2010–2019
Kur Prapë të Takohemi
Tetor 2011


Kur Prapë të Takohemi

Shpirti që ndiem këtu qoftë dhe banoftë me ne ndërsa shkojmë te ato gjëra që na angazhojnë çdo ditë.

Vëllezër dhe motra të mia, unë e di se ju do të bini dakord me mua se kjo ka qenë një konferencë shumë frymëzuese. Ne e kemi ndier Shpirtin e Zotit me bollëk të madh këto dy ditët e fundit ndërsa zemrat tona janë prekur dhe dëshmitë tona të kësaj pune hyjnore janë forcuar. Ne i shprehim falënderime secilit që ka marrë pjesë, përfshirë ata Vëllezër që ofruan lutjet.

Ne të gjithë jemi këtu sepse e duam Zotin dhe dëshirojmë t’i shërbejmë Atij. Unë ju dëshmoj se Ati ynë Qiellor kujtohet për ne. Unë e pohoj dorën e Tij në gjithçka.

Edhe një herë, muzika ka qenë e mrekullueshme dhe unë shpreh mirënjohjen time personale dhe atë të gjithë Kishës për ata që janë të gatshëm të ndajnë me ne talentet e tyre në këtë drejtim.

Ne shprehim mirënjohjen tonë të thellë për ata Vëllezër që janë liruar [nga thirrjet] gjatë kësaj konference. Ata kanë shërbyer me besnikëri e mjaft mirë dhe kanë dhënë shumë kontribut për punën e Zotit.

Unë shpreh vlerësimin e thellë për këshilltarët e mi besnikë e të përkushtuar dhe i falënderoj ata publikisht për mbështetjen dhe ndihmesën që ata më ofrojnë. Ata janë me të vërtetë burra të urtësisë e të mirëkuptimit dhe shërbimi i tyre është i paçmueshëm.

Falënderoj vëllezërit e mi të Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve për shërbimin e tyre të devotshëm dhe të vazhdueshëm në punën e Zotit. Në të njëjtën mënyrë, unë shpreh mirënjohjen time për anëtarët e Kuorumeve të Të Shtatëdhjetëve dhe Peshkopatës Kryesuese për shërbimin e tyre vetëmohues dhe të dobishëm. Në mënyrë të ngjashme, unë shpreh vlerësimin tim për gratë dhe burrat që shërbejnë si drejtues të përgjithshëm të organizatave ndihmëse.

Vëllezër dhe motra, unë ju siguroj se Ati ynë Qiellor është i vetëdijshëm për sfidat me të cilat përballemi sot në botë. Ai e do secilin prej nesh dhe do të na bekojë ndërsa përpiqemi të mbajmë urdhërimet e Tij dhe e kërkojmë Atë nëpërmjet lutjes.

Sa të bekuar jemi që kemi ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit! Ai ofron përgjigje për pyetjet në lidhje me atë se nga kemi ardhur, përse jemi këtu dhe ku do të shkojmë kur të largohemi nga kjo jetë. Ai i jep jetës tonë kuptim dhe qëllim, dhe shpresë.

Ju falënderoj për shërbimin që me kaq gatishmëri ia jepni njëri-tjetrit. Ne jemi agjentët e Perëndisë këtu në tokë, me një urdhër për të dashur dhe për t’u shërbyer fëmijëve të Tij.

Unë ju falënderoj për gjithçka që bëni në lagjet dhe degët tuaja. Unë shpreh mirënjohjen time për gatishmërinë tuaj për të shërbyer në pozicionet ku ju jeni thirrur, çfarëdo qofshin ato. Çdonjëri është i rëndësishëm në çuarjen përpara të punës së Zotit.

Konferenca tani përfundoi. Ndërsa kthehemi në shtëpitë tona, e bëfshim këtë të sigurt. E gjetshim se gjithçka ka qenë mirë gjatë mungesës tonë. Shpirti që ndiem këtu qoftë dhe banoftë me ne ndërsa shkojmë te ato gjëra që na angazhojnë çdo ditë. Tregofshim mirësi më të madhe njëri ndaj tjetrit. U gjetshim gjithmonë duke bërë punën e Zotit.

Bekimet e qiellit qofshin me ju. Shtëpitë tuaja qofshin të mbushura me harmoni dhe dashuri. I ushqefshi vazhdimisht dëshmitë tuaja, që ato të mund të jenë një mbrojtje për ju nga kundërshtari.

Si shërbëtori juaj i përulur, unë dëshiroj me gjithë zemrën time që të bëj vullnetin e Perëndisë dhe që t’i shërbej Atij e t’ju shërbej juve.

Ju dua; unë lutem për ju. Unë do t’ju kërkoj edhe një herë që të më kujtoni mua dhe të gjithë Autoritetet e Përgjithshme në lutjet tuaja. Ne jemi një me ju në çuarjen përpara të kësaj vepre të mrekullueshme. Unë ju dëshmoj se ne jemi të gjithë së bashku në këtë gjë dhe se çdo burrë, grua dhe fëmijë ka një pjesë për të luajtur. Perëndia na dhëntë forcë e aftësi, dhe vendosmëri për ta luajtur mirë pjesën tonë.

Unë ndaj dëshminë time te ju se kjo punë është e vërtetë, se Shpëtimtari ynë jeton dhe se Ai udhëzon e drejton Kishën e Tij këtu mbi tokë. Unë po ju lë pohimin dhe dëshminë time se Perëndia, Ati ynë i Përjetshëm jeton dhe na do. Ai është me të vërtetë Ati ynë dhe Ai është personal dhe i vërtetë. E dallofshim dhe kuptofshim se sa afër nesh është i gatshëm të vijë Ai, sa larg është i gatshëm të shkojë Ai për të na ndihmuar, se sa shumë na do Ai dhe sa shumë bën Ai dhe është i gatshëm të bëjë për ne.

Ai ju bekoftë. Paqja e Tij e premtuar qoftë me ju tani dhe gjithmonë.

Ju them lamtumirë derisa prapë të takohemi pas gjashtë muajsh dhe e bëj këtë në emrin e Jezu Krishtit, Shpëtimtarit dhe Shëlbuesit tonë, amen.