Lutja
Motra Sheril C. Lant
Presidente e Përgjithshme e Fillores
Mbrëmje Rreth Vatrës e SAK-ut për të Rinjtë në Moshë Madhore • 9 shtator 2007 Universiteti “Brigam Jang”
Do të desha të filloj diskutimin tonë këtë mbrëmje duke rishikuar një histori me të cilën njihemi të gjithë shumë mirë. Tregon për një djalë të ri i cili jetonte në një qytet të madh. Në shumë mënyra ishte si qytetet në të cilat jetojmë sot. Ishte i ngjeshur me njerëz, i zhurmshëm dhe i mbushur me njerëz që merreshin me aktivitetet e përditshme të punës dhe argëtimit – njerëz që ishin të irrituar dhe të stresuar duke u përpjekur të ecnin me ritmin e jetës përreth tyre. Ishte një qytet i mbushur me tundime. Kishte shumë zëra që thërrisnin për vëmendjen e tij – zëra që e ftonin të zhytej në dëshira egoiste për sende, fuqi, famë dhe kënaqësi; zëra që e nxisnin të mashtronte pak këtu dhe të gënjente pak atje; zëra që thumbonin për t’u bashkuar me ta sepse të gjithë po e bënin atë gjë.
Ky i ri kishte shumë zgjedhje për të bërë. Ai kishte një familje – një familje që ishte ndoshta mjaft e ngjashme me shumë nga familjet tona. Ishte një familje që kishte si anë të forta ashtu edhe të dobëta. Prindërit e tij ishin njerëz të mirë të cilët e merrnin seriozisht përgjegjësinë e tyre për t’u mësuar fëmijëve të tyre parime të sakta dhe dëshironin që fëmijët e tyre të ndiqnin Zotin. Ata ishin prindër të cilët ndoshta bënin gabime herë pas here në përpjekjet e tyre për ta përmbushur këtë gjë. Babai ishte një udhëheqës priftërie. Ai ishte i zellshëm në përmbushjen e përgjegjësive ndaj familjes së tij dhe Kishës. Disa nga fëmijët e familjes ishin të respektueshëm dhe të bindur. Të tjerët donin të ndiqnin mendjen dhe vullnetin e tyre – ashtu siç ndodh në familjet tona.
Ky i ri ishte si ju të rinj që jeni këtu sonte. Ai ishte i zgjuar, serioz, i respektueshëm, i zellshëm dhe i bindur. Ai i donte prindërit dhe familjen e tij dhe ai e donte Zotin. Ai donte të bënte zgjedhjet e duhura. Si shumë nga ju, ai e dëgjonte të atin. Por ishte e vështirë. Dhe ndërsa koha kalonte bëhej gjithmonë e më e vështirë. Fjalët e babait të tij e ndanë nga miqtë e tij dhe nga bota rrotull tij. Ai donte dhe kishte nevojë të dinte për veten e tij nëse gjërat që babai i kishte mësuar ishin të vërteta.
Ne lexojmë në shkrimet e shenjta se si ai e bëri atë dhe çfarë ndodhi: “Duke pasur dëshira të mëdha për të ditur misteret e Perëndisë, prandaj i thirra Zotit dhe vini re, ai më vizitoi dhe ma zbuti zemrën, saqë unë besova të gjitha fjalët që ishin thënë nga ati im” (1 Nefi 2:16).
I përballur me vendime që do të ndikonin në gjithë jetën e tij, ky i ri ishte kthyer në përulësi nga Ati i tij Qiellor në lutje, dhe ai mori një përgjigje ndaj lutjes së tij. Emri i këtij të riu ishte Nefi.
Nefi kishte një zgjedhje për të bërë në jetën e tij. Ishte shumë e ngjashme me zgjedhjet që të gjithë duhet të bëjmë përditë në jetën tonë. Megjithëse bota jonë mund të duket shumë e ndryshme nga ajo e tij, ndikimet që po e joshnin ishin shumë të ngjashme me ndikimet që na joshin ne. Atij i duhej të bënte një zgjedhje ndërmjet gjërave të botës dhe gjërave të Zotit. Ne përballemi me të njëjtat lloj zgjedhjesh. Nefi zgjodhi ta vendoste mendjen dhe vullnetin e tij në duart e Zotit. Ai vendosi të shkonte tek i vetmi burim i së vërtetës dhe drejtësisë në lutje, ai zgjodhi të dëgjonte përgjigjet që Zoti i dha atij, dhe ai zgjodhi të bindej. Veprimi i tij i thjeshtë i lutjes jo vetëm hapi derën ndaj një jete të madhe mundësish dhe bekimesh për Nefin, por gjithashtu na shërben si një shembull për jetën tonë sot.
