Qëndroni në Korijen e Shenjtë

Plaku Marlin K. Xhensen

i të Shtatëdhjetëve

Takim Shpirtëror i SAK-ut për Të Rinjtë Në Moshë Madhore • 6 Maj  2012 • Sakramento, Kaliforni


 
Plaku Marlin K. Xhensen

Mirëmëmbrëma vëllezër e motra. Ndihem shumë mirënjohës, por njëkohësisht shumë i përulur që më është dhënë kjo detyrë e veçantë nga Presidenca e Parë për t’ju folur juve sonte. Si fillim, dëshiroj që të dini se dikur isha pa rrudha, pa thinja dhe plot jetë si ju - një pjesë e atyre që shkrimet e shenjta i quajnë “brezat në rritje”. Nuk jam i sigurt se cili është antonimi apo cila është e kundërta e fjalës “në rritje” është ndoshta - “në dobësim” apo “në rënie” - por cilidoqoftë ai, e përshkruan fazën e jetës në të cilën unë jam tani dhe nuk më tingëllon shumë premtuese!

Megjithëse po ju flas nga një godinë kishtare e mrekullueshme pranë Tempullit të Sakramentos në Kaliforni, unë mund të përfytyroj dhjetëra mijëra prej jush - që flisni afro 40 gjuhë të ndryshme - që jeni grumbulluar anembanë botës. Jam bekuar që të vizitoj shumë prej vendeve tuaja, t’ju dëgjoj të flisni dhe të jepni dëshmi në gjuhët tuaja mëmë dhe të dëshmoj drejtpërdrejt besimin dhe përkushtimin tuaj ndaj Zotit. Ju dua dhe ju përgëzoj për drejtësinë tuaj. E di se jeta në moshën tuaj mund të jetë sfiduese dhe e di se ndonjëherë ne gabojmë dhe kemi nevojë të pendohemi. Por unë sinqerisht, ju falënderoj që kërkoni të qëndroni të vendosur në besimin tuaj në Krisht dhe në ungjillin e tij të rivendosur. Dëshira ime më e madhe sonte është që unë të mund të bekohem për të folur me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë dhe të kontribuoj në këtë mënyrë në rritjen e besimit tuaj.

Vende te Shenjta

Ka vende mbi tokë që janë bërë të shenjta nga ajo që ka ndodhur aty. Sipas Dhiatës së Vjetër, një nga këto vende është Sinai, Horebi ose “mali i Perëndisë”, (Eksodi 3:1; shih edhe Eksodi 12; 34:2), ku Zoti iu shfaq Moisiut te shkurrja flakëruese. Ndërsa Moisiu iu afrua shkurres, Zoti i tha: “Mos u afro këtu: hiq sandalet nga këmbët, sepse vendi në të cilin ndodhesh është vend i shenjtë”. (Eksodi 3:5).

Familja ime dhe unë qemë të bekuar dikur për të jetuar në një vend të shenjtë. Në vitin 1993 - katër vjet pas thirrjes sime tek të Shtatëdhjetët - neve na u kërkua që të shërbenim për dy vjet në Misionin e Kishës në Nju Jork, Roçester. Ai mision përfshin qytezën e Palmiras (ku Jozef Smithi dhe familja e tij jetuan gjatë një pjese të madhe të viteve 1820) dhe të Fajetit (ku Kisha u organizua në prill të 1830-s). Rreth 177 kilometra në jug të Palmiras në shtetin e Pensilvanisë, është vendi Harmoni (ku Jozef Smithi u takua me Ema Hejlin dhe ku ata jetuan si një çift i sapomartuar ndërkohë që shumë prej Librit të Mormonit u përkthye në fund të viteve 1820). Kjo zonë e përgjithshme njihet si “Djepi i Rivendosjes” pasi këtu është vendi ku lindi Kisha. Është një vend piktoresk plot me kodrina të pyllëzuara, liqene e përrenj të kthjellët dhe njerëz miqësorë e energjikë. Është gjithashtu një vend i bërë i shenjtë nga ajo që ndodhi atje.

Korija e Shenjtë

Në një korije me ahe, lisa, panja e pemë të tjera të larta, rreth 0,4 kilometra në perëndim të shtëpisë së familjes së Jozef dhe Lusi Smithit pranë Palmiras, katërmbëdhjetë vjeçari Jozef Smith pa në vegim Perëndinë, Atin dhe Birin e Tij, Jezu Krishtin, në pranverën e vitit 1820. Kjo shfaqje hyjnore, në përgjigje të lutjes së Jozefit për të ditur të vërtetën lidhur me fenë dhe se si mund të merrte një heqje të mëkateve të tij, filloi rivendosja e ungjillit në këtë periudhë të fundit ungjillore. Kjo e bëri gjithashtu atë korije pemësh një vend të nderuar në historinë e Kishës sonë - një vend që ne e nderojmë me emrin: “Korija e Shenjtë”.

Ndërsa shërbeja si president misioni, familja ime dhe une arritëm ta pëlqenim shumë atë korije pemësh dhe ta ndienim shenjtërinë e saj. Ne shkonim shpesh atje. Çdo muaj kur vinin misionarë të rinj dhe kur ata që i përfundonin misionet e tyre largoheshin, ne i çonim ata atje. E kishim zakon të mblidheshim në hyrje të korijes dhe pasi këndonim himnin e sotëm të hapjes - “Lutja e Parë e Jozef Smithit” 1- ne i ftonim eldrat dhe motrat që të shpërndaheshin dhe të gjenin një vend të veçuar në korije kur ata të mund të bisedonin me Perëndinë në lutje dhe t’i bënin Atij një raportim mbi zotimet e tyre vetjake. Këto vizita në Korijen e Shenjtë qenë dhe mbeten përvoja të çmuara për të gjithë ata që u bekuan për t’i pasur ato.

