Një Rezervuar me Ujë të Gjallë
Plaku Dejvid A. Bednar
I Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve
Mbrëmje Shpirtërore e Sak-ut për të Rinjtë e Rritur 4 shkurt 2007 • Universiteti Brigam Jang
Motra Bednar dhe unë jemi mirënjohës që takohemi me ju sonte. Ndërsa udhëtojmë nëpër botë, vlerësojmë në veçanti mundësitë për t’u mbledhur dhe për të mësuar nga të rinj besnikë si ju. Sonte unë lutem për ndihmën e Frymës së Shenjtë, ndërsa adhurojmë së bashku dhe kërkojmë në unitet të mësohemi nga lart (shih DeB 43:16).
Dua të filloj duke bërë një pyetje të thjeshtë. Cila është substanca apo komoditeti më i vlefshëm në botë? Në fillim mund të mendojmë se ari, nafta ose diamantët kanë vlerën më të madhe. Por nga të gjitha mineralet, metalet, gurët e çmuar apo përbërësit që gjenden mbi tokë dhe nën tokë, më i vlefshmi është uji.
Jeta buron nga uji. Jeta mbështetet nga uji. Uji është mjedisi që kërkohet për të kryer funksionet e ndryshme që kanë lidhje me të gjitha format e njohura të jetës. Trupi jonë fizik ka afërsisht dy të tretat (2/3) ujë. Nëse një person mund të mbijetojë për shumë ditë, ose madje edhe javë pa ushqim, një individ zakonisht vdes për vetëm tre ose katër ditë pa ujë. Pjesa më e madhe e qendrave të mëdha botërore të populluara ndodhen afër burimeve me ujë të freskët. E thënë thjesht, jeta nuk mund të ekzistojë pa disponimin dhe përdorimin e pajisjeve të përshtatshme me ujë të pastër.
Ujë i Gjallë
Duke marrë parasysh rolin thelbësor të ujit për mbështetjen e të gjitha formave të jetës, përdorimi nga Shpëtimtari i termit “ujë i gjallë” është domethënës në mënyrë hyjnore. Siç përshkruhet në kapitullin e katërt të Gjonit, Jezusi dhe dishepujt e Tij kaluan përmes Samarisë, ndërsa po udhëtonin nga Judea për në Galile. Në qytetin e Siharit, ata u ndalën tek pusi i Jakobit.
“Një grua nga Samaria erdhi të nxjerrë ujë. Dhe Jezusi i tha: ‘Më jep të pi’,
sepse dishepujt e vet kishin shkuar në qytet për të blerë ushqime.
Por gruaja samaritane i tha: ‘Po qysh, ti që je Jude kërkon të pish prej meje, që jam një grua samaritane?’ (Sepse Judenjtë nuk shoqërohen me Samaritanët).
Jezusi u përgjigj dhe i tha: ‘Po ta njihje ti dhuratën e Perëndisë dhe kush është ai që të thotë: ‘Më jep të pi!’, ti vetë do të kërkoje nga ai dhe ai do të të jepte ujë të gjallë’.
Gruaja i tha: ‘Zot, ti nuk ke as kovë për të nxjerrë dhe pusi është i thellë; nga e ke, pra, atë ujë të gjallë?’. . .
Jezusi u përgjigj dhe i tha: ‘Kushdo që pi nga ky ujë, do të ketë përsëri etje,
por kush pi nga uji që do t’i jap unë nuk do të ketë më kurrë etje përjetë; por uji që unë do t’i jap do të bëhet në të një burim uji që gufon në jetë të përjetshme’” (Gjoni 4:7–11, 13–14).
Uji i gjallë që përmendet në këtë pjesë përfaqëson Zotin Jezu Krisht dhe ungjillin e Tij. Dhe, ashtu si uji është i nevojshëm për të ruajtur jetën fizike, ashtu edhe Shpëtimtari, doktrinat, parimet dhe ordinancat e Tij janë thelbësore për jetën e përjetshme. Ju dhe unë kemi nevojë nga uji i Tij i gjallë çdo ditë dhe me sasi të mëdha, për të ruajtur rritjen dhe zhvillimin tonë të vazhdueshëm shpirtëror.
Shkrimet e Shenjta Janë Një Rezervuar me Ujë të Gjallë
Shkrimet e shenjta përmbajnë fjalën e Krishtit dhe janë një rezervuar me ujë të gjallë, të cilat janë menjëherë të disponueshme dhe nga të cilat mund të pimë deri në thellësi dhe për shumë kohë. Ju dhe unë duhet t’i drejtohemi dhe të vijmë tek Krishti, i cili është “burimi i ujërave të gjalla” (1 Nefi 11:25; krahasoni Ethëri 8:26; 12:28), duke lexuar (shih Mosia 1:5), duke studiuar (shih DeB 26:1), duke kërkuar (shih Gjoni 5:39; Alma 17:2) dhe duke u ushqyer me bollëk (shih 2 Nefi 32:3) me fjalët e Krishtit siç ndodhen në shkrimet e shenjta. Duke vepruar në këtë mënyrë, ne mund të marrim si drejtim, ashtu edhe mbrojtje shpirtërore gjatë udhëtimit tonë në vdekshmëri.
Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme ka një kujdestari të shenjtë për të ruajtur zbulesat e shkruara në pastërti dhe siguri (shih DeB 42:56)—këtë rezervuar të çmuar të ujit të gjallë. Një punë e jashtëzakonshme u krye nga Kisha në vitet 1970 e 1980, që rezultoi në redaktimin e shkrimeve të shenjta, të cilave u gëzohemi sot me shumë shkrime në fund të faqes, referenca-kryq, ndihma të tjera studimore, harta dhe informacion.
