Skip to Content Skip to Navigation

Bukën Tonë të Përditshme Na e Jep Sot.

Plaku D. Tod Kristoferson
I Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve


Plaku D. Tod Kristoferson,  “Bukën Tonë të Përditshme Na e Jep Sot.,”  Jan 2011

Mbledhja Rreth Vatrës e SAK-ut për të Rinjtë në Moshë Madhore • 9 janar 2011 • Universiteti Brigam Jang

Ne, të rriturit më të moshuar, përfshirë prindërit dhe udhëheqësit e Kishës, dhe profesorët, dhe miqtë, shpesh ju këshillojmë të planifikoni për të ardhmen. Ne ju nxisim të ndiqni arsimim dhe trajnim profesional si përgatitje për jetën në vitet e ardhshme. Ju shtyjmë të hidhni një themel për martesën e familjen dhe që të veproni sipas këtyre planeve. Ju paralajmërojmë të mendoni për pasojat e mundshme, që mund të ndodhin më vonë, kur merrni vendime për atë që bëni sot (për shembull, për atë çfarë hidhni në internet). Ju këshillojmë të mendoni se si do ta masni suksesin në jetën tuaj dhe pastaj të krijoni modele e praktika që do t’ju çojnë tek ai sukses.

E gjithë kjo këshillë do të çojë tek një kurs i mençur e i matur në jetë dhe, me atë që po them sonte, nuk e zvogëloj në asnjë mënyrë rëndësinë e mendimit dhe planifikimit që më parë. Planifikimi dhe përgatitja e kujdesshme janë kyç për një të ardhur shpërblyese, por ne nuk jetojmë në të ardhmen – ne jetojmë në të tashmen. Ndodh çdo ditë që ne i përpunojmë planet tona për të ardhmen; ndodh çdo ditë që ne i arrijmë synimet tona. Ndodh çdo ditë një e nga një që ne i krijojmë e i ushqejmë familjet tona. Ndodh çdo ditë një e nga një që ne i mposhtim papërsosuritë tona. Ne durojmë deri në fund në besim çdo ditë një e nga një. Është grumbullimi i shumë ditëve të jetuara mirë që përmblidhet tek një jetë e plotë dhe një njeri shenjtor. Dhe kështu, do të doja t’ju flisja mbi të jetuarin mirë ditë pas dite.

Shih tek Perëndia për Atë që Nevojitet Çdo Ditë

Tek Lluka shënohet se një nga dishepujt e Tij i kërkoi Jezusit: “Zot, na mëso të lutemi ashtu siç i mësoi Gjoni dishepujt e vet” (Lluka 11:1). Atëherë Jezusi dha një model për lutje që njihet si Lutja e Zotit. Po ai model është regjistruar tek Mateu si pjesë e Predikimit në Mal (shih Mateu 6:9–13).

Përfshirë në Lutjen e Zotit është kërkesa: “Bukën tonë të përditshme na e jep sot” (Mateu 6:11) ose “Na jep çdo ditë bukën tonë të nevojshme” (Lluka 11:3). Besoj se të gjithë do ta pranonim me siguri se kemi çdo ditë nevoja dhe për t’u marrë me to kemi nevojë për ndihmën e Atit tonë Qiellor. Për disa njerëz në disa ditë, është me plot kuptimin e fjalës bukë – që domethënë, ushqimi i nevojshëm për të mbajtur jetën atë ditë. Mund të jetë gjithashtu forcë shpirtërore dhe fizike për t’u marrë me një apo më shumë ditë sëmundjeje kronike ose të një riaftësimi të ngadaltë plot dhembje. Në raste të tjera, mund të jenë nevoja më pak të prekshme, të tilla si gjëra të lidhura me detyrimet ose aktivitetet e dikujt në atë ditë – dhënia e një mësimi ose kalimi i një testi, për shembull.

Jezusi po na mëson ne, dishepujt e Tij, që duhet t’i drejtohemi Perëndisë çdo ditë për bukën – ndihmën dhe mjetet e jetesës – që kërkojmë në atë ditë të veçantë. Kjo është në përputhje me këshillën që të “luteni gjithmonë dhe mos u jepni; se ju nuk duhet të kryeni asnjë gjë ndaj Zotit pa iu lutur më parë Atit në emër të Krishtit, që ai të shenjtërojë kryerjen tënde ndaj teje, që kryerja jote mund të jetë për mirëqenien e shpirtit tënd” (2 Nefi 32:9).

