Plaku L. Tom Peri, “Ne Ishim Brezi më i Shkëlqyer,” Mar 2011
Mbledhja Rreth Vatrës e SAK-ut për të Rinjtë në Moshë Madhore • 6 Mars 2011 • Universiteti “Brigam Jang”
Është gjithmonë një ndjenjë tronditëse kur qëndroj dhe shoh këtë grup të bukur e të pashëm të rinjsh në moshë madhore. Është edhe më turbulluese të kuptosh se ka dhjetëra mijëra prej jush të mbledhur në kongregacione në mbarë botën.
Ju Jeni e Ardhmja e Kishës
Ndërsa vitet do të kalojnë me shpejtësi, ju do të shihni pas tek kjo kohë si një nga periudhat më emocionuese të jetës suaj. Unë kam besim e mirëbesim të madh tek të rinjtë në moshë madhore të Kishës. Një nga zbulesat më të spikatura që kam marrë ndonjëherë, erdhi kur po përgatitesha të kryesoja mbi Zonën e Europës Qendrore.
Gjatë një nate pa gjumë pata përshtypjen se të rinjtë në moshë madhore, ishin e ardhmja e Kishës në Europë dhe se unë duhet të përqendrohesha tek ata. Doli se ajo qe një nga periudhat më shpërblyese të shërbesës time të gjatë. Disa nga rezultatet shumë të kënaqshme kanë ardhur gjatë disa viteve të shkuara kur ne kemi dëgjuar idetë dhe shqetësimet tuaja.
Së bashku ne kemi mësuar se si t’ju ndihmojmë që të sillni miqtë tuaj, të shumtë në numër, që të adhurojnë me ju. Unë kam parë fuqinë e zjarrtë shpirtërore të të rinjve në moshë madhore të Kishës. E njoh zotësinë tuaj. Kam parë se si forconi njëri-tjetrin dhe se si sillni miqtë tek një njohuri e ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit.
Ju jeni të rinj dhe unë jam i moshuar. Shumë vite na ndajnë ju dhe mua. Kur isha në moshën tuaj, përdorja një rigë llogaritëse për të bërë njehsime në mësimin tim të mbajtjes së llogarive. Do t’ju jap një shembull se si funksionon kjo. Unë flas me ritmin 140 fjalë në minutë kur jap një bisedë. Nëse e çoj rigën tek numri i fjalëve që po them, vë re se sa e gjatë do të jetë biseda. Për mua, kjo është shumë më e shpejtë se një mjet modern llogaritjeje. Por me qëllim që të jem në harmoni me mendjet tuaja të shkëlqyera e moderne, për thuajse të gjitha njehsimet, unë duhet të familjarizohem me mjetet moderne të kësaj kohe.
Që të mbaj ritmin me ju, më është kërkuar të bëj shumë ndryshime, që të jem pranë teknologjisë më të fundit. Kam mësuar të përdor një makinë llogaritëse, një kartë shënuese 1401 dhe një kompjuter me disk magazinimi 360, një laptop, një pajisje PalmPilot, një telefon Blekberi, një iPod, një iPhone dhe tani kam një iPad. Shtojuni këtyre Facebook-un, Twitter-in, blog-et dhe YouTube-in. Mendoni se si është për një burrë 88-vjeçar që të përpiqet të jetë në harmoni me ju!
Çfarë prove është për brezin tim që të përpiqet të jetojë e të vëzhgojë atë çfarë po krijoni ju. Por ne kemi një përparësi mbi ju. Ne kemi kaluar nëpër të gjitha ndryshimet. Ne kemi fituar përvojë, nga një njohje e disa prej gjërave themelore bazë, që ende kanë vlerë të madhe si një themel mbi të cilin të ndërtohet. Ju vetëm mund të lexoni për to. Unë dëshiroj të flas për disa nga këto gjëra themelore bazë, që asnjëherë nuk duhen hedhur poshtë ose lënë mënjanë.
