2010–2019
Të Mësosh në Priftëri
Prill 2011


Të Mësosh në Priftëri

Nëse do të jeni të zellshëm dhe të bindur në priftëri, thesare të diturisë shpirtërore do të derdhen mbi ju.

Jam mirënjohës që jam me ju në këtë mbledhje të priftërisë së Perëndisë. Ne jemi në shumë vende të ndryshme sonte dhe në shumë etapa në shërbimin tonë në priftëri. Prapëseprapë, me gjithë shumëllojshmërinë e rrethanave tona, ne kemi një nevojë të përbashkët. Ajo është që të mësojmë detyrat tona në priftëri dhe të rritemi në fuqinë tonë për t’i kryer ato.

Kur isha dhjak, e ndieja fort atë nevojë. Unë jetoja në një degë shumë të vogël të Kishës në Nju Xhersi, në bregun lindor të Shteteve të Bashkuara. Unë isha i vetmi dhjak në degë – jo thjesht i vetmi që merrte pjesë, por i vetmi në dokumente. Vëllai im më i madh, Tedi, ishte i vetmi mësues. Ai është këtu sonte.

Ndërsa isha ende dhjak, familja ime u zhvendos në Juta. Atje, gjeta tri gjëra ekzistuese të mrekullueshme, që përshpejtuan rritjen time në priftëri. E para ishte një president, i cili dinte se si të ulej në këshill me anëtarët e kuorumit të tij. E dyta ishte besimi i madh në Jezu Krisht që çoi në dashurinë e madhe, për të cilën kemi dëgjuar – dashurinë për njëri-tjetrin. E treta, ishte bindja e përbashkët se qëllimi ynë gjithëpërmbledhës në priftëri ishte që të punonim për shpëtimin e njerëzve.

Nuk ishte lagjja e mirëthemeluar që solli ndryshimin. Ajo që ishte aty, mund të jetë kudo, në çfarëdo njësie të Kishës që jeni.

Këto tri gjëra mund të jenë kaq shumë pjesë e përvojës suaj në priftëri, saqë ju me zor i vini re. Për sa i përket të tjerëve, ju mund të mos e ndieni nevojën për rritje, kështu që këto ndihmesa mund të jenë të panevojshme për ju. Në të dyja rastet, unë lutem që Shpirti do të më ndihmojë t’i bëj ato të qarta dhe tërheqëse për ju.

Qëllimi im në të folurin për këto tri gjëra ndihmëse për rritjen në priftëri, është t’ju nxis që t’i vlerësoni ato dhe t’i përdorni ato. Nëse e bëni [këtë], shërbimi juaj do të ndryshojë për më mirë. Dhe, nëse e lartësoni shërbimin tuaj në priftëri, ai do të bekojë fëmijët e Atit Qiellor më tepër se sa ju, tani, e përfytyroni të mundshme.

[Gjënë e] parë, e zbulova kur u mirëprita në një kuorum të priftërisë me peshkopin si presidentin tonë. Kjo mund t’ju duket një gjë e vogël, por mua më dha një ndjenjë të fuqisë në priftëri, gjë që ka ndryshuar shërbimin tim në priftëri që atëherë. Filloi me mënyrën se si na udhëhiqte.

Mua pothuaj më dukej se ai i trajtonte mendimet e priftërinjve të rinj sikur ne të ishim njerëzit më të mençur në botë. Ai priste derisa të kishin folur të gjithë, që donin të flisnin. Ai dëgjonte. Dhe kur ai vendoste atë që duhej bërë, më dukej se Shpirti na i pohonte vendimet neve dhe atij.

E kuptoj tani, se pata ndier atë që nënkupton shkrimi i shenjtë kur thotë se presidenti duhet të ulet në këshill me anëtarët e kuorumit të tij.1 Dhe vite më vonë, si peshkop, kur isha me kuorumin tim të priftërisë, si ata edhe unë, morëm mësim nga ajo që pata mësuar si prift i ri.

