2010–2019
Një Dëshmi
Tetor 2011


Një Dëshmi

Libri i Mormonit është udhëzuesi më i mirë për të mësuar se sa mirë po i bëjmë këto gjëra dhe si mund të përmirësohemi më shumë.

Unë jam mirënjohës për këtë mundësi që t’ju flas juve në këtë ditë Shabati në një konferencë të përgjithshme të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Çdo anëtar i Kishës ka të njëjtën detyrë të shenjtë. Ne e pranuam dhe premtuam se do ta mbanim atë kur u pagëzuam. Ne mësojmë nga fjalët e Almës, profetit të madh të Librit të Mormonit, se çfarë i premtuam Perëndisë se do të bëheshim: “Po, dhe jeni të gatshëm të vajtoni me ata që vajtojnë; po, dhe të ngushëlloni ata që kanë nevojë të ngushëllohen dhe të qëndroni si dëshmitarë të Perëndisë në të gjitha kohërat dhe në të gjitha gjërat dhe në të gjitha vendet që ju të gjendeni, madje deri në vdekje, që ju të mund të shëlbeheni nga Perëndia dhe të numëroheni me ata të ringjalljes së parë, që ju të mund të keni jetën e përjetshme”.1

Kjo është një detyrë e rëndësishme dhe një premtim i lavdishëm nga Perëndia. Mesazhi im sot është një mesazh nxitës. Njësoj siç na e bën të qartë detyrën Libri i Mormonit, ai gjithashtu, na drejton për të shkuar përpara drejt shtegut të jetës së përjetshme.

Së pari, ne kemi premtuar të kemi dashurinë hyjnore. Së dyti, ne kemi premtuar të jemi dëshmitarë të Perëndisë. Dhe së treti, ne premtuam të duronim. Libri i Mormonit është udhëzuesi më i mirë për të mësuar se sa mirë po i bëjmë këto gjëra dhe si mund të përmirësohemi më shumë.

Le të fillojmë me të pasurit e dashurisë hyjnore. Unë do t’ju kujtoj për disa përvoja të kohëve të fundit. Shumë nga ju kanë marrë pjesë në një ditë shërbimi. Ka pasur mijëra ditë shërbimi të organizuara anembanë botës.

Një këshill i bashkëshenjtorëve tuaj u lut për të ditur se çfarë shërbimi të planifikonte. Ata e pyetën Perëndinë për të ditur se kujt duhej t’i shërbenim ne, çfarë shërbimi të jepnim dhe kë të ftonim për të marrë pjesë. Ata mund të jenë lutur madje edhe që të mos harrojnë lopatat ose ujin e pijshëm. Mbi të gjitha, ata u lutën që të gjithë, ata që shërbyen dhe ata që e morën këtë shërbim, të ndienin dashurinë e Perëndisë.

Unë e di se këto lutje morën përgjigje në të paktën një lagje. Mbi 120 anëtarë dolën vullnetarë për të ndihmuar. Brenda tri orësh ata e pastruan tokën përreth kishës në komunitetin tonë. Ishte një punë e lodhshme dhe lumturuese. Shërbestarët e kishës së cilës iu bë shërbimi, ndien mirënjohje. Të gjithë ata që punuan së bashku atë ditë, ndien unitet dhe dashuri më të madhe. Disa madje thanë se ndien gëzim ndërkohë që shkulnin barërat e këqija dhe shkurtonin shkurret.

Fjalët nga Libri i Mormonit i ndihmuan ata të kuptonin pse. Ishte Mbreti Beniamin që i tha popullit të tij: “Mësoni se kur jeni në shërbimin e bashkëqenieve tuaja, ju jeni vetëm në shërbimin e Perëndisë tuaj”2. Dhe ishte Mormoni që na mësoi me fjalët e tij në Librin e Mormonit se: “Dashuria hyjnore është dashuria e pastër e Krishtit dhe nuk ka mbarim; dhe kushdo që gjendet i zotëruar prej saj në ditën e fundit, do të jetë mirë me të”3.

Zoti po i mban premtimet e Tij ndaj jush kur ju i mbani tuajat. Ndërsa ju u shërbeni të tjerëve për Të, Ai ju lejon të ndieni dashurinë e Tij. Dhe me kohë, ndjenjat e dashurisë hyjnore bëhen pjesë e asaj që ju jeni. Dhe ju do të merrni sigurimin e Mormonit në zemrat tuaja se, kur vazhdoni që t’u shërbeni të tjerëve në jetë, gjithçka do të jetë mirë.

