Rozmari M. Uixom, “Arritja në Dije,” May 2011
Mbledhje Rreth Vatrës për të Rinjtë në Moshë Madhore • 1 maj 2010 • Universiteti Shtetëror i Jutas
Jam mirënjohëse që jam këtu në Logan të Jutas, në Universitetin Shtetëror të Jutas. Ndërsa bashkëshorti im, Xheku, dhe unë po udhëtonim me makinë përmes Sardin-Kenionit dhe hymë në këtë luginë sonte, në njëfarë mënyre u ndjeva sikur po kthehesha në shtëpi. Më lejoni t’ju tregoj përse.
Ky Është Vendi Ku Fillova të Njihja Vetveten
Vite më parë, qe një ditë e bukur vjeshte kur e ngarkuam makinën e familjes me të gjitha gjërat tona. E dini, po nisesha për në kolegj me motrën time binjake dhe nëna do të na çonte me makinë në Logan, që të mund të frekuentonim këtu Universitetin Shtetëror të Jutas. Kishim parë fotografi të këtij kompleksi të bukur universitar. Në disa nga fotografitë, pemët rriteshin me një kënd. Na kishin thënë se nuk fryn erë në Logan; thjesht pemët rriten ashtu. Sidoqoftë, ne qemë të emocionuara. Ne kishim paketuar në atë makinë çdo veshje e këpucë që kishim, plus ushqime për të mbushur bufetë tona. Mezi shihnim jashtë dritareve. Ndërsa po udhëtonim me makinë në këtë luginë, isha e emocionuar dhe pak nervoze. Mezi po e prisja aventurën që kishim përpara.
Në kompleksin universitar, mund të ndieje emocionin në ajër ndërsa studentët shkarkonin makinat e tyre dhe i çonin plaçkat në fjetoret dhe apartamentet e tyre. Për motrën time dhe mua, ishte hera jonë e parë që jetonim larg shtëpisë, dhe u ndiem më të fuqishme ndërsa po varnim rrobat në dollape dhe po rregullonim dhomën. Kishim dy afishe për muret tona. Në njërën shkruhej: “Ki besim tek Zoti me gjithë zemër dhe mos u mbështet në gjykimin tënd” (Fjalët e Urta 3:5). Vëllai ynë më i madh na dha afishen tjetër. Aty shkruhej: “Buzët që prekin alkool nuk do të prekin kurrë të miat”.
Kur makina u boshatis, qëndruam në trotuar përpara Moen Hollit, duke mbajtur pak artikujt e fundit nga ndenjësja e pasme. Ja ku ishim, me kavanoza pjeshkësh të konservuara në krahë, ndërsa po i thoshim mirupafshim nënës sonë. Pastaj, kur ajo nuk shihej më, realiteti u bë i prekshëm. Ne u kthyem nga njëra-tjetra dhe, me lotë që na shkisnin poshtë në faqe, thamë: “Çfarë bëmë? Çfarë po mendonim? Si mundej që diçka, për të cilën menduam dikur të ishte kaq e guximshme, tani dukej kaq frikësuese dhe trembëse?” Nuk e dija se në ditët e vitet që kisha përpara në këtë kompleks universitar, do të merrja vendime që do të përcaktonin pjesën tjetër të jetës sime. Këtu unë zbulova se kisha vetë besimet e mia dhe u përballa me mbrojtjen e besimit tim. Zura miq për të gjithë jetën. Lutjet e mia u bënë më të sinqerta. Dëshmia ime filloi të rritej. Mësova se ishte zgjedhje personale që të ngrihesha për standardet e mia dhe të bëja që të zhvillohesha si nga ana akademike ashtu dhe shpirtërore.
Cila isha unë në të vërtetë? Nëpër ato vite, nganjëherë ndjeva disfatë dhe dështim – dhe nganjëherë shijova shpresë dhe sukses. Ishte një proces rritjeje nga malli për shtëpinë – oh, malli torturues për shtëpinë – tek pavarësia ngazëlluese. Unë isha si Amoni dhe vëllezërit e tij në Librin e Mormonit, duke përjetuar “vuajtje … , pikëllime … dhe gëzim[ të] paimagjinueshëm” (Alma 28:8) në të njëjtën kohë. E kuptoj tani se më duhej ta lija shtëpinë time të rehatshme për të përparuar dhe për të mësuar këto mësime të jetës. Nuk është çudi që kjo Kash-Valli, ky universitet, ky kompleks universitar janë kaq të bukur për mua. Sepse qe këtu që do të filloja të arrija të njihja vetveten dhe, në procesin e arritjes së njohjes të vetvetes, do të filloja të arrija të njihja Shpëtimtarin. Në jetën tuaj, çfarë keni arritur të dini dhe ku e mësuat atë?
Rreth kësaj “arritjes në dije” do të dëshiroja t’ju flisja juve sonte.