Kur shkrimet e shenjta të përditësuara iu prezantuan për herë të parë anëtarëve të Kishës në fillim të viteve 1980, Plaku Bojd K. Paker profetizoi:
“Me kalimin e viteve, këto shkrime të shenjta do të sjellin breza pasardhës me të krishterë besnikë, të cilët e njohin Zotin Jezu Krisht dhe janë të gatshëm t’i binden vullnetit të Tij.
Brezi më i vjetër është rritur pa to, por po rritet edhe një tjetër brez” (në Conference Report, tetor 1982, 75; ose “Ensign”, nëntor 1982, 53).
Kanë kaluar njëzet e katër vjet që kur Plaku Paker i tha këto fjalë. Dhe brezi për të cilin bënte fjalë ai është ulur sonte në ndërtesat e Kishës në mbarë globin! Ai e kishte fjalën për ju dhe për mua. Pjesa më e madhe prej jush i kanë njohur shkrimet vetëm siç i kemi sot. Ju lutem mbajeni në mend këtë fakt ndërsa vazhdoj të citoj Plakun Paker:
“Zbulesat do t’u hapen atyre si askujt tjetër në historinë e botës. Në duart e tyre tani janë vendosur drunjtë e Jozefit dhe të Judës. Ata do të krijojnë një studim ungjillor përtej asaj që mund të arrinin paraardhësit e tyre. Ata do të kenë dëshminë se Jezusi është Krishti dhe do të jenë të aftë ta shpallin dhe ta mbrojnë Atë” (në Conference Report, tetor 1982, 75; ose “Ensign”, nëntor 1982, 53).
Ne, jo vetëm që jemi të bekuar që i kemi këto shkrime të shenjta kaq të disponueshme për ne sot, por kemi gjithashtu përgjegjësinë për t’i përdorur ato vazhdimisht e me efikasitet dhe për të pirë deri në thellësi nga rezervuari me ujë të gjallë. Unë besoj se ky brez të rinjsh është më i zhytur në shkrimet e shenjta, i njohur më në thellësi me fjalët e profetëve dhe më i nxitur për t’iu drejtuar zbulesave për përgjigje, nga çdo brez i mëparshëm. Por kemi ende një udhë të gjatë për të kryer përgjatë shtegut të ngushtë dhe të ngushtuar—më shumë për të mësuar, më shumë për të zbatuar dhe më shumë për të përjetuar.
Marrja e Ujit të Gjallë nga Rezervuari i Shkrimeve të Shenjta
Dua të përmbledh me ju tre mënyra bazë, ose metoda, për të marrë ujë të gjallë nga rezervuari i shkrimeve të shenjta: (1) leximi i shkrimeve të shenjta nga fillimi në fund, (2) studimi i shkrimeve sipas temave dhe (3) kërkimi i shkrimeve për lidhje, modele dhe tema. Secila prej këtyre mënyrave mund të ndihmojë në plotësimin e etjes sonë shpirtërore, nëse ftojmë shoqërimin dhe ndihmën e Frymës së Shenjtë ndërsa lexojmë, studiojmë dhe kërkojmë.
Leximi i një libri nga shkrimet e shenjta nga fillimi në fund hap burimin e ujit të gjallë në jetën tonë duke na njohur me histori të rëndësishme, doktrina ungjillore dhe parime të pafundme. Kjo mënyrë na mundëson gjithashtu të mësojmë për personazhe të rëndësishme në shkrimet e shenjta, si dhe vazhdimësinë, kohën dhe kontekstin e ngjarjeve e mësimeve. Leximi i fjalës së shkruar në këtë mënyrë na vë përballë me tërë gjerësinë e një vëllimi të shkrimeve të shenjta. Kjo është mënyra e parë dhe më thelbësore për marrjen e ujit të gjallë.
Studimi sipas temave normalisht vjen pas, rritet prej dhe ndërtohet mbi leximin tonë të shkrimeve të shenjta nga fillimi në fund. Për shembull, ndërsa lexojmë Librin e Mormonit mund të gjejmë dhe kërkojmë për të gjetur përgjigje ndaj pyetjeve të rëndësishme doktrinore dhe praktike si këto:
- • Çfarë është besimi tek Shpëtimtari?
- • Përse është besimi tek Jezu Krishti parimi i parë i ungjillit?
- • Pse dhe si çon drejt pendimit besimi tek Shëlbuesi?
- • Si më forcon Shlyerja që të bëj gjëra në jetën time të përditshme, të cilat nuk do të mund t’i bëja kurrë me aftësinë dhe me forcën time të kufizuar?
Përqëndrimi mbi pyetje të tilla dhe studimi sipas temave, duke përdorur Renditjen Alfabetike të Temave dhe indeksin e kombinimit të trefishtë, na mundëson të zhytemi dhe të eksplorojmë thellësinë e shkrimeve të shenjta dhe të fitojmë një njohuri më të pasur shpirtërore. Kjo mënyrë rrit nivelin në të cilin buron uji i gjallë në jetën tonë.