Sidoqoftë, e kuptoj se vetëm një numër i vogël prej jush do të jetë në gjendje ta vizitojë personalisht Korijen e Shenjtë. Për këtë arsye, në këtë pranverë të vitit 2012 - 192 vite pas Vegimit të Parë të Jozef Smithit - dëshiroj që ju të vini me mua në Korijen e Shenjtë në mënyrë virtuale. Qëndroni atje me mua, ndërkohë që unë ju tregoj disa nga tablotë pamore të korijes, arsyet e dashurisë sime për atë vend të shenjtë dhe mësimet e vlefshme të jetës që dikush mund të mësojë atje.

I jam borxhli Vëllait Robert Perët, një rojtari pylli dhe natyralisti të punësuar nga Kisha, që jeton në Palmira, që ma tërhoqi vëmendjen për tek disa nga mendimet rreth Korijes së Shenjtë që do t’ju tregoj. Megjithëse nuk është ende një anëtar i besimit tonë, Vëllai Perët ndien nderim për Korijen e Shenjtë dhe përkujdeset për të në mënyrë të dashur dhe shumë profesionale.

Shëmbëlltyra të Shkrimeve të Shenjta ku Përfshihen Pemët

Ndërsa kam ecur me nderim përgjatë Korijes së Shenjtë apo jam ulur i menduar mbi stolat që gjenden atje, kam reflektuar shpesh mbi bollëkun e shëmbëlltyrave të shkrimeve të shenjta ku përfshihen pemët, degët, rrënjët, farat, frutat dhe pyjet. Adami dhe Eva, prindërit tanë të parë, e morën mësimin e parë padyshim, nga ndalimi për të marrë fruta nga një pemë. Profeti Jakob, duke cituar Zenosin në Librin e Mormonit, tregon një alegori apo një histori të ndërlikuar për pemë të buta e të egra të ullirit, ndërsa jep mësim për shpërndarjen dhe mbledhjen e Izraelit (shih Jakobi 5). Dhe kush mes nesh, nuk ka lexuar, rilexuar dhe medituar plot lutje për farën e besimit të cilën Alma na fton ta mbjellim që, me përkujdesje të durueshme dhe ushqimin e duhur, bëhet një “pemë që do të rritet, deri në jetën e përjetshme” (Alma 32:41; shih vargjet 27–43).

Kështu është edhe me Korijen e Shenjtë. Një vëzhgues i kujdesshëm i natyrës - veçanërisht kur shoqërohet nga një natyralist me aftësinë e Vëllait Robert Perët - mund të mësojë disa mësime të rëndësishme nga ekosistemi që ekziston atje. Unë dëshiroj të ndaj me ju katër nga ato mësime sonte:

Mësime për Jetën nga Korija e Shenjtë

Mësimi nr. 1: Pemët rriten përherë në drejtim të dritës.

Një dukuri interesante për t’u vëzhguar në Korijen e Shenjtë është rritja e pemëve në skaj të pyllit të hershëm si dhe përvijimi i shumë prej shtigjeve të brendshme nga ana e tyre. Ato janë rritur me drejtim për nga jashtë - për t’i shpëtuar gjethnajës sipër tyre që u mbulon diellin - dhe më pas me drejtim për lart për të thithur sa më shumë dritë diellore që të jetë e mundur. Trungjet dhe degët e tyre të lakuar janë në mospërputhje të plotë me pemët fqinje që rriten të drejta në mënyrë pothuajse të përsosur. Pemët, njësoj si pothuaj të gjithë organizmat e gjallë, kanë nevojë për dritë që të mbijetojnë dhe të lulëzojnë. Ato do të bëjnë gjithçka që është në fuqinë e tyre për të thithur sa më shumë dritë dielli që të jetë e mundur për të nxitur fotosintezën - procesin e kthimit të energjisë së dritës në energji kimike ose “lëndën djegëse” që përdoret nga pothuajse të gjithë organizmat e gjallë.

Jam i sigurt se mendjet tuaj të reja e të ndritura e dinë tashmë se ku po na çon kjo metaforë nga Korija e Shenjtë! “Drita” është një katalizator më i rëndësishëm në mbretërinë shpirtërore se sa është në natyrë. Kjo është kështu, pasi drita është thelbësore për rritjen tonë shpirtërore dhe për të kuptuarit e potencialit tonë të plotë si bij e bija të Perëndisë.

“Errësira” është e kundërta e dritës dhe përfaqëson forcat në botë që kërkojnë të na ndajnë nga Perëndia dhe ta pengojnë planin e Tij hyjnor për jetën tonë. Zakonisht, është pasi errësohet ose në vende të errëta që forcat e së keqes ushtrojnë ndikimin e tyre më të madh. Në fazën tuaj të jetës, thyerje të ligjit të dëlirësisë, veprime si vjedhja, kumari, shkeljet e Fjalës së Urtësisë dhe sjellje të tjera të ndaluara nga Ati ynë Qiellor, kryhen zakonisht nën mbulesën e errësirës. Madje edhe kur zgjedhim të veprojmë gabim në mes të ditës - për shembull, duke mashtruar në një provim, duke shkelur të drejtat e autorit në shkrimin e një detyre, duke bërë thashetheme keqdashëse për dikë, duke përdorur blasfemi apo duke gënjyer - ne nuk mund ta shmangim të pasurin e ndjesive të errësirës.

Fatmirësisht, Shpirti i Krishtit “i jep dritë çdo njeriu që vjen në botë; dhe Shpirti ndriçon çdo njeri në botë, që i bindet zërit të Shpirtit.

“Dhe kushdo që i bindet zërit të Shpirtit, vjen te Perëndia, madje Ati” (DeB 84:46–47).

Ky fragment nga Doktrina e Besëlidhje e përshkruan bukur drejtimin për lart të njeriut, instiktin natyral shpirtëror të dhënë nga Perëndia që e kemi të gjithë - nëse nuk e ndrydhim atë - për të shkruar drejt dritës dhe nëpërmjet bërjes së kësaj, për të shkuar drejt Perëndisë dhe Birit të Tij dhe për t’u bërë më shumë si Ata. Për veten, Krishti tha: “Unë jam drita e botës: kush më ndjek nuk do të ecë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës” (Gjoni 8:12).

