The Christus statueThe Church of Jesus Christ of Latter-day Saints Search | Feedback | Site Map | Help | Country Sites |
Home Broadcast Archives CES Fireside

Kapuni Fort pas Fjalëve të Profetëve

Plaku Nil L. Andersen
i Presidencisë së Shtatëdhjetëshes
Mbrëmje Rreth Vatrës e SAK-ut për të Rinjtë e Rritur • 4 mars 2007 • Universiteti Brigam Jang

Plaku Nil L. AndersenTridhjetë e tre vjet më parë, kur isha student në universitetin “Brigam Jang”, kisha një rol të vogël në një mbrëmje shpirtërore, si kjo që po bëjmë sonte. Folës ishte Presidenti Spenser W. Kimball dhe pashë që po ecja ngjitur me të, ndërsa ai shkonte drejt hyrjes për në qendrën “Mariot”. E pyeta nëse ishte ndier ndonjëherë nervoz duke qëndruar para një grupi kaq të madh njerëzish. Duke buzëqeshur, ai u përgjigj: “Vëllai Andersen, ti e di se shkrimet e shenjta thonë: ‘Nëse jeni të përgatitur, ju s’do të frikësoheni’ (DeB 38:30). Po dridhem nga koka te këmbët.” Sot e kuptoj si ndihej ai.

Shpreh dashurinë dhe respektin tim për secilin prej jush që jeni ulur këtu dhe për ju që jeni mbledhur në mbarë botën. E njoh mirësinë dhe përkushtimin tuaj ndaj ungjillit, besimin dhe shpresën tuaj për të ardhmen dhe dëshirën tuaj për të kënaqur Atin tuaj Qiellor. Lutem që Shpirti i Zotit të bekojë fjalët e mia dhe të kuptuarit nga ana juaj.

Mbahuni Fort pas Shufrës së Hekurit

Në mbledhjen tonë sonte dua t’ju flas për dorën udhëzuese të Zotit. Gjatë ditëve të para të janarit punova me organizimin dhe skemën e asaj që do t’ju prezantoja. Duke ditur se plaku David A. Bednar ishte programuar për t’ju folur në shkurt, e pyeta nëse e kishte përfunduar temën për të cilën do të fliste.

U shtanga kur u përgjigj se tema e tij ishte rreth mbajtjes fort te shufra e hekurit. Ishte pikërisht titulli që kisha zgjedhur për bisedën time. Kori ndërkohë po praktikonte këtë numër të bukur muzikor që sapo e këndoi për ne.

Ndërsa plaku Bednar dhe unë i diskutuam mesazhet që kishim përgatitur, ishte e qartë se i kishim trajtuar temat ndryshe. Plaku Bednar mendoi për një çast dhe tha: “Zoti i do të rinjtë e rritur të Kishës. Ka një qëllim këtu. Ky është një mesazh të cilin Zoti do që të jepet.” Vendosa të vazhdoja.

Më pas, vetëm një javë më vonë dhe para bisedës së plakut Bednar, Presidenti Bojd K. Paker, President Veprues i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, mbajti një bisedë në një mbrëmje shpirtërore të UBJ-s të titulluar: Ëndrra e Lehit dhe Ju1. Edhe ai foli gjithashtu në bisedën e tij mbi kuptimin e mbajtjes fort te shufra e hekurit.

Vëllezërit dhe motrat e mia, kjo është një temë për të cilën Zoti kërkon që të mendoni.

Ju do të mbani mend nga biseda e Presidentit Paker dhe plakut Bednar, si dhe nga studimi juaj i Librit të Mormonit elementët kyç të ëndrrës së Lehit mbi pemën e jetës. Plaku Bednar na mësoi se pema e jetës, e identifikuar si dashuria e Perëndisë, është një përfaqësim i Jezu Krishtit dhe gëzimi e lumturia që vjen nga marrja e frutit të pemës simbolizojnë bekimet e Shlyerjes së Shpëtimtarit (shih 1 Nefi 8:10; 11:8–9, 21–24).2

Ishte gjithashtu edhe një ndërtesë e madhe dhe e gjerë (shih 1 Nefi 11:35–36; 12:18). Biseda e Presidentit Paker më dha ide për mënyra të reja të të menduarit për këtë pjesë të ëndrrës.

Në ëndërr ishin gjithashtu edhe mjegulla errësire (shih 1 Nefi 12:16–17)—që përfaqësonin tundimet e djallit—që fshihnin shtegun (shih 1 Nephi 8:19–22) që të çonte tek pema. Në fund, ishte një shufër prej hekuri (shih 1 Nephi 11:24–25)— që përfaqësonte fjalën e Perëndisë—duke lejuar që dikush të kalonte me sukses përmes mjegullës së errësirës dhe të mbërrinte tek pema.

Kori këndoi aq bukur:

Mbahu pas shufrës, shufrës së hekurt;
Është e fuqishme, e shkëlqyer dhe e vërtetë.
Shufra e hekurit është fjala e Perëndisë;
Të sigurt do të na udhëheqë përtej.
3

Sa na pëlqeu ta dëgjonim të këndohej si në spanjisht ashtu edhe në portugalisht, dhe sa do të donim ta dëgjonim në të gjitha gjuhët e atyre që po na dëgjojnë sonte.