Të dyja, leximi nga fillimi në fund dhe studimi sipas temave janë kushte paraprake për metodën e tretë bazë të marrjes së ujit të gjallë nga rezervuari i shkrimeve të shenjta. Ndërsa leximi i një libri nga shkrimet e shenjta nga fillimi në fund siguron një përmbledhje bazë të njohurisë, studimi sipas temave rrit thellësinë e njohurisë sonë. Kërkimi në zbulesa për lidhje, modele dhe tema ndërton dhe shton mbi njohurinë tonë shpirtërore, duke bashkuar dhe zgjeruar këto dy metoda të para; zgjeron perspektivën dhe kuptimin tonë për planin e shpëtimit. Sipas gjykimit tim, kërkimi me zell për të zbuluar lidhje, modele dhe tema është pjesërisht kuptimi i shprehjes “të ushqehesh me bollëk” me fjalët e Krishtit. Kjo mënyrë mund të hapë portat e rezervuarit shpirtëror, të ndriçojë kuptimin tonë nëpërmjet Shpirtit të Tij dhe të prodhojë një thellësi mirënjohjeje për shkrimet e shenjta dhe një masë përkushtimi shpirtëror që nuk mund të merret në asnjë mënyrë tjetër. Një kërkim i tillë na bën të mundur që të ndërtojmë mbi shkëmbin e Shëlbuesit tonë dhe t’i durojmë erërat e së ligës në këto ditë të mëvonshme.
Dua të theksoj një pikë thelbësore. Në fillim mund të pretendoni se një person duhet të ketë një arsimim të gjerë zyrtar për të përdorur metodat që po përshkruaj. Ky pretendim thjesht nuk është i saktë. Çdo kërkues i ndershëm i së vërtetës, pavarësisht nga e kaluara arsimore, mund t’i përdorë me sukses këto mënyra të thjeshta. Ju dhe unë nuk kemi nevojë për ndihma të sofistikuara studimore dhe nuk duhet të mbështetemi shumë mbi njohurinë shpirtërore të të tjerëve. Ne thjesht kemi nevojë të kemi një dëshirë të sinqertë për të mësuar, shoqërinë e Frymës së Shenjtë, shkrimet e shenjta dhe një mendje aktive e kërkuese.
Profeti Jozef Smith mësoi se ne duhet “të kërkojmë Shkrimet e Shenjta—kërkoni zbulesat që botojmë dhe kërkojini Atit tuaj Qiellor, në emrin e Birit të Tij, Jezu Krishtit, t’ju tregojë të vërtetën dhe, nëse e bëni me një sy drejtuar tek lavdia e Tij, pa dyshuar në asgjë, Ai do t’ju përgjigjet me fuqinë e Shpirtit të Tij të Shenjtë. Atëherë do ta dini nga vetja juaj dhe jo nga dikush tjetër. Nuk do të vareni atëherë nga njeriu për njohurinë mbi Perëndinë.” (History of the Church, 1: 282).
Nëse ju dhe unë do të lypim, kërkojmë dhe do trokasim (shih Mateu 7:7), nëse do ta mbajmë gjithmonë veten të denjë për të mësuar nga Shpirti, atëherë portat e rezervuarit shpirtëror do të na hapen dhe uji i gjallë do të rrjedhë. Ju dëshmoj, ju shpall dhe ju premtoj se kjo është e vërtetë.
Më lejoni të shpjegoj shkurtimisht dhe të jap shembuj se ç’dua të them me lidhje, modele dhe tema.
Lidhje
Një lidhje është një marrëdhënie ose hallkë midis ideve, njerëzve, gjërave ose ngjarjeve dhe shkrimet e shenjta janë plot me lidhje. Mendoni për marrëdhënien midis Atit Qiellor dhe Birit të Tij, Jezu Krishtit (shih Mosia 15:1–9); midis mëshirës dhe hirit (shih 2 Nefi 9:8); midis duarve të pafajshme dhe zemrës së pastër (shih Psalmeve 24:4); midis një zemre të thyer dhe një shpirti të penduar (shih 3 Nefi 9:20); midis grurit dhe egjrës (shih DeB 101:65); midis njohurisë dhe inteligjencës (shih DeB 130:18–19); midis shfajësimit dhe shenjtërimit (shih DeB 20:30–31); midis deleve dhe cjepve (shih Mateu 25:32–33); midis pavdekësisë dhe jetës së përjetshme (shih Moisiu 1:39) dhe shumë të tjera. Gjetja, mësimi rreth tyre dhe meditimi plot lutje mbi këto lidhje—mbi ngjashmëritë dhe dallimet, për shembull—është burimi kryesor për ujë të gjallë dhe krijon mendime të frymëzuara dhe thesare me njohuri të fshehur.
Pasi kam lexuar secilën prej veprave standarde nga fillimi në fund dhe pasi kam studiuar tema të ndryshme, kam vënë re se fjala kuptim zakonisht përshkruhej e lidhur me zemrën. Dy vargje nga Libri i Mormonit e ilustrojnë këtë lidhje:
“Ju nuk i keni përdorur zemrat tuaja që të kuptoni; prandaj ju nuk keni qenë të urtë” (Mosia 12:27; germat kursive të shtuara).
“Dhe turma e dëgjoi dhe dëshmon; dhe zemrat e tyre qenë hapur dhe ata kuptuan në zemrat e tyre fjalët me të cilat ai u lut” (3 Nefi 19:33; germat kursive të shtuara).