Gjeni një Vend Ku të Mund të Arrini të Njihni Vetveten
Kur e lamë praninë e Atit tonë Qiellor dhe shtëpinë tonë të rehatshme në ekzistencën tonë paratokësore për të ardhur në këtë tokë, erdhëm të gatshëm për të mësuar dhe për t’u provuar. Tani, në këtë tokë, mund ta gjejmë veten duke thënë: “Çfarë kam bërë?” Ne jemi këtu duke ecur në një shteg. Ne jemi duke jetuar planin e Atit tonë Qiellor – planin e shpëtimit, plotësinë e këtij ungjilli. Dhe ai është një plan lumturie! Jozef Smithi tha se plani i shpëtimit është “një nga dhuratat më të mira të qiellit për njerëzimin”1.
Kjo përvojë e vdekshmërisë që dikur menduam se do të ishte kaq e guximshme, mund të jetë frikësuese e trembëse nganjëherë – dhe kaq tërësisht e vështirë! Veli na ndalon të kujtojmë atë që e dinim dikur. Tani ne ecim me besim, por ne ecim me dijen se, me ndihmën e Zotit, mund të arrijmë të dimë atë që e dinim dikur. Ati ynë Qiellor na do kaq shumë. Ne u krijuam me vetë qëllimin që jo vetëm të kthehemi tek Ai, por që vërtet të bëhemi si Ai. Tani po rimësojmë se sa mirë e njihnim Atë. Presidenti Brigam Jang tha: “Ju e njihni mirë Perëndinë, Atin tonë Qiellor, … sepse nuk ka një shpirt prej jush veç atyre që kanë jetuar në shtëpinë e tij dhe kanë banuar me të vit pas viti [në ekzistencën paratokësore]; dhe përsëri ju jeni [tani në këtë tokë] duke kërkuar të njiheni me të, kur fakti është [se] ju thjesht keni harruar atë që dinit”2.
Ne e njihnim Atë atëherë, por është vetëm nëpërmjet përpjekjes sonë që do të arrijmë ta njohim Atë këtu. Nuk jemi të vetëm në kërkimin tonë, sepse Ai tha: “Unë do të jem në të djathtën e në të majtën tuaj dhe Shpirti im do të jetë në zemrat tuaja e engjëjt e mi përreth jush, për t’ju ngritur lart” (DeB 84:88).
Alma arriti ta njihte Shpëtimtarin dhe pastaj u dha mësim njerëzve tek ujërat e Mormonit. Ai “u predikoi atyre pendim dhe shëlbim dhe besim në Zotin” (Mosia 18:7). Qe atje që njerëzit hynë në një besëlidhje pagëzimi që “të qëndroni[n] si dëshmitarë të Perëndisë në të gjitha kohërat dhe në të gjitha gjërat dhe në të gjitha vendet … që … të mund të [kishin] jetën e përjetshme” (Mosia 18:9). Ata u rritën në besim, ata mësuan të respektonin ditën e Shabatit, ata mësuan të punonin me vetë duart e tyre për mbështetjen e tyre dhe ata “ecën në mënyrë të drejtë para Perëndisë, duke i dhënë njëri-tjetrit si materialisht ashtu dhe shpirtërisht” (Mosia 18:29; shih vargjet 20–29).
Ne vazhdojmë të lexojmë: “Dhe tani, ndodhi që e gjithë kjo u bë në Mormon, po, pranë ujërave të Mormonit, në pyllin që ishte afër ujërave të Mormonit; po, vendi Mormon, ujërat e Mormonit, pylli i Mormonit, sa të bukura janë ato në sytë e atyre që erdhën atje në njohurinë e Shëlbuesit të tyre” (Mosia 18:30).
Përse në këtë shkrim të shenjtë tërhiqemi tek ujërat e Mormonit nëpërmjet peizazhit rrethues? Si na bën të ndihemi përshkrimi për atë vend – për ujërat e Mormonit? Ndoshta duhet të marrim parasysh peizazhin tonë rrethues dhe se çfarë roli luan ai në kërkimin tonë për të arritur në njohurinë e Shëlbuesit tonë.
Tani është koha. Nëse nuk e keni bërë tashmë këtë, tani është koha të kërkoni vendin ku mund të arrini tek njohuria e Shëlbuesit tuaj. Ku janë ujërat tuaja të Mormonit? Sa i bukur është ai vend për sytë tuaj?
Për ta gjetur atë vend të bukur, mund të dëshironi t’i bëni vetes këto katër pyetje.
1. Arrini të Njihni Frymën e Shenjtë
Pyetja numër 1: Si do të arrij ta njoh unë Shpirtin e Frymës së Shenjtë?
