2010–2019
Të Kthyer në Besim tek Ungjilli i Tij përmes Kishës së Tij
Prill 2012


Të Kthyer në Besim tek Ungjilli i Tij përmes Kishës së Tij

Qëllimi i Kishës është të na ndihmojë që të jetojmë ungjillin.

Unë e dua ungjillin e Jezu Krishtit dhe Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Ndonjëherë ne i përdorim termat ungjill dhe Kishë si zëvendësuese për njëra-tjetrën, por ato nuk janë njësoj. Sidoqoftë, ato janë të ndërlidhura bukur dhe neve na duhen të dyja.

Ungjilli është plani i lavdishëm i Perëndisë në të cilin neve, si fëmijët e Tij, na jepet mundësia për të marrë gjithçka që Ati ka (shih DeB 84:38). Kjo quhet jetë e përjetshme dhe përshkruhet si “më e madhja e të gjitha dhuratave të Perëndisë” (DeB 14:7). Një pjesë jetike e planit është përvoja jonë tokësore – një kohë për të zhvilluar besim (shih Moroni 7:26), për t’u penduar (shih Mosia 3:12) dhe për t’u pajtuar me Perëndinë (shih Jakobi [LiM] 4:11).

Për shkak se dobësitë tona tokësore dhe “një kundërshtim në të gjitha gjërat” (2 Nefi 2:11) do ta bënin këtë jetë thellësisht të vështirë dhe për shkak se ne nuk do të mundeshim t’i pastronim vetë mëkatet tona, nevojitej një Shpëtimtar. Kur Elohimi, Perëndia i Përjetshëm dhe Ati i të gjithë shpirtrave tanë, paraqiti planin e Tij të shpëtimit, qe dikush mes nesh që tha: “Ja ku jam, dërgomë mua” (Abraham 3:27). Emri i tij qe Jehova.

Lindur nga një Atë Qiellor, si shpirtërisht dhe fizikisht, Ai zotëronte plotfuqishmërinë për ta mposhtur botën. Lindur nga një nënë tokësore, Ai iu nënshtrua dhembjes dhe vuajtjes në vdekshmëri. Jehova i madh u quajt gjithashtu Jezus dhe përveç kësaj iu dha dhe titulli Krisht, që do të thotë Mesia ose I Vajosuri. Arritja e tij kurorëzuese qe Shlyerja, ku Jezusi, Krishti, “zbriti nën gjithçka” (DeB 88:6), duke e bërë të mundur që Ai të paguante një shpërblesë për secilin prej nesh.

Kisha u krijua nga Jezu Krishti gjatë shërbesës së Tij tokësore “ndërtuar mbi themelin e apostujve dhe të profetëve” (Efesianëve 2:20). Në këtë “periudhë ungjillore [të] plotësisë së kohëve” (DeB 128:18), Zoti rivendosi atë që qe dikur, duke i thënë në mënyrë specifike Profetit Jozef Smith: “Unë do të ngre një kishë prej dorës tënde” (DeB 31:7). Jezu Krishti ishte dhe është kreu i Kishës së Tij, i përfaqësuar në tokë nga profetët që mbajnë autoritetin e Apostullit.

Kjo është një Kishë madhështore. Organizimi, efektshmëria dhe mirësia e saj e plotë respektohen nga të gjithë ata që kërkojnë ta kuptojnë atë sinqerisht. Kisha ka programe për fëmijët, rininë, burrat dhe gratë. Ajo ka shtëpi të bukura mbledhjeje që janë më shumë se 18.000 në numër. Tempujt madhështorë – 136 në total tani – gjenden anembanë botës, me 30 të tjerë në ndërtim ose të njoftuar. Një trupë misionarësh me kohë të plotë prej më shumë se 56.000 vetësh, përfshirë të rinjtë dhe më pak të rinjtë, po shërbejnë në 150 shtete. Puna humanitare mbarëbotërore e Kishës është një shembull i mrekullueshëm i bujarisë së anëtarëve tanë. Sistemi ynë i mirëqenies kujdeset për anëtarët tanë dhe përkrah mbështetjen te vetja në një mënyrë që nuk ka të dytë askund. Në këtë Kishë, ne kemi udhëheqës pa pagesë dhe një komunitet shenjtorësh që janë të gatshëm t’i shërbejnë njëri-tjetrit në një mënyrë të mahnitshme. Nuk ka asgjë të ngjashme me këtë Kishë në të gjithë botën.

