2010–2019
Shpirti i Zbulesës
Prill 2011


Shpirti i Zbulesës

Shpirti i zbulesës është i vërtetë – dhe mund të funksionojë e funksionon në jetën tonë vetjake dhe në Kishë.

Shpreh mirënjohjen për frymëzimin i cili ka qenë i pranishëm në përzgjedhjen e himnit që vjen pas fjalëve të mia: “Have I Done Any Good?” [A Kam Bërë Ndonjë të Mirë?] (Hymns, nr. 223). E kuptoj mirë këtë informatë.

Ju ftoj të merrni parasysh dy përvoja që shumica prej nesh kanë pasur me dritën.

Përvoja e parë ka ndodhur kur kemi hyrë në një dhomë të errët dhe ndezëm dritën. Kujtoni se si, brenda një çasti, një vërshim ndriçimi drite mbushi dhomën dhe bëri që errësira të zhduket. Ajo që më parë kishte qenë e padukshme dhe e pasigurt, u bë e qartë dhe e dallueshme. Kjo përvojë pati si karakteristikë një dallueshmëri të menjëhershme e të lartë të dritës.

Përvoja e dytë ka ndodhur ndërsa vrojtonim natën që shndërrohej në mëngjes. A ju kujtohet shtimi i ngadaltë dhe pothuaj i pakapshëm i dritës në horizont? Ndryshe nga ndezja e dritës në një dhomë të errët, drita e lindjes së diellit nuk brofi menjëherë. Por, dalëngadalë e me qëndrueshmëri, fuqia e dritës u shtua dhe errësira e natës u zëvendësua nga shkëlqimi i mëngjesit. Përfundimisht, dielli lindi mbi horizont. Por prova pamore e mbërritjes së pashmangshme të diellit ishte e dukshme orë më përpara se dielli të shfaqej faktikisht mbi horizont. Kjo përvojë pati si karakteristikë dallim të imët e shkallë-shkallë të dritës.

Nga këto dy përvoja të zakonshme me dritën, ne mund të mësojmë shumë mbi shpirtin e zbulesës. Unë lutem që Fryma e Shenjtë të na frymëzojë e të na mësojë, ndërsa përqendrohemi mbi shpirtin e zbulesës dhe mënyrat themelore me të cilat merret zbulesë.

Shpirti i Zbulesës

Zbulesa është kumtim që u vjen nga Perëndia fëmijëve të Tij mbi tokë dhe një nga bekimet e mëdha që lidhen me dhuratën dhe shoqërinë e vazhdueshme të Frymës së Shenjtë. Profeti Jozef Smith na mësoi: “Fryma e Shenjtë është një zbulues” dhe “asnjë njeri nuk mund të marrë Frymën e Shenjtë pa marrë zbulesa” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 136).

Shpirti i zbulesës i mundësohet çdo njeriu që merr nëpërmjet autoritetit të duhur të priftërisë ordinancat shpëtuese të pagëzimit me zhytje për faljen e mëkateve dhe të vënies së duarve për dhuratën e Frymës së Shenjtë – dhe i cili vepron me besim për të përmbushur urdhërin e priftёrisë “Merr Frymën e Shenjtë”. Ky bekim nuk kufizohet tek autoritetet kryesuese të Kishës; por, ndryshe, ai i përket dhe duhet të veprojë në jetën e çdo burri, gruaje dhe fëmije që arrin moshën e përgjegjshmërisë dhe hyn në besëlidhje të shenjta. Dëshira e sinqertë dhe denjësia ftojnë në jetën tonë shpirtin e zbulesës.

Jozef Smithi dhe Oliver Kaudri fituan përvojë të çmuar me shpirtin e zbulesës, ndërsa përkthenin Librin e Mormonit. Këta vëllezër mësuan se mund të merrnin çfarëdo njohurie që nevojitej për të plotësuar punën e tyre, nëse kërkonin me besim, me zemër të ndershme, duke besuar se do të merrnin. E me kalimin e kohës kuptuan gjithnjë e më shumë se shpirti i zbulesës, si rregull, funksionon si mendime e ndjenja që na vijnë në mendje e zemër nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë. (Shih DeB 8:1–2; 100:5–8). Sikurse i mësoi Zoti: “Tani, vër re, ky është shpirti i zbulesës; vër re, ky është shpirti me anë të të cilit Moisiu i solli fëmijët e Izraelit përmes Detit të Kuq në tokë të thatë. Prandaj kjo është dhurata jote; vëre në jetë atë” (DeB 8:3–4).

