2010–2019
Këshillë për Rininë
Tetor 2011


Këshillë për Rininë

Megjithë kundërshtimin, vështirësitë dhe tundimet, ju nuk mund të dështoni apo të trembeni.

Po i flas rinisë më personalisht seç e bëj zakonisht, unë do të krahasoj rininë time me tuajën.

Ju jeni tej mase të çmuar. Unë ju kam parë në duzina vendesh dhe në çdo kontinent. Ju jeni shumë më të mirë sesa ne kur ishim të rinj. Ju dini më shumë rreth ungjillit. Ju jeni më të pjekur dhe më besnikë.

Unë tani jam 87 vjeç. Ju mund të pyesni veten se çfarë mund të kontribuoj unë në jetën tuaj në moshën time. Unë kam qenë ku ju jeni dhe e di se ku po shkoni. Por ju nuk keni qenë ende atje ku jam unë. Unë po ju citoj pak rreshta poezie klasike:

Sorra e vjetër po bëhet e ngadalshme.

E reja jo.

E reja sorrë nuk di nga ato

Që e vjetra di plot.

Në dije gjërash, sorra e vjetër

Ende mësuese për të renë është.

Çfarë nuk di sorra e vjetër, e ngadaltë?

– Si të ecë më shpejt.

E reja fluturon sipër, poshtë,

Dhe rreth së ngadaltës sorrë të vjetër rrathë përshkon.

Çfarë nuk di sorra e re, e shpejtë?

1

Jo e cilësisë së Uordsuorthit, por megjithatë poezi që nuk harrohet!

Me gjithë këto që po ndodhin në botë, me uljen e standardeve morale, ju të rinjtë po rriteni në territorin e armikut.

Ne e dimë nga shkrimet e shenjta se ka pasur një luftë në qiell, se Luciferi u rebelua dhe, me ndjekësit e tij, “u hodh mbi tokë”2. Ai është i vendosur të prishë planin e Atit tonë Qiellor dhe kërkon të kontrollojë mendjet dhe veprimet e të gjithëve. Ky ndikim është shpirtëror dhe ai “është përhapur në tokë”3.

Megjithë kundërshtimin, vështirësitë dhe tundimet, ju nuk mund të dështoni apo të trembeni.

Kur unë isha 17 vjeç, afër diplomimit në shkollën e mesme si nxënës shumë mesatar me disa dobësi, siç e mendoja unë, gjithçka rreth nesh u copëtua në mëngjesin e një të diele. Ditën tjetër ne u thirrëm në auditorin e shkollës së mesme. Në skenë ishte një karrige me një radio të vogël. Drejtori i shkollës e ndezi radion. Ne dëgjuam atëherë zërin e Presidentit Franklin Delano Rusvelt ndërsa njoftoi se Perl Harbër ishte bombarduar. Shtetet e Bashkuara ishin në luftë me Japoninë.

Më vonë ajo skenë u përsërit. Përsëri zëri i Presidentit Rusvelt, këtë herë duke njoftuar se vendi ynë ishte në luftë me Gjermaninë. Lufta II Botërore pati shpërthyer në gjithë botën.

Brenda një çasti e ardhmja jonë u bë e pasigurt. Ne nuk dinim çfarë do të ndodhte. A do të jetonim sa të martoheshim dhe të kishim familje?

Sot ka “luftëra e ushtima luftërash dhe i gjithë dheu [është] në rrëmujë”4. Ju, rinia jonë, mund të ndjeni pasiguri dhe ankth në jetën tuaj. Unë dua t’ju këshilloj dhe t’ju mësoj e t’ju jap një paralajmërim rreth disa gjërave që duhet t’i bëni dhe disa gjërave që nuk duhet t’i bëni.

Plani i ungjillit është “[plani i] madh [i] lumturisë”5. Familja është qendra e atij plani. Familja varet nga përdorimi i denjë i atyre fuqive jetëdhënëse që janë në trupin tuaj.

