Seksioni 71
1–4, Joseph Smith-i dhe Sidney Rigdon-i dërgohen për të shpallur ungjillin; 5–11, Armiqtë e Shenjtorëve do të ngatërrohen.
1 VINI re, kështu ju thotë Zoti juve, shërbëtorëve të mi Joseph Smith i Riu dhe Sidney Rigdon, se koha me të vërtetë ka ardhur që është e nevojshme dhe e domosdoshme për mua që ju duhet t’i hapni gojët tuaja në shpalljen e ungjillit tim, të gjërave të mbretërisë, duke i shpjeguar misteret e saj nga shkrimet e shenjta, sipas asaj pjese të Shpirtit dhe të fuqisë që do t’ju jepet, madje siç dëshiroj unë.
2 Në të vërtetë unë ju them, shpallini botës në krahinat përreth dhe në kishë gjithashtu, për hapësirën e një stine, madje derisa t’ju bëhet e ditur juve.
3 Në të vërtetë ky është një mision për një stinë, të cilin unë jua jap.
4 Prandaj, punoni në vreshtin tim. U bëni thirrje banorëve të tokës dhe jepni dëshmi e përgatisni udhën për urdhërimet dhe zbulesat që do të vijnë.
5 Tani, vini re, kjo është urtësi; kushdo që lexon, duhet të kuptojë dhe të pranojë gjithashtu;
6 Sepse atij që pranon, do t’i jepet më me bollëk, madje fuqi.
7 Prandaj, ngatërrojini armiqtë tuaj; u bëni thirrje që të takohen me ju, si në publik, edhe në fshehtësi; dhe për aq sa jeni besnikë, turpi i tyre do të bëhet i dukshëm.
8 Prandaj, le të sjellin ata arsyet e tyre të forta kundër Zotit.
9 Në të vërtetë, kështu ju thotë Zoti—nuk ka asnjë armë që formohet kundër jush, që do të përparojë;
10 Dhe nëse dikush ngre zërin e tij kundër jush, ai do të ngatërrohet në kohën time.
11 Prandaj, i mbani urdhërimet e mia; ato janë të vërteta dhe besnike. Madje kështu. Amen.