Më duket shumë interesant fakti që në këto dhe shumë vargje të tjera kuptimi lidhet kryesisht me zemrën. Vini re që neve nuk na këshillohet shprehimisht të përdorim mendjen tonë për të kuptuar. Është e dukshme se ne duhet të përdorim mendjen tonë e kapacitetin tonë logjik për të fituar dhe vlerësuar informacion dhe për të arritur në përfundime e gjykime të shëndosha. Por ndoshta shkrimet e shenjta po na sugjerojnë se arsyeja dhe “[krahu i] mishit” (DeB 1:19) nuk janë të mjaftueshme për të dhënë kuptim të qartë. Kështu, kuptimi, ashtu si kjo fjalë përdoret në shkrimet e shenjta, nuk ka lidhje vetëm, ose madje kryesisht me të kuptuarin intelektual apo konjitiv (njohës). Përkundrazi, kuptimi ndodh kur ajo që dimë në mendjen tonë konfirmohet si e vërtetë në zemrën tonë nga dëshmia e Shpirtit të Shenjtë.
Dhurata shpirtërore e zbulesës zakonisht funksionon si mendime dhe ndjenja që vendosen në mendjen dhe zemrën tonë nga Fryma e Shenjtë (shih DeB 8:2–3; 100:5–8). Dhe ndërsa dëshmia dhe bindja shkon nga mendja në zemrën tonë, ne nuk kemi më thjesht informacion apo njohuri—por fillojmë të kuptojmë dhe të kërkojmë ndryshimin e fuqishëm të zemrës. Atëherë, të kuptuarit është rrjedhojë e zbulesës; është një dhuratë shpirtërore, është një paraprirës i kthimit në besim dhe na nxit të jetojmë më shpesh në harmoni me parimet që po mësojmë.
Ky mendim i zbuluar mbi marrëdhënien midis zemrës dhe të kuptuarit ka ndikuar shumë në qëndrimin tim ndaj të mësuarit dhe të studiuarit të ungjillit, ka ndikuar pozitivisht në mënyrën se si motra Bednar dhe unë mësojmë fëmijët dhe nipërit e mbesat tona si dhe ka patur efekt në shërbimin tim të priftërisë.
Modele
Një model është një plan, një prototip, një standard që mund të përdoret si udhëzues për ta bërë ose krijuar vazhdimisht diçka. Dhe shkrimet e shenjta janë të mbushura me modele shpirtërore. Në përgjithësi, një model nga shkrimet e shenjta është më i gjerë dhe më gjithëpërfshirës se një lidhje. Tek Doktrina e Besëlidhje ne gjejmë modele për të predikuar ungjillin (shih DeB 50:13–29), për të shmangur mashtrimin (shih DeB 52:14, 18–19), për të ndërtuar tempuj (shih DeB 115:14–16), për të themeluar qytete (shih DeB 94), për të organizuar kuorumet e priftërisë (shih DeB 107:85–100) dhe këshillat e lartë (shih DeB 102:12), si dhe për shumë qëllime të tjera. Gjetja dhe studimi i modeleve nga shkrimet e shenjta është një tjetër burim uji të gjallë dhe na ndihmon të njihemi dhe të familjarizohemi më shumë me urtësinë dhe mendjen e Zotit (shih DeB 95:13).
Pasi kam lexuar nga fillimi deri në fund dhe pasi kam studiuar temat tek Doktrina e Besëlidhje, më ka bërë përshtypje një model që është i dukshëm në shumë prej përgjigjeve të Zotit ndaj pyetjeve të misionarëve. Në shumë raste në vitin 1831, shumë grupe eldërash, të cilët ishin thirrur për të predikuar ungjillin, dëshironin të dinin se si duhet të vazhdonin, në cilën rrugë dhe në ç’mënyrë duhet të udhëtonin. Në zbulesat dhënë nëpërmjet Profetit Jozef Smith, Zoti i këshilloi përkatësisht këta vëllezër se mund të udhëtonin nëpërmjet ujit ose nëpërmjet tokës (shih DeB 61:22), se ata mund t’i bënin ose t’i blinin mjetet e nevojshme (shih DeB 60:5), se mund të udhëtonin të gjithë së bashku ose dy nga dy (shih DeB 62:5) dhe se mund të udhëtonin, në mënyrë të përshtatshme, në shumë drejtime të ndryshme (shih DeB 80:3). Zbulesat i udhëzuan posaçërisht t’i merrnin këto vendime “si t’ju duket juve mirë” (DeB 60:5; 62:5) ose “siç u është bërë e ditur atyre sipas gjykimeve të tyre më pas” (DeB 61:22). Dhe në secilin prej këtyre shembujve, Shpëtimtari tha: “S’ka rëndësi për mua” (DeB 60:5; 61:22; 62:5; 63:40; shih gjithashtu 80:3).
Shprehja e Zotit se këto gjëra “[s’kanë] rëndësi për mua” në fillim mund të duket e habitshme. Është e qartë se Shpëtimtari nuk po u thoshte këtyre misionarëve se Ai nuk donte t’ia dinte se çfarë ata po bënin. Por, Ai po theksonte rëndësinë e vendosjes së gjërave primare në rend të parë dhe në përqëndrimin mbi gjërat e duhura—të cilat, në këta shembuj, ishin të arrije në fushën e caktuar të punës dhe të fillonte puna. Ata duhet të ushtronin besim, të përdornin gjykim të shëndoshë, të vepronin sipas drejtimit të Shpirtit dhe të vendosnin mënyrën më të mirë për të udhëtuar në vendet ku u ishte caktuar. Thelbësorja ishte puna që ishin thirrur të kryenin; sesi arrinin aty ishte e rëndësishme, por nuk ishte thelbësore.