Njëzet vjet më vonë, si peshkop, pata mundësinë që të shihja efektivitetin e një këshilli, jo vetëm në shtëpinë e mbledhjeve, por në male gjithashtu. Gjatë një aktiviteti të së shtunës, një anëtar i kuorumit tonë, natën, kishte humbur në pyll. Me aq sa dinim, ai ishte vetëm dhe pa rroba të ngrohta, ushqim apo strehë. Ne kërkuam për të pa sukses.

Ajo që kujtoj është që ne u lutëm së bashku, unë dhe kuorumi i priftërinjve; dhe pastaj i kërkova secilit që të fliste. Unë dëgjova me qëllim dhe m’u duk se edhe ata e dëgjuan njëri-tjetrin. Pas pak, një ndjenjë paqeje qëndroi mbi ne. Ndjeva se anëtari ynë i humbur i kuorumit ishte i sigurt dhe i thatë diku.

M’u bë e qartë ajo që kuorumi duhej të bënte dhe ajo që nuk duhej të bënte. Kur njerëzit që e gjetën, përshkruan vendin në pyll, ku kishte shkuar për të qenë i sigurt, ndjeva se e njoha atë vend. Por, mrekullia më e madhe për mua ishte që të shihja besimin në Jezu Krisht të një këshilli të bashkuar priftërie, t’i sillte zbulesë burrit që mbante çelësat e priftërisë. Atë ditë, ne të gjithë u rritëm në fuqinë e priftërisë.

Çelësi i dytë për të mësuarin e shtuar, është që të kemi dashuri për njëri-tjetrin, e cila vjen nga besimi i madh. Nuk jam i sigurt se cila vjen përpara, por si dashuria edhe besimi duket të jenë gjithmonë të pranishme, kurdoherë që ka [proces] të mësuari të mrekullueshëm dhe të shpejtë në priftëri. Jozef Smithi na e mësoi atë nëpërmjet shembullit.

Në ditët e hershme të Kishës, në këtë periudhë ungjillore, ai mori një urdhër nga Perëndia që të ndërtonte fuqinë në priftëri. Ai u udhëzua që të krijonte shkolla për mbajtësit e priftërisë. Zoti vendosi kërkesën që të kishte dashuri për njëri-tjetrin mes atyre që do jepnin mësim dhe atyre që do mësoheshin. Ja ku janë fjalët e Zotit rreth krijimit të një vendi të të mësuarit në priftëri dhe asaj se si dukej për ata që duhej të mësonin në të:

“Organizoni veten tuaj; … ngrini një shtëpi … mësimi, … një shtëpi rregulli. …

Caktoni mes jush një mësues dhe mos jini të gjithë zëdhënës në të njëjtën kohë; por njëri duhet të flasë në një kohë dhe të gjithë të dëgjojnë thëniet e tij, që kur të gjithë të kenë folur, të gjithë të jenë lartësuar prej gjithçkaje dhe që cilido të ketë një privilegj të barabartë.”2

Zoti po përshkruan atë, që tashmë e kemi parë, e cila është fuqia e një këshilli priftërie apo klase për të sjellë zbulesë nëpërmjet Shpirtit. Zbulesa është e vetmja mënyrë nëpërmjet së cilës mund të arrijmë të dimë se Jezusi është Krishti. Ai besim i madh është hapi i parë në shkallën që ngjitim për të mësuar parimet e ungjillit.

Në seksionin 88-të të Doktrina e Besëlidhjeve, në vargjet 123 dhe 124, Zoti thekson dashurinë për njëri-tjetrin dhe të mos gjeturin faj njëri me tjetrin. Në shkollën e priftërisë, të themeluar nga profeti i Zotit, secili stad arrihet nëpërmjet bërjes së një besëlidhjeje me duar të ngritura për të qenë një “[mik] dhe [vëlla] … në lidhjet e dashurisë”3.

