2010–2019
Për Gjërat që Kanë më Shumë Rëndësi
Tetor 2010


Për Gjërat që Kanë më Shumë Rëndësi

Nëse jeta dhe ritmi i saj i ngutshëm, dhe streset e shumta e kanë bërë të vështirë që ju të ndieni gëzim, atëherë ndoshta tani është koha e duhur për t’u ripërqendruar në atë që ka më shumë rëndësi.

Është e habitshme se sa shumë mund të mësojmë për jetën duke studiuar natyrën. Për shembull, shkencëtarët mund të shohin rrathët e pemëve dhe të bëjnë pandehma shkencore mbi klimën dhe kushtet e rritjes qindra dhe madje mijëra vite më parë. Një nga gjërat që mësoni nga studimi i rritjes së pemëve, është që, gjatë stinëve kur kushtet janë ideale, pemët rriten me ritëm normal. Megjithatë, gjatë stinëve kur kushtet e rritjes nuk janë ideale, pemët e ngadalësojnë rritjen dhe ia kushtojnë energjinë e tyre elementeve bazë të domosdoshme për mbijetesë.

Në këtë pikë ju mund të jeni duke menduar: “E gjitha kjo është shumë e këndshme dhe e mirë, por çfarë lidhje ka me fluturimin e një aeroplani?” Epo, më lejoni t’ua tregoj.

A keni qenë ndonjëherë në aeroplan dhe të keni përjetuar turbulencë? Shkaku më i zakonshëm i turbulencës është një ndryshim i papritur në lëvizjen e ajrit, që e bën aeroplanin të lëkundet lart-poshtë, majtas-djathtas dhe të kthehet përmbys. Ndërkohë që aeroplanët janë ndërtuar që t’i rezistojnë një turbulence shumë më të madhe nga çfarëdo që do të hasnit në një fluturim të rregullt, përsëri ajo mund të jetë shqetësuese për pasagjerët.

Si mendoni ju, çfarë bëjnë pilotët kur hasin turbulencë? Një student për pilot mund të mendojë se rritja e shpejtësisë është një strategji e mirë, sepse do t’i bëjë ta kalojnë më shpejt turbulencën. Por kjo mund të jetë gjëja e gabuar. Pilotët profesionistë e kuptojnë se ka një shpejtësi ideale për të depërtuar nëpër turbulencë, që do t’i zvogëlojë pasojat negative të saj. Dhe nё shumicën e rasteve kjo do të thotë ta zvogëlosh shpejtësinë. I njëjti parim zbatohet gjithashtu tek gungat e shpejtësisë nëpër rrugë.

Prandaj, është një këshillë e mirë të ngadalësosh pak, ta bësh kursin më të njëtrajtshëm dhe të përqendrohesh në gjërat thelbësore, kur përjeton kushte të pafavorshme.

Ritmi i Jetës Moderne

Ky është një mësim për t’u mësuar, i thjeshtë por vendimtar. Mund të duket logjike kur shprehet në termat e pemëve ose turbulencave, por është e çuditshme sa e lehtë është ta shpërfillësh këtë mësim kur vjen fjala për t’i zbatuar këto parime në vetë jetën tonë të përditshme. Kur rritet niveli i stresit, kur shfaqet ankthi, kur tragjedia godet, tepër shpesh ne përpiqemi të mbajmë të njëjtin ritëm të furishëm, ose madje të shpejtojmë, duke menduar disi se sa më i ngutshëm të jetë ritmi ynë, aq më mirë do të jemi.

Një nga karakteristikat e jetës moderne duket se është që ne po lëvizim me një ritëm gjithnjë e më të madh, pavarësisht nga turbulencat ose pengesat.

