2010–2019
Dy Linja Komunikimi
Tetor 2010


Dy Linja Komunikimi

Ne duhet të përdorim edhe linjën vetjake, edhe linjën e priftërisë në drejtpeshimin e duhur për të arritur rritjen që është qëllimi i jetës së vdekshme.

Ati ynë Qiellor u ka dhënë fëmijëve të Tij dy linja komunikimi me Të – të cilat ne mund t’i quajmë linja vetjake dhe linja e priftërisë. Të gjithë duhet të kuptojmë dhe të drejtohemi nga të dyja këto linja thelbësore të komunikimit.

I. Linja Vetjake

Në linjën vetjake, ne i lutemi drejtpërdrejt Atit tonë Qiellor dhe Ai na përgjigjet neve nëpërmjet kanaleve që ka krijuar, pa ndonjë ndërmjetësues të vdekshëm. Ne lutemi tek Ati ynë Qiellor në emër të Jezu Krishtit dhe Ai na përgjigjet neve nëpërmjet Shpirtit të Tij të Shenjtë dhe në mënyra të tjera. Misioni i Frymës së Shenjtë është të dëshmojë për Atin dhe Birin (Shih Gjoni 15:26; 2 Nefi 31:18; 3 Nefi 28:11), që të na drejtojë ne tek e vërteta (shih Gjoni 14:26; 16:13), dhe të na tregojë neve gjëra që duhet t’i shohim (shih 2 Nefi 32:5). Kjo linjë vetjake e komunikimit me Atin tonë Qiellor nëpërmjet Shpirtit të Tij të Shenjtë është burimi i dëshmisë sonë për të vërtetën, për njohurinë tonë dhe për drejtimin tonë vetjak nga një Atë Qiellor i dashur. Është një karakteristikë thelbësore e planit të Tij të mrekullueshëm të ungjillit, që e lejon secilin nga fëmijët e Tij të marrë një dëshmi vetjake për vërtetësinë e tij.

Kanali i drejtpërdrejtë vetjak i komunikimit me Atin tonë Qiellor nëpërmjet Frymës së Shenjtë bazohet te denjësia dhe është aq thelbësor saqë ne jemi urdhëruar të përtërijmë besëlidhjet tona duke marrë pjesë në sakrament çdo ditë Shabati. Në këtë mënyrë ne kualifikohemi për premtimin që ne të mund të kemi gjithmonë pranë Shpirtin e Tij që të na drejtojë.

Në këtë linjë vetjake të komunikimit me Zotin, besimi dhe praktika jonë është e ngjashme me atë të atyre të krishterëve që këmbëngulin se ndërmjetësit njerëzorë midis Perëndisë dhe njeriut janë të panevojshëm, sepse të gjithë kanë qasje të drejtpërdrejtë te Perëndia, sipas parimit që përqafoi Martin Luteri, që sot njihet si “priftëria e të gjithë besimtarëve”. Unë do të flas më shumë për këtë më pas.

Linja vetjake është e një rëndësie kulmore në vendimet vetjake dhe në drejtimin e familjes. Fatkeqësisht, disa anëtarë të kishës sonë e nënvleftësojnë nevojën për këtë linjë të drejtpërdrejtë vetjake. Ngaqë është sigurisht e rëndësishme udhëheqja profetike – linja e priftërisë, që vepron në radhë të parë për të drejtuar komunikimet hyjnore në çështjet e Kishës – disa kërkojnë që udhëheqësit e tyre të priftërisë të marrin vendime vetjake për ta, vendime që ata duhet t’i marrin vetë nëpërmjet frymëzimit në linjën e tyre vetjake. Vendimet vetjake dhe të drejtimit familjar janë parimisht çështje të linjës vetjake.

Unë e ndiej se duhet të shtoj dy porosi të tjera që ne duhet t’i kujtojmë në lidhje me këtë linjë vetjake të çmuar, të drejtpërdrejtë të komunikimit me Atin tonë Qiellor.

E para, në plotësinë e saj linja vetjake nuk funksionon e pavarur nga linja e priftërisë. Dhurata e Frymës së Shenjtë – mjeti i komunikimit nga Perëndia te njeriu – jepet nga autoriteti i priftërisë, kur autorizohet nga ata që mbajnë çelësa priftërie. Ajo nuk fitohet thjesht nga dëshira apo besimi. Dhe e drejta për shoqërimin e vazhdueshëm të këtij Shpirti është e nevojshme të pohohet në çdo Shabat kur ne marrim pjesë denjësisht në sakrament dhe përtërijmë besëlidhjet tona të pagëzimit për bindje dhe shërbim.