Ç’model i jashtëzakonshëm që unë dhe ju të zbatojmë në jetën tonë! Jezu Krishti na njeh dhe na do individualisht. Ai merakoset për zhvillimin dhe përparimin tonë shpirtëror dhe na nxit të rritemi nëpërmjet ushtrimit të gjykimit të frymëzuar, të drejtë e të shëndoshë. Shëlbuesi nuk do të na lërë kurrë vetëm. Duhet të lutemi gjithmonë për udhëheqje dhe drejtim. Duhet të kërkojmë gjithmonë shoqërimin e vazhdueshëm të Frymës së Shenjtë. Por nuk duhet të zhgënjehemi ose shkurajohemi nëse përgjigjet ndaj lutjeve tona për drejtim ose ndihmë nuk vinë domosdoshmërisht shpejt. Përgjigje të tilla rrallë vinë të gjitha njëherësh. Përparimi ynë do të pengohej dhe gjykimi ynë do të ishte i dobët nëse çdo përgjigje do të na jepej menjëherë dhe pa kërkuar çmimin e besimit, punës, studimit dhe këmbënguljes.
Modeli që po përshkruaj ilustrohet shkurtimisht në udhëzimin e mëposhtëm dhënë atyre misionarëve të parë.
“Unë, Zoti, jam i gatshëm, në qoftë se dikush mes jush dëshiron të udhëtojë me kuaj apo me mushka, apo me koçi, ai do ta marrë këtë bekim, nëse e merr atë nga dora e Zotit, me një zemër plot falenderim për gjithçka.
Këto gjëra mbeten me ju, që të veproni sipas gjykimit dhe udhëzimeve të Shpirtit.
Vini re, mbretëria është e juaja. Dhe vini re e bëni kujdes, unë jam me besnikët gjithmonë. Madje kështu. Amen” (DeB 62:7–9; germat kursive të shtuara).
Çështjet parimore në këtë pjesë nuk janë kuajt, mushkat apo koçitë; por, janë mirënjohja, gjykimi dhe besnikëria. Ju lutem, vini re elementët bazë në këtë model: (1) një zemër plot falenderim për gjithçka; (2) veprimi sipas gjykimit dhe udhëzimit të Shpirtit; dhe (3) Shpëtimtari është me besnikët gjithmonë. A mund të fillojmë ta ndiejmë drejtimin dhe sigurinë, përtëritjen dhe fuqinë që mund të vijë nga ndjekja e këtij modeli të thjeshtë për një gjykim të frymëzuar dhe të drejtë? Vërtet, modelet nga shkrimet e shenjta janë një burim i çmuar me ujë të gjallë.
Gjykimet më të vështira që bëjmë herë pas here, rrallë kanë të bëjnë midis së mirës dhe së keqes, ose midis alternativave tërheqëse ose jotërheqëse. Zakonisht, zgjedhjet tona më të vështira janë midis së mirës dhe së mirës. Në këtë pjesë nga shkrimet e shenjta, kuajt, mushkat dhe koçitë kanë qenë zgjedhje me po të njëjtin efekt për udhëtimin e misionarëve. Në po të njëjtën mënyrë, ju dhe unë mund të kemi shpeshherë në jetën tonë më shumë se një mundësi ose zgjedhje të pranueshme që mund të zgjedhim për të ndjekur. Duhet ta mbajmë mend këtë model nga shkrimet e shenjta ndërsa përballemi me vendime kaq të vështira. Nëse vendosim gjërat thelbësore në rend të parë në jetën tonë—të tilla si të qenit dishepull i përkushtuar, nderimi i besëlidhjeve dhe mbajtja e urdhërimeve—atëherë do të bekohemi me frymëzim dhe gjykim të shëndoshë ndërsa ndjekim shtegun që na kthen sërish në shtëpinë tonë qiellore. Nëse vendosim gjërat thelbësore në rend të parë, “nuk mund të [shkojmë] në udhë të gabuar” (DeB 80:3).
Temat
Temat janë cilësi ose ide dominuese, të përsëritura dhe ndërlidhëse, si fije kryesore të endura nëpër një tekst. Në përgjithësi, temat nga shkrimet e shenjta janë më të gjera dhe më gjithëpërfshirëse se modelet ose lidhjet. Në fakt, temat japin një informacion dhe kontekst për të kuptuar lidhjet dhe modelet. Proçesi i kërkimit dhe gjetjes së temave nga shkrimet e shenjta na çon drejt doktrinave themelore dhe parimeve të shpëtimit—drejt të vërtetave të përjetshme që ftojnë dëshminë konfirmuese të Frymës së Shenjtë (shih 1 Gjoni 5:6). Kjo mënyrë e marrjes së ujit të gjallë nga rezervuari është më kërkuesja dhe më rigorozja; dhuron gjithashtu ngritje të madhe dhe rifreskim shpirtëror. Dhe shkrimet e shenjta janë të mbushura me tema të fuqishme.
Për shembull, Libri i Mormonit erdhi në këtë periudhë “për bindjen e Judenjve dhe Johebrenjve se Jezusi është Krishti, Perëndia i Amshuar, që ua shfaqi veten të gjitha kombeve” (faqja e titullit të Librit të Mormonit). Tema qendrore që përsëritet në Librin e Mormonit është ftesa për të gjithë “ejani te Krishti dhe përsosuni në të” (Moroni 10:32). Mësimet, paralajmërimet, qortimet dhe episodet në këtë libër të jashtëzakonshëm nga shkrimet e shenjta, të gjitha përqëndrohen dhe dëshmojnë për Jezusin, Krishtin, si Shëlbuesin dhe Shpëtimtarin tonë.
