2000–2009
Two Principles for Any Economy
Tetor 2009


Dy Parime për Cilëndo Ekonomi

Pikërisht në sprovat e fatkeqësisë ne mësojmë mësimet më vendimtare që formojnë karakterin tonë dhe i japin formë fatit tonë.

Pamja
President Dieter F. Uchtdorf

Në udhëtimet tona duke vizituar anëtarët e Kishës në mbarë botën dhe me anë të kanaleve të krijuara të priftërisë, ne marrim reagime direkte mbi gjendjen dhe sfidat e anëtarëve tanë. Për vite shumë prej anëtarëve tanë janë ndikuar nga katastrofa mbarë botërore, si natyrore edhe të krijuara nga njeriu. Ne gjithashtu e kuptojmë se familjeve u është dashur të shtrëngojnë rripin dhe janë të shqetësuara për përballimin e këtyre kohëve sfiduese.

Vëllezër, ne ndihemi shumë pranë jush. Ne ju duam dhe lutemi gjithmonë për ju. Kam parë mjaft ulje-ngritje gjatë jetës sime saqë ta di që dimri sigurisht do t’i hapë rrugë ngrohtësisë dhe shpresës së një pranvere të re. Unë jam optimist për të ardhmen. Vëllezër, nga ana jonë, duhet të mbetemi të palëkundur në shpresë, të punojmë me gjithë forcën tonë dhe të kemi besim tek Perëndia.

Kohët e fundit kam menduar për një periudhë të jetës sime kur pesha e merakut dhe shqetësimit për një të ardhme të pasigurt dukej kurdoherë e pranishme. Isha 11 vjeç dhe jetoja me familjen time në papafingon e një shtëpie fshati pranë Frankfurtit, në Gjermani. Ishim refugjatë, për herë të dytë në një periudhë prej vetëm disa vitesh, dhe po mundoheshim të stabilizoheshim në një vend të ri, mjaft larg shtëpisë sonë të mëparshme. Do të mund të thoshja se ishim të varfër, por kjo do të ishte e zvogëluar. Të gjithë ne flinim në një dhomë që ishte kaq e vogël saqë thuajse s’kishte vend për të ecur rreth shtretërve. Në dhomën tjetër të vogël, kishim disa orendi të thjeshta dhe një sobë që e përdorte Nëna për të gatuar ushqimet. Për të shkuar nga një dhomë tek tjetra, na duhej të kalonim në një vend magazinimi, ku fermeri mbante pajisjet dhe veglat e tij, bashkë me mishra e sallamra të ndryshëm, që vareshin nga trarët. Aroma gjithmonë më hapte shumë oreksin. Nuk kishim tualet [brenda] por kishim një banjë – poshtë shkallëve rreth 15 metra më tej, që dukej shumë më larg në dimër.

Meqë isha refugjat dhe për shkak të theksit tim gjermano-lindor, fëmijët e tjerë shpesh talleshin me mua dhe më vinin nofka, gjë që më lëndonte thellësisht. Nga gjithë periudhat e rinisë sime besoj se kjo mund të ketë qenë më shkurajuesja.

Tani, dekada më vonë, mund t’i kujtoj ato ditë përmes filtrit zbutës të përvojës. Edhe pse ende e kujtoj lëndimin dhe dëshpërimin, mund të kuptoj tani atë që nuk qeshë në gjendje ta kuptoja atëherë: kjo qe një periudhë rritjeje të madhe vetjake. Gjatë kësaj kohe, familja jonë u lidh së bashku. Unë i vështrova dhe mësova nga prindërit e mi. Unë admirova vendosmërinë dhe optimizmin e tyre. Prej tyre mësova se vështirësia, kur përballohej me besim, kurajë dhe këmbëngulje, mund të kapërcehej.

Duke e ditur se disa nga ju po përjetoni periudhat tuaja të ankthit e dëshpërimit, dëshiroja të flisja sot mbi dy parime të rëndësishme që më mbështetën mua përmes kësaj periudhe formuese të jetës sime.