Ne nuk e ndjekim atë praktikë sot, por kurdoherë që kam parë mësim të mrekullueshëm në priftëri, aty janë ato lidhje të dashurisë. Përsëri, e kam parë edhe si shkak edhe si pasojë të mësimit të të vërtetave të ungjillit. Dashuria fton Frymën e Shenjtë që të jetë e pranishme për të konfirmuar të vërtetën. Dhe gëzimi i të mësuarit të të vërtetave hyjnore krijon dashuri në zemrën e njerëzve që marrin pjesë në përvojën e të mësuarit.

E kundërta është gjithashtu e vërtetë. Mosmarrëveshja apo zilia ul aftësinë e Frymës së Shenjtë për të na mësuar dhe pengon aftësinë tonë për të marrë dritë e të vërtetë. Dhe në ndjenjat e zhgënjimit, që pa dyshim vijojnë, janë farërat e një mosmarrëveshjeje më të madhe dhe të gjetjes së fajit mes atyre të cilët pritnin një përvojë mësimore që nuk e morën.

Mbajtësit e priftërisë që mësojnë mirë së bashku, më duket se gjithmonë kanë paqebërës të mëdhenj mes tyre. Ju e shihni paqebërjen në klasa të priftërisë dhe në këshilla. Ajo është dhurata për të ndihmuar njerëzit që të dallojnë të përbashkëtën kur të tjerë shikojnë mospajtime. Është dhurata e paqebërësit që të ndihmojë njerëzit të kuptojnë se ajo që tha dikush tjetër ishte një ndihmesë, më tepër sesa një korrigjim.

Me mjaftueshëm dashuri të pastër të Krishtit dhe një dëshirë për të qenë paqebërës, uniteti është i mundur në këshilla të priftërisë dhe në klasa. Kërkohet durim dhe përulësi, por e kam parë të ndodhë edhe kur problemet janë të vështira; dhe kur njerëzit në këshilla ose klasa vijnë nga mjedise shumë të ndryshme.

Është e mundur që të arrihet standardi i lartë, i vendosur nga Zoti për mbajtësit e priftërisë në marrjen e vendimeve në kuorume. Është e mundur kur ka besim e dashuri të madhe dhe mungesë grindjeje. Këtu është kërkesa e Zotit me qëllim miratimin prej Tij të vendimeve tona: “Dhe çdo vendim, i bërë nga secili prej këtyre kuorumeve, duhet të jetë me anë të zërit unanim të tyre; që është, që çdo anëtar i secilit kuorum duhet të bjerë dakort me vendimet e tij, me qëllim që t’i bëjnë vendimet e tyre të së njëjtës fuqi ose vlefshmëri njëri me tjetrin”4.

Gjëja e tretë ndihmëse për të mësuarin në priftëri vjen me një bindje të përbashkët rreth arsyes pse Zoti na bekon dhe na mirëbeson që të mbajmë dhe ushtrojmë priftërinë e Tij. Bindja e përbashkët është që të punojmë për shpëtimin e njerëzve. Ajo sjell unitet në kuorume. Ne mund të fillojmë të mësojmë rreth kësaj nga rrëfimi në shkrimet e shenjta për mënyrën sesi ne, bijtë shpirtërorë, u përgatitëm përpara lindjes për këtë nder të rrallë të mbajtjes së priftërisë.

Duke folur rreth atyre që iu është dhënë mirëbesimi i madh i priftërisë në këtë jetë, Zoti tha: “Madje përpara se të lindeshin, ata, me shumë të tjerë, i morën mësimet e para në botën e shpirtrave dhe u përgatitën për të ardhur në kohën e duhur të Zotit për të punuar në vreshtin e tij për shpëtimin e shpirtrave të njerëzve”5.

Në priftëri ne ndajmë detyrën e shenjtë të të punuarit për shpirtrat e njerëzve. Ne duhet të bëjmë më shumë sesa të mësojmë që kjo është detyra jonë. Ajo duhet të depërtojë aq thellë në zemrën tonë saqë as kërkesat e shumta për përpjekje nga ne në lule të jetës, as sfidat që vijnë me moshën të mos na zmbrapsin nga ai qëllim.

