Takime Shpirtërore për Krishtlindje
Lavdi Perëndisë


Lavdi Perëndisë

Gëzuar Krishtlindjen, vëllezërit e motrat e mia të dashura! Unë i shpreh mirënjohje Presidencës së Parë për këtë mundësi të veçantë që të ndaj ndjenjat e mia rreth stinës së shenjtë të Krishtlindjes dhe lindjes së Zotit e Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit.

Nuk lodhem kurrë me mesazhet e Krishtlindjes, që filluan me lindjen e foshnjës Jezus në Bethlehem të Judesë.

Isaia foli për ngjarjen më shumë se 700 vite më parë: “Ja, e virgjëra do të mbetet me barrë dhe do të lindë një fëmijë të cilin do ta quajë Emanuel”1.

Mbreti Beniamin profetizoi: “Ai do të quhet Jezu Krisht, Biri i Perëndisë, Ati i qiellit dhe i tokës, Krijuesi i të gjitha gjërave nga fillimi; dhe nëna e tij do të quhet Maria”2.

Profeti Nefi dëgjoi një zë duke thënë: “Nesër unë do të vij në këtë botë”3.

Ditën pasuese, përtej oqeaneve, fëmija Jezus u lind. Pa dyshim e ëma, Maria, e vështroi e mrekulluar djalin e saj të porsalindur, të Vetëmlindurin e Atit në mish.

Në kodrat e Judesë përreth Bethlehemit, Lluka na tregon se barinjtë po rrinin jashtë në fushat e tyre.4 Ata nuk qenë barinj të zakonshëm, por “njerëz të drejtë dhe të shenjtë”, të cilët do të jepnin dëshmi për fëmijën Krisht.5

“Dhe ja, një engjëll i Zotit iu paraqit atyre dhe lavdia e Zotit shkëlqeu rreth tyre e ata i zuri një frikë e madhe.

Por engjëlli u tha atyre: ‘Mos druani, sepse unë po ju lajmëroj një gëzim të madh për të gjithë popullin;

sepse sot në qytetin e Davidit lindi për ju një Shpëtimtar, që është Krishti, Zoti. …

Dhe menjëherë engjëllit iu bashkua një shumicë e ushtrisë qiellore, që lëvdonte Perëndinë, duke thënë:

‘Lavdi Perëndisë në vendet më të larta, dhe paqe mbi tokë njerëzve mbi të cilët qëndron mirëdashja e tij!’”6

Përfytyrojeni atë skenë në Jude - qielli i mbushur me shkëlqimin e një ylli madhështor dhe koret nga qielli duke shënjuar këtë ngjarje të pazakontë. Më pas barinjtë shkuan “me nxitim”7 për të parë foshnjën e shtrirë në një grazhd. Dhe më vonë “përhapën”8 atë që kishin parë.

Çdo vit për Krishtlindje ne i shtojmë dëshminë tonë dëshmisë së barinjve, se Jezu Krishti, Biri i vërtetë i Perëndisë së gjallë, erdhi në një skaj të tokës, në atë që ne e quajmë Toka e Shenjtë.

Barinjtë iu afruan me nderim grazhdit për të adhuruar Mbretin e mbretërve. Si do ta adhurojmë ne Atë në këtë stinë? Duke bërë pazare pafund? Duke u ngutur dhe duke stolisur shtëpitë tona? A do jetë ky nderimi ynë për Shpëtimtarin tonë? Ose, a do t’u sjellim paqe zemrave të trazuara, mirëdashje njerëzve në nevojë për qëllim më të lartë, lavdi Perëndisë me gatishmërinë tonë për të përmbushur urdhrin e Tij? Jezusi e tha thjeshtë: “Eja e më ndiq”9.

Ungjilli i Jezu Krishtit, i rivendosur nëpërmjet Profetit Jozef Smith, ka pasur një ndikim pozitiv te besimtarët anekënd botës. E kam dëshmuar vetë entuziazmin e atyre që kanë përqafuar fjalën e Tij të shenjtë nga ishujt e detit deri te kombi i madh i Rusisë.

Disa prej paraardhësve tanë ishin midis shenjtorëve të hershëm që u mblodhën në Sion. Një grua, Hana Last Kornabi, qëndroi në Spenish Fork të Jutës. Në ato kohë të vështira Krishtlindja ndonjëherë festohej me një portokall të çmuar apo një lodër të gdhendur, ose ndoshta vetëm me një kukull prej lecke - por jo gjithnjë. Hana shkroi për 25 dhjetorin e vitit 1856:

“Pragu i Krishtlindjes erdhi dhe fëmijët e mi të dashur, me besim fëminor, varën çorapet e tyre, duke pyetur veten nëse [ato] do të mbush[eshin]. Me zemër të copëtuar, që e mbaja të fshehur prej tyre, i sigurova se nuk do të liheshin në harresë; dhe ata ranë për të fjetur duke e pritur mëngjesin plot gëzim.