Në të kuptuarin e shkrimit të shenjtë, ju mund të mësoni shumë rreth një fjale nga fjalët e tjera që ka pranë. Në studimin tuaj të shkrimeve të shenjta, vini re sa shpesh gjenden fjalët dritë, Shpirt, e vërtetë dhe Jezu Krishti në prani të ngushtë me njëra-tjetrën. Ato janë pothuajse sinonimike dhe na tërheqin të gjithëve sipër te një mënyrë më e lartë dhe më e shenjtë jetese.

Me gjithë zemër, ju nxis që ta shmangni errësirën e mëkatit në të gjitha format e tij të ulëta dhe ta mbushni jetën tuaj me Shpirtin, të vërtetën dhe dritën e Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit. Ju mund ta bëni këtë duke u shoqëruar me miq fisnikë, nëpërmjet muzikës dhe artit frymëzues, diturisë prej librave më të mirë (veçanërisht shkrimeve të shenjta), çasteve të lutjeve të sinqerta, kohëve të qeta në natyrë, bisedave të shëndetshme dhe nëpërmjet një jete të përqendruar tek Krishti dhe mësimeve të tij për dashurinë dhe shërbimin. Kujtoni gjithmonë dhe veçanërisht gjatë kërkimit të një partneri të përjetshëm, shpalljen e Zoti se “e vërteta përqafon të vërtetën, virtyti e dashuron virtytin; drita kapet pas dritës” (DeB 88:40). Ky parim - i mirësisë që tërhiqet nga mirësia - siguron shpresën se nëse ne jetojmë një jetë në dritën e ungjillit, ne do të gjejmë përfundimisht një partner që do të jetë duke ecur një vijë paralele drejtësie me ne. E di se sa më shumë orvatemi ta mbushim jetën tonë vetjake me dritë, më pak vend ka për errësirë dhe më pranë do të arrijmë të jemi përfundimisht me bërjen si Krishti, drita e botës.

Për shkak të bekimit të veçantë për t’ju folur juve të rinj të jashtëzakonshëm shenjtorë të ditëve të mëvonshem, që sonte është i imi, unë dëshiroj të ngre një zë paralajmërimi, por edhe një zë inkurajimi dhe shprese lidhur me errësirën që do t’ua zaptojë jetën në mënyrë të pashmangshme nëse ju përfshiheni në pornografi. Përdorimi i materialeve pornografike në çfarëdo lloj mënyre e fyen Perëndinë dhe e shkel urdhërimin e Tij që ne të mos kryejmë shkelje kurore “as mos bëj[më] diçka të ngjashme” (DeB 59:6). Përdorimi i pornografisë pothuajse gjithmonë çon në shkelje të mëtejshme të ligjit të dëlirësisë. Ekspozimi i përsëritur ndaj materialeve pornografike dhe pjesëmarrja në forma të shkeljes seksuale që zakonisht i ndjekin ato, mund të krijojnë një varësi e cila duhet përballuar dhe trajtuar me të njëjtin kujdes që u jepet varësive nga alkooli dhe drogave.

Nëse pornografia e ka pllakosur tashmë jetën tuaj dhe është një problem ngulmues dhe i përsëritur, ju lutem të kërkoni si ndihmë kishtare ashtu edhe profesionale. Ju lutem ta dini se varësia nga pornografia nuk është thjesht “një problem i vogël” që ju mund ta mposhtni në fshehtësi me lutje, studim të shkrimeve të shenjta dhe vetëkontroll më të madh.

Për shkak se një varësi ndaj pornografisë mund ta pakësojë fuqinë tuaj për të zgjedhur të mirën mbi të keqen, ju do të keni nevojë për urtësi dhe përulësi për të përqafuar Shlyerjen e Jezu Krishtit dhe të bekoheni nga fuqia shëruese e Shlyerjes. Domethënia e kësaj në terma praktikë, është se nëse ushtroni përpjekjet tuaja më të mira vetjake - që përfshijnë kalimin përgjatë procesit të pendimit me ndihmën e peshkopit apo presidentit tuaj të degës për të marrë falje të mëkatit dhe kalimit përgjatë një procesi përtëritjeje që përfshin këshillim profesional dhe mundësisht mbështetje në grup për të mposhtur varësinë tuaj - fuqia shëruese e Shlyerjes (të cilën Fjalori i Biblës e përshkruan si një mjet hyjnor ndihme apo force2), do t’ju ndihmojë ju të mposhtni shtytjen e varësisë ndaj pornografike dhe me kalimin e kohës të shëroheni nga efektet e saj gërryese. Nëpërmjet fuqisë së Shlyerjes, edhe falja e mëkatit edhe përtëritja nga varësia janë të mundura dhe të dyja janë të mrekullueshme.

Ju lutem, shmangiuni errësirës dhe njësoj si pemët, kërkoni gjithmon të rriteni në drejtim të dritës.

Mësimi nr. 2:Pemëve u duhet kundërshtim që të përmbushin përmasën e krijimit të tyre.

Janë ndjekur disa opinione rreth administrimit të pyjeve përgjatë viteve në përkujdesjen për Korijen e Shenjtë. Në një periudhë përzgjidhej një pjesë toke për provën dhe përdorej një praktikë e njohur si “rrallimi çlirues”. Ajo funksiononte në këtë mënyrë: rojtarët e pyllit përcaktonin ato që ata ndienin se ishin pemët e reja më të mëdha e më të shëndetshme në pjesën e tokës për provën dhe më pas i prisnin dhe i krasitnin pemët më pak premtuese dhe gëmushën konkurruese. Supozimi qe se, duke hequr shumë prej konkurrencës për ujë, dritë dielli dhe ushqyes të dheut, pemët e zgjedhura do të “çliroheshin” për t’u rritur dhe për t’u zhvilluar në mënyra të jashtëzakonshme.

Pas disa vitesh u bë e dukshme se po ndodhte krejt e kundërta. Pasi u liruan nga konkurrenca, pemët e zgjedhura u “vetëkënaqën”. Në vend që të zgjateshin lart në drejtim të dritës, ato e ngadalësuan rritjen e tyre për së gjati, nxorën shumë degë të poshtme që do të bëheshin të padobishme kur të mbyllej kupa qiellore dhe u bënë më të trasha. Ndërkohë, pemët që u hoqën, nxorën mbinë sërish si kaçube shumëdegëshe që nuk do të bëheshin pemë të mirëqena, por vazhduan të përdornin ujë dhe lëndë ushqyese. Këto pemë si kaçube vazhduan të konkurronin me pemët e zgjedhura, por jo në një mënyrë që do të shkaktonte rritje të mirë te secila prej tyre. Si rezultat, asnjëra prej pemëve në pjesën e tokës për provën nuk krahasohej në përmasa e në gjallëri me pemët që u lanë të rriteshin në mënyrë të natyrshme dhe që iu duhej të konkurronin dhe të mposhtnin kundërshtimin në mënyrë që të mbijetonin dhe të lulëzonin.

Siç e dini, një nga doktrinat kyçe të Librit të Mormonit është se duhet të ketë një kundërshtim në të gjitha gjërat. Një botë me të kundërta siguron zgjedhje mes të mirës dhe së keqes, që të mund të funksionojë liria e zgjedhjes. Njësoj i vlefshëm, sidoqoftë, është parimi se kundërshtimi duhet të ekzistojë që të ndodhë rritja shpirtërore - apo siç e shpreh Lehi - që të ndodhë “shenjtëria” (2 Nefi 2:11). Dëshiroj të theksoj se të kuptuarit e këtij parimi - që rritja shpirtërore kërkon kundërshtim dhe vështirësi - dhe madje përqafimi i këtij parimi në moshën tuaj është kyç për pranimin dhe të qenit të lumtur përgjithësisht me jetën. Është gjithashtu vendimtare për përjetimin e rritjes dhe zhvillimit të nevojshëm vetjak.

Herët a vonë, të gjithë ne do të hasim kundërshtim apo sprova. Disa do të vijnë thjesht si rezultat i të qenit këtu në vdekshmëri në një botë të rënë. Është fati i përbashkët i të gjithë njerëzimit. Një kundërshtim i tillë mund të marrë shumë forma. Ai mund të përfshijë forcat e natyrës. Mund të përbëhet nga sëmundje dhe dobësi shëndetësore. (Unë duket se jam në gjendje ta marr gripin edhe kur vaksinohem kundër tij!). Mund të vijë në formën e tundimeve. Për disa do të thotë pritshmëri të papërmbushura. (mua do të më kishte pëlqyer shumë të isha 1 .95  cm i gjatë, por kam mësuar të jem i lumtur me gjatësinë 1 .75  cm që m’u caktua - dhe me uljen e pashmangshme të foltores kurdoherë që kam për të dhënë një bisedë. Mund të vijë në formën e vetmisë, ose papërsosmërive apo paaftësive fizike e mendore - lista e forcave kundërshtare është thuajse e pafund - dhe kështu janë bekimet e rritjes dhe zhvillimit vetjak nëse ne kemi besimin për ta parë të gjithë tablonë dhe për ta duruar atë të gjithë fare mirë. Unë marr ngushëllim të madh nga fjalët e Zotit drejtuar Jozef Smithit në Burgun e Libertisë në një kohë kur barrat e Jozefit qenë thuajse të padurueshme: “Dije, biri im”, - tha Zoti, “se gjithë këto gjëra do të të japin përvojë dhe do të jenë për të mirën tënde” (DeB 122:7).

Ndonjëherë, kundërshtimi dhe vështirësitë vijnë për shkak të vetë zgjedhjeve tona të gabuara. Shëndeti i keq apo dëmtimi që mund të vijë si rezultat i një mënyre të pamatur të jetesës, ankthi dhe hidhërimi që vijnë nga thyerja e ligjeve të Perëndisë, keqardhja që ndiejmë më vonë kur dështojmë që të përfitojmë më të mirën nga koha dhe talentet që na janë dhënë - të gjitha janë kushte që i krijojmë vetë. Sa mirënjohës duhet t’i jemi të gjithë Shpëtimtarit tonë, Shlyerja e të cilit siguron një mënyrë që ne të ngjisim gjithçka që është thyer.

Kam vënë re se, kur përballemi me kundërshtimin, ne shpesh pyesim “përse” - Përse mua? Përse tani? Përse kjo? - kur po të pyesnim “çfarë” do të ishte më dobiprurëse. Dikur i dërgova një letër ngushëllimi një çifti të pikëlluar sepse bashkëshorti po vdiste nga një sëmundje e pashërueshme. Përgjigjja e tyre qe përulëse: ata renditën bekimet që Perëndia u kishte dhënë atyre në vitet e shumta së bashku dhe më pas vranë mendjen me besnikëri se “çfarë” që ajo që Perëndia po përpiqej t’u mësonte atyre në këtë “përgatitje mësimore” të fundit.

Ka pemë në Korijen e Shenjtë që Vëllai Perët i quan “pemë karakteri”. Këto janë pemë që tregojnë se kundërshtimi mund të funksionojë për dobinë tonë dhe se kur jemi në ekstremin tonë ka shumë për të fituar. Këtyre pemëve u është dashur të reagojnë dhe të përshtaten e ndonjëherë të përtërihen ndonjëherë nga forma të ndryshme të kundërshtimit apo vështirësisë - nga një rrufe, një shpërthim i fuqishëm ere, një grumbullim i madh bore apo akulli, cënimi dhe abuzimi i njerëzve të shkujdesur dhe madje ndonjëherë nga sulmi i një pemë fqinje! Prej këtyre rrethanave kundërshtuese kanë dalë disa nga pemët më të forta dhe më interesante nga pamja në korije. Atë që u mungon në bukurinë simetrike, ato e kompensojnë shumë herë më shumë me vendosmëri dhe karakter.

Nga përvoja e vetë jetës sime unë mund të dëshmoj se kundërshtimi, mundimi dhe vështirësia krijojnë karakter dhe rritje. Disa nga përvojat me sfiduese e kërkuese të vetë jetës sime - ndjenjat e papërshtatshmërisë dhe ndërgjegjshmërisë për veten gjatë adoleshencës sime, misioni im në Gjermani kur isha i ri dhe nxënia e gjuhës gjermane, marrja e diplomës në juridik dhe kalimi i provimit të jurisprudencës, përpjekjet e mia për të qenë një bashkëshort dhe baba i pranueshëm dhe për të siguruar edhe për nevojat shpirtërore edhe për ato materiale për familjen tonë me tetë fëmijë, humbja e prindërve të mi dhe e njerëzve të tjerë të dashur, madje edhe natyra publike dhe shpesh stresuese e shërbimit tim si Autoritet i Përgjithshëm (përfshirë përgatitjen dhe mbajtjen e këtij fjalimi para jush sonte) - e gjithë kjo dhe më tepër, përmes sfidueses dhe të vështirës, më ka dhënë përvojë dhe ka qenë për të mirën time!

E di se nuk është e lehtë t’ju bind ju të rinjve se pak dhembje ju bën mirë, por sinqerisht që është kështu. Nëse do të marrim ndonjëherë “gjithçka që Ati … ka”(DeB 84:38), kjo nuk ka për të ndodhur pa dhënë në këmbim gjithçka që kemi. Ati ynë Qiellor dëshiron bij e bija fisnike dhe ashtu siç dha mësim Lehi, shenjtëria mund të bëhet e mundur përmes vështirësisë dhe vënies në provë. Njerëzve, njësoj si pemëve, u duhet kundërshtim që të përmbushin përmasën e krijimit të tyre.

Mësimi nr. 3: Pemët rriten më mirë në pyje, jo në izolim.

Nëse mendoni rreth kësaj, në natyrë është shumë e pazakontë të shohesh një pemë të qëndrojë e vetme. Ato gjithmonë bashkohen në korije dhe me kohën, korijet bëhen pyje. Megjithatë, Korija e Shenjtë është më shumë se sa thjesht një grumbull pemësh. Ajo është një ekosistem i ndërlikuar që përfshin specie të panumërta të florës dhe faunës. Ka një ndërlidhshmëri të dukshme mes të gjitha llojeve të ndryshme të luleve të egra, kaçubeve, shkurreve, pemëve, kërpudhave, myshqeve, zogjve, brejtësve, lepujve, drerëve dhe krijesave të tjera që ndodhen atje. Këto specie ndërveprojnë dhe mbështeten te njëra-tjetra për ushqim, strehë dhe një mjedis sinergjitik e shoqëror ku të gjithë mund të përjetojnë ciklin e tyre të jetës.

Plani i Perëndisë për jetën tonë parashikon një ndërlidhshmëri dhe shoqërim të ngjashëm për ne. Neve na duhet të punojmë për shpëtimin tonë së bashku, jo në veçim. Kisha ndërton shtëpi mbledhjesh, jo vende të vetmuara. Neve na kërkohet të ndjekim një lagje apo degë të caktuar - jo të vëmë gishtin e ta zgjedhim bashkësinë tonë si në disa besime. Kjo rregullore e urtë na kërkon të mësojmë që të shkojmë mirë me njëri-tjetrin dhe të mbajmë përgjegjësi para peshkopit apo presidentit tonë të degës për sjelljen tonë; jo të vrapojmë e të fshihemi kur gjërat vështirësohen! Ne urdhërohemi që t’i duam të afërmit tanë (ku përfshihen pjesëtarët e familjes sonë) dhe të mësojmë t’i duam ata që janë më afër nesh, është shpesh goxha më e vështirë se të duam “të gjithë botën” prej së largu. Që prej fillimit të Rivendosjes, urdhërimi për shenjtorët ka qenë që të “vijmë në Sion” dhe të mblidhemi në komunitet ku mund të mësojmë të jetojmë në harmoni dhe ta mbështesim në mënyrë reciproke njëri-tjetrin duke e respektuar besëlidhjen tonë të pagëzimit që të “mba[jmë] barrat e njëri-tjetrit … të vajt[ojmë] me ata që vajtojnë … dhe të ngushëllo[jmë] ata që kanë nevojë të ngushëllohen” (Mosia 18:8–9). Si fëmijë të Perëndisë, ne nuk mund të përparojmë në veçim më shumë se sa mundet një pemë e vetmuar. Pemët e shëndetshme kanë nevojë për një ekosistem; njerëzit e shëndetshëm kanë nevojë për njëri-tjetrin.

Fatmirësisht, brenda gjithsecilit prej nesh ka një dëshirë të madhe për aktivitet shoqëror, për shoqërim, për miq besnikë. Si pjesëtarë të familjes së përjetshme të Perëndisë, ne të gjithë jemi të etur për kënaqësinë dhe sigurinë që mund të sigurojnë marrëdhëniet e afërta dhe të qëndrueshme. Ju do të mësoni se krijimi i marrëdhënieve të tilla kërkon kohë, përpjekje dhe një bollëk dashurie hyjnore. Ashtu siç e shprehu Mormoni, “dashuria hyjnore … nuk kërkon të mirën e vet” (Moroni 7:45) - as programin e saj vetjak ditor; as interesat e saj vetjake; dhe me siguri as kënaqësinë e saj vetjake. Edhe pse interneti dhe faqet e rrjeteve sociale sigurojnë padyshim një formë shoqërimi, ata nuk janë zëvendësues të komunikimit të sinqertë, të hapur e ballë për ballë që duhet të ndodhë që të ndërtohen marrëdhënie të mirëfillta dhe të qëndrueshme.

Sigurisht, laboratori më i hershëm e më i mirë për të mësuar që të shkojmë mirë me të tjerët, është shtëpia. Është në shtëpi që ne mësojmë mësimet e shërbimit, vetmohimit, faljes dhe durimit që janë thelbësore për formimin e marrëdhënieve të qëndrueshme me të tjerët. Unë mendoj se është për këtë arsye që një pjesë e të qenit “të denjë për në tempull” është që ne të jetojmë në dashuri dhe harmoni me pjesëtarët e familjes sonë.

