Dhurata e Papërshkrueshme e Frymës së Shenjtë

Takimi Shpirtëror i SAK-ut për të Rinjtë në Moshë Madhore • 8 janar 2012 • Universiteti “Brigam Jang”


Unë dhe Motra Xhensen jemi të kënaqur që jemi me ju. Sinqerisht falënderoj korin jo vetëm për mënyrën se si këndoi, por gjithashtu për atë çka këndoi. Himnet ftojnë me të vërtetë Shpirtin e Zotit. Ato krijojnë një ndjenjë nderimi dhe na mësojnë doktrinat e mbretërisë. Kjo është një detyrë shumë përulëse dhe unë jam lutur e vazhdoj të lutem që Fryma e Shenjtë të jetë mësuesi ynë i vërtetë.

Mesazhi im titullohet “Dhurata e Papërshkrueshme e Frymës së Shenjtë”, një frazë nga Doktrina e Besëlidhje: “Perëndia do t’ju japë juve dituri me anë të Shpirtit të tij të Shenjtë, po, me anë të dhuratës së papërshkrueshme të Frymës së Shenjtë, që nuk është zbuluar që kur bota ishte deri tani” (DeB 121:26). Shumë nga gjërat që do të them ju mund t’i kujtoni nga një bisedë në konferencën e përgjithshme të dhënë më tetor të 2010-ës. Unë do t’i shtjelloj ato më tej, me kohën që më është dhënë për këtë mesazh sot.

Rëndësia e Frymës së Shenjtë

Rëndësia e Frymës së Shenjtë dhe dhurata e papërshkrueshme që është Ai, mund të theksohen me dy shembuj, ku secili përmban mesazhin e tij. Shembulli i parë është nga Libri i Mormonit dhe i dyti është nga një ngjarje e historisë së Kishës.

Kur Jezu Krishti vizitoi njerëzit në Librin e Mormonit, Ai u dha mësim atyre, i bekoi fëmijët e tyre, themeloi sakramentin dhe më pas u largua. Njerëzit u kthyen në shtëpitë e tyre dhe u munduan përgjatë natës të mblidhnin të tjerë, që të ishin në vendin ku Ai tha se do t’u shfaqej të nesërmen.

Për shkak të numrit të madh, dymbëdhjetë dishepujt i ndanë njerëzit në dymbëdhjetë grupe për t’iu dhënë mësim ato që Shpëtimtari u kishte mësuar atyre një ditë më parë, dhe më pas ata u lutën. Dhe nga të gjitha gjërat për të cilat mund të luteshin, “ata u lutën për atë gjë që dëshironin më shumë; dhe ata dëshironin që t’u jepej Fryma e Shenjtë” (3 Nefi 19:9), duke i vënë theksin Frymës së Shenjtë dhe rëndësisë së Tij që është unik në të gjitha shkrimet e shenjta.

Pas lutjes së tyre dhe në përgjigje të atyre lutjeve, Nefi pagëzoi dishepujt, pas të cilës “Fryma e Shenjtë zbriti mbi ta dhe ata u mbushën me Frymën e Shenjtë dhe me zjarr” (3 Nefi 19:13). Ata morën provën bindëse ose dëshminë për Të.

Më pas Shpëtimtari iu shfaq atyre:

“Dhe ndodhi që Jezusi … vajti pak më tutje dhe u përkul gjer në tokë dhe tha:

‘Atë, të falënderoj që u dhe Frymën e Shenjtë këtyre që unë kam zgjedhur. …

Atë, të lutem që t’u japësh Frymën e Shenjtë të gjithë atyre që besojnë në fjalët e tyre’” (3 Nefi 19:19–21).

Unë nuk di të ketë ndonjë varg tjetër në shkrimet e shenjta që shpreh më mirë se si ndien Shpëtimtari se sa e rëndësishme është Fryma e Shenjtë.

Shembulli i dytë vjen nga mësimet e Presidentit Brigam Jang. Shenjtorët ishin në Lagjet Dimërore dhe po përgatiteshin për t’u shpërngulur drejt Perëndimit në pranverë. Jozef Smithi kishte vdekur para afro dy vjetësh e gjysmë. Presidenti Jang pati një vegim, një ëndërr, në të cilin ai u vizitua nga Profeti Jozef Smith. Ndërsa e dëgjoni, ju lutem, vini re se sa herë ai theksoi rëndësinë e Shpirtit të Zotit:

“‘Vëlla Jozef, vëllezërit … kanë një shqetësim të madh për të kuptuar … parimet e vulosjes; dhe nëse keni ndonjë këshillë për mua do të isha i lumtur ta pranoja. ’