Vetë Nefi na mësoi tek 1 Nefi 19:23 se ne duhet t’i “[përshtatim] të gjitha shkrimet e shenjta për ne, që ato të mund të jenë për përfitimin dhe mësimin tonë.” Dhe kështu sonte do të flasim mbi parimin e madh të ungjillit që u tregua nga Nefi. Do të flasim rreth lutjes. Do të shohim tek shkrimet e shenjta dhe tek profetët për të kuptuar. Do t’i “përshtasim” këto mësime në vetë jetën tonë.
Ndërsa e bëjmë këtë, ju do të mendoni rreth lutjes në jetën tuaj dhe ndershmërisht e seriozisht do të mendoni rreth përgjigjeve ndaj disa pyetjeve që do t’ju bëj – pyetje të tilla si: Për çfarë duhet të lutem në jetën time? Kur dhe si mund të lutem? Kur lutem, a e bëj me plot ndjenjë dhe besim? E ndiej që lutjet e mia dëgjohen? A besoj me të vërtetë se Zoti do të më përgjigjet? A e kuptoj se si vijnë përgjigjet ndaj lutjeve? A i njoh dhe i pranoj përgjigjet, edhe nëse nuk janë ato që unë dua të jenë? A e kuptoj se çfarë do të thotë të presësh me durim para Zotit? A lutem me qëllim të vërtetë, duke e rregulluar jetën sipas përgjigjeve që marr? A eci përpara dhe veproj sipas përgjigjeve që më jepen?
Përpara se t’u përgjigjemi këtyre pyetjeve, le të flasim mbi parimin e lutjes. Lutja është thjesht procesi nëpërmjet të cilit ne mund të komunikojmë me Atin tonë Qiellor. Dhe ajo është një komunikim i dyanshëm. Plaku Riçard G. Skot na mëson se “lutja është një dhuratë e mbinatyrshme e Atit Qiellor ndaj çdo shpirti” (në Raportin e Konferencës, mars – prill 2007, fq. 5; ose Ensign, maj 2007, fq. 8). Pavarësisht kush jemi, ku jemi, cilat janë nevojat tona dhe çfarë kemi bërë, ne nuk jemi vetëm. Ne kemi një At të dashur në Qiell, i cili e ka bërë Veten të gatshëm ndaj nesh nëse vetëm do të kthehemi tek Ai.
Lutja bën shumë gjëra. Lutja është një nga mënyrat që ne mund të shprehim mirënjohje. Ajo sjell ngushëllim dhe paqe. Është nëpërmjet lutjes që ne mund të marrim një dëshmi. Na ndihmon të qartësojmë ndjenjat dhe mendimet tona ndërsa i shprehim shqetësimet dhe dëshirat Atit tonë Qiellor. Ajo na jep përgjigje të veçanta. Mendja jonë mund të ndriçohet sepse zbulesa vjen nëpërmjet lutjes personale. Pendimi fillon me lutje, është nëpërmjet lutjes që mund të dimë se kemi marrë falje dhe lutja mund të na ndihmojë të falim veten dhe të tjerët. Lutja mund të na ndihmojë të gjejmë drejtimin e duhur. Mund të na ndihmojë në marrjen e vendimeve.
Ne mund të marrim ndihmë në shumë mënyra të veçanta. Është nëpërmjet lutjes që mund të gjejmë forcë, si në shpirt ashtu edhe në trup. Lutja mund të na mundësojë mbrojtje nga të gjitha burimet e të keqes dhe të ligës. Ne mund të kemi çdo dhuratë shpirtërore ndërsa kërkojmë në lutje të sinqertë. Ne gjejmë përgjigje ndaj të gjitha pyetjeve të jetës ndërsa kërkojmë nëpërmjet lutjes. Unë e di se ka fuqi shëruese në lutje – shërim në lidhje me nevojat fizike dhe shërim të shpirtit.
Lutja përfshin individin – juve dhe mua – dhe gjithashtu përfshin të gjithë Kreun Perëndi. Të tre anëtarët e Kreut Perëndi përfshihen në këtë mënyrë: kur i lutemi Atit tonë Qiellor në emrin e Jezu Krishtit, i cili është avokati ynë, ato lutje marrin përgjigje nga Ati ynë Qiellor nëpërmjet Frymës së Shenjtë. Është nëpërmjet Frymës së Shenjtë që ne ndiejmë dashurinë e Atit dhe Birit.
Dua që ta dini se unë e di se këto parime në lidhje me lutjen janë të vërteta. Ne i gjejmë këto parime të mësuara në shkrimet e shenjta dhe në fjalët e profetëve. Unë kam një dëshmi personale mbi fuqinë e lutjes sepse kam përjetuar shumë nga bekimet e lutjes në vetë jetën time. Por ajo për të cilën me të vërtetë dua të flas sonte, është si ndiheni ju në lidhje me lutjen në jetën tuaj – si po e përdorni atë për të mundësuar fuqitë e qiellit. Për ta bërë këtë le të kthehemi përsëri tek ato pyetjet e para:
Për Çfarë Duhet të Lutem?
