë Drejtuar Botës”, Ensign, nëntor 1995, f. 102). Shumë çifte e praktikojnë bashkëpjesëmarrjen e barabartë me shokun e tyre për dobi të të dyve dhe për bekimin e fëmijëve të tyre. Megjithatë, shumë nuk e bëjnë. E nxis gjithësecilin që ngurron të krijojë një bashkëpjesëmarrje të barabartë me bashkëshortin e saj apo bashkëshorten e tij, që t’i bindet këshillës së frymëzuar së Zotit dhe ta bëjë atë. Bashkëpjesëmarrja e barabartë prodhon përfitimin më të madh kur që të dy, bashkëshorti e bashkëshortja, kërkojnë vullnetin e Zotit ndërsa marrin vendime të rëndësishme për veten dhe për familjen e tyre, siç na thanë se bëjnë Beni dhe Rebeka.

Nëse je i martuar, a je besnik ndaj bashkëshortes tënde mendërisht si dhe fizikisht? A je besnik ndaj besëlidhjeve të martesës duke mos u përfshirë kurrë në bisedë me një person tjetër që nuk do të dëshiroje ta dëgjonte bashkëshortja jote? A je i mirësjellshëm dhe mbështetës për bashkëshorten dhe fëmijët e tu?

Vëllezër, a i ndihmoni bashkëshortet tuaja duke bërë disa prej punëve të shtëpisë? A kryesoni në aktivitete familjare të tilla si studimi i shkrimit të shenjtë, lutja familjare dhe mbrëmja familjare, apo e mbush bashkëshortja mungesën tuaj të vëmendjes në shtëpi? A u thoni shpesh bashkëshorteve tuaja se sa shumë i doni?

Shprehe mirënjohjen për atë çfarë bën për ty bashkëshortja jote. Shprehe shpesh atë dashuri dhe mirënjohje. Kjo do ta bëjë jetën shumë më të pasur, më të këndshme e më qëllimplote. Shumë gra rrallë dëgjojnë një koment miklues dhe nuk marrin falënderime për morinë e të mirave që bëjnë. Kjo është tragjike. Si bashkëshort, kur ta ndiesh se bashkëshortja jote ka nevojë për nxitje, mbaje në krahë dhe i thuaj se sa shumë e do. Secili prej nesh qoftë gjithmonë i butë dhe vlerësues për shoqen e veçantë që i pasuron jetën.

Si bashkëshort, të jesh i vetëdijshëm për atë çfarë mund të komunikosh në mënyrë të pandërgjegjshme nga mënyra si e trajton bashkëshorten tënde në publik. Kur shtrëngoj duart me anëtarë në fund të një mbledhjeje, herë pas here vë re se një burrë qëndron në radhë para bashkëshortes së tij. Kjo është e papërshtatshme – në fakt, është thjesht budallallëk i hapur. Është poshtëruese për atë. Gjestet e thjeshta, si hapja e derës për një grua, në makinë ose dhomë, tregon se si ti dëshiron t’i japësh asaj respektin që meriton.

Si bashkëshort e bashkëshorte punoni në bashkëpjesëmarrje që të zhvilloni pikat e forta të njëri-tjetrit. Dëgjojeni njëri-tjetrin dhe ndihmojeni njëri-tjetrin. Kam parë burra të hedhin poshtë këshillën nga një bashkëshorte, e cila ka gjasa të jetë përpjekur për një kohë të gjatë që të gjente çastin e përshtatshëm për të përmendur diçka, të cilën bashkëshorti duhej ta ndryshonte. Mos e bëj atë.

Do të jap një shembull që ta ilustroj atë çfarë dua të them. Herët në martesën tonë, Zhanina gjeti tamam kohën e përshtatshme për të më folur për diçka që e di se ndoshta ajo e kishte vënë re qysh kur u takuam. Ajo tha: “Riç, kur u flet njerëzve, vështroji në sy. Ti sheh në tavan dhe në mure, dhe në dysheme, por nuk i vështron asnjëherë në sy.” Ai sugjerim e ndryshoi thellësisht jetën time. Shoqja ime e çmuar më donte aq shumë sa të më ndihmonte duke ma thënë atë që kisha nevojë ta dija.

