2010–2019
Priftëri Aarone: Ngrihu dhe Përdore Fuqinë e Perëndisë
Prill 2012


Priftëri Aarone: Ngrihu dhe Përdore Fuqinë e Perëndisë

Ashtu si çdo fuqi tjetër, priftëria duhet ushtruar që të kryejë ndonjë të mirë. Ju jeni thirrur që “të ngriheni e të shkëlqeni”, jo që ta fshihni dritën tuaj në errësirë.

Jo shumë kohë më parë, unë isha në Afrikën e Jugut dhe po vizitoja një shtëpi me Tabizon, ndihmësin e parë në kuorumin e priftërinjve në Lagjen e Kagizos. Tabizo dhe peshkopi i tij, i cili kryeson dhe mban çelësat për kuorumin, ishin lutur për anëtarët e kuorumit që qenë më pak aktivë, duke kërkuar frymëzim lidhur me cilin të vizitonin dhe si t’i ndihmonin ata. Ata ndien shtysën për të vizituar shtëpinë e Tebelos dhe më ftuan edhe mua që të shkoja me ta.

Pasi ia dolëm të kalonim qenin e egër rojë, u gjendëm në dhomën e ndenjjes me Tebelon, një të ri të qetë që kishte ndalur së ardhuri në kishë sepse kishte qenë i zënë duke bërë gjëra të tjera të dielave. Ai qe në siklet, por i lumtur që na kishte në shtëpi dhe madje ftoi familjen e tij të bashkohej me të. Peshkopi shprehu dashurinë e tij për familjen dhe dëshirën e tij për t’i ndihmuar ata që të bëheshin një familje e përjetshme duke u vulosur në tempull. Ata u mallëngjyen dhe ne të gjithë mund ta ndienim praninë e fortë të Frymës së Shenjtë që drejtonte çdo fjalë e çdo emocion.

Por qenë fjalët e Tabizos që sollën ndryshimin gjatë vizitës. M’u duk sikur ky prift i ri po fliste gjuhën e engjëjve – fjalë dashurie që ne të gjithë mund t’i kuptonim plotësisht, por që prekën veçanërisht mikun e tij. “Më pëlqente kaq shumë të flisja me ty gjatë gjithë kohës në kishë”, tha ai. “Ti ke gjithmonë fjalë të mira për mua. Dhe ti e di, skuadra jonë e futbollit nuk po ecën mirë tani që nuk të kemi ty. Ti je aq i mirë në futboll.”

“Më vjen keq”, u përgjigj Tebelo. “Unë do të bashkohem përsëri me ju djema.”

“Kjo do të jetë e hatashme”, tha Tabizo. “Dhe a e mban mend se si e kishim zakon të përgatiteshim për të shërbyer si misionarë? A mund të fillojmë ta bëjmë atë përsëri?”

“Po”, përsëriti Tebelo, “unë dua të kthehem përsëri.”

Ndoshta, gëzimi më i madh që unë përjetoj si këshilltar në presidencën e përgjithshme të Të Rinjve, është t’i shoh mbajtësit e Priftërisë Aarone nëpër botë duke ushtruar fuqinë e Priftërisë Aarone. Por ndonjëherë, unë gjithashtu bëhem dëshmitar, trishtueshëm, i kaq shumë të rinjve që nuk e kuptojnë se sa shumë të mira mund të bëjnë me fuqinë që mbajnë.

Priftëria është fuqia dhe autoriteti i Vetë Perëndisë për të vepruar në shërbim të fëmijëve të Tij. Oh, sa e mrekullueshme do të ishte nëse çdo mbajtës i Priftërisë Aarone, do të mund ta kuptonte plotësisht se priftëria e tij zotëron çelësat e shërbesës së engjëjve. Do të ishte e mrekullueshme sikur ata të mund ta kuptonin se kanë detyrën e shenjtë për t’i ndihmuar miqtë e tyre që të gjejnë shtegun që të çon te Shpëtimtari. Do të ishte e mrekullueshme sikur ata ta dinin se Ati Qiellor do t’u japë atyre fuqinë për t’i shpjeguar të vërtetat e ungjillit të rivendosur me një qartësi e sinqeritet të tillë, sa që të tjerët do ta ndiejnë vërtetësinë e pamohueshme të fjalëve të Krishtit.

