2010–2019
Të Presësh Nga Zoti: U Bëftë Vullneti Yt
Tetor 2011


Të Presësh Nga Zoti: U Bëftë Vullneti Yt

Qëllimi i jetës sonë mbi tokë është që të rritemi, të zhvillohemi e të forcohemi përmes përvojave vetjake.

Në këtë mëngjes Shabati, ne japim falënderime dhe dëshmojmë për realitetin që Shpëtimtari ynë jeton. Ungjilli i Tij është rivendosur nëpërmjet Profetit Jozef Smith. Libri i Mormonit është i vërtetë. Ne udhëhiqemi nga një profet i gjallë sot, Presidenti Tomas S. Monson. Mbi të gjitha, ne japim dëshmi solemne për Shlyerjen e Jezu Krishtit dhe bekimet e përjetshme që rrjedhin prej saj.

Gjatë pak muajve të kaluar, kam pasur mundësinë që të studioj e të mësoj më shumë për sakrificën shlyese të Shpëtimtarit dhe mënyrën si e përgatiti Ai Veten që të bënte blatimin e përjetshëm për secilin prej nesh.

Përgatitja e Tij filloi në jetën paratokësore, kur Ai priti nga Ati i Tij, duke thënë: “Atë, vullneti yt u bëftë dhe lavdia qoftë e jotja përgjithmonë”1. Duke filluar në atë çast e duke vazhduar sot, Ai e ushtron lirinë e Tij të zgjedhjes për të pranuar dhe përmbushur planin e Atit tonë Qiellor. Shkrimet e shenjta na mësojnë se gjatë rinisë së Tij Ai shkoi “të [merrej] me punët e Atit [Tij]”2 dhe “priti nga Zoti që koha e shërbesës së tij të vinte”3. Në moshën 30 vjeç Ai vuajti një tundim të vështirë, megjithatë zgjodhi që të rezistojë, duke thënë: “Largohu prej meje, Satan”4. Në Gjetseman, Ai i mirëbesoi Atit, duke thënë: “Megjithatë mos u bëftë vullneti im, por yti”5 dhe atëherë Ai e ushtroi lirinë e Tij të zgjedhjes që të vuante për mëkatet tona. Gjatë poshtërimit nga një gjyq publik dhe agonisë së kryqëzimit, Ai priste nga Ati i Tij, i gatshëm që të “[plagosej] për shkeljet tona … [dhe të shtypej] për paudhësitë tona”6. Madje dhe kur thirri: “Perëndia im, Perëndia im, përse më ke braktisur?”7 Ai priste nga Ati i Tij –— duke ushtruar lirinë e Tij të zgjedhjes që të falte armiqtë e Tij8, të kujdesej që nënën e Tij ta mbronin9 dhe të duronte deri në fund, derisa jeta dhe misioni i Tij tokësor mbaruan.10

Unë shpesh kam menduar: përse ndodh që Biri i Perëndisë dhe profetët e Tij të shenjtë, dhe të gjithë shenjtorët besnikë të kenë prova dhe vuajtje, edhe kur po përpiqen të bëjnë vullnetin e Atit Qiellor? Përse të jetë aq e vështirë, veçanërisht për ta?

Mendoj për Jozef Smithin, i cili vuajti sëmundje kur ishte djalë dhe përndjekje gjatë gjithë jetës. Ashtu si Shpëtimtari, ai thirri: “O Perëndi, ku je ti?”11 Megjithatë, kur, me sa dukej, ishte vetëm, ai e ushtroi lirinë e tij të zgjedhjes që të priste nga Zoti dhe të plotësonte vullnetin e Atit të Tij Qiellor.

Mendoj për stërgjyshërit tanë pionierë, të përzënë nga Navuja e duke kaluar pllajat, duke e ushtruar lirinë e tyre të zgjedhjes që të ndiqnin një profet, edhe kur vuajtën sëmundjen, mungesat dhe disa madje dhe vdekjen. Përse vuajtje kaq e tmerrshme? Për çfarë përfundimi? Për çfarë qëllimi?