Jozefi eci drejt meje dhe, duke më parë me seriozitet por sidoqoftë me përzemërsi, tha: ‘Thuaju njerëzve të jenë të përulur dhe besnikë, dhe të sigurt për të mbajtur Shpirtin e Zotit dhe ai do t’i udhëheqë për të bërë atë që është e drejtë. Kini kujdes dhe mos e largoni zërin e qetë e të ulët; ai do t’ju mësojë çfarë të bëni dhe ku të shkoni; ai do të japë frytet e mbretërisë. Thuaju vëllezërve t’i mbajnë zemrat të hapura që të mbeten të gatshëm për të qenë të bindur, kështu që, kur t’u vijë Fryma e Shenjtë, zemra e tyre do të jetë gati për ta marrë atë. Ata mund ta dallojnë Shpirtin e Zotit nga gjithë shpirtrat e tjerë; Ai do t’u pëshpërisë paqe e gëzim shpirtrave të tyre; ai do të heqë keqdashjen, urrejtjen, grindjen dhe gjithë të ligën nga zemra e tyre; dhe e gjithë dëshira e tyre do të jetë për të bërë mirë, për të sjellë drejtësinë dhe për të ndërtuar mbretërinë e Perëndisë. Thuaju vëllezërve se nëse do të ndjekin shpirtin e Zotit, ata do të jenë krejt në rregull. Sigurohu që t’u thuash njerëzve ta mbajnë Shpirtin e Zotit; dhe nëse do ta mbajnë, ata do ta gjejnë veten tamam siç u organizuan nga Ati ynë në Qiell përpara se ata të vinin në botë. Ati Ynë në Qiell e krijoi familjen njerëzore. …’

Më pas Jozefi më tregoi modelin, se si ata ishin [organizuar] në fillim. Këtë nuk mund ta përshkruaj, por e pashë atë dhe e pashë se ku qe marrë Priftëria nga toka dhe se si [familja njerëzore] duhet të bashkohej së bashku, në mënyrë që të ishte një zinxhir i përsosur nga Atë Adami deri te pasardhësit e tij më të fundit. Jozefi tha përsëri: ‘Thuaju njerëzve të sigurohen që të mbajnë Shpirtin e Zotit dhe ta ndjekin atë, dhe ai do t’i udhëheqë për të bërë atë që është e drejtë. ’”1

Ky rrëfim jo vetëm që thekson rëndësinë e Frymës së Shenjtë dhe kërkimin e ndikimit të Tij, por ai gjithashtu sjell në mendjen time këto parime dhe të vërteta:

  • Shpirti i Zotit kërkon të sjellë rregull – veçanërisht, të organizojë familjen e përjetshme përmes ordinancës së vulosjes në tempull.

  • Kundërshtari kërkon të shthurë dhe të shkatërrojë (shih DeB 10:6–7, 22–27), veçanërisht familjet, siç dëshmohet nga aborti, divorci dhe martesa me të njëjtën gjini. Unë pyes veten nëse praktika në rritje për shtyrjen e martesës në grupmoshën tuaj kontribuon në shthurjen e familjeve?

  • Zbulesa dhe njohuria përmes dhuratës së papërshkrueshme të Frymës së Shenjtë vjen si përgjigje ndaj një pyetjeje, siç ndodh shpesh me zbulesën.

Nga këta dy shembuj unë kam përcaktuar se Fryma e Shenjtë është thelbësore dhe se ne duhet t’i kërkojmë me zell shoqërimin, drejtimin dhe dhuratat e Tij, të cilat së bashku përbëjnë një dhuratë – me të vërtetë të papërshkrueshme.

Tani, do të përqendrohem në tri tema: 1) misionet e Frymës së Shenjtë, 2) kushtet për të marrë Frymën e Shenjtë dhe 3) si ta njohim drejtimin nga Fryma e Shenjtë.

Misionet e Frymës së Shenjtë

Fryma e Shenjtë ndonjëherë quhet Shpirti, i quajtur saktë Shpirti i Shenjtë, Shpirti i Perëndisë, Shpirti i Zotit dhe Ngushëlluesi.

Fryma e Shenjtë ka misione ose përgjegjësi të caktuara. Unë do të përmend katër.

Misioni 1 – Ai dëshmon ose zbulon për Atin dhe Birin. Fryma e Shenjtë me të vërtetë zbulon ose dëshmon për Atin dhe Birin. E kam provuar këtë kur isha një fëmijë i vogël, edhe pse atëherë nuk mund ta kem shpjeguar.

Jam rritur duke besuar në Perëndi, në një shtëpi të mrekullueshme shenjtorësh të ditëve të mëvonshme. Në moshën tetëvjeçare u pagëzova dhe mora dhuratën e Frymës së Shenjtë. Unë nuk e vura kurrë në dyshim ekzistencën e Atit dhe Birit; përkundrazi, në shtëpinë tonë kishte një pranim të plotë dhe absolut, një adhurim dhe një besim në Ta, që tregohej nga lutja e rregullt familjare, heshtja për të bekuar ushqimin në çdo vakt, mbrëmja familjare, leximi nga shkrimet e shenjta (veçanërisht Libri i Mormonit), frekuentimi në Kishë, bindja ndaj urdhërimeve dhe të gjitha gjërat e tjera që ne bëjmë si shenjtorë të ditëve të mëvonshme. Unë personalisht nuk mund t’u drejtohesha shkrimeve të shenjta për të dhënë mësim doktrinën që roli kryesor i Frymës së Shenjtë është të zbulojë Perëndinë, Atin dhe Birin e Tij Jezu Krishtin, por si çështje besimi unë sigurisht që e kuptova parimin.