Të rinj të dashur të Kishës, më lejoni t’ju bëj një pyetje të cilën shpresoj se do ta mbani në zemër për pjesën tjetër të jetës suaj. Çfarë fuqie më të madhe se priftëria e Perëndisë mund të fitoni në tokë? Çfarë fuqie mund të jetë më e madhe se aftësia për të ndihmuar Atin tonë Qiellor në ndryshimin e jetës së bashkëqënieve tuaja, për t’i ndihmuar ata përgjatë shtegut drejt lumturisë së përjetshme duke u pastruar nga mëkati dhe keqbërja?

Ashtu si çdo fuqi tjetër, priftëria duhet ushtruar që të kryejë ndonjë të mirë. Ju jeni thirrur që “të ngriheni e të shkëlqeni” (DeB 115:5), jo që ta fshihni dritën tuaj në errësirë. Vetëm ata që janë trima, do të numërohen mes të zgjedhurve. Ndërsa e ushtroni fuqinë e priftërisë suaj të shenjtë, guximi dhe siguria juaj në vetvete do të rriten. Të rinj, ju e dini se po bëni më të mirën tuaj kur jeni në shërbim të Perëndisë. Ju e dini se ju jeni më të lumtur kur jeni të angazhuar me zell në një kauzë të mirë. Lartësojeni fuqinë e priftërisë suaj duke qenë të pastër e të denjë.

Unë e përsëris dhe e përforcoj thirrjen që Plaku Holland ju bëri gjashtë muaj përpara nga kjo foltore. “Unë … po kërkoj”, tha ai, “burra të rinj e të moshuar, të cilët kujdesen mjaftueshëm për këtë betejë mes së mirës e së ligës sa të përfshihen dhe të flasin haptas. Ne jemi në luftë.” Ai vazhdoi: “Unë kërkoj … një zë më të fortë dhe më të përkushtuar, një zë jo vetëm kundër së keqes … , por një zë për të mirën, një zë për … ungjillin, një zë për Perëndinë” (“Ne Jemi të Gjithë të Rekrutuar”, Liahona, nëntor 2011, f. 44, 47).

Po, mbajtës të Priftërisë Aarone, ne jemi në luftë. Dhe në këtë luftë, mënyra më e mirë për t’u mbrojtur kundër së ligës është që ta reklamojmë aktivisht drejtësinë. Ju nuk mund të dëgjoni fjalë të pahijshme dhe të bëni sikur nuk dëgjoni. Ju nuk mund të shikoni, vetëm apo me të tjerët, pamje të cilat e dini se janë të fëlliqura dhe të bëni sikur nuk shihni. Ju nuk mund të prekni diçka të papastër dhe të bëni sikur nuk do të ketë pasoja. Ju nuk mund të rrini duarkryq kur Satani kërkon të shkatërrojë atë që është e dobishme dhe e pastër. Përkundrazi, mbrojeni guximshëm atë që e dini se është e vërtetë! Kur të dëgjoni apo të shihni ndonjë gjë që shkel standardet e Zotit, kujtoni cilët jeni – një ushtar në ushtrinë e Vetë Perëndisë, i fuqizuar me priftërinë e Tij të shenjtë. Nuk ka armë më të mirë kundër armikut, atit të gënjeshtrave, sesa e vërteta që do të dalë nga goja juaj ndërkohë që ushtroni fuqinë e priftërisë. Shumica e moshatarëve tuaj do t’ju respektojnë për guximin dhe integritetin tuaj moral. Disa nuk do t’ju respektojnë. Por kjo nuk ka rëndësi. Ju do të fitoni respektin dhe mirëbesimin e Atit tuaj Qiellor për shkak se ju e përdorët fuqinë e Tij për të arritur qëllimet e Tij.

Unë i bëj thirrje çdo presidence kuorumi të Priftërisë Aarone që ta ngrini edhe njëherë titullin e lirisë dhe t’i organizoni e t’i drejtoni batalionet tuaja. Përdoreni fuqinë tuaj të priftërisë duke i ftuar ata që ju rrethojnë që të vijnë tek Krishti nëpërmjet pendimit e pagëzimit. Ju keni komandën dhe fuqinë e Atit Qiellor për ta bërë atë.

Dy vjet më parë, ndërsa po vizitoja qytetin e Santiagos, në Kili, më bëri shumë përshtypje Daniel Olate, një i ri që i shoqëronte shpesh misionarët. I kërkova atij të më shkruante dhe, me lejen e tij, do t’ju lexoj një pjesë të mesazhit të tij të fundit elektronik: “Sapo mbusha 16 vjeç dhe të dielën u shugurova në detyrën e priftit. Në po të njëjtën ditë pagëzova një shoqe; ajo quhet Karolina. Unë i mësova asaj ungjillin dhe ajo e frekuentoi rregullisht kishën, madje mori dhe medaljen e Përparimit të saj Personal, por prindërit e saj nuk e lejuan të pagëzohej derisa ata arritën të më njihnin e të më mirëbesonin. Ajo dëshironte që ta pagëzoja unë, kështu që na u desh të prisnim për një muaj deri të dielën kur u bëra 16 vjeç. Ndihem kaq mirë që kam ndihmuar një njeri kaq të mirë që të pagëzohej dhe ndihem i lumtur që isha unë ai që e pagëzoi.”