E nënvizoj shprehjen “vëre në jetë atë” lidhur me shpirtin e zbulesës. Në shkrimet e shenjta ndikimi i Frymës së Shenjtë shpeshherë përshkruhet si “zë i qetë i ulët” (1 Nefi 17:45; 1 Mbretërit 19:12; shih edhe 3 Nefi 11:3) dhe “zë i një butësie të përsosur” (Helamani 5:30). Për arsye se Shpirti neve na pëshpërit me të butë dhe brishtësi, është e lehtë të kuptohet përse duhet t’i shmangim informacionet e papërshtatshme, pornografinë dhe substancat e sjelljet vesformuese. Këto mjete të kundërshtarit mund ta dëmtojnë e në fund ta asgjësojnë aftësinë tonë për të dalluar e për t’iu përgjigjur mesazheve të imta të Perëndisë të dërguara prej Shpirtit të Tij. Secili nga ne duhet të marrë seriozisht parasysh e të peshojë me të lutura mënyrën si mund t’i flakë joshjet e djallit dhe me drejtësi të “vërë në jetë atë”, madje shpirtin e zbulesës, në jetën vetjake e në familjet tona.

Mënyrat e Zbulesës

Zbulesat përcillen me një larmi mënyrash, duke përfshirë, për shembull, ëndrrat, vegimet, bashkëbisedime me lajmëtarë qiellorë dhe frymëzimin. Disa zbulesa merren përnjëherësh dhe ngjeshur; disa dallohen shkallë-shkallë dhe hollë-hollë. Dy përvojat me dritën të cilat i përshkrova, na ndihmojnë për t’i kuptuar më mirë këto dy mënyra themelore të zbulesës.

Një dritë që ndizet në dhomë të errët, është si të marrësh nga Perëndia një mesazh shpejt, plotësisht dhe përnjëherë. Shumë nga ne e kanë përjetuar këtë mënyrë zbulese kur neve na u dhanë përgjigje për lutjet e sinqerta apo kur u pajisëm me udhëzimin dhe mbrojtjen që na duhej, sipas vullnetit dhe kohës së Perëndisë. Përshkrime për shfaqje të tilla të menjëhershme dhe të fuqishme gjenden në shkrimet e shenjta, rrëfehen në historinë e Kishës dhe faktohen në jetën tonë. Me të vërtetë që këto mrekulli ndodhin. Megjithatë, kjo mënyrë zbulese priret të jetë më shumë e rrallë se e zakonshme.

Shtimi shkallë-shkallë i dritës që rrezatohet nga dielli që lind, është si të marrësh nga Perëndia një mesazh “rresht pas rreshti, parim pas parimi” (2 Nefi 28:30). Më së shpeshti, zbulesa vjen me shtesa të vogla përgjatë kohës dhe dhurohet në pajtim me dëshirën, denjësinë dhe përgatitjen tonë. Kumtime të tilla nga Ati Qiellor, shkallë-shkallë e butësisht “[pikojnë] mbi shpirtin [tonë] sikurse vesat nga qiejt” (DeB 121:45). Kjo mënyrë zbulese priret të jetë më shumë e zakonshme sesa e rrallë dhe shihet tek përvojat e Nefit, kur ai provoi disa përqasje të ndryshme para se t’ia dilte t’i merrte Labanit fletët e bronxta (shih 1 Nefi 3–4). Së fundi, ai u udhëhoq nga Shpirti për në Jeruzalem, “duke mos ditur më parë gjërat që … duhet të [bënte]” (1 Nefi 4:6). Dhe ai nuk mësoi përnjëherësh si të ndërtonte një anije të mjeshtërisë së çuditshme; por Nefit iu tregua nga Zoti “herë pas here se sipas cilës mënyrë … do t’i [punonte] trarët e anijes” (1 Nefi 18:1).

Edhe historia e Kishës, edhe jeta jonë vetjake janë përplot me shembuj të mënyrave të Zotit për marrje të zbulesës “rresht pas rreshti, parim pas parimi”. Për shembull, të vërtetat themelore të ungjillit të rivendosur nuk iu dorëzuan Profetit Jozef Smith njëherazi në Korijen e Shenjtë. Këto thesare të paçmuara u zbuluan sikurse e kërkonin rrethanat dhe ndërsa ishte koha e duhur.

