2010–2019
Dashuria Nuk Ligshtohet Kurrë
Tetor 2010


Dashuria Nuk Ligështohet Kurrë

Në vend që të jemi gjykues dhe kritikë për njëri-tjetrin, le të kemi dashurinë e pastër të Krishtit për bashkudhëtarët tanë në këtë udhëtim përmes jetës.

Shpirtrat tanë janë gëzuar sonte dhe janë drejtuar drejt qiellit. Ne jemi bekuar me muzikë të mrekullueshme dhe mesazhe të frymëzuara. Shpirti i Zotit është këtu. Unë lutem për frymëzimin e Tij që të jetë me ne tani, ndërsa po ndaj me ju disa prej mendimeve dhe ndjenjave të mia.

Unë po filloj me një anekdotë e cila ilustron një gjë që do të doja të paraqisja.

Një çift i ri, Lisa dhe Xhoni, u transferuan në një lagje të re. Një mëngjes ndërsa po hanin mëngjes, Lisa pa nga dritarja dhe vështroi fqinjën përbri që po varte rrobat e saja të lara.

“Këto rroba nuk janë të pastra!” thirri Lisa. “Fqinja jonë nuk di si t’i lajë rrobat!”

Xhoni vështroi por qëndroi i heshtur.

Sa herë që fqinja do të varte rrobat e saja të lara për tharje, Lisa do të bënte të njëjtat komente.

Pak javë më vonë, Lisa u befasua të shihte nga dritarja dhe të vinte re rroba të lara mirë, pastër që vareshin në oborrin e fqinjës së saj. Ajo i tha bashkëshortit të saj: “Shih Xhon – ajo më në fund mësoi si të lajë siç duhet! Çuditem si e ka bërë.”

Xhoni u përgjigj: “Mirë, e dashur, unë e kam përgjigjen për ty. Ti do të jesh e interesuar të dish se unë u çova herët këtë mëngjes dhe lava dritaret tona!”

Sonte unë do të doja të ndaja me ju disa mendime lidhur me atë se si ne e shohim njëri-tjetrin. A po shohim ne nëpër një dritare që ka nevojë për pastrim? A po bëjmë gjykime kur ne nuk i kemi të gjitha faktet? Çfarë shohim ne kur vështrojmë tek të tjerët? Çfarë gjykimesh bëjmë ne rreth tyre?

Shpëtimtari tha: “Mos gjykoni”.1 Ai vazhdoi: “Pse shikon lëmishten që është në syrin e vëllait tënd dhe nuk shikon trarin që është në syrin tënd?”2 Ose, për të parafrazuar, përse vë re ti atë që është rrobë e pa larë në shtëpinë e fqinjit tënd por nuk sheh dritaren e ndotur në vetë shtëpinë tënde?

Askush nga ne nuk është i përsosur. Unë nuk njoh askënd që do të thoshte se është i tillë. Dhe përsëri për disa arsye, megjithë papërsosmëritë tona, ne kemi një prirje për të përmendur ato të të tjerëve. Ne bëjmë gjykime lidhur me veprimet apo mosveprimet e tyre.

Në të vërtetë nuk ka mënyrë se si ne të mund të dimë zemrën, prirjet apo rrethanat e dikujt, që mund të thotë apo bëjë diçka të cilën ne gjejmë arsye ta kritikojmë. Prandaj vjen urdhërimi: “Mos gjykoni”.

Dyzet e shtatë vite përpara kësaj konference të përgjithshme, unë u thirra në Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve. Në atë kohë, unë kisha shërbyer në një nga komitetet e përgjithshme të priftërisë të Kishës dhe kështu, përpara se të paraqitej emri im, unë u ula me shokët e mi anëtarë të atij komiteti të priftërisë, siç duhej të bëja. Bashkëshortja ime, gjithsesi, nuk kishte ide ku të shkonte dhe askënd me kë të ulej dhe, në fakt, nuk qe në gjendje të gjente vend askund në Tabernakull. Një mikeshë e dashur e jona, që ishte anëtare e njërit prej bordeve të përgjithshme të organizatave ndihmëse dhe që ishte ulur në vendet e caktuara për anëtaret e bordit, i kërkoi Motrës Monson të ulej me të. Kjo grua nuk dinte asgjë për thirrjen time – që do të njoftohej pas pak – por ajo e vuri re Motrën Monson, kuptoi shqetësimin e saj dhe bujarisht i ofroi asaj një vend. Bashkëshortja ime e dashur ndjeu lehtësim dhe mirënjohje nga ky gjest mirësie. Duke u ulur, gjithsesi, ajo dëgjoi pëshpëritje të zëshme prapa saj ndërsa një nga anëtaret e bordit u shprehu bezdinë atyre përreth saj që një nga shoqet e saj të bordit pati guximin të ftonte një “të jashtme” të ulej në këtë zonë të rezervuar vetëm për to. Nuk kishte asnjë justifikim për sjelljen e saj të pakëndshme, pavarësisht se kush mund të qe ftuar të ulej atje. Sidoqoftë, unë vetëm mund ta përfytyroj se si është ndier ajo grua kur mësoi se “ndërhyrësja” ishte bashkëshortja e apostullit më të ri.