Në mënyrë të ngjashme, ne nuk mund të komunikojmë në mënyrë të besueshme nëpërmjet linjës së drejtpërdrejtë vetjake nëse ne jemi të pabindur ndaj linjës së priftërisë ose jo në përputhje me të. Zoti ka thënë se: “fuqitë e qiellit nuk mund të kontrollohen, as përdoren, veçse mbi bazën e parimeve të drejtësisë” (DeB 121:36). Fatkeqësisht, është e zakonshme për persona që shkelin urdhërimet e Perëndisë apo janë të pabindur ndaj këshillës së udhëheqësve të tyre të priftërisë, të deklarojnë se Perëndia u ka zbuluar atyre se ata janë të justifikuar të mos u binden disa urdhërimeve apo të mos ndjekin disa këshilla. Të tillë persona mund të jenë duke marrë zbulesë apo frymëzim, por nuk është prej burimit që ata supozojnë. Djalli është ati i gënjeshtrave dhe ai përherë dëshiron të pengojë punën e Perëndisë nëpërmjet imitimeve të tij të shkathta.

II. Linja e Priftërisë

Ndryshe nga linja vetjake, në të cilën Ati ynë Qiellor komunikon me ne drejtpërdrejt nëpërmjet Frymës së Shenjtë, linja e komunikimit e priftërisë ka ndërmjetësit shtesë dhe të nevojshëm, që janë Shpëtimtari ynë Jezu Krishti; Kisha e Tij; dhe udhëheqësit e caktuar të Tij.

Për shkak të asaj që Ai bëri me sakrificën e Tij shlyese, Jezu Krishti ka fuqinë të caktojë kushtet që ne duhet të përmbushim për t’u kualifikuar për bekimet e shlyerjes së tij. Kjo është arsyeja pse ne kemi urdhërime dhe ordinanca. Kjo është pse ne bëjmë besëlidhje. Kjo është pse ne kualifikohemi për bekimet e premtuara. Ato të gjitha vijnë nëpërmjet mëshirës dhe hirit të Shenjtit të Izraelit, “pas gjithçkaje që ne mund të bëjmë” (2 Nefi 25:23).

Gjatë shërbesës së Tij tokësore Jezu Krishti dha autoritetin e priftërisë që mban emrin e Tij dhe Ai krijoi një kishë që gjithashtu, mban emrin e Tij. Në këtë epokë të fundit, autoriteti i Tij i priftërisë u rivendos dhe Kisha e Tij u rikrijua nëpërmjet mesazheve nga Qielli drejtuar Profetit Jozef Smith. Kjo priftëri e rivendosur dhe kjo Kishë e rikrijuar janë në qendër të linjës së priftërisë.

Linja e priftërsë është kanali me të cilin Perëndia u ka folur fëmijëve të Tij nëpërmjet shkrimeve të shenjta në kohët e shkuara. Dhe është kjo linjë nëpërmjet së cilës, Ai aktualisht flet nëpërmjet mësimeve e këshillave të profetëve dhe apostujve të gjallë dhe udhëheqësve të tjerë të frymëzuar. Kjo është mënyra me të cilën ne marrim ordinancat e kërkuara. Kjo është mënyra me të cilën ne marrim thirrje për të shërbyer në Kishën e Tij. Kisha e Tij është rruga dhe priftëria e Tij është fuqia nëpërmjet së cilës, ne privilegjohemi të marrim pjesë në ato veprimtari të përbashkëta që janë thelbësore për të përmbushur punën e Zotit. Këto përfshijnë predikimin e ungjillit, ndërtimin e tempujve dhe të kishave dhe ndihmën për të varfërit.

Në lidhje me këtë linjë të priftërisë, besimi dhe praktika jonë është e ngjashme me këmbënguljen e disa të krishterëve që ceremonitë autoritare (sakramentet) janë thelbësore dhe duhet të kryhen nga një i autorizuar dhe i zgjedhur nga Jezu Krishti (shih Gjoni 15:16). Ne besojmë të njëjtën gjë, por sigurisht ndryshojmë nga të krishterët e tjerë nga mënyra që e kemi arritur atë autoritet.

Disa anëtarë ose ish anëtarë të Kishës sonë nuk arrijnë ta njohin rëndësinë e linjës së priftërisë. Ata nënvleftësojnë rëndësinë e Kishës dhe të udhëheqësve të saj e programeve të saj. Duke u mbështetur tërësisht në linjën vetjake, ata shkojnë në rrugën e tyre, duke pretenduar të krijojnë doktrinë dhe të drejtojnë organizata rivalizuese në kundërshtim me mësimet e profetëve-udhëheqës. Me këtë ata pasqyrojnë armiqësinë moderne ndaj asaj që me përçmim quhet “fe e organizuar”. Ata që nuk pranojnë nevojën për fe të organizuar nuk pranojnë punën e Mjeshtrit, që krijoi Kishën e Tij dhe zyrtarët e saj në kohën e lashtë dhe që i rivendosën ato në kohët moderne.