Gjatë misionit tim unë fillova një studim ditor të shkrimeve të shenjta. Njohuria ime për shkrimet e shenjta, dëshmia dhe besimi im në Perëndi dhe në Birin e Tij, Jezu Krishtin, u forcuan nga doktrina hyjnore, nga përvojat shpirtërore dhe nga zbulesa vetjake. Unë e di nga vetja se këto fjalë të Shpëtimtarit janë të vërteta: “Dhe Fryma e Shenjtë dëshmon për Atin dhe për mua; dhe Ati u jep Frymën e Shenjtë fëmijëve të njerëzve, për shkakun tim” (3 Nefi 28:11; shih gjithashtu përmbledhjen e kapitullit te 3 Nefi 27 dhe 3 Nefi 27:13–20).

Misioni 2 – Ai dëshmon për të gjitha të vërtetat. Fryma e Shenjtë zbulon të vërtetën e të gjitha gjërave. Kërkuesve të sinqertë që lexojnë Librin e Mormonit dhe luten e meditojnë me qëllim të vërtetë për të ditur vërtetësinë e tij, u është premtuar se ata do ta dinë se është e vërtetë “dhe nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë [ata] mund ta di[në] të vërtetën e të gjitha gjërave” (Moroni 10:5).

Alma i ftoi njerëzit e varfër të dëbuar nga zoramitët t’i vinin fjalët në provë. Veçanërisht, ai u theksoi atyre se fjalët e vërteta të mbjella në zemra pranuese do të “fillo[nin] të fryhe[shin] në kraharorin [e tyre]; dhe kur [ata] të ndieni[n] këto lëvizje të fryrjes, [ata] do të filloni[n] të thoni[n] me veten [e tyre] – Kjo duhet të jetë një farë e mirë ose që fjala është e mirë”, (Alma 32:28), duke çuar në tri mënyra që ata do të dinin të vërtetën:

  1. “Po fillon të zmadhojë shpirtin tim” te kërkuesit e sinqertë të së vërtetës përmes lotëve, një pëshpërime, një tundjeje të kokës, ose me disa gjeste të tjera të trupit tregohet që Fryma e Shenjtë ka mbjellë fjalë të vërteta në zemrat e tyre.

  2. “Po fillon të ndriçojë kuptimin tim” e parë nga komente të tilla si “ajo ka kuptim”, ose “gjithmonë e kam besuar atë”, ose nga një pyetje “atëherë po thoni se … ?”

  3. “Po fillon të jetë e këndshme për mua” e treguar, për shembull, nga kërkuesit me komente si: “të lutem, më trego më shumë”, apo “ku më the që ndodhet kisha?” ose “a nuk do të qëndrosh pak më shumë dhe të na mësosh më shumë?” – që do të thotë se janë të uritur dhe dëshirojnë më shumë.

Dëshmia e Brigam Jangut shpjegon këto të vërteta: “Nëse i gjithë talenti, sjellja e matur, urtësia dhe rafinimi i botës do të ishin bashkuar te një person dhe ai person do të më ishte dërguar me Librin e Mormonit, dhe të kishte shpallur, në gjuhën më të mrekullueshme, të vërtetën për të, duke u përpjekur ta vërtetonte atë përmes të mësuarit dhe diturisë së tij të botës, për mua do të kishte qenë si tymi që ngrihet e zhduket në ajër. Por kur pashë një njeri pa gojëtari apo talente për të folurën në publik, i cili mund të thoshte vetëm: ‘Unë e di, me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë, se Libri i Mormonit është i vërtetë, se Jozef Smithi është një profet i Zotit’. Fryma e Shenjtë që buronte nga ai person ndriçon kuptueshmërinë time dhe unë kuptoj dritën, lavdinë dhe pavdekësinë; unë jam i rrethuar prej tij, i mbushur me të dhe unë e di nga vetja se dëshmia e njeriut është e vërtetë.” 2

Misioni 3 – Ai shenjtëron. Fjala sanctify [shenjtërim] vjen nga latinishtja dhe ka dy rrënjë: sanct, që do të thotë “e shenjtë”, dhe facere, që do të thotë “të veprosh ose të bësh” – fjalë për fjalë do të thotë “ta bësh të shenjtë”. Në fenë tonë përdorimi i fjalës shenjtërim thjesht do të thotë të pastrosh ose të çlirosh nga mëkati, një mesazh qendror i ungjillit të rivendosur.

Ungjilli është “plani i Perëndisë për shpëtimin, i bërë i mundur nëpërmjet shlyerjes së Jezu Krishtit [dhe] përmban të vërtetat e përjetshme ose ligjet, besëlidhjet dhe ordinancat e nevojshme që njerëzimi të rikthehet në praninë e Perëndisë” 3.

