2010–2019
Është Konferencë Sërish
Prill 2011


Është Konferencë Sërish

Faleminderit për besimin dhe përkushtimin tuaj ndaj ungjillit, për dashurinë dhe kujdesin që i shfaqni njëri-tjetrit dhe për shërbimin që jepni.

Kur kjo ndërtesë u projektua, ne menduam se nuk do ta mbushnim kurrë atë. Pa shiheni atë tani.

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, sa mirë është të jemi sërish së bashku ndërsa fillojmë Konferencën e Përgjithshme Vjetore të 181-të të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

Gjashtë muajt e shkuar duket se kanë kaluar shpejt ndërsa unë kam qenë i zënë me shumë përgjegjësi. Një nga bekimet e mëdha gjatë kësaj kohe ka qenë të ripërkushtoja Tempullin e bukur të Laie-s në Havai, i cili i është nënshtruar rinovimit të gjerë për gati dy vite. Unë shoqërohesha nga Presidenti e Motra Henri B. Ajring, Plaku e Motra Kuentin L. Kuk dhe Plaku e Motra Uilliam R. Uolker. Gjatë mbrëmjes përpara ripërkushtimit, që ndodhi në nëntor, ne vështruam 2.000 të rinj nga distrikti i tempullit tek mbushën Qendrën e Aktiviteteve Kanon në kompleksin universitar të UBJ–Havait dhe dhanë shfaqje për ne. Shfaqja e tyre titullohej “Vendi i Mbledhjes” dhe tregonte në mënyrë krijuese dhe mjeshtërore ngjarje nga historia vendore e Kishës dhe historia e tempullit. Çfarë mbrëmje e mrekullueshme qe ajo!

Dita vijuese qe një gosti shpirtërore ndërsa tempulli u ripërkushtua në tre sesione. Shpirti i Zotit qe me ne me shumë bollëk.

Ne vazhdojmë të ndërtojmë tempuj. Është privilegji im këtë mëngjes të njoftoj tre tempuj të tjerë për të cilët janë siguruar vendet e ndërtimit dhe të cilët, në muajt dhe vitet e ardhshëm do të ndërtohen në vendet në vijim: Fort Kolins në Kolorado; Meridian në Ajdaho dhe Uinipeg i Manitobës në Kanada. Ata sigurisht do të jenë një bekim për anëtarët tanë në ato zona.

Çdo vit, miliona ordinanca kryhen në tempuj. Vazhdofshim të jemi besnikë në kryerjen e ordinancave të tilla, jo vetëm për vete, por gjithashtu për njerëzit tanë të dashur që kanë vdekur, të cilët nuk janë në gjendje ta bëjnë këtë për veten.

Kisha vazhdon të japë ndihmë humanitare në kohë fatkeqësish. Më së fundi, zemrat dhe ndihma jonë kanë shkuar në Japoni pas tërmetit e cunamit shkatërrues dhe sfidave bërthamore që rezultuan. Ne kemi shpërndarë më shumë se 63 tonë furnizime, përfshirë ushqim, ujë, batanije, shtresa shtrati, artikuj higjiene, veshje dhe lëndë djegëse. Të rinjtë tanë në moshë madhore beqarë kanë dhënë vullnetarisht kohën e tyre për të gjetur anëtarët e humbur duke përdorur internetin, teknologji komunikimi shoqërore dhe mjete të tjera moderne të komunikimit. Anëtarët po shpërndajnë ndihma, me motoçikleta të siguruara nga Kisha, në zona që është e vështirë të arrihen me automjete. Projekte shërbimi për të paketuar komplete higjiene dhe komplete pastrimi janë organizuar në kunje e lagje të shumta në Tokio, Nagoja dhe Osaka. Deri tani, më shumë se 40.000 orë shërbimi janë dhuruar nga më shumë se 4.000 vullnetarë. Ndihma jonë do të jetë e vazhdueshme në Japoni dhe në cilatdo zona ku ka nevojë.

Vëllezërit dhe motrat e mia, unë ju falënderoj për besimin dhe përkushtimin tuaj ndaj ungjillit, për dashurinë dhe kujdesin që i shfaqni njëri-tjetrit dhe për shërbimin që jepni në lagjet, degët, kunjet dhe distriktet tuaja. Faleminderit, gjithashtu, për besnikërinë tuaj në pagimin e të dhjetave e ofertave tuaja dhe për bujarinë në kontributin për fonde të tjera të Kishës.

Në fund të vitit 2010 ishin 52.225 misionarë që shërbenin në 340 misione në mbarë botën. Puna misionare është lëngu jetësor i mbretërisë. Më lejoni t’ju sugjeroj që, nëse jeni në gjendje, të mund të merrni parasysh të jepni një kontribut për Fondin e Përgjithshëm të Misionarëve të Kishës.

Tani, vëllezër dhe motra, ne mezi po presim të dëgjojmë mesazhet që do të na paraqiten sot dhe nesër. Ata që do të na flasin, kanë kërkuar ndihmë dhe drejtim nga qielli, kur kanë përgatitur mesazhet e tyre. Që ne të mund të mbushemi me Shpirtin e Zotit dhe të lartësohemi e të frymëzohemi ndërsa dëgjojmë e mësojmë, është lutja ime. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.