Nefi na premtoi se “të gjithë që do të dëgjonin fjalën e Perëndisë dhe do të mbaheshin fort në të, … nuk do të mbaronin kurrë; as tundimet … [e] kundërshtarit nuk do të mund t’i mposhtnin … , t’i çojnë ata në shkatërrim” (1 Nefi 15:24).

Shufra e hekurit është fjala e Perëndisë. Më pëlqen të mendoj për të në këtë mënyrë: Fjala e Perëndisë përmban tre elemente shumë të fuqishme që ndërthuren dhe mbështesin njëri-tjetrin për të formuar një shufër të palëvizshme. Këto tre elementë përfshijnë, së pari, shkrimet e shenjta ose fjalët e profetëve të lashtë: Nuk do ta harroni pyetjen therëse të plakut Bednar të muajit të kaluar: “A po lexojmë, studiojmë dhe kërkojmë shkrimet e shenjta çdo ditë, ju dhe unë, në një mënyrë që na mundëson të mbahemi fort në shufrën e hekurit?“4

Elementi i dytë i fjalës së Perëndisë është frymëzimi dhe zbulesa personale që na vjen nëpërmjet Frymës së Shenjtë. Presidenti Paker e tha në këtë mënyrë:

“Nëse mbaheni tek shufra, mund të ndjeni që rruga juaj ecën para me dhuratën e Frymës së Shenjtë ...

... Kapeni shufrën e hekurt dhe mos e lëshoni nga duart. Nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë, mund të ndjeni rrugën tuaj përgjatë jetës. (Shih 3 Nefi 18:25; DeB 9:8.)”5

Tema ime sonte është elementi i tretë, një shtesë kritike duke e ndërthurur me dy të tjerat. Kjo pjesë e tretë e shufrës së hekurt përfaqëson fjalët e profetëve të gjallë. Duhet të kapemi fort gjithashtu edhe pas fjalës së Perëndisë siç jepet nga profetët e gjallë. Lutja ime është që nga koha që do të kalojmë së bashku sonte të rrisim përqendrimin tonë mbi atë që po mësojnë profetët e gjallë, të përshpejtojmë përgjigjen tonë ndaj asaj që po mësojmë dhe të thellojmë kuptimin tonë mbi çka do të thotë të kapesh fort pas fjalëve të tyre.

Fjalët e Profetëve të Gjallë

Shumë vite më parë, Presidenti Xhorxh Q. Kenon, në atë kohë anëtar i Presidencisë së Parë, tha:

“Ne kemi Biblën, Librin e Mormonit dhe Librin e Doktrina e Besëlidhje; por të gjithë këta libra, pa profetët e gjallë dhe pa një vërshim të vazhdueshëm të zbulesës nga Zoti nuk do të çonin asnjë popull drejt Mbretërisë Çelestiale të Perëndisë. Kjo mund të duket si një deklaratë e çuditshme për t’u thënë, por pavarësisht se sa e çuditshme mund të duket, gjithsesi është e vërtetë.

“Sigurisht, të gjitha këto anale janë me vlerë të pafundme. Ato as nuk mund të vlerësohen shumë lart, as nuk mund të studiohen me shumë imtësi. Por në vetvete, me gjithë dritën që japin, ato janë të pamjaftueshme për të udhëhequr fëmijët e njerëzve për t’i drejtuar ata në praninë e Perëndisë. Të udhëhiqesh në mënyrë të tillë kërkon një Priftëri e gjallë dhe një zbulesë të vazhdueshme nga Perëndia për njerëzit sipas rrethanave në të cilat ata mund të vendosen”6.

Sigurisht ne që ndodhemi këtu sonte e duam Presidentin Gordon B. Hinkli, dy këshilltarët në Presidencinë e Parë dhe Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve. Por duke pranuar dashurinë dhe besnikërinë tonë, unë do të pyesja: “A mund të jetë vëmendja jonë ndaj këshillës dhe mësimeve të këtyre vëllezërve më aktive, më kërkuese dhe përgjegjëse?”

Mendoni se si do t’i përgjigjeshit pyetjeve të mëposhtme:

A mund të më thoni emrat e tre anëtarëve të Presidencisë së Parë dhe emrin e secilit prej atyre që bëjnë pjesë në Kuorumin e të Dymbëdhjetëve? Janë 15 burrat ata që ju dhe unë mbështesim si profetë, shikues dhe zbulues.

Nëse do të ngrinim lart një fotografi të këtyre Vëllezërve, a do ta njihnit secilin prej tyre? Rrallë i kushtojmë vëmendje të veçantë dikujt për të cilin s’jemi në dijeni apo nuk e njohim.

A mund të ndani me mua këshillën e dhënë nga Presidencia e Parë dhe Kuorumi i të Dymbëdhjetë Apostujve nga konferenca e përgjithshme e tetorit të kaluar? Dhe a mund të tregoni shqetësimet e Presidentit Hinkli, Presidentit Monson dhe Presidentit Faust në mesazhet e Presidencisë së Parë të revistës “Ensign” dhe “Liahona” gjatë tre muajve të parë të këtij muaji?