Pyetja e parë është: Për çfarë duhet të lutem në jetën time?
Mendoni se çfarë po ndodh tani me jetën tuaj. A shqetësoheni për gjëra të ndryshme? A ndiheni ndonjëherë të mbingarkuar ose të hutuar? Jam e sigurt se keni sfida dhe shqetësime. Cilat janë ato? Në Librin e Mormonit, Amuleku na mëson disa gjëra për të cilat duhet të lutemi. Ndërsa e lexojmë së bashku këtë shkrim të shenjtë, vini re për gjërat specifike që përmenden. Do të lexojmë nga Alma 34, vargjet 17–26:
“Prandaj, Perëndia dhëntë që ju, vëllezërit e mi, të mund të filloni të ushtroni besimin tuaj në pendim, që ju të filloni të thërritni në emrin e tij të shenjtë, që ai të ketë mëshirë për ju;
Po, përgjërojuni atij për mëshirë; pasi ai është i fuqishëm të shpëtojë.
Po, përuluni dhe vazhdoni në lutje ndaj atij.
Përgjërojuni atij kur të jeni në fushat tuaja, po, për të gjitha grigjat tuaja.
Përgjërojuni atij në shtëpitë tuaja, po, për të gjithë pjesëtarët e familjes suaj, si në mëngjes, në mesditë dhe në mbrëmje.
Po, përgjërojuni atij kundër fuqisë së armiqve tuaj.
Po, përgjërojuni atij kundër djallit i cili është armik i gjithë drejtësisë.
Përgjërojuni atij për bereqetin e fushave tuaja, që ai t’ju sjellë begati.
Përgjërojuni atij për tufat e fushave tuaja, që ato të mund të shtohen.
Por, kjo nuk është e gjitha; ju duhet të derdhni shpirtrat tuaj në dhomëzat tuaja dhe në vendet tuaja të fshehta dhe në vendin tuaj të shkretë.”
A sugjeron kjo disa gjëra për të cilat mund të lutemi? Për mua sugjeron se duhet të lutemi për çdo gjë.
Alma u lut për mëshirë që të mund të shpëtohej. Ai po kërkonte që Shlyerja të gjente zbatim në jetën e tij. Ai po pendohej. Ai u lut që familja e tij e zotërimet e tij të ishin të suksesshme. Ai u lut për mbrojtje ndaj Satanit dhe tundimit. Mendoj se kur atij iu kërkua të lutej në dhomën dhe vendet e tij të fshehta dhe në shkretërirë, Zoti nuk po fliste për vendet ku ai të mund të lutej – ose të paktën Ai nuk po fliste vetëm për vende. Mendoj se Ai po i thoshte Almës të shkonte në vendet e fshehta në zemrën dhe jetën e tij dhe të lutej për të gjitha mundimet dhe dobësinë e tij personale.
Nëse e përshtasim këtë shkrim të shenjtë në vetë jetën tonë, mund të shohim shumë gjëra për të cilat mund të lutemi. Për ju, kjo mund të përfshijë gjëra të tilla si detyrat e shkollës, gjetja e një profesioni, takimi dhe gjetja e një shoku/shoqeje të denjë e ndoshta të përjetshëm. Po përsa i përket fillimit të familjes dhe shtëpisë? Po përsa i përket shëndetit tuaj? Po përsa i përket denjësisë suaj personale? A mund të përfshijë ajo dëshminë tuaj personale, dëshirën tuaj për të ditur si duhet t’i shërbeni Atij, nevojën tuaj për t’u penduar dhe nevojën tuaj për t’u forcuar kundër tundimeve? A sugjeron kjo lutjen që Fryma e Shenjtë t’ju udhëheqë në të gjitha gjërat?
Kur lutemi duhet të kujtojmë që të mos lutemi vetëm për gjërat të cilat dëshirojmë t’i kemi. Duhet të arrijmë në atë pikë ku të lutemi për gjërat që Zoti do për ne. Kur e bëjmë këtë, ne në thelb po ia japim jetën tonë Atij. Ne po themi: “Unë nuk mund ta bëj këtë gjë vetëm. Unë nuk dua ta bëj këtë gjë vetëm. Unë do ta bëj në mënyrën Tënde.”
Ku dhe Si Mund të Lutem?
Kjo na çon në pyetjen e dytë: Kur dhe si mund të lutem?