Ndërsa ne bëjmë këto pyetje, ne kuptojmë se qëllimi i jetës sonë mbi tokë është që të rritemi, të zhvillohemi e të forcohemi përmes përvojave vetjake. Si e bëjmë ne këtë? Shkrimet e shenjta na japin përgjigje në një frazë të thjeshtë: ne “presim Zotin”12. Provat dhe sprovat na jepen të gjithëve ne. Këto sfida tokësore na lejojnë ne dhe Atin tonë Qiellor të shohim nëse do ta ushtrojmë lirinë tonë të zgjedhjes që të ndjekim Birin e Tij. Ai tashmë e di dhe ne kemi mundësinë për të mësuar se, pavarësisht sa të vështira janë rrethanat tona, “gjithë këto gjëra do të [jenë për përvojën tonë] dhe … të mirën [tonë]”13.

A do të thotë kjo se ne përherë do t’i kuptojmë sfidat tona? A nuk do kemi të gjithë ne, ndonjëherë, arsye për të pyetur: “Oh Perëndi, ku je ti?”14 Po! Kur një bashkëshorte vdes, një bashkëshort do ta pyesë veten. Kur një vështirësi ekonomike i bie një familjeje, një baba do të pyesë. Kur fëmijët shmangen nga shtegu, një nënë e baba do të thërrasin me trishtim. Po, “të qarat mund të vazhdojnë një natë, por në mëngjes shpërthen një britmë gëzimi”15. Pastaj, në agim të besimit dhe të të kuptuarit tonë të rritur, ne ngrihemi dhe zgjedhim që të presim nga Zoti, duke thënë: “U bëftë vullneti yt”16.

Atëherë, çfarë do të thotë të presësh nga Zoti? Në shkrimet e shenjta, fjala pres do të thotë të shpresosh, të parashikosh dhe të mirëbesosh. Të shpresosh e të mirëbesosh te Zoti, kërkon besim, durim, përulësi, zemërbutësi, durueshmëri, zbatim të urdhërimeve dhe durim deri në fund.

Të presësh nga Zoti, do të thotë të mbjellësh farën e besimit dhe ta ushqesh “me zell të madh dhe … durim”17.

Do të thotë të lutesh siç bëri Shpëtimtari – drejt Perëndisë, Atit tonë Qiellor – duke thënë: “Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt.”18 Ajo është një lutje që ne e ofrojmë me gjithë shpirtin tonë, në emrin e Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit.

Të presësh nga Zoti, do të thotë të mendohemi thellë në zemër e “të [marrim] Frymën e Shenjtë”, në mënyrë që të mund të dimë “të gjitha gjërat që duhet të [bëjmë]”19.

Kur i ndjekim pëshpëritjet e Shpirtit, zbulojmë që “shtrëngimi prodhon këmbënguljen”20 dhe ne mësojmë të “[vazhdojmë] me durim derisa të [përsosemi]”21.

Të presësh nga Zoti, do të thotë të “[qëndrojmë] të vendosur”22 dhe të “[shkojmë] përpara” me besim, “duke pasur një ndriçim të përkryer të shpresës”23.

Do të thotë “[të mbështetemi] vetëm në meritat e Krishtit”24 dhe “me hirin [e Tij] duke [na] ndihmuar, [të themi]: ‘Vullneti yt u bëftë, O Zot, dhe jo i yni’”25.

Kur presim nga Zoti, ne jemi “të palëvizshëm në zbatimin e urdhërimeve”26, duke ditur që “një ditë do të mund të [pushojmë] nga të gjitha pikëllimet [tona]”27.

Dhe “[nuk e hedhim] tej [bindjen]”28 se “të gjitha gjërat me të cilat [jemi] munduar, do të veprojnë së bashku për të mirën [tonë]”29.

Ato pikëllime do të vijnë në lloj-lloj formash dhe madhësish. Përvoja e Jobit na rikujton se çfarë mund të na kërkohet të durojmë. Jobi i humbi të gjitha zotërimet e tij, përfshirë tokën, shtëpinë dhe kafshët; pjesëtarët e familjes së tij; famën e tij; shëndetin e tij fizik; dhe madje mirëqenien e tij mendore. Megjithatë, ai priti nga Zoti dhe dha një dëshmi vetjake të fuqishme. Ai tha:

“Por unë e di që Shpëtimtari im jeton dhe që në fund do të ngrihet mbi tokë.

