2010–2019
Tre Parimet e Zgjedhjes
Tetor 2010


Tre Parimet e Zgjedhjes

Secili prej nesh ka ardhur në këtë tokë me të gjitha mjetet e nevojshme për të bërë zgjedhje të sakta.

Vëllezër të mi të dashur të priftërisë, lutja ime e sinqertë sot është që të mund të gëzoj ndihmën e Atit tonë Qiellor në shprehjen me fjalë të atyre gjërave që ndihem i frymëzuar të ndaj me ju.

Kohët e fundit kam menduar rreth zgjedhjeve dhe rrjedhojave të tyre. Rrallë kalon një orë e ditës pa na u kërkuar të bëjmë zgjedhje të një lloji apo tjetri. Disa janë të parëndësishme, disa me ndikim më të gjerë. Disa nuk do të bëjnë ndonjë ndryshim në skemën e përjetshme të gjërave; dhe të tjera do të bëjnë ndryshim tërësor.

Ndërsa kam medituar mbi aspektet e ndryshme të zgjedhjes, i kam ndarë ato në tre kategori: së pari, e drejta e zgjedhjes; së dyti, përgjegjësia e zgjedhjes; dhe së treti, pasojat e zgjedhjes. Këto i quaj tre Parimet e zgjedhjes.

Përmend së pari të drejtën e zgjedhjes. I jam kaq mirënjohës një Ati të dashur Qiellor për dhuratën e tij të lirisë së zgjedhjes, ose të drejtën për të zgjedhur. Presidenti Dejvid O. Mek-Kei, Presidenti i nëntë i Kishës, tha: “Pas dhuratës së vetë jetës, e drejta për ta drejtuar atë jetë është dhurata më e madhe e Perëndisë për ne.”1

Ne e dimë se e kishim lirinë tonë të zgjedhjes përpara se kjo botë të krijohej dhe se Luciferi u përpoq të na e merrte. Ai nuk kishte fare besim në parimin e lirisë së zgjedhjes apo në ne dhe argumentoi për shpëtimin me detyrim. Ai nguli këmbë që me planin e tij, asnjë nuk do të humbiste, por duket se nuk pranonte – ose ndoshta nuk shqetësohej – që, përveç kësaj, askush nuk do ishte më i mençur, më i fortë, më i dhembshur apo diçka më mirënjohës, nëse do të ndiqej plani i tij.

Ne që zgjodhëm planin e Shpëtimtarit e dinim se do të nisnim një udhëtim, që do të na ndante nga Ati ynë, të rrezikshëm e të vështirë, sepse ne ecim në rrugët e botës dhe mëkatit dhe pengohemi. Por i Parëlinduri në Shpirt e ofroi Veten si një sakrificë për të shlyer mëkatet e të gjithëve. Përmes vuajtjes së papërshkrueshme Ai u bë Shëlbuesi i madh, Shpëtimtari i gjithë njerëzimit, duke bërë të mundur kështu kthimin tonë të suksesshëm tek Ati ynë.

Profeti Lehi na thotë: “Kështu që, njerëzit janë të lirë sipas mishit; dhe të gjitha gjërat u janë dhënë atyre të cilat janë të nevojshme për njeriun. Dhe ata janë të lirë të zgjedhin lirinë dhe jetën e përjetshme, nëpërmjet Ndërmjetësit të madh të të gjithë njerëzve, ose të zgjedhin robërinë dhe vdekjen, sipas robërisë dhe fuqisë së djallit; pasi ai kërkon që të gjithë njerëzit të jenë të mjeruar sikurse është ai vetë.”2

Vëllezër, brenda kufijve të çfarëdo situate në të cilën gjendemi, ne gjithmonë do të kemi të drejtën për të zgjedhur.

Pastaj, me të drejtën e zgjedhjes vjen përgjegjësia e zgjedhjes. Ne nuk mund të jemi asnjanës, nuk ka pozitë të ndërmjetme. Zoti e di këtë; Luciferi e di këtë. Për aq sa jetojmë mbi këtë tokë, Luciferi dhe shërbëtorët e tij nuk do ta braktisin kurrë shpresën për të marrë shpirtrat tanë.

Ati ynë Qiellor nuk na dërgoi në udhëtimin tonë të përjetshëm pa siguruar mjetet nëpërmjet të cilave të mund të merrnim prej Tij drejtim të perëndishëm për të ndihmuar në kthimin tonë të sigurt në fund të jetës së vdekshme. E kam fjalën për lutjen. Gjithashtu, e kam fjalën për pëshpërimat prej atij zëri të qetë, të ulët brenda secilit prej nesh; dhe nuk i lë pa përmendur shkrimet e shenjta, të shkruara nga marinarë që i lundruan me sukses detet që ne gjithashtu duhet t’i kalojmë.