Dhe ndoshta më me rëndësi, a mund të më thoni një vendim të fundit ku keni ndryshuar diçka në jetën tuaj për shkak të një këshille prej njërit prej këtyre 15 burrave?

Arsyeja përse përgjigjet tona ndaj këtyre pyetjeve janë kaq të rëndësishme qëndron në thirrjen dhe përgjegjësinë e Presidencisë së Parë dhe të Dymbëdhjetë Apostujve. Sa herë që Kisha e Zotit është vendosur, Zoti ka thirrur profetë dhe apostuj. Shpëtimtari tha: “Nuk më keni zgjedhur ju mua, por unë ju kam zgjedhur juve; dhe ju caktova” (Gjoni 15:16). Këtyre burrave caktimi i sjell një fuqi shpirtërore dhe një përgjegjësi solemne—një fuqi për të ditur dhe për të dëshmuar dhe një përgjegjësi për të mësuar të tjerët dhe për të bekuar. Ajo na sjell gjithashtu një përgjegjësi dhe një premtim edhe neve. Ne kemi përgjegjësinë për të dëgjuar dhe për të ndjekur dhe kemi një premtim se bekimet do të vijnë, ndërsa besojmë dhe veprojmë sipas fjalëve të tyre.

Kur Zoti thirri dymbëdhjetë dishepuj në kontinentin amerikan pas Ringjalljes së Tij, Ai u mësoi këtë njerëzve: “Të bekuar jeni ju, në qoftë se u vini veshin fjalëve të këtyre dymbëdhjetëve që unë kam zgjedhur mes jush t’ju shërbejnë dhe të jenë shërbëtorët tuaj” (3 Nefi 12:1). Në ditët tona, në një kohë shumë të vështirë, Zoti u premtoi shenjtorëve: “Nëse njerëzit e mi do t’i binden zërit tim dhe zërit të shërbëtorëve të mi të cilët i kam caktuar ta udhëheqin popullin tim, vini re, në të vërtetë unë ju them, ata nuk do të nxirren jashtë vendit të tyre” (DeB 124:45).

Ky është modeli i Zotit. Ai thërret 15 burra nga “rrugë të ndryshme të jetës”7 dhe u jep atyre çelësat dhe fuqinë për të na udhëhequr dhe drejtuar. Nuk detyrohemi të bindemi; nuk ka asnjë shtrëngim. Por nëse do të jemi të vëmendshëm ndaj fjalëve të tyre, nëse do të jemi përgjegjës dhe të gatshëm për të ndryshuar sjelljen tonë ndërsa Fryma e Shenjtë e konfirmon këshillën e tyre, nuk do të nxirremi jashtë vendit tonë—që do të thotë se do të kapemi fort pas shufrës së hekurt dhe se do të qëndrojmë gjithmonë besnikë në shtegun që të çon tek pema e jetës.

Si e kërkojmë dhe si kapemi fort pas këshillës së profetëve të gjallë? Le ta marrim në shqyrtim këtë çështje duke menduar më thellë për tre fjalët që përdorim për të mbështetur këta burra—profetë, shikues dhe zbulues.

Profetë

Së pari, fjala “profet”. Apostulli Gjon tha se: “dëshmia e Jezusit është frymë e profecisë” (Zbulesa 19:10). Profetët dëshmojnë për Krishtin. Dëshmia e tyre e sigurt për Krishtin e gjallë është një prej bekimeve më të mëdha për Kishën dhe për botën. Zoti shpalli se këta burra duhet të jenë “dëshmitarët e veçantë të emrit të Krishtit në gjithë botën” (DeB 107:23). Mbi të gjitha zëri i tyre flet me guxim për dëshminë e hyjnishmërisë dhe realitetit të Tij. Këta dëshmitarë, të lindur nën statusin e dishepullit dhe të forcuar në shugurimin e tyre, mund të kenë një ndikim domethënës tek ndjenjat tona.

Dëshmitë e tyre shprehen në mënyrë të thjeshtë, duke lënë që Fryma e Shenjtë të sjellë dëshminë në zemrën tonë. Për shembull, mund t’i dëgjojmë ata të dëshmojnë me fjalë të tilla si këto: “Me aq siguri sa ç’e di që unë jam këtu dhe ju jeni këtu, unë e di se Jezusi është Krishti. Ai jeton!”8 Ose, “Unë kam njohurinë e sigurt se Jezusi është Shpëtimtari ynë i shenjtë, Shëlbuesi dhe Biri i Perëndisë At. E di këtë realitet me një perceptim të sigurt aq të shenjtë, sa që nuk mund ta shpreh”9.

Edhe pse këto thënie janë të fuqishme, është konfirmimi shpirtëror që i shoqëron ai që digjet në zemrën tonë dhe na forcon.

Duke shpjeguar rolin e engjëjve, Mormoni mësoi:

“Dhe detyra e shërbimit të tyre [shërbimit të engjëjve] është ... për të përgatitur rrugën mes fëmijëve të njerëzve, duke ua shpallur fjalën e Krishtit shërbëtorëve të zgjedhur të Zotit, kështu që ata të mund të dëshmojnë për të.

