Familje që Kanë Bërë Besëlidhje

Nga Presidenti Henri B. Ajring,

Këshilltar i Parë në Presidencën e Parë


Nga Presidenti Henri B. Ajring,
Nuk ka asgjë që ka ardhur apo do të vijë në familjen tuaj, aq të rëndësishme sa bekimet e vulosjes.

E vlerësoj mbledhjen këtu me ju në këtë takim, në të cilin janë të ftuar të gjithë mbajtësit e priftërisë së Perëndisë në tokë. Ne jemi të bekuar që kryesohemi nga Presidenti Tomas S. Monson. Si President i Kishës, ai është i vetmi burrë i gjallë që mban përgjegjësi për çelësat që vulosin familjet dhe të gjitha ato ordinanca priftërie të nevojshme për të marrë jetën e përjetshme, më të madhen e të gjitha dhuratave të Perëndisë.

Është një baba që po dëgjon sonte, i cili është kthyer nga të qenit joaktiv pasi e dëshiron me gjithë zemër sigurinë e vulosjes. Ai dhe bashkëshortja e tij i duan dy fëmijët e tyre të vegjël. Ashtu si prindërit e tjerë, ai mund ta përfytyrojë lumturinë qiellore ndërsa lexon këto fjalë: “Dhe po ai shoqërim që ekziston mes nesh këtu, do të ekzistojë mes nesh atje, veçse do të jetë me lavdi të përjetshme, lavdi të cilën nuk e gëzojmë tani”1.

Ai baba që po dëgjon bashkë me ne sonte, e njeh shtegun për tek ai drejtim i lavdishëm. Nuk është e lehtë. Ai tashmë e di këtë. Kërkohej besim në Jezu Krisht, pendim i thellë dhe një ndryshim në zemrën e tij që erdhi me një peshkop të mirë, që e ndihmoi atë të ndiente faljen e përzemërt të Zotit.

Ndryshime të mrekullueshme vazhduan kur ai shkoi në tempullin e shenjtë për një indaument që Zoti ua përshkroi atyre që Ai i fuqizoi në tempullin e parë, në këtë periudhë ungjillore. Ndodhi në Kirtland të Ohajos. Zoti tha rreth kësaj:

“Prandaj, për këtë shkak unë ju jap urdhërimin që ju duhet të shkoni në Ohio; dhe atje do t’ju jap ligjin tim; dhe atje do t’ju dhurohet fuqi nga lart;

Dhe që atje, … sepse unë kam një punë të madhërishme të vendosur në ruajtje, sepse Izraeli do të shpëtohet e unë do t’i udhëheq ata kudo që dua dhe asnjë pushtet s’mund ta durojë dorën time”2.

Për mikun tim të kthyer në aktivitet së fundmi dhe për të gjithë mbajtësit e priftërisë, një punë e madhe ende për t’u bërë është të udhëheqim drejt shpëtimit pjesën e Izraelit për të cilën jemi ose do të jemi përgjegjës, që është familja. Ai e dinte se që të shpëtohej familja, duhet të vulosej me anë të fuqisë së Priftërisë Melkizedeke në një tempull të shenjtë të Perëndisë.

Ai kërkoi që ta kryeja unë vulosjen. Ai dhe bashkëshortja e tij, dëshironin që të bëhej sa më shpejt të ishte e mundur. Me kohën e ngarkuar të afrimit të konferencës së përgjithshme, ia lashë çiftit dhe peshkopit të tyre që të flisnin me sekretaren time për të gjetur datën më të mirë.

Përfytyroni habinë dhe kënaqësinë time kur babai më tha se vulosja ishte vendosur për në datën 3 prill. Ajo qe dita në vitin 1836 kur Elia, profeti i marrë në qiell, u dërgua në Tempullin e Kirtlandit për t’u dhënë fuqinë vulosëse Jozef Smithit dhe Oliver Kaudrit. Ata çelësa ndodhen në Kishë sot dhe do të vazhdojnë të jenë deri në mbarim të kohës.3

Është po i njëjti autorizim hyjnor i dhënë Pjetrit nga Zoti ndërsa Ai pati premtuar: “Dhe unë do të të jap çelësat e mbretërisë së qiejve; gjithçka që të kesh lidhur mbi tokë, do të jetë lidhur në qiej, dhe gjithçka që të kesh zgjidhur mbi tokë, do të jetë zgjidhur në qiej”4.

Kthimi i Elias i bekoi të gjithë ata që mbajnë priftërinë. Plaku Harold B. Li e bëri atë të qartë ndërsa foli në konferencën e përgjithshme, