2010–2019
Bekimet më me Vlerë të Zotit
Prill 2011


Bekimet më me Vlerë të Zotit

Kur paguajmë të dhjetën tonë besnikërisht, Zoti do të hapë pragjet e qiellit dhe do të derdhë mbi ne bekimet e Tij më me vlerë.

Unë jam mirënjohës për paraardhësit e drejtë që u mësuan ungjillin fëmijëve të tyre në shtëpi shumë kohë më parë se të kishte mbrëmje familjare zyrtare. Gjyshërit e mi nga nëna qenë Ida Xhesperson dhe Xhon A. Ueten. Ata jetuan në komunitetin e vogël të Kolonia-Huarezit, në Çiuaua të Meksikës. Fëmijët e familjes Ueten morën mësim ungjillin nëpërmjet udhëzimit dhe vëzhgimit të shembullit të prindërve të tyre.

Fillimi i viteve 1920 në Meksikë qe kohë e vështirë. Revolucioni i dhunshëm sapo kishte mbaruar. Kishte pak pará në qarkullim dhe shumica e tyre ishin në monedha argjendi. Njerëzit shpesh e zhvillonin biznesin e tyre me trambë ose duke shkëmbyer mallrat dhe shërbimet.

Një ditë nga fundi i verës, gjysh Xhoni erdhi në shtëpi pasi kishte përfunduar një tregëti dhe kishte marrë si pjesë të marrëveshjes 100 pezos në monedha argjendi. Ai ia dha paratë Idës me udhëzimin që ato të përdoreshin për të mbuluar shpenzimet e shkollimit të ardhshëm të fëmijëve.

Ida qe mirënjohëse për paratë, por e kujtoi Xhonin se ata nuk e kishin paguar fare të dhjetën gjatë gjithë verës. Ata nuk kishin të ardhura në monedha, por Ida i kujtoi se kafshët kishin siguruar mish, vezë dhe qumësht. Kopshti i tyre kishte siguruar fruta e perime me bollëk dhe ata kishin bërë shkëmbime të tjera për mallra pa përdorur monedha. Ida sugjeroi që ata duhet t’ia jepnin paratë peshkopit, për të paguar të dhjetën e tyre.

Xhoni qe pak i zhgënjyer pasi monedhat do të kishin ndihmuar shumë për shkollimin e fëmijëve, por ai ra dakord me gatishmëri se ata duhej të paguanin të dhjetën e tyre. Ai e çoi qesen e rëndë tek zyra e së dhjetës dhe ia pagoi atë peshkopit.

Pak pas kësaj, ai dëgjoi se një biznesmen i pasur nga Shtetet e Bashkuara, një farë z.Hord, do të mbërrinte javën e ardhshme me disa burra, për të kaluar disa ditë në male duke gjuajtur e duke peshkuar.

Gjysh Xhoni u takua me grupin e burrave tek stacioni hekurudhor jo larg Kolonia-Huarezit. Ai kishte gati grupin e kuajve të shalës dhe kafshët e ngarkesës të nevojshme për të transportuar bagazhet dhe pajisjet për kamping për në male. Java në vijim kaloi duke udhëhequr burrat dhe duke u kujdesur për kampingun dhe kafshët.

Në fund të javës, burrat u kthyen tek stacioni hekurudhor për të marrë trenin, që të ktheheshin në SHBA. Xhonin e paguan atë ditë për punën e tij dhe i dhanë një qese me monedha të argjendta pezosh, për të mbuluar shpenzimet e tjera. Pasi Xhoni dhe burrat ishin paguar, Xhoni ia ktheu pjesën e mbetur të parave z.Hord, që u habit pasi nuk priste që të mbeteshin para tepër. Ai e pyeti Xhonin që të sigurohej se të gjitha shpenzimet ishin mbuluar dhe Xhoni u përgjigj se shpenzimet për udhëtimin ishin paguar të gjitha dhe kjo ishte pjesa e mbetur e parave.

Treni fishkëlleu. Z. Hord u kthye që të shkonte, pastaj u kthye sërish dhe ia hodhi Xhonit qesen e rëndë me monedha. “Hej, çoje këtë në shtëpi për djemtë e tu”, tha ai. Xhoni e kapi qesen dhe u drejtua për në Kolonia-Huarez.