Dhe duke bërë këtë, Zoti Perëndi përgatit udhën që pjesa tjetër e njerëzve të mund të ketë besim në Krisht, që Fryma e Shenjtë të mund të ketë vend në zemrat e tyre” (Moroni 7:31–32).

Presidencia e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve janë shërbëtorët e zgjedhur të Zotit.

Besimi ynë tek Shpëtimtari rritet dhe zhvillohet përmes kohërave dhe stinëve të jetës sonë. Mund të ketë çaste dyshimi dhe shkurajimi kur ndihemi sikur jemi përfshirë në mjegullat e errësirës. Mos nënvlerësoni atë që secili prej nesh mund të marrë nga dëshmia solemne dhe e sigurt e Shpëtimtarit që jepet nga dëshmitarët e tij të veçantë. Ajo dëshmi, e marrë me shpirt besimi, do të na forcojë në çaste vështirësie dhe do të na japë një themel të vendosur ndërsa ecim përgjatë shtegut drejt pemës së jetës. Kapuni fort pas fjalëve të profetëve. Meditoni për to. Besojuni atyre. Mbështetuni tek ato. Ndiqini ato!

Më lejoni t’ju jap një shembull. Një miku im i ri që ishte martuar e humbi vajzën e tij të vogël në një aksident tragjik. Në muajt që pasuan, me vetminë, pyetjen “përse” dhe trishtimin, dyshimi filloi të hynte në jetën e tij. Më tha se nuk ishte më i sigurt se çfarë besonte. I sugjerova se në këtë kohë të vështirë nëse dëshironte, mund t’u dorëzohej më pak dyshimeve të tij dhe t’i besonte fjalëve të Shpëtimtarit dhe shërbëtorëve të Shpëtimtarit pak më shumë. Miku im u zhyt në shkrimet e shenjta, tek premtimet e Shpëtimtarit dhe në dëshminë e guximshme dhe siguruese të profetëve të gjallë. Ai u kap fort pas dëshmisë së tyre të sigurt për Shpëtimtarin kur dëshmia e tij dukej sikur dobësohej. U kap fort pas shufrës së hekurt. Me kalimin e kohës, errësira u zhduk, pema u bë sërish e dukshme dhe ai mori nga fruti i çmuar i Shlyerjes.

Shikues

Tjetra, çfarë është një shikues? Në Librin e Mormonit, Amoni i shpjegoi rolin e një shikuesi Mbretit Limhi: “Por, një shikues mund të dijë për gjërat që janë të shkuara dhe gjithashtu për gjërat që do të ndodhin; dhe nëpërmjet tyre të gjitha gjërat do të zbulohen, … dhe gjërat e fshehta do të dalin në dritë dhe gjërat që nuk dihen do të bëhen të ditura nga ata dhe gjithashtu gjërat do të bëhen të njohura nga ata” (Mosia 8:17).

Shikojeni këtë fotografi të bukur:

Çfarë vini re? A nuk do të dëshironit të vozisnit me kanoe në këtë vend të mrekullueshëm? A nuk duket tërheqës?

Po sikur pamja juaj të zgjerohej befas dhe ju të shihnit këtë?

Vozitja me kanoe do të ishte shumë ndryshe nga çfarë menduat në fillim.

Në mënyrë shpirtërore, shikuesit shohin një pamje më të gjerë. Ata shohin atë që ne ndonjëherë nuk e shohim. Fjalët dhe këshilla e tyre na ndihmojnë të shohim pamjen më të gjerë. Nëse i kushtojmë vëmendje këshillës së tyre, duke u kapur fort pas shufrës së hekurt, do të jemi të sigurt.

Më lejoni t’ju jap një shembull. Presidenti Hinkli ka folur qartë për bekimet e së dhjetës. Ai u flet shpesh Autoriteteve të Përgjithshme mbi këtë çështje. Ai ka thënë:

“Ne mundemi ta paguajmë të dhjetën tonë. Kjo nuk është aq shumë çështje parash sa është çështje besimi ...

Ju nxis, ... secilin prej jush, ta vini Zotin në provë në këtë çështje të rëndësishme”10.

“E rithemi përsëri premtimin që Zoti e dha në kohët e lashta nëpërmjet profetit Malakia se ai do të hapë pragjet e qiellit për ata që janë të ndershëm me të në pagimin e të dhjetës dhe ofertave të tyre, aq sa nuk do të ketë vend të mjaftueshëm për të marrë bekimet e premtuara”11.

Në vjeshtën e vitit 2001, tre prej të Dymbëdhjetëve ishin në Brazil në të njëjtën kohë dhe secili u mësoi të tjerëve rëndësinë e një të dhjete të ndershme. Disa muaj më vonë, një studente e re kolegji në San Paolo u vu në provë. Ajo po punonte dhe po shkonte në shkollë. Ja cilat janë fjalët e saj të cilat u ndanë nga Presidenti Hinkli:

“Universiteti në të cilin studioja kishte një rregull, që i ndalonte studentët [që nuk i kishin paguar të gjitha detyrimet e tyre] të jepnin provimet. ...