Mësova nga bashkëshortja ime rëndësinë e shkëmbimit të shënimeve. Qysh herët në martesën tonë, do të hapja shkrimet e mija të shenjta për të dhënë një mesazh dhe do të shihja një shënim të dashur e mbështetës, të shkiste nëpër faqe. Nganjëherë qenë kaq të ëmbël sa mezi mund të flisja. Ato shënime të çmuara nga një bashkëshorte e dashuruar ishin dhe janë një thesar i paçmeshëm ngushëllimi.

Fillova të bëja të njëjtën gjë për të, pa e kuptuar se sa shumë kuptim kishin vërtet ato për të. Kur ajo ndërroi jetë, zbulova në sendet e saj vetjake se sa shumë i vlerësoi ajo mesazhet e thjeshta që ndamë me njëri-tjetrin. Zbulova se ajo jo vetëm që i mbajti shënimet, por edhe se i kishte mbrojtur me veshje plastike, si të ishin një thesar me vlerë. Vetëm njërin ajo nuk e vuri me të tjerët. Ende ndodhet pas xhamit të sahatit tonë të kuzhinës. Aty shkruhet: “Zhaninë, është koha të të them që të dua”. Ai mbetet atje që të më kujtojë vazhdimisht për atë bijë të veçantë të Atit në Qiell.

Në ditët e fundit të sëmundjes së saj, u përpoqa të gjej shkrime të shenjta mbështetëse që do ta ndihmonin. Vura nëpër shtëpi kopje të printuara të tyre. I gjeta secilin prej këtyre mesazheve të mbrojtur me kujdes, sikur të ishin shumë me vlerë. Në mënyrë të ngjashme, unë kam mbajtur shënimet e çmuara që ajo më ka dhënë.

Kur kam menduar për jetën tonë së bashku, kam kuptuar se sa të bekuar kemi qenë. Nuk ka pasur kurrë një mosmarrëveshje në shtëpinë tonë, kurrë një fjalë të pasjellshme mes nesh. Tani e kuptoj se ai bekim ka ardhur për shkak të saj. Ai ka ardhur nga gatishmëria e saj për të dhënë, për të ndarë dhe për të mos menduar kurrë për vete. Në jetën tonë të mëvonshme së bashku, u përpoqa të ndiqja shembullin e saj. Ju sugjeroj që, si bashkëshort e bashkëshorte, të bëni të njëjtën gjë në shtëpinë tuaj dhe, kur ju beqarë të martoheni, planifikoni të bëni po ashtu me shoqen tuaj.

Dashuria e Dëlirë Sjell Lumturi

Tani do të flas për diçka që është më e shenjta. Kur u krijuam, Ati në Qiell vendosi në trupat tanë aftësinë për të ngjallur emocione të fuqishme. Brenda besëlidhjes së martesës, kur përdoret siç duhet në mënyra të pranueshme për të dy, bashkëshortin e bashkëshorten dhe për Zotin, ato emocione hapin dyert që fëmijët të vijnë në tokë. Shprehje të tilla të shenjta dashurie janë një pjesë thelbësore e besëlidhjes së martesës. Brenda martesës, ato emocione duhet të përdoren për ta lejuar një çift që të afrohet në unitet me anë të shprehjes së bukur e me vend të atyre ndjenjave mes bashkëshortit e bashkëshortes. Ka çaste në jetën e saj, vëllezër, kur ju duhet t’i përmbani ato ndjenja. Ka çaste kur ju duhet të lejoni shprehjen e tyre të plotë. Të jeni gjithmonë të ndjeshëm ndaj ndjenjave të saj. Zoti le t’ju udhëheqë në mënyra që do ta pasurojnë martesën tuaj.