Presidenti Jozef F. Smith shpjegoi se si i ndodhte kjo mënyrë zbulese në jetën e tij: “Në djalëri … unë shpeshherë … do ti kërkoja Zotit të më tregonte ndonjë gjë të mahnitshme, që unë të merrja një dëshmi. Por Zoti m’i mbajti tej çuditë dhe ma tregoi të vërtetën rresht pas rreshti … derisa Ai më bëri ta di të vërtetën që nga maja e kokës deri te shputat e këmbëve të mia dhe derisa dyshimi e frika të më ishin spastruar krejt. Nuk iu desh të dërgonte nga qiejt një engjëll për ta bërë këtë as nuk iu desh të fliste me borinë e një kryeengjëlli. Nëpërmjet përshpëritjeve të zërit të ulët të qetë të shpirtit të Perëndisë të gjallë, Ai më dha dëshminë që zotëroj. Dhe nëpërmjet këtij parimi e fuqie Ai do t’u japë të gjithë fëmijëve të njerëzve një dije të së vërtetës e cila do të qëndrojë me ta dhe do t’i bëjë që ta dinë të vërtetën, siç e di Perëndia, e që të bëjnë vullnetin e Atit siç e bën Krishti. Dhe asnjë sasi shfaqjesh të mahnitshme nuk do t’ia arrinte ndonjëherë kësaj” (në Conference Report, prill 1900, f. 40–41).

Ne, si anëtarë të Kishës, priremi për t’i theksuar aq shumë shfaqjet shpirtërore të mahnitshme dhe dramatike, saqë nuk arrijmë të vlerësojmë e madje mund të mos vëmë re mënyrën tipike me të cilën Fryma e Shenjtë përmbush punën e Tij. Pikërisht “thjeshtësia e udhës” (1 Nefi 17:41) për marrjen e mbresave shpirtërore të vogla dhe shtuese të cilat me kohë dhe në tërësi përbëjnë një përgjigje të dëshiruar apo drejtim që na nevojitet, mund të bëjë që ne të shikojmë “përtej shenjës” (Jakobi 4:14 [LiM]).

Kam folur me shumë individë të cilët e vënë në dyshim forcën e dëshmisë vetjake dhe nënvlerësojnë aftësinë e tyre shpirtërore ngaqë nuk marrin mbresa të shpeshta, çudibërëse apo të fuqishme. Ndoshta, kur ne marrim parasysh përvojat e Jozefit në Korijen e Shenjtë, të Saulit në rrugën për në Damask dhe të Almës së Ri, arrijmë në besimin se diçka çalon ose mungon tek ne, nëse në jetën tonë vetjake nuk kemi nga këta shembuj të mirënjohur dhe shpirtërisht mbresëlënës. Nëse keni pasur mendime ose dyshime të ngjashme, ju lutem të dini se jeni mjaft normalë. Thjesht vazhdoni të bëni përpara të bindur e me besim tek Shpëtimtari. Ndërsa veproni kështu, “nuk mund të shkoni në udhë të gabuar” (DeB 80:3).

Presidenti Jozef F. Smith këshillonte: “Më tregoni mua shenjtorë të ditëve të mëvonshme që duhen ushqyer me mrekulli, shenja dhe vegime që të mbahen të patundur në Kishë dhe do t’ju tregoja anëtarë … të cilët nuk kanë qëndrim të mirë para Perëndisë dhe të cilët po ecin në shtigje të rrëshqitshme. Nuk janë shfaqjet e mahnitshme që na vijnë neve, mënyra që do të na ngulisë tek e vërteta, por është përulësia dhe bindja besnike ndaj urdhërimeve dhe ligjeve të Perëndisë” (në Conference Report, prill 1900, f. 40).

Një përvojë tjetër me dritën na ndihmon të mësojmë një të vërtetë shtesë për mënyrën e zbulesës të llojit “rresht pas rreshti, parim pas parimi”. Nganjëherë dielli lind në një mëngjes që është i vrenjtur ose i mjegullt. Për shkak të kushteve të vranësirës, dallimi i dritës është më i vështirë dhe përcaktimi i çastit të saktë të lindjes së diellit mbi horizont, nuk është i mundur. Mirëpo në një mëngjes të tillë ne, megjithatë, kemi dritë të mjaftueshme për të dalluar një ditë të re e për t’u dhënë drejtim punëve tona.