Roli shenjtërues i Frymës së Shenjtë lidhet me kontekstin e përkufizimit të Shpëtimtarit për ungjillin e Tij te 3 Nefi 27:13–20, që mbyllet me këtë varg kuptimplotë: “Pendohuni, të gjitha ju skajet e tokës dhe ejani tek unë dhe pagëzohuni në emrin tim, që të shenjtëroheni nëpërmjet marrjes së Frymës së Shenjtë, që të mund të qëndroni të pa njollë para meje, në ditën e fundit” (3 Nefi 27:20). Fryma e Shenjtë është shenjtëruesi dhe për shkak të Tij dhe përmes Shlyerjes së pafund ne mund të qëndrojmë të panjollë, të pastër dhe të dëlirë.

Në thirrje të ndryshme ku mbaja çelësat e priftërisë si një gjykatës në Izrael, veçanërisht si një peshkop, unë isha dëshmitar i fuqisë pastruese dhe shenjtëruese të Frymës së Shenjtë. Një përvojë, elementët e së cilës përfaqësojnë përvojat e tjera, vërtet qëndron më vete.

Një mëngjes të diele, një i ri në fillimet e të njëzetave erdhi për të më takuar mua, peshkopin e tij. Gjatë javës ai dhe e dashura e tij i kishin lejuar emocionet dhe pasionet e tyre t’i kalonin kufijtë që Zoti kishte vënë. E dëgjova plot lutje. Ne lexuam së bashku shkrime të shenjta, bashkë me fjalët e profetëve të ditëve të mëvonshme. I dhashë atij disa detyra leximi, i vendosa kufizimet e duhura për privilegjet e tij në Kishë, vendosa takime për më vonë dhe u gjunjëzova me të në lutje.

Në secilën intervistë pasuese ai raportoi mbi leximin e tij, veçanërisht nga Libri i Mormonit, dhe ankthi në pamjen dhe sjelljen e tij u zëvendësuan me besimin në Perëndi dhe në Birin e Tij, me shpresën dhe optimizmin, me vendosmërinë dhe me ndryshimin e zemrës së tij. Gradualisht ai u rrit shpirtërisht. Me kalimin e kohës së caktuar, ndërsa u udhëzova nga Shpirti, unë i hoqa kufizimet që i vendosa atij dhe e lejova të merrte sakramentin. Ndërsa qëndroja i ulur në karrige në mbledhjen e sakramentit, hodha vështrimin në të kur në fillim buka dhe uji arritën në rreshtin e tij. Unë dëshmova dritë, paqe dhe falje të shenjtëruar.

Fjalët e Shpëtimtarit drejtuar Jozef Smithit dhe Oliver Kaudrit që pasuan marrjen e sakramentit, erdhën në mendjen time: “Vini re, mëkatet tuaja ju janë falur; ju jeni të pastër përpara meje; si rrjedhim, ngrini kokat tuaja dhe gëzohuni” (DeB 110:5). Sikurse Jozef Smithi dhe Oliver Kaudri, ky djalë i ri mori heqje të mëkateve të tij me anë të zjarrit dhe me anë të Frymës së Shenjtë (shih 2 Nefi 31:17; DeB 19:31).

Jo vetëm ky i ri provoi fuqinë shenjtëruese të Frymës së Shenjtë, kështu mundeni ju edhe unë të provojmë të njëjtin çlirim nga mëkati, Shabat pas Shabati e Shabati.

Misioni 4 – mësuesi. Me gjithçka që mund të thuhet përmes nxënies dhe mësimdhënies, unë e përmbledh thjesht duke thënë se Fryma e Shenjtë është mësuesi i vërtetë. Në 10 vargjet te Doktrina e Besëlidhje 50:13–22, vargjet me numër tek janë pyetje dhe vargjet me numër çift janë përgjigjet e Zotit. Teksa lexoj vargjet 13 dhe 14, ju lutem, vini re dy rolet dhe atë që secili bën:

“Si rrjedhim, unë, Zoti ju bëj këtë pyetje – për çfarë u shuguruat ju?

Për të predikuar ungjillin tim me anë të Shpirtit, madje të Ngushëlluesit, i cili u dërgua për të predikuar të vërtetën.”

Roli i Frymës së Shenjtë është të japë mësim. Ai është mësuesi i vërtetë! Roli im nuk është të pasqyroj materialin ose të mbaroj mësimin; përkundrazi si një mbajtës i priftërisë unë duhet të predikoj, të jap mësim, të shpjegoj, të këshilloj, të paralajmëroj dhe të ftoj me anë të Shpirtit (shih DeB 20:59).

Roli im është të jem një mjet në krijimin e një mjedisi ku Shpirti të bëjë Atë që Ai bën në procesin hyjnor të përshkruar në vargun 22 të seksionit 50: “Si rrjedhim, ai që predikon dhe ai që pranon, e kuptojnë njëri-tjetrin dhe që të dy lartësojnë e gëzohen së bashku”.