Secili prej nesh ka ardhur në këtë tokë me të gjitha mjetet e nevojshme për të bërë zgjedhje të sakta. Profeti Mormoni na thotë: “Shpirti i Krishti i jepet çdo njeriu, që ai të dallojë të mirën nga e keqja.”3

Ne jemi rrethuar – madje nganjëherë bombarduar – prej mesazheve të kundërshtarit. Dëgjoni disa prej tyre; ato pa dyshim janë të njohura për ju: “Vetëm një herë s’ka rëndësi.” “Mos ki merak; askush nuk do e marrë vesh.” “Mund ta ndërpresësh duhanpirjen ose pirjen e alkoolit, ose marrjen e drogave kur të duash.” “Të gjithë po e bëjnë, kështu që s’duhet të jetë dhe aq e keqe.” Gënjeshtrat janë pa fund.

Megjithëse në udhëtimin tonë do të hasim degëzime e kthesa në rrugëtim, ne thjesht nuk mund t’ia lejojmë vetes luksin e rrugëve të tërthorta prej të cilave mund të mos kthehemi kurrë. Luciferi, ai fyelltar laraman, i bie melodisë së tij gazmore dhe tërheq njerëzit e joshur larg sigurisë së shtegut të tyre të zgjedhur, larg këshillës së prindërve të dashur, larg mbrojtjes së mësimeve të Perëndisë. Ai kërkon jo vetëm të ashtuquajturit plehrat e njerëzimit, ai kërkon të gjithë ne, përfshirë vetë të zgjedhurit e Perëndisë. Mbreti David ia vuri veshin, u lëkund dhe pastaj e ndoqi dhe ra. Po kështu bëri Kaini në një epokë më të hershme dhe Juda Iskarioti në një më të vonshme. Metodat e Luciferit janë mashtruese, viktimat e tij të shumta.

Ne lexojmë për të tek 2 Nefi: “Të tjerë ai do t’i paqësojë dhe do t’i përkundë në siguri trupore.”4 “Të tjerët ai i lajkaton dhe u thotë se nuk ka ferr … derisa i kap ata me zinxhirët e tij të tmerrshëm.”5 “Dhe kështu djalli gënjen shpirtrat e tyre dhe ai i çon me kujdes poshtë në ferr.”6

Kur përballemi me zgjedhje të rëndësishme, si e marrim vendimin? A i jepemi premtimit të kënaqësisë së çastit? Nxitjeve dhe pasioneve tona? Presionit të shokëve tanë?

Le të mos jemi po aq të pavendosur sa Liza në veprën e përkryer artistike të Luis Keroll “Aventurat e Lizës në Botën e Çudirave”. Ju e mbani mend që ajo vjen në një udhëkryq me dy shtigje përpara vetes, secili shtrihej përpara, por në drejtime të kundërta. Asaj i del përpara macja Qeshirë (Buzëqeshëse), të cilën Liza e pyet: “Cilin shteg të ndjek?”

Macja i përgjigjet: “Kjo varet se ku dëshiron të shkosh. Nëse nuk e di se ku dëshiron të shkosh, nuk ka rëndësi se cilin shteg ndjek.”7

Ndryshe nga Liza, ne të gjithë e dimë se ku dëshirojmë të shkojmë, dhe ka rëndësi se në cilën rrugë shkojmë, sepse duke zgjedhur shtegun tonë, ne zgjedhim destinacionin tonë.

Vendimet janë vazhdimisht para nesh. Për t’i marr ato me mençuri, duhet kurajë – kurajë për të thënë jo; kurajë për të thënë po. Vendimet vërtet përcaktojnë fatin.

Unë ju lutem që, pikërisht këtu, pikërisht tani, të merrni një vendim për të mos u shmangur nga shtegu që do të na çojë tek qëllimi ynë: jeta e përjetshme me Atin tonë në Qiell. Gjatë atij shtegu të drejtë e të vërtetë ka qëllime të tjera: shërbimi misionar, martesa në tempull, veprimtaria në Kishë, studimi i shkrimeve të shenjta, lutja, puna në tempull. Ka qëllime të denja, të panumërta për t’u arritur ndërsa udhëtojmë përmes jetës. I domosdoshëm është zotimi ynë për t’i arritur ato.

Së fundmi, vëllezër, flas për pasojat e zgjedhjes. Të gjitha zgjedhjet tona kanë pasoja, disa prej të cilave kanë pak ose aspak të bëjnë me shpëtimin tonë të përjetshëm, kurse të tjerat kanë të bëjnë drejtpërdrejt me të.