Ne, sigurisht, kemi lutjet e rregullta të cilat të gjithë jemi mësuar t’i bëjmë – lutjet personale në mbrëmje dhe në mëngjes. Ne kemi lutjet familjare dhe lutjet që shoqërojnë mbledhjet tona. Këto janë lutjet e para të cilat na janë mësuar të bëjmë. Nëse nuk jemi të kujdesshëm, ato mund të kthehen në diçka të njëllojtë dhe madje rutinë.
Sa shpesh bëjmë një lutje të shpejtë në mëngjes dhe më pas ngrihemi me vrull dhe dalim me vrap nga dera – pa menduar më për të? Sa shpesh na zë gjumi duke bërë lutjen tonë të mbrëmjes ose nuk i themi fare sepse thjesht jemi shumë të lodhur? Kur mendojmë se me kë po flasim kur lutemi, sa shumë Ai ka bërë për ne dhe sa të varur jemi nga Ai, na bën të ndalemi për të menduar. Ndalimi për të medituar ndërsa lutemi do t’i japë Shpirtit mundësi të na flasë.
Lutjet familjare mund të jenë të fuqishme. Ato mund të bashkojnë anëtarët e familjes dhe t’i forcojnë ata në kohë sprovash. Ato mund të na mbrojnë. Ato mund të sjellin ngushëllim dhe paqe. Kur fëmijët tanë ishin në fushën e misionit, ne llogarisnim ndryshimin e orës ndërmjet shtëpisë dhe misionit dhe më pas llogarisnim në çfarë ore – sipas orës së tyre – do të bënim lutjet tona familjare në shtëpi që ata ta dinin se kur ne po luteshim për ta. Disa nga ata thanë se i ndienë ato lutje dhe u forcuan nga to në shumë mënyra të veçanta në po atë moment që kishin nevojë.
Por ne mësohemi nga shkrimet e shenjta se këto lutje formale nuk janë e vetmja mënyrë që ne mund t’i drejtohemi Atit tonë Qiellor. Tek Alma 34:27, ne lexojmë: “Po, dhe kur ju të mos i përgjëroheni Zotit, le të jenë zemrat tuaja plot, të hapura në lutje tek ai vazhdimisht, për mirëqenien tuaj.”
Ne mund të kemi gjithmonë një lutje në zemrën tonë. Çfarë do të thotë kjo?
Mendoj se është një qëndrim i shpirtit tonë i drejtuar drejt qiellit – tek Ati Qiellor. Është një ndjenjë e shkurtër por e fuqishme e tillë si: “Faleminderit.” “Të lutem më ndihmo.” “Cila është gjëja e drejtë që duhet të bëj?” “Çfarë duhet të them?” “Më vjen shumë keq”. Është etja për ngushëllim, forcë dhe drejtim kur jeni përballë një situate të vështirë. Është ndjenja e kënaqësisë dhe gëzimit ndaj diçkaje të bukur. Është kuptimi se Fryma e Shenjtë po vepron në jetën tuaj. Është hapja e zemrës ndaj komunikimit të vazhdueshëm. Kjo lloj lutjeje mund të jetë përgjithësisht siç ne e lejojmë të jetë. Ne e kontrollojmë atë nëpërmjet aktiviteteve tona, mjedisit tonë dhe gjendjes së zemrës sonë.
Cilat janë disa nga gjërat që mund ta ndalojnë këtë të ndodhë? Muzika e lartë dhe e vazhduar, madje edhe muzika e mirë, thjesht mund të kthehet në zhurmë që i zë frymën një mendimi lutjeje madje përpara se të formohet në mendjen tonë. Rrethimi i vetes me kaos, rrëmujë dhe pështjellim, mund të ndrydhë Shpirtin. Të qenit shumë të zënë ose të stresuar nga jeta e përditshme, mund të na heqë mendjen nga qielli. Nëse i lejojmë vetes të qëndrojmë në vende ku e dimë se Shpirti nuk mund të qëndrojë, do të bëjë që lutjet tona të gjejnë pengesë. Nëse lejojmë që imazhe të papërshtatshme apo të shëmtuara të hyjnë në mendjen tonë nëpërmjet gjërave që shohim në Internet, filma, në televizion, ose nëpër gjëra që lexojmë, do të shkatërrojë lidhjen tonë me qiellin. Të qenit të inatosur, të irrituar dhe të mërzitur nga të tjerët mund të mbyllë zemrën tonë.
“Por”, mund të thoni ju, “këto gjëra janë pjesë e jetës sonë përditë. Si mund t’i shmangim ato?” Besoj se këto gjëra mund të jenë pjesë e jetës sonë të përditshme nëse i lejojmë ato. Ne jemi në kontroll – ose të paktën ne mund të jemi në kontroll.