Nefi i mbylli shkrimet e tij dhe shprehu pamjaftueshmëritë e tij si dhe kuptimin e tij të saktë për rolin e Frymës së Shenjtë: “Dhe tani unë, Nefi, nuk mund t’i shkruaj të gjitha gjërat që u mësuan mes popullit tim; as nuk jam i fuqishëm në të shkruar si në të folur; pasi kur një njeri flet nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë, fuqia e Frymës së Shenjtë e çon atë në zemrat e fëmijëve të njerëzve” (2 Nefi 33:1).

Vini re parafjalën . Për shkak të lirisë sonë të zgjedhjes, Ai e mban atë [brenda] zemrat tona. Nëse e ftojmë Atë, Ai do ta mbajë atë [brenda] zemrat tona sikurse jepet mësim në librin e Zbulesës: “Ja, unë qëndroj te dera dhe trokas; nëse dikush dëgjon zërin tim dhe të hapë derën, unë do të hyj tek ai dhe do të ha darkë me të dhe ai me mua” (Zbulesa 3:20).

Unë ju dëshmoj se Ai ka role ose misione të tjera të rëndësishme. Ai është Ngushëlluesi. Ai kufizon ose përmban, Ai drejton, Ai paralajmëron dhe Ai qorton. Unë ju ftoj t’i studioni ato vetë. Tani do të flas rreth kushteve për të marrë Frymën e Shenjtë.

Kushtet për të Marrë Frymën e Shenjtë

Kushtet ose kërkesat për të marrë Frymën e Shenjtë janë të thjeshta. Do të përmend vetëm tri: 1) dëshira, që për mua personalisht përfshin lyp, kërko dhe trokit, 2) denjësia dhe 3) vigjilenca – si shpirtërore edhe fizike.

Fjalët dëshiroj, lyp, kërko dhe trokit shpesh gjenden në shkrimet e shenjta së bashku dhe janë thelbësore për të marrë Frymën e Shenjtë dhe dhuratat e Tij të papërshkrueshme. Alma dha mësime se Perëndia u jep “njerëzve sipas dëshirës së tyre” (Alma 29:4).

Unë tërheq vëmendjen tuaj me këto fjalë te Doktrina e Besëlidhje 11, një zbulesë e Zotit për Hajrëm Smithin. Fjala dëshirë dhe format e përafërta me të shfaqen tetë herë. Mbase një nga më të njohurat dhe më të përmendurat është në vargun 21. Ajo bashkon [fjalët] kërko, dëshiron,fjalën dhe Shpirtin – duke përfunduar me [frazën] fuqinë e Perëndisë: “Mos kërko të shpallësh fjalën time, por së pari ta fitosh fjalën time dhe atëherë gjuha jote do të zgjidhet; atëherë, nëse dëshiron, ti do të kesh Shpirtin tim dhe fjalën time, po, fuqinë e Perëndisë për të bindur njerëzit” (theksimi i shtuar).

Tjetër, denjësia. Për të marrë dhuratën e papërshkrueshme të Frymës së Shenjtë, ne duhet të mbajmë urdhërimet. Besoj se ju e dini se cilat ligësi e fyejnë Shpirtin dhe nuk do t’i përmend ato. Një fjali nga bekimi im patriarkal më ka drejtuar: “Xhen, mbaje trupin të lirë nga tundimet dhe të këqijat që ato sjellin. Jeto i pastër dhe i dëlirë sepse Shpirti i Atit tonë Qiellor banon në tabernakuj të pastër. [Ai] nuk banon në tabernakuj të papastër”. Unë zbulova se kjo përkrahet në Librin e Mormonit: “Shpirti i Zotit nuk i ruante më; po, ishte larguar prej tyre, pasi Shpirti i Zotit nuk banon në tempujt jo të shejtë” (Helamani 4:24).

Vigjilenca – fizike dhe shpirtërore. Ne jetojmë në një botë shumë të ngarkuar ku shumë gjëra kërkojnë kohën dhe vëmendjen tonë. Është për këtë arsye që ne nxisim përpikmëri në mbledhje, veçanërisht në mbledhjen e sakramentit, për të dëgjuar muzikën e hapjes, për t’u përgatitur për të pasur Shpirtin dhe për të marrë zbulesë. Ne agjërojmë, ne lutemi, ne meditojmë, ne vizitojmë tempullin dhe ne mësojmë të jemi dëgjues e vëzhgues të mirë.

Presidenti Jozef F. Smith tregon për të qenit vigjilent fizikisht dhe shpirtërisht kur ai mori zbulesën që ne e quajmë vegimi për shëlbimin e të vdekurve, që gjendet te Doktrina e Besëlidhje 138:

“Më tre tetor, në vitin një mijë e nëntëqind e tetëmbëdhjetë, unë u ula në dhomën time, duke përsiatur për shkrimet e shenjta;

dhe duke reflektuar mbi sakrificën e madhe shlyese që u bë nga Biri i Perëndisë, për shëlbimin e botës” (DeB 138:1–2).