Në mёnyrё tё ngjashme, ne shumë herë marrim zbulesë pa dalluar me saktësi mënyrën apo kohën kur po e marrim. Një ngjarje e rëndësishme nga historia e Kishës e ilustron këtë parim.

Në pranverën e vitit 1829 Oliver Kaudri ishte arsimtar në Palmira të Nju-Jorkut. Kur mësoi për Jozef Smithin dhe punën e përkthimit të Librit të Mormonit, Oliveri ndjeu një mbresë për t’i ofruar ndihmën e tij profetit të ri. Për rrjedhojë, ai udhëtoi drejt Harmonisë së Pensilvanisë dhe u bë shkruesi i Jozefit. Koha e mbërritjes së tij dhe ndihma që ai dha ishin jetike për daljen e Librit të Mormonit.

Shpëtimtari i zbuloi më pas Oliverit se, sa herë që ai ishte lutur për udhëheqje, kishte marrë drejtim nga Shpirti i Zotit. “Po të mos ishte kështu”, shpalli Zoti, “ti nuk do të kishe ardhur në vendin ku je në këtë kohë. Vër re, ti e di se ke kërkuar prej meje dhe unë vërtet e ndriçova mendjen tënde; dhe tani unë t’i them këto gjëra që ti të mund të dish se ke qenë ndriçuar nga Shpirti i së vërtetës” (DeB 6:14–15).

Kështu, Oliveri mori nëpërmjet Profetit Jozef Smith një zbulesë që e informoi se ai paskësh marrë zbulesë. Siç duket, Oliveri nuk e kishte dalluar mënyrën dhe kohën kur pati marrë zbulesë nga Perëndia dhe i nevojitej ky udhëzim që ai të rriste kuptimin për shpirtin e zbulesës. Në mënyrë figurative, Oliveri kishte ecur në dritën e lindjes së diellit në një mëngjes të vrenjtur.

Në shumë prej pasigurive dhe sfidave që hasim në jetën tonë, Perëndia kërkon që ne të bëjmë më të mirën, të veprojmë e të mos detyrohemi të veprojmë (shih 2 Nefi 2:26), dhe t’i mirëbesojmë Atij. Ne mund të mos shohim engjëj, të dëgjojmë zëra qiellorë apo të marrim mbresa shpirtërore tronditëse. Shpeshherë mund të vazhdojmë përpara duke shpresuar e duke u lutur – por pa siguri absolute – që të jemi duke vepruar sipas vullnetit të Perëndisë. Por, kur i nderojmë besëlidhjet tona dhe zbatojmë urdhërimet, kur mundohemi gjithnjë e më rregullisht të bëjmë mirë e të bëhemi më të mirë, ne mund të ecim me vetëbesimin që Perëndia do t’i drejtojë hapat tanë. E ne mund të flasim me sigurinë se Perëndia do t’i frymëzojë të folurat tona. Ky, pjesërisht, është kuptimi i shkrimit të shenjtë që shpall: “Atëherë do të forcohet vetëbesimi yt në prani të Perëndisë” (DeB 121:45).

Kur, në mënyrën e duhur, jeni në kërkim të shpirtit të zbulesës dhe e vini në jetë atë, ju premtoj që do të “[ecni] në dritën e Zotit” (Isaia 2:5; 2 Nefi 12:5). Nganjëherë shpirti i zbulesës do të veprojë menjëherë dhe ngjeshur, herë të tjera hollë-hollë e shkallë-shkallë dhe, shpeshherë, me aq brishtësi, sa ju madje mund të mos e dalloni me vetëdije. Por, pavarësisht mënyrës me të cilën merret ky bekim, drita që ai siguron do t’jua ndrisë e do t’jua zmadhojë shpirtin, do t’jua ndriçojë të kuptuarit (shih Alma 5:7; 32:28) dhe do t’ju drejtojë e mbrojë juve dhe familjen tuaj.

Unë shpall dëshminë apostullore se Ati dhe Biri jetojnë. Shpirti i zbulesës është i vërtetë – dhe mund të funksionojë e funksionon në jetën tonë vetjake dhe në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Dëshmoj për këto të vërteta në emrin e shenjtë të Zotit Jezu Krishti, amen.