2010–2019
Të Ngremë një Shtëpi të Përqendruar tek Krishti
Prill 2011


Të Ngremë një Shtëpi të Përqendruar tek Krishti

Ne e kuptojmë dhe besojmë në natyrën e përjetshme te familjes. Ky kuptim dhe besim duhet të na frymëzojë për të bërë gjithçka që është në fuqinë tonë për të ngritur një shtëpi të përqendruar tek Krishti.

Herët gjatë shërbimit tim si një misionar i ri në Uruguaj dhe Paraguaj, kuptova se një nga tërheqjet më të mëdha të atyre që po kërkonin të dinin më shumë rreth Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, ishte interesi i tyre për doktrinën tonë lidhur me familjen. Në fakt, që prej rivendosjes së Ungjillit të Jezu Krishtit, kërkuesit e së vërtetës janë tërhequr nga doktrina që familjet mund të jenë së bashku përgjithmonë.

Parimi i familjeve të përjetshme është një përbërës thelbësor në planin e madh të Atit Qiellor për fëmijët e tij. Për këtë plan është kryesor të kuptuarit që ne kemi një familje qiellore si dhe një familje tokësore. Apostulli Pal na mëson se Ati Qiellor është ati i shpirtrave tanë.

“Që të kërkojnë Zotin … dhe ta gjejnë atë, …

Sepse në të ne jetojmë, lëvizim dhe jemi; … Sepse jemi edhe ne pasardhës të tij.”1

Të qenit fëmijë të një Ati të dashur Qiellor është një parim kaq themelor i ungjillit të Jezu Krishtit saqë edhe fëmijët tanë e shpallin të vërtetën e tij ndërsa këndojnë këngën e fillores “Fëmi’ i Per’ndis’ Jam”. I mbani mend fjalët?

Fëmi’ i Per’ndis’ jam,

Këtu ai më çoi,

Në tok’ më dha o një shtëpi

Me prindër kaq të mir’.

Tregom’ drejtom’ pran’ ti më rri,

Rrugën që ta gjej.

Çfar’ të bëj ti më mëso

Të rroj me të në qiej.2

Të pranuarit që ne kemi një familje hyjnore na ndihmon që të kuptojmë natyrën e përjetshme të familjeve tona tokësore. Doktrina e Besëlidhje na mëson se familja është thelbësore për rendin e qiellit: “Dhe po ai shoqërim që ekziston mes nesh këtu, do të ekzistojë mes nesh atje, veçse do të jetë me lavdi të përjetshme”3.

Të kuptuarit e natyrës së përjetshme të familjes është një përbërës vendimtar për të kuptuar planin e Atit Qiellor për fëmijët e tij. Kundërshtari, nga ana tjetër, dëshiron të bëjë gjithçka që është në fuqinë e tij për të shkatërruar planin e Atit Qiellor. Në përpjekjen e tij për të mposhtur planin e Perëndisë, ai po udhëheq një sulm të pashembullt mbi institucionin e familjes. Disa nga armët më të fuqishme që ai përdor gjatë sulmit të tij janë egoizmi, lakmia dhe pornografia.

Lumturia jonë e përjetshme nuk është një nga synimet e Satanit. Ai e di që një përbërës kyç në të bërin e burrave dhe grave të mjerë si vetja, është t’i privojë ata nga marrëdhëniet familjare të cilat kanë një potencial të përjetshëm. Për shkak se Satani e kupton që lumturia e vërtetë në këtë jetë dhe në përjetësitë bazohet tek gjendja e familjes, ai bën gjithçka që është në fuqinë e tij për ta shkatërruar atë.

Profeti i lashtë Alma, e quan planin e Perëndisë për fëmijët e Tij, “plani i madh i lumturisë”4. Presidenca e parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve, që ne i mbështesim si profetë, shikues dhe zbulues, na kanë ofruar këtë këshillë frymëzuese lidhur me lumturinë dhe jetën familjare: “Familja shugurohet nga Perëndia. Martesa midis burrit dhe gruas është thelbësore në planin e Tij të përjetshëm. Fëmijët kanë të drejtën të lindin nga prindër brenda lidhjeve të martesës dhe të rriten nga një atë dhe një nënë të cilët i nderojnë me besnikëri të plotë betimet e martesës. Lumturia në jetën familjare është e mundur të arrihet më mirë kur bazohet në mësimet e Zotit Jezu Krisht.”5

Kjo lumturi për të cilën ka folur Alma dhe së fundi nga Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve do të gjendet më me siguri në shtëpi me familjen. Do të gjendet me bollëk nëse ne bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë, për të ngritur një shtëpi të përqendruar tek Krishti.