... U përballa me vështirësi të mëdha financiare. Ditën që mora rrogën time ishte e enjte. Kur pashë buxhetin tim mujor, vura re se nuk kishte mjaftueshëm për të paguar [të dyja] të dhjetën dhe universitetin. Më duhej të zgjidhja midis tyre. Provimet dymujore do të fillonin javën e ardhshme dhe nëse nuk i bëja ato, mund të humbisja vitin shkollor. Ndjeva një ankth të madh. ... Më dhimbte zemra. Kisha një vendim të dhimbshëm para meje dhe nuk dija çfarë të zgjidhja.”

Nëpërmjet lutjes ajo vendosi se do të kishte besim tek Zoti dhe tek fjalët e profetëve. Të dielën pagoi të dhjetën e saj. Ditën tjetër kërkoi ndonjë mënyrë që të ishte në gjendje të bënte provimet por nuk mund të gjente një zgjidhje. Më pas shpjegoi se çfarë ndodhi:

“Koha e punës po përfundonte, kur punëdhënësi im m’u afrua dhe më dha porositë e fundit të asaj dite. … Befas, ai ndaloi dhe … pyeti: ‘Si shkon kolegji?’ U habita. … Përgjigjja e vetme që mund të jepja … ishte: ‘Çdo gjë është në rregull!’ Ai më pa mendueshëm dhe më përshëndeti përsëri.…

Papritur sekretarja hyri në dhomë duke thënë se isha një njeri me shumë fat! Kur e pyeta përse, ajo thjesht u përgjigj: ‘Punëdhënësi sapo ka thënë se që nga kjo ditë kompania do të paguajë plotësisht kolegjin dhe librat e tu. Para se të largohesh, kalo nga unë dhe më informo për kostot, në mënyrë që nesër të mund të të jap çekun.”

Studentja atëherë shpjegoi ndjenjat e saj: “Pasi [sekretarja] u largua, duke qarë dhe duke u ndier shumë e përulur, u gjunjëzova pikërisht në vendin që isha dhe e falenderova Zotin për bujarinë e Tij. I … thashë Atit Qiellor se nuk kishte pse të më bekonte aq shumë. Kisha nevojë vetëm për koston e pagesës së një muaji dhe e dhjeta që kisha paguar të dielën ishte shumë e vogël në krahasim me sasinë që po merrja! Gjatë asaj lutjeje, fjalët e Malakias [dhe të shpallura aq shpesh nga profetët dhe apostujt] më erdhën në mendje: ‘Më vini në provë për këtë gjë’, thotë Zoti i ushtrive, ‘në se unë nuk do t’i hap pragjet e qiellit dhe nuk do të derdh mbi ju aq shumë bekim, sa nuk do të keni vend të mjaftueshëm ku ta shtini’. (Malakia 3:10).”12

E zënë në mjegullat e errësirës, vendimi ishte i vështirë; pasojat ishin të pasigurta. Por ajo u kap fort pas shufrës së hekurt. Besimi i saj tek Zoti dhe tek profetët e Zotit u vërtetua. Edhe pse përvojat mund të mos jenë aq të menjëhershme në zgjidhjen e tyre, premtimet për ata që mbajnë me ndershmëri ligjin e së dhjetës janë absolutisht të sigurta.

Kam dëgjuar Presidentin Tomas S. Monson t’u thotë misionarëve të kthyer: “Ka një mënyrë që të qëndroni gjithmonë aktivë në Kishë—jini gjithmonë të ndershëm në pagimin tuaj të së dhjetës.” Ç’premtim i bukur!

Zbulues

Së fundi, një zbulues. “Fjala zbulesë në anglisht është përkthyer nga fjala greke apokalips, që do të thotë të bësh të ditur apo të zbulosh”13. Si zbulues, Presidencia e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve zbulojnë shqetësimet e veçanta të Zotit për ne dhe atë që ne duhet të bëjmë për t’u përgjigjur. Për më tepër, me kaq shumë zgjedhje dhe vendime në dispozicionin tonë, zbuluesit na ndihmojnë ta drejtojmë vëmendjen tek ajo që është më e rëndësishme në udhëtimin tonë gjatë jetës së vdekshme. Na ndihmojnë të përqendrohemi.

Në gusht të vitit 2005, Presidenti Hinkli na ftoi të lexojmë Librin e Mormonit para fundit të vitit. Ai na ndihmoi ta përqendrojmë kohën që kemi drejt asaj që Zoti kërkon që të bëjmë. Siç shoqërojnë shpesh ftesat e profetëve, një premtim u përfshi nga Presidenti Hinkli—një premtim për të cilin jam i sigurt se është po aq i vërtetë sot sa kur e tha në gusht të 2005-ës. Ai tha këtë: “Pa rezerva ju premtoj se nëse secili prej jush do ta mbajë këtë program të thjeshtë, pavarësisht se sa herë mund ta keni lexuar më parë Librin e Mormonit, do të vijë në jetën dhe në shtëpinë tuaj një masë e shtuar e Shpirtit të Zotit, një vendosmëri e forcuar për të ecur me bindje në urdhërimet e Tij dhe një dëshmi më e fortë për realitetin e gjallë të Birit të Perëndisë”14.

A nuk u bekuam ne ashtu siç premtoi profeti?