Bëjeni Brezin Tuaj Brezin më të Shkëlqyer
Disa vite më parë, një autor i mirënjohur i përshkroi disa nga burrat dhe gratë e kohës sime si “brezin më të shkëlqyer”. Autori, Tom Brokou [Tom Brokaw], shpjegoi:
“Këta burra e gra u rritën në periudhën e Depresionit të Madh, kur dëshpërimi ekonomik rrinte pezull mbi tokë si një epidemi. Ata kishin vështruar prindërit e tyre të humbnin bizneset e tyre, fermat e tyre, punët e tyre, shpresat e tyre. Ata kishin mësuar të pranonin një të ardhme që shpalosej ditë për ditë. Pastaj, tamam kur qe një dritëz e rigjenerimit të ekonomisë, lufta shpërtheu nëpër Europë dhe Azi. … Këtij brezi iu bë thirrje në sheshin e paradës dhe iu tha të stërvitej për luftë. Ata lanë fermat e tyre … , punët e tyre në rrugën kryesore … , ata i lanë vendet e tyre në rreshtat e mbledhjeve … dhe në vendet e punës në Uoll Strit, ata u larguan nga shkolla ose shkuan nga ceremonia e diplomimit drejtpërsëdrejti tek uniforma. …
Ata u përballën me shanse të mëdha dhe një nisje të vonë [të luftës], por nuk protestuan. Në një kohë të jetës së tyre, kur ditët e netët duhet të ishin mbushur me aventura të pafajshme, dashuri dhe mësimet e punës për të jetuar në botë, ata po luftonin, shpesh krah për krah, në kushtet më primitive të mundshme. … Ata qenë në ajër çdo ditë, në qiejt e mbushur me tmerre dhe ata shkuan në dete në ujëra armiqësore shumë larg prej brigjeve të atdheut të tyre. …
Kur lufta mbaroi, burrat dhe gratë që qenë përfshirë … u mblodhën në festime të gëzueshme e të shkurtra, pastaj menjëherë filluan detyrën e rindërtimit të jetës së tyre dhe të botës që dëshironin. Ata u poqën përtej viteve të tyre, të kalitur nga ajo që kishin kaluar, të disiplinuar nga … trajnimi dhe sakrificat e tyre. Ata u martuan në shifra rekord dhe lindën një tjetër … brez. … Ata i qëndruan të vërtetë vlerave të tyre të përgjegjësisë personale, detyrës, nderit dhe besimit.”1
Kur isha në moshën tuaj, mezi prisja të njëjtat gjëra që ju dëshironi sot. Ne parashikonim histori dashurie, arsimim, profesione dhe martesë. Përkundrazi, ne u thirrëm të shërbenim dhe u dërguam në të katër anët e tokës për t’u përfshirë në një luftë të tmerrshme që të mbronim të drejtat tona themelore, për të gëzuar lirinë për të menduar, vepruar, mbledhur dhe qeverisur, të siguruar nga rregulli i ligjit. Shërbimi ynë nuk qe vetëm për veten tonë – do të ishte kontributi ynë për brezat që do të vijonin pas nesh. Ne shkuam përpara me gatishmëri. U desh kurajë e madhe.
Edhe pse nuk e pretendoj titullin vetëm për veten time, unë jam një nga të mbijetuarit e mbetur të atij që u quajt “brezi më i shkëlqyer”. Ndërsa shoh të ardhmen – ndërsa shoh të ardhmen tuaj – unë lutem që ju të dilni përpara dhe të merrni përgjegjësinë tuaj për të ruajtur trashëgiminë fisnike të së shkuarës sonë. Unë lutem që në një ditë të ardhme ju të njiheni si “brezi më i shkëlqyer”.
Lufta juaj do të jetë shumë e ndryshme. Jam plotësisht i vetëdijshëm se sfidat tuaja do të jenë shumë më të mëdha se tonat. Ne e dinim se cili ishte armiku ynë në fushëbetejë. Ata na qëllonin! Armiku sot është shumë më ogurzi. Ai jo gjithmonë na kundërvihet në një betejë ballë për ballë. Në vend të kësaj, ai fshihet në thuajse çdo pajisje të njohur nga njeriu. Plani i tij është që të mbjellë një ide të ligë këtu dhe një mendim të lig atje, që të na udhëheqë larg prej virtyteve që na mëson historia jonë e lavdishme. Me planin e tij të shkathët, ai ka sajuar mënyra si të dobësojë besimin tonë të krishterë.
Sonte do të doja t’ju flisja juve mbi dobësimin e themelit të besimit të krishterë në mbarë botën.
Forcimi i Besimit tek Shpëtimtari
Ju keni një rol për të ndihmuar fëmijët e Atit tonë në Qiell që të kthehen në themelet e tyre të krishtera duke zhvilluar besim tek Shpëtimtari dhe mënyrat e Tij.
