2010–2019
Të Drejtuar nga Shpirti i Shenjtë
Prill 2011


Të Drejtuar nga Shpirti i Shenjtë

Secili prej nesh mund të drejtohet nga shpirti i zbulesës dhe dhurata e Frymës së Shenjtë.

Kanë kaluar 400 vite nga botimi i versionit të Mbretit Xhejms të Biblës, me ndihmesat e rëndësishme nga Uilliam Tindall, një hero i madh në sytë e mi.

Kleri nuk donte që Bibla të botohej në anglishten e thjeshtë. Ata e përndoqën Tindallin nga një vend në tjetrin. Ai u tha atyre: “Nëse Perëndia do të ma kursejë jetën, pa kaluar shumë vite, unë do të bëj që një djalë që nget parmendën do të dijë më shumë nga shkrimet e shenjta sesa ju”1.

Tindalli u tradhëtua dhe u fut në një burg të errët e të akullt në Bruksel për më shumë se një vit. Veshja e tij ishte e rreckosur. Ai iu lut ndaluesve të tij për pallton e kapelen e tij dhe një qiri, duke thënë: “Është vërtet rraskapitëse të qëndrosh vetëm në errësirë”2. Këto iu ndaluan. Më në fund, atë e morën nga burgu dhe përpara një turme të madhe e mbytën dhe e dogjën të lidhur në një hu. Por vepra dhe vdekja prej martiri e Uilliam Tindallit nuk shkuan kot.

Përderisa fëmijët shenjtorë të ditëve të mëvonshme mësojnë qysh në rini shkrimet e shenjta, ata në një masë përmbushin profecinë e bërë katër shekuj përpara nga Uilliam Tindalli.

Shkrimet tona të shenjta sot përbëhen nga Bibla, Libri i Mormonit: Një Dëshmi Tjetër e Jezu Krishtit, Perla me Vlerë të Madhe dhe Doktrina e Besëlidhje.

Për shkak të Librit të Mormonit, ne shpesh quhemi Kisha Mormone, një emër që nuk e kemi bezdi, por që vërtet nuk është i saktë.

Në Librin e Mormonit, Zoti vizitoi përsëri nefitët ngaqë ata iu lutën Atit në emrin e Tij. Dhe Zoti tha:

“Çfarë doni që t’ju jap?

Dhe ata i thanë atij: Zot, ne do të donim që ti të na tregosh emrin me të cilin ta quajmë këtë kishë; pasi ka debate mes njerëzve në lidhje me këtë çështje.

Dhe Zoti u tha: …, përse njerëzit duhet të mërmëritin dhe të bëjnë debat për këtë gjë?

A nuk i kanë lexuar shkrimet e shenjta të cilat thonë që ju duhet të merrni mbi vete emrin e Krishti … ? Pasi, me këtë emër, ju do të thirreni në ditën e fundit. …

Prandaj, çdo gjë që do të bëni, do ta bëni në emrin tim; prandaj ju do ta quani kishën në emrin tim; dhe do t’i thërrisni Atit në emrin tim, që ta bekojë kishën për hirin tim.

Dhe si do të ishte kisha ime nëse nuk do të quhej me emrin tim? Pasi, në qoftë se një kishë quhet me emrin e Moisiut, atëherë do të jetë kisha e Moisiut; ose në qoftë se quhet me emrin e një njeriu, atëherë do të jetë kisha e një njeriu; por në qoftë se quhet me emrin tim, atëherë është kisha ime, në qoftë se ata janë ndërtuar mbi ungjillin tim.”3

Të bindur ndaj zbulesës, ne e quajmë veten Kisha e e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme më mirë se Kisha Mormone. Është tjetër gjë që të tjerët ta përmendin Kishën si Kisha Mormone ose ne si mormonë; është krejt tjetër për ne që ta bëjmë këtë.

Presidenca e Parë deklaroi:

“Përdorimi i emrit të zbuluar, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. (DeB 115:4), është shumë i rëndësishëm në përgjegjësinë tonë për të shpallur emrin e Shpëtimtarit nëpër gjithë botën. Po kështu, ne kërkojmë që, kur t’i referohemi Kishës, ne të përdorim emrin e saj të plotë kudo që është e mundur. …

Kur përmendim anëtarët e Kishës, ne sugjerojmë ‘anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme’. Si përmendje e shkurtuar, parapëlqehet ‘shenjtorë të ditëve të mëvonshme’.”4

“[Ne si shenjtorë të ditëve të mëvonshme] flasim për Krishtin, ne gëzohemi në Krishtin, ne predikojmë për Krishtin, ne profetizojmë mbi Krishtin dhe shkruajmë sipas profecive tona, që fëmijët tanë të mund të dinë se cilit burim t’i drejtohen për heqjen e mëkateve të tyre.”5

Bota do të na përmendi si të dojë, por në të folurën tonë gjithmonë kujtoni që ne i përkasim Kishës së Jezu Krishtit.