Ashtu siç i premtuat Perëndisë që të keni dashuri hyjnore, ju i premtuat të jeni dëshmitarët e Tij kudo që të jeni përgjatë jetës suaj. Përsëri, Libri i Mormonit është udhëzuesi më i mirë që njoh për të na ndihmuar që ta mbajmë atë premtim.

Njëherë, më ftuan të flisja në ceremoninë e diplomimit të një universiteti. Presidenti kishte dashur që i ftuar të ishte Presidenti Gordon B. Hinkli, por kishte marrë vesh se ai ishte i padisponueshëm. Kështu për pasojë, e mora unë ftesën. Në atë kohë isha një anëtar i ri i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve.

Personi që më ftoi të flisja, ishte në ankth kur mësoi më shumë rreth thirrjes sime si një Apostull. Ajo më mori në telefon dhe më tha se tani e kuptoi se detyra ime ishte që të isha një dëshmitar i Jezu Krishtit.

Me një ton shumë të prerë, ajo më tha se unë nuk mund ta bëjë atë kur të flisja. Ajo më shpjegoi se universiteti i respektonte njerëzit e të gjitha besimeve, përfshirë ata që e mohonin ekzistencën e një Perëndie. Ajo përsëriti: “Ju nuk mund ta përmbushni detyrën tuaj këtu”.

Unë e mbylla telefonin me pyetje serioze në mendje. A duhet t’i them universitetit se unë nuk do ta plotësoja marrëveshjen time për të folur? Ishte vetëm disa javë përpara ceremonisë. Paraqitja ime atje ishte njoftuar. Çfarë efekti do të kishte mosmbajtja e marrëveshjes sime në emrin e mirë të Kishës?

Unë u luta që të dija se çfarë dëshironte Perëndia që unë të bëja. Përgjigjja erdhi në një mënyrë të habitshme për mua. Unë kuptova se shembujt e Nefit, Abinadit, Almës, Amulekut dhe bijve të Mosias kishin ndikuar te ajo çka isha. Ata ishin dëshmitarë të patrembur të Jezu Krishtit ndërsa përballeshin me rreziqe vdekjeprurëse.

Kështu që e vetmja zgjedhje që duhej bërë, ishte se si të përgatitesha. Unë bëra kërkime për gjithçka që mund të mësoja rreth universitetit. Ndërkohë që dita e bisedës afrohej, ankthi im rritej dhe lutjet e mia shtoheshin.

Si në një zgjidhje mrekullibërëse, unë gjeta një artikull gazete. Universiteti ishte nderuar për të njëjtën gjë që Kisha kishte mësuar të bënte në përpjekjet e saj humanitare në të gjithë botën. Dhe kështu në bisedën time, unë përshkrova se çfarë kishim bërë ne dhe ata për t’i ndihmuar njerëzit në nevojë të madhe. Thashë se unë e dija se Jezu Krishti ishte burimi i bekimeve që kishin ardhur në jetën e atyre që ne dhe ata u kishim shërbyer.

Pas mbledhjes, salla u ngrit në këmbë dhe duartrokiti, gjë që m’u duk pak e pazakontë. Unë isha i mahnitur, por ende pak në ankth. Unë kujtoja ç’i ndodhi Abinadit. Vetëm Alma e kishte pranuar dëshminë e tij. Por atë natë, në një darkë të madhe zyrtare, unë dëgjova presidentin e universitetit të thoshte se ai kishte dëgjuar fjalët e Perëndisë në fjalimin tim.

Një shpëtim kaq i mrekullueshëm është i rrallë në përvojën time si dëshmitar i Krishtit. Por efekti i Librit të Mormonit në karakterin, fuqinë dhe guximin tuaj për të qenë një dëshmitar i Perëndisë është i sigurt. Doktrina dhe shembujt e guximshëm në atë libër do t’ju lartësojnë, udhëzojnë dhe do t’ju japin guxim.

Çdo misionar që është duke shpallur emrin dhe ungjillin e Jezu Krishtit, do të bekohet nga të ushqyerit çdo ditë me bollëk nga Libri i Mormonit. Prindërit që mundohen të marrin një dëshmi për Shpëtimtarin në zemrën e fëmijës, do të ndihmohen kur ata të kërkojnë një mënyrë për t’i futur fjalët dhe ndikimin e librit të Mormonit në shtëpi dhe në jetën e familjes së tyre. Kjo është vërtetuar për ne.