“Papa Benedikti XVI shprehu pikëllim [për] dobësimin e kishave në Europë, Australi dhe [Shtetet e Bashkuara. Ai tha:] ‘Nuk ka më prova për një nevojë për Perëndinë, edhe më pak për Krishtin. … Kishat e ashtuquajtura tradicionale, duket sikur po vdesin.’”2
Ne jemi larguar nga adhurimi tradicional. Më shumë njerëz thonë se janë shpirtërorë në vend të fetarë – nëse një mësim përshtatet me stilin e tyre të jetesës, ata do ta pranojnë dhe ai do të bëhet pjesë e besimit të tyre. Nëse jo, ata do të zhvillojnë besimin e vet të bërë prej njeriut. Besimi dhe shpirtshmëria konsiderohen tani si prodhime për konsumatorë. Materializmi ia ka kaluar dhe e ka zëvendësuar Perëndinë. Zërat tanë duhet të dëgjohen në kundërshtim me këto prirje të rrezikshme që janë hartuar për të shkatërruar besimin e njerëzimit.
Libri i Mormonit na ka paralajmëruar përsëri e përsëri ndaj zëvendësimit të mirëbesimit tonë tek Perëndia me ato gjëra që nuk zgjasin. Duke përshkruar një kohë kur shumë prej nefitëve po largoheshin nga besimi i tyre, Libri i Mormonit deklaron: “Ata u bënë kryelartë, duke u ngritur në zemrat e tyre, për shkak të pasurive të tyre jashtëzakonisht të mëdha; prandaj, ata u pasuruan në sytë e tyre dhe nuk donin t’ua vinin veshin fjalëve [të profetëve], që të ecnin drejt para Perëndisë” (Alma 45:24).
Miqtë e mi të rinj, ndërsa shihni dobësimin e besimit të krishterë në shoqëri, vetë besimi juaj duhet të bëhet edhe më i qëndrueshëm e më i sigurt. Helamani deklaroi: “Mbani mend se është mbi shkëmbin e Shëlbuesit tonë që është Krishti, biri i Perëndisë, që ju duhet të ndërtoni themelin tuaj; që kur djalli të çojë erërat e tij të fuqishme, po shigjetat e tij në shtjellë të erës, po, kur i gjithë breshëri i tij dhe furtuna e tij e fuqishme do të lëshohen mbi ju, nuk do të ketë fuqi mbi ju, që t’ju tërheqë në humnerën e mjerimit dhe të vuajtjes së pafund, për shkak të shkëmbit mbi të cilin jeni ndërtuar, që është një bazë e sigurt, një bazë mbi të cilën në qoftë se njerëzit ndërtojnë, nuk mund të bien” (Helamani 5:12).
Nefi na kujtoi: “Ne flasim për Krishtin, ne gëzohemi në Krishtin, ne predikojmë për Krishtin, ne profetizojmë mbi Krishtin dhe shkruajmë sipas profecive tona, që fëmijët tanë të mund të dinë se cilit burim t’i drejtohen për heqjen e mëkateve të tyre [dhe] atë jetë që është në Krisht. … Pasi udha e drejtë është që të besoni në Krisht” (2 Nefi 25:26–28).
A e kemi një themel që ta mbështesim një pretendim të tillë?
Simbolet e Sakrificës së Krishtit Kanë Qëndruar nëpër të Gjitha Epokat
Fakti i regjistruar më mirë në gjithë historinë është tregimi i misionit të Zotit e Shpëtimtarit tonë në tokë. Misioni i Tij u profetizua që nga fillimi i historisë së njeriut në tokë.
Le të përdorim thjesht një shembull. Tek Moisiu kapitulli 5 lexojmë:
“Dhe ndodhi që, pasi unë, Zoti Perëndi, i kisha nxjerrë ata jashtë, Adami filloi të lëronte tokën dhe të kishte sundim mbi të gjitha egërsirat e fushës, dhe të hante bukë me anë të djersës së ballit të tij, ashtu sikurse unë, Zoti, e kisha urdhëruar. Dhe Eva, gjithashtu, gruaja e tij, punoi me të. …
Dhe Adami dhe Eva, gruaja e tij, i bënë thirrje emrit të Zotit dhe e dëgjuan zërin e Zotit nga udha drejt kopshtit të Edenit, duke u folur atyre, dhe nuk e panë atë; sepse ata ishin larguar nga prania e tij.