Ftesa e Zotit që të kërkojmë bukën e përditshme nga dora e Atit tonë Qiellor, flet për një Perëndi të përzemërt, të vetëdijshëm madje për nevojat e vogla e të përditshme të fëmijëve të Tij dhe të etur t’i ndihmojë ata, një e nga një. Ai po thotë se ne mund t’i kërkojmë me besim asaj Qënieje “që u jep të gjithëve pa kursim, pa qortuar, dhe atij do t’i jepet” (Jakobit [Bibël] 1:5). Kjo, natyrisht, është jashtëzakonisht siguruese, por ka një parim këtu që është më domethënës se thjesht ndihma për të kaluar ditë pas dite. Ndërsa kërkojmë dhe marrim përditë bukën hyjnore, rriten besimi dhe mirëbesimi ynë tek Perëndia dhe Biri i Tij.

Vështrimi tek Perëndia Çdo Ditë për Nevojat Tona, Ushqen Besim

Juve ju kujtohet eksodi i madh i fiseve të Izraelit nga Egjipti dhe 40 vitet në shkretëtirë përpara se të hynin në tokën e tyre të premtuar. Kjo mori prej mbi një milion njerëzish duhej të ushqehej. Sigurisht ai numër njerëzish në një vendndodhje nuk mund të mbahej gjallë gjatë me gjuetinë e kafshëve dhe mënyra e tyre gjysmë endacake e jetesës në atë kohë e bënte të vështirë kultivimin e të lashtave apo rritjen e bagëtisë në një sasi të rëndësishme. Jehovai e zgjidhi atë sfidë duke u siguruar mrekullisht bukën e tyre të përditshme nga qielli – manën. Kjo lëndë e vogël dhe e ngrënshme, që shfaqej në tokë çdo mëngjes, qe diçka krejt e re dhe e panjohur. Emri mana, në fakt, vjen nga fjalët që kanë kuptimin: “Çfarë është kjo?” Me anë të Moisiut, Zoti i udhëzoi njerëzit të mblidhnin çdo ditë mjaftueshëm për atë ditë, përveç në ditën përpara Shabatit, kur duhej të mblidhnin mjaftueshëm për dy ditë.

Në fillim, me gjithë udhëzimet e veçanta të Moisiut, disa u përpoqën të mblidhnin më tepër sesa mjaftonte për një ditë dhe e ruajtën tepricën:

“Pastaj Moisiu u tha atyre: ‘Asnjeri të mos e lërë të teprojë për nesër në mëngjes’.

Por ata nuk iu bindën Moisiut dhe disa prej tyre lanë teprica edhe për të nesërmen; ajo u kalb duke prodhuar krimba dhe doli një erë e keqe” (Eksodi 16:19–20).

Megjithatë, siç u premtua, kur ata mblodhën dyfishin e sasisë ditore normale të manës në ditën e gjashtë, ajo nuk u prish:

“Ata pra e ruajtën deri të nesërmen, ashtu si kishte urdhëruar Moisiu; dhe ushqimet e ruajtura nuk lëshuan erë të keqe dhe nuk prodhuan krimba.

Moisiu tha: ‘Hajeni sot, se sot është e shtuna e shenjtë e Zotit; sot nuk do ta gjeni nëpër fushat.

Mblidhni gjatë gjashtë ditëve; sepse ditën e shtatë nuk do ta gjeni më” (Eksodi 16:24–26).

Përsëri, megjithatë, disa nuk mundën të besonin pa e parë dhe shkuan për të mbledhur manë në Shabat.

“Atëherë Zoti i tha Moisiut: ‘Deri kur do të kundërshtoni të zbatoni urdhërimet e mia dhe ligjet e mia?

Mos harroni që Zoti ju ka dhënë të shtunën; për këtë arësye ditën e gjashtë ju jep bukë për dy ditë. Secili të qëndrojë në vendin e tij; asnjeri të mos dalë nga çadra e tij ditën e shtatë’” (Eksodi 16:28–29).

Duket se edhe në kohët e lashta, ashtu si sot, kishte disa njerëz që nuk mund t’u rezistonin blerjeve në Shabat.