Më lejoni t’ju tregoj disa shembuj të tjerë mbi temat e rëndësishme duke përdorur shkrimet e shenjta nga Libri i Mormonit:
“Në qoftë se fëmijët e njerëzve i mbajnë urdhërimet e Perëndisë, ai i ushqen dhe i forcon ata dhe siguron mjete me anë të të cilave ata mund të plotësojnë gjënë për të cilën ai i ka urdhëruar” (1 Nefi 17:3).
“Shkoni përpara me një vendosmëri në Krisht” (2 Nefi 31:20).
“Njerëzit janë, që ata të mund të kenë gëzim” (2 Nefi 2:25).
“Në fuqinë e Zotit ti mund t’i bësh të gjitha gjërat” (Alma 20:4).
“Ligësia kurrë nuk ka qenë lumturi” (Alma 41:10).
Nëse më premtoni se nuk do të qeshni, do t’ju tregoj një prej mënyrave të thjeshta me anë të së cilës kërkoj tema nga shkrimet e shenjta. Nuk mbështes as rekomandoj që ta përdorni të njëjtën mënyrë; njerëz të ndryshëm përdorin metoda të ndryshme me të njëjtin efekt. Thjesht po përshkruaj një proces që funksionon mirë për mua.
Gjatë përgatitjes kohët e fundit për një detyrë për të folur, kisha ndjesinë të flisja për shpirtin dhe qëllimin e grumbullimit së bashku. Kisha studiuar dhe medituar mbi mesazhin e konferencës së fundit të Plakut Rasëll M. Nelson mbi parimin e grumbullimit (shih Conference Report shtator–tetor 2006, 83–87; ose “Ensign”, nëntor 2006, 79–82), dhe tema ishte përshtatur në mënyrë të përsosur për natyrën dhe mjedisin e detyrës sime (shih The Spirit and Purposes of Gathering [bisedë e dhënë në një mbledhje shpirtërore në BYU–Idaho, 31 tetor 2006]).
Kuptova se kisha shumë për të mësuar nga shkrimet e shenjta mbi grumbullimin. Kështu që gjeta dhe bëra kopje për çdo shkrim në veprat standarde ku përfshihej ndonjë formë e fjalës grumbullim. Më pas i lexova të gjitha këto shkrime, duke kërkuar lidhje, modele dhe tema. Është e rëndësishme të vini re se nuk e fillova leximin tim me një grup gjërash të paramenduara mbi atë që po kërkoja. U luta për ndihmën e Frymës së Shenjtë dhe thjesht fillova të lexoja.
Ndërsa rishikoja shkrimet e shenjta mbi grumbullimin, shënoja vargjet me fraza të ngjashme, ose pika theksimi, duke përdorur një laps me ngjyrë. Pasi kisha mbaruar së lexuari të gjitha shkrimet e shenjta, disa nga vargjet ishin shënuar me të kuqe, disa me jeshile dhe disa ishin shënuar me ngjyra të tjera.
Tani, vjen pjesa që mund t’ju bëjë të qeshni. Pastaj përdora gërshërët për të prerë shkrimet e shenjta që kisha kopjuar dhe i mblodha në grumbuj sipas ngjyrës. Ky proces çoi në një grumbull të madh shkrimesh të shenjta të shënuara me të kuqe, një grumbull të madh shkrimesh të shënuara me jeshile e kështu me radhë. Më pas sistemova shkrimet e shenjta brenda çdo grumbulli të madh në grumbuj më të vegjël. Kur kam qenë nxënës i klasës së parë, do të më ketë pëlqyer shumë të prisja me gërshërë dhe t’i vendosja gjërat në grumbuj!
Rezultati i këtij procesi më mësoi shumë mbi parimin e grumbullimit. Për shembull, nga shqyrtimi i grumbujve të mi të mëdhenj mësova se shkrimet përshkruajnë të paktën tre aspekte kyçe të grumbullimit: qëllimin e grumbullimit, llojin dhe vendin e grumbullimit, si dhe bekimet e grumbullimit.
Vura re se disa prej qëllimeve parësore të grumbullimit janë: për të adhuruar (shih Mosia 18:25), për të marrë këshillim dhe udhëzim (shih Mosia 18:7), për të lartësuar Kishën (shih DeB 101:63–64) dhe për të siguruar mbrojtje dhe strehim (shih DeB 115:6). Nga studimi mbi llojet dhe vendet e grumbullimit, zbulova se jemi mbledhur në familje të përjetshme (shih Mosia 2:5), në Kishën e rivendosur (shih DeB 101:64–65), në kunje të Sionit (shih DeB 109:59), në tempuj të shenjtë (shih Alma 26:5–6) dhe në dy qendra të mëdha: në Jeruzalemin e Vjetër (shih Ethër 13:11) dhe në Qytetin e Sionit, ose Jeruzalemi i Ri (shih DeB 42:9, Nenet e Besimit 1:10). Jam mirënjohës kur mësova se ndërtimi (shih Efesianëve 4:12–13), ruajtja (shih Moisiu 7:61) dhe forca (shih DeB 82:14) janë disa nga bekimet e grumbullimit.
Nëpërmjet këtij procesi fitova një vlerësim akoma më të thellë për shpirtin e grumbullimit si një pjesë e rëndësishme e rivendosjes së të gjitha gjërave në periudhën e plotësisë së kohërave. Nuk do të harxhoj kohë tani duke rithënë gjërat e tjera që mësova mbi grumbullimin; qëllimi im këtu është të ilustroj shkurtimisht një mënyrë kërkimi për tema nga shkrimet e shenjta.