Dhe ai u dha urdhërime, që ata duhej ta adhuronin Zotin, Perëndinë e tyre, dhe t’i ofronin të parëlindurit e tufave të tyre si flijim për Zotin. Dhe Adami iu bind urdhërimeve të Zotit.
Dhe pas shumë ditësh një engjëll i Zotit iu shfaq Adamit, duke thënë: Përse ia ofron flijimet Zotit? Dhe Adami i tha atij: Nuk e di, përveçse që Zoti më urdhëroi.
Dhe atëherë engjëlli foli, duke thënë: Kjo gjë është në ngjashmëri me flijimin e të Vetëmlindurit të Atit, i cili është plot hir dhe të vërtetë.
Si rrjedhim, ti do të bësh gjithçka që bën, në emër të Birit dhe do të pendohesh e do t’i thërrasësh Perëndisë në emër të Birit përgjithmonë” (vargjet 1, 4–8).
Kështu, sakrificat u themeluan në tokë si një ordinancë e ungjillit, që të praktikoheshin e të kryheshin me anë të autoritetit të priftërisë, duke tipizuar sakrificën e ardhshme të Birit të Njeriut, që do të jepte jetën e Tij për mëkatet e botës.
Forma e ordinancës u organizua gjithmonë që të paraqiste tipare specifike të sakrificës së Zotit kur Ai do të vinte në meridianin e kohës. Oferta e Pashkës, për shembull, qe organizuar që një qengj mashkull, më pak se një vjeç, pa njollë e të metë, të zgjidhej si ofertë. Gjaku derdhej dhe bëhej kujdes që asnjë kockë të mos thyhej – të gjitha simbole të mënyrës së vdekjes së Shpëtimtarit.
Është mahnitëse për mua që ofrimi i sakrificës vazhdoi në të gjitha epokat që nga Adami madje deri në kohën e Shpëtimtarit. Edhe pse njerëzimi kaloi përmes shumë periudhash braktisjeje, shpresa se Zoti do të shlyente për mëkatet e njerëzimit nëpërmjet Birit të Tij të Vetëmlindur dhe shpresa se gjaku i Tij shlyes do ta bënin të mundur pavdekshmërinë, qëndruan të qarta në mendjen e tyre.
Ofrimi i sakrificave në përgjithësi mbaroi si praktikë kur Shpëtimtari erdhi në tokë. Sakramenti u themelua që të kujtonte pasuesit e Tij se Ai kishte qenë në tokë dhe e kishte kryer shërbesën e Tij tokësore. Ne lexojmë tek Lluka 22:19–20:
“Mori bukën, falënderoi, e theu dhe ua dha atyre duke thënë: ‘Ky është trupi im, që është dhënë për ju; bëni këtë në përkujtimin tim’.
Po kështu, pas darkës, mori kupën duke thënë: ‘Kjo kupë është besëlidhja e re në gjakun tim, që është derdhur për ju’.”
Edhe një herë, habitem se ky kujtues, edhe përmes periudhave të errëta të braktisjes, u praktikua në shumë forma e në shumë mënyra gjatë brezave deri në kohën e Rivendosjes së ungjillit, kur fuqia e priftërisë qe përsëri në tokë për ta kryer ordinancën e shenjtë e shpëtuese.
Gjatë gjithë periudhave të historisë së regjistruar ne gjejmë kujtuesin e përhershëm të misionit të Shpëtimtarit tonë. Ai erdhi në tokë si dikush që kishte qytetari të dyfishtë – një nga Perëndia dhe një nga njeriu. Ai mundej atëherë të kryente sakrificën e Tij të shkëlqyer dhe fisnikëruese për të gjithë ne, nëpërmjet shlyerjes së Tij. A mund të ketë ndonjë provë më të fuqishme që Ai është Jezusi, Krishti, Shpëtimtari i botës, se sa thjesht studimi i doktrinave gjatë gjithë periudhave të kohës? Ai na ka dhënë ungjillin e Tij që të na udhëheqë e drejtojë gjatë qëndrimit tonë tokësor.