Për fat të mirë, organizimi i frymëzuar i Kishës siguron gjithashtu mundësi dhe mjedise ku ne mund të zhvillohemi nga ana shoqërore. Që nga vitet tona më të hershme deri te ato më të vonat, ne i përkasim një lagjeje apo dege dhe jemi në situata ku mund të lulëzojnë marrëdhëniet dhe shoqërimi me të tjerët. Në thirrjet, mbledhjet, orët mësimore, kuorumet, këshillat, aktivitetet dhe një llojshmëri të mundësive të tjera për shoqërim në Kishë, ne zhvillojmë cilësitë dhe aftësitë shoqërore që ndihmojnë për të na përgatitur për rendin shoqëror që do të ekzistojë në qiell. Duke folur për këtë rend më të lartë, Zoti, nëpërmjet Jozef Smithit tha: “Dhe po ai shoqërim që ekziston mes nesh këtu, do të ekzistojë mes nesh atje, veçse do të jetë me lavdi të përjetshme, lavdi të cilën nuk e gëzojmë tani” ((DeB 130:2().

Nëse shpresojmë të gëzojmë shoqërimin në qiell dhe lavdinë që lidhet me të në botën që do të vijë, ne kemi nevojë të piqemi në vazhdimësi shoqërisht ashtu si edhe shpirtërisht ndërsa jemi këtu në tokë. Njerëzit, ashtu si pemët, rriten më mirë në komunitete, jo në veçim.

Mësimi  4: Pemët marrin forcë nga lënda ushqyese e krijuar nga breza të mëparshëm pemësh.

Pati një periudhë kohe në përkujdesjen për Korijen e Shenjtë kur ata që qenë përgjegjës vendosën se korija duhet të kishte një pamje të ujdisur mirë. Projektet e shërbimit për të rinjtë dhe misionarët u organizuan herë pas here për të pastruar pemët dhe degët e rëna, gëmushat dhe madje cungjet dhe gjethet e kalbura nga korija. Sipas kësaj praktike, nuk kaloi shumë kohë derisa gjallëria e korijes filloi të zbehej. Rritja e pemëve u ngadalësua, shumë më pak pemë të reja mbinë, disa specie lulesh të egra dhe bimësh filluan të zhdukeshin dhe ra numri i gjallesave të egra e zogjve.

Kur Vëllai Perët e mori nën kontroll përkujdesjen për korijen disa vite më parë, ai porositi që korija të lihej në një gjendje sa më natyrale që të ishte e mundur. Pemët dhe degët e rënda u lanë që të kalbeshin dhe të pasuronin dheun. Gjethet u lanë të qëndronin aty ku ranë. Vizitorëve iu kërkua që të ecnin në shtigjet e shenjuara në mënyrë që korija të shqetësohej sa më pak dhe dheu brenda korijes të ngjeshej sa më pak. Brenda vetëm pak viteve, korija filloi të rigjallërohej e të ripërtërihej në një mënyrë mahnitëse. Sot ajo lulëzon në një gjendje pothuaj të pacënuar, me bimësi të shëndetshme dhe me një bollëk kafshësh të egra.

Mësimi që duhet nxjerrë nga kjo përvojë në administrimin e pyjeve është i shtrenjtë për mua. Për shtatë vjet tashmë, ka qenë privilegji im të shërbej si historian dhe dokumentues i Kishës. Kjo është një detyrë që u krijua nga Profeti Jozef Smith në përgjigje të urdhërit të Zotit ndaj tij në ditën kur u organizua Kisha: “Vini re, do të ketë një anal të mbajtur mes jush” (DeB 21:1). Nga ajo ditë - duke filluar me caktimin e Oliver Kaudrit si historiani dhe dokumentuesi i parë i Kishës - dhe duke vazhduar deri në kohën e tashme - është mbajtur një anal i mrekullueshëm i historisë së Kishës sonë. Xhon Uitmeri e zëvendësoi Oliver Kaudrin dhe Zoti i tha që të bënte një histori “të gjithë gjërave të rëndësishme … që do të jenë për të mirën e kishës dhe për brezat në rritje që do të rriten në tokën e Sionit” (DeB 69:3, 8).

Pse kanë kaq shumë rëndësi mbajtja dhe mbledhja e dokumenteve, ruajtja dhe tregimi i historisë në Kishën e Jezu Krishtit? Përse është vendimtare për ju si pjesë e “brezave [të sotëm] në rritje” që të jeni të ndërgjegjshëm e të merrni forcë nga brezat e kaluar?

Si përgjigje, unë sugjeroj se është e pamundur të jetojmë plotësisht në të tashmen - aq më pak të planifikojmë fatin tonë të ardhshëm - pa themelin e së shkuarës. Kjo e vërtetë e tërhoqi me forcë vëmendjen time disa muaj më parë, në një takim me një çift të mrekullueshëm që kishin përjetur një sprovë shumë të pazakontë të cilën e tregoj me lejen e tyre. Pas disa vitesh martesë dhe lindjes së disa fëmijëve, gruaja pësoi një aksident të rëndë. Ajo mbeti në spital për disa javë në një gjendje të pavetëdijshme. Kur erdhi në vete, ajo kishte pësuar një humbje të plotë të kujtesës! Ajo, në të vërtetë, nuk kishte histori. Pa kujtimin e së shkuarës së saj, ajo nuk kishte pikë referimi. Ajo nuk e njihte bashkëshortin, nuk i njihte fëmijët apo prindërit e saj! Ndërsa bashkëshorti i saj ma tregoi këtë histori, ai rrëfeu se në ato muaj të hershëm pas aksidentit, ai shqetësohej se gruaja e tij do të endej më kot nëse do të lihej pa ndihmë. Ai kishte gjithashtu frikë se gruaja e tij nuk dotë binte përsëri në dashuri me të. Gjatë kohës së vardisjes, ai kishte qenë një djalë i pashëm, atletik me një kokë plot me flokë. Tani, në moshë të mesme, ai qe më i mbushur dhe kishte goxha flokë më pak!