Bekimet Që Mund të Marrim
Bekimet e njohurisë, kuptimit, zbulesës dhe haresë shpirtërore që mund të marrim ndërsa lexojmë, studiojmë dhe kërkojmë shkrimet e shenjta janë të mrekullueshme. “Duke u ushqyer me bollëk mbi fjalën e Krishtit” (2 Nefi 31:20) vjen ndërtimi, emocionimi dhe gëzimi. Fjala është e mirë “pasi po fillon të zmadhojë shpirtin tim; po, po fillon të ndriçojë kuptimin tim, po, po fillon të jetë e këndshme për mua” (Alma 32:28). “Vini re, ato janë të shkruara, ju i keni ato përpara jush, prandaj kërkojini” (3 Nefi 20:11), dhe ato “do të [bëhen] në [ty] një burim uji që gufon në jetë të përjetshme” (Gjoni 4:14).
Gjatë leximit, studimit dhe kërkimit tim personal për disa vite, jam përqendruar shumë herë mbi doktrinën dhe Shlyerjen e Jezu Krishtit. Asnjë ngjarje, njohuri, apo ndikim nuk ka pasur me tepër efekt tek unë gjatë 54 viteve të vdekshmërisë sesa leximi, studimi në thellësi dhe kërkimi i vazhdueshëm për lidhje, modele dhe tema që kanë të bëjnë me doktrinën e Shlyerjes. Kjo doktrinë qendrore dhe shpëtuese ka rënë ngadalë mbi shpirtin tim si vesa nga qielli; ka ndikuar në mendimet, fjalët dhe veprat e mia (shih Mosia 4:30); dhe me të vërtetë është kthyer për mua në një burim me ujë të gjallë.
Vegimi i Lehit
Rëndësia e leximit, studimit dhe kërkimit të shkrimeve të shenjta theksohet në disa elementë në vegimin e Lehit për pemën e jetës.
At Lehi pa disa grupe njerëzish që shtyheshin drejt shtegut të ngushtë dhe të ngushtuar duke kërkuar të merrnin pemën dhe frutet e saj. Pjesëtarët e çdo grupi kishin hyrë tek shtegu nëpërmjet portës së pendimit e pagëzimit me ujë dhe kishin marrë dhuratën e Frymës së Shenjtë (shih 2 Nefi 31:17–20). Pema e jetës është elementi qendror në ëndërr dhe identifikohet tek 1 Nefi 11 si një përfaqësim i Jezu Krishtit. Fruti në pemë është simbol i bekimeve të Shlyerjes së Shpëtimtarit. Në mënyrë befasuese, tema madhore e Librit të Mormonit, ftesa që të gjithë të vijnë tek Krishti, është qendrore në vegimin e Lehit. Me interes të veçantë është shufra e hekurit që shpinte tek pema (shih 1 Nephi 8:19). Shufra e hekurit është fjala e Perëndisë.
Tek 1 Nefi 8, në vargjet 21 deri 23, mësojmë për një grup njerëzish që shkuan përpara dhe filluan udhën drejt shtegut që të shpinte për tek pema e jetës. Megjithatë, kur njerëzit u përballën me mjegullat e errësirës, të cilat simbolizojnë tundimet e djallit, (shih 1 Nefi 12:17), ata shkuan nëpër udhë të gjëra, humbën dhe mbaruan.
Është e rëndësishme të vëmë re se nuk përmendet asnjëherë shufra e hekurit në këto vargje. Ata që lënë pas dore ose trajtojnë me mospërfillje fjalën e Perëndisë nuk kanë të drejtën për busullën hyjnore, e cila e drejton shigjetën drejt udhës së Shpëtimtarit. Mendoni se ky grup e fitoi shtegun dhe shkoi përpara, duke treguar një masë besimi tek Shpëtimtari dhe një bindje shpirtërore, por ata devijuan prej tundimeve të djallit dhe humbën.
Tek vargjet 24 deri 28 të kapitullit 8 lexojmë për një grup të dytë njerëzish që morën udhën drejt shtegut të ngushtë e të ngushtuar që të shpinte tek pema e jetës. Ky grup shtyhej përpara përmes mjegullës së errësirës, duke u mbajtur pas shufrës së hekurit madje derisa arritën dhe hëngrën nga fruti i pemës. Megjithatë, ndërsa ky grup i dytë personash u përqeshën nga zotëruesit e ndërtesës së gjerë dhe të madhe, u turpëruan dhe u larguan nëpër shtigje të ndaluara dhe humbën. Ju lutem, vini re se ky grup përshkruhet duke u mbajtur pas shufrës së hekurit.
Është domethënës fakti që grupi i dytë u shty përpara me besim dhe përkushtim. Ata kishin gjithashtu bekimin tjetër të shufrës së hekurit dhe ishin duke u mbajtur pas saj! Megjithatë, kur u përballën me përndjekjen dhe kundërshtimin, ata u larguan nëpër shtigje të humbura dhe humbën. Edhe me besim, përkushtim dhe fjalën e Perëndisë, ky grup humbi—ndoshta sepse i lexonin, i studionin ose i kërkonin shkrimet e shenjta me periudha. Mbajtja e tyre pas shufrës së hekurit më sjell ndër mend vetëm “shpërthime” rastësore studimi ose thellim të parregullt, në vend të një zhytjeje të vazhdueshme dhe të pandërprerë në fjalën e Perëndisë.