Tregojini Botës Vërtetësinë e Ungjillit të Jezu Krishtit
Presidenti Dejvid O. Mek-Kei tha:
“Përgjegjësia për t’i treguar botës se ungjilli i Jezu Krishtit do t’i zgjidhë problemet e saj, bie mbi njerëzit që bëjnë pohimin. … Unë besoj … se çdo problem i botës mund të zgjidhet nëpërmjet bindjes ndaj parimeve të ungjillit të Jezu Krishtit. …
Zgjidhjet ndaj problemeve më të mëdha të botës janë këtu në Kishën e Jezu Krishtit. Përgatitje të mjaftueshme janë bërë jo vetëm për nevojat e individëve por gjithashtu për kombet dhe grupet e kombeve. … Unë e pranoj se mund të duket se po i veshim vetes mendjemadhësisht urtësi superiore, por nuk po e bëjmë. Është thjesht zbatimi i planit të Perëndisë ndaj problemeve të botës. Ju që mbani priftërinë, keni përgjegjësi më të madhe sot, tani që jetoni në këtë çast krijues në historinë e botës, sesa e ka pasur Kisha ndonjëherë më parë. E përsëris atë. Nëse bëjmë pretendimin se kemi të vërtetën, është e detyrueshme për çdo shenjtor të ditëve të mëvonshme që të jetojë ashtu që, kur njerëzit e botës të vijnë, në përgjigje ndaj thirrjes që të shijojnë frytin e pemës, ta gjejnë atë të shëndetshëm e të mirë.”3
Mesazhi i madh që mbartim për botën është se ungjilli i Zotit e Shpëtimtarit tonë është rivendosur përsëri në tokë. Kisha e Tij është përsëri në tokë me fuqinë e lavdinë e priftërisë së shenjtë.
U është dhënë atyre të shuguruar ashtu, fuqia që të veprojnë për Atë si agjentët e Tij për të sjellë doktrinat, ordinancat, parimet dhe fuqitë për të lidhur në tokë ashtu si do të bëhet në qiej. Kjo është Kisha e Shpëtimtarit. Ai i drejton punët e Kishës së Tij nëpërmjet profetëve të Tij të zgjedhur. Profetët e Tij nga ana e tyre ua mësojnë ungjillin të tjerëve dhe dëshmojnë për Jezu Krishtin si Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë. Kjo ditë dhe epokë është periudha ungjillore e plotësisë së kohëve për të cilën është folur nga profetët që nga fillimi i kohës. Është koha e plotësimit të gjithçkaje që është shënuar se do të vinte, siç është folur nga profetët e Zotit dhe është shënuar në shkrimet e shenjta. Nuk është një kishë e re por një Kishë e rivendosur në botë në këtë ditë dhe epokë.
Ju jeni brezi që Zoti ka ruajtur për këtë ditë. Ju dolët nga ujërat e pagëzimit me një besëlidhje e një premtim ndaj Zotit që ta përfaqësoni Atë për t’i ndihmuar njerëzit që t’i flakin mënyrat e tyre si të botës dhe të kthehen tek bekimet që na premtohen nëse do ta ndjekim Atë dhe do të jetojmë ungjillin e Tij. Ju mund t’i ndihmoni fëmijët e Atit tuaj Qiellor që të kthehen në besimin e tyre të krishterë dhe të zhvillojnë besim tek Ai, dhe të kthehen te mënyrat e Tij.
Çfarë Mund të Bëni Ju
Ju mund të pyesni: “Çfarë mund të bëj unë?” Disa muaj më parë, presidenti i kunjit tonë, duke folur në mbledhjen e sakramentit, sugjeroi katër gjëra që ne mund t’i bëjmë që të sjellim të tjerë përsëri tek ne:
Së pari është lutja e përditshme. Më pëlqen ky deklarim në Bible Dictionary: “Sapo mësojmë marrëdhënien e vërtetë me të cilën qëndrojmë kundrejt Perëndisë (domethënë, Perëndia është Ati ynë dhe ne jemi fëmijët e Tij), atëherë menjëherë lutja bëhet e natyrshme dhe instinktive nga ana jonë (Mateu 7:7–11). Shumë nga të ashtuquajturat vështirësi në lidhje me lutjen vijnë ngaqë harrohet kjo marrëdhënie. Lutja është akti nëpërmjet të cilit vullneti i Atit dhe vullneti i fëmijës sillen në përputhje me njëri-tjetrin. Synimi i lutjes nuk është të ndryshohet vullneti i Perëndisë, por që të sigurojmë për vete dhe për të tjerët bekime që Perëndia është i gatshëm t’i japë, por që janë të kushtëzuara nga kërkimi i tyre prej nesh. Bekimet kërkojnë një farë pune ose përpjekjeje nga ana jonë përpara se të mund t’i sigurojmë ato. Lutja është një formë pune dhe është një mjet i caktuar për të siguruar më të lartët e të gjithë bekimeve.”4
Presidenti Tomas S. Monson ka thënë:
“Atyre që dëgjojnë zërin tim, të cilët po ndeshen me sfida dhe vështirësi, të mëdha e të vogla, lutja është furnizuesja e forcës shpirtërore. … Lutja është mjeti me anë të së cilës i qasemi Atit tonë në Qiell, që na do. Flitini Atij në lutje dhe pastaj dëgjoni përgjigjen. Mrekullitë janë shkruar përmes lutjes. …
Kujtoni të luteni me zjarr.”5
Kini lutjet tuaja të përditshme dhe pastaj ndihmoni të tjerë të kthehen tek besimi i tyre i krishterë duke i nxitur të bien në gjunjë dhe t’i luten Perëndisë.