Le të jemi të ndershëm, është disi e lehtë të jesh i zënë. Të gjithë mund të mendojmë për një listë detyrash që do ta stërmbushnin programin tonë. Disa madje mund të mendojnë se vlera e tyre varet nga gjatësia e listës së gjërave për të bërë. Ata i përmbytin pjesët e lira të kohës së tyre me lista takimesh dhe gjërash të vockla – madje dhe gjatë kohës së stresit dhe lodhjes së madhe. Për shkak se e ndërlikojnë jetën e tyre në mënyrë të panevojshme, shpesh ata ndiejnë irritim të shtuar, gëzim të zvogëluar dhe tepër pak ndjesi kuptimi në jetën e tyre.

Thuhet se çdo virtyt, kur çohet në skaj, mund të shndërrohet në ves. Mbiprogramimi i ditëve tona sigurisht që do të kualifikohej për këtë. Vjen një pikë ku synimet mund të bëhen si gurë mulliri dhe ambiciet, si mokra që na varen në qafë.

Cila Është Zgjidhja?

Të mençurit i kuptojnë dhe i zbatojnë mësimet e rrathëve të pemëve dhe të turbulencave të ajrit. Ata i rezistojnë tundimit që të përfshihen në nxitimin e furishëm të jetës së përditshme. Ata ndjekin këshillën: “Jeta është më tepër sesa t’i rritësh shpejtësinë”1. Shkurt, ata përqendrohen tek gjërat që kanë më shumë rëndësi.

Plaku Dallin H. Ouks, në një konferencë të përgjithshme të kohëve të fundit, dha mësim: “Duhet të heqim dorë nga disa gjëra të mira, që të mund të zgjedhim të tjera që janë më të mira ose më të mirat, sepse zhvillojnë besim tek Zoti Jezu Krisht dhe forcojnë familjet tona”2.

Kërkimi për më të mirat, pashmangshmërisht të çon tek parimet themelore të ungjillit të Jezu Krishtit – të vërtetat e thjeshta dhe të bukura, që na janë zbuluar nga një Atë në Qiell përkujdesës, i përjetshëm dhe i gjithëditur. Këto doktrina e parime thelbësore, edhe pse mjaft të thjeshta sa t’i kuptojë një fëmijë, japin përgjigjet për çështjet më të ndërlikuara të jetës.

Ka një bukuri dhe qartësi që vjen nga thjeshtësia, që nganjëherë ne nuk e vlerësojmë në etjen tonë për zgjidhje të ndërlikuara.

Për shembull, jo shumë kohë pasi atronautët dhe kozmonautët fluturuan në orbitë rreth tokës, ata kuptuan se stilolapsat nuk funksiononin në hapësirë. Dhe kështu, disa njerëz shumë të zgjuar shkuan ta zgjidhnin problemin. U deshën mijëra orë dhe miliona dollarë por, në fund, ata krijuan një stilolaps që do të mund të shkruante kudo, në çfarëdo temperature dhe thuajse në çfarëdo sipërfaqe. Por si ja bënë astronautët dhe kozmonautët derisa u zgjidh problemi? Ata thjesht përdorën laps.

Citohet që Leonardo da Vançi të ketë thënë se “thjeshtësia është stërhollimi më i fundit”3. Kur shohim parimet themelore të planit të lumturisë, planit të shpëtimit, ne mund të dallojmë e vlerësojmë në qartësinë dhe thjeshtësinë e tij, elegancën dhe bukurinë e urtësisë së Atit Qiellor. Atëherë, veprimi sipas urdhërimeve të Tij është fillimi i urtësisë sonë.

Fuqia e Gjërave Bazë

Tregohet historia se si trajneri legjendar i futbollit amerikan, Vinse Lombardi, kishte një ritual që e kryente ditën e parë të stërvitjes. Ai do të merrte një top futbolli, do t’ua tregonte atë sportistëve, që kishin vite që e luanin atë sport, dhe do të thoshte: “Zotërinj, … ky është një top futbolli!” Ai fliste mbi përmasat dhe formën e tij, se si mund ta shkelmosh, ta mbash, ose ta pasosh. Ai e nxirrte skuadrën në fushën e zbrazët dhe thoshte: “Kjo është një fushë futbolli”. Ai i çonte rreth saj, duke përshkruar përmasat, formën, rregullat dhe se si luhet loja4.