Një djalosh në adoleshencë pati një përvojë kur qe vetëm një fëmijë, një fëmijë shumë i vogël, më pak se tre vjeç. Atë e kishin birësuar në një familje që ishin anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Mjedisi i tij ndryshoi rrënjësisht. Ai la shtëpinë e tij në Europën Lindore dhe erdhi të jetonte në lindje të Shteteve të Bashkuara – një tokë me një familje të re, një gjuhë të re dhe ndjenja të reja. Të dielave, familja e tij e re do ta çonte tek çerdhja. Ndodhi në kishë, poshtë sallës, në atë dhomë çerdheje kur ai e ndjeu atë – kur ai arriti të njihte një siguri dhe një dashuri që ai nuk e kishte ndier kurrë më parë. Ishte përvoja e tij e parë e njohjes me të vërtetë të Shpirtit. Tani, si adoleshent, herë pas here ai zgjedh të shkojë poshtë sallës në po atë dhomë çerdheje, për të dëgjuar tingujt, për të parë pamjet dhe për të ndier Shpirtin që dikur ndjeu atje. Sa e bukur është ajo çerdhe në sytë e atij fëmije, që atje arriti tek njohuria e Shpirtit të Frymës së Shenjtë.
Mormoni na thotë: “Për shkak të bindjes dhe të përulësisë në zemër, vjen vizitimi i Frymës së Shenjtë, Ngushëllues i cili mbush me shpresë dhe dashuri të pastër” (Moroni 8:26).
Mormoni po përshkruante atë që Shpëtimtari do ta përshkruante: “Ti do të marrësh Shpirtin tim, Frymën e Shenjtë, madje Ngushëlluesin, që do të të mësojë gjërat paqësore të mbretërisë” (DeB 36:2).
Tek libri i Almës ne mësojmë se si bijtë e Mosias arritën të njohin shpirtin e Frymës së Shenjtë. Aty thuhet:
“[Ata] kishin kërkuar me zell shkrimet e shenjta, që ata të mund të dinin fjalën e Perëndisë.
Por kjo nuk është e gjitha; ata ishin dhënë pas lutjeve të shumta dhe agjërimit” (Alma 17:2–3).
Pastaj ata shkuan të jepnin mësim. Ata qenë të rinj të zakonshëm që kishin kurajë të jashtëzakonshme për shkak të Frymës së Shenjtë dhe një dëshirë për të ditur fjalën e Perëndisë.
Amoni tha: “Një pjesë e atij Shpirti gjendet në mua dhe më jep njohuri dhe gjithashtu fuqi sipas besimit dhe dëshirave të mia që janë në Perëndinë” (Alma 18:35).
Babai i Lamonit ndieu Shpirtin nëpërmjet mësimeve të Aaronit dhe tha: “Unë do të heq dorë nga çdo gjë që kam, po, unë do ta braktis mbretërinë time, që të mund të marr këtë gëzim të madh” (Alma 22:15).
Që të dy, Lamoni dhe babai i Lamonit, ndien shpirtin e Frymës së Shenjtë kur morën mësim planin e shpëtimit. Misionarët sot, të mbushur me shpirtin e Frymës së Shenjtë, japin mësim po atë mesazh përreth botës. Për ata prej jush që kanë shërbyer misione: A ju kujtohet të ndienit forcën e Shpirtit kur ngriheshit dhe dëshmonit për vërtetësinë e ungjillit të Jezu Krishtit?
Një misionare që po shkonte në aeroport, tha: “Kam frikë të shkoj në shtëpi. Çfarë do të ndodhë po të mos e ndiej Shpirtin kaq fort pas misionit tim?”
I thashë asaj: “Kur ju e ftoni Shpirtin e Frymës së Shenjtë në jetën tuaj dhe jetoni të denjë për të, ai gjithmonë do të jetë me ju”.
2. Arrini të Njihni Vërtetësinë e Librit të Mormonit
Pyetja numër 2: Si do të arrij ta di se Libri i Mormonit është i vërtetë?
Në një mbledhje shpirtërore në UBJ–Ajdaho, në qershor 2004, Plaku Klejton M. Kristensen, një profesor i Shkollës së Biznesit të Harvardit, tregoi për vendimin që mori për të mësuar nëse Libri i Mormonit ishte i vërtetë. Pasi u diplomua në UBJ, ai mori një bursë për të shkuar në Universitetin e Oksfordit në Angli. Qe atëherë që ai arriti në përfundimin se “[ai] as që e dinte se Libri i Mormonit ishte i vërtetë. [Ai] e kishte lexuar Librin e Mormonit, [deri në] atë kohë, shtatë herë në jetën [e tij] dhe, në secilën prej të shtatë herëve, kishte arritur në fund të librit dhe ishte gjunjëzuar në lutje, dhe i kishte kërkuar Perëndisë t’i tregonte nëse ishte i vërtetë, dhe nuk kishte marrë përgjigje. [Ai] e kuptoi, ndërsa mendoi shumë se përse [nuk kishte] marrë përgjigje, se në secilën prej shtatë herëve të mëparshme, [ai] e kishte lexuar si detyrë, ose nga prindërit e [tij], ose nga një instruktor në UBJ, ose nga presidenti i misionit [të tij], ose nga një mësues seminari dhe synimi [i tij] ishte ta mbaronte librin. Por kësaj here, [ai] kishte nevojë dëshpërimisht që ta dinte [për vete] nëse Libri i Mormonit ishte i vërtetë. Deri në atë pikë në jetën [e tij], [ai] e kishte mbështetur [veten] në një besim në shumë prej doktrinave të kishës dhe në mirëbesimin tek prindërit [e tij], sepse [ai] e dinte që ata e dinin se ishte i vërtetë dhe u mirëbesonte prindërve [të tij]. Por së fundi, kur arriti në Oksford, për herë të parë në jetën [e tij], [ai] kishte nevojë dëshpërimisht që ta dinte nëse ishte i vërtetë.