E përfytyroj Presidentin Smith të ulur në karrige, mbase një karrige prej druri, në një tavolinë me shkrimet e shenjta përpara tij, së bashku me penën dhe letrën. Ai nuk ishte ulur mbi një divan ose kërrusur në një karrige.

Presidenti Dejvid O. Mek-Kei theksoi rëndësinë e të qenit vigjilent shpirtërisht dhe fizikisht me historinë e birit të Peshkopit Xhon Uells, ish-anëtar i Peshkopatës Kryesuese, djali i të cilit humbi jetën në një aksident hekurudhor. Pak javë pas funeralit, mamaja po pushonte në shtëpi, duke mbajtur zi për vdekjen e tij, vigjilente shpirtërisht dhe fizikisht. Djali iu shfaq asaj dhe i tha se kur ishte në botën e shpirtrave, ai fillimisht u përpoq të shkonte tek i ati por nuk mundi, dhe ai i tha asaj se babai ishte tepër i zënë në zyrë. 4

Në shumë nga mbledhjet e trajnimit të Autoriteteve tona të Përgjithshme, Presidentët e Kishës dhe Apostujt na kanë kujtuar që të mos jemi shumë të zënë duke bërë punën e Zotit saqë të mos arrijmë të marrim mbresa shpirtërore.

Si ta Njohim Drejtimin nga Fryma e Shenjtë

E kam të vështirë të jap mësim se si ta njohim drejtimin, udhëheqjen dhe nxitjet shpirtërore. Përvoja të tilla janë vetjake dhe shpesh të përshtatura me personin dhe kushtet që sapo i përshkrova. Megjithatë, ka disa shembuj që i kam provuar, dhe i kam mësuar nga të tjerët.

Njëra është paqe mendjes tënde. Zoti i mësoi Oliver Kaudrit të shqetësuar një mësim frymëzues kur Ai i kujtoi Oliverit: “A nuk i fola paqe mendjes tënde lidhur me çështjen?” (DeB 6:23). Unë besoj se paqe mendjes është një nga mënyrat më të zakonshme për të njohur drejtimin nga Fryma e Shenjtë. Sinonime të paqes janë: kthjelltësi, qetësi, harmoni dhe heshtje, ndërsa antonimet janë ngatërresë, shqetësim, hutim, ndjenjë faji,dhe mungesë harmonie. Ne shpesh i përdorim fjalët: “Nuk ndihem mirë për këtë” ose “Nuk ndihem rehat”. Ndjenja të tilla gjejnë vend në parimin tjetër: mendja dhe zemra.

“Po, vër re, unë do të të them në mendjen tënde dhe në zemrën tënde, me anë të Frymës së Shenjtë, që do të vijë mbi ty dhe që do të banojë në zemrën tënde.

Tani, vër re, ky është shpirti i zbulesës” (DeB 8:2–3).

Kam mësuar nga Presidenca e Parë dhe nga Kuorumi i Të Dymbëdhjetëve, si dhe nga përvojat e mia vetjake, se zbulesat për mendjen janë shpesh fjalë të veçanta, ide, madje fjali, ndërsa zbulesat për zemrën janë ndjenja të përgjithshme të shoqëruara me paqen. Shembujt nga jeta e Enosit janë udhëzues: Vargjet 3 dhe 9 në historinë e tij përshkruajnë një ndjenjë të përgjithshme me këto fraza: “gëzim[et] … më hynë thellë në zemrën time” dhe “unë fillova të ndieja”. Në vargjet 5 dhe 10 ne gjejmë fjali të plota, secila duke filluar me “erdhi një zë, duke më thënë” dhe “zëri i Zotit erdhi në mendjen time përsëri, duke thënë”.

Ndjenjat e zbuluara të zemrës dhe mendimet në mendjen tonë janë dhënë mësim shkurtimisht në këto fjalë drejtuar Hajrëm Smithit:

“Unë do të të jap nga Shpirti im, që do të ndriçojë mendjen tënde, që do ta mbushë shpirtin tënd me gëzim;

Dhe atëherë ti do të dish, gjithë gjërat, cilatdo që dëshiron prej meje” (DeB 11:13–14).

Një tjetër është studiojeni atë tërësisht në mendjen tuaj. Një shkrim i shenjtë i cituar shpesh rreth dallimit të zbulesës dhe nxitjeve nga Fryma e Shenjtë është Doktrina e Besëlidhje 9:7–9:

“Ti duhet ta studiosh atë tërësisht në mendjen tënde; më pas ti duhet të më pyesësh nëse është e drejtë dhe nëse është e drejtë, unë do të bëj që kraharori yt do të digjet përbrenda; si rrjedhim, do ta ndiesh që është e drejtë.

Por në qoftë se nuk është e drejtë nuk do të kesh ndjenja të tilla, por do të kesh një topitje mendimi” (DeB 9:8–9).