Atë mbrëmje, kur familja u mblodh pas darke për të dëgjuar historitë e udhëtimit, Xhoni u kujtua për qesen dhe e solli dhe e vendosi mbi tavolinë. Xhoni tha se nuk e dinte se sa pará kishte në qese, kështu që për t’u zbavitur, qesen e zbrazi mbi tavolinë – një goxha pirg – dhe, kur i numëruan, ato ishin fiks 100 pezos në monedha argjendi. Sigurisht, u konsiderua si bekim i madh që z.Hord kishte vendosur të bënte atë udhëtim. Xhoni dhe djemtë e tij kishin fituar paga të mira, por 100 pezot e tepërta ishin një kujtues i shumës së saktë të së dhjetës paguar javën e mëparshme. Disave, ky mund t’u duket një përkim interesant, por për familjen Ueten, ai ishte qartazi një mësim nga Zoti se Ai i kujton premtimet e Tij për ata që paguajnë besnikërisht të dhjetën e tyre.

Si fëmijë, e pëlqeja shumë atë histori sepse qe për një udhëtim kampimi, me kuaj, nëpër male për të gjuajtur dhe peshkuar. Dhe e pëlqeva shumë sepse ajo na mëson që, kur u bindemi urdhërimeve, ne bekohemi. Ka disa gjëra që mund të nxjerrim si përfundim mbi të dhjetën nga kjo histori.

Së pari, ju do të vini re se pagesa e së dhjetës në këtë rast nuk lidhej me sasinë e të ardhurave në të holla. Familja Uetens vendosi të përdorte të ardhurën e tyre të parë në të holla për të dhjetën, sepse ata kishin jetuar mirë nga kafshët e tyre dhe nga kopshti i tyre prodhues me fruta e perime. Me sa duket, ata ndiheshin në borxh ndaj Zotit për bekimet e tyre.

Ky është një kujtues i asaj që nënkuptohet në fjalët e Zotit kur Ai pyet: “Një njeri do të vjedhë Perëndinë? Megjithatë ju më vidhni.” Njerëzit pyesin: “Çfarë të kemi vjedhur?” Dhe Zoti përgjigjet fuqishëm: “Të dhjetën dhe ofertat” (Malakia 3:8). Po, vëllezër e motra, tamam ashtu si e kuptuan Xhon dhe Ida Ueten atë verë disa dekada më parë, ne të gjithë jemi në borxh ndaj Zotit. Le të mos akuzohemi se po vjedhim Perëndinë. Le të jemi të ndershëm dhe të paguajmë borxhet tona ndaj Zotit. Gjithçka që kërkon Ai është 10 për qind. Integriteti moral në pagesën e borxheve tona ndaj Zotit do të na ndihmojë të jemi të ndershëm me bashkënjerëzit tanë.

Gjëja tjetër që vë re nga kjo histori, është se gjyshërit e mi e paguan të dhjetën pavarësisht nga kushtet e varfëra të financave të tyre familjare. Ata i dinin urdhërimet e Zotit, ata i përshtatën shkrimet e shenjta për veten e tyre (shih 1 Nefi 19:23–24) dhe iu bindën ligjit. Kjo është çfarë Zoti pret nga të gjithë njerëzit e Tij. Ai pret nga ne të paguajmë të dhjetën, jo kur kemi bollëk, jo nga “mbetjet” e buxhetit familjar, por ashtu si Ai urdhëroi së lashti, nga “të parëlindurit” e të ardhurave tona, qofshin ato të pakta ose të bollshme. Zoti ka urdhëruar: “Mos ngurro të më japësh detyrimin nga korrja jote … të parëlindurin” (Eksodi 22:29). Përvoja ime personale ka qenë se mënyra më e mirë, për të paguar besnikërisht të dhjetën, është që ta paguaj atë sapo të marr ndonjë të ardhur. Në fakt, kam zbuluar se kjo është e vetmja mënyrë.

