Shkrimet e Shenjta
Doktrina e Besëlidhje 58


Seksioni 58

Zbulesë dhënë nëpërmjet Joseph Smith Profetit, në Sion, konteja e Jackson-it, Missouri, më 1 gusht 1831 (History of the Church, 1:190–195). Në Shabatin e parë pas arritjes së Profetit dhe grupit të tij në kontenë e Jackson-it, Missouri, një shërbesë fetare u mbajt dhe dy anëtarë u pranuan me anë të pagëzimit. Gjatë asaj jave, disa nga Shenjtorët e Colesville-t nga dega e Thompson-it dhe të tjerë arritën (shih seksionin 54). Shumë vetë ishin të zellshëm të mësonin vullnetin e Zotit lidhur me ta në vendin e ri të mbledhjes.

1–5, Ata që durojnë mundimin, do të kurorëzohen me lavdi; 6–12, Shenjtorët duhet të përgatiten për martesën e Qengjit dhe darkën e Zotit; 13–18, Peshkopët janë gjykatës në Izrael; 19–23, Shenjtorët duhet t’u binden ligjeve të tokës; 24–29, Njerëzit duhet ta përdorin zgjedhjen e tyre të lirë për të bërë mirë; 30–33, Zoti urdhëron dhe anulon; 34–43, Që të pendohen, njerëzit duhet t’i rrëfejnë dhe t’i braktisin mëkatet e tyre; 44–58, Shenjtorët duhet ta blejnë trashëgimin e tyre dhe të mblidhen në Missouri; 59–65, Ungjilli duhet t’i predikohet çdo krijese.

1 Dëgjoni, O ju pleq të kishës sime, dhe i vini veshin fjalës sime, dhe mësoni prej meje atë që unë dëshiroj lidhur me ju dhe gjithashtu lidhur me këtë tokë në të cilën unë ju kam dërguar.

2 Sepse, në të vërtetë, unë ju them, bekuar është ai që zbaton urdhërimet e mia, qoftë në jetë ose në vdekje; dhe ai që është besnikmundime, shpërblimi i po atij është më i madh në mbretërinë e qiellit.

3 Ju nuk mund të shihni me sytë tuaj natyrorë, në këtë kohë, planin e Perëndisë tuaj lidhur me ato gjëra që do të vijnë më pas dhe me lavdinë që do të pasojë pas shumë mundimesh.

4 Sepse pas shumë mundimesh vijnë bekimet. Si rrjedhim dita vjen që ju do të kurorëzoheni me shumë lavdi; ora nuk është akoma, por është fare pranë.

5 Kujtojeni këtë që jua them më përpara, që të mund ta vini në zemër dhe ta pranoni atë që do të pasojë.

6 Vini re, në të vërtetë unë ju them, për këtë arsye ju kam dërguar—që ju të jeni të bindur dhe që zemrat tuaja të mund të përgatiten për të dhënë dëshmi për gjërat që do të vijnë;

7 Dhe gjithashtu që ju të mund të nderoheni në ngritjen e themelit dhe në dhënien e dëshmisë për tokën mbi të cilën Sioni i Perëndisë do të vendoset;

8 Dhe gjithashtu që një banket me gjëra të shijshme të mund të përgatitet për të varfërit; po, një banket me gjëra të shijshme, me verëra të vjetëruara, që toka të mund të dijë që gojët e profetëve nuk do të dështojnë;

9 Po, një darkë e shtëpisë së Zotit, e përgatitur mirë, në të cilën gjithë kombet do të ftohen.

10 Së pari, të pasurit e të mësuarit, të mençurit e fisnikët;

11 Dhe pas saj vjen dita e fuqisë sime; atëherë të varfërit, sakatët dhe të verbërit e të shurdhët do të vijnë në martesën e Qengjit dhe do të marrin nga darka e Zotit, e përgatitur për ditën e madhe që do të vijë.

12 Vini re, unë, Zoti, e kam thënë atë.

13 Dhe që dëshmia mund të shkojë nga Sioni, po, nga goja e qytetit të trashëgimisë së Perëndisë—

14 Po, për këtë shkak ju kam dërguar juve këtu dhe kam zgjedhur shërbëtorin tim Edward Partridge dhe i kam caktuar atij misionin e tij në këtë vend.

15 Por, nëse nuk pendohet për mëkatet e tij, të cilat janë mosbesimi dhe verbëria e zemrës, ai duhet të bëjë kujdes që të mos bjerë.

16 Vini re, misioni i tij i është dhënë dhe nuk do t’i jepet përsëri.

17 Dhe kushdo që vepron në këtë mision, caktohet të jetë një gjykatës në Izrael, siç ishte në ditët e lashta, për t’i ndarë tokat e trashëgimisë së Perëndisë mes fëmijëve të tij;

18 Dhe për ta gjykuar popullin e tij me anë të dëshmisë së të drejtëve dhe me anë të ndihmës së këshilltarëve të tij, në përputhje me ligjet e mbretërisë që jepen nëpërmjet profetëve të Perëndisë.