Oksfordi është një nga universitetet më të vjetra të botës. Ai jetoi në një ndërtesë që ishte ndërtuar në vitin 1410. Ai tha se ishte “shumë e bukur ta shihje [por] e tmerrshme të jetoje në të. Ai kishte vetëm një [vend të vogël ku] kishin hapur [një vrimë] tek muri i gurtë dhe kishin vendosur atje [një ngrohës]. [Ai] vendosi se do të angazhohej çdo mbrëmje, nga ora 11 deri në 12, që të lexonte Librin e Mormonit që të gjente nëse ishte i vërtetë.” Ai tha se “vrau mendjen nëse do të guxonte të shpenzonte kaq shumë kohë, sepse bënte pjesë në një program akademik shumë kërkues, duke studiuar ekonometrikë të aplikuar, dhe do të përpiqej ta përfundonte programin në dy vite, ndërkohë që shumica e njerëzve në program e kryenin në tre, dhe [ai] thjesht nuk e dinte nëse do të mund t’i kushtonte një orë në ditë kësaj përpjekjeje. Por [ai] e bëri.” Ai “filloi në orën 11:00 duke u gjunjëzuar në lutje pranë karriges, pranë ngrohësit dhe duke [u lutur] me zë të lartë. [Djali] i tha Perëndisë se sa i dëshpëruar ishte që të gjente nëse ky ishte një libër i vërtetë dhe i tha Atij që, nëse Ai do t’i zbulonte [djalit] se ishte i vërtetë, atëherë [djali] kishte qëllim t’ia kushtonte jetën ndërtimit të mbretërisë së Perëndisë. Dhe [djali i tha Zotit] që, nëse nuk ishte i vërtetë, [ai] duhej ta dinte edhe atë me siguri, sepse atëherë do t’ia kushtonte jetën zbulimit të asaj që ishte e vërtetë. Pastaj, [ai] u ul në karrige dhe … lexoi faqen e parë të Librit të Mormonit, dhe, kur arriti në fund të faqes, ndaloi dhe mendoi mbi atë që kishte lexuar në atë faqe, dhe pastaj pyeti [veten]: ‘A do të mund të ishte shkruar ky nga një sharlatan që po mundohej të mashtronte njerëzit, apo ishte shkruar vërtet nga një profet i Perëndisë? Dhe çfarë do të thotë për mua në jetën time?’ … Pastaj [ai] e uli librin dhe u gjunjëzua në lutje, dhe gojarisht e pyeti Perëndinë sërish: ‘Të lutem më thuaj nëse ky është një libër i vërtetë’. Pastaj [ai] do të ulej në karrige dhe do të merrte librin, dhe do të kthente faqen dhe do të lexonte një faqe tjetër, do të ndalonte në fund, dhe do të bënte të njëjtën gjë. [Ai] e bëri këtë për një orë çdo natë, natë pas nate, në atë dhomë të ftohtë e të lagësht në Kuins Kolixh në Oksford.
Kur arriti tek kapitujt në fund të Nefit të 2-të, një mbrëmje kur tha lutjen [e tij] dhe u ul në karrige, dhe hapi librin, befas erdhi në atë dhomë një shpirt i bukur, i ngrohtë e i dashur, që thjesht e rrethoi [atë] dhe i përshkoi shpirtin, dhe e mbështolli në një ndjenjë dashurie që ai thjesht nuk e kishte imagjinuar se mund të ndiente. Dhe [ai] filloi të qante dhe … nuk … pushoi së qari, sepse, ndërsa shihte mes lotëve [të tij] tek fjalët në Librin e Mormonit, ai mundej të shihte të vërtetë në ato fjalë që [ai] kurrë nuk e kishte përfytyruar më parë se do të mund ta kuptonte. [Ai] mundej të shihte lavditë e përjetësisë dhe [ai] mundej të shihte se çfarë kishte të ruajtur për [të] Perëndia, si një nga bijtë e Tij. [Ai] nuk donte të pushonte së qari. Ai shpirt qëndroi me [të] për të gjithë orën dhe pastaj çdo mbrëmje, kur [ai] u lut dhe u ul me Librin e Mormonit pranë [ngrohësit] në dhomën [e tij], i njëjti shpirt u kthye dhe ia ndryshoi përgjithmonë zemrën dhe jetën [e tij].”