Duke u siguruar mjete jetese, çdo ditë një e nga një, Jehovai po përpiqej t’i mësonte besim një kombi që, gjatë një periudhe prej rreth 400 vitesh, kishte humbur shumë nga besimi i etërve të tyre. Ai po u mësonte atyre t’i mirëbesonin Atij, të “shihni[n] tek [Ai] në çdo mendim; mos [të] dyshoni[n], mos [të kishin] frikë” (DeB 6:36). Ai po u siguronte mjaftueshëm për çdo ditë veç e veç. Përveç ditës së gjashtë, ata nuk mund të ruanin mana për ta përdorur në një apo disa ditë pasardhëse. Në thelb, fëmijët e Izraelit duhej të ecnin me Të të sotmen dhe të mirëbesonin se Ai do t’u jepte sasi të mjaftueshme ushqimi për ditën e ardhshme ditën e ardhshme dhe kështu me radhë. Në atë mënyrë, ata nuk mund ta largonin Atë për një kohë të gjatë nga mendja dhe zemra e tyre.

Ne duhet të vërejmë, me që ra fjala, se 40 vitet e manës nuk kishin qëllim të bëheshin lëmoshë. Sapo fiset e Izraelit qenë në gjendje të siguronin për vete, atyre iu kërkua ta bënin atë. Pasi kishin kaluar lumin Jordan dhe po përgatiteshin të fillonin pushtimin e Kanaanit duke filluar nga Jeriko, shkrimi i shenjtë shënon se “të nesërmen e Pashkës hëngrën prodhime të vendit [që është, të korrat e vitit të shkuar]. …

Të nesërmen hëngrën prodhime të vendit, mana mbaroi; kështu bijtë e Izraelit nuk patën më manë, por atë vit hëngrën frytet e vendit të Kanaanit” (Jozueut 5:11–12).

Po ashtu, ndërsa i lutemi Perëndisë për bukën tonë të përditshme – për ndihmë në çastin kur nuk mund ta sigurojmë vetë – përsëri ne duhet të jemi aktivë për të bërë dhe siguruar atë që është brenda mundësisë sonë.

Mirëbesoini Zotit – Zgjidhjet Mund të Vijnë Gjatë Kohës

Disa kohë para se të thirresha si Autoritet i Përgjithshëm, u përballa me një sfidë ekonomike personale që ngulmoi për disa vite. Ajo nuk erdhi si pasojë e keqbërjes apo keqdashjes së ndokujt; ishte thjesht një nga ato gjëra që nganjëherë vijnë në jetën tonë. Serioziteti dhe urgjenca e saj uleshin e ngriheshin, por asnjëherë nuk u larguan plotësisht. Nganjëherë, kjo sfidë kërcënoi mirëqenien e familjes time e timen dhe unë mendova se mund të përballeshim me rrënim financiar. U luta për ndonjë ndërhyrje të mrekullueshme që të na çlironte. Ndonëse e ofrova atë lutje shumë herë me sinqeritet të madh dhe dëshirë të nxehtë, përgjigjja në fund qe “Jo”. Së fundi, unë mësova të lutem ashtu si Shpëtimtari: “Megjithatë mos u bëftë vullneti im, por yti” (Lluka 22:42). Kërkova ndihmën e Zotit për çdo hap të vogël përgjatë rrugës drejt një zgjidhjeje përfundimtare.

Pati kohë kur i kisha shterur të gjitha burimet e mia, kur nuk kisha askund apo askënd ku mund të drejtohesha në atë çast, kur thjesht nuk kishte asnjë qenie tjetër njerëzore ku mund të mbështetesha për ndihmë për të përballuar nevojën para meje. Pa asnjë burim tjetër, më tepër se një herë rashë përpara Atit tim Qiellor duke iu përgjëruar në lot për ndihmën e Tij. Dhe Ai vërtet ndihmoi. Nganjëherë nuk qe më shumë se një ndjesi paqeje, një ndjenjë sigurie se gjërat do të zgjidheshin. Unë mbase nuk e shihja se si apo cili do të ishte shtegu, por Ai ma bëri të ditur se, drejtpërsëdrejti ose jo, Ai do të hapte një rrugë. Rrethanat mund të ndryshonin, një ide e re dhe e dobishme mund të vinte në mendje, ndonjë e ardhur e paparashikuar ose ndonjë burim tjetër mund të shfaqej tamam në kohën e duhur. Disi kishte një zgjidhje.