Disa pretendojnë se ne nuk jemi të krishterë. Ata ose nuk na njohin fare ose na keqkuptojnë.

Në Kishë, çdo ordinancë bëhet me autoritetin dhe në emër të Jezu Krishtit.6 Ne kemi po atë organizim që pati Kisha në lashtësi me apostuj dhe profetë.7

Në kohët e lashta Zoti thirri dhe shuguroi Dymbëdhjetë Apostuj. Atë e tradhtuan dhe e kryqëzuan. Pas Ringjalljes së Tij, Shpëtimtari u mësoi dishepujve të Tij për 40 ditë dhe pastaj u ngjit në qiell.8

Por diçka u mungonte. Disa ditë më vonë, të Dymbëdhjetët u mblodhën në një shtëpi dhe “befas nga qielli erdhi një ushtimë, si ajo e një ere që fryn furishëm, dhe e mbushi gjithë shtëpinë. … Gjuhë, si prej zjarri, [qëndronin] … mbi secilin prej tyre. [Dhe] … të gjithë u mbushën me Frymën e Shenjtë.”9 Apostujt e Tij kishin tani fuqi. Ata e kuptuan se autoriteti i dhënë nga Shpëtimtari dhe dhurata e Frymës së Shenjtë ishin thelbësore për krijimin e Kishës. Ata u urdhëruan të pagëzojnë dhe të japin dhuratën e Frymës së Shenjtë.10

Përfundimisht apostujt dhe priftëria që ata mbanin, shkuan. Autoriteti dhe fuqia për të administruar duhej të rivendoseshin. Për shekuj njerëzit prisnin për rikthimin e autoritetit dhe krijimin e Kishës së Zotit.

Në 1829-ën priftëria u rivendos mbi Jozef Smithin dhe Oliver Kaudrin nga Gjon Pagëzori dhe Apostujt Pjetri, Jakobi dhe Gjoni. Tani anëtarë të denjë meshkuj të Kishës shugurohen në priftëri. Ky autoritet dhe dhurata shoqëruese e Frymës së Shenjtë, që u jepet të gjithë anëtarëve të Kishës pas pagëzimit, na veçojnë ne nga kishat e tjera.

Një zbulesë e hershme udhëzon që “çdo njeri të mund të flasë në emër të Perëndisë, Zotit, madje Shpëtimtarit të botës”11. Puna në Kishë sot kryhet nga burra dhe gra të zakonshme të thirrur dhe të mbështetur për të kryesuar, dhënë mësim dhe administruar. Është me anë të fuqisë së zbulesës dhe të dhuratës së Frymës së Shentë që ata që janë thirrur të drejtohen për të ditur vullnetin e Zotit. Të tjerë mund të mos i pranojnë gjëra të tilla si profecia, zbulesa dhe dhurata e Frymës së Shenjtë, por nëse ata do të na kuptojnë plotësisht, ata duhet ta kuptojnë se ne i pranojmë ato gjëra.

Zoti i zbuloi Jozef Smithit një kod shëndeti, Fjalën e Urtësisë, shumë më përpara se rreziqet të bëheshin të njohura për botën. Të gjithëve u mësohet të shmangin çajin, kafenë, likerin, duhanin dhe sigurisht morinë e drogave dhe të lëndëve vartësuese, që janë gjithmonë të pranishme përpara të rinjve tanë. Atyre që i binden kësaj zbulese, u është premtuar se ata “do të marrin shëndet në kërthizën e tyre dhe palcë në kockat e tyre;

Dhe do të gjejnë urtësi dhe thesare të mëdha diturie, madje thesare të fshehura;

Dhe do të vrapojnë e nuk do të lodhen, dhe do të ecin e nuk do të këputen.”12

Në një zbulesë tjetër, standardi i moralit të Zotit urdhëron që forcat e shenjta të krijimit të jetës duhet të përdoren vetëm midis burrit dhe gruas bashkëshort e bashkëshorte.13 Keqpërdorimi i kësaj fuqie kapërcehet për nga rëndësia vetëm nga derdhja e një gjaku të pafajshëm dhe nga mohimi i Frymës së Shenjtë.14 Nëse një person shkel ligjin, doktrina e pendimit mëson si të fshihet efekti i kësaj shkeljeje.