Mbas shkatërrimit të lëkurës sime, në mishin tim do të shoh Perëndinë.”30

“Ja, ai do të më vrasë, [sidoqoftë, do të shpresoj në Të].”31

Madje edhe me shembujt e shkëlqyer të Jobit, të profetëve dhe të Shpëtimtarit, neve ende do të na duket sfiduese të presim nga Zoti, veçanërisht kur nuk mundemi të kuptojmë plotësisht planin dhe qëllimet e Tij për ne. Ai kuptim, më së shpeshti, na jepet “rresht pas rreshti [dhe] parim pas parimi”32.

Në jetën time kam mësuar se nganjëherë nuk marr një përgjigje për një lutje, ngaqë Zoti e di se nuk jam gati. Kur Ai i përgjigjet, shpeshherë është “pak këtu dhe pak atje”33, sepse kjo është gjithçka që unë mund të mbaj ose që jam i gatshëm të bëj.

Shumë shpesh, ne lutemi që të kemi durim, por e dëshirojmë tani, në çast! Kur ishte djalë, Presidenti Dejvid O. Mek-Kei lutej për një dëshmi të vërtetësisë së ungjillit. Shumë vite më vonë, ndërsa po shërbente në një mision në Skoci, ajo dëshmi më në fund erdhi. Më vonë ai shkroi: “Kjo qe për mua një siguri se lutja e sinqertë merr përgjigje ‘dikur, diku’”34.

Ne mund të mos e dimë se kur apo në ç’mënyrë do të jepen përgjigjet e Zotit, por, në kohën e Tij dhe mënyrën e Tij, unë dëshmoj, përgjigjet e Tij do të vijnë. Për disa përgjigje ne mund të na duhet të presim deri pas kësaj jete. Kjo mund të jetë e vërtetë për disa premtime në bekimin tonë patriarkal dhe për disa bekime që u jepen pjesëtarëve të familjes. Le të mos heqim shpresat tek Zoti. Bekimet e Tij janë të përjetshme, jo të përkohshme.

Të priturit nga Zoti, na jep një mundësi të paçmuar që të zbulojmë se janë të shumtë ata që presin nga ne. Fëmijët tanë presin nga ne të tregojmë durim, dashuri dhe mirëkuptim ndaj tyre. Prindërit tanë presin nga ne të tregojmë mirënjohje dhe dhembshuri. Vëllezërit dhe motrat tona presin nga ne të jemi të duruar, të mëshirshëm dhe shpirtbutë. Bashkëshortet tona presin nga ne që t’i duam sikurse Shpëtimtari e ka dashur çdonjërin prej nesh.

Kur durojmë vuajtje fizike, ne jemi gjithnjë e më të vetëdijshëm se sa të shumtë janë ata që presin nga çdonjëri prej nesh. Për të gjitha mariet dhe martat, për të gjithë samaritanët e mirë që u shërbejnë të sëmurëve, që ndihmojnë të dobtit dhe kujdesen për të sëmurët mendorë dhe fizikë, e ndiej mirënjohjen e një Ati të përzemërt Qiellor dhe të Birit të Tij të Dashur. Në shërbesën tuaj Krishtërore të përditshme ju po prisni nga Zoti dhe po bëni vullnetin e Atit tuaj Qiellor. Garantimi i Tij ndaj jush është i qartë: “Sa herë ia keni bërë këtë ndonjërit prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, këtë ma bëtë mua”35. Ai i njeh sakrificat dhe trishtimet tuaja. Ai i dëgjon lutjet tuaja. Paqja dhe prehja e Tij qofshin tuajat teksa vazhdoni të prisni nga Ai me besim.

Çdokush prej nesh është për Zotin më i shtrenjtë, sesa ndoshta ne mund ta kuptojmë apo përfytyrojmë. Le të jemi, pra, më dashamirës ndaj njëri-tjetrit dhe ndaj vetes. Le të sjellim ndër mend që, kur presim nga Zoti, ne po bëhemi “[shenjtorë] nëpërmjet shlyerjes së [Tij], … [të] nënshtruar, [të] bindur, [të] përulur, [të] duruar, plot me dashuri, [të] gatshëm t’u [nënshtrohemi] të gjitha gjërave që Zoti i sheh të përshtatshme të shkaktojë mbi [ne], madje sikurse një fëmijë i nënshtrohet atit të tij”36.