Për fat të mirë për të gjithë të prekurit, së paku qe mbajtur një dokumentim i pjesshëm. Bashkëshorti kishte ruajtur letra të shkruara nga gruaja e tij përpara dhe gjatë misionit të tij. Këto siguruan fakte se ata të dy kishin qenë vërtet të dashuruar. Ai kishte mbajtur edhe një ditar që përmbante shënime të dobishme. Gradualisht, me kalimin e disa viteve, gruas iu kthye shumë prej së shkuarës së saj nëpërmjet tregimit të asaj historie nga njerëzit e saj të dashur.

Kjo situatë e pashoqe dhe e dhimbsur e ilustron mirë marrëdhënien e rëndësishme të së shkuarës me të tashmen dhe të ardhmen. Ajo na ndihmon ta çmojmë më plotësisht përkufizimin e Zotit për të vërtetën siç iu zbulua Jozef Smithit: “E vërteta është dituri për gjërat siç janë dhe siç ishin, dhe siç do të jenë” (DeB 93:24). Dituria që kemi për të shkuarën tonë për shkak se janë mbajtur dokumentet tona dhe për të ardhmen tonë për shkak të shkrimeve të shenjta dhe mësimeve profetike të profetëve të gjallë, na sigurojnë kontekstin që lejon përdorimin e mençur të lirisë së zgjedhjes gjatë ekzistencës sonë të tanishme. Në fakt, kjo dituri na jep një këndvështrim më të perëndishme për shkak se na sjell më pranë aftësisë së tij për t’i pasur “të gjitha … gjërat të pranishme përpara syve të [Tij]” (DeB 38:2).

Si anëtarë të Kishës nga shumë kombe, ne të gjithë kemi të përbashkët historinë e hershme të Kishës. Është e rëndësishme për të gjithë ne që të njihemi me historinë e Kishës sonë, veçanërisht me ato që do t’i quaj “tregimet e themelimit” të saj. Këto tregime - Vegimi i Parë i Jozef Smithit, dalja në dritë e Librit të Mormonit, vizitat engjëllore nga gjon Pagëzori, Pjetri, Jakobi dhe Gjoni, Elia, Eliasi dhe të tjerë - përmbajnë të vërtetat themelore mbi të cilat bazohet rivendosja e ungjillit.

Për fat të keq, në këtë epokë teknologjike ku informacionet gëlojnë -disa prej tyre për tregime dhe njerëz vendimtarë në historinë e Kishës - disa shenjtorë të ditëve të mëvonshme lëkunden në besimin e tyre dhe fillojnë të vënë në dyshime bindje të mbajtura gjatë. Këtyre individëve dyshues unë iu ofroj dashuri dhe kuptueshmëri dhe sigurimin se, nëse ata do të pajtohen me parimet e ungjillit dhe do ta vazhdojnë me lutje studimin e historisë së Kishës - duke studiuar në mënyrë të efektshme për të fituar një dituri gjithëpërfshirëse në vend të një diturie të pjesshme ose jo të plotë - Fryma e Shenjtë do ta vërtetojë besimin e tyre në ngjarjet thelbësore në historinë e Kishës duke i folur paqe mendjes së tyre. Në këtë mënyrë, ata mund të mbeten të palëkundur në bindjet e tyre lidhur me historinë e Kishës së rivendosur dhe “të mos jenë më … të transportuar nga çdo erë doktrineje” (Efesianëve 4:14). Unë e kam bazuar rrjedhën e të gjithë jetës sime mbi ndjenja të tilla paqeje lidhur me Vegimin e Parë të Jozef Smithit dhe tregimeve të tjera themelore të historisë së Kishës, siç kanë bërë shumë prej jush, dhe unë e di se ne nuk do të zhgënjehemi kurrë.

Historia në formën e saj më themelore, është një dokumentim i njerëzve dhe i jetës së tyre dhe prej jetës së tyre dalin tregime dhe mësime që mund ta përforcojnë atë që ne besojmë, atë për të cilën qëndrojmë dhe atë që duhet të bëjmë përpara vështirësive. Jo të gjitha tregimet që e përbëjnë historinë tonë janë të natyrës epike si Vegimi i Parë i Jozef Smithit apo misioni i Uilford Udrafit në Angli. Në fakt, disa tregime vërtet mahnitëse vijnë nga jeta e vetë shenjtorëve të zakonshëm të ditëve të mëvonshmem të cilët jemi shumica prej nesh. Ato janë veçanërisht të dashura dhe të dobishme për ne kur tregimet përfshijnë vetë paraardhësit tanë.

Për shembull, në vitet 1920, gjyshi dhe gjyshja ime Xhensen - pavarësisht orëve të gjata rraskapitëse - u detyruan t’ia kthenin shitësit një fermë të cilën po e blinin dhe në të cilën jetuan në Shtetin e Ajdahos. Ata dëshiron që të ktheheshin në vendlindjen e tyre në Juta me fëmijët e tyre më të vegjël, por nuk mundën të largoheshin nga Ajdaho derisa të shlyenin borxhin prej 350 dollarësh. Kjo duket si një shumë e vogël sot, por ishte e madhe në atë kohë. Gjyshi u përpoq t’ia merrte paratë hua burrit që e kishte atë, por pa sukses. Huamarrja nga një bankë qe jashtë diskutimi për shkak të rrethanave të tyre të varfra. Ai dhe gjyshja u lutën për ndihmë çdo ditë. Një mëngjes të diele në një mbledhje priftërie, gjyshit iu afrua një burrë të cilin ai nuk e njihte mirë dhe i tha atij se kishte dëgjuar për telashin e tij dhe do t’ia jepte hua gjyshit 350 dollarët me pritshmërinë se kur gjyshi të kthehej në Juta, ai do t’ia kthente paratë burrit sa më shpejt të ishte e mundur. Marrëveshja u krye me një shtrëngim dore dhe gjyshi e mbajti fjalën.

Ky tregim i thjeshtë i mbajtur shënim nga gjyshja ime Xhensen është një thesar familjar. Ai më frymëzon duke ilustruar tiparet e punës së palodhur, ndershmërisë, kapërcimit të sprovave, solidaritetit familjar dhe më e rëndësishmja, ajo tregon dorën e Perëndisë në jetën e gjyshërve të mi besnikë. Unë mora forcë dhe inkurajim të madh nga shembulli i tyre dhe nga shembulli i të tjerëve, si nga njerëzit e mëdhenj ashtu edhe të zakonshëm të brezave së shkuarës.