Tani, siç tregon, ai kthen vështrimin tek konflikti që përjetoi, “duke vrarë mendjen nëse mund t’ia lejonte vetes të shpenzonte një orë çdo ditë përveç studimit të ekonometrisë së aplikuar, për të zbuluar nëse Libri i Mormonit ishte i vërtetë”. Ai tha se “në të gjithë arsimimin që [kishte] ndjekur, ajo qe pjesa unike më e dobishme e dijes që [ai] kishte fituar ndonjëherë”.
Tani atij i pëlqen shumë të kthehet në Oksford. Ai thotë: “Shumica e njerëzve atje janë ose studentë ose turistë, që kanë ardhur të shohin atë universitet të bukur”. Por atij i pëlqen shumë “të kthehet atje, sepse [është] një vend i shenjtë dhe [ai] mund të shohë dritaret e asaj dhome ku jetoi”, dhe mendon: “Ky është vendi ku mësova se Jezusi është Krishti, se Ai është Shëlbuesi im i gjallë dhe se Jozef Smithi ishte profeti i rivendosjes për Kishën e vërtetë”.
Plaku Kristensen u tha atyre studentëve në UBJ–Ajdaho: “Disa prej jush ndoshta erdhët këtu në Reksburg pasi e kishit mësuar tashmë për veten tuaj se kjo është Kisha e Perëndisë. Por për ata prej jush që ende mund të jeni duke jetuar mbi dëshminë e të tjerëve, unë ju ftoj të lini mënjanë një orë çdo ditë dhe të gjeni për veten tuaj nëse kjo është e vërtetë, sepse do t’jua ndryshojë zemrën siç e ka ndryshuar timen.”3
Tek Gjoni 5:39 lexojmë: “Hetoni Shkrimet sepse mendoni të keni nëpërmjet tyre jetë të përjetshme; dhe ato janë këto që dëshmojnë për mua”.
Plaku Brus C. Heifën tha: “Ne mund të kemi jetë të përjetshme nëse e duam atë, por vetëm nëse nuk ka asgjë tjetër që ta duam më shumë”4.
Arritja në dijen e së vërtetës vjen me përpjekje. Dhe sa më shumë përpjekje të japim, aq më i madh shpërblimi. Moroni tha: “Dhe kur ju t’i merrni këto gjëra, unë do t’ju këshilloja që të pyesni Perëndinë, Atin e Amshuar, në emrin e Krishtit, në qoftë se këto gjëra nuk janë të vërteta; dhe në qoftë se ju do të kërkoni me një zemër të sinqertë, me qëllim të vërtetë duke pasur besim në Krisht, ai do t’ju tregojë të vërtetën, nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë” (Moroni 10:4).
3. Arrini të Njihni Planin e Atit Qiellor
Pyetja numër 3: Si do të arrij ta di planin personal që Ati Qiellor ka për mua?
Secili prej nesh bën zgjedhje në udhën tonë për t’u kthyer tek Ati Qiellor. Plani i Tij për ne është një plan i lumturisë. Jozef Smithi tha: “Lumturia është synimi dhe projekti për ekzistencën tonë”5. Ati ynë Qiellor dëshiron që ne të ndiejmë gëzim. Secili prej nesh po harton kursin e vet. Ne jemi të ndryshëm. Personalitetet tona, talentet dhe cilësitë fizike dhe emocionale ndryshojnë. Disa janë të dhëna nga Perëndia. Shumë vjen prej disiplinës personale. Dëshirat tona mund t’i mposhtin brishtësitë tona.
Këtu është një shembull: Një vajze në klasë të dytë i diagnostikuan një paaftësi mësimi të kujtesës vizive. Psikologu i shkollës tha: “Për shkak të kësaj pazotësie për të kujtuar dhe mbajtur mend, ajo do të jetë gjithmonë në fund të klasës së saj”. Prindërit zgjodhën të mos e vinin në dijeni për paaftësinë e saj të veçantë. Në përpjekjen e saj që thjesht të shkonte mirë në shkollë, asaj i duhej të punonte shumë për të arritur atë që shumica mund ta përmbushnin lehtë. Ajo ishte e rrethuar nga miq të mirë që shkonin mirë në shkollë. Ata kontribuan për vrullin e saj. Asaj iu desh më shumë kohë për të mësuar tabelën e shumëzimit në klasë të tretë dhe kryeqytetet e Shteteve të Bashkuara në klasë të pestë. Ajo u regjistrua për klasa me program të përparuar në shkollë të mesme dhe vazhdoi të bëjë përpara. Orët e orët që kaloi duke studiuar, qenë provë e përkushtimit të saj. Sot, ajo është infermiere në repartin e reanimacionit të kardiologjisë. Dhe madje një infermiere e mirë! Ajo dhe Ati Qiellor kishin një plan.
