2010–2019
Shëlbimi
Tetor 2011


Shëlbimi

Me anë të Krishtit, njerëzit munden dhe e ndryshojnë jetën e tyre si dhe marrin shëlbim.

Ka emra të ndryshëm që përdoren për t’iu referuar Zotit Jezu Krisht. Këta emra na bëjnë mendjemprehtë ndaj aspekteve të ndryshme të misionit shlyes të Zotit. Për shembull, marrim titullin “Shpëtimtar”. Ne të gjithë e kemi një kuptim të asaj se çfarë do të thotë të jesh i shpëtuar, sepse secili prej nesh ka shpëtuar në një kohë nga diçka. Kur ishim fëmijë, unë dhe motra ime ishim duke luajtur mbi lumë, brenda një varke të vogël kur në mënyrë të pamend u larguam nga vendi ynë i sigurt i lojës dhe e gjetëm veten duke u shtyrë nga rryma në drejtim të rreziqeve të panjohura. Për shkak të klithmave tona, ati ynë vrapoi për të na shpëtuar, duke na ruajtur nga rreziqet e lumit. Kur mendoj për shpëtimin, mendoj për atë përvojë.

Titulli “Shëlbues” jep njohuri të ngjashme. “Të shëlbesh” do të thotë të blesh ose riblesh. Si një çështje ligjore, prona shpengohet duke paguar plotësisht hipotekën ose barra të tjera për të. Në kohët e Dhiatës së Vjetër, ligji i Moisiut siguronte mënyra të tjera se si shërbëtorët dhe prona të mund të liroheshin, ose shpengoheshin, nëpërmjet pagimit të të hollave (shih Levitiku 25:29–32, 48–55).

Një përdorim i spikatur i shkrimeve të shenjta për fjalën shëlbim lidhet me çlirimin e bijve të Izraelit nga robëria e tyre në Egjipt. Pas atij çlirimi, Moisiu u tha atyre: “Sepse Zoti ju do, … [Ai] ju nxori me një dorë të fuqishme dhe ju shpëtoi nga shtëpia e skllavërisë, nga dora e Faraonit, mbretit të Egjiptit” (Ligji i Përtërirë 7:8).

Tema e Jehovait duke çliruar popullin e Izraelit nga robëria është përsëritur shumë herë në shkrimet e shenjta. Shpesh, kjo është bërë për të kujtuar njerëzit për mirësinë e Zotit në çlirimin e bijve të Izraelit nga egjiptianët. Por gjithashtu, është bërë për t’u mësuar atyre se do të kishte një shëlbim tjetër më të rëndësishëm për Izraelin. Lehi mësoi: “Dhe Mesia vjen në plotësinë e kohës, që ai të mund t’i shëlbejë fëmijët e njerëzve nga rënia” (2 Nefi 2:26).

Psalmisti shkroi: “Por Perëndia im do ta shpengojë shpirtin tim nga pushteti i Sheolit” (Psalmeve 49:15).

Zoti deklaroi nëpërmjet Isaias: “I fshiva shkeljet e tua si një re e dendur, dhe mëkatet e tua si një mjegullinë; kthehu tek unë, sepse unë të kam çliruar” (Isaia 44:22).

Sigurisht, shëlbimi i përmendur në këto tri shkrime të shenjta është Shlyerja e Jezu Krishtit. Ky është “shpëtim[i] [i] plotë”, dhënë nga Perëndia ynë i dashur (Psalmeve 130:7). Ndryshe nga shëlbimet sipas ligjit të Moisiut ose në marrëveshjet ligjore moderne, ky shëlbim nuk vjen nga “gjëra[t] që prishen, si argjendi ose ari” (1 Pjetrit 1:18). “Në [Krishtin] kemi shpengimin me anë të gjakut të tij, faljen e mëkateve sipas pasurisë së hirit të tij” (Efesianëve 1:7). Presidenti Xhon Teilor na mësoi se për shkak të sakrificës së Shëlbuesit, “borxhi është paguar, shëlbimi është kryer, besëlidhja është bërë, drejtësia është plotësuar, vullneti i Perëndisë është përmbushur dhe e gjithë fuqia është … dhënë në duart e Birit të Perëndisë” (Teachings of Presidents of the Church: John Taylor [2001], f. 44).