Unë e shoh se kjo mrekulli po ndodh në çdo mbledhje sakramenti dhe orë mësimore të Kishës që unë frekuentoj. Folësit dhe mësuesit tregojnë dashuri dhe një kuptueshmëri të pjekur të shkrimeve të shenjta, veçanërisht të Librit të Mormonit. Dhe dëshmitë vetjake vijnë pa dyshim nga thellësia e zemrave të tyre. Ata japin mësim me bindje të madhe dhe japin dëshmi me fuqi.

Unë shoh fakte po ashtu se ne po përmirësohemi në pjesën e tretë të premtimit që bëmë në pagëzim. Ne bëmë besëlidhje që të durojmë, të mbajmë urdhërimet e Perëndisë për sa të kemi jetë.

I shkova për vizitë në spital një mikeje të vjetër që ishte diagnostikuar me kancer të pashërueshëm. Mora me vete dy bijat e mia të vogla. Unë nuk e prisja që ajo do të ishte në gjendje t’i njihte ato. Familja e saj ishte mbledhur, duke qëndruar rrotull shtratit të saj kur ne hymë.

Ajo ngriti vështrimin dhe buzëqeshi. Unë do ta kujtoj gjithmonë shikimin e saj kur pa se gruaja ime dhe unë kishim marrë bijat tona me vete. Ajo i ftoi ato t’i shkonin më pranë. Qëndroi ulur në shtrat, i përqafoi ato dhe i njohu me familjen e saj. Ajo foli për madhështinë e këtyre vajzave të vogla. Ishte sikur ajo po prezantonte princesha në një pallat mbretëror.

Unë prisja që vizita jonë të përfundonte shpejt. Sigurisht, mendova, ajo është e lodhur. Por ndërkohë që e shihja, ishte sikur vitet të mos kishin kaluar. Ajo ishte rrezatuese dhe e mbushur dukshëm me dashuri për të gjithë ne.

Dukej që ajo po e gëzonte momentin sikur koha të kishte ndalur. Ajo e kishte kaluar pjesën më të madhe të jetës duke u kujdesur për fëmijët e Zotit. Ajo e dinte nga Libri i Mormonit se Shpëtimtari i ringjallur i kishte marrë fëmijët një e nga një, i kishte bekuar dhe kishte qarë nga gëzimi.4 Dhe ajo e kishte përjetuar atë gëzim mjaft gjatë sa kishte qenë në gjendje të duronte në shërbimin e Tij të dashur deri në fund.

Unë pashë të njëjtën mrekulli në dhomën e gjumit të një burri që kishte dhënë shërbim të mjaftueshëm saqë unë mendoja se kishte bërë mjaftueshëm saqë mund të meritonte çlodhje.

Unë e dija se ai i ishte nënshtruar një trajtimi të stërgjatur e të dhimbshëm prej një sëmundjeje dhe mjekët i kishin thënë se ishte e pashërueshme. Ata nuk i dhanë as trajtim të mëtejshëm dhe as shpresë.

Bashkëshortja e tij më çoi te një dhomë gjumi në shtëpinë e tyre. Ai ishte atje, duke qëndruar në shpinë mbi një shtrat të rregulluar me kujdes. Ai kishte veshur një këmishë të bardhë të sapohekurosur, një kollare dhe këpucë të reja.

Ai e pa vështrimin e habisë në sytë e mi, qeshi qetësisht dhe më shpjegoi: “Pasi të më japësh një bekim, unë dua të jem gati që t’i përgjigjem thirrjes për t’u çuar nga shtrati e për të shkuar në punë”. Ishte e qartë se ai ishte gati për intervistën që do të kishte së shpejti me Mjeshtrin, për të cilin kishte punuar kaq besnikërisht.

Ai ishte një shembull i shenjtorëve të kthyer me të vërtetë në besim që unë i takoj shpesh, pasi kanë kaluar një jetë me shërbim të përkushtuar. Ata shkojnë përpara.

Presidenti Marion G. Romni e përshkroi atë në këtë mënyrë: “Tek dikush që është kthyer plotësisht në besim, ka vdekur dëshira për gjërat që janë [në kundërshtim] me ungjillin e Jezu Krishtit dhe si pasojë është zëvendësuar me një dashuri për Perëndinë me një vendosmëri të palëkundshme dhe udhëzuese për të ndjekur urdhërimet e tij”5.

Kjo është ajo vendosmëri e palëkundshme gjithmonë e më e shpeshtë në dishepujt me përvojë të Jezu Krishtit. Njësoj si motra që përshëndeti bijat e mia dhe burri me këpucë të reja, gati për t’u ngritur e për të marshuar për Zotin, ata e ndjekin urdhrin e Tij deri në fund. Të gjithë ju e keni parë këtë.