Ky trajner e dinte se edhe këta lojtarë me përvojë, dhe vërtet skuadra, mund të bëheshin të mëdhenj vetëm duke zotëruar gjërat bazë. Ata mund të kalonin kohë duke praktikuar lojëra me marifete të ndërlikuara, por derisa të zotëronin gjërat themelore të lojës, ata nuk do të mund të bëheshin kurrë një skuadër kampione.

Mendoj se shumica prej nesh e kuptojnë me intuitë se sa të rëndësishme janë gjërat themelore. Ne nganjëherë thjesht hutohemi nga kaq shumë gjëra, që duken më joshëse.

Materiale të shtypura, burime të shumëllojshme mediatike, mjete dhe pajisje elektronike – të gjitha të dobishme nëse përdoren siç duhen – mund të shndërrohen në devijime të dëmshme, ose dhoma izolimi të pashpirta.

Përsëri, mes morisë së zërave dhe zgjedhjeve, Burri i përulur nga Galilea qëndron me duar të shtrira, duke pritur. Mesazhi i Tij është i thjeshtë: “Eja, e më ndiq”5. Dhe Ai nuk flet me një altoparlant të fuqishëm, por me një zë të vogël e të qetë6. Është kaq e lehtë që mesazhi bazë i ungjillit të humbasë mes vërshimit të informacionit, i cili na godet nga të gjitha anët.

Shkrimet e Shenjta dhe fjala e folur nga profetët e gjallë u vënë theksin parimeve dhe doktrinave themelore të ungjillit. Arsyeja pse kthehemi tek këto parime themelore, tek doktrinat e pastra, është sepse ato janë porta drejt të vërtetave me kuptim të thellë. Ato janë dyer drejt përvojave me rëndësi lartësuese që përndryshe, do të ishin përtej aftësisë sonë për t’i kuptuar. Këto parime të thjeshta, bazë, janë çelësi për të jetuar në harmoni me Perëndinë dhe njeriun. Ato janë çelësat për të hapur pragjet e qiellit. Ato na udhëheqin tek paqja, gëzimi dhe kuptueshmëria që Ati Qiellor u ka premtuar fëmijëve të Tij, të cilët e dëgjojnë dhe i binden Atij.

Vëllezërit e Motrat e mia të dashura, do të bënim mirë të ngadalësojmë pak, të vazhdojmë me shpejtësinë më të favorshme për rrethanat tona, të përqendrohemi tek thelbësorja, të ngremë sytë lart dhe të shohim vërtet gjërat që janë më të rëndësishme. Le të jemi të ndërgjegjshëm për normat themelore, që Ati ynë Qiellor u ka dhënë fëmijëve të Tij, të cilat do të krijojnë bazat e një jete të pasur e të frytshme në vdekshmëri, me premtimet e lumturisë së përjetshme. Ato na mësojnë të bëjmë “të gjitha këto gjëra … në urtësi dhe rregull; pasi nuk është e nevojshme që [ne] duhet të vrapoj[m]ë më shpejt sesa [kemi] fuqi. [Por] është e domosdoshme që [ne] duhet të je[mi të] zellshëm [dhe] kështu … të fitoj[m]ë çmimin.”7

Vëllezër e Motra, bërja me zell e gjërave që kanë më shumë rëndësi, do të na udhëheqë tek Shpëtimtari i botës. Kjo është pse “ne flasim për Krishtin, ne gëzohemi në Krishtin, ne predikojmë për Krishtin, ne profetizojmë mbi Krishtin …, që [ne] të mund të di[m]ë se cilit burim t’i drejtohe[mi] për heqjen e mëkateve [tona]”8. Në ndërlikimin, pështjellimin dhe ngutin e jetesës moderne, kjo është “udh[a] shumë më [e] lartë”9.