Motra Meinis dhe unë mësuam disa parime të rëndësishme kur filluam procesin e ngritjes së një shtëpie të përqendruar tek Krishti herët në martesën tonë. Ne filluam duke ndjekur këshillën e udhëheqësve tanë të Kishës. Ne i mblodhëm fëmijët tanë dhe mbajtëm mbrëmje familjare javore si dhe lutje e studim ditor të shkrimeve të shenjta. Nuk ishte gjithmonë e lehtë, e volitshme apo e suksesshme, por me kohë këto mbledhje të thjeshta u shndërruan në tradita të çmuara të familjes.

Ne mësuam se fëmijët tanë ndoshta nuk do të mbanin mend çdo gjë rreth mësimit të mbrëmjes familjare më vonë gjatë javës, por ata do ta mbanin mend se ne e mbajtëm atë. Ne mësuam se më vonë gjatë ditës në shkollë, ata ndoshta nuk do të kujtonin fjalët e sakta të shkrimeve të shenjta ose lutjes, por ata do të kujtonin që ne njëmend lexuam shkrimet e shenjta dhe ne njëmend bëmë lutje. Vëllezër dhe motra, ka një fuqi e mbrojtje të madhe për ne dhe për rininë tonë në krijimin e traditave të shenjta në shtëpi.

Të mësuarit, mësimdhënia dhe zbatimi i parimeve të ungjillit të Jezu Krishtit në shtëpitë tona, na ndihmon të krijojmë një kulturë ku Shpirti mund të banojë. Nëpërmjet krijimit të këtyre traditave të shenjta në shtëpitë tona, ne do të jemi të aftë të kapërcejme traditat false të botës dhe të mësojmë të vendosim të parat nevojat dhe shqetësimet e të tjerëve.

Përgjegjësia për ngritjen e një shtëpie të përqendruar tek Krishti qëndron njëkohësisht mbi prindërit edhe fëmijët. Prindërit janë përgjegjës për t’i mësuar fëmijët e tyre në dashuri dhe drejtësi. Prindërit do të jenë përgjegjës përpara Zotit për mënyrën se si i përmbushin përgjegjësitë e tyre të shenjta. Prindërit i mësojnë fëmijët e tyre me fjalë dhe nëpërmjet shembullit. Kjo poezi nga S. S. Miller e titulluar “Jehona”, ilustron rëndësinë dhe efektin që kanë prindërit ndërsa ndikojnë mbi fëmijët e tyre:

Ishte një dele, jo një qengj

që humbi në shëmbëlltyrën që Jezusi tha,

Një dele e rritur që iku larg

Nga të nëntëdhjetë e nëntat në tufë.

E pse për delen ne duhet të kërkojmë

E me zell të shpresojmë e të lutemi?

Sepse ka rrezik se kur delet gabojnë:

I drejtojnë qengjat në rrugë të gabuar.

Qengjat, e dini, do të ndjekin delet,

Kudo që delet të enden.

Kur delet gabojnë,

S’do kalojë shumë para se dhe qengjat të gabojnë si to.

Dhe kështu me delen ne lutemi me zell

Për hir të qengjave sot,

Sepse kur delet humbasin

Çfarë çmimi të tmerrshëm

Qengjat do të paguajnë.6

Pasojat për prindërit që i drejtojnë fëmijët e tyre në rrugë të gabuar, na janë shpjeguar nga Zoti në Doktrinën e Besëlidhjet: “Dhe përsëri, për aq sa prindërit kanë fëmijë në Sion … të cilët nuk i mësojnë të kuptojnë doktrinën e pendimit, të besimit në Krishtin, Birin e Perëndisë së gjallë, dhe të pagëzimit e të dhuratës së Frymës së Shenjtë me anë të vënies së duarve, … mëkati qoftë mbi kokat e prindërve”7.