I tillë qe nënshtrimi i Shpëtimtarit tonë para Atit të Tij, në Kopshtin e Gjetsemanit. Ai iu përgjërua dishepujve të Tij: “Rrini zgjuar bashkë me mua”, megjithatë, tri herë Ai u kthye duke i gjetur me sy të përgjumur.37 Pa shoqërimin e këtyre dishepujve dhe, në fund, pa praninë e Atit të Tij, Shpëtimtari zgjodhi që të vuajë tonat “dhembje dhe hidhërime dhe tundime të çdo lloji”38. Duke pasur një engjëll të dërguar që ta forconte39, Ai nuk u mpak në pirjen e kupës së hidhur40. Ai priti nga Ati i Tij duke thënë: “U bëftë vullneti yt!”41 dhe përulësisht e shkeli i vetëm presën e verës42. Tani, si një nga Dymbëdhjetë Apostujt e Tij në këto ditë të mëvonshme, unë lutem që ne të forcohemi për të vigjëluar me Të dhe për të pritur nga Ai gjatë gjithë ditëve tona.

Në këtë mëngjes Shabati, unë shpreh mirënjohje që, në Gjetsemanin tim43 dhe tuajin, ne nuk jemi vetëm. Ai që vigjëlon mbi ne, “nuk dremit dhe nuk fle”44. Engjëjt e Tij këtu dhe përtej velit, janë “përreth [nesh], për [të na] ngritur lart”45. Jap dëshminë time të veçantë se premtimi i Shpëtimtarit tonë është i vërtetë, sepse Ai thotë: “Ata që shpresojnë te Zoti fitojnë forca të reja, ngrihen me krahë si shqiponja, vrapojnë pa u lodhur dhe ecin pa u lodhur”46. Qoftë e mundur që ne të presim nga Ai duke shkuar përpara me besim, që ne të mund të themi në lutjet tona: “U bëftë vullneti yt”47 dhe të kthehemi tek Ai me nder. Në emrin e shenjtë të Shpëtimtarit dhe Shëlbuesit tonë, madje Jezu Krishtit, amen.

  1. Moisiu 4:2.

  2. Lluka 2:49.

  3. Përkthimi i Joseph Smith-it, Mateu 3:24, tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta.

  4. Lluka 4:8.

  5. Lluka 22:42.

  6. Isaia 53:5; Mosia 14:5.

  7. Mateu 27:46; Marku 15:34.

  8. Shih Lluka 23:34.

  9. Shih Gjoni 19:27.

  10. Shih Gjoni 19:30.

  11. Doktrina e Besëlidhje 121:1.

  12. Psalmet 37:9; 123:2; Isaia 8:17; 40:31; 2 Nefi 18:17.

  13. Doktrina e Besëlidhje 122:7.

  14. Doktrina e Besëlidhje 121:1.

  15. Psalmet 30:5.

  16. Mateu 6:10; 3 Nefi 13:10; shih edhe Mateu 26:39.

  17. Alma 32:41.

  18. Mateu 6:10; Lluka 11:2.

  19. 2 Nefi 32:5.

  20. Romakëve 5:3.

  21. Doktrina e Besëlidhje 67:13.

  22. Alma 45:17.

  23. 2 Nefi 31:20.

  24. Moroni 6:4.

  25. Doktrina e Besëlidhje 109:44.

  26. Alma 1:25.

  27. Alma 34:41.

  28. Hebrenjve 10:35.

  29. Doktrina e Besëlidhje 98:3.

  30. Jobi 19:25–26.

  31. Jobi 13:15.

  32. 2 Nefi 28:30.

  33. 2 Nefi 28:30.

  34. Teachings of Presidents of the Church: David O. McKay (2003), f. xviii.

  35. Mateu 25:40.

  36. Mosia 3:19.

  37. Mateu 26:38; shih edhe vargjet 39–45.

  38. Alma 7:11.

  39. Shih Lluka 22:43.

  40. Shih “In Memory of the Crucified”, Hymns, nr. 190; shih edhe 3 Nefi 11:11; Doktrina e Besëlidhje 19:18–19.

  41. Mateu 26:42.

  42. Shih Doktrina e Besëlidhje76:107; 88:106; 133:50.

  43. Shih “Where Can I Turn for Peace?” Hymns, nr. 129.

  44. Psalmet 121:4.

  45. Doktrina e Besëlidhje 84:88.

  46. Isaia 40:31.

  47. Mateu 26:42.