Duke mos pasur asnjë grimcë sheqeri, nuk dija se çfarë të bëja. Ata, megjithatë, nuk duhet të zhgënjeheshin. Atëherë mendova për disa kunguj që i kisha në shtëpi të cilët i zjeva dhe më pas i kullova lëngun, që, pasi i lashë të merrnin një valë për disa orë, bënë një shurup të ëmbël. Me këtë, dhe pak erëza, bëra brumë për kek me xhenxhefil, që, kur e preva në çdo lloj forme që mund të mendohet, dhe i poqa në një tigan, (sepse nuk kisha sobë) mbusha çorapet e tyre dhe i kënaqa ata ashtu siç do të bënte ëmbëlsira më e dëshiruar.”10

Midis linjave të kësaj historie është rrëfimi i një nëne që punon përgjatë natës madje pa një sobë që t’ia lehtësonte përpjekjet. Sidoqoftë ajo u zotua që t’u sillte gëzim fëmijëve të saj, të forconte besimin e tyre, të pohonte në shtëpinë e tyre: “Gëzuar festën! Gjithçka është mirë!”11 A nuk është ky mesazhi i Krishtlindjes?

Presidenti Monson jep mësim: “Mundësitë tona për të dhënë nga vetja janë me të vërtetë pa fund, por ato gjithashtu humbasin. Ka zemra për t’u dhënë gëzim. Ka fjalë të dashura për t’u thënë. Ka dhurata për t’u dhënë.”12

Kurdoherë që veprojmë bashkë me Zotin - duke përmbushur urdhrin e Tij, duke lartësuar ata përreth nesh - ne po japim dëshmi se Ai jeton dhe se Ai na do, pavarësisht nga sfidat tona të përkohshme.

Një tjetër shpirt i madh në historinë e Kishës është skocezi i kthyer në besim Xhon Menzis Makfarlein. Ai u bashkua me Kishën me nënën e tij të ve dhe të vëllanë, dhe të tre udhëtuan për në Solt-Lejk në vitin 1852. Ai ishte 18 vjeç. Përgjatë viteve, ai u bë topograf, ndërtues, madje një gjykatës rrethi, por ishte muzika e tij që e veçonte atë.

Ai organizoi korin e tij të parë në Sidër-Siti dhe shkoi me ansamblin e tij rreth Jutës jugore. Pas një interpretimi në Seint-Xhorxh, Plaku Erastus Snou, një Apostull dhe udhëheqës i grupit, e nxiti atë të shpërngulej në komunitetin jugor të Jutës dhe të merrte me vete familjen dhe muzikën.

Në vitin 1869 kohët ishin shumë të vështira, dhe Plaku Snou i kërkoi vëllait Makfarlein të vinte në skenë një program për Krishtlindjen që do të lartësonte shpirtrat e njerëzve. Vëllai Makfarlein donte një pjesë muzikore të re dhe tërheqëse për ngjarjen. Pavarësisht se sa shumë u përpoq të kompozonte, nuk i erdhi asnjë ide. Ai u lut herë pas here për frymëzim. Më pas, një natë, ai zgjoi bashkëshorten dhe thirri: “Kam tekstin për një këngë dhe mendoj se kam edhe muzikën”. Ai nxitoi për te tastiera e organos së tyre të vogël në sallën e pritjes dhe luajti melodinë, duke e hedhur në letër ndërsa e shoqja mbante para tij dritën që regëtonte nga një copë fanellatë që pluskonte në një enë me yndyrë. Fjalët dhe muzika rrodhën kështu:

Larg, larg atje n’fushat e Judes,

barinjt’ dëgjuan tingujt e shenjt’:

Per’ndis’ lavdi,

Per’ndis’ lavdi,

Per’ndis’ lavdi lart në qiell;

Paqe n’tok’, njer’zve mir’si.

Paqe n’tok’, njer’zve mir’si!13

Vëllai Makfarlein nuk kishte qenë asnjëherë në Jude për të parë që fushat ishin më shumë si shpate kodre shkëmbore, por mesazhi i frymëzuar i muzikës së tij iu derdh nga shpirti si një dëshmi për lindjen e Shpëtimtarit në Bethlehem të Judesë, një fillim që do ta ndryshonte botën përgjithmonë.14

Unë jap dëshminë time se Ati ynë i Amshuar jeton. Plani i Tij i lumturisë e bekon thellësisht jetën e secilit prej fëmijëve të Tij në të gjithë brezat. Unë e di se Biri i Tij i Dashur, Jezu Krishti, foshnja i lindur në Bethlehem, është Shpëtimtari dhe Shëlbuesi i botës dhe se Presidenti i dashur Tomas S. Monson është profeti i Tij në tokë sot. Këto fjalë lavdërimi flasin të vërtetën në veshët e mi: “Per’ndis’ lavdi lart në qiell; Paqe n’tok’, njer’zve mir’si”.15

Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Isaia 7:14.

  2. Mosia 3:8.

  3. 3 Nefi 1:13.

  4. Shih Lluka 2:8.

  5. Shih Alma 13:26.

  6. Lluka 2:9--11, 13--14.

  7. Lluka 2:16.

  8. Lluka 2:17.

  9. Lluka 18:22.

  10. Hannah Last Cornaby, 25 dhjetor 1856, Spenish Fork, Juta.

  11. “Eni Shenjtorë”, Himne dhe Këngë të Fëmijëve, f. 2.

  12. Thomas S. Monson, “The Gifts of Christmas”, Ensign, dhjetor 2003, f. 2.

  13. “Larg, Larg Atje n’Fushat e Judes”, Himne dhe Këngë të Fëmijëve, f. 52.

  14. Shih Karen Lynn Davidson, Our Latter-Day Hymns: The Stories and the Messages (1988), f. 224.

  15. Hymns, nr. 212.