Kushdo vihet në provë. Njeriu mund të mendojë se është e padrejtë që vetëm ai të bëhet objekt i një tundimi të veçantë, por ky është qëllimi i jetës së vdekshme – të provohesh. Dhe përgjigjja është e njëjtë për cilindo: ne duhet dhe ne mundemi t’u rezistojmë tundimeve të çfarëdolloji.

“Plani i madh i lumturisë”15 përqendrohet te jeta familjare. Bashkëshorti është kreu i shtëpisë dhe bashkëshortja zemra e shtëpisë. Dhe martesa është një bashkëpjesëmarrje e barabartë. Një shenjtor i ditëve të mëvonshme është burrë përgjegjës për familjen, besnik në ungjill. Ai është një bashkëshort dhe atë i dashur dhe i përkushtuar. Ai nderon grarinë. Bashkëshortja e mbështet bashkëshortin e saj. Të dy prindërit ushqejnë rritjen shpirtërore të fëmijëve të tyre.

Shenjtorët e ditëve të mëvonshme mësohen ta duan njëri-tjetrin dhe të falin sinqerisht ofendimet.

Jeta ime u ndryshua nga një patriark i drejtë. Kur ishte i ri ai u martua me vajzën që dashuronte. Ata ishin thellësisht në dashuri dhe shpejt ajo po priste fëmijën e tyre të parë.

Natën që lindi fëmija, pati ndërlikime. I vetmi mjek ishte diku në fshat duke u kujdesur për një të sëmurë. Pas shumë orësh me fëmijën, gjendja e nënës u bë e dëshpëruar. Më në fund, doktori u gjend. Në gjendjen kritike, ai veproi menjëherë dhe shpejt fëmija lindi dhe kriza, dukej, kaloi. Por disa ditë më vonë, nëna e re vdiq nga po ai infeksion që mjeku pati trajtuar te një shtëpi tjetër atë natë.

Jeta e të riut u rrënua. Ndërsa javët kalonin, mjerimi i tij rritej. Ai mendonte pak për gjëra të tjera dhe në hidhërimin e tij u bë kërcënues. Sot, pa dyshim, ai do të ishte shtyrë të bënte padi për keqpërdorim të profesionit, sikur paratë të zgjidhnin ndonjë gjë.

Një natë në derën e tij dikush trokiti. Një vajzë e vogël thjesht tha: “Babi ju dëshiron të vini te shtëpia jonë. Ai do që të bisedojë me ju.”

“Babi” ishte presidenti i kunjit. Këshilla nga ai udhëheqës i urtë ishte thjesht: “Xhon, lëre atë. Asgjë që bën për të, nuk do ta kthejë përsëri. Çfarëdo që ti bën do ta përkeqësojë. Xhon, lëre atë.”

Kjo pati qenë prova e mikut tim. Si mund ta linte ai atë? Një gabim i tmerrshëm ishte bërë. Ai luftoi që ta mbledhë veten dhe më në fund vendosi që të ishte i bindur dhe të ndiqte këshillën e atij presidenti të urtë kunji. Ai do ta linte atë.

Ai tha: “Unë isha i moshuar kur kuptova dhe munda më në fund të kuptoj që, një mjek i varfër fshati – i mbingarkuar me punë, i paguar pak, vraponte i rraskapitur nga një i sëmurë tek tjetri, me pak ilaçe, pa spital, pak mjete, duke u përpjekur të shpëtojë jetë dhe me sukses në të shumtën. Ai pati ardhur në një moment krize, kur dy jetë ishin në teh dhe pati vepruar pa vonesë. Më në fund e kuptova!” Ai tha: “Unë do të kisha rrënuar jetën time dhe jetën e të tjerëve”.

Shumë herë ai pati falënderuar Zotin për udhëheqësin e urtë të priftërisë që e këshilloi thjesht: “Xhon, lëre atë”.

Përreth nesh shohim anëtarë të Kishës që janë ofenduar. Disa ofendohen nga rastësi në historinë e Kishës ose të udhëheqësve të saj dhe vuajnë gjithë jetën e tyre, të paaftë t’i shohin të kapërcyera gabimet e të tjerëve. Ata nuk i lënë ato. Ata bëhen jo aktivë në Kishë.

Ai qëndrim është diçka si një burrë që goditet nga një dajak. I fyer, ai merr një dajak dhe godit veten në kokë gjatë gjithë ditëve të jetës së tij. Sa i pamend! Sa i dëshpëruar! Ajo lloj hakmarrjeje është vetëdëmtuese. Nëse jeni fyer, falni, harrojeni, lëreni atë.