Kur linda unë, familja jonë jetonte në një vilë të vockël në tokat e një prej shtëpive të mëdha dhe historike të mbledhjes së Kishës në Tabernakullin e Honolulus. Unë u kërkoj ndjesë tani miqve të mi të dashur në Peshkopatën Kryesuese, që mbikëqyrin godinat e Kishës, por kur isha i vogël, unë kacavirresha sipër, poshtë dhe përmes çdo centimetri të asaj prone, nga fundi i pishinës së mbushur me ujë që reflektonte, deri në majën e kullës së madhe e të ndriçuar. Ne madje lëkundeshim (si Tarzani) në degët e gjata e të varura të pemëve gjigante të bananes që ndodhen në atë vend.

Kisha qe gjithçka për ne. Ne shkonim në shumë mbledhje, madje në më shumë sesa kemi sot. Ne merrnim pjesë në Fillore pasditeve të së enjtes. Mbledhjet e Shoqatës së Ndihmës qenë të martave në mëngjes. Aktiviteti i Përbashkët për të rinjtë qe të mërkurën mbrëma. E shtuna qe për aktivitetet e lagjes. Të dielën, burrat dhe të rinjtë shkonin në mbledhjen e priftërisë në mëngjes. Në mesditë ne merrnim pjesë në shkollën e së dielës. Pastaj në mbrëmje, ne ktheheshim për mbledhjen e sakramentit. Me vajtje-ardhjet dhe mbledhjet, dukej sikur koha jonë shpenzohej me aktivitetet e Kishës gjatë gjithë ditës së diel dhe shumicës së ditëve të javës.

Sado që e doja Kishën, qe gjatë atyre ditëve të fëmijërisë që, për herë të parë, pata një ndjesi se kishte diçka më tepër se aq. Kur qeshë pesë vjeç, u mbajt një konferencë e madhe në tabernakull. Ne ecëm përgjatë rrugicës në të cilën jetonim e mbi një urë të vogël që të çonte te shtëpia kryesore e mbledhjes dhe u ulëm përafërsisht në rreshtin e 10–të në godinën e madhe kishtare. Kryesues dhe folës në mbledhje qe Dejvid O. Mek-Kei, Presidenti i Kishës. Në të vërtetë, nuk më kujtohet asgjë nga ato që tha ai, por kam një kujtim të gjallë të asaj që pashë dhe asaj që ndieva. Presidenti Mek-Kei qe veshur me një kostum ngjyrë kremi dhe, me flokët e tij të bardhë e me onde, dukej shumë fisnik. Ai mbajti një varëse të bërë me lule të kuqe të freskëta sipas traditës së ishujve. Ndërsa fliste, unë ndieva diçka shumë të fortë dhe shumë vetjake. Më vonë e kuptova se po ndieja ndikimin e Shpirtit të Shenjtë. Ne kënduam himnin e mbylljes.

Kush është në anën e Zotit? Kush?

Tani është koha për ta treguar.

Ne pyesim pa frikë:

Kush është në anën e Zotit? Kush?

(“Who’s on the Lord’s Side?” [“Kush është në anën e Zotit?”] Hymns, nr. 260)

Me ato fjalë të kënduara nga pothuaj 2.000 njerëz, por që mua më dukej se ishte një pyetje që më drejtohej vetëm mua, dëshiroja të ngrihesha në këmbë dhe të thoja: “Jam unë!”

Disa kanë arritur të mendojnë se të qenit aktiv në Kishë është qëllimi kryesor. Këtu ka një rrezik. Ka mundësi që të jesh aktiv në Kishë dhe më pak aktiv në ungjill. Më lini ta theksoj: të qenit aktiv në Kishë është një synim shumë i dëshirueshëm; megjithatë është i pamjaftueshëm. Të qenit aktiv në Kishë është një tregues i jashtëm i dëshirës sonë shpirtërore. Nëse ne marrim pjesë në mbledhjet tona, i mbajmë dhe i përmbushim përgjegjësitë në Kishë dhe u shërbejmë të tjerëve, kjo vëzhgohet publikisht.