Është mjaft e rëndësishme që ne të gjithë ta gjykojmë jetën tonë dhe të gjykojmë çfarë duhet të bëjmë që të cilësohemi për bekimet e qiellit. Ne do të kuptojmë se sa afër është qielli nëse thjesht i afrohemi atij. Dhe çdo përpjekje afrimi drejt tij mund të na ndihmojë ta vendosim jetën në rregull me gjërat e Frymës. Sa më pranë të jemi me Shpirtin, aq më shumë zemra jonë mund të jetë e hapur dhe e drejtuar vazhdimisht drejt Atit tonë në Qiell. Për mua, lutja e zemrës më mban më pranë Zotit sesa çdo gjë tjetër që mund të bëj. Dhe unë mund ta bëj atë në çdo vend e në çdo kohë. Është një burim jetik për mua.
A Lutem Plot Ndjenjë dhe Besim?
Pyetja jonë tjetër është: Kur lutem, a e bëj plot ndjenjë dhe besim?
Kthehuni përsëri tek Alma 34:17–27. E gjithë kjo pjesë nga shkrimi i shenjtë na tregon se duhet të kemi si ndjenjë ashtu edhe besim. Vini re fjalët: “ushtroni besimin tuaj”, “thërritni në emrin e tij të shenjtë”, “përgjërojuni atij”, “derdhni shpirtrat tuaj” dhe “të hapura në lutje”. Kjo është më shumë sesa një lutje e detyruar e bërë me nxitim.
Të gjitha lutjet duhet të vijnë nga thellësia e mendjes dhe zemrës sonë. Sa ofenduese duhet të jetë për Zotin – i cili na ka dhënë aq shumë, i cili qëndron gati të na japë çdo bekim të domosdoshëm për ne – kur ne i bëjmë me nxitim lutjet tona ose na zë gjumi duke i bërë ato, ose kur mendja jonë nuk është aty, ose kur fjalët tona janë të shkujdesura ose mosrespektuese. Sa shpesh e harrojmë Atë plotësisht, derisa të kemi përsëri një nevojë urgjente?
Disa herë lutjet tona janë një kërkesë urgjente për ndihmë. Më kujtohet një herë kur kam bërë një lutje të tillë kur atëherë djali im trevjeçar kishte humbur. Ai kishte qenë duke luajtur me fëmijët e tjerë në kopshtin tonë. I kisha hequr sytë nga ai vetëm për një çast për të kontrolluar foshnjen. Por papritur ai ishte zhdukur.
Menjëherë bëra një lutje të dëshpëruar për ndihmë. Mendimi më erdhi se ai ishte në pishinën e një kompleksi apartamentesh rreth tre blloqe ndërtesash më tutje.
Tani ai kurrë nuk kishte qenë tek ajo pishinë. Ai kurrë nuk kishte qenë as tek ato apartamente. Pishina ishte e mbyllur dhe mbahej e kyçur gjatë gjithë kohës. Ai madje as nuk e dinte që ajo ishte aty. Por ndjenja ishte e fortë.
Duke vrapuar, i thirra djalit tim 10 vjeçar, i cili ishte me biçikletë, të shkonte tek pishina sa më shpejt që të mundte. Kur ai arriti atje e gjeti vëllain e tij më të vogël dhe një djalë tjetër të vogël të së njëjtës moshë i cili e dinte ku ishte pishina, të cilët sapo kishin filluar të hynin në anën e cekët të saj. Ata ishin me rrobat dhe këpucët e tyre të veshura – dhe megjithëse dera kishte qenë e hapur, nuk kishte njeri tjetër aty.
Disa lutje janë urgjente dhe ne kemi nevojë për përgjigje të menjëhershme! Fatmirësisht jo të gjitha lutjet janë të tilla. Nëse shkojmë vazhdimisht përpara Zotit në lutje, Ai do të jetë aty kur të kemi më shumë nevojë për Të.
Lutja plot ndjenjë duket se tregon besim që ajo mund të marrë përgjigje. Besimi është i thjeshtë dhe fëminor për disa nga ne. Mund të lindë nga dashuria ose nga fakti që nuk është sprovuar kurrë. Për shumicën nga ne besimi është diçka për të cilin duhet të përpiqemi vazhdimisht për ta patur. Ne mund të fitojmë besim të madh nëpërmjet një përvoje të veçantë, por herën tjetër që besimi ynë provohet, duket se duhet të fillojmë edhe një herë nga e para për ta besuar me të vërtetë Zotin. Por ju premtoj se nëse luteni, duke besuar që Ati Qiellor është aty, se Ai ju do dhe se Ai mund t’u përgjigjet të gjitha lutjeve, besimi juaj do të rritet dhe do të bëhet më i fortë dhe ju do të mund të arrini një kohë në jetën tuaj kur do ta dini se këto gjëra janë të vërteta. Besimi është fillimi i veprimit.