Jo vetëm që ne jemi të prirur të gjykojmë veprimet dhe fjalët e të tjerëve, por shumë nga ne gjykojnë paraqitjet: veshjet, stilin e flokëve, përmasat. Lista mund të vazhdojë e të vazhdojë.

Një shembull i shkëlqyer i të gjykuarit sipas pamjes qe botuar në një revistë kombëtare shumë vite përpara. Është një tregim i vërtetë – një që mund ta keni dëgjuar por që ia vlen të përsëritet.

Një grua me emrin Meri Bartels kishte një shtëpi drejtpërdrejt në anën tjetër të rrugës përballë hyrjes së një klinike spitalore. Familja e saj jetonte në katin kryesor dhe kishte dhënë me qira dhomat sipër për pacientët e jashtëm të klinikës.

Një mbrëmje një plak me pamje vërtet të tmerrshme erdhi te dera duke kërkuar nëse kishte vend për të që të kalonte natën. Ai ishte i kërrusur e i rrëgjuar dhe fytyra e tij qe shtrembëruar nga enjtja – e kuqe dhe e ashpër. Ai tha se kishte kërkuar për një dhomë qysh nga dreka por pa sukses. “Më duket se është për shkak të fytyrës sime”, tha ai. “Unë e di se ajo duket e tmerrshme, por doktori im thotë se ajo edhe mund të përmirësohet pas trajtimesh të tjera.” Ai tha se do të ishte i lumtur të flinte në karrigen lëkundëse në verandë. Ndërsa po fliste me të, Meri kuptoi se ky plak trupvogël kishte një zemër tejet të madhe të ngjeshur në atë trup të imët. Edhe pse dhomat e saj ishin mbushur, i tha atij të priste në karrige dhe ajo do t’i gjente një vend për të fjetur.

Në kohën e fjetjes bashkëshorti i Merit hapi një shtrat portativ për burrin. Kur ajo kontrolloi në mëngjes, shtresat dhe mbulesat e krevatit ishin palosur me kujdes dhe ai ishte jashtë në karrigen lëkundëse. Ai nuk e pranoi mëngjesin, por pikërisht kur u largua për autobusin e tij, pyeti nëse mund të vinte përsëri herën tjetër kur të kishte kurë. “Unë nuk do t’ju ngatërroj aspak juve”, premtoi ai. “Unë mund të fle në një karrige.” Meri e siguroi atë se ishte i mirëpritur të vinte përsëri.

Pas disa vitesh ai shkoi për trajtim dhe ndenji në shtëpinë e Merit, plaku, që ishte peshkatar nga profesioni, gjithnjë kishte dhurata me produkte deti ose perime nga kopshti i tij. Herë të tjera ai dërgonte pako me postë.

Kur Meri mori këto dhurata të menduara, ajo shpesh mendoi për një koment që fqinja e saj ngjitur bëri pasi plaku i shtrembëruar, i kruspullosur ishte larguar nga shtëpia e Merit atë mëngjes të parë. “A e mbajte atë burrë me pamje të tmerrshme mbrëmë? Unë e ktheva mbrapsht. Ju mund të humbisni klientët duke mbajtur njerëz të tillë.”

Meri e dinte se ata mund të kishin humbur klientë një herë apo dy, por ajo mendoi: “Oh, nëse vetëm do ta kishin njohur atë, ndoshta sëmundjet e tyre do të kishin qenë më të lehta për t’i duruar.”

Pasi burri vdiq, Meri po vizitonte një mikeshë që kishte një serë. Duke parë lulet e mikeshës së saj, ajo vuri re një krizantemë të mrekullueshme të artë por u hutua ngaqë ajo po rritej në një vazo të shtypur, të vjetër, të ndryshkur. Mikesha e saj shpjegoi: “Mua m’u mbaruan vazot dhe, duke ditur sa e bukur mund të jetë kjo, mendova se nuk do ta kishte problem këtë kovë të vjetër. Është sa për një kohë të shkurtër, derisa të mund ta vendos jashtë në kopsht.”