Ka burra, dhe fatkeqësisht disa gra, që eksperimentojnë duke i stimuluar ato emocione nga ndikime jashtë besëlidhjes së martesës. Ka një ndryshim të fuqishëm mes dashurisë dhe epshit. Dashuria e dëlirë jep lumturi dhe sjell mirëbesim. Ajo është themeli i gëzimit të përjetshëm. Epshi do ta shkatërrojë atë që është pasuruese dhe e bukur. Një çift i martuar nuk duhet të ketë aktivitete private, të fshehura, që mbahen sekret nga njëri-tjetri. Ai model jete jep siguri të fuqishme shpirtërore. Kur të udhëtosh, merr me vete një fotografi të bashkëshortes tënde. Vendose përpara teje, kështu që të mund ta shohësh vazhdimisht, që të kujtosh se sa të do e sa besim ka te ti. Ti nuk do të tundohesh të ndotësh mendjen apo të dhunosh besëlidhjet e tua.

Dashuria e dëlirë është një forcë e pakrahasueshme, e fuqishme për mirë. Dashuria e drejtë është themeli i një martese të suksesshme. Është shkaku parësor i fëmijëve të kënaqur e të zhvilluar mirë. Cili mund ta masë saktë ndikimin e drejtë të dashurisë së një nëne? Çfarë frytesh të qëndrueshme do të rezultojnë nga farat e së vërtetës që ti, si nënë, mund të mbjellësh me kujdes e të kultivosh me dashuri në dheun pjellor të mendjes dhe zemrës mirëbesuese të vetë fëmijës tënd? Si nënë, ty të janë dhënë instinkte hyjnore për të të ndihmuar që të ndiesh talentet e veçanta dhe aftësitë unike të fëmijës tënd. Me bashkëshortin tënd, ti mund t’i ushqesh, t’i forcosh e t’i bësh të lulëzojnë ato tipare.

Vëllezër, si bashkëshortë, vazhdimisht u thoni bashkëshorteve tuaja se sa shumë i doni. Kjo do t’u sjellë atyre lumturi të madhe. Kam dëgjuar burra që, kur e them këtë, thonë: “Oh, ajo e di”. Ti duhet t’ia thuash. Një grua ka nevojë për atë sigurim. Ajo lulëzon e zhvillohet dhe bekohet shumë prej tij. Mos i refuzoni ato shprehje të natyrshme të dashurisë. Dhe funksionon shumë më mirë nëse e mbani pranë kur t’ia thoni. Si një bir, i thoni nënës tuaj se sa shumë e doni. Kjo do t’i japë asaj gëzim të madh.

Le t’i jemi mirënjohës Atit tonë në Qiell për bijat e Tij të vyera. Le t’i ndihmojmë ato sa më shumë të mundemi. Le ta nxisim çdo grua që e vë në dyshim vlerën e saj, t’i drejtohet Atit të saj Qiellor dhe Birit të Tij të përlëvduar për një pohim hyjnor të vlerës së saj individuale të pamasë. Unë dëshmoj se, kur çdo grua e kërkon atë sigurim me besim dhe bindje, Shpëtimtari vazhdimisht do ta japë atë nëpërmjet Frymës së Shenjtë. Ai drejtim do ta udhëheqë atë në përmbushje, paqe dhe gëzim të fuqishëm me anë të lartësimit të qenies së saj të shenjtë si grua, të caktuar hyjnisht.