Një tjetër ndodhi: Rreth një vit më parë po vizitoja një klasë të rejash. Mësuesja na kërkoi të shkruajmë 10 përparësitë më të mëdha tonat. Fillova të shkruaj shpejt. Duhet ta pranoj, mendimi im i parë filloi: “Numër 1: të pastroj sirtarin e lapsave në kuzhinë”. Kur lista jonë ishte plotësuar, udhëheqësja e Të Rejave na kërkoi të gjithave të ndanim atë që kishim shkruar. Ebi, që sapo kishte mbushur 12 vjeç, po qëndronte pranë meje. Kjo është lista e Ebit:
-
1. Të shkoj në kolegj në Universitetin e Jutas.
-
2. Të bëhem stiliste mjedisesh të brendshme.
-
3. Të shkoj në mision në Indi.
-
4. Të martohem në tempull me një misionar të kthyer nga misioni.
-
5. Të kem pesë fëmijë dhe një shtëpi.
-
6. T’i dërgoj fëmijët e mi në një mision dhe në kolegj.
-
7. Të bëhem një gjyshe “që jep biskota”.
-
8. Të llastoj nipërit e mbesat.
-
9. Të mësoj më shumë rreth ungjillit dhe të shijoj jetën.
-
10. Të kthehem e të jetoj me Atin në Qiell.
A mund ta besoni! Unë them: “Faleminderit, Ebi, që më mësove rreth të paturit të një vizioni të planit që Ati Qiellor ka për secilin prej nesh”. Ju bëni një plan dhe e jetoni atë sa më mirë të mundeni. Do të ketë rrugë të tërthorta. Një urë mund të jetë prishur këtu dhe mund të hasni bllokime rastësore të rrugës atje, ose mund të endeni dhe të humbni, por ju mund të ktheheni në shteg.
Presidenti Tomas S. Monson tha: “Nëse bëni diçka që nuk del tamam si … e planifikuat, ju mundeni thuajse gjithmonë ta rregulloni atë, ta kapërceni atë, të mësoni prej saj”6. Ju mund të mendoni se nuk ka mënyrë për t’u kthyer pas. Kundërshtari i buzëqesh atij mendimi. Më lejoni t’ju siguroj, ka një mënyrë për t’u kthyer pas. Shpëtimtari tha: “Krahu im është i shtrirë gjithë ditën e ditës” (2 Nefi 28:32). Ai tha: “Sepse, vër re, kjo është vepra ime dhe lavdia ime – të bëj të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut” (Moisiu 1:39). Më pëlqen të mendoj se Perëndia po punon edhe më fort se ne për të na kthyer [tek Ai].
Së pari, Ai pret që ne të gjejmë vendin tonë në planin e Tij dhe të bëjmë gjithçka mundemi që ta jetojmë atë, duke iu bindur urdhërimeve dhe duke qëndruar në vende të shenjta. Nëse synimi ynë i fundit është ai i ekzaltimit, plani ynë për të shkuar atje do të fillojë të drejtojë çdo vendim që marrim. Ne nuk ecim vetëm. Ai na do dhe na njeh personalisht. Ai është i përfshirë në vetë hollësitë e jetës sonë dhe nganjëherë, mund të ndiejmë gjurmët e duarve të Tij në shpinën tonë ndërsa ecim në shteg.
4. Arrini të Njihni Atin dhe Birin
Pyetja numër 4: Si do të arrij t’i njoh Atin dhe Birin e Tij të Dashur?
Të arrijmë të njohim Atin dhe Birin e Tij është qëllimi i ekzistencës sonë.
Shpëtimtari, kur po i lutej Atit, tha: “Dhe kjo është jeta e përjetshme, të të njohin ty, të vetmin Perëndi të vërtetë, dhe Jezu Krishtin që ti ke dërguar” (Gjoni 17:3).
Lamani dhe Lemueli “nuk i dinin veprimet e atij Perëndie që i kishte krijuar ata” (1 Nefi 2:12). C. S. Ljuis tha: “Për sa kohë të jeni krenarë, ju nuk mund ta njihni Perëndinë”7. Kundërshtari dëshiron që ne të mos të arrijmë ta njohim Perëndinë. Ai gjithashtu dëshiron që ne të jemi pa ndjesi, të hutuar dhe të rrethuar nga zhurma, shpërqendrime dhe çfarëdo gjëje që do të ndalojë ato çaste të qeta kur ne personalisht kërkojmë Zotin. Përfshirja në çfarëdo gjëje në shkallë ekstreme, është një tjetër nga mjetet e Satanit. Vetëm ne mund të krijojmë kohë të mjaftueshme që ta njohim Zotin.
Kur jemi të përulur, të nënshtruar ose të butë, ne i afrohemi Atij. Francis Uebster, që kaloi shtegun e shkretuar të Uajomingut me kompaninë Martin të karrocave të dorës në 1856, tha në mbrojtje të grupit: “Secili prej nesh kaloi me dijen absolute se Perëndia jeton, sepse ne u njohëm me të në kushtet tona ekstreme”8.