Meri buzëqeshi ndërsa përfytyronte pikërisht një skenë të tillë në qiell. “Këtu është një veçanërisht i bukur”, mund të kishte thënë Perëndia kur arriti te shpirti i plakut trupvogël. “Ai nuk do ta ketë problem të fillonte në këtë trup të vogël, të shformuar.” Por kjo qe shumë përpara, dhe në kopshtin e Perëndisë sa lart duhet të qëndrojë ky shpirt i dashur!3

Dukjet mund të jenë aq mashtruese, një masë aq e varfër për një njeri. Shpëtimtari këshilloi: “Mos gjykoni sipas pamjes së jashtme”4.

Një anëtare e organizatës së grave u ankua njëherë kur një grua ishte zgjedhur të përfaqësonte organizatën. Ajo kurrë nuk e kishte takuar gruan, por ajo kishte parë një fotografi të saj dhe nuk e kishte pëlqyer atë që kishte parë, duke e vlerësuar të ishte mbipeshë. Ajo komentoi: “Nga mijëra gra në këtë organizatë, sigurisht një përfaqësuese më e mirë mund të ishte zgjedhur”.

Vërtet, gruaja që qe zgjedhur nuk ishte “e dobët si modelet”. Por ato që e njihnin atë dhe dinin cilësitë e saj, panë tek ajo shumë më tepër sesa pasqyrohej në fotografi. Fotografia tregonte se ajo kishte një buzëqeshje miqësore dhe pamje sigurie. Ajo çka nuk e tregonte fotografia ishte se ajo ishte një shoqe besnike dhe e dhembshur, një grua inteligjente që donte Zotin dhe që i donte dhe u shërbente bijve të Tij. Ajo nuk tregonte se ajo kishte dalë vullnetare në komunitet dhe ishte një fqinjë e kujdesshme dhe e interesuar. Shkurt, fotografia nuk zbulonte cila ishte në të vërtetë ajo.

Unë pyes: nëse qëndrimet, aktet dhe prirjet shpirtërore do të pasqyroheshin në tipare fizike, a do të ishte pamja e asaj gruaje që u ankua, po aq e dashur sa ajo e gruas që ajo kritikoi?

Motra të mia të dashura, secila prej jush është unike. Ju jeni të ndryshme nga njëra-tjetra në shumë mënyra të tjera. Ka nga ju që janë të martuara. Disa nga ju qëndrojnë në shtëpi me fëmijët vet, ndërsa të tjera punojnë jashtë shtëpive të veta. Disa nga ju jeni me fëmijë të larguar nga shtëpia. Ka nga ato prej jush që janë martuar, por nuk kanë fëmijë. Ka nga ato që janë divorcuar, nga ato që janë vejushe. Shumë prej jush janë beqare. Disa nga ju kanë diploma kolegji; disa nuk kanë. Ka nga ato që mund të përballojnë modat më të fundit dhe nga ato që janë me fat që të kenë një veshje të përshtatshme të diele. Të tilla dallime janë thuajse pafund. A na tundojnë këto dallime që të gjykojmë njëra-tjetrën?

Nënë Tereza, një murgeshë katolike që punoi midis të varfërve në Indi shumicën e jetës së saj, tha këtë të vërtetë të thellë: “Nëse ju i gjykoni njerëzit, ju nuk keni kohë t’i doni ata”5. Shpëtimtari ka këshilluar: “Ky është urdhërimi im: ta doni njeri-tjetrin, ashtu si unë ju kam dashur”6. Unë pyes: a mund ta duam ne njëri-tjetrin, siç Shpëtimtari ka urdhëruar, nëse ne e gjykojmë njëri-tjetrin? Unë përgjigjem – me Nënë Terezën: jo, ne nuk mundemi.

Apostulli Jakob na mësoi: “Në qoftë se ndokush nga ju mendon se është fetar, edhe nuk i vë fre gjuhës së vet, sigurisht ai e mashtron zemrën e vet, feja e këtij [ose asaj] është e kotë”7.

Unë e kam dashur gjithmonë moton e Shoqatës tuaj të Ndihmës: “Dashuria nuk ligështohet kurrë”8. Çfarë është dashuria? Profeti Mormon na mëson se “dashuria hyjnore është dashuria e pastër e Krishtit”9. Në mesazhin e tij të lamtumirës drejtuar lamanitëve, Moroni tha: “Në qoftë se nuk keni dashuri hyjnore, ju nuk mund të shpëtoheni në asnjë mënyrë në mbretërinë e Perëndisë”10.