Ju mund ta shihni atë përsëri, nëse i drejtoheni Librit të Mormonit. Unë ende ndiej admirim në zemrën time ndërsa lexoj këto fjalë të një shërbëtori të pjekur e të vendosur të Perëndisë: “Pasi madje në këtë kohë, i tërë trupi im dridhet jashtëzakonisht, ndërsa po përpiqem t’ju flas; por Zoti … më mbështet mua dhe më ka lejuar që unë t’ju flas”6.

Ju mund të merrni guxim siç më ndodh mua nga shembulli i durimit që na jepet nga Moroni.Ai ishte i vetëm në shërbesën e tij. Ai e dinte se fundi ishte afër për të. Dhe përsëri dëgjoni atë që ai shkroi për hir të njerëzve që nuk kishin lindur ende dhe pasardhësve të armiqve të tij për vdekje: “Po, ejani te Krishti dhe përsosuni në të dhe i mohoni vetes çdo ligësi; dhe në qoftë se do t’i mohoni vetes çdo ligësi dhe ta doni Perëndinë me gjithë fuqinë, mendjen dhe forcën tuaj, atëherë hiri i tij mjafton për ju, se me anë të hirit të tij ju mund të bëheni të përsosur në Krisht”7.

Moroni dha dëshmi si një fjalim lamtumire ndaj jetës e shërbesës së tij. Ai na nxiti për dashuri hyjnore ashtu siç bëjnë profetët përgjatë Librit të Mormonit. Ai e shtoi dëshminë e tij për Shpëtimtarin kur po i vinte vdekja. Ai ishte me të vërtetë një fëmijë i Perëndisë i kthyer në besim, siç mund të jemi ne: i mbushur me dashuri hyjnore, i qëndrueshëm e i patrembur si një dëshmitar i Shpëtimtarit dhe ungjillit të Tij, dhe i vendosur për të duruar deri në fund.

Moroni na mësoi se çfarë kërkohet prej nesh. Ai tha se hapi i parë drejt kthimit të plotë është besimi. Studimi me lutje i Librit të Mormonit do të ndërtojë besim në Perëndinë, Atin, në Birin e Tij të dashur dhe në ungjillin e Tij. Ai do të ndërtojë besimin tuaj te profetët e Perëndisë, të lashtët dhe të kohës sonë.

Ai mund t’ju afrojë më shumë me Perëndinë se çdo libër tjetër. Ai mund ta ndryshojë jetën për më mirë. Unë ju nxis juve që të bëni atë që bëri shoku im në mision. Kur ai u largua nga shtëpia kur ishte adoleshent, dikush e kishte vendosur Librin e Mormonit në një kuti që ai e mori me vete gjatë kërkimit të tij për më shumë lumturi.

Kaluan vite. Ai lëvizi nga një vend në tjetrin anembanë botës. Ai ishte vetëm dhe jo i lumtur një ditë kur pa kutinë. Kutia ishte mbushur me gjëra që ai i kishte marrë me vete. Në fund të kutisë, ai gjeti Librin e Mormonit. Ai e lexoi premtimin dhe e vuri atë në provë. Ai e dinte se ai ishte i vërtetë. Ajo dëshmi i ndryshoi jetën. Ai gjeti lumturinë që ia kalonte edhe ëndrrave më të bukura.

Kopja juaj e Librit të Mormonit ndoshta nuk është duke u lexuar aq shumë sa duhet për shkak të aktiviteteve tuaja të përditshme. Unë ju lutem që ju t’i studioni thellësisht dhe shpesh faqet e tij. Ai ka brenda tij plotësinë e ungjillit të Jezu Krishtit, që është e vetmja rrugë për t’u kthyer në shtëpi te Perëndia.

Unë ju lë dëshminë time të sigurt se Perëndia jeton dhe do t’u përgjigjet lutjeve tuaja. Jezu Krishti është Shpëtimtari i botës. Libri i Mormonit është një dëshmi e vërtetë dhe e sigurt se Ai jeton dhe Ai është Shpëtimtari ynë i ringjallur dhe i gjallë.

Libri i Mormonit është një dëshmitar i çmuar. Unë lë tani dëshminë time me ju në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.

  1. Mosia 18:9.

  2. Mosia 2:17.

  3. Moroni 7:47.

  4. Shih 3 Nefi 17:21–22.

  5. Marion G. Romney, në Conference Report, tetor 1963, f. 23.

  6. Mosia 2:30.

  7. Moroni 10:32.