Edhe pse vuajta atëherë, ndërsa hedh vështrimin pas tani, unë jam mirënjohës që nuk pati një zgjidhje të shpejtë për problemin tim. Fakti se isha i detyruar t’i drejtohesha Perëndisë për ndihmë thuajse çdo ditë gjatë një periudhe të zgjatur vitesh, më mësoi vërtet se si të lutesha e të merrja përgjigje për lutjen dhe më mësoi në një mënyrë shumë praktike, të kisha besim tek Perëndia. Unë arrita të njoh Shpëtimtarin tim dhe Atin tim Qiellor në një mënyrë dhe në një shkallë që përndryshe nuk do të mund të kishte ndodhur, ose që do të më duhej shumë më tepër kohë për ta arritur. Unë mësova se buka e përditshme është një artikull i çmuar. Unë mësova se mana sot mund të jetë po aq reale sa mana fizike e historisë biblike. Unë mësova t’i mirëbesoj Zotit me të gjithë zemrën time. Unë mësova të eci me Të ditë pas dite.

Punoni për Probleme të Mëdha në Pjesë të Vogla e të Përditshme

Kërkimi Perëndisë për bukën e përditshme, në vend të bukës sonë të përjavshme, mujore apo vjetore, është gjithashtu një mënyrë për të na përqendruar tek pjesët më të vogla e më të menaxhueshme të problemit. Për të trajtuar diçka shumë të madhe, mund të na duhet të punojmë për të në pjesë të vogla e të përditshme. Nganjëherë, gjithçka mund të trajtojmë është një ditë (ose madje vetëm pjesë e një dite) për një herë. Më lejoni t’ju jap një shembull jo nga shkrimi i shenjtë.

Një libër që kam lexuar kohët e fundit me titull Lone Survivor, tregon historinë tragjike të një skuadre prej katër vetash të Forcave Speciale të Marinës së SHBA-së në një mision të fshehtë, në një sektor të largët të Afganistanit, pesë vite më parë. Kur ata u zbuluan pa dashje nga dy barinj – një burrë dhe një djalë – këta ushtarë të trajnuar posaçërisht të Marinës patën zgjedhjen ose t’i vrisnin të dy ose t’i linin të shkonin, duke e ditur se nëse do t’i linin gjallë, ata të dy do ta tregonin vendndodhjen e skuadrës dhe ata do të sulmoheshin menjëherë nga forcat e Al Kaedës dhe të talebanëve. Megjithatë, ata i lanë të shkonin barinjtë e pafajshëm dhe, në betejën me armë që vijoi, vetëm autori, Marcus Luttrell [Markus Lutrell], mbijetoi ndaj më tepër se 100 sulmuesve.

Në librin e tij, Lutrelli tregon trajnimin e skajshëm dhe qëndresën e kërkuar që dikush të kualifikohet si anëtar i forcave speciale të Marinës së SHBA-së. Në grupin e stërvitjes së Lutrellit, për shembull, nga 164 njerëz që filluan, vetëm 32 ia dolën ta përfundonin kursin. Ata duruan javë të tendosjes fizike thuajse të vazhdueshme, hyr e dil nga uji i ftohtë i oqeanit, duke notuar, duke vozitur dhe duke mbartur barka që fryhen, duke vrapuar në rërë, duke bërë qindra pompa në ditë, duke mbartur trungje nëpër kalime me pengesa etj. Ata qenë në një gjendje thuajse të përhershme rraskapitjeje.

Më la mbresë diçka që një oficer i vjetër i tha grupit, kur filluan fazën përfundimtare dhe më kërkuese të stërvitjes së tyre.

“Në radhë të parë”, tha ai, “nuk dua që ju t’i dorëzoheni trysnisë së çastit. Kurdo qoftë që lëndoheni keqas, thjesht vazhdoni. Mbarojeni ditën. Pastaj, nëse ende ndiheni keq, mendoni për atë gjatë dhe fort përpara se të vendosni të hiqni dorë. Së dyti, merrini ditët një e nga një. [Fazat] një e nga një.

Mos i lejoni mendimet të shkojnë shumë larg, mos filloni të planifikoni të hiqni dorë sepse jeni të shqetësuar për të ardhmen dhe se sa shumë mund të arrini. Mos mendoni për dhembjen e ardhshme. Thjesht mbaroni ditën dhe do të jetë një karrierë e shkëlqyer para jush.”1

Në përgjithësi është mirë të përpiqesh t’i paraprish asaj që po vjen dhe të përgatitesh të merresh me të. Nganjëherë, megjithatë, këshilla e këtij kapiteni është e mençur: “Merrini ditët një e nga një. … Mos mendoni për dhembjen e ardhshme. Thjesht mbaroni ditën.” Të shqetësohesh për atë që po vjen, ose ndoshta mund të vijë, mund të jetë molisëse. Ajo mund të na paralizojë dhe të na bëjë të heqim dorë.