Atëherë, Cilat Janë Bazat?

Kur i referohemi Atit tonë Qiellor dhe kërkojmë urtësinë e Tij në lidhje me gjërat që kanë më shumë rëndësi, mësojmë sërish e sërish rëndësinë e katër marrëdhënieve kyç: me Perëndinë tonë, me familjet tona, me bashkënjerëzit tanë dhe me veten. Kur vlerësojmë vetë jetën tonë me një mendje të gatshme, do të shohim se ku jemi shmangur nga udha më e shkëlqyer. Sytë e të kuptuarit tonë do të hapen dhe ne do ta dallojmë atë që duhet bërë për ta pastruar zemrën tonë dhe për ta ripërqendruar jetën tonë.

Së pari, marrëdhënia jonë me Perëndinë është më e shenjta dhe më jetësorja. Ne jemi fëmijët e Tij shpirtërorë. Ai është Ati ynë. Ai dëshiron lumturinë tonë. Kur e kërkojmë Atë, kur mësojmë për Birin e Tij, Jezu Krishtin, kur i hapim zemrën ndikimit të Frymës së Shenjtë, jeta jonë do të bëhet më e qëndrueshme dhe më e sigurt. Ne përjetojmë paqe, gëzim dhe përmbushje më të madhe kur japim më të mirën tonë për të jetuar sipas planit të përjetshëm të Perëndisë dhe për të mbajtur urdhërimet e Tij.

Ne e përmirësojmë marrëdhënien tonë me Atin tonë Qiellor duke mësuar prej Tij; duke komunikuar me Të, duke u penduar për mëkatet tona dhe duke e ndjekur aktivisht Jezu Krishtin; sepse “askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet [Krishtit]”10. Që ta forcojmë marrëdhënien tonë me Perëndinë, na duhet një kohë kuptimplote vetëm me Të. Përqendrimi i qetë në lutjen vetjake dhe studimin e shkrimeve të shenjta përditë, duke synuar gjithmonë për të qenë të denjë për një rekomandim aktual tempulli – këto do të jenë disa investime të urta të kohës dhe përpjekjeve tona për t’iu afruar Atit tonë Qiellor. Le t’ia vëmë veshin ftesës së psalmistit: “Ndaluni dhe pranoni që jam Perëndi”11.

Marrëdhënia jonë e dytë kyç është me familjet tona. Meqë “asnjë sukses tjetër nuk mund të na dëmshpërblejë për dështimin”12 atje, duhet t’u japim përparësi të lartë familjeve tona. Ne ndërtojmë marrëdhënie të thella dhe të dashura familjare duke bërë gjëra të thjeshta së bashku, si vakti familjar e mbrëmja familjare, dhe thjesht duke u zbavitur së bashku. Në marrëdhëniet familjare dashuria vërtet shprehet nga koha, koha që kalojmë me familjen. Kalimi i kohës me njëri-tjetrin është kyçi për harmoni në shtëpi. Ne flasim me njëri-tjetrin dhe jo për njëri-tjetrin. Ne mësojmë nga njëri-tjetri dhe i vlerësojmë ndryshimet tona po ashtu si dhe tiparet e përbashkëta. Ne krijojmë një lidhje hyjnore me njëri-tjetrin, ndërsa i qasemi Perëndisë së bashku përmes lutjes familjare, studimit të ungjillit dhe adhurimit të dielën.