Ne arrijmë ta njohim Shpëtimtarin kur e lejojmë Atë në jetën tonë. Ne jemi më të etur të falim dhe më të gatshëm të shërbejmë kur Ai është pjesë e jetës sonë. Kur zemrat tona janë të hapura dhe të kapshme, ne bëhemi më shumë si Ai. Është atëherë qe ne zbulojmë se Ai ka qenë me ne gjatë gjithë kohës. Ne jemi në paqe. Sprovat tona nuk janë më barra, por bekime, sepse ato shtruan shtegun që na sollën Atë.
“Por mburremi … në shtrëngimet”, tha Pali, “duke ditur që shtrëngimi prodhon këmbënguljen,
këmbëngulja përvojën dhe përvoja shpresën.
Por shpresa nuk turpëron, sepse dashuria e Perëndisë është derdhur në zemrat tona me anë të Frymës së Shenjtë që na është dhënë” (Romakëve 5:3–5).
C. S. Ljuis iu referohet atyre që kanë arritur ta njohin Krishtin si “njerëzit e rinj”. Ai tha: “Njerëzit e rinj janë të shpërndarë këtu e aty në mbarë botën. … Herë pas here takohesh me ta. Fytyrat dhe zërat … e tyre janë të ndryshme nga tonat: më të forta, më të qeta, më të lumtura, më rrezatuese. Ata fillojnë aty ku shumica prej nesh heqin dorë. … Ata nuk tërheqin vëmendjen për vete. Ti priresh të mendosh se je i sjellshëm me ta kur në të vërtetë ata janë të sjellshëm me ty. Ata të duan më shumë sesa njerëzit e tjerë, por ata kanë më pak nevojë për ty. … Zakonisht ata duket sikur kanë shumë kohë: ti vret mendjen se nga vjen kjo. …
… Të bëhesh njeri i ri do të thotë të humbasësh atë që ne tani e quajmë ‘vetvetja’. Jashtë nga vetvetja, për tek Krishti, duhet të shkojmë. Vullneti i Tij është të bëhet i yni dhe ne duhet të mendojmë mendimet e Tij.”9
Procesi i Arritjes të Dimë për Veten Tonë
Të arrish të njohësh Frymën e Shenjtë, të arrish të dish vërtetësinë e Librit të Mormonit, të arrish të dish planin që Ati Qiellor ka për secilin prej nesh dhe të arrish të njohësh Atin dhe Birin, është një proces i bukur.
Ka një model këtu me secilën dëshirë për të arritur që të dish. A mund ta shihni?
Nefi e përcaktoi modelin kur tha: “A nuk i mbani mend ju gjërat që Zoti ka thënë?—Në qoftë se ju nuk do të ngurtësoni zemrat tuaja dhe më kërkoni mua në besim, duke besuar se ju do të merrni, me zell në mbajtjen e urdhërimeve të mia, me siguri këto gjëra do t’ju bëhen të ditura” (1 Nefi 15:11).
A mund ta shihni procesin?
Nefi na thotë se procesi përfshin:
-
• Të kemi një zemër të përulur.
-
• Të kërkojmë në besim; të ftojmë ndihmën e Zotit nëpërmjet lutjes.
-
• Të veprojmë me zell për të mbajtur urdhërimet dhe për të bërë vullnetin e Zotit.
-
• Të njohim dorën e Zotit. Kjo është mënyra se si do t’ju bëhet e njohur. Kur e shihni dorën e Tij në jetën tuaj, ky është vërtetim i dashurisë së Tij. Sa më shumë të dalloni dorën e Tij në jetën tuaj, aq më shumë i përfshirë do të jetë Ai. Kjo është mënyra se si do të arrini të njihni Shpëtimtarin që e njihnit dikur.
Njerëzit tek ujërat e Mormonit u rritën në besim nëpërmjet lutjes. Nëpërmjet zellit, ata vepruan dhe mësuan të respektojnë ditën e Shabatit. Ata mësuan të punojnë me duart e tyre dhe të shërbejnë duke iu dhënë shpirtërisht dhe materialisht të tjerëve. Bijtë e Mosias hetuan shkrimet e shenjta dhe iu dhanë lutjes dhe agjërimit të shumtë. Ata paguan çmimin për të arritur që të dinin.
Mua më la mbresë fakti që Plaku Kristensen u lut me zë të lartë dhe i premtoi Zotit që, nëse Ai do t’i zbulonte atij vërtetësinë e Librit të Mormonit, ai do t’ia kushtonte jetën e tij ndërtimit të mbretërisë. Ai qe i zellshëm dhe, me sakrificën e tij të përnatshme, arriti të dinte.