Ju mund të gjeni tregime të ngjashme në vetë tokën tuaj dhe në vetë familjet tuaja. Atje ku ato ekzistojnë, unë ju nxis që t’i mblidhni këto tregime, t’i ruani dhe t’i tregoni ato. Kujdesuni që t’i kaloni brez pas brezi. Fëmijëve të mi (dhe më së shumti tani nipërve e mbesave të mia) u pëlqen shumë kur unë i tregoj histori kur “kam qenë një djalë i vogël”! Kam dëgjuar të thuhet se njerëzit nuk mund të jenë më të mëdhenj se historia e tyre dhe unë besoj se e njëjta gjë është e vërtetë për familjet. Tregimet e mira - nëse janë të vërteta - bëjnë historinë e mirë. Kujtoni, njerëzit ashtu si pemët, marrin forcë nga lënda ushqyese e krijuar nga breza të mëparshëm pemësh.

Përfundimi

Tani, ndërsa e mbyll, dëshiroj që ju të ktheheni me mua në Korijen e Shenjtë dhe të qëndroni me mua pranë njërës prej të ashtuquajturave “pemëve dëshmitare”. Këto janë pemë që ishin duke u rritur në korije 192 vite më parë në kohën e Vegimit të Parë të Jozef Smithit. Ka tri prej tyre që janë ende të gjalla në korije dhe tri pemë dëshmitare të kalbura që mbeten të qëndrueshme nëpërmjet përpjekjeve të afta ruajtëse të Vëllait Perët.

Kur ne po shërbenim në misionin tonë pranë Palmiras, ndonjëherë, e kisha zakon të shkoja vetëm në Korijen e Shenjtë dhe të qëndroja me nderim ngjitur me pemën time të preferuar dëshmitare. E kisha zakon të përfytyroja se nëse ajo pemë do të mundej të fliste, do të më tregonte atë që dëshmoi në atë ditë pranvere në vitin 1820. Por në të vërtetë, nuk kisha nevojë që ajo pemë të ma tregonte - unë e dija tashmë. Nëpërmjet virtytit të përvojave shpirtërore e ndjenjave që filluan në rininë time e vazhdojnë pikërisht deri në këtë çast, kam arritur të di, në mënyrë të pavarur nga çdo njeri tjetër se Perëndia, Ati ynë, jeton. E di, gjithashtu se Biri i Tij, Jezu Krishti është Shpëtimtari dhe Shëlbuesi i të gjithë njerëzimit. E di se këto dy Qenie të lavdishme iu shfaqën Jozef Smithit në Korijen e Shenjtë në pranverën e vitit 1820. Ata e lartësuan Jozefin si profetin themelues të kësaj periudhe të fundit ungjillore. Duke punuar nën drejtimin e Tyre hyjnor, Jozefi përktheu Librin e Mormonit, mori çelësat dhe autoritetin e priftërisë dhe e organizoi Kishën e Krishtit sërish në këto ditë të mëvonshme. Ne jemi tej mase të bekuar që jetojmë në këtë kohë dhe që jemi anëtarë të Kishës së Krishtit.

Këto të vërteta të lavdishme, për të cilat kam dëshmuar, e kanë fillesën e tyre në Korijen e Shenjtë. Ashtu siç keni qëndruar me mua në mënyrë të figurshme në Korijen e Shenjtë sonte, kështu qëndroni përherë në mendjen dhe zemrën tuaj në atë vend të shenjtë dhe jetojini besnikë të vërtetat që Perëndia nisi t’i zbulonte atje.

Kujtoni, gjithashtu, mësimet për jetën që na mëson Korija e Shenjtë:

  1. 1.

    Kur forcat e errësirë kërkojnë t’ju shkatërrojnë - ashtu siç bënë dikur me të riun Jozef Smith, qëndroni në Korijen e Shenjtë dhe kujtoni shtyllën e dritës, më të shkëlqyeshme se dielli (shih Joseph Smith—Historia 1:15–17).

  2. 2.

    Kur kundërshtimi dhe vështirësia jua zënë rrugën dhe shpresa zbehet, qëndroni në korijen e shenjtë dhe kujtoni se “të gjitha këto gjëra do të të japin përvojë dhe do të jenë për të mirën tënde: (DeB 122:7).

  3. 3.

    Kur vetmia dhe veçimi të jenë fati juaj dhe ju mundoheni për të krijuar marrëdhënie përmbushëse njerëzore, qëndroni në korije me komunitetin e shenjtorëve të ditëve të mëvonshne që kanë bërë besëlidhje për të mbajtur barrat tuaja dhe për t’ju ngushëlluar kur të keni nevojë.

  4. 4.

    Dhe kur përvoja apo njerëz ose pretendime për të vërteta kontradiktore e sfidojnë besimin tuaj dhe krijojnë dyshim lidhur me rivendosjen e ungjillin e Jezu Krishtit, qëndroni në Korijen e Shenjtë dhe merrni forcë dhe inkurajim nga brezat e shenjtorëve besnikë të ditëve të mëvonshme që kanë qëndruar me vendosmëri atje përpara jush.

Kjo është lutja ime për ju, miqtë e mi të rinj dhe e bëj atë me dashuri dhe në emrin e Jezu Krishtit, amen.

© 2012 nga Intellectual Reserve, Inc. I rezervohen të gjitha të drejtat. Miratuar për anglisht: 5/12. Miratuar për përkthim: 5/12. Përkthim i Stand in the Sacred Grove.Gjuha. PD50039048 101

Show References

    Shënime

  1.  

    1.  HKF, f. 14.

  2.  

    2. Shih “Shlyerje” te Fjalori i Biblës; shih edhe Guide to the Scriptures [Udhëzuesin e Shkrimeve të Shenjta], “Shlyej, Shlyerje”, në adresën scriptures.lds.org.