Së dyti, studimi i përditshëm i shkrimeve të shenjta. A mund të ketë ndonjë dëshmi më të fuqishme për Jezu Krishtin sesa dëshmitë që gjejmë në Librin e Mormonit? Nga 239 kapitujt, 233 përmendin Shpëtimtarin. A nuk është mahnitëse?
Sigurohuni që të keni studim të përditshëm të shkrimit të shenjtë. Pastaj ndihmoni të tjerë të kthehen tek besimi i tyre i krishterë duke i nxitur ata t’i studiojnë gjithashtu përditë shkrimet e shenjta.
E treta, denjësia për në tempull. Disa prej jush kanë qenë në tempull, të tjerë jo. Është mirë të kuptojmë se çfarë kërkohet për të siguruar një rekomandim për në tempull. Ne e kuptojmë qartë procesin sipas të cilit shkojmë tek një gjykatës në Izrael e i vërtetojmë atij denjësinë tonë për të mbajtur një rekomandim aktual për në tempull dhe pastaj jetojmë sipas standardeve të kërkuara për ta mbajtur atë rekomandim.
Jetoni në mënyrë të tillë që shembulli juaj i drejtë do të tregojë se si të jetoni që të jeni të denjë për t’u kualifikuar për bekime të tempullit.
Së katërti, veprime të përditshme shërbimi. Kujtoni fjalët e Mbretit Beniamin: “Dhe vini re, unë jua them këto gjëra që ju të mund të mësoni urtësi; që ju të mund të mësoni se kur jeni në shërbimin e bashkëqenieve tuaja, ju jeni vetëm në shërbimin e Perëndisë tuaj” (Mosia 2:17). Zoti u përgjigjet drejtpërsëdrejti lutjeve tona nëpërmjet shërbimit që u japim të tjerëve.
Jini një shembull i shërbimit si të Krishtit dhe ndihmoni të tjerë të kthehen tek besimi i tyre i krishterë duke i nxitur ata të dalin e t’u shërbejnë bashkënjerëzve të tyre.
“Përpara, Ushtarë të Krishterë”
Kur isha në moshën tuaj, pata një përvojë që më ndihmoi të kuptoja rëndësinë e shërbimit. Dhjetë vite më parë, përvoja u tregua në videon Dëshmi të Veçanta për Krishtin. Dëshiroj ta ndaj atë përsëri me ju sonte:
“Ishte një përvojë në jetën time që shpesh më ka kujtuar gëzimin që vjen nga të bërit e pyetjes: ‘Çfarë do të bënte Shpëtimtari në këtë situatë?’
Unë qeshë mes grupit të parë të marinsave amerikanë që zbarkuan në Japoni pas nënshkrimit të traktatit të paqes pas Luftës II Botërore. Hyrja në qytetin e shkretuar të Nagasakit qe një nga përvojat më të trishta të jetës sime. Një pjesë e madhe e qytetit ishte shkatërruar tërësisht. Disa nga të vdekurit nuk ishin varrosur ende. Si trupa pushtuese, ne ngritëm selitë tona dhe shkuam të punojmë.
Gjendja qe shumë e vrerët dhe disa prej nesh dëshironin të jepnin më shumë. Ne shkuam tek kapelani i divizionit tonë dhe kërkuam leje që të ndihmonim për të rindërtuar kisha të krishtera. Për shkak të frenimeve qeveritare gjatë luftës, këto kisha thuajse kishin pushuar së funksionuari. Ndërtesat e tyre të pakta qenë dëmtuar keqas. Një grup prej nesh dolëm vullnetarë që të riparonim dhe suvatonim këto godina kishtare gjatë kohës sonë të lirë kështu që ato të ishin të disponueshme për të kryer sërish shërbime të krishtera.