Një motër nga Ukraina shkroi: “Çdo mëngjes lutesha që Fryma e Shenjtë të ishte shoqëruesi im në mënyrë që Ai të më ndriçonte mendjen. Një mrekulli ndodhi: Libri i Mormonit u hap për mua sërish. Mora përgjigje për pyetje që i kisha pasur prej vitesh.” Një vëlla nga Gjermania shkroi: “Për shkak se studiova më shumë çdo ditë, bëra lidhje që nuk i kisha bërë kurrë më parë. Libri i Mormonit është vërtet dëshmi e plotë e Jezu Krishtit. Për shkak të Shpirtit që ndjeva, dëshmia ime për Shëlbuesin u rrit”.15 Ç’më thoni për këtë koment nga një familje e re në Juta: “Pyesnim veten nëse djali ynë katër vjeçar dëgjonte (kur lexonim Librin e Mormonit), por më pas një ditë, kur e pyeta përse dhoma e tij ishte aq rrëmujë, ai u përgjigj: ‘Dikush ka plaçkitur këtu!’”(Duke iu referuar një termi nga shkrimet).16

Ja një shembull tjetër për rolin e një zbuluesi. Presidenti Hinkli ju ka këshilluar shumë juve, të rinjtë e rritur të Kishës, për të qenë sa më të arsimuar që të jetë e mundur. Në konferencën e përgjithshme të tetorit ai tha: “Po ju tërheq vëmendjen për një çështje tjetër që më shqetëson shumë. Në zbulesë Zoti ka urdhëruar që populli i tij të marrë të gjithë arsimimin e mundshëm. Ai ka qenë shumë i qartë për këtë”17.

Cili është shqetësimi i madh? Arsimi. Kush ka qenë shumë i qartë për këtë? Zoti. Kush po jua zbulon këtë juve? Profeti i Tij. Dhe, vërtet, ai po ju flet juve.

Nëse vini nga një familje që ka pak burime për arsimim, mund të jeni të pasigurt mbi kuptimin e kësaj për ju. Kur jeni të pasigurt, kapuni fort pas shufrës së hekurt. Besojuni fjalëve të profetëve! Përgjigjet do të vijnë.

Në disa vende të botës si në Shtetet e Bashkuara dhe në Europë, mund të nënkuptojë se ju duhet të shisni makinën tuaj ose të jetoni në rrethana më të përulura në mënyrë që të qëndroni të regjistruar apo që të ktheheni në shkollë. Në vende të tjera të botës sakrifica mund të jetë më e madhe. Në disa vende Fondi i Qarkullueshëm Arsimor mund të jetë në gjendje të ndihmojë. Pothuajse në të gjitha rastet do të kërkohet besim, të besoni tek Zoti dhe tek profeti i Zotit—duke u kapur fort pas shufrës së hekurtërsa gjeni rrugën tuaj. Nëse nuk jeni të sigurt si të ndiqni këshillën e veçantë të profetit, lutuni me gjithë zemrën tuaj dhe diskutoni shqetësimet tuaja me prindërit dhe me peshkopin tuaj. Edhe pse do të kërkojë durim dhe besim, ju premtoj se përgjigjet do të vijnë dhe një rrugë do të hapet për ju.

Kam parë që përgjigjet u kanë ardhur shumë të rinjve me besim në Amerikën Latine. Mijëra po kapen fort pas shufrës së hekurt, duke besuar Presidentin Hinkli dhe duke ndjekur arsimimin e tyre.

Drejtimi profetik vjen nga çdo anëtar i Presidencisë së Parë dhe Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, të cilët i mbështesim si profetë, shikues dhe zbulues. Nëse do të kishim kohë, do të rishikonim këshillën nga secili prej tyre.

Më lejoni t’ju jap një shembull këshille nga një prej të Dymbëdhjetëve. Rreth dy vjet më parë Plaku Dallin H. Ouks ju foli juve në një mbrëmje si kjo që kemi së bashku. Do t’ju kujtohet që tërhoqi vëmendjen tuaj kur ngriti çështjen e takimeve dhe jo “të kalimit të kohës”. Ai tha: “Miqtë e mi të rinj të pamartuar, ju këshilloj t’i kanalizoni marrëdhëniet tuaja me seksin e kundërt në modele takimesh që kanë mundësinë për t’u rritur drejt martesës, jo në modele kalim-kohe që kanë si perspektivë vetëm për t’u rritur në ekipe sportive futbolli”18.

Tani, pyetja e rëndësishme: Çfarë bëtë pas kësaj bisede? A ndryshoi ndonjë gjë? Plaku Henri B. Ajring dha këtë paralajmërim:

“Dështimi për të marrë këshillë profetike e zvogëlon fuqinë tonë për të marrë këshillë të frymëzuar në të ardhmen. ...

Sa herë që në jetën time kam zgjedhur të vonoj ndjekjen e këshillës së frymëzuar, ose kam vendosur se isha një përjashtim, kam parë se e kisha vendosur veten time në udhët e telasheve. Sa herë që kam dëgjuar këshillën e profetëve, e ndjeva që konfirmohej në lutje dhe e kam ndjekur atë, kam kuptuar se kam lëvizur drejt sigurisë”19.