Unë e konsideroj dashurinë hyjnore – apo “dashurinë e pastër të Krishtit” – të jetë e kundërta e kritikës dhe e gjykimit. Duke folur për dashurinë hyjnore, unë nuk kam në mendje në këtë moment lehtësimin e vuajtjeve nëpërmjet dhënies nga materiali ynë. Kjo, sigurisht, është e nevojshme dhe e përshtatshme. Sonte, gjithsesi, unë kam parasysh dashurinë hyjnore që shfaqet kur ne jemi tolerantë ndaj të tjerëve dhe shpirtbutë ndaj veprimeve të tyre; llojin e dashurisë hyjnore që fal, llojin dashurisë hyjnore që është e durueshme.

Unë kam në mendje dashurinë hyjnore që na nxit të jemi të këndshëm, të dashur dhe të mëshirshëm, jo vetëm në kohë sëmundjeje dhe pikëllimi, dhe ankthi, por gjithashtu në kohë dobësie apo gabimi nga ana e të tjerëve.

Ka një nevojë të madhe për dashuri hyjnore që u kushton vëmendje atyre që nuk bien në sy, u jep shpresë atyre që janë shkurajuar, ndihmë atyre që vuajnë. Dashuria hyjnore e vërtetë është dashuri në veprim. Nevoja për dashuri hyjnore është kudo.

E nevojshme është dashuria hyjnore që kundërshton të gjejë kënaqësi duke dëgjuar apo duke përsëritur raportet e fatkeqësive që u ndodhin të tjerëve, pavarësisht se duke bërë kështu fatkeqi mund të përfitojë. Edukatori dhe politikani amerikan Horac Man njëherë tha: “Të të vijë keq për ankthin është veç njerëzore; ta lehtësosh atë është e Perëndishme”11.

Dashuria hyjnore është të kesh durim me dikë që na ka lënë në baltë. Është t’i rezistosh impulsit për t’u ndier lehtësisht i ofenduar. Ajo është të pranosh dobësitë dhe mangësitë. Ajo është t’i pranosh njerëzit ashtu siç janë në të vërtetë. Ajo është të shohësh përtej dukjeve te tiparet që nuk do të zbehen me kalimin e kohës. Ajo është t’i rezistosh impulsit për të klasifikuar të tjerët.

Dashuria, ajo dashuri e pastër e Krishtit, manifestohet kur një grup të rejash nga një lagje beqarësh e beqaresh udhëton me qindra kilometra për të marrë pjesë në funeralin e nënës së njërës nga Motrat e tyre të Shoqatës së Ndihmës. Dashuria shfaqet kur mësueset vizitore kthehen muaj pas muaji, vit pas viti tek e njëjta motër e painteresuar, disi kritike. Ajo është e dukshme kur kujtohen për një të ve të moshuar dhe e marrin në funksione të lagjes dhe në veprimtari të Shoqatës së Ndihmës. Ajo ndihet kur një motër e ulur vetëm në Shoqatën e Ndihmës merr ftesë: “Eja – ulu pranë nesh”.

Në qindra mënyra të vogla, të gjitha ju mbani mantelin e dashurisë hyjnore. Jeta nuk është e përsosur për asnjë nga ne. Në vend që të jemi gjykues dhe kritikë për njëri-tjetrin, le të kemi dashurinë e pastër të Krishtit për bashkudhëtarët tanë në këtë udhëtim përmes jetës. Le të njohim se kush prej nesh po bën më të mirën e vet për të përballuar sfidat që i dalin në rrugë dhe le të përpiqemi të bëjmë më të mirën tonë për të dhënë ndihmë.

Dashuria hyjnore është përkufizuar si “lloji më i lartë, më fisnik, më i fortë i dashurisë”12, “dashuria e pastër e Krishtit … ; dhe kushdo që gjendet [e] zotëruar prej saj në ditën e fundit, do të jetë mirë me të”13.

“Dashuria nuk ligështohet kurrë”. Le t’ju udhëheqë kjo moto e përhershme e Shoqatës së Ndihmës, kjo e vërtetë pa kohë, në çdo gjë që bëni. Le të përshkojë ajo vetë shpirtrat tuaj dhe të gjejë shprehje në gjithë mendimet dhe veprimet tuaja.

Unë shpreh dashurinë time për ju, motra të mia, dhe lutem që bekimet e Qiellit të jenë kurdoherë tuajat. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

  1. Mateu 7:1.

  2. Mateu 7:3.

  3. Përshatur nga Guideposts, qershor 1965, f. 24.

  4. Gjoni 7:24.

  5. Mother Teresa, në R. M. Lala, A Touch of Greatness: Encounters with the Eminent (2001), x.

  6. Gjoni 15:12

  7. Jakobi 1:26.

  8. 1 Korintasve 13:8.

  9. Moroni 7:41.

  10. Moroni 10:5.

  11. Horace Mann, Lectures on Education (1845), f. 297.

  12. Bible Dictionary, “Charity”.

  13. Moroni 7:41.