2010–2019
Derisa Prapë të Takohemi
Tetor 2010


Derisa Prapë të Takohemi

Ne duhet të durojmë deri në fund, sepse synimi ynë është jeta e përjetshme në praninë e Atit tonë në Qiell.

Vëllezër dhe Motra të mia, zemra ime është plot ndërsa po i afrohemi fundit të kësaj konference të përgjithshme të mrekullueshme të Kishës. Jemi ushqyer shpirtërisht ndërsa kemi dëgjuar këshillën dhe dëshmitë e atyre që kanë marrë pjesë në secilin sesion. Jam i sigurt se flas për të gjithë anëtarët kudo qofshin, kur shpreh vlerësim të thellë për të vërtetat që na janë mësuar. Ne mund të përsërisnim fjalët, që gjenden në Librin e Mormonit, e atyre që dëgjuan predikimin e të madhit Mbreti Beniamin dhe që “thirrën me një zë, duke thënë: Po, ne i besojmë të gjitha fjalët që ti na ke folur; dhe ne gjithashtu dimë për sigurinë dhe vërtetësinë e tyre, për shkak të Shpirtit të Zotit të Plotfuqishëm”1.

Shpresoj se do të marrim kohë që të lexojmë bisedat e konferencës, të cilat do të shtypen në numrin e nëntorit të revistave Ensign dhe Liahona, sepse meritojnë studimin tonë të kujdesshëm.

Çfarë bekimi është që kemi qenë në gjendje të takohemi këtu, në këtë Qendër madhështore të Konferencave, në paqe, rehati dhe siguri. Kemi pasur një transmetim të pashembullt të konferencës, duke mbërritur tek njerëzit kudo nëpër kontinente dhe oqeane. Edhe pse jemi shumë larg prej shumëkujt nga ju, ne e ndiejmë shpirtin tuaj dhe ju dërgojmë dashurinë dhe vlerësimin tonë.

Vëllezërve tanë që u liruan nga detyra në këtë Konferencë: më lejoni t’ju shpreh mirënjohjen e përzemërt të të gjithëve ne për vitet tuaja të shumta të shërbimit të përkushtuar. Të panumërt janë ata që janë bekuar nga kontributet tuaja për punën e Zotit.

Kori i Tabernakullit dhe koret e tjera që kanë marrë pjesë në sesione, kanë sjellë vërtet muzikë qiellore, që e ka shtuar dhe zbukuruar gjithçka tjetër që u zhvillua. Ju falënderoj që ndani me ne talentet dhe aftësitë tuaja muzikore.

I dua dhe i vlerësoj këshilltarët e mi besnikë, Presidentin Henri B. Ajring dhe Presidentin Diter F. Uhtdorf. Ata janë vërtet burra të urtësisë e të kuptimit dhe shërbimi i tyre është i paçmueshëm. Nuk do të mund të bëja gjithçka që jam thirrur të bëj, pa pasur mbështetjen dhe ndihmën e tyre. I dua dhe i admiroj Vëllezërit e mi të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve dhe të gjithë ata që janë në kuorumet e Të Shtatëdhjetëve dhe në Peshkopatën Kryesuese. Ata shërbejnë me vetëmohim dhe efektshmëri. Ngjashëm, unë shpresh vlerësimin tim për gratë dhe burrat që shërbejnë si drejtues të organizatave ndihmëse të përgjithshme.

Sa të bekuar jemi që kemi ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit. Ai u jep përgjigje pyetjeve në lidhje me atë se nga kemi ardhur, pse jemi këtu dhe ku do të shkojmë kur të largohemi nga kjo jetë. Ai i jep kuptim, qëllim dhe shpresë jetës sonë.

Ne jetojmë në një botë të trazuar, në një botë me shumë sfida. Ne jemi këtu në këtë tokë që të merremi me sfidat tona individuale me maksimumin e aftësive tona, që të mësojmë prej tyre dhe që t’i kapërcejmë ato. Ne duhet të durojmë deri në fund, sepse synimi ynë është jeta e përjetshme në praninë e Atit tonë në Qiell. Ai na do dhe nuk do asgjë tjetër për ne, përveç suksesit tonë në këtë synim. Ai do të na ndihmojë dhe do të na bekojë kur i drejtohemi Atij në lutjet tona, kur i studiojmë fjalët e Tij dhe kur u bindemi urdhërimeve të Tij. Në to gjendet siguri; në to gjendet paqe.

Perëndia ju bekoftë, Vëllezër e Motra të mia. Ju falënderoj për lutjet tuaja në të mirën time dhe në të mirë të të gjithë Autoriteteve të Përgjithshme. Jemi thellësisht mirënjohës për ju dhe për gjithçka bëni që ta çoni më tej Mbretërinë e Perëndisë në tokë.

Bekimet e qiejve qofshin me ju. Shtëpitë tuaja u mbushshin me dashuri e mirësjellje dhe me Shpirtin e Zotit. I ushqefshi vazhdimisht dëshmitë tuaja të ungjillit, që të jenë një mbrojtje për ju kundër goditjeve të Satanit.

Konferenca tani mbaroi. Ndërsa kthehemi në shtëpitë tona, u kthefshim të sigurt. Shpirti që kemi ndier këtu, qoftë me ne e banoftë në ne kur merremi me ato gjëra që na mbushin kohën çdo ditë. Tregofshim mirësi më të rritur kundrejt njëri-tjetrit; u gjendshim gjithmonë duke bërë punën e Zotit.

Unë ju dua; unë lutem për ju. Ju jap lamtumirën derisa prapë të takohemi pas gjashtë muajsh. Në emrin e Zotit dhe Shpëtimtarit tonë, madje Jezu Krishtit, amen.

  1. Mosia 5:2.