Pasojat e këtij shëlbimi përfshijnë mposhtjen e vdekjes fizike për të gjithë fëmijët e Perëndisë. Që do të thotë se, vdekja tokësore është mposhtur dhe të gjithë do të ringjallen. Një aspekt tjetër i këtij shëlbimi me anë të Krishtit, është fitorja mbi vdekjen shpirtërore. Nëpërmjet vuajtjes dhe vdekjes së Tij, Krishti pagoi për mëkatet e të gjithë njerëzimit me kusht pendimin individual.

Si rrjedhim, nëse pendohemi, ne mund të falemi për mëkatet tona, çmimi është paguar nga Shëlbuesi ynë. Ky është lajm i mirë për të gjithë ne, “sepse të gjithë mëkatuan dhe u privuan nga lavdia e Perëndisë” (Romakëve 3:23). Ata, të cilët janë larguar në mënyrë të konsiderueshme nga shtigjet e drejtësisë, kanë nevojë dëshpërimisht për këtë shëlbim dhe, nëse pendohen plotësisht, ata mund ta marrin atë. Por edhe ata që kanë punuar shumë për të jetuar një jetë të mirë, gjithashtu kanë nevojë dëshpërimisht për këtë shëlbim, pasi askush nuk mund të shkojë në praninë e Atit pa ndihmën e Krishtit. Për pasojë, ky shëlbim i dashur lejon ligjet e drejtësisë dhe mëshirës të përmbushen në jetën e të gjithë atyre që pendohen dhe ndjekin Krishtin.

Sa i madh, i lavdishëm dhe i plot’,

Plani i shëlbimit t’tij,

ku drejtësia e mëshira

jan’ në harmoni!

(“Oh, sa Urti dhe Dashuri”, Himne dhe Këngë të Fëmijëve, nr. 19)

Presidenti Bojd K. Paker dha mësim: “Ka një Shëlbues, një Ndërmjetës, i cili qëndron si i gatshëm edhe i aftë për të plotësuar kërkesat e drejtësisë dhe për të shtrirë mëshirën tek ata që janë penduar” (“The Mediator”, Ensign, maj 1977, f. 56).

Shkrimet e shenjta, shkrime të tjera të ndryshme dhe përvojat e jetës janë të mbushura me histori për shëlbimin. Me anë të Krishtit, njerëzit munden dhe e ndryshojnë jetën e tyre dhe marrin shëlbim. Më pëlqejnë shumë historitë për shëlbimin.

Unë kam një mik, i cili nuk i ndoqi mësimet e Kishës në rininë e tij. Kur ishte i ri në moshë madhore, ai e kuptoi se çfarë kishte humbur nga të mos jetuarit e ungjillit. Ai u pendua, ndryshoi jetën e tij dhe ia përkushtoi veten të jetuarit të drejtë. Një ditë, vite pas shoqërisë tonë në rini, e takova në tempull. Unë mund të shihja në sytë e tij se ai e jetonte ungjillin dhe e ndieva se ai ishte anëtar i përkushtuar i Kishës që përpiqej ta jetonte plotësisht ungjillin. Historia e tij është një histori shëlbimi.

Një herë unë intervistova një grua për pagëzim, e cila kishte qenë fajtore për një mëkat shumë të rëndë. Gjatë intervistës e pyeta nëse ajo e kuptoi se nuk mund ta përsëriste më atë mëkat. Me emocion të thellë në sy dhe në zërin e saj, ajo tha: “Oh President, unë kurrë nuk do mundja ta bëja përsëri atë mëkat. Kjo është arsyeja pse unë dua të pagëzohem – të pastrohem nga pasojat e atij mëkati të tmerrshëm.” Rasti i saj është një histori shëlbimi.

Në vitet e fundit, ndërsa kam vizituar konferenca të kunjeve dhe mbledhje të tjera, unë kam kujtuar sfidën e Presidentit Tomas S. Monson për të shpëtuar anëtarët më pak aktivë të Kishës. Në një konferencë kunji, unë tregova historinë e një anëtari më pak aktiv, i cili u kthye në aktivitet të plotë pasi peshkopi i tij dhe udhëheqës të tjerë e vizituan atë në shtëpinë e tij, i thanë se kishin nevojë për të dhe e thirrën për të shërbyer në lagje. Burri në këtë histori, jo vetëm që e pranoi thirrjen por edhe ndryshoi jetën e zakonet e tij dhe u bë plotësisht aktiv në Kishë.