Ne nuk e njihnim aspak gjuhën. Gjithçka mund të kryenim ishte puna fizike për të riparuar ndërtesat. Ne gjetëm shërbestarët që nuk kishin qenë në gjendje të shërbenin gjatë viteve të luftës, dhe i nxitëm ata që të ktheheshin tek foltoret e tyre. Ne patëm një përvojë të jashtëzakonshme me këta njerëz kur ata përjetuan sërish lirinë për të praktikuar besimet e tyre të krishtera.
Një ngjarje ndodhi kur po largoheshim nga Nagasaki për t’u kthyer në shtëpi, që unë do ta kujtoj gjithmonë. Ndërsa po hipnim në trenin që do të na çonte tek anijet për t’u kthyer në shtëpi, neve na tallën goxha marinsat e tjerë. Ata kishin të dashurat e tyre me vete që po u jepnin lamtumirën. Ata qeshnin me ne dhe na tregonin se kishim humbur zbavitjen e qëndrimit në Japoni. Ne thjesht e kishim shpërdoruar kohën tonë duke punuar e duke suvatuar mure.
Tamam kur ata qenë në kulm të talljeve të tyre, mbi një kodërz të vogël pranë stacionit të trenit erdhën rreth 200 prej këtyre japonezëve të shkëlqyer të krishterë nga kishat që ne kishim riparuar, duke kënduar ‘Përpara, Ushtarë të Krishterë’. Ata zbritën dhe na mbuluan me dhurata. Pastaj ata të gjithë u rreshtuan përgjatë shinave. Dhe ndërkohë që treni u nis nëpër shina, ne u zgjatëm dhe thjesht u prekëm gishtat ndërsa u larguam. Nuk mund të flisnim; emocionet tona qenë tepër të fuqishme. Por qemë mirënjohës që mund të ndihmonim në ndonjë mënyrë të vogël për të rivendosur krishtërimin në një komb pas luftës.”6
Ngrihuni tek një Kuptim i Ri i Zotimit
Unë e di që Perëndia jeton. Unë e di se ne jemi të gjithë fëmijët e Tij dhe se Ai na do ne. Unë e di se Ai dërgoi Birin e Tij në botë që të ishte një sakrificë shlyese për të gjithë njerëzimin, dhe ata që përqafojnë ungjillin e Tij dhe e ndjekin Atë, do të gëzojnë jetë të përjetshme, më të madhen nga të gjitha dhuratat e Perëndisë. Unë e di se Ai drejtoi Rivendosjen e ungjillit sërish këtu mbi tokë nëpërmjet shërbesës së Profetit Jozef Smith. Unë e di se të vetmet gëzime e lumturi që zgjasin, që do të gjejmë ndonjëherë gjatë përvojës sonë në vdekshmëri, do të vijnë duke ndjekur Shpëtimtarin, duke iu bindur ligjit të Tij dhe duke mbajtur urdhërimet e Tij.
Sonte miqtë e mi të rinj, unë ju nxit të ngriheni tek një kuptim i ri i zotimit. Unë ju nxis të bëheni “brezi më i shkëlqyer” duke ndihmuar fëmijët e Atit tonë Qiellor që të kthehen tek besimi i tyre i krishterë dhe tek një themel i fuqishëm fetar, që është kaq i nevojshëm për të gëzuar paqen e mendjes dhe lumturinë e vërtetë në këtë periudhë të provës në vdekshmëri.
Zoti ju bekoftë me kurajë, guxim, entuziazëm dhe me dëshirën për të rivendosur përsëri besimin në ungjillin e Zotit dhe Shpëtimtarit tonë. Ai Jeton. Kjo është dëshmia ime për ju në emrin e Tij të shenjtë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.
© 2011 nga Intellectual Reserve, Inc. I rezervohen të gjitha të drejtat. Miratuar për anglisht: 06/10. Miratuar për përkthim: 6/10. Përkthim i We Were the Greatest Generation. Albanian. PD50029874 101
Notes
2. Noelle Knox, “Religion Takes a Back Seat in Western Europe”, USA Today, 11 gusht 2005, http: //www. usatoday. com/news/world/2005-08-10-europe-religion-cover_x. htm.