Te “Familja: Një Proklamatë Drejtuar Botës”, një dokument i frymëzuar i shpallur nga Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve, ne mësojmë se në ekzistencën para lindjes “të gjitha qeniet njerëzore – meshkuj dhe femra – [qenë] krijuar sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë. Secili është një bir ose bijë shpirtërore e dashur e prindërve qiellorë dhe, si i tillë, secili ka një natyrë dhe destinacion hyjnor. Gjinia është një karakteristikë thelbësore [dhe qe krijuar në atë ekzistencë para lindjes]. …

… Ne më tej deklarojmë se Perëndia ka urdhëruar që fuqitë e shenjta të krijimit të jetës duhet të përdoren vetëm midis burrit dhe gruas, ligjërisht të martuar si bashkëshort e bashkëshorte.”6

Dënimi i madh që Luciferi dhe ndjekësit e tij i sollën vetes, ishte se ata nuk mund të kishin një trup të vdekshëm.

Shumë nga tundimet që përballni, sigurisht ato më seriozet, lidhen me trupin tuaj. Ju jo vetëm që keni fuqi të krijoni trupa për një brez të ri, por keni gjithashtu lirinë e zgjedhjes.

Profeti Jozef Smith na mësoi: “Të gjitha qeniet njerëzore që kanë trupa kanë fuqi mbi ata që nuk kanë”7. Kështu çdo shpirt që jeton dhe që ka një trup fizik, në fund të fundit ka fuqi mbi kundërshtarin. Ju vuani tundime për shkak të natyrës suaj fizike, por ju gjithashtu keni fuqi mbi atë dhe engjëjt e tij.

Në kohën që ne u diplomuam nga shkolla e mesme, shumë nga shokët tanë të klasës patën shkuar në luftë, disa për të mos u kthyer kurrë. Pjesa tjetër nga ne shpejt do të futeshin në ushtri. Ne nuk dinim rreth së ardhmes tonë. A do t’i mbijetonim luftës? A do të mbetej mjaft nga bota që lamë kur ne të ktheheshim?

Ngaqë isha i sigurt se do të thirresha në ushtri, unë iu bashkova forcave ajrore. Shpejt unë isha në Santa-Ana të Kalifornisë, për trajnim parafluturues.

Unë nuk kisha atëherë dëshminë e fortë që ungjilli ishte i vërtetë, por unë e dija se mësuesit e mi të seminarit, Abel S. Riç dhe Xhon P. Liliuajt, e dinin se ai ishte i vërtetë. Unë i pata dëgjuar ata të dëshmonin dhe unë u besoja atyre. Unë mendoja me vete: “Unë do të mbështetem në dëshmitë e tyre derisa të fitoj një timen”. Dhe ashtu bëra.

Unë kisha dëgjuar rreth bekimeve patriarkale por nuk pata marrë një të tillë. Në çdo kunj ka një patriark të shuguruar që ka shpirtin e profecisë dhe shpirtin e zbulesës. Ai është i autorizuar të japë bekime personale dhe private për ata që vijnë të rekomanduar nga peshkopët e tyre. Unë i shkrova peshkopit tim për një rekomandim.

J. Roland Sendstrom ishte një patriark i shuguruar që jetonte në kunjin e Santa-Anës. Ai nuk dinte asgjë rreth meje dhe nuk më kishte parë kurrë më parë, por ai më dha bekimin tim. Në të unë gjeta përgjigje dhe udhëzime.

Megjithëse bekimet patriarkale janë shumë private, unë do të ndaj një citat të shkurtër nga imi: “Ju do të drejtoheni me anë të pëshpërimave të Frymës së Shenjtë dhe ju do të paralajmëroheni për rreziqet. Nëse ju u vini veshin atyre paralajmërimeve, Ati ynë Qiellor do t’ju bekojë në mënyrë që ju të mund të bashkoheni përsëri me të dashurit tuaj.”8

Ajo fjalë nëse, edhe pse e vogël në shtyp, përvijohej aq e madhe sa faqja. Unë do të bekohesha për t’u kthyer nga lufta nëse unë i mbaja urdhërimet dhe nëse unë u mbaja vesh nxitjeve të Frymës së Shenjtë. Edhe pse ajo dhuratë më qe dhënë në pagëzim, unë nuk e dija ende se çfarë ishte Fryma e Shenjtë apo si funksionojnë nxitjet.

Atë që kisha nevojë të dija rreth nxitjeve unë e gjeta në Librin e Mormonit. Unë lexova se “engjëjt flasin nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë; prandaj, ata flasin fjalët e Krishtit. Prandaj, … ushqehuni me bollëk me fjalët e Krishtit; pasi, vini re, fjalët e Krishtit do t’ju tregojnë të gjitha gjërat që ju duhet të bëni.”9

Ndoshta gjëja e vetme më e madhe që unë mësova nga leximi i Librit të Mormonit, është se zëri i Shpirtit vjen si një ndjesi më shumë sesa një zë. Ju do të mësoni, siç unë kam mësuar, të “dëgjoni” për atë zë që ndihet më shumë sesa dëgjohet.