Është e vështirë ta teprosh me theksimin e rëndësisë që kanë prindërit për t’u mësuar fëmijëve të tyre traditat e shenjta përmes fjalës dhe shembullit. Fëmijët, gjithashtu, kanë një rol të rëndësishëm për ngritjen e një shtëpie të përqendruar tek Krishti. Më lejoni të ndaj me ju një bisedë të shkurtër të dhënë së fundi nga Uilli, nipi im tetëvjeçar, që sqaron këtë parim:

Mua më pëlqen të ngas kuajt dhe të luaj me litar me babin. Një litar ka disa fije të endura bashkë për ta bërë atë të fortë. Nëse litari do të kishte vetëm një fije, ai nuk do të mund të mbaronte punë. Por për shkak se ka më shumë fije që punojnë së bashku, ne jemi të aftë ta përdorim atë në shumë mënyra të ndryshme dhe ai është i fortë.

Familjet mund të jenë si litarët. Kur një person i vetëm po punon shumë fort dhe po bën atë që është e drejtë, familja nuk do të jetë njësoj e fortë sa kur të gjithë janë duke u përpjekur për të ndihmuar njëri-tjetrin.

Unë e di se kur bëj atë që është e drejtë, unë po ndihmoj familjen time. Kur po sillem mirë me motrën time Izabelën, ne të dy kënaqemi dhe kjo e bën mamin dhe babin të lumtur. Nëse mamit i duhet të bëjë diçka, unë mund ta ndihmoj atë duke luajtur me vëllanë tim të vogël, Xhoin. Une gjithashtu mund ta ndihmoj familjen duke e mbajtur dhomën time të pastër dhe duke ndihmuar kurdo që mundem me një qëndrim të mirë. Meqë unë jam fëmija më i madh në familjen time, unë e di se të qenit një shembull i mirë është e rëndësishme. Unë mund të bëj më të mirën time për të zgjedhur të drejtën dhe për të zbatuar urdhërimet.

“Unë e di se fëmijët mund të ndihmojnë familjet të bëhen të forta si një litar i fortë. Kur çdokush bën më të mirën dhe punohet së bashku, familjet mund të jenë të lumtura dhe të forta.”

Kur prindërit e drejtojnë familjen në dashuri dhe drejtësi dhe u mësojnë fëmijëve të tyre ungjillin e Jezu Krishtit me fjalë dhe nëpërmjet shembullit e kur fëmijët i duan dhe i mbështesin prindërit e tyre duke mësuar dhe duke zbatuar parimet që u mësojnë prindërit, rezultati do të jetë ngritja e një shtëpie të përqendruar tek Krishti.

Vëllezër e motra, si anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, ne kuptojmë dhe besojmë në natyrën e përjetshme të familjes. Ky kuptim dhe besim duhet të na frymëzojë për të bërë gjithçka që është në fuqinë tonë për të ngritur një shtëpi të përqendruar tek Krishti. Unë ndaj dëshminë time me ju se, ndërsa përpiqemi ta bëjmë këtë, ne do të zbatojmë më plotësisht dashurinë dhe shërbimin që na u tregua si shembull përmes jetës dhe shlyerjes së Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit, e si rezultat ne në shtëpitë tona mund të ndiejmë parajsën mbi tokë, në emrin e Jezu Krishtit, amen. Për këtë unë dëshmoj në emrin e Jezu Krishtit, amen.

  1. Shih Veprat e Apostujve17:27–28.

  2. “Fëmi’ i Per’ndis’ Jam” Himne dhe Këngë të Fëmijëve, f. 58.

  3. DeB 130:2; shih edhe Robert D. Hales, “The Eternal Family”, Ensign, nëntor 1996, f. 64.

  4. Alma 42:8.

  5. “Familja: Një Proklamatë Drejtuar Botës”, Liahona, nëntor 2010, f. 129.

  6. C. C. “The Echo”, në Best-Loved Poems of the LDS People, red. Jack M. Lyon dhe të tjerë (1996), f. 312–313.

  7. Doktrina e Besëlidhje 68:25; theksimi është shtuar.