Plaku Dallin H. Ouks me mençuri dha mësim se një njeri mund të ketë “një dëshirë të fortë që të drejtohet me anë të Shpirtit të Zotit por … në mënyrë të pamend bën që ajo dëshirë të tejkalojë kufijtë deri në pikën sa të dëshirojë të drejtohet në të gjitha gjërat. Dëshira për t’u drejtuar nga Zoti është forcë, por ajo duhet të shoqërohet me një kuptueshmëri se Ati ynë Qiellor i lë shumë vendime [që t’i marrim] sipas zgjedhjeve tona vetjake. …

Ne duhet t’i studiojmë gjërat tërësisht në mendjen tonë, duke përdorur fuqitë arsyetuese që Krijuesi ynë ka vendosur brenda nesh. Më pas ne duhet të lutemi për udhëheqje dhe nëse e marrim [drejtimin] të veprojmë sipas tij. Nëse nuk marrim drejtim, ne duhet të veprojmë sipas gjykimit tonë më të mirë. Njerëzit të cilët ngulmojnë të kërkojnë drejtim zbulese mbi çështje për të cilat Zoti nuk ka zgjedhur të na drejtojë, mund të krijojnë një përgjigje nga fantazia ose paragjykimi i tyre, apo madje mund të marrin një përgjigje përmes mjetit të zbulesës së rreme.” 5

Presidenti Bojd K. Paker në mënyrë të mençur na ka dhënë mësim: “Ju nuk mund t’i impononi gjërat shpirtërore. Fjalë të tilla si: detyrim, shtrëngim, ndrydhje, presion, kërkesë nuk përshkruajnë privilegjet tona me Shpirtin. Ju nuk mund ta detyroni Shpirtin të përgjigjet, sikurse nuk mund ta detyroni një fasule të mbijë, ose një vezë të çelë zogj para se t’i vijë koha. Ju mund të krijoni një mjedis për të nxitur rritje, zhvillim dhe mbrojtje; por ju nuk mund ta impononi ose ta detyroni: ju duhet ta prisni rritjen.” 6

“Kraharori yt do të digjet përbrenda”, fraza nga Doktrina e Besëlidhje seksioni 9. Në lidhje me këtë djegie të kraharorit, si një president i kthyer misioni u thirra për të shërbyer në një komitet me presidentë të tjerë të kthyer misioni, për të zbuluar mënyra për të përmirësuar predikimin. U dha një sugjerim për të ndihmuar misionarët që të përjetonin dhe të njihnin djegien e kraharorit siç jepet mësim te Doktrina e Besëlidhje 9:7–9. Kryetari i komitetit, anëtar i Kuorumit të Parë të Të Shtatëdhjetëve dhe ish-president misioni, tregoi një përvojë që kishte pasur me një anëtar të Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve, i cili vizitoi misionin e tij. Gjatë vizitës, ky president i mrekullueshëm misioni dha mësim për rëndësinë e këtyre tri vargjeve.

Pas mbledhjes dhe gjatë udhëtimit me makinë për te mbledhja e radhës, anëtari i Të Dymbëdhjetëve vuri në dukje se gjatë viteve të tij të përvojës ai kishte gjetur anëtarë që nuk kishin arritur të kërkonin zbulesë përmes djegies së kraharorit, edhe pas shumë agjërimesh dhe lutjesh. Ata nuk e kishin kuptuar se djegia e kraharorit nuk shfaqet si nxehje fizike, por madje si një rritje e ndjenjës – paqe e mendjes dhe ndjenja të zemrës të përmendura më parë.

Shumë njerëz mund ta lidhin veten me të kthyerit në besim në Librin e Mormonit, të cilët “u pagëzuan me zjarr dhe me Frymën e Shenjtë dhe ata nuk e dinin” (3 Nefi 9:20).

Një një zbulesë dhënë Hajrëm Smithit, ne zbulojmë katër mënyra për të dalluar se si Shpirti na drejton: “Vëre besimin tënd në atë Shpirt që drejton [1] për të bërë mirë – po, [2] për të bërë të drejtën, [3] për të ecur me përulësi, [dhe 4] për të gjykuar me drejtësi; dhe ky është Shpirti im” (DeB 11:12).

Presidenti Gordon B. Hinkli tha: “Si mund t’i njohim gjërat e Shpirtit? Si mund ta dimë se është nga Perëndia? Përmes fryteve të saj. Nëse ju drejton për te rritja dhe zhvillimi, nëse ju drejton për te besimi dhe dëshmia, nëse ju drejton për te një mënyrë më e mirë për t’i bërë gjërat; nëse ju drejton për te perëndishmëria, atëherë është nga Perëndia. Nëse na shkatërron, nëse na çon në errësirë, nëse na ngatërron dhe na shqetëson, nëse na drejton për te mungesa e besimit, atëherë është prej djallit.” 7

Një tjetër: Një çështje mund të pushtojë mendjen ose në mënyrë të vazhdueshme të na rëndojë. Kjo e vërtetë nga letra e Jozef Smithit mbi pagëzimin për të vdekurit është një tjetër mënyrë se si flet Shpirti: “Kjo çështje e ka pushtuar mendjen time dhe ndikon në ndjenjat e mia tepër fuqimisht” (DeB 128:1). Të pasurit e mbresave që vazhdojnë derisa ne veprojmë, janë të vërteta dhe të shenjta.