Nefi i qortoi vëllezërit e tij më të mëdhenj duke u thënë: “Ju keni parë një engjëll dhe ai ju foli; po, ju keni dëgjuar zërin e tij herë pas here; dhe ai ju ka folur me një zë të qetë, të ulët, por ju kishit humbur ndjesinë, që ju nuk mund të ndjenit fjalët e tij”10.

Disa kritikë kanë thënë se këto vargje janë gabim pasi ju i dëgjoni fjalët, ju nuk i ndieni ato. Por nëse ju dini ndonjë gjë rreth komunikimit shpirtëror, ju e dini se fjala më e mirë për të përshkruar atë që ndodh është fjala ndjesi.

Dhurata e Frymës së Shenjtë, nëse e miratoni, do t’ju drejtojë e mbrojë dhe madje do të korrigjojë veprimet tuaja. Ai është një zë shpirtëror që vjen në mendje si një mendim apo ndjenjë e vendosur në zemrën tuaj. Profeti Enos tha: “Zëri i Zotit erdhi në mendjen time”11. Dhe Zoti i tha Oliver Kaudrit: “Vër re, unë do të të them në mendjen tënde dhe në zemrën tënde, me anë të Frymës së Shenjtë, që do të vijë mbi ty”12.

Nuk pritet që ju të shkoni nëpër jetë pa bërë gabime, por ju nuk do të bëni gabime të mëdha pa qenë të paralajmëruar më parë nga nxitjet e Frymës së Shenjtë. Ky premtim vlen për të gjithë anëtarët e Kishës.

Disa do të bëjnë gabime vërtet të rënda, duke shkelur ligjet e ungjillit. Këtu është rasti që t’ju kujtoj për Shlyerjen, pendimin dhe faljen e plotë në mënyrë që ju të mund të bëheni të pastër përsëri. Zoti tha: “Vini re, ai që është penduar për mëkatet e tij, po ai falet dhe unë, Zoti, nuk i kujtoj më ato”13.

Nëse kundërshtari do të ndodhë t’ju marrë të burgosur prej mëkatit tuaj, unë ju kujtoj juve se ju mbani çelësin që do të hapë derën e burgut nga brenda. Ju mund të bëheni të pastër nëpërmjet sakrificës shlyese të Shpëtimtarit Jezu Krisht.

Ju mund të mendoni në kohë andrallash se nuk jeni i denjë të shpëtoheni për shkak se keni bërë gabime, të mëdha apo të vogla, dhe ju mendoni se tani jeni i humbur. Kjo nuk është kurrë e vërtetë! Vetëm pendimi mund ta shërojë atë që lëndon. Por pendimi mund ta shërojë atë që lëndon, pavarësisht se çfarë është.

Nëse ju po përfshiheni në gjëra që nuk duhet, ose nëse ju po shoqëroheni me njerëz që po ju tërheqin në drejtim të gabuar, ajo është koha që të ushtroni pavarësinë tuaj, lirinë tuaj të zgjedhjes. Mbani vesh zërin e Shpirtit dhe ju nuk do të udhëhiqeni shtrembër.

Unë them përsëri se rinia sot po rritet në territor armik me një standard në rënie të moralitetit. Por si shërbëtor i Zotit, unë ju premtoj se ju do të jeni të mbrojtur dhe të ruajtur nga sulmet e kundërshtarit nëse ju do t’u vini veshin nxitjeve që vijnë nga Fryma e Shenjtë.

Vishuni me thjeshtësi; flisni me nderim; dëgjoni muzikë që ju ngre shpirtërisht. Shmangni të gjitha imoralitetet dhe praktikat që ju degradojnë personalisht. Kontrolloni jetën tuaj dhe komandojeni veten për të qenë besnikë. Për shkak se ne mbështetemi aq shumë te ju, ju do të jeni jashtëzakonisht të bekuar. Ati juaj i dashur Qiellor ju mbikëqyr vazhdimisht.

