Kapitulli 3

(Qershor–tetor 1830)

Perëndia i krijoi të gjitha gjërat shpirtërisht përpara se ato të ishin në mënyrë të natyrshme mbi tokë—Ai e krijoi njeriun, mishin e parë, mbi tokë—Gruaja është një ndihmëse e përshtatshme për burrin.

  Kështu qielli dhe toka përfunduan dhe tërë ushtria e tyre.

  Dhe në ditën e shtatë unë, Perëndia, e përfundova veprën time dhe të gjitha gjërat që i kisha bërë; dhe u çlodha në ditën e shtatë nga gjithë vepra ime dhe të gjitha gjërat që kisha bërë, u mbaruan dhe unë, Perëndia, pashë se ato ishin të mira;

  Dhe unë, Perëndia, e bekova ditën e shtatë dhe e shenjtërova atë; ngaqë në të isha çlodhur nga gjithë vepra ime të cilën unë, Perëndia, e kisha krijuar dhe bërë.

  Dhe tani, vini re, unë të them se këto janë brezat e qiellit dhe të tokës, kur ata u krijuan, në ditën që unë, Zoti Perëndi, bëra qiellin dhe tokën,

  Dhe çdo bimë të fushës përpara se të ishte në tokë, dhe çdo barishte të fushës përpara se të rritej. Sepse unë, Zoti Perëndi, i krijova të gjitha gjërat, për të cilat kam folur, shpirtërisht, përpara se ato të ishin në mënyrë të natyrshme mbi faqen e tokës. Sepse unë, Zoti Perëndi, nuk kisha bërë të binte shi mbi faqen e tokës. Dhe unë, Zoti Perëndi, i kisha krijuar të gjithë fëmijët e njerëzve; dhe ende jo një njeri që të lëronte tokën; sepse në qiell i krijova ata dhe nuk kishte ende mish mbi tokë, as në ujë, as në ajër;

  Por unë, Zoti Perëndi, fola dhe u ngrit avull nga toka dhe ujiti tërë faqen e tokës.

  Dhe unë, Zoti Perëndi, formova burrin nga pluhuri i tokës dhe i fryva në vrimat e hundës frymën e jetës; dhe burri u bë një qenie e gjallë, mishi i parë mbi tokë, njeriu i parë gjithashtu; megjithatë, të gjitha gjërat u krijuan më përpara; por shpirtërisht u krijuan dhe u bënë ato sipas fjalës sime.

  Dhe unë, Zoti Perëndi, mbolla një kopsht në lindje të Edenit dhe atje vendosa njeriun që kisha formuar.

  Dhe nga toka bëra unë, Zoti Perëndi, të rritej çdo pemë, në mënyrë të natyrshme, që është e këndshme për shikimin e njeriut; dhe njeriu mund ta shihte atë. Dhe ajo u bë gjithashtu një shpirt i gjallë. Sepse ishte shpirtërore në ditën që unë e krijova; sepse mbetet në sferën që unë, Perëndia, e krijova, po, madje të gjitha gjërat që i përgatita për përdorimin e njeriut; dhe njeriu e pa se ishte e mirë për ushqim. Dhe unë, Zoti Perëndi, mbolla gjithashtu pemën e jetës në mes të kopshtit dhe gjithashtu pemën e njohjes të së mirës dhe të së keqes.

  10 Dhe unë, Zoti Perëndi, bëra një lumë të dalë nga Edeni për ta ujitur kopshtin; dhe nga ai u nis dhe u nda në katër degë.

  11 Dhe unë, Zoti Perëndi, e quajta të parin Pishon, dhe ai e rrethoi tërë tokën e Havilahut, ku unë, Zoti Perëndi, krijova shumë flori;

  12 Dhe floriri i atij vendi ishte i mirë dhe kishte bdel e gurë të oniksit.

  13 Dhe emri i lumit të dytë u quajt Gihon; po ai që rrethon tërë tokën e Etiopisë.

  14 Dhe emri i lumit të tretë ishte Hidekeli; ai që rrjedh drejt lindjes së Asirisë. Dhe lumi i katërt ishte Eufrati.

  15 Dhe unë, Zoti Perëndi, e mora njeriun dhe e vendosa në kopshtin e Edenit, për ta veshur dhe për ta ruajtur atë.

  16 Dhe unë, Zoti Perëndi, e urdhërova njeriun: Nga çdo pemë e këtij kopshti ti mund të hash lirisht,

  17 Por nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes, ti nuk do të hash prej saj, megjithatë, ti mund të zgjedhësh vetë, sepse të është dhënë ty; por, kujto që unë ta ndaloj atë, sepse në ditën që do të hash prej saj, ti me siguri do të vdesësh.

  18 Dhe unë, Zoti Perëndi, i thashë të Vetëmlindurit tim, se nuk ishte mirë që njeriu të ishte i vetëm; si rrjedhim, unë do të bëj një ndihmës të përshtatshëm për të.

  19 Dhe nga dheu unë, Zoti Perëndi, formova çdo egërsirë të fushës dhe çdo shpend të ajrit; dhe urdhërova që ata të vinin tek Adami, për të parë se si do t'i quante ata; dhe ata ishin gjithashtu shpirtra të gjallë; sepse unë, Zoti Perëndi, fryva në ta frymën e jetës dhe urdhërova që, sidoqë Adami ta quante çdo krijesë të gjallë, ai do të ishte emri i saj.

  20 Dhe Adami u vuri emra tërë bagëtisë dhe shpendëve të ajrit, dhe çdo krijese të fushës; por sa për Adamin, nuk u gjend një ndihmë e përshtatshme për të.

  21 Dhe unë, Zoti Perëndi, bëra që një gjumë i thellë të binte mbi Adamin; dhe ai fjeti dhe unë mora një nga brinjët e tij dhe e mbylla mishin në vendin e saj;

  22 Dhe brinjën që unë, Zoti Perëndi, ia kisha hequr njeriut, e bëra një grua dhe ia solla njeriut.

  23 Dhe Adami tha: Këtë tani e di që është kockë e kockave të mia dhe mish i mishit tim; ajo do të quhet Grua, sepse u nxor nga burri.

  24 Prandaj do të lërë një burrë babanë dhe nënën e tij dhe do të kapet pas gruas së tij; dhe ata do të jenë një mish.

  25 Dhe ata që të dy ishin lakuriq, burri dhe gruaja e tij, dhe nuk kishin turp.