Parimi i Parë: Puna

Deri më sot, më ka lënë mbresë të thellë mënyra se si punoi familja ime pasi kishte humbur gjithçka në vijim të Luftës II Botërore. Më kujtohet babai im – punonjës civil nga arsimi dhe përvoja – që mori përsipër disa punë të vështira, mes të cilave qe minator qymyri, minator urani, mekanik dhe shofer kamioni. Ai largohej herët në mëngjes dhe shpesh kthehej natën vonë për të mbajtur familjen tonë. Nëna ime hapi një lavanderi dhe punoi për orë të panumërta duke bërë punë pastrimi. Ajo na mori mua dhe motrën time në biznesin e saj. Me biçikletën time unë u bëra shërbimi i grumbullimit dhe i shpërndarjes. Të vinte mirë që ishe në gjendje të ndihmoje familjen sadopak dhe, edhe pse nuk e dija këtë në atë kohë, puna fizike doli të ishte edhe një bekim për shëndetin tim.

Nuk qe e lehtë, por puna nuk na lejoi të mendonim tepër për vështirësitë e rrethanave tona. Edhe pse gjendja jonë nuk ndryshoi brenda natës, ajo vërtet ndryshoi. Kështu qëndrojnë gjërat për punën. Nëse ne thjesht kapemi tek ajo – vazhdueshëm dhe pandryshueshëm – gjërat sigurisht që do të përmirësohen.

Sa i admiroj burrat, gratë dhe fëmijët që dinë si të punojnë! Sa shumë e do Zoti punëtorin! Ai tha: “do të hash bukën me djersën e ballit”1 dhe “punëtori është i denjë për shpërblimin e tij”2. Ai dha gjithashtu një premtim: “Shtyje drapërin tënd me gjithë shpirtin tënd dhe mëkatet e tua të janë falur.”3 Ata që nuk kanë frikë të përveshin mëngët dhe të harrojnë veten në ndjekje të objektivave të vlefshëm, janë një bekim për familjet, komunitetet, kombet e tyre dhe për Kishën.

Zoti nuk pret që të punojmë më shumë nga sa jemi në gjendje. Ai nuk i krahason përpjekjet tona me ato të të tjerëve (as ne nuk duhet). Ati ynë Qiellor kërkon vetëm që ne të bëjmë më të mirën që mundemi – që ne të punojmë sipas gjithë aftësisë sonë, sado e madhe apo e vogël qoftë ajo.

Puna është një kundërhelm për shqetësimin, një melhem për hidhërimin dhe një portë drejt mundësisë. Cilatdo qofshin rrethanat tona në jetë, vëllezërit e mi të dashur, le të bëjmë më të mirën që mundemi dhe të forcojmë një nam për cilësi të shkëlqyera në çfarëdo që bëjmë. Le t’i kthejmë mendjet dhe trupat tanë tek mundësia e lavdishme për punë që paraqet çdo ditë e re.

Kur karroja jonë ngec në baltë, Perëndia ka shumë më tepër gjasa të ndihmojë burrin që del jashtë për ta shtyrë sesa burrin që thjesht ngre zërin e tij në lutje – pavarësisht sa me gojëtari të jetë fjalimi. Presidenti Tomas S. Monson e tha kështu: “Nuk mjafton të dëshirosh të bësh përpjekje dhe të thuash ne do ta bëjmë përpjekjen… . Qëllimet tona i përmbushim duke bërë, jo thjesht duke menduar. Nëse i shtyjmë vazhdimisht për më vonë qëllimet tona, asnjëherë nuk do t’i shohim të plotësuara.”4

Puna mund të jetë fisnikëruese dhe përmbushëse, por kujtoni paralajmërimin e Jakobit që të “mos shpenzoni … punën tuaj për atë që nuk mund të japë kënaqësi”5. Nëse i kushtohemi kërkimit për pasuri të botës dhe për shkëlqimin e famës publike në kurriz të familjeve tona dhe rritjes sonë shpirtërore, do ta zbulojmë mjaft shpejt se kemi bërë një pazar të keq. Puna e drejtë që bëjmë brenda mureve të shtëpive tona është më e shenjta; përfitimet e saj kanë natyrë të përjetshme. Ajo nuk mund të delegohet. Ajo është themeli i punës sonë si mbajtës të priftërisë.

Kujtoni, ne jemi vetëm udhëtarë të përkohshëm në këtë botë. Le të mos ia kushtojmë talentet dhe energjitë tona të dhëna nga Perëndia vetëm grumbullimit të pasurive dhe ndereve tokësore por, përkundrazi, le t’i harxhojmë ditët tona duke përparuar shpirtërisht. Sepse, si bij të Perëndisë Më Të Lartë, ne u krijuam që të ngjitemi në horizonte të reja.