Në ç’mënyrë e tregojnë veprimet tuaja të dy viteve të kaluara se jeni duke u kapur fort pas shufrës prej hekuri? Ata që iu përgjigjën pozitivisht dhe menjëherë këshillës së plakut Ouks e kanë kuptuar me siguri se bekimet e qiellit pasuan. Më lejoni të lexoj nga një letër dërguar selisë së Kishës nga një çift në Arizona më shumë se një vit pas bisedës së tij:

“Fjalët tuaja kanë pasur një ndikim jetëgjatë në jetën tonë ….

...Këshilla juaj e drejtpërdrejtë dhe e qartë na ndihmoi të kuptojmë se takimet ishin një mundësi për të njohur njëri-tjetrin më mirë dhe jo një zotim i menjëhershëm për një marrëdhënie afatgjatë apo martesë.”20

Rezultati ishte se ata u martuan në maj në tempullin e Uashington D.C.

Do të doja të ftoja gruan time, Ketin, e cila ia ka mësuar këto parime aq mirë familjes sonë, për të ndarë ndjenjat e saj mbi rëndësinë e fjalëve të profetëve.

Fjalë nga Motra Keti Andersen

Vëllezërit e motrat e mia të dashura, pata një përvojë rreth 20 vjet më parë që më la një përshtypje të thellë. Jetonim në Florida. Kishim çuar fëmijët tanë në qendrën e kunjit për të dëgjuar konferencën e përgjithshme së bashku. Pas pak kohësh morëm botimin tonë të konferencës në revistën “Ensign” në adresën e shtëpisë. Ne vendosëm se për Mbrëmje Familjare çdo javë, do të studionim një nga bisedat e Konferencës nga një anëtar i Presidencisë së Parë ose i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve.

Fëmijët tanë ishin të vegjël, por ishin aq të mëdhenj sa të lexonin dhe donim që çdo pjesëtar i familjes të kishte një kopje të bisedave, në mënyrë që të mund të lexonim, të studionim dhe t’i nënvizonim ato së bashku. Nuk kishim një dyqan në Florida ku mund të blinim revista të tjera “Ensign”, kështu që e mora kopjen që kishte ardhur me postë dhe e çova në qendrën tonë lokale të fotokopjeve dhe bëra kopje të bisedave për familjen tonë.

Kur mbarova, ia çova kopjet kasierit, i cili hodhi në kompjuter koston e kopjeve që kisha bërë dhe më tha se i detyrohesha afërsisht 50 dollarë. Më vjen turp ta pranoj se ndjeva pak shqetësim në stomak. Dhe mendova: “Janë goxha para për të paguar për kopje të këtyre bisedave për fëmijët tanë”. Atëherë, vëllezër e motra, ky mendim më shtrëngoi zemrën: “Sa vlerë ka për ju dhe familjen tuaj që të keni fjalët e profetëve të Perëndisë?”

E dija atëherë, por e di tani me një siguri më të madhe madje, se ia vlen çdo gjë për ne dhe për familjen tonë. Ia vlen gjithçka për ju dhe për familjet tuaja në të ardhmen. Për këtë jap dëshminë në emrin e Jezu Krishtit, amen.

“Si nga Goja Ime”

Është një bekim i mrekullueshëm të martohesh me një person, i cili ka besim të pastër dhe të pakompromentueshëm. Të dua Keti, dhe jam mirënjohës për ty.

Pas një muaji do të kemi mundësinë të marrim pjesë në një konferencë të përgjithshme të Kishës dhe të dëgjojmë mesazhet e njerëzve për të cilët kemi folur sot. Konferenca e përgjithshme është një kohë për të rreshtur punën që bëjmë, për të dëgjuar shërbëtorët e Zotit dhe për të vendosur plot lutje udhën tonë për muajt që do të vijnë. Ju lutem mendoni për këto pyetje:

• A e kam shënuar në mënyrë të qartë konferencën e përgjithshme në kalendarin tim, në mënyrë që të jem në gjendje për të dëgjuar çdo seancë të disponueshme?
• Si do të përgatitem gjatë këtij muaji të ardhshëm, në mënyrë që të jem shpirtërisht gati për të marrë mesazhet?

Dhe, kur konferenca e përgjithshme të përfundojë, mund të pyesim:

• Ç’përshtypje të veçanta pata gjatë konferencës?
• Çfarë ndryshimesh të nevojshme do të bëj në jetën time?

Shufra e hekurit është fjala e Perëndisë. Shkrimet e shenjta, fjalët e profetëve të gjallë dhe dhurata e Frymës së Shenjtë janë të fuqishme në aftësinë e tyre për të na mbajtur të sigurt. Le të kapemi fort pas fjalëve të profetëve. Le të kapemi fort pas shufrës së hekurt.

Do të doja ta përfundoja me një përvojë që patëm në mars të vitit 2000. Motra Andersen dhe unë u ftuam për të marrë pjesë në përkushtimin e tempullit në Albakërki, Nju Meksiko. E dija që do të më kërkohej të flisja dhe se biseda ime duhej të ishte e shkurtër.