Bekimet e Martesës

Martesa është kaq e mrekullueshme. Më vjen keq për juve që nuk e keni bërë ende këtë zgjedhje ose nuk keni pasur mundësi. Ju e njihni shumë mirë njëri-tjetrin. Me kohë, ju filloni të mendoni njësoj, të keni të njëjtat ide dhe përshtypje. Ju keni çaste kur jeni jashtëzakonisht të lumtur, çaste testimi dhe çaste sprove, por Zoti ju drejton së bashku nëpër të gjitha këto përvoja rritjeje. Më kujtohet një rast me njërin djalë të vogël që qe shumë i sëmurë. Ai qe në spital dhe ndërroi jetë. Ndërsa Zhanina dhe unë po ktheheshim nga spitali, ndaluam makinën në anë të rrugës. E mbajta në krahët e mi. Secili prej nesh qau pak, por e kuptuam se do ta kishim atë përtej velit, sepse ne i kishim bërë ato besëlidhje në tempull dhe kjo e lehtësoi shumë situatën.

Mirësia e Zhaninës më mësoi kaq shumë gjëra të çmueshme. Unë isha kaq i papjekur dhe ajo qe kaq e disiplinuar, kaq e pjekur dhe kaq shpirtërore.

Është kaq shumë shpërblyese të jesh i martuar. Një natë, u zgjua djali ynë i vogël me një problem zemre. Të dy ne e dëgjuam këtë. Normalisht, gruaja ime ngrihej gjithmonë që të kujdesej për foshnjën që qante, por këtë herë unë thashë: “Do të kujdesem unë për të”.

Për shkak të problemit të tij, kur fillonte të qante, zemra e tij e vogël do t’i rrihte shumë shpejt. Ai do ta nxirrte çfarëdo ushqimi që kishte ngrënë dhe do të bënte pis shtresat e shtratit. E dija se kishte ndodhur, kështu që e mbajta shumë pranë që të përpiqesha t’i qetësoja zemrën që i rrihte dhe ta pushoja së qari, ndërsa i ndërrova rrobat dhe vura shtresa të tjera. E mbajta derisa e zuri gjumi. Nuk e dija atëherë, se vetëm disa muaj më vonë, ai do të ndërronte jetë. Do ta kujtoj gjithmonë duke e mbajtur në krahë.

Disa prindër nuk janë fizikisht të aftë të kenë fëmijët që i dëshirojnë së tepërmi për të formuar vetë familjen e tyre. Jam dëshmitar se Zoti mund t’i drejtojë prindër të tillë tek shpirtra që Ai do të donte të ishin në shtëpitë e tyre me anë të procesit të birësimit. Më vonë, kur ata fëmijë të vulosen në tempull me autoritetin e priftërisë, ata janë në çdo kuptim të barazvlershëm me fëmijët e lindur atij çifti në besëlidhje.

Martesa të aftëson të zbulosh vërtet se cili je. Ajo siguron një mjedis ideal për të kapërcyer çfarëdo prirje për të qenë egoist ose i përqendruar tek vetja. Mendoj se një nga arsyet se pse ti këshillohesh të martohesh qysh herët në jetë, është që të mos zhvillosh tipare të papërshtatshme karakteri që janë të vështira të ndryshojnë.

Nderim për Bashkëshorten Time, Zhaninën.

Jam mirënjohës që Ati në Qiell i bëri gratë më të ndjeshme, me aftësi më të madhe për të shprehur dashuri dhe më të afta për të shfaqur durim e për t’i mbajtur gjërat të qëndrueshme. Për gratë, ndryshimi mes të drejtës e të gabuarës është po aq i gjallë sa mes të zezës e të bardhës, ndërsa shumë prej ne burrave shohim një gamë të gjerë gri. Ne s’kemi pasur mosmarrëveshje në shtëpinë tonë, por kjo qe për shkak të një bashkëshorteje të dhembshur që gjithmonë i mbajti gjërat në barazpeshën e duhur.