Tani, një fjalë për ne vëllezërit më në moshë: dalja në pension nuk është pjesë e planit të Zotit të lumturisë. Nuk ka program daljeje në pension apo pushimi shabati nga përgjegjësitë e priftërisë – pavarësisht nga mosha apo aftësia fizike. Ndërkohë që fraza “kam qenë, e kam bërë” mund të funksionojë si një shfajësim për të shmangur skejtbordin, për të mos pranuar një ftesë për një udhëtim me motoçikletë, apo për të anashkaluar ushqimin pikant në restorant, ajo nuk është një shfajësim i pranueshëm për të shmangur përgjegjësitë e besëlidhjes që t’ia kushtojmë kohën, talentet dhe burimet tona punës për mbretërinë e Perëndisë.

Mund të ketë nga ata që, pas shumë vitesh shërbimi në Kishë, besojnë se kanë të drejtën për një periudhë pushimi ndërkohë që të tjerët mbajnë peshën. Për ta thënë zbutur, vëllezër, ky lloj të menduari është i padenjë për një dishepull të Krishtit. Një pjesë e madhe e punës sonë në këtë tokë është të durojmë – plot gëzim deri në fund – çdo ditë të jetës sonë.

Tani, një fjalë gjithashtu për vëllezërit tanë më të rinj të Priftërisë Melkizedeke, që po ndjekin objektivat e drejtë për të siguruar një arsimim dhe për të gjetur një bashkëshorte të përjetshme. Këto janë objektivat e sakta, vëllezërit e mi, por kujtoni: puna me zell në vreshtin e Zotit do t’i rrisë shumë mundësitë tuaja dhe do ta shtojë mundësinë tuaj për sukses në të dyja këto përpjekje të denja.

Qoftë nëse jeni dhjaku më i ri apo prifti i lartë më i moshuar, ka punë për të bërë!

Parimi i Dytë: Mësoni

Gjatë kushteve të vështira ekonomike të Gjermanisë së pasluftës, mundësitë për arsimim nuk qenë aq të bollshme sa janë sot. Por me gjithë mundësitë e kufizuara, gjithmonë kam ndier etje për të mësuar. Më kujtohet një ditë, kur kisha dalë me biçikletën time për të shpërndarë rrobat e pastruara, hyra në shtëpinë e një shokut tim të klasës. Në një nga dhomat, dy tavolina të vogla mbështeteshin tek muri. Çfarë pamje e mrekullueshme qe ajo! Sa me fat ishin ata fëmijë që kishin tavolinat e tyre për vete! Mund t’i përfytyroja të ulur me libra të hapur duke studiuar mësimet e duke bërë detyrat e tyre të shtëpisë. Mua më dukej se të kisha një tavolinë timen do të ishte gjëja më e mrekullueshme në botë.

M’u desh të prisja shumë kohë përpara se të plotësohej ajo dëshirë. Vite më vonë, zura punë në një institut kërkimor që kishte një bibliotekë të madhe. Më kujtohet që e kaloja shumicën e kohës sime të lirë në atë bibliotekë. Atje më së fundi mund të ulesha në një tavolinë – vetëm – dhe të përpija informacionin dhe dijen që japin librat. Sa shumë më pëlqente të lexoja e të mësoja! Në ato kohë kuptova drejtpërsëdrejti fjalët e një thënieje të vjetër: Arsimimi nuk është aq shumë mbushja e një kove sesa ndezja e një zjarri.

Për anëtarët e Kishës, arsimimi nuk është thjesht një ide e mirë – ai është një urdhërim. Ne duhet të mësojmë “për gjërat si në qiell, edhe në tokë dhe nën tokë; gjërat që kanë qenë, gjërat që janë, gjërat që duhet të ndodhin së shpejti, gjërat që janë në vendin tuaj, gjërat që janë jashtë”6.

Jozef Smithit i pëlqente të mësonte edhe pse pati pak mundësi për arsimim zyrtar. Në ditarët e tij ai foli me gëzim për ditët e kaluara me studim dhe shpesh e shprehu dashurinë e tij për mësimin7.