Pak kohë më parë, vizitova një prift të lartë në shtëpinë e tij. Ai nuk është më në gjendje që të vijë në mbledhjet tona të kuorumit. Ai jeton vetëm. Gruaja e tij e bukur vdiq dhe fëmijët jetojnë larg prej tij. Koha dhe sëmundja ia kufizojnë aftësinë për të shërbyer. Ai ende ngre pesha për të ruajtur aq sa mundet nga forca e tij e fuqishme, e dikurshme.

Kur hyra në shtëpinë e tij, ai u ngrit me patericën e tij katërkëmbëshe për të më përshëndetur. Më ftoi që të ulesha në një karrige pranë tij. Ai foli për shoqëritë tona të gëzueshme në priftëri.

Pastaj, me shumë forcë, më tha: “Përse jam ende gjallë? Përse jam ende këtu? Unë nuk mund të bëj asgjë.”

I thashë se po bënte diçka për mua. Po më lartësonte me besimin e tij dhe dashurinë e tij. Madje dhe në vizitën tonë të shkurtër, ai më bëri që të dëshiroj të jem më i mirë. Shembulli i tij i vendosmërisë për të bërë diçka që kishte rëndësi, më kishte frymëzuar që të përpiqesha më fort për t’u shërbyer të tjerëve dhe Zotit.

Por, nga tingulli i trishtuar i zërit të tij dhe vështrimi në sytë e tij, mund ta ndieja se nuk i isha përgjigjur pyetjeve të tij. Ai ende pyeste veten se përse Perëndia e linte të jetonte me kaq kufizime në aftësinë e tij për të shërbyer.

Me mënyrën e tij të zakonshme e bujare, më falënderoi që shkova ta shikoja. Kur u çova për t’u larguar, infermierja, që i vjen në shtëpi për pak orë çdo ditë, hyri nga një dhomë tjetër. Gjatë bisedës sonë private, ai më kishte treguar pak rreth saj. Ai tha se ajo ishte e mrekullueshme. Ajo kishte jetuar mes shenjtorëve të ditëve të mëvonshme më të shumtën e jetës së saj, por nuk ishte ende anëtare.

Ajo u ngrit për të më drejtuar tek dera. Ai iu drejtua asaj dhe tha me buzëqeshje: “Shiko, duket se mund të bëj diçka. Jam përpjekur ta bëj të pagëzohet në Kishë, por nuk ka funksionuar.” Ajo ia ktheu buzëqeshjen atij dhe mua. Dola jashtë dhe u ktheva drejt shtëpisë sime aty afër.

Atëherë, kuptova se përgjigjet ndaj pyetjeve të tij ishin mbjellë në zemrën e tij shumë kohë më parë. Ai prift i lartë, i guximshëm, po përpiqej të bënte detyrën e tij, që iu mësua gjatë dekadave të tij në priftëri.

Ai e dinte se e vetmja mënyrë, se si ajo e re mund të kishte bekimin e shpëtimit përmes ungjillit të Jezu Krishtit, ishte që të bënte një besëlidhje duke u pagëzuar. Ai ishte mësuar në përputhje me besëlidhjet nga çdo president i çdo kuorumi, nga dhjak në prift të lartë.

Ai e kujtonte dhe e ndiente vetë betimin dhe besëlidhjen e tij në priftëri. Ai ende po e mbante atë.

Ai ishte një dëshmitar dhe misionar i Shpëtimtarit në çfarëdo rrethane të jetës. Tanimë ishte në zemrën e tij. Dëshira e zemrës së tij ishte, që zemra e saj të mund të ndryshohej përmes Shlyerjes së Jezu Krishtit nëpërmjet mbajtjes së besëlidhjeve të shenjta.