Bashkëshortja ime e çmuar, Zhanina, edhe pse e prekur nga një sëmundje agresive vdekjeprurëse, vazhdimisht gjeti gëzim në jetë. Ajo e kuptoi planin e lumturisë, kishte marrë ordinancat e tempullit dhe po bënte më të mirën që të kualifikohej për bekimet e premtuara. Në ditarin e saj personal shkruhet: “Është një ditë e bukur vjeshte. Mora postën dhe u ula në lëkundëse. Isha kaq e lumtur dhe e gëzuar në diellin e ngrohtë, mes aromës së ëmbël të natyrës dhe pemëve rreth meje. Unë thjesht u ula dhe u krenova me faktin se jam ende e gjallë mbi këtë tokë të bukur. … Zoti është kaq i mirë me mua. Sa shumë e falënderoj që jam ende këtu dhe ndihem kaq mirë. Jam kaq shuuuumë e lumtur saqë thjesht dua të bërtas e të vallëzoj nëpër këtë shtëpi të bukur ndërsa dielli hyn përmes dritareve të mëdha. Më pëlqen që jam gjallë.”

E di se si është të dashurosh një bijë të Atit në Qiell, që plot hir e përkushtim jetoi shkëlqimin e plotë femëror të qenies së saj drejtësisht si grua. E dua bashkëshorten tim shumë të shtrenjtë, Zhaninën. Ajo qe gjithmonë e lumtur plot gëzim dhe shumë prej kësaj rridhte nga shërbimi për të tjerët. Edhe kur qe shumë e sëmurë, në lutjen e saj të mëngjesit, ajo do t’i kërkonte Atit të saj në Qiell që ta udhëhiqte tek dikush të cilin ajo mund ta ndihmonte. Ajo lutje e sinqertë mori përgjigje përsëri e përsëri. Barrët e shumë vetëve u lehtësuan, jeta e tyre u ndriçua. Ajo u bekua vazhdimisht që qe një mjet i drejtuar nga Zoti.

Ju lutem, më falni që flas për bashkëshorten time të shtrenjtë, Zhaninën. Por ne jemi një familje e përjetshme. Edhe pse ajo është në anën tjetër të velit, ajo dashuri e ai vlerësim për njëri-tjetrin vazhdojnë të rriten e forcohen. Kam besim se, kur në të ardhmen tonë ta shoh atë përsëri përtej velit, ne do ta kuptojmë se jemi më thellësisht të dashuruar. Ne do ta vlerësojmë edhe më shumë njëri-tjetrin, pasi kemi kaluar këtë kohë të ndarë nga veli. Ne i jemi afruar njëri-tjetrit përmes mirësisë së Zotit.

Zoti i Mban Premtimet e Tij

Disa prej jush mund të ndihen të vetmuar e të pavlerësuar dhe nuk mund të shohin se si do të jetë e mundur që të kenë bekimet e martesës dhe fëmijë, apo vetë familjen e tyre. Për Zotin çdo gjë është e mundur dhe Ai i mban premtimet që i frymëzon të deklarojnë profetët e Tij. Përjetësia është një kohë e gjatë. Ki besim në ato premtime dhe jeto i denjë për to, kështu që në kohën e Tij, Zoti të mund t’i realizojë në jetën tënde. Me siguri, ti do të marrësh çdo bekim të premtuar për të cilin je i denjë. Unë lutem që kjo të jetë në këtë anë të velit.

Në mbyllje, po ndaj një parim të përjetshëm, që do të të sigurojë për një jetë të pasur qëllimplote, qoftë nëse je beqar apo i martuar. Kam gjetur se mënyra më e mirë për ta jetuar jetën është të kërkojmë të dimë vullnetin e Zotit, siç drejtohemi nga Fryma e Shenjtë. Ai e di se ç’është më e mira për ty. Ndërsa je i bindur dhe ushtron besim tek Ai, Ai do të të ndihmojë ta kuptosh vullnetin e Tij për ty në jetën tënde. Zoti e frymëzoftë, drejtoftë dhe bekoftë bollshëm secilin prej jush, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

© 2010 nga Intellectual Reserve, Inc. I rezervohen të gjitha të drejtat. Miratuar për anglisht: 10/09. Miratuar për përkthim: 10/09. Përkthim i To Have Peace and Happiness. Albanian. PD50021030 101

^ Back to top