Fuqia e dëshmisë time ka ndryshuar qysh kur unë ndieva nevojën për t’u mbështetur në dëshmitë e mësuesve të mi të seminarit. Sot unë mbështetem te të tjerë kur eci për shkak të moshës dhe të poliomielitit të fëmijërisë, por jo prej dyshimeve lidhur me gjëra shpirtërore. Unë kam arritur të besoj, të kuptoj dhe të di të vërtetat e çmuara të ungjillit dhe të Shpëtimtarit Jezu Krisht.

Si një nga dëshmitarët e Tij të veçantë, unë dëshmoj se përfundimi i kësaj beteje që filloi në jetën para lindjes, nuk vihet në dyshim. Luçiferi do të humbasë.

Ne folëm më sipër për sorra. Ju sorra të reja nuk keni nevojë të fluturoni pa qëllim andej këndej, të pasigurt për shtegun përpara. Ka njerëz që e dinë udhën. “Sepse Zoti, Zoti, nuk bën asgjë, pa ua treguar sekretin e tij shërbëtorëve të tij, profetëve.”14 Zoti e organizoi Kishën e Tij mbi parimin e çelësave dhe të këshillave.

Në krye të Kishës janë 15 burra të mbështetur si profetë, shikues dhe zbulues. Secili anëtar i Presidencës së Parë dhe të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve mban të gjithë çelësat e priftërisë të nevojshme për drejtimin e Kishës. Apostulli më i vjetër është profeti – Presidenti Tomas S. Monson, që është i vetmi i autorizuar t’i ushtrojë të gjithë ata çelësa.

Shkrimet e shenjta kërkojnë që Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve të punojnë në këshilla dhe që vendimet e atyre këshillave të jenë unanime. Dhe kështu ndodh. Ne i besojmë Zotit të na drejtojë udhën dhe ne kërkojmë vetëm të bëjmë vullnetin e Tij. Ne e dimë se Ai ka vendosur një besim shumë të madh te ne, personalisht dhe kolektivisht.

Ju duhet të mësoni të “[kini] besim tek Zoti me gjithë zemër dhe [të] mos … mbështet[eni] në gjykimin [tuaj]”15. Ju duhet të jeni të besuar dhe ta rrethoni veten me miq që dëshirojnë të jenë po ashtu.

Ndonjëherë ju mund të tundoheni të mendoni siç bëja unë herë pas here në rininë time: “Kështu si po shkojnë gjërat, bota po shkon drejt fundit. Fundi i botës do të vijë përpara se unë të arrij atje ku duhet të arrij.” Kjo nuk është e drejtë! Ju mezi mund të prisni që të bëni gjërat e duhura – të martoheni, të keni familje, të shihni fëmijët dhe nipërit e mbesat tuaja, mundet madje edhe stërnipërit e stërmbesat tuaja.

Nëse ju do të ndiqni këto parime, ju do të vëzhgoheni dhe mbroheni dhe ju vetë do të dini nëpërmjet nxitjeve të Frymës së Shenjtë se në cilën udhë të shkoni, sepse “nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë, ju mund të dini të vërtetën e të gjitha gjërave”16. Unë ju premtoj se kjo do të përmbushet dhe lutem për një bekim për ju, rinia jonë e çmueshme, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

  1. John Ciardi, “Fast and Slow”, Fast and Slow: Poems for Advanced Children and Beginning Parents (1975), f. 1. © 1975 nga John L. Ciardi. Përdorur me leje të Shoqërisë Botuese Houghton Mifflin Harcourt. Të gjitha të drejtat rezervohen.

  2. Zbulesa 12:9; shih gjithashtu Doktrina e Besëlidhje 76:25–26.

  3. Doktrina e Besëlidhje 52:14.

  4. Doktrina e Besëlidhje 45:26.

  5. Alma 42:8.

  6. “Familja: Një Proklamatë Drejtuar Botës”, Liahona, nëntor 2010, f. 129.

  7. Teachings of Presidents of the Church: Joseph Smith (2007), f. 211.

  8. Bekimi Patriarkal i Bojd K. Paker, dhënë nga J. Roland Sendstrom, janar 1944.

  9. 2 Nefi 32:3.

  10. 1 Nefi 17:45; kursivet janë shtuar.

  11. Enosi 1:10.

  12. Doktrina e Besëlidhje 8:2.

  13. Doktrina e Besëlidhje 58:42.

  14. Amosi 3:7.

  15. Fjalët e urta 3:5.

  16. Moroni 10:5.