A Besoj me të Vërtetë se Lutjet e mia Dëgjohen dhe se Do Të Marrin Përgjigje?
Pyetja tjetër: A besoj me të vërtetë se lutjet e mia dëgjohen dhe se Ati Qiellor do të më përgjigjet?
Më lejoni t’ju tregoj për lutjen e një djali të vogël. Emri i tij është Brejdën. Ai ishte shumë i vogël në atë kohë – pesë ose gjashtë vjeç. Ai po lexonte Librin e Mormonit me familjen e tij. Familja lexonte disa vargje çdo ditë dhe më pas bënin lutjen familjare.
Një ditë ata lexuan fjalët tek Moroni 10:4: “Dhe kur ju t’i merrni këto gjëra, unë do t’ju këshilloja që të pyesni Perëndinë, Atin e Amshuar, në emrin e Krishtit, në qoftë se këto gjëra nuk janë të vërteta; dhe në qoftë se ju do të kërkoni me një zemër të sinqertë, me qëllim të vërtetë duke pasur besim në Krisht, ai do t’ju tregojë të vërtetën, nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë.”
Ishte radha e Brejdënit për t’u lutur atë ditë. Ai e filloi lutjen e tij në të njëjtën mënyrë të zakonshme, duke përdorur të njëjtat fjalë të zakonshme por më pas ai tha diçka ndryshe. Ai tha: “At Qiellor, a është Libri i Mormonit i vërtetë?” Më pas ai heshti.
Ai heshti aq gjatë saqë babai i tij i hapi sytë për të parë nëse kishte nevojë për ndihmë për ta mbaruar lutjen e tij. Por ai nuk kishte nevojë për ndihmë. Ai mbaroi duke thënë: “Të falenderoj At Qiellor” dhe e mbylli lutjen e tij. Shpirti hyri në atë shtëpi dhe i dha dëshmi të gjithë familjes mbi vërtetësinë e shkrimeve të shenjta. Lutja e tij ishte me një besim të thjeshtë dhe të bukur.
Ju jeni një fëmijë i Perëndisë, ashtu si Brejdën. Ju keni shumë vlerë në sytë e Tij. Ai na ka urdhëruar vazhdimisht në shkrimet e shenjta për t’u “lutur gjithmonë”. Ai na ka dhënë Shlyerjen për të na sjellë përsëri në shtëpi. Përse nuk do t’u përgjigjej Ai lutjeve tuaja? Ai do ta bëjë këtë. Ju premtoj që Ai do ta bëjë këtë! Por ndoshta nuk është Zoti tek i cili po dyshojmë. Ndoshta është vetë denjësia jonë ajo tek e cila dyshojmë. Ndoshta është mungesa jonë e të kuptuarit se si Perëndia i përgjigjet lutjeve tona që na bën të dyshojmë.
Në mënyrë që ta kuptojmë dhe t’i përgjigjemi më mirë asaj se si Ati Qiellor i përgjigjet lutjeve tona, le ta bashkojmë këtë pyetje me tre të tjerat, të cilat janë:
“A e kuptoj se si vijnë përgjigjet ndaj lutjeve?”
“A i njoh dhe i pranoj përgjigjet, edhe nëse nuk janë ato që unë dua të jenë?”
“A e kuptoj se çfarë do të thotë të presësh me durim para Zotit?”
Kur e cilësojmë veten nëpërmjet denjësisë personale, Ati Qiellor gjithmonë u përgjigjet lutjeve tona. Ju lutem vini re fjalën cilësoj. Ne duhet të përpiqemi fort për të qenë të denjë për bekimet e Zotit.
Presidenti Harold B. Li, tha: “Nëse dëshironi bekimin, nuk mjafton që thjesht të gjunjëzoheni dhe të luteni për të. Përgatiteni veten në çdo mënyrë që mund të përfytyroni në mënyrë që të bëheni i denjë për të marrë bekimin që kërkoni” (Stand Ye in Holy Places [1974], fq. 244).
Ne duhet të jemi pranë Shpirtit për të ditur se për çfarë duhet të lutemi dhe për të qenë të aftë të dallojmë përgjigjet e Tij. Por kjo nuk do të thotë se ne duhet të jemi të përsosur ose madje pranë përsosjes për t’u lutur dhe për të marrë përgjigje. Kjo sepse lutja është një nga mënyrat që ne kemi mundësi të pendohemi dhe një nga mënyrat që ne mund të përsosemi.
Ati Qiellor jo vetëm që u përgjigjet lutjeve tona; Ai gjithmonë u përgjigjet atyre në mënyrën që do të na bekojë përjetësisht. Ky është një parim absolutisht i vërtetë. Por ka shumë mënyra se si lutjet tona mund të gjejnë përgjigje. Ai mund të thotë po. Ai mund të thotë jo. Ai mund të thotë jo tani. Ndonjëherë mund të mendojmë se Ai nuk po na përgjigjet fare sepse nuk jemi në gjendje të kuptojmë përgjigjen. Ne duhet të kemi besim tek Zoti dhe tek koha e Tij. Ne duhet të mësojmë të njohim përgjigjet kur ato vijnë.