Ne mësojmë nga gjyshërit e mi Ueten se e dhjeta nuk është një çështje parash, në të vërtetë; është një çështje besimi – besim tek Zoti. Ai premton bekime nëse ne u bindemi urdhërimeve të Tij. Qartazi, Xhon dhe Ida Ueten shfaqën besim të madh duke paguar të dhjetën e tyre. Le ta tregojmë ne besimin tek Zoti duke paguar të dhjetën tonë. Paguajeni atë së pari; paguajeni me ndershmëri. Mësojuni fëmijëve tanë të paguajnë të dhjetën edhe të pareve të tyre të xhepit ose të të ardhurave të tjera dhe pastaj merrini me vete në mbledhjet e dhënies llogari për të dhjetën, që ata ta dinë shembullin dhe dashurinë tonë për Zotin.

Ka një mundësi keqinterpretimi në këtë histori nga gjyshërit e mi. Dikush mund të arrijë në përfundimin se, meqë ne e paguajmë të dhjetën me pará, Zoti do të na bekojë gjithmonë me pará. Unë u prira ta mendoj ashtu kur isha fëmijë. Kam mësuar që atëherë se nuk funksionon patjetër në atë mënyrë. Zoti u premton bekime atyre që paguajnë të dhjetën e tyre. Ai premton të “hap[ë] pragjet e qiellit dhe … të derdh[ë] … aq shumë bekim, sa nuk do të ke[m]i vend të mjaftueshëm ku ta shti[më]” (Malakia 3:10). Unë dëshmoj se Ai i përmbush premtimet e Tij dhe, nëse ne paguajmë besnikërisht të dhjetën tonë, nuk do të na mungojnë nevojat e jetës, por Ai nuk premton pasuri. Paratë dhe llogaritë bankare nuk janë bekimet e Tij më me vlerë. Ai na bekon me urtësi për të përdorur bekimet tona të kufizuara materiale, urtësi që na mundëson të jetojmë më mirë me 90 për qind të të ardhurave tona sesa me 100 për qind. Kështu, paguesit besnikë të së dhjetës e kuptojnë të jetuarin me maturi dhe priren të mbështeten mё shumё tek vetja.

Kam arritur të kuptoj se bekimet më me vlerë të Zotit janë shpirtërore dhe shpesh ato kanë të bëjnë me familjen, miqtë dhe ungjillin. Shpesh Ai duket sikur jep bekimin e një ndjeshmërie të veçantë ndaj ndikimit dhe udhëheqjes së Frymës së Shenjtë, veçanërisht në çështje të martesës dhe të familjes si rritja e fëmijëve. Një ndjeshmëri e tillë shpirtërore mund të na ndihmojë të gëzojmë bekimin e harmonisë dhe paqes në shtëpi. Presidenti Xhejms E. Faust sugjeroi se pagesa e së dhjetës është “një sigurim i shkëlqyer kundër divorcit” (“Enriching Your Marriage”, Liahona, prill 2007, f. 5).

Pagesa e së dhjetës na ndihmon të zhvillojmë një zemër të nënshtruar e të përulur dhe një zemër mirënjohëse që priret të “pohoj[ë] dorën e tij në gjithçka” (DeB 59:21). Pagesa e së dhjetës edukon tek ne një zemër bujare e të butë dhe një zemër me dashuri hyjnore plot me dashurinë e pastër të Krishtit. Ne bëhemi të etur t’u shërbejmë e t’i bekojmë të tjerët me një zemër të bindur, të nënshtruar ndaj vullnetit të Zotit. Paguesit e rregullt të së dhjetës e gjejnë të forcuar besimin e tyre tek Jezu Krishti dhe zhvillojnë një dëshmi të paepur e të qëndrueshme për ungjillin e Tij dhe Kishën e Tij. Asnjë prej këtyre bekimeve nuk është monetar ose material në ndonjë mënyrë, por sigurisht, ato janë bekimet më me vlerë të Zotit.

Unë dëshmoj se, kur paguajmë të dhjetën tonë besnikërisht, Zoti do të hapë pragjet e qiellit dhe do të derdhë mbi ne bekimet e Tij më me vlerë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.