Marrëdhënia e tretë kyç që kemi, është me bashkënjerëzit tanë. Ne e ndërtojmë këtë marrëdhënie me njerëzit një e nga një – duke qenë të ndjeshëm ndaj nevojave të të tjerëve, duke u shërbyer atyre dhe duke dhënë nga koha dhe talentet tona. Më ka bërë përshtypje një Motër që qe e ngarkuar nga sfidat e moshës dhe të sëmundjes, por që vendosi që edhe pse nuk mund të bënte shumë, ajo mund të dëgjonte. Dhe kështu çdo javë ajo shihte për njerëz që dukeshin të shqetësuar ose të shkurajuar, dhe kalonte kohë me ta, duke i dëgjuar. Çfarë bekimi ishte ajo në jetën e kaq shumë njerëzve!

Marrëdhënia e katërt kyç është me veten tonë. Mund të duket e çuditshme të kemi marrëdhënie me veten, por e kemi. Disa njerëz nuk munden ta pëlqejnë veten. Ata e kritikojnë dhe e nënvleftësojnë veten gjithë ditën, derisa fillojnë ta urrejnë. Më lejoni të sugjeroj që ta zvogëloni ngutin dhe të harxhoni pak kohë shtesë për ta njohur veten më mirë. Shëtisni në natyrë, vështroni lindjen e diellit, gëzoni krijesat e Perëndisë, meditoni të vërtetat e ungjillit të rivendosur dhe zbuloni se çfarë kuptimi kanë ato për ju personalisht. Mësoni ta shihni vetveten ashtu si ju sheh Ati Qiellor – si bija ose biri i Tij i çmuar me potencial hyjnor.

Gëzohuni në Ungjillin e Pastër

Vëllezër dhe Motra, le të jemi të mençur. Le të drejtohemi tek ujërat e pastra doktrinore të ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit. Le të marrim me gëzim prej tyre në thjeshtësinë dhe qartësinë e tyre. Qiejt janë hapur përsëri. Ungjilli i Jezu Krishtit është në tokë edhe një herë dhe të vërtetat e tij të thjeshta janë një burim i bollshëm gëzimi!

Vëllezër dhe Motra, ne vërtet kemi arsye të madhe që të gëzojmë. Nëse jeta dhe ritmi i saj i ngutshëm, dhe streset e shumta e kanë bërë të vështirë që ju të ndieni gëzim, atëherë ndoshta tani është koha e duhur për t’u ripërqendruar në atë që ka më shumë rëndësi.

Forca nuk vjen nga aktiviteti i furishëm, por nga qenia të vendosur mbi një themel të qëndrueshëm të vërtete dhe drite. Ajo vjen nga vendosja e vëmendjes dhe përpjekjeve tona mbi bazat e ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit. Ajo vjen nga kushtimi i vëmendjes gjërave hyjnore, që kanë më shumë rëndësi.

Le ta thjeshtojmë pak jetën tonë. Le të bëjmë ndryshimet e nevojshme për ta ripërqendruar jetën tonë në bukurinë kulmore të shtegut të thjeshtë e të përulur të dishepullit të krishterë – shtegu që udhëheq gjithmonë drejt një jete me kuptim, kënaqësi dhe paqe. Për këtë lutem unë ndërsa ju lë bekimin tim, në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.

  1. Mahatma Gandhi, në Larry Chang, Wisdom for the Soul (2006), f. 356.

  2. Dallin H. Ouks, “Mirë, Më Mirë, Më e Mira”, Liahona, nëntor 2007, f. 107.

  3. Leonardo da Vinci, në John Cook, përmb., The Book of Positive Quotations, bot. 2-të (1993), f. 262.

  4. Vince Lombardi, në Donald T. Phillips, Run to Win: Vince Lombardi on Coaching and Leadership (2001), f. 92.

  5. Lluka 18:22.

  6. Shih 1 Mbretërve 19:12.

  7. Mosia 4:27.

  8. 2 Nefi 25:26.

  9. 1 Korintasve 12:31; Ethëri 12:11.

  10. Gjoni 14:6.

  11. Psalmeve 46:10.

  12. J. E. McCulloch, Home: The Savior of Civilization (1924), 42; shih edhe Conference Report, prill 1935, f. 116.