Një miku im ishte në mbledhjen në të cilën unë ndava atë histori. Shprehia e fytyrës së tij ndryshoi dukshëm ndërsa u tregua historia. Ditën tjetër ai më dërgoi një mesazh elektronik, duke më thënë se reagimi i tij emocional ndaj historisë erdhi për arsye se historia e kthimit të vjehrrit të tij në aktivitet në Kishë ishte shumë e ngjashme me atë që unë kisha treguar. Ai më tha se si rezultat i një vizite të ngjashme nga një peshkop dhe një ftese për të shërbyer në Kishë, vjehrri i tij e rivlerësoi jetën dhe dëshminë e tij, bëri ndryshime të mëdha në jetë dhe e pranoi thirrjen. Ai burrë i riaktivizuar tani ka 88 pasardhës të cilët janë anëtarë aktivë të Kishës.

Në një mbledhje disa ditë më vonë, unë i ndava të dyja historitë. Të nesërmen unë mora një tjetër mesazh elektronik i cili fillonte kështu: “Kjo është historia e babait tim gjithashtu”. Ai mesazh elektronik nga një president kunji, tregoi se si babai i tij ishte ftuar për të shërbyer në Kishë, edhe pse ai nuk kishte qenë aktiv dhe kishte pasur disa vese që duheshin ndryshuar. Ai e pranoi thirrjen dhe gjatë procesit u pendua, pastaj shërbeu si president kunji e më vonë si president misioni dhe hodhi themelet për pasardhësit e tij që ata të ishin anëtarë besnikë të Kishës.

Disa javë më vonë, unë i tregova të tria historitë në një konferencë tjetër kunji. Pas mbledhjes, një burrë erdhi tek unë dhe më tha se ajo nuk ishte historia e babait të tij. Ajo ishte historia e tij. Ai më tregoi për ngjarjet që e bënë atë të pendohej dhe të kthehej përsëri në përfshirjen e plotë në Kishë. Dhe kështu shkoi. Ndërsa kisha thirrjen për të shpëtuar më pak aktivët, unë dëgjova histori pas historie të njerëzve që u ishin përgjigjur ftesave për t’u kthyer përsëri dhe për të ndryshuar jetën e tyre. Unë dëgjova vazhdimisht histori për shëlbimin.

Edhe pse ne kurrë nuk mund t’ia kthejmë Shëlbuesit atë që Ai pagoi në emrin tonë, plani i shëlbimit kërkon që me përpjekjet tona më të mira të pendohemi plotësisht dhe të bëjmë vullnetin e Perëndisë. Apostulli Orson F. Uitni shkroi:

“Shpëtimtari, Shëlbuesi i shpirtit tim,

duart e fuqishme të të Cilit më kanë bërë të plotë,

fuqia e mrekullueshme e të Cilit më ngriti lart

dhe ma mbushi kupën e hidhur me ëmbëlsi!

Cila gjuhë mund ta tregojë mirënjohjen time,

O Perëndi shpirtmirë i Izraelit.

Kurrë nuk mund të ta shlyej borxhin, Zot,

por mund të të dua ty. Fjalët e tua të pastra,

a nuk janë i vetmi adhurimi im,

gëzimi im gjatë ditës, ëndrra ime gjatë natës?

Ndaj lëre buzën time ta shpallë atë përsëri

dhe gjithë jeta ime të reflekojë vullnetin tënd.”

(“Savior, Redeemer of My Soul” [“Shpëtimtari, Shëlbuesi i Shpirtit Tim”], Hymns, nr. 112)

Unë jap dëshminë time përfuqinë e Shlyerjes së Krishtit. Kur ne pendohemi dhe vijmë tek Ai, ne mund të marrim të gjitha bekimet e jetës së përjetshme. Që ne të mund ta bëjmë këtë, të marrim historinë tonë të shëlbimit, është lutja ime në emrin e Jezu Krishtit, amen.