Koha e tij në shkollën e priftërisë, në këtë jetë, do të jetë relativisht e shkurtër krahasuar me përjetësinë. Por edhe në atë periudhë të shkurtër, ai i ka zotëruar mësimet e përjetësisë. Kudo që Zoti ta thërrasë, ai do të mbartë me vete mësimet e priftërisë me vlerë të përjetshme.

Jo vetëm që duhet të jeni të etur për të mësuar mësimet tuaja të priftërisë në këtë jetë, por duhet të jeni optimist rreth asaj që është e mundur. Disa prej nesh mund t’i kufizojmë në mendjet tona, mundësitë tona për të mësuar atë që Zoti na ofron përpara në shërbimin e Tij.

Një i ri e la fshatin e tij të vogël në Uells në fillimet e viteve 1840, dëgjoi Apostujt e Perëndisë dhe erdhi në mbretërinë e Perëndisë në tokë. Ai lundroi me Shenjtorët drejt Amerikës dhe drejtoi një karro drejt perëndimit, përmes rrafshinave. Ai ishte në kompaninë vijuese pas ardhjes së Brigam Jangut në këtë luginë. Shërbimi i tij në priftëri përfshiu përgatitjen dhe plugimin e tokës për një fermë.

Ai e shiti fermën shumë më pak nga vlera e saj, që të shkonte në një mision për Zotin në shkretëtirat e asaj që tani është Nevada, për t’u kujdesur për dele. Nga aty, ai u thirr në një mision tjetër, përtej oqeanit, pikërisht në fshatin që e kishte lënë në varfërinë e tij për të ndjekur Zotin.

Përmes gjithë kësaj, ai gjeti një mënyrë për të mësuar me vëllezërit e tij të priftërisë. Si misionar i guximshëm që ishte, eci poshtë rrugicës në Uells, drejt pronës verore të një njeriu, që qe katër herë kryeministër i Anglisë, për t’i ofruar atij ungjillin e Jezu Krishtit.

Njeriu i madh e lejoi brenda shtëpisë së tij të madhe. Ai ishte një i diplomuar nga Kolegji i Eton-it dhe Universiteti i Oksfordit. Misionari foli me të rreth origjinave të njeriut, rolit qendror të Jezu Krishtit në historinë e botës dhe madje për fatin e kombeve.

Në fund të takimit të tyre, mikpritësi refuzoi ofertën për të pranuar pagëzimin. Por kur po ndaheshin, ai udhëheqës i një prej perandorive më të mëdha të botës e pyeti misionarin e përulur: “Ku je arsimuar?” Përgjigjja e tij: “Në priftërinë e Perëndisë”.

Mund ta keni menduar, njëherë, se sa më e mirë do të kishte qenë jeta juaj sikur vetëm të ishit pranuar për të studiuar në një shkollë të caktuar të mirë. Lutem që do ta shihni madhësinë e dashurisë së Perëndisë për ju dhe mundësinë që ju ka dhënë për të hyrë në shkollën e Tij të priftërisë.

Nëse do të jeni të zellshëm dhe të bindur në priftëri, thesare të diturisë shpirtërore do të derdhen mbi ju. Ju do të rriteni në fuqinë tuaj për t’i rezistuar të ligës dhe për të shpallur të vërtetën që të çon në shpëtim. Ju do të gjeni gëzim në lumturinë e atyre që i udhëhiqni drejt ekzaltimit. Familja juaj do të bëhet një vend mësimi.

Dëshmoj se çelësat e priftërisë janë rivendosur. Presidenti Tomas S. Monson i mban dhe ushtron ato çelësa. Perëndia jeton dhe ju njeh përsosmërisht. Jezu Krishti jeton. Ju u zgjodhët për të pasur nderin e mbajtjes së priftërisë së shenjtë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

  1. Shih Doktrina e Besëlidhje 107:87.

  2. Doktrina e Besëlidhje 88:119, 122.

  3. Doktrina e Besëlidhje 88:133.

  4. Doktrina e Besëlidhje 107:27.

  5. Doktrina e Besëlidhje 138:56.