Libri i Mormonit sjell këtë paralajmërim: “Dhe tani, në qoftë se ka gabime, ato janë gabime të njerëzve; prandaj mos dënoni gjërat e Perëndisë, që të mund të gjendeni pa njollë në fronin e gjykimit të Krishtit”16.

Një shenjtor i ditëve të mëvonshme është vetëm një njeri i zakonshëm. Ne jemi tani kudo në botë 14 milionë. Ky është vetëm fillimi. Ne jemi mësuar të jemi në botë, por jo të jemi prej botës.17 Prandaj, ne bëjmë jetë të zakonshme në familje të zakonshme të përzier me njerëzit e tjerë.

Ne jemi mësuar të mos gënjejmë apo të vjedhim apo të mashtrojmë.18 Ne nuk përdorim gjuhë vulgare. Ne jemi pozitivë e të lumtur dhe jo të trembur nga jeta.

Ne jemi “të gatshëm të [vajtojmë] me ata që vajtojnë … dhe të [ngushëllojmë] ata që kanë nevojë të ngushëllohen dhe të [qëndrojmë] si dëshmitarë të Perëndisë në të gjitha kohërat dhe në të gjitha gjërat dhe në të gjitha vendet”19.

Nëse dikush po kërkon për një kishë që kërkon shumë pak, kjo nuk është ajo. Nuk është e lehtë të jesh shenjtor i ditëve të mëvonshme, por në afat të gjatë kjo është rruga e vërtetë.

Pavarësisht nga kundërshtimi apo “[luftërat, zhurmat e luftërave dhe tërmetet] në vende të ndryshme”20, asnjë forcë apo ndikim nuk mund ta ndalojë këtë punë. Secili prej nesh mund të drejtohet nga shpirti i zbulesës dhe dhurata e Frymës së Shenjtë. “Po aq sa njeriu mundet ta shtrijë krahun e tij të dobët për të ndaluar lumin Misuri në udhën e tij të përcaktuar ose t’ia kthejë mbrapsht rrjedhën, aq mund të pengohet i Plotfuqishmi nga derdhja e diturisë së tij prej qiellit mbi kokat e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme”.21

Nëse po mbani një barrë, harrojeni, lëreni atë. Bëni shumë falje dhe pak pendesë dhe ju do të vizitoheni nga Shpirti i Frymës së Shenjtë dhe do të siguroheni nga dëshmia që ju nuk e dinit se ekzistonte. Ju do të mbroheni dhe do të bekoheni – ju dhe njerëzit tuaj. Kjo është një ftesë për të ardhur tek Ai. Kjo kishë – Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, “[e vetmja] kishë [e] vërtetë dhe [e] gjallë mbi faqen e tërë dheut”22, sipas vetë deklaratës së Tij – është vendi ku ne gjejmë “planin e madh të lumturisë”23. Për këtë unë sjell dëshmi në emrin e Jezu Krishtit, amen.

  1. Te David Daniell, hyrje në Tyndale’s New Testament (1989), f. viii.

  2. Te David Daniell, hyrje në Tyndale’s New Testament f. ix.

  3. 3 Nefi 27:2–5, 7–8.

  4. First Presidency letter, 23 shkurt 2001.

  5. 2 Nefi 25:26.

  6. Shih Moisiu 5:8; pagëzimi: shih 2 Nefi 31:12; 3 Nefi 11:27; 18:16; bekimi i të sëmurëve: shih Doktrina e Besëlidhje 42:44; dhënia e Frymës së Shenjtë: shih Moroni 2:2; shugurimi i priftërisë: shih Moroni 3:1–3; sakramenti: shih Moroni 4:1–3; mrekullitë: shih Doktrina e Besëlidhje 84:66–69.

  7. Shih Nenet e Besimit 1:6.

  8. Shih Veprat e Apostujve 1:3–11.

  9. Veprat e Apostujve 2:2–4.

  10. Shih Veprat e Apostujve 2:38.

  11. Doktrina e Besëlidhje 1:20.

  12. Doktrina e Besëlidhje 89:18–20.

  13. Shih “Familja: Një Proklamatë Drejtuar Botës”, Liahona, nëntor 2010, f. 129.

  14. Shih Alma 39:4–6.

  15. Alma 42:8.

  16. Faqja e titullit e Librit të Mormonit.

  17. Shih Gjoni 17:14–19.

  18. Shih Eksodi 20:15–16.

  19. Mosia 18:9.

  20. Mormoni 8:30.

  21. Doktrina e Besëlidhje 121:33.

  22. Doktrina e Besëlidhje 1:30.

  23. Alma 42:8.