19 Sepse, në të vërtetë, unë ju them, ligji im duhet të ruhet në këtë vend.

20 Askush të mos mendojë se është sundues; por Perëndia duhet ta sundojë atë që gjykon, sipas këshillës së vetë vullnetit të tij, ose me fjalë të tjera, të atij që këshillon ose ulet mbi fronin e gjykimit.

21 Askush të mos shkelë ligjet e vendit, sepse ai që zbaton ligjet e Perëndisë, nuk ka nevojë të shkelë ligjet e vendit.

22 Si rrjedhim, nënshtrojuni fuqive që janë, derisa të mbretërojë ai, e drejta e të cilit është të mbretërojë, dhe t’i nënshtrojë gjithë armiqtë nën këmbët e tij.

23 Vini re, ligjet që i keni marrë nga dora ime, janë ligjet e kishës dhe në këtë dritë ju duhet t’i mbani ato. Vini re, këtu është urtësi.

24 Dhe tani, siç thashë lidhur me shërbëtorin tim Edward Partridge, ky vend është vendi i banimit të tij dhe të atyre që ai i ka caktuar për këshilltarë të tij; dhe gjithashtu vendi i banimit të atij që e kam caktuar të ruajë shtëpinë time të ruajtjes;

25 Si rrjedhim, ata duhet t’i sjellin familjet e tyre në këtë vend, siç do të këshillohen mes tyre dhe meje.

26 Sepse vini re, nuk është e përshtatshme që unë duhet të urdhëroj për gjithçka; sepse ai që detyrohet në gjithçka, po ai është një shërbëtor i ngathët dhe jo i mençur; si rrjedhim ai nuk merr shpërblim.

27 Në të vërtetë unë them, njerëzit duhet të përfshihen me zell në një kauzë të mirë dhe të bëjnë shumë gjëra me vullnetin e tyre të lirë e të shkaktojnë shumë drejtësi;

28 Sepse është në ta fuqia, me anë të së cilës ata janë veprues për veten. Dhe për aq sa njerëzit të bëjnë mirë, ata në asnjë mënyrë s’do ta humbasin shpërblimin e tyre.

29 Por ai që nuk bën asgjë derisa të urdhërohet dhe e merr një urdhërim me zemër dyshuese dhe e zbaton atë me ngathtësi, po ai mallkohet.

30 Kush jam unë që bëra njeriun, thotë Zoti, që do ta quaj të pafajshëm atë që nuk u bindet urdhërimeve të mia?

31 Kush jam unë, thotë Zoti, që kam premtuar dhe nuk e kam plotësuar?

32 Unë urdhëroj dhe njerëzit nuk binden; unë anuloj dhe ata nuk e marrin bekimin.

33 Atëherë ata thonë në zemrat e tyre: Kjo nuk është puna e Zotit, sepse premtimet e tij nuk plotësohen. Por mjerë të tillët, sepse shpërblimi i tyre fshihet poshtë dhe jo nga lart.

34 Dhe tani unë ju jap udhëzime të mëtejshme lidhur me këtë vend.

35 Është urtësi në mua që shërbëtori im Martin Harris duhet të jetë shembull për kishën, në vënien e parave të tij përpara peshkopit të kishës.

36 Dhe gjithashtu, ky është ligj për këdo që vjen në këtë tokë për të marrë një trashëgim; dhe ai duhet të bëjë me paratë e tij ashtu si udhëzon ligji.

37 Dhe është urtësi gjithashtu që duhet të blihen toka në Independence, për vendin e shtëpisë së ruajtjes dhe gjithashtu për shtëpinë e shtypit.

38 Dhe udhëzime të tjera lidhur me shërbëtorin tim Martin Harris duhet t’i jepen atij nëpërmjet Shpirtit, që ai të mund të marrë trashëgimin e tij, siç i duket atij mirë;

39 Dhe ai duhet të pendohet për mëkatet e tij, sepse kërkon lavdërimin e botës.

40 Dhe gjithashtu shërbëtori im William W. Phelps duhet të qëndrojë në detyrën që i kam caktuar dhe të marrë trashëgimin e tij në tokë;

41 Dhe gjithashtu ai ka nevojë të pendohet, sepse unë, Zoti, nuk jam mjaft i kënaqur me të, sepse ai kërkon të duket dhe nuk është aq sa duhet i përulur përpara meje.

42 Vini re, ai që është penduar për mëkatet e tij, po ai falet dhe unë, Zoti, nuk i kujtoj më ato.

43 Në këtë mënyrë ju mund të dini nëse një njeri pendohet për mëkatet e tij—vini re, ai do t’i rrëfejë ato e do t’i braktisë ato.