Ndërsa kryesoja në Misionin e Kalit në Kolumbi, po studioja shkrimet e shenjta vonë në mbrëmje, pas orës 22:00. Në mendje më erdhi një mendim për t’i telefonuar një misionari. Kohët e fundit e kisha intervistuar dhe e dija se ai kishte disa sfida, dhe e injorova mendimin. Mbresa më erdhi përsëri dhe duke përdorur të njëjtin arsyetim, unë përsëri e injorova. Ajo erdhi të tretën herë dhe përfundimisht e kuptova se për çfarë ishte mbresa dhe i telefonova atij. Shoku i tij i misionit ishte në shtrat dhe u përgjigj. I kërkova që të flisja me misionarin për të cilin pata mbresën që t’i telefonoja. Ai tha se nuk ishte në shtratin e tij.

“Ule telefonin dhe gjeje atë”, i thashë.

Ai u gjend matanë oborrit duke i folur një vajze të re që sapo ishte shpërngulur aty. Misionarët shkuan në një apartament tjetër të nesërmen.

Për ta mbyllur, po citoj një përvojë kuptimplote dhe një këshillë të mençur nga Presidenti Uillford Udraf. Në udhëtimet e tij ai raportoi se Jozef Smithi, Brigam Jangu dhe udhëheqës të tjerë të hershëm të Kishës iu shfaqën atij. Në një rast Brigam Jangu (i cili kishte vdekur 3 tri vjet më parë) iu shfaq atij: “Kur mbërritëm në vendndodhjen tonë, … unë e pyeta Presidentin Jang nëse ai do të na predikonte. Ai tha: ‘Jo, e kam përfunduar dëshminë time në mish. Nuk do t’u flas më njerëzve.’ ‘Por’, tha ai, ‘kam ardhur të të shoh ty; kam ardhur të kujdesem për ty, dhe të shoh se çfarë janë duke bërë njerëzit.’ Më pas, ai tha: ‘Unë dua që ti t’u japësh mësim njerëzve – dhe dëshiroj që ta ndjekësh vetë këtë këshillë – se ata duhet të punojnë dhe po ashtu të jetojnë në mënyrë të tillë që të mund të jenë të aftë të marrin Shpirtin e Shenjtë, sepse pa këtë nuk mund ta ndërtoni mbretërinë; pa Shpirtin e Perëndisë ju jeni në rrezikun e ecjes në errësirë dhe rrezikun e dështimit për të përmbushur thirrjen tuaj si apostuj dhe pleq të kishës dhe mbretërisë së Perëndisë ’”8.

Unë lutem përulësisht që ju do të dëshironi me më shumë zell që të jeni të denjë për dhuratën e papërshkrueshme të Frymës së Shenjtë, që ju të mund të rriteni në aftësinë për të njohur nxitjet e Tij, që ju të “mund të jeni të qetë dhe [të njihni]” (DeB 101:16) Atin dhe Birin përmes Frymës së Shenjtë dhe se ju do të shprehni mirënjohje për Të dhe udhëheqjen e Tij, pasi të shprehurit e mirënjohjes fton më shumë prej Shpirtit.

Përmes dhuratës së papërshkrueshme të Frymës së Shenjtë, unë e di se Jozef Smithi është profeti i Rivendosjes dhe se Libri i Mormonit është gurthemeli i besimit tonë. E di se Ati dhe Biri jetojnë. Ata janë të vërtetë. Fryma e Shenjtë dëshmon për gjithë të vërtetat. Ai na shenjtëron dhe Ai na jep mësim. Ne sot jemi drejtuar nga profetë, shikues dhe zbulues të gjallë, apostuj të vërtetë të Zotit Jezu Krisht. Këta 15 burra udhëhiqen nga dhurata e papërshkrueshme e Frymës së Shenjtë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Manuscript History of Brigham Young, 1846–1847, përmb. Elden J. Watson (1971), f. 529–530.

  2. Brigham Young, Deseret News, 9 shkurt 1854, f. 4.

  3. Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Ungjill”, f. 199, scriptures.lds.org.

  4. Shih David O. McKay, Gospel Ideals (1953), f. 525–526.

  5. Dallin H. Oaks, “Our Strengths Can Become Our Downfall”, Ensign, tetor 1994, f. 13–14.

  6. Boyd K. Packer, “The Candle of the Lord”, Ensign, janar 1983, f. 53.

  7. Gordon B. Hinckley, “Inspirational Thoughts”, Ensign, korrik 1998, f. 5.

  8. Wilford Woodruff, në Teachings of Presidents of the Church: Wilford Woodruff (2004) f. 46.