Ebi krijoi një plan dhe, me zell, po e jeton atë. Synimi i saj për t’u kthyer në shtëpi tek Ati i saj Qiellor do të vërtetojë vendimet e saj të përditshme. Ajo po arrin të dijë se Zoti ka një plan për të.
Arritja për të ditur për veten tonë është shumë personale. Dhe ne mund ta përjetojmë atë “arritje për të ditur” shumë herë në jetën tonë. Ai është procesi i të kujtuarit të asaj që e dinim dikur. Thjesht ta dini këtë: Ju vërtet e njihni Atë dhe, nëse vini në dyshim ndonjëherë nëse Ai ju njeh ju, thjesht pyesni. Kënga e Fillores “A Child’s Prayer” [“Lutja e një Fëmije”] fillon: “Ati Qiellor, a je vërtet atje? Dhe a e dëgjon e i përgjigjesh lutjes së çdo fëmije?”10 Unë dëshmoj, Po! Ai i bën! Zoti mund të na japë mësim kur ne pyesim. Gjunjëzohuni në lutje dhe pyesni me zë të lartë: “A jam vërtet biri ose bija Jote? A më do mua?” Dhe pastaj dëgjoni. Ka diçka shumë përulëse në lidhje me të kërkuarin. Të kërkuarit është një veprim besimi.
Jozef Smithi, si djalosh në moshën 14-vjeçare në një vend të bukur në Nju-Jork, në qytetin e Palmirës, në një korije të shenjtë pemësh, pyeti me besim për të arritur të dinte. Ai tha: “Pashë dy Personazhe dhe ata me të vërtetë më folën. … Unë kisha parë një vegim; unë e dija atë dhe e dija se Perëndia e dinte atë dhe nuk mund ta mohoja” (Joseph Smith—Historia 1:25). “Dhe tani, pas shumë dëshmive që janë dhënë për të, kjo është dëshmia, e fundit e të gjithave, që ne japim për të: Se ai jeton!” (DeB 76:22).
Në Jeruzalem, tek dhoma e varrit, në fund të Shabatit, ndërsa filloi të agonte dita e parë e javës, Maria Magdalenën dhe Marien tjetër i përshëndetën dy engjëj në një vend të bukur në një kopsht. Engjëjt thanë:
“Mos kini frikë, sepse ne e dimë se ju kërkoni Jezusin, që u kryqëzua.
Ai nuk është këtu, sepse u ringjall” (shih Matthew 28:1–6; shënimet në fund të faqes 2a, 3a dhe 5a; nga Joseph Smith Translation).
Nëpërmjet arritjes të njohjes së Shpëtimtarit të ringjallur, Jezu Krishtit, ne arrijmë të dimë se, nëpërmjet Shlyerjes së Tij, Ai do të qetësojë gjithë dhimbjen. Ai sjell lehtësim dhe ngushëllim nga çdo shqetësim. Ai mund të mbartë barrat tona dhe të sjellë paqe për çdo ndjenjë papërshtatshmërie dhe çdo dëshirë për ndryshim.
Presidenti Ezra Taft Benson tha: “Asgjë nuk do të na alarmojë më tepër kur të kalojmë përmes velit në anën tjetër, sesa të kuptojmë se sa mirë e njohim Atin tonë dhe sesa familjare është fytyra e Tij për ne”11. Ne e njohim Atë!
Këtu në Universitetin Shtetëror të Jutas janë ujërat e mia të Mormonit. Ky kompleks universitar është i bukur për sytë e mi, sepse është këtu që unë fillova të vij tek njohuria për Shëlbuesin tim. Unë qëndroj me krenari si një dëshmitare e Atit Qiellor dhe e Shpëtimtarit. Nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë, unë e di se Ata jetojnë. Ju jeni të veçantë dhe të çmuar për Ata. Ju i njihnit mirë Ata përpara se të vinit në këtë tokë. Ndërsa ecni në shteg, mbahuni. Përqafimi i Atit Qiellor po pret. Unë ju dua. Unë lutem për ju si fëmijët e Tij. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.
© 2011 nga Intellectual Reserve, Inc. I rezervohen të gjitha të drejtat. Miratimi për anglisht: 2/11. Miratimi për përkthim: 2/11. Përkthim i Coming to Know. Albanian. PD50031652 101
Notes
3. Clayton M. Christensen, “Decisions for Which I’ve Been Grateful” (Brigham Young University–Idaho devotional, 8 qershor 2004), http://www.byui.edu/Presentations/Transcripts/Devotionals/2004_06_08_Christensen.htm.
4. Bruce C. Hafen, në Conference Report, prill 2004, f. 101; ose Ensign, maj 2004, f. 98; kursivet në origjinal.
6. Thomas S. Monson, “Joy in the Journey”, në Awake, Arise, and Come unto Christ: Talks from the 2008 BYU Women’s Conference (2009), f. 3.
8. Francis Webster, cituar në Gordon B. Hinckley, në Conference Report, tetor 1991, f. 77; ose Ensign, nëntor 1991, f. 54.