Në vitet 1950, nëna ime mbijetoi pas një operacioni rrënjësor për kancer, por ndonëse kjo qe e vështirë, operacioni u pasua me dhjetëra trajtime të dhimbshme me rrezatim në ato çka tani do të konsideroheshin kushte disi primitive mjekësore. Ajo kujton se nëna e saj i mësoi diçka gjatë asaj kohe që e ka ndihmuar që atëherë: “Isha kaq e sëmurë dhe e dobët dhe i thashë asaj një ditë: ‘Oh, Nënë, nuk mund ta duroj që të kaloj edhe gjashtëmbëdhjetë prej këtyre trajtimeve’. Ajo tha: ‘A mund të shkosh sot?’ ‘Po.’ ‘Mirë, e dashur, kjo është gjithçka duhet të bësh sot.’ Kjo më ka ndihmuar shumë herë kur kujtohem t’i marr ditët apo gjërat një e nga një.”

Shpirti mund të na udhëheqë se kur të shohim përpara dhe kur duhet të merremi vetëm me këtë ditë, vetëm me këtë çast. Nëse kërkojmë, Zoti do të na e bëjë të ditur me anë të Frymës së Shenjtë se kur mund të jetë me vend për ne që të zbatojmë në jetën tonë urdhërimin që Ai iu dha apostujve të Tij të lashtë: “Prandaj mos mendoni për të nesërmen, pasi e nesërmja do të kujdeset vetë për gjërat e saj. Secilës ditë i mjafton e keqja e vet” (3 Nefi 13:34; shih edhe Mateu 6:34).

“Buka e Përditshme” prej Perëndisë Është e Nevojshme për të Arritur Potencialin Tonë

Kam sugjeruar që kërkimi dhe marrja e bukës së përditshme nga dora e Perëndisë luan një rol jetësor në mësimin për t’i mirëbesuar Perëndisë dhe në durimin e sfidave të jetës. Gjithashtu na duhet një pjesë e përditshme e bukës hyjnore që të bëhemi ajo çfarë duhet të bëhemi. Të pendohemi, të përmirësohemi dhe përfundimisht të arrijmë “në masën e shtatit të plotësisë së Krishtit” (Efesianëve 4:13), siç e shprehu Pali, është një proces hap-pas-hapi. Përfshirja e zakoneve të reja e të shëndosha në karakterin tonë, ose mposhtja e zakoneve të këqia apo e vartësive, më së shumti do të thotë një përpjekje sot e ndjekur nga një tjetër nesër dhe pastaj një tjetër, ndoshta për shumë ditë, madje muaj dhe vite, derisa të arrihet fitorja. Por ne mund ta bëjmë këtë sepse mund t’i drejtohemi Perëndisë për bukën tonë të përditshme, për ndihmën që na duhet çdo ditë.

Kjo është koha e synimeve për Vitin e Ri dhe do të dëshiroja t’ju citoja fjalët e Presidentit N. Eldon Taner, ish-këshilltar në Presidencën e Parë: “Ndërsa reflektojmë mbi vlerën e vendimit për të vepruar më mirë, le të përcaktojmë për ta disiplinuar vetveten që të përzgjedhim me kujdes vendimet që caktojmë, të marrim parasysh qëllimin pse i marrim ato dhe, së fundi, të marrim angazhime për t’i mbajtur ato dhe për të mos lejuar asnjë pengesë që të na ndalojë. Le t’i kujtojmë vetes në fillim të çdo dite se mund ta mbajmë një vendim vetëm për atë ditë. Kur e bëjmë këtë, bëhet gjithmonë e më e lehtë derisa të shndërrohet në zakon.”2

Pak më shumë se një vit më parë, Plaku Dejvid A. Bednar foli për konsekuencën në praktikat e thjeshta të përditshme, të tilla si lutja familjare, studimi i shkrimit të shenjtë dhe mbrëmjet familjare, si vendimtare në ngritjen e familjeve të suksesshme. Përpjekja konsekuente, në hapa të përditshëm në dukje të vegjël, është një parim kyç në arritjen e çfarëdo vepre të madhe, përfshirë përparimin në shtegun e të qenit dishepull. Si një shembull ilustrues, Plaku Bednar i krahasoi veprimet e përditshme me gjurmët e veçanta të penelit në një pikturë që së bashku, me kohë, japin një vepër arti. Ai tha:

“Në zyrën time gjendet një pikturë e bukur e një fushe me grurë. Piktura është një koleksioni i gjerë gjurmësh të veçanta peneli – asnjëra prej të cilave në veçanti nuk është shumë interesante apo mbresëlënëse. Në fakt, nëse qëndroni afër telajos, gjithçka mund të shihni është një masë vijëzimesh në dukje pa lidhje dhe jo tërheqëse me bojë të verdhë, të artë dhe kafe. Megjithatë, nëse ngadalë largoheni nga telajoja, gjithë gjurmët e veçanta të penelit ndërthuren së bashku dhe japin një tablo të mrekullueshme të një fushe me grurë. …

… Ashtu si gjurmët e verdha, të arta dhe kafe të bojës, plotësojnë njëra-tjetrën dhe japin një kryevepër mbresëlënëse, po ashtu konsekuenca jonë në kryerjen e gjërave në dukje të vogla, mund të çojë në rezultate shpirtërore të rëndësishme. ‘Prandaj, mos u lodhni së bëri mirë, sepse ju po ngrini themelin e një vepre të madhe. Dhe nga gjëra të vogla vjen ajo që është e madhe’ (DeB 64:33).”3

Presidenti Ezra Taft Benson, duke folur për pendimin, dha këtë këshillë:

“Duhet të kemi kujdes, kur përpiqemi të bëhemi gjithmonë e më shumë [si Krishti], që të mos shkurajohemi e të mos humbasim shpresën. Të bëhemi si Krishti është një kërkim që zgjat gjithë jetën dhe shumë shpesh përfshin rritje dhe ndryshim që është i ngadalshëm, thuajse i paperceptueshëm. Shkrimet e shenjta shënojnë shembuj të mrekullueshëm njerëzish jeta e të cilëve ndryshoi rrënjësisht, në dukje në një çast: Alma i Riu, Pali në rrugën për në Damask, Enosi duke u lutur deri natën vonë, Mbreti Lamoni. Shembuj të tillë të habitshëm të fuqisë për të ndryshuar edhe ata të zhyturit në mëkat, japin besim se Shlyerja mund të prekë edhe ata që janë në dëshpërimin më të thellë.

Por duhet të jemi të kujdesshëm kur diskutojmë këta shembuj të shquar. Edhe pse janë të vërtetë dhe të fuqishëm, ata janë një përjashtim më tepër se një rregull. Për çdo Pal, për çdo Enos, për çdo Mbret Lamoni, ka qindra e mijëra njerëz që e gjejnë procesin e pendimit shumë më delikat, shumë më të paperceptueshëm. Ditë pas dite ata i afrohen Zotit, duke e kuptuar pak se po ndërtojnë një jetë hyjnore. Ata jetojnë jetë të heshtura me mirësi, shërbim dhe angazhim. …

Ne nuk duhet ta humbasim shpresën. Shpresa është një spirancë për shpirtrat e njerëzve. Satani do të donte që ne ta flaknim atë spirancë. Në këtë mënyrë ai mund të sjellë shkurajim dhe dorëzim. Por ne nuk duhet ta humbasim shpresën. Zoti kënaqet me çdo përpjekje, madje dhe me ato të vocklat e të përditshmet, në të cilat përpiqemi fort të jemi më shumë si Ai.”4

Kërkoni Ndihmën e Zotit kur u Shërbeni të Tjerëve

Kujtoni se nuk duhet të shohim vetëm drejt vetes kur kërkojmë një masë të përditshme të bukës hyjnore. Që të bëhemi më shumë si Mësuesi, Ai që erdhi jo “që t’i shërbejnë, por për të shërbyer” (Marku 10:45), ne do të kërkojmë ndihmën e Tij për të qenë në shërbim të bashkënjerëzve tanë ditë pas dite.

Presidenti Tomas S. Monson jeton sipas këtij parimi më mirë se kushdo tjetër që njoh. Ka gjithmonë të pranishme në zemrën e tij një lutje që Perëndia t’i zbulojë atij nevojat dhe mjetet që të ndihmojë njerëzit rreth tij në çfarëdo dite të dhënë ose çast të ditës. Një shembull nga koha kur ai ka qenë peshkop ilustron faktin se nganjëherë edhe një përpjekje e vogël, me veprimin e Shpirtit, mund të japë fryt të jashtëzakonshëm. Po citoj nga biografia e Presidentit Monson prej Haidi Suintonit, To the Rescue:

“Njëri të cilin e ndihmoi [Presidenti Monson] qe Harold Galaher. Bashkëshortja dhe fëmijët e tij qenë aktivë në Kishë, por jo Haroldi. Bija e tij, Sheroni, i kërkoi Peshkopit Monson nëse mund ‘të bënte diçka’ për ta sjellë sërish në aktivitet atin e saj. Si peshkop, ai ndjeu një ditë nxitjen që t’i bënte vizitë Haroldit. Qe një ditë e nxehtë vere kur ai trokiti në derën me xham të Haroldit. Peshkopi mund ta shihte Haroldin të ulur në karrigen e tij, duke pirë cigare dhe duke lexuar gazetën. ‘Kush është?’ Pyeti Haroldi vrazhdë, pa i ngritur sytë.

‘Peshkopi yt’, u përgjigj Tomi. ‘Kam ardhur të njihemi dhe t’ju nxis për pjesëmarrje me familjen tuaj në mbledhjet tona.’

‘Jo, jam tepër i zënë’, erdhi përgjigjja shpërfillëse. Ai asnjëherë nuk i ngriti sytë. Tomi e falënderoi që e dëgjoi dhe u largua nga pragu i derës. Familja u zhvendos dhe Haroldi nuk mori pjesë asnjëherë në shërbesa.

Vite më vonë, një Vëlla Galaher telefonoi në zyrën e Plakut Tomas S. Monson dhe kërkoi të linte një takim për ta parë atë.

‘Pyete nëse quhet Harold G. Galaher’, i tha Plaku Monson sekretares së tij ‘dhe nëse ka jetuar në 55 Vising Plejs, dhe nëse ka një bijë që quhet Sheron.’ Kur sekretarja e pyeti, Haroldi u befasua që Plaku Monson kujtonte hollësi të tilla. Kur të dy u takuan pak kohë më vonë, ata u përqafuan. Haroldi tha: ‘Kam ardhur të kërkoj falje që nuk u ngrita nga karrigia ime dhe që të lashë tek dera atë ditë vere shumë vite më parë’. Plaku Monson e pyeti nëse ishte aktiv në Kishë. Me një buzëqeshje të thatë, Haroldi u përgjigj: ‘Tani jam këshilltar i dytë në peshkopatën e lagjes sime. Ftesa jote për të ardhur në kishë dhe përgjigjja ime negative, ma ngacmoi mendjen kaq shumë saqë vendosa të bëj diçka lidhur me të.’”5

Zgjedhjet e Përditshme Kanë Pasoja të Përjetshme

Mendimi për bukën tonë të përditshme na mban të vetëdijshëm për hollësitë e jetës sonë, për domethënien e gjërave të vogla që zënë ditët tona. Përvoja mëson se në një martesë, për shembull, një rrjedhë e qëndrueshme e mirësisë, ndihmës dhe vëmendjes së thjeshtë bën shumë më tepër për ta mbajtur gjallë dashurinë dhe për të ushqyer marrëdhënien sesa një gjest rastor i madh dhe i shtrenjtë. Kjo nuk do të thotë vëllezër – ju që jeni të martuar – se bashkëshortja juaj nuk do ta vlerësonte diçka të re dhe vërtet të këndshme për ta veshur ose herë pas here ndonjë dhuratë tjetër që shpreh, me një gjest të spikatur, se ç’ndieni për të (natyrisht, brenda parametrave të buxhetit tuaj të varfër). Dua të them se një shprehje e qëndrueshme, e përditshme e dashurisë, si me fjalë dhe me vepra, është shumë më tepër domethënëse më së fundi.

Po ashtu, në zgjedhjet e përditshme ne mund t’i parandalojmë disa ndikime tinëzare që të hyjnë në jetën tonë dhe të bëhen pjesë e karakterit tonë. Në një diskutim të rastit që patëm Plaku Nil A. Maksuell dhe unë disa vite më parë me një udhëheqës priftërie në mjedisin e një konference kunji, ne vërejtëm se mund të shmanget shumica e pornografisë dhe imazheve pornografike thjesht duke bërë zgjedhje të mira. Në pjesën më të madhe, është thjeshtë një çështje vetëdisipline për të mos shkuar atje ku ka gjasa të gjendet pornografia – fizikisht ose në internet. Ne e pranojmë, megjithatë, se për shkak se është kaq tragjikisht e përhapur, pornografia mund ta sulmojë një person që po bën zgjedhje të mira, mjaft befasisht. “Po”, vërejti Plaku Maksuell, “por ai menjëherë mund ta refuzojë atë. Ai nuk duhet ta ftojë atë që të hyjë dhe t’i ofrojë një karrige që të ulet.” Po kështu është me ndikime dhe zakone të tjera – paraqitja shkatarraqe, shkujdesja në sjellje, fjalori fyes dhe përdhosës, kritika e pasjellshme, shtyrja për më vonë e kështu me radhë – vëmendja jonë çdo ditë për të shmangur vetë fillimet e gjërave të tilla, mund të na mbrojë që të mos zgjohemi ndonjë ditë të ardhshme duke u ndërgjegjësuar se për shkak të mosvëmendjes, ndonjë ligësi apo dobësi ka hedhur rrënjë në shpirtin tonë.