44 Dhe tani, në të vërtetë, unë them lidhur me pjesën e mbetur të pleqve të kishës sime, koha nuk ka ardhur ende, për shumë vite, që ata të marrin trashëgimin e tyre në këtë vend, veç nëse ata e dëshirojnë atë përmes lutjes së besimit, vetëm siç do t’u caktohet atyre nga Zoti.

45 Sepse, vini re, ata do t’i grumbullojnë njerëzit së bashku nga fundet e dheut.

46 Si rrjedhim, mblidhuni ju së bashku; dhe ata që nuk caktohen për të qëndruar në këtë vend, duhet të predikojnë ungjillin në krahinat përreth; dhe pas asaj ata duhet të kthehen në shtëpitë e tyre.

47 Ata duhet të predikojnë gjatë udhës e të japin dëshmi për të vërtetën në të gjitha vendet dhe t’u bëjnë thirrje të pasurve, shtresave të larta e të ulta, dhe të varfërve të pendohen.

48 Dhe ata duhet të ndërtojnë kisha, për aq sa banorët e tokës do të pendohen.

49 Dhe duhet të ketë një përfaqësues të caktuar nga zëri i kishës, për kishën në Ohio, që të marrë para për të blerë toka në Sion.

50 Dhe unë i jap shërbëtorit tim Sidney Rigdon një urdhërim, që ai duhet të shkruajë një përshkrim të tokës së Sionit dhe një thënie të vullnetit të Perëndisë, siç do t’i bëhet e ditur atij nëpërmjet Shpirtit;

51 Dhe një letër e një dokument, t’i paraqitet gjithë kishave për të marrë paratë, që të vihen në duart e peshkopit, të atij vetë ose të përfaqësuesit, siç i duket mirë atij ose siç do të drejtojë ai, për të blerë toka për një trashëgim për fëmijët e Perëndisë.

52 Sepse, vini re, në të vërtetë unë ju them, Zoti dëshiron që dishepujt dhe fëmijët e njerëzve duhet t’i hapin zemrat e tyre, madje për të blerë tërë këtë krahinë të vendit, sapo koha do ta lejojë.

53 Vini re, këtu është urtësi. Ata duhet ta bëjnë këtë, përndryshe nuk marrin asnjë trashëgim, përveçse me anë të derdhjes së gjakut.

54 Dhe përsëri, për aq sa fitohet tokë, duhet të dërgohen punëtorë të gjithë llojeve në këtë vend, për të punuar për shenjtorët e Perëndisë.

55 Gjithë këto gjëra duhet të bëhen me rregull; dhe privilegjet e vendeve duhet të bëhen të njohura kohë pas kohe, nga peshkopi ose përfaqësuesi i kishës.

56 Dhe puna e mbledhjes nuk duhet të jetë me nxitim, as me turr; por le të bëhet siç do të këshillohet nga pleqtë e kishës në konferenca, në përputhje me dijen që ata marrin kohë pas kohe.

57 Dhe shërbëtori im Sidney Rigdon duhet t’ia përkushtojë e dedikojë këtë tokë dhe vendin për tempullin, Zotit.

58 Dhe duhet të thirret një mbledhje konference; dhe pas asaj shërbëtorët e mi Sidney Rigdon dhe Joseph Smith i Riu duhet të kthehen, dhe gjithashtu Oliver Cowdery me ta, për të kryer pjesën e mbetur të veprës që ua kam caktuar atyre në vetë vendin e tyre, dhe pjesën e mbetur, siç do të drejtohet nga konferencat.

59 Dhe askush nuk duhet të kthehet nga ky vend, në qoftë se ai nuk jep dëshmi gjatë udhës, për atë që ai e di dhe e beson në mënyrën më të sigurt.

60 Duhet që ajo që i është dhënë Ziba Peterson-it, të merret prej tij; dhe ai duhet të qëndrojë si anëtar në kishë e të punojë me duart e tij, me vëllezërit e tij, derisa të ndëshkohet mjaftueshëm për gjithë mëkatet e tij; sepse ai nuk i rrëfen dhe mendon t’i fshehë ato.

61 Pjesa e mbetur e pleqve të kësaj kishe, që po vijnë në këtë tokë, disa prej të cilëve janë bekuar jashtëzakonisht, jashtë çdo mase, gjithashtu duhet të mbajnë një konferencë në këtë vend.

62 Dhe shërbëtori im Edward Partridge duhet të drejtojë konferencën që do të mbahet prej tyre.

63 Dhe ata duhet gjithashtu të kthehen, duke predikuar ungjillin gjatë udhës, duke dhënë dëshmi për gjërat që iu zbulohen atyre.

64 Sepse, në të vërtetë, tingulli duhet të shkojë nga ky vend në të gjithë botën dhe në skajet më të largëta të tokës—ungjilli duhet t’i predikohet çdo krijese, me shenja që i ndjekin ata që besojnë.

65 Dhe vini re, Biri i Njeriut vjen. Amen.