Nëse vishni një këmishë të gjelbër apo blu nuk sjell ndonjë ndryshim afatgjatë. Mirëpo, nëse vendosni të shtypni një buton në kompjuterin tuaj, që do t’ju çojë drejt pornografisë, mund të sjellë ndryshim tërësor në jetën tuaj. Ju do të keni hedhur thjesht një hap jashtë shtegut të drejtë e të sigurt. Nëse një shok ju shtyn për të pirë alkool apo për të provuar droga dhe ju i jepeni presionit, ju keni marrë një rrugë të tërthortë nga e cila ju mund të mos ktheheni. Vëllezër, qoftë nëse jemi dhjakë 12-vjeçarë apo priftërinj të lartë të mençur, ne jemi të tundueshëm. I mbajtshim sytë tanë, zemrat tona dhe vendosmërinë tonë të përqendruar tek ai qëllim që është i përjetshëm dhe i vlefshëm sa çfarëdo çmimi që mund të na duhet të paguajmë, pavarësisht sakrificës që duhet të bëjmë për ta arritur atë.

Asnjë tundim, asnjë presion, asnjë nxitje nuk mund të na mposhtë, përveç nëse e lejojmë këtë. Nëse bëjmë zgjedhjen e gabuar, nuk kemi askënd për të fajësuar përveç vetvetes. Presidenti Brigam Jang e shprehu njëherë këtë të vërtetë duke e krahasuar me veten. Ai tha: “Nëse vëllai Brigam merr udhë të gabuar dhe lihet jashtë mbretërisë së qiejve, asnjë njeri nuk do të fajësohet përveç vëllait Brigam. Unë jam e vetmja qenie në qiell, tokë apo ferr që mund të fajësohet.” Ai vijoi: “Kjo do të zbatohet njësoj për çdo shenjtor të ditëve të mëvonshme. Shpëtimi varet nga veprimtaria personale.”8

Apostulli Pal na ka siguruar: “Asnjë tundim nuk ju ka gjetur juve, përveç tundimit njerëzor; por Perëndia është besnik dhe nuk do të lejojë që t’ju tundojnë përtej fuqive tuaja, por me tundimin do t’ju japë dhe rrugë dalje, që ju të mund ta përballoni.”9

Ne të gjithë kemi bërë zgjedhje të gabuara. Nëse nuk i kemi korrigjuar tashmë këto zgjedhje, unë ju siguroj se ka një mënyrë për ta bërë këtë. Procesi quhet pendim. Unë lutem që t’i korrigjoni gabimet tuaja. Shpëtimtari ynë vdiq për t’ju siguruar juve dhe mua atë dhuratë të bekuar. Megjithëse shtegu nuk është i lehtë, premtimi është i vërtetë: “Edhe sikur mëkatet tuaja të ishin të kuqe flakë, do të bëhen të bardha si bora.”10 “Dhe unë, Zoti, nuk i kujtoj më ato.”11 Mos e vini në rrezik jetën tuaj të përjetshme. Nëse keni mëkatuar, sa më shpejt të filloni rrugën e kthimit, aq më shpejt ju do të gjeni paqen dhe gëzimin e ëmbël që vijnë me mrekullinë e faljes.

Vëllezër, ju jeni nga një trashëgimi fisnike. Jeta e përjetshme në mbretërinë e Atit tonë është qëllimi juaj. Një qëllim i tillë nuk arrihet me një përpjekje të lavdishme, por është rezultat i një jete të drejtë, i një grumbulli zgjedhjesh të mençura, madje i një besnikërie të qëllimit. Ashtu si me çdo gjë që vërtet vlen, shpërblimi i jetës së përjetshme kërkon përpjekje.

Shkrimet e shenjta janë të qarta:

“Kini … kujdes të bëni atë që Zoti, Perëndia juaj, ju ka urdhëruar; mos u shmangni as djathtas, as majtas;

ecni të tërë në rrugën që Zoti, Perëndia juaj, ju ka caktuar.”12

Në mbyllje më lejoni të ndaj me ju një shembull të dikujt që vendosi herët në jetë se cilat do të ishin qëllimet tij. E kam fjalën për vëllain Klejton M. Kristensen, një anëtar i Kishës që është profesor i administrimit të biznesit në shkollën e biznesit të Universitetit të Harvardit.

Kur ishte 16 vjeç, vëllai Kristensen vendosi, ndërmjet të tjerave, që nuk do luante ndeshje të dielën. Vite më vonë, kur frekuentoi Universitetin e Oksfordit në Angli, ai luajti si lojtar i qendrës në skuadrën e basketbollit. Atë vit, ata patën një sezon pa humbje dhe arritën deri tek ekuivalentja britanike e asaj që në Shtetet e Bashkuara do të ishte kampionati NCAA i basketbollit.