Feja e organizuar, e krijuar nga autoritet hyjnor, është thelbësore, siç na mësoi Apostulli Pal:

“Për përsosjen e shenjtorëve, për veprën e shërbimit dhe për ndërtimin e trupit të Krishtit,

derisa të arrijmë të gjithë te uniteti i besimit dhe të njohjes së Birit të Perëndisë, te një njeri i përsosur, në masën e shtatit të plotësisë së Krishtit” (Efesianëve 4:12–13).

Ne duhet të gjithë të kujtojmë thënien e Zotit në zbulesën moderne se zëri i shërbëtorëve të Zotit është zëri i Zotit (shih DeB 1:38; 21:5; 68:4).

Unë dëshiroj të shtoj dy porosi që ne duhet të kujtojmë në lidhje me besimin tonë te linja jetike e priftërisë.

E para, linja e priftërisë nuk e zëvendëson nevojën për linjën vetjake. Ne të gjithë kemi nevojë për dëshmi vetjake të së vërtetës. Me përparimin e besimit tonë, ne natyrshëm mbështetemi në fjalët dhe besimin e të tjerëve, si prindërit, mësuesit apo udhëheqësit e priftërisë (shih DeB 46:14). Por nëse ne varemi vetëm nga një udhëheqës i veçantë priftërie apo mësues për dëshminë tonë vetjake për të vërtetën, në vend që ta marrim atë dëshmi nëpërmjet linjës vetjake, ne do të jemi gjithmonë të prekshëm nga zhgënjimi prej veprimit të atij personi. Kur është puna për një njohuri apo dëshmi të pjekur të së vërtetës, ne nuk duhet të jemi të varur nga një ndërmjetës i vdekshëm midis nesh dhe Atit tonë Qiellor.

E dyta, si edhe linja vetjake, linja e priftërisë nuk mund të funksionojë plotësisht dhe siç duhet në dobinë tonë përveç kur ne jemi të denjë dhe të bindur. Shumë shkrime të shenjta na mësojnë se nëse vijojmë në shkelje serioze të urdhërimeve të Perëndisë ne do “të dëbohe[mi] nga prania e tij” (Alma 38:1). Kur ajo ndodh, Zoti dhe shërbëtorët e Tij kanë një kufizim të fortë për të na dhënë neve ndihmë shpirtërore dhe ne nuk mund ta arrijmë atë vetë.

Historia na jep një shembull të gjallë të rëndësisë së shërbëtorëve të Zotit të përgatitur të komunikojnë me Shpirtin. Profeti i ri Jozef Smith nuk mundej të përkthente kur ishte i inatosur apo i turbulluar.

David Uitmeri kujtonte: “Një mëngjes kur ai ishte duke u përgatitur për të vazhduar përkthimin, diçka nuk shkonte me shtëpinë dhe ai u zemërua për këtë. Diçka që Ema, bashkëshortja e tij, kishte bërë. Oliveri dhe unë u ngjitëm sipër dhe Jozefi erdhi atje shpejt më pas për të vazhduar përkthimin, por ai nuk mund të bënte asgjë. Ai nuk mund të përkthente asnjë rrokje. Ai zbriti shkallët, jashtë në kopshtin me fruta dhe iu lut Zotit; pati kaluar rreth një orë – u kthye përsëri në shtëpi, i kërkoi falje Emës dhe pastaj erdhi sipër ku qemë ne dhe përkthimi vazhdoi në rregull. Ai nuk mund të bënte asgjë, po të mos ishte i përulur dhe besnik.”1

III. Nevoja për Të Dyja Linjat

Unë do të përfundoj me shembuj të tjerë lidhur me nevojën për të dyja linjat që Ati ynë Qiellor ka krijuar për komunikim me fëmijët e Tij. Të dyja linjat janë thelbësore për qëllimin e Tij për të bërë të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e fëmijëve të Tij. Një tregim i hershëm në shkrimet e shenjta për këtë nevojë, është këshilla e vjehërrit Jethro që Moisiu nuk duhet të përpiqet të bëjë aq shumë. Njerëzit po prisnin për udhëheqësin e tyre të priftërisë nga mëngjesi deri në mbrëmje për “për t’u këshilluar me Perëndinë” (Eksodi 18:15) dhe gjithashtu që të “[gjykojë] njërin dhe tjetrin” (vargu 16). Ne shpesh vërejmë se si Jethro e këshillonte Moisiun të caktojë gjykatës për të trajtuar konfliktet vetjake (shih vargjet 21–22). Por Jethro gjithashtu, i dha Moisiut një këshillë që ilustron rëndësinë e linjës vetjake: “Mësoju atyre statutet dhe ligjet dhe tregoju rrugën nëpër të cilën duhet të ecin dhe atë që [ata] duhet të bëjnë” (vargu 20; theksimi shtuar).