Danieli është një nga të rinjtë e shumtë në mbarë botën që po jetojnë në përputhje me fuqinë që Perëndia u ka besuar. Një tjetër është Luis Fernando, nga Hondurasi, i cili vuri re se miku i tij po bënte zgjedhje shpirtërisht të rrezikshme në jetën e tij dhe ndau dëshminë e tij me të duke i shpëtuar me të vërtetë jetën (shih “A Change of Heart”, lds.org/youth/video). Olavo, nga Brazili, është një shembull tjetër. Olavo, një shërbestar i vërtetë në shtëpinë e tij (shih DeB 84:111), e frymëzoi nënën e tij për t’u kthyer në aktivitet të plotë në Kishë (shih “Reunited by Faith”, lds.org/youth/video). Ju mund t’i gjeni disa nga këto histori dhe shumë të tjera si ato, në faqen e internetit të Kishës për rininë youth.lds.org. Meqë ra fjala, interneti, mediat sociale dhe teknologji të tjera janë mjete që Zoti i ka vënë në duart tuaja për t’ju ndihmuar të ushtroni detyrat tuaja të priftërisë dhe ta zgjeroni ndikimin e së vërtetës dhe virtytit.

Të rinj të dashur, kur ju e ushtroni Priftërinë Aarone në mënyrën që kam përshkruar, ju po përgatiteni për përgjegjësitë e të ardhmes suaj. Por ju po bëni goxha më shumë se kaq. Ashtu si Gjon Pagëzori, ai shembull i shkëlqyer i mbajtjes së Priftërisë Aarone, edhe ju po përgatisni udhën e Zotit dhe po i drejtoni shtigjet e Tij. Kur ju e shpallni me guxim ungjillin e pendimit dhe pagëzimit, ashtu siç bëri Gjoni, ju po i përgatisni njerëzit për ardhjen e Zotit (shih Mateu 3:3; DeB 65:1–3; 84:26–28). Shpesh ju tregojnë rreth potencialit tuaj të madh. Mirë, tani është koha për ta përdorur atë potencial, për t’i përdorur aftësitë që Perëndia ju ka dhënë për t’i bekuar të tjerët, për t’i nxjerrë ata nga errësira në dritë dhe për të përgatitur udhën e Zotit.

Kisha ju ka dhënë librin Detyrë ndaj Perëndisë si një burim për t’ju ndihmuar që t’i mësoni dhe t’i përmbushni detyrat tuaja. Studiojeni atë shpesh. Gjunjëzohuni, larg nga teknologjia dhe kërkoni drejtimin e Zotit. Dhe më pas ngrihuni dhe përdoreni fuqinë e Perëndisë. Unë ju premtoj se do të merrni përgjigje nga Ati Qiellor mbi mënyrën se si ta drejtoni vetë jetën tuaj dhe se si t’i ndihmoni të tjerët.

Po citoj fjalët e Presidentit Tomas S. Monson: “Mos e nënvlerësoni kurrë ndikimin e gjerë të dëshmisë suaj. … Ju keni aftësinë për të vënë re atë që kalon pa u vënë re. Kur keni sy për të parë, veshë për të dëgjuar dhe zemra për të ndier, ju mund të ndihmoni dhe t’i shpëtoni [të tjerët]” (“Bëhu Shembull”, Liahona, maj 2005, f. 115; Konferenca e Përgjithshme, prill 2005, f. 137).

Unë ju dëshmoj se fuqia e priftërisë është e vërtetë. E fitova dëshminë time duke e ushtruar edhe vetë priftërinë. Unë kam parë të bëhen mrekulli pas mrekullie nga ata që kanë fuqinë e Priftërisë Aarone. E kam dëshmuar fuqinë e shërbesës së engjëjve teksa mbajtës besnikë të Priftërisë Aarone thonë fjalë shprese të frymëzuara nga Shpirti, duke hapur zemrën e dikujt në nevojë për dritë e dashuri. Në emrin e Jezu Krishtit, Zotit tonë, udhëheqësit tonë dhe Shpëtimtarit tonë, amen.