Disa përgjigje vijnë pak nga pak për të na forcuar besimin tonë. Plaku Dallin H. Ouks tha: “Nuk mund t’i imponojmë gjërat shpirtërore. Dhe duhet të jetë kështu! Qëllimi i jetës sonë për të fituar përvojë dhe për të zhvilluar besim do të pengohej nëse Ati ynë Qiellor do të na ndriçonte menjëherë për çdo pyetje ose të na drejtonte në çdo veprim.” (The Lord’s Way [1991], fq. 36).
Disa përgjigje na janë dhënë tashmë dhe Zoti pret që ne të veprojmë sipas tyre. Disa herë po kërkojmë përgjigje ndaj dy gjërave njëlloj të mira dhe Zoti po na jep një mundësi të përdorim fuqinë e zgjedhjes të dhënë nga Perëndia.
Ndoshta në dëshirën tonë urgjente për të marrë një përgjigje specifike ndaj një lutjeje ne nuk jemi të gatshëm ta vendosim jetën tonë në duart e Zotit dhe të pranojmë përgjigjen që na jepet. Ne duam atë që duam, dhe e duam atë tani!
Ndoshta problemi ynë qëndron në faktin se nuk e kuptojmë si vijnë përgjigjet. Ne jemi të vetëdijshëm se disa lutje marrin përgjigje në mënyra mahnitëse, si Vegimi i Parë i Jozef Smithit, por më shpesh përgjigjet vijnë në mënyra mjaft më të qeta. Tek Doktrina e Besëlidhje 8:2–3, lexojmë për dy mënyra që Zoti u përgjigjet lutjeve tona:
“Po, vër re, unë do të të them në mendjen tënde dhe në zemrën tënde, me anë të Frymës së Shenjtë, që do të vijë mbi ty dhe që do të banojë në zemrën tënde.
Tani, vër re, ky është shpirti i zbulesës.”
Mënyra e parë e përmendur është në mendjen tonë. Këto përgjigje vijnë nëpërmjet zërit të qetë dhe të ulët të Frymës së Shenjtë si mendime, ide e njohuri. Këto mund të jenë çaste frymëzimi të cilat i kuptojmë menjëherë ose ato mund të jenë ide të cilat duhet të vazhdojmë t’i përpunojmë dhe të cilat zhvillohen me kalimin e kohës. Ato zakonisht shoqërohen me një ndjenjë të mirë.
Mënyra e dytë e përmendur është në zemrën tonë. Kjo ka të bëjë më shumë me ndjenjat tona. Ne mund të kemi ndjenja negative e të ngatërruara për të na paralajmëruar që përgjigjja është “jo”. Ose ndjenja mund të jetë e ëmbël, e paqme, qetësuese dhe ngushëlluese. Këto ndjenja duan të thonë se përgjigjja është “po”. Këto ndjenja ndonjëherë krahasohen me një ndjesi djegëse që është shumë e fortë, ose ndjenja mund të jetë mjaft delikate.
Parimet kyç këtu janë që ne jemi urdhëruar nga Ati ynë Qiellor të lutemi. Ai dëgjon çdo lutje. Ai do t’u përgjigjet lutjeve tona për më të mirën tonë. Kur e dimë këtë thellë në zemër, ne nuk do të shkurajohemi dhe të largohemi nga Ai. Kur përgjigjet nuk kuptohen menjëherë, ne do të qëndrojmë besnikë dhe të qëndrueshëm – duke u lutur vazhdimisht për të zbuluar udhët e Tij. Shpirti mund të na ndihmojë, dhe ne do të mësojmë të dallojmë se si vijnë përgjigjet dhe cilat janë përgjigjet. Mund të jetë e ndryshme për çdo person dhe madje mund të jetë e ndryshme në çdo përvojë që kemi. Unë e di se ndërsa e cilësojmë veten për të patur Frymën e Shenjtë vazhdimisht me vete, ne do të jemi të aftë për të parë dhe kuptuar më qartë përgjigjet e lutjeve tona.
A Shkoj Përpara Duke Vepruar?
Pyetja e fundit është: A e rregulloj jetën sipas përgjigjeve që marr ndaj lutjeve të mia? A shkoj përpara duke vepruar?