Hymë në dhomën çelestiale të veshur me të bardha. Presidenti Hinkli u ul në kolltukun në mes me një anëtar të Dymbëdhjetëshes në të djathtën e tij dhe unë në të majtë. Ndërsa prisnim me nderim seancën e parë, ndjeva një përshtypje të qartë dhe të veçantë që duhej të rregulloja bisedën që kisha përgatitur. Përshtypja ishte: “Fol për çelësat. Fol për çelësat.”

U ktheva menjëherë tek shkrimet e shenjta për të gjetur pjesët që shpjegojnë çelësat e priftërisë që kthehen në tokë. Më pas—dhe mund ta mbaj mend si të ishte dje—një ndjenjë e fuqishme shpirtërore erdhi në mendjen dhe zemrën time. Ndjenja që digjej brenda meje ishte kjo: “Ai që është ulur pranë teje mban të gjithë çelësat e priftërisë mbi tokë. Ai që është ulur pranë teje mban të gjithë çelësat e priftërisë mbi tokë.”

Mora frymë thellë. Pashë Presidentin Hinkli. Nuk mund ta mohoja shfaqjen e fuqishme të Shpirtit. Mendova për këtë shkrim:

“Sepse fjalën e tij duhet ta merrni si nga goja ime.…

Pasi duke i bërë këto gjëra, portat e ferrit nuk do të hapen kundër jush; po, dhe Zoti Perëndi do t’i shpërndajë fuqitë e errësirës përpara jush dhe do të bëjë që qiejt të dridhen për të mirën tuaj” (DeB 21:5–6).

Perëndia, Ati ynë Qiellor, jeton dhe na do. Biri i Tij i Vetëmlindur, Jezu Krishti, është Shpëtimtari ynë. Ai është ringjallur. Ai jeton. Së bashku Ata iu shfaqën Profetit Jozef Smith. Presidenti Gordon B. Hinkli është profeti i vajosur i Zotit sot, që i janë dhënë të gjithë çelësat e priftërisë mbi tokë. Unë kështu dëshmoj në emrin e Jezu Krishtit, amen.

SHËNIME

1. Shih bisedën e mbledhjes shpirtërore të Universitetit Brigam Jang, 16 janar 2007. Një kopje e bisedës së Presidentit Paker “Lehi’s Dream and You” mund të gjendet në internet në adresën speeches.byu.edu.

2. Shih “Një Rezervuar me Ujë të Gjallë” (mbrëmje rreth vatrës e SAK-ut për të rinjtë e rritur, 4 shkurt 2007), 6.

3. “The Iron Rod”, Hymns, no. 274.

4. “Një Rezervuar me Ujë të Gjallë”, 7.

5. “Lehi’s Dream and You”, 3–4.

6. Gospel Truth, përzgjedhje nga Jerreld L. Newquist, 2 volume (1974), 1:323. Në lidhje me rëndësinë e profetëve të gjallë, Presidenti Uilford Udraf, Presidenti i katërt i Kishës tha: “Nëse do të kishim para nesh çdo zbulesë që Perëndia i ka dhënë gjithmonë njeriut; nëse do të kishim Librin e Enokut; nëse do të kishim fletët e papërkthyera para nesh në gjuhën angleze; nëse do të kishim analet e Zbuluesit Gjon të cilat janë vulosur, si dhe të gjitha zbulesat e tjera dhe ato të ishin grumbulluar këtu deri në 30 metra, Kisha dhe mbretëria e Perëndisë nuk mund të rritej, në këtë apo në ndonjë periudhë të botës, pa profetët e gjallë të Perëndisë.” Discourses of Wilford Woodruff, përzgjedhje nga G. Homer Durham [1946], 53).

7. Boyd K. Packer, në Conference Report, tetor 1996, 5; ose Ensign, nëntor 1996, 6.

8. Boyd K. Packer, në Conference Report, prill 2000, 9; ose Ensign, maj 2000, 9.

9. James E. Faust, në Conference Report, prill 1995, 83; ose Ensign, maj 1995, 63.

10. Në Conference Report, tetor 1985, 110; ose Ensign, nëntor 1985, 85.

11. Gordon B. Hinckley, në Conference Report, prill 1984, 69; ose Ensign, maj 1984, 47.

12. Në Conference Report, prill 2002, 85–86; ose Ensign, maj 2002, 73–74.

13. Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Zbulesë”, 211.

14. “Një Dëshmi Drithëruese dhe e Vërtetë”, Ensign, gusht 2005, 6.

15. Në “Something Remarkable: Testimonies of the Blessings”, Ensign, dhjetor 2006, 17.

16. Në “Taking the Challenge,” Ensign, Dec. 2006, 14.

17. Në Conference Report, shtator–tetor 2006, 66–67; ose Ensign, nëntor 2006, 60.

18. Dallin H. Oaks, The Dedication of a Lifetime (mbrëmje shpirtërore për të rinjtë e rritur të SAK-ut, 1 maj 2005) 5–6.

19. Në Conference Report, prill 1997, 33; ose Ensign, maj 1997, 25.

20. Letër datuar më 19 nëntor 2006.

 
© 2012 Intellectual Reserve, Inc. All rights reserved.   Rights and use information.  Privacy policy