Në vargun 30 lexojmë për një grup të tretë njerëzish që u shtynë gjithnjë e më përpara, duke u mbajtur vazhdimisht me vendosmëri te shufra e hekurit, derisa arritën, ranë dhe hëngrën nga fruti i pemës. Fraza kyç në këtë varg është “duke u mbajtur vazhdimisht me vendosmëri” te shufra e hekurit.
Edhe grupi i tretë u shty përpara me besim dhe bindje; megjithatë, nuk ka asnjë shenjë që të tregojë se shkuan nëpër udhë të gjëra, u larguan nëpër shtigje të humbura apo se humbën. Ndoshta grupi i tretë i njerëzve lexonte, studionte dhe kërkonte vazhdimisht fjalët e Krishtit. Ndoshta ishte rrjedhja e vazhdueshme me ujë të gjallë që shpëtoi grupin e tretë nga shkatërrimi. Ky është grupi që ju dhe unë duhet të përpiqemi t’i bashkohemi.
“Ç’do të thotë shufra e hekurit që ati ynë pa, që të çonte te pema?
Dhe unë u thashë atyre se ajo ishte fjala e Perëndisë; dhe të gjithë që do të dëgjonin fjalën e Perëndisë dhe do të mbaheshin fort në të, ata nuk do të mbaronin kurrë; as tundimet dhe shigjetat e flakta të kundërshtarit nuk do të mund t’i mposhtnin ata në verbëri, t’i çojnë ata në shkatërrim” (1 Nefi 15:23–24, germat kursive të shtuara).
Cili atëherë, është dallimi midis thjesht të mbahesh dhe të mbahesh fort në shufrën e hekurit? Më lejoni të sugjeroj se mbajtja fort pas shufrës së hekurit kërkon përdorimin e vazhdueshëm dhe plot lutje të të treja mënyrave të marrjes së ujit të gjallë që kemi diskutuar sonte.
“Dhe ndodhi që unë vura re që shufra prej hekuri që ati im kishte parë, ishte fjala e Perëndisë, që të çonte te burimi i ujërave të gjalla, ose te pema e jetës” (1 Nefi 11:25).
Secila prej këtyre mënyrave—leximi nga fillimi në fund, studimi sipas temave dhe kërkimi për lidhje, modele dhe tema—është ndërtuese, është udhëzuese dhe siguron një furnizim të herëpashershëm nga uji i gjallë i Shpëtimtarit. Megjithatë, unë besoj se përdorimi i rregullt i të treja metodave jep një rrjedhje më të vazhdueshme të ujit të gjallë dhe në përmasa më të gjera shpreh se çfarë do të thotë të mbahesh fort në shufrën e hekurit.
Nëpërmjet aktivitetit normal, çdo ditë, ju dhe unë humbasim një sasi të konsiderueshme uji që përbën një pjesë të madhe të trupit tonë fizik. Etja është një kërkesë e qelizave të trupit për ujë dhe uji në trupin tonë duhet të furnizohet çdo ditë. Në të vërtetë nuk ka kuptim që të “ngopesh” me ujë në disa raste, duke lënë periudha të gjata dehidratimi midis. E njëjta gjë është e vërtetë edhe shpirtërisht. Etja shpirtërore është nevojë për ujë të gjallë. Një rrjedhje e vazhdueshme me ujë të gjallë është shumë më lartë se një pirje sporadike e gllënkave.
A po lexojmë, studiojmë dhe kërkojmë shkrimet e shenjta çdo ditë, ju dhe unë, në një mënyrë që na mundëson të mbahemi fort në shufrën e hekurit—apo ju dhe unë thjesht po mbahemi? A po shtyhemi unë dhe ju përpara drejt burimit me ujë të gjallë—duke u mbështetur tek Fjala e Perëndisë? Këto janë pyetje të rëndësishme që secili prej nesh duhet t’i meditojë plot lutje.
Ndërsa e përfundojmë këtë mbrëmje, do të këndojmë së bashku himnin “The Iron Rod” (“Shufra e Hekurit”). Vërtet, kjo këngë e të drejtëve do të jetë një lutje e zjarrtë dhe prekëse (shih DeB 25:12). Paçim veshë për të dëgjuar mësimin që ky himn na mëson!
Unë dëshmoj për Jezu Krishtin dhe fuqinë e fjalës së Tij dhe për Të, si Fjala. Ai është Biri i Atit të Amshuar dhe e di se Ai jeton. Dëshmoj se mbajta fort pas shufrës së hekurit do të na çojë tek uji i Tij i gjallë. Si shërbëtori i Tij, unë kërkoj këtë bekim për ju: që dëshira dhe kapaciteti juaj për t’u mbajtur fort pas shufrës së hekurit të rritet, që besimi juaj tek Shpëtimtari të shtohet dhe të zëvendësojë frikën tuaj dhe që, ndërsa pini deri në thellësi nga rezervuari i shkrimeve të shenjta do të arrini ta njihni Atë. Le të kujtojmë përgjithmonë se:
Kur forca e tundimit është pranë,
dhe mjegulla ka zënë rrugën tonë,
tek shufra mund të mbështetemi,
dhe qiellit ndihmë t’i kërkojmë.
(Hymns, nr. 274)
Në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.
© 2007 nga Intellectual Reserve, Inc. Të gjitha të drejtat i rezervohen. Printuar në Gjermani. Miratimi në anglisht: 6/06. Miratimi për përkthim: 06/06. Përkthim i “A Reservoir of Living Water”. 02153 101