Nga ana tjetër, gjërat e ungjillit zakonisht janë më pak të dukshme dhe më të vështira për t’u matur, por kanë rëndësi më të madhe në përjetësi. Për shembull, sa besim kemi ne në të vërtetë? Sa pendohemi? Sa kuptimplote janë ordinancat në jetën tonë? Sa të përqendruar jemi në besëlidhjet tona?

E përsëris: ne kemi nevojë për ungjillin dhe për Kishën. Në fakt, qëllimi i Kishës është të na ndihmojë që të jetojmë ungjillin. Ne shpesh pyesim veten: Si mund të jetë dikush plotësisht aktiv në Kishë në rini dhe mos të jetë më aktiv kur rritet në moshë? Si mundet një i rritur, që ka marrë pjesë dhe ka shërbyer rregullisht, të pushojë së ardhuri? Si mundet një njeri, që është zhgënjyer nga një udhëheqës apo një anëtar tjetër, ta lejojë atë që t’i japë fund pjesëmarrjes së tij në Kishë? Ndoshta arsyeja është se ata nuk qenë të kthyer mjaftueshëm në ungjill – në gjërat e përjetësisë.

Unë sugjeroj tri mënyra për ta pasur ungjillin themelin tonë:

  1. Ta zgjerojmë kuptueshmërinë tonë për Hyjninë. Një njohuri e pandërprerë dhe dashuria për tre anëtarët e Kreut-Perëndi janë të domosdoshme. T’i lutemi me vëmendje Atit, në emrin e Birit dhe të kërkojmë drejtim nga Fryma e Shenjtë. Të kombinojmë lutjen me studimin e vazhdueshëm dhe meditimin e përulur që të ndërtojmë në vazhdimësi besim të patundur te Jezu Krishti. “Pasi, si do ta njohi një njeri zotëruesin … që është i huaj për të dhe është larg nga mendimet dhe qëllimet e zemrës së tij?” (Mosia 5:13).

  2. Të përqendrohemi tek ordinancat dhe besëlidhjet. Nëse ka ndonjë prej ordinancave thelbësore ende për t’u kryer në jetën tuaj, përgatituni me qëllim që të merrni secilën prej tyre. Më pas na duhet të vendosim disiplinën për të qenë besnikë ndaj besëlidhjeve tona, duke e përdorur plotësisht dhuratën e përjavshme të sakramentit. Shumë prej nesh nuk po ndryshohen rregullisht nga fuqia e tij pastruese për shkak të mungesës së nderimit tonë për këtë ordinancë të shenjtë.

  3. Të njëjtësojmë ungjillin me Kishën. Ndërsa përqendrohemi te ungjilli, Kisha do të bëhet një bekim më shumë, jo më pak, në jetën tonë. Ndërsa vijmë në çdo mbledhje të përgatitur për të “kërk[uar] të mëso[jmë] madje me anë të studimit dhe gjithashtu me anë të besimit” (DeB 88:118), Fryma e Shenjtë do të jetë mësuesi ynë. Nëse vijmë për t’u zbavitur, do të zhgënjehemi shpesh. Presidentin Spenser W. Kimball e pyetën dikur: “Çfarë bëni ju kur e gjeni veten në një mbledhje të mërzitshme sakramenti?” Përgjigjja e tij qe: “Nuk e di. Nuk kam qenë kurrë në një të tillë” (cituar nga Gene R. Cook, në Gerry Avant, “Learning Gospel Is Lifetime Pursuit”, Church News, 24 mars 1990, f. 10).

Në jetën tonë duhet të dëshirojmë atë që ndodhi pasi Zoti erdhi te njerëzit e Botës së Re dhe themeloi Kishën e Tij. Në shkrimet e shenjta lexohet: “Dhe ndodhi që kështu ata [domethënë dishepujt e Tij] shkuan mes gjithë popullit të Nefit dhe predikuan ungjillin e Krishtit mes gjithë njerëzve mbi faqen e dheut, dhe ata u kthyen në besim te Zoti, dhe u bashkuan me kishën e Krishtit, dhe kështu njerëzit e atij brezi, … qenë të bekuar” (3 Nefi 28:23).

Zoti dëshiron që anëtarët e Kishës së Tij të kthehen në besim plotësisht në ungjillin e Tij. Kjo është e vetmja mënyrë e sigurt për të pasur siguri shpirtërore tani dhe lumturi përgjithmonë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.