Në të vërtetë, nuk ka shumë gjëra në një ditë që janë plotësisht pa rëndësi. Madje dhe e rëndomta dhe e përsëritura mund të jenë blloqe ndërtimi të rëndësishme që përfundimisht krijojnë disiplinën dhe karakterin, dhe rregullin e nevojshëm për të realizuar planet dhe ëndrrat tona. Si rrjedhim, ndërsa kërkoni me lutje për bukën tuaj të përditshme, merrini parasysh mendueshëm nevojat tuaja – si atë që mund t’ju mungojë ashtu dhe atë ndaj së cilës duhet të mbroheni. Ndërsa shkoni në shtrat, mendoni për sukseset dhe dështimet e ditës dhe çfarë do ta bëjë ditën tjetër pak më të mirë. Dhe falënderojeni Atin tuaj Qiellor për manën që ka vënë në shtegun tuaj e që ju mbështeti gjatë ditës. Përsiatjet tuaja do ta rrisin besimin tuaj tek Ai, kur ta shihni dorën e Tij që ju ndihmon të duroni disa gjëra dhe të ndryshoni të tjera. Ju do të jeni në gjendje të gëzoheni edhe në një ditë më tej, një hap më tej drejt jetës së përjetshme.

Jezu Krishti Është Buka e Jetës

Mbi të gjitha, kujtoni se ne kemi Atë për të cilin mana ishte një model dhe simbol, vetë Bukën e Jetës, Shëlbuesin.

“Dhe Jezusi u tha atyre: ‘Unë jam buka e jetës; kush vjen tek unë nuk do të ketë më kurrë uri dhe kush beson në mua, nuk do të ketë më kurrë etje. …

Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Kush beson në mua ka jetë të përjetshme.

Unë jam buka e jetës.

Etërit tuaj hëngrën manën në shkretirë dhe vdiqën.

Kjo është buka që zbret nga qielli, që një mund të hajë e të mos vdesë.

Unë jam buka e gjallë që zbriti nga qielli; nëse një ha nga kjo bukë do të jetojë përjetë; buka që unë do të jap është mishi im, që unë do ta jap për jetën e botës’” (Gjoni 6:35, 47–51).

Unë ju jap dëshminë time për realitetin e gjallë të Bukës së Jetës, Jezu Krishtit, dhe për fuqinë e shtrirjen e pafundme të Shlyerjes së Tij. Së fundi, është Shlyerja e Tij, hiri i Tij, që është buka jonë e përditshme. Ne duhet ta kërkojmë Atë përditë, të bëjmë vullnetin e Tij çdo ditë, të bëhemi një me Të ashtu si ai është një me Atin (shih Gjoni 17:20–23). Unë ju bekoj që kur të kërkoni prej Tij, Ati juaj Qiellor do t’ju japë bukën tuaj të përditshme, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

© 2011 nga Intellectual Reserve, Inc. I rezervohen të gjitha të drejtat Miratuar për anglisht: 10/10. Miratuar për përkthim: 10/10. Përkthim i Give Us This Day Our Daily Bread. Albanian. PD50028437 101

Notes

1. Marcus Luttrell with Patrick Robinson, Lone Survivor: The Eyewitness Account of Operation Redwing and the Lost Heroes of SEAL Team 10 (2007), f. 124.

2. N. Eldon Tanner, “Just for Today”, New Era, janar 1975, f. 5.

3. Dejvid A. Bednar, në Conference Report, tetor 2009, f. 18; ose Liahona, nëntor 2009, f. 19–20.

4. Ezra Taft Benson, “A Mighty Change of Heart”, Ensign, tetor 1989, f. 5.

5. Heidi S. Swinton, To the Rescue: The Biography of Thomas S. Monson (2010), f.160–161.

^ Back to top