Jozefi u mësoi shenjtorëve se njohuria ishte një pjesë e domosdoshme e udhëtimit tonë në vdekshmëri, sepse “një njeri nuk shpëtohet më përpara sesa [të fitojë] njohuri”8 dhe se “çfarëdo parimi inteligjence që fitojmë në këtë jetë, do të ngrihet me ne në ringjallje”9. Në kohë sfiduese, është edhe më e rëndësishme që të mësojmë. Profeti Jozef na mësoi, “njohuria e çon tutje errësirën, [ankthin] dhe dyshimin; sepse këto nuk mund të ekzistojnë atje ku ka njohuri”10.

Vëllezër, keni detyrë të mësoni sa më shumë që të mundeni. Ju lutem nxitini familjet tuaja, anëtarët e kuorumit tuaj, gjithkënd, që të mësojë e të arsimohet më mirë. Nëse nuk është i disponueshëm arsimi zyrtar, mos e lejoni këtë t’ju pengojë që të fitoni gjithë njohurinë që të mundeni. Në rrethana të tilla, librat më të mirë, në një farë kuptimi, mund të bëhen “universiteti” juaj – një klasë që është gjithmonë e hapur dhe i pranon të gjithë ata që aplikojnë. Përpiquni fort ta shtoni njohurinë tuaj për gjithçka “të virtytshme, të dashur ose me famë të mirë apo të denjë për t’u lavdëruar”11. Kërkoni njohuri “me anë të studimit dhe gjithashtu me anë të besimit”12. Kërkoni me shpirt të përulur dhe zemër të penduar13. Kur ta zbatoni përmasën shpirtërore të besimit për studimin tuaj – edhe për gjëra materiale – ju mund ta zgjeroni aftësinë tuaj intelektuale, sepse “nëse syri juaj drejtohet te lavdia [e Perëndisë], tërë [trupi juaj] do të mbushe[t] me dritë dhe … kupton gjithçka”14.

Në mësimin tonë, le të mos shpërfillim burimin e zbulesës. Shkrimet e shenjta dhe fjalët e apostujve dhe profetëve të ditëve moderne janë burime diturie, njohurie hyjnore dhe zbulese vetjake për të na ndihmuar të gjejmë përgjigje për gjithë sfidat në jetë. Le të mësojmë nga Krishti; le ta kërkojmë atë njohuri që udhëheq drejt paqes, së vërtetës dhe mistereve madhështore të përjetësisë.15

Përfundim

Vëllezër, mendoj përsëri për atë djalë 11-vjeçar në Frankfurt të Gjermanisë, që shqetësohej për të ardhmen e tij dhe ndjeu dhimbjen e qëndrueshme të fjalëve të ashpra. E kujtoj atë kohë me një lloj dhembshurie të trishtë. Ndërkohë që nuk do të kisha dëshirë t’i jetoja sërish ato ditë sprovash dhe telashesh, kam fare pak dyshim që mësimet që mësova qenë një përgatitje e domosdoshme për mundësi të ardhshme. Tani, shumë vite më pas, e di këtë me siguri: shpesh, pikërisht në sprovat e fatkeqësisë ne mësojmë mësimet më vendimtare që formojnë karakterin tonë dhe i japin formë fatit tonë.

Unë lutem që gjatë muajve dhe viteve pasues ne të mund të mbushim orët dhe ditët tona me punë të drejtë. Unë lutem që ne të kërkojmë të mësojmë e të përmirësojmë mendjet e zemrat tona duke pirë thellësisht nga burimet e kthjellta të së vërtetës. Unë ju lë juve dashurinë dhe bekimet e mia, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

SHËNIME

  1. Zanafilla 3:19.

  2. DeB 84:79.

  3. DeB 31:5.

  4. Tomas S. Monson, “Një Priftëri Mbretërore”, Liahona, nëntor 2007, f. 59.

  5. 2 Nephi 9:51.

  6. Shih DeB 88:79–80.

  7. Shih Journals, Volume 1: 1832–1839, vëll. 1 i serisë së Ditareve të The Joseph Smith Papers, red. Dean C. Jessee, Ronald K. Esplin dhe Richard Lyman Bushman (2008), f. 84, 135, 164.

  8. Joseph Smith, në History of the Church, 4:588.

  9. Shih DeB 130:18–19.

  10. Joseph Smith, në History of the Church, 5:340.

  11. Nenet e Besimit 1:13.

  12. DeB 109:7.

  13. Shih DeB 136:33.

  14. DeB 88:67.

  15. Shih DeB 42:61.