Ata i fituan lojërat e tyre mjaft lehtësisht në kampionat, duke arritur si një prej katër finalistëve. Ndodhi atëherë që vëllai Kristensen shikoi programin dhe për tmerrin e tij të plotë pa se ndeshja finale e basketbollit ishte programuar që të luhej të dielën. Ai dhe skuadra e tij kishte punuar kaq fort për të arritur aty ku ishin dhe ai ishte lojtari qendror që fillonte lojën. Me dilemën e tij, ai shkoi tek trajneri. Trajneri i tij qe mospërfillës dhe i tha vëllait Kristensen se priste që ai të luante në ndeshje.

Gjithsesi, përpara ndeshjes finale, kishte një ndeshje gjysmëfinale. Fatkeqësisht, lojtari qendror rezervë nxori nga vendi shpatullën, gjë që e rriti presionin mbi vëllain Kristensen për të luajtur në ndeshjen finale. Ai shkoi në dhomën e tij të hotelit. Ai u gjunjëzua. Ai i kërkoi Atit të tij Qiellor në qoftë se do të ishte e drejtë, vetëm këtë herë, po të luante atë ndeshje të dielën. Ai tha se që përpara se të mbaronte së luturi, ai e mori përgjigjen: “Klejton, përse po më pyet së koti për këtë? Ti e di përgjigjen.”

Ai vajti tek trajneri i tij, duke i thënë se sa keq i vinte që nuk do të luante në ndeshjen finale. Pastaj vajti në mbledhjet e së dielës në lagjen vendore ndërsa skuadra tij luante pa të. Ai u lut fuqishëm për fitoren e tyre. Ata vërtet fituan.

Ai vendim fatpërcaktues e i vështirë u mor mbi 30 vjet më parë. Vëllai Kristensen ka thënë se, ndërsa koha ka kaluar, ai e quan atë një prej vendimeve më të rëndësishme që ka marrë ndonjëherë. Do të kishte qenë shumë e lehtë të kishte thënë: “Ti e merr me mend, në përgjithësi, mbajtja e shenjtë e ditës së Shabatit është urdhërimi i duhur, por në rrethanën time posaçërisht të veçantë, është në rregull nëse, vetëm këtë herë, nuk e mbaj.” Megjithatë, ai thotë se e gjithë jeta e tij doli se ishte një rrjedhë e pafundme rrethanash të veçanta, dhe po ta kishte kaluar kufirin vetëm atë herë, atëherë herës tjetër diçka dilte që ishte aq e nevojshme dhe kritike, sa do të ishte shumë më e lehtë ta shkelte kufirin përsëri. Mësimi që mori është se është më e lehtë t’i mbash urdhërimet 100 përqind të kohës sesa 98 përqind të kohës. 13

Vëllezër të mi të dashur, qofshim të mbushur me mirënjohje për të drejtën e zgjedhjes, pranoni përgjegjësinë e zgjedhjes dhe jini përherë të ndërgjegjshëm për pasojat e zgjedhjes. Si mbajtës të priftërisë, të gjithë ne, të bashkuar në një, mund të cilësohemi të përshtatshëm për frymëzimin udhëheqës të Atit tonë Qiellor kur zgjedhim me kujdes dhe drejt. Ne jemi përfshirë në veprën e Zotit Jezu Krishti. Ne, sikurse ata të kohërave të lashta, i jemi përgjigjur thirrjes së Tij. Ne jemi duke bërë punën e Tij. Ne do të kemi sukses në porosinë solemne: “Pastrohuni, ju që mbani vazot e Zotit.”14Qoftë e mundur që kjo të ndodhë, është lutja ime solemne dhe e përulur, në emrin e Jezu Krishtit, Zotit tonë, amen.

  1. Teachings of Presidents of the Church: David O. McKay (2003), f. 208.

  2. 2 Nefi 2:27.

  3. Moroni 7:16.

  4. 2 Nefi 28:21.

  5. 2 Nefi 28:22.

  6. 2 Nefi 28:21.

  7. Përshtatur nga Lewis Carroll, Aventurat e Lizës në Botën e Çudirave (1898), f. 89.

  8. Teachings of Presidents of the Church: Brigham Young (1997), f. 294.

  9. 1 Korintasve 10:13.

  10. Isaia 1:18.

  11. Doktrina e Besëlidhje 58:42.

  12. Ligji i Përtërirë 5:32–33.

  13. Shih Clayton M. Christensen, “Decisions for Which I’ve Been Grateful” (takim shpirtëror i Univeristetit “Brigam Jang” – Idaho, 8 qershor 2004), www.byui.edu/presentations.

  14. Isaia 52:11.