Me fjalë të tjera, izraelitëve që shkonin pas Moisiut duhej t’u mësohej që të mos ia paraqisnin çdo çështje atij udhëheqësi të priftërisë. Ata duhej të kuptonin urdhërimet dhe të kërkonin frymëzim për të zgjidhur vet shumicën e problemeve.

Ngjarje të kohëve të fundit në Kili ilustrojnë nevojën e të dyja linjave. Kili pësoi një tërmet shkatërrimtar. Shumë nga anëtarët tanë humbën shtëpitë; disa humbën anëtarë të familjes. Shumë humbën besimin. Shpejt – sepse Kisha jonë është e përgatitur t’u përgjigjet shkatërrimeve të tilla, – u siguruan ushqime, strehë dhe ndihma të tjera materiale. Shenjtorët e Kilit dëgjuan zërin e Zotit nëpërmjet Kishës së Tij dhe udhëheqësve të saj që iu përgjigjën nevojave të tyre materiale. Por sado e fortë linja e priftërisë, ajo nuk ishte e mjaftueshme. Çdo anëtar pati nevojë ta kërkojë Zotin në lutje dhe të marrë mesazhin e drejtpërdrejtë të ngushëllimit dhe të drejtimit që vjen nëpërmjet Frymës së Shenjtë tek ata që kërkojnë dhe mbajnë vesh.

Puna jonë misionare është një shembull tjetër i nevojës për të dyja linjat. Burrat dhe gratë që janë thirrur të jenë misionarë, janë të denjë dhe me vullnet për shkak të mësimeve që kanë marrë nëpërmjet linjës së priftërisë dhe të dëshmisë që ata kanë marrë nëpërmjet linjës vetjake. Ata janë thirrur nëpërmjet linjës së priftërisë. Pastaj, si përfaqësues të Zotit dhe nën drejtimin e linjës së Tij të priftërisë, ata mësojnë kërkuesit. Kërkues të sinqertë të së vërtetës mbajnë vesh dhe misionarët i nxisin ata të luten për të ditur vet të vërtetën e mesazhit nëpërmjet linjës vetjake.

Një shembull i fundit lidhet me ato parime të temës së autoritetit të priftërisë në familje dhe në Kishë.2 I gjithë autoriteti i priftërisë në Kishë funksionon nën drejtimin e njërit që mban çelësat e duhur të priftërisë. Kjo është linja e priftërisë. Por autoriteti që kryeson në familje – qoftë babai apo nëna prind i vetëm – funksionon në çështje familjare pa qenë nevoja të merret autorizim nga ndonjë që mban çelësat e priftërisë. Ai është si linja vetjake. Të dyja linjat duhet të jenë duke funksionuar në jetën tonë familjare dhe në jetën tonë personale, nëse ne duhet të kemi rritje dhe të arrijmë destinacionin e përcaktuar nga plani i Atit tonë Qiellor për fëmijët e Tij.

Ne duhet të përdorim edhe linjën vetjake, edhe linjën e priftërisë në drejtpeshimin e duhur për të arritur rritjen që është qëllimi i jetës së vdekshme. Nëse praktika fetare vetjake mbështetet me tepëri në linjën vetjake, individualizmi e fshin rëndësinë e autoritetit hyjnor. Nëse praktika fetare vetjake mbështetet me tepëri në linjën e priftërisë, rritja individuale çalon. Fëmijët e Perëndisë kanë nevojë për të dyja linjat për të arritur destinacionin e tyre të përjetshëm. Ungjilli i rivendosur na i mëson të dyja, dhe Kisha e rivendosur i siguron të dyja.

Unë dëshmoj për profetin e Zotit, Presidentin Tomas S. Monson, i cili mban çelësat që drejtojnë linjën e priftërisë. Unë dëshmoj për Zotin Jezu Krisht, kisha e të cilit kjo është. Dhe unë dëshmoj për ungjillin e rivendosur, e vërteta e të cilit mund të mësohet nga secili prej nesh nëpërmjet linjës së çmueshme vetjake me Atin tonë Qiellor. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

  1. Në “Letter from Elder W. H. Kelley,” The Saints’ Herald, 1 mars 1 1882, f. 68. Një tregim i ngjashëm citohet në B. H. Roberts, A Comprehensive History of the Church, 1:131.

  2. Shih Dallin H. Oaks, “Autoriteti i Priftërisë në Familje dhe në Kishë”, Liahona, nëntor 2005, f. 24–27.