E di se Zoti i dëgjon dhe u përgjigjet lutjeve tona. Por gjithashtu besoj se nëse lutemi vazhdimisht dhe më pas refuzojmë të dëgjojmë dhe të ndjekim udhëzimet, Ai nuk do të jetë aq i gatshëm për të na u përgjigjur në të ardhmen. Tek Doktrina e Besëlidhje 101:7–8 lexojmë:
“Ata ishin të ngadalshëm për t’iu bindur zërit të Zotit, Perëndisë së tyre; si rrjedhim, Zoti, Perëndia i tyre, është i ngadalshëm për t’i dëgjuar lutjet e tyre, për t’iu përgjigjur atyre në ditën e shqetësimit të tyre.
Në ditën e paqes së tyre ata e morën me lehtësi këshillën time; por, në ditën e shqetësimit të tyre, për shkak të nevojës ndihen afër meje.”
Kur marrim përgjigje nga Zoti, ne duhet të shkojmë përpara në besim dhe siguri. Mendoj se nuk e bën Atë të lumtur kur vazhdimisht kërkojmë për një përgjigje tjetër kur tashmë e kemi marrë një. Ne duhet të kujtojmë çfarë ai na ka dhënë dhe të veprojmë sipas saj në besim.
A Ndihem Ndonjëherë Sikur nuk Dua të Lutem?
Tani, nëse do të më falni, unë dua të bëj edhe një pyetje tjetër: A ndiheni ndonjëherë sikur nuk doni të luteni?
Tek 2 Nefi 32:8 lexojmë: “Pasi, në qoftë se ju do të mbanit vesh Shpirtin, i cili i mëson një njeriu të lutet, do të dinit se ju duhet të luteni; pasi shpirti i lig nuk e mëson njeriun të lutet, por e mëson atë që të mos lutet.”
Presidenti Brigam Jang na mësoi:“Nuk ka rëndësi nëse ju dhe unë kemi dëshirë të lutemi ose jo. Kur vjen koha e lutjes, lutuni. Nëse nuk kemi dëshirë, duhet të lutemi derisa të na vijë ajo dëshirë!” (Discourses of Brigham Young, përzgj. nga John A. Widtsoe [1954], fq. 44).
Të dashur vëllezërit e motrat e mia të reja, ju jeni në fillimin e jetëve tuaja. Është një vit i ri shkollor, një kohë për përvoja të reja, marrëdhënie të reja – ndoshta marrëdhënie të përjetshme. Ju po filloni jetën tuaj në shumë mënyra. Keni shumë vendime të rëndësishme përpara jush. Në lidhje me këto vendime, Ati Qiellor pret shumë nga ne. Ai pret që të bëjmë gjithçka që mundemi – të mendojmë, të punojmë e të përpiqemi të tejkalojmë aftësitë tona. Por nëse jemi të gatshëm për ta bërë në mënyrën e Tij, duke e vendosur jetën në duart e Tij, do të jetë shumë më e lehtë. Dhe do ta bëjmë atë siç duhet.
Në “Bible Dictionary” mësojmë: “Qëllimi i lutjes nuk është të ndryshojmë vullnetin e Perëndisë, por të sigurojmë për veten tonë dhe të tjerët bekimet që Perëndia është tashmë i gatshëm për t’i dhënë, por që ne duhet t’i kërkojmë që të mund t’i marrim” (“Prayer”, fq. 753).
Gjithçka që duhet të bëjmë është të kthehemi tek Ai përulësisht dhe t’i kërkojmë – e më pas të dëgjojmë dhe të bindemi. E thënë thjesht, jeta nuk duhet të jetë aq e vështirë sa ne e bëjmë ndonjëherë. Tek 3 Nefi 18:18–20, lexojmë:
“Vini re, në të vërtetë, në të vërtetë, unë ju them juve, ju duhet të mbani sytë hapur dhe të luteni gjithnjë, që të mos bini në tundim; pasi Satani dëshiron t’ju ketë ju, që t’ju kalojë në shoshë, sikurse grurin.
Prandaj, ju duhet t’i luteni gjithmonë Atit në emrin tim.
Dhe çdo gjë që ju do t’i kërkoni Atit në emrin tim, që është e drejtë, duke besuar se do ta merrni, vini re, ajo do t’ju jepet.”
Le të ndjekim shembullin e Nefit. Le të drejtohemi tek Ati ynë në Qiell në lutje të përulur. Le të marrim bekimet e pathëna që Ai ka ruajtur për ne dhe familjet tona.
Unë e di që Perëndia jeton! Jezu Krishti jeton! Ata e njohin secilin prej nesh. Ata e duan secilin prej nesh. Ata presin për ne. Qofshim të shpejtë në përgjigjen tonë duke u kthyer tek Ata në lutje të përulur. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.
© 2007 nga Intellectual Reserve, Inc. Të gjitha të drejtat rezervohen. Miratimi në anglisht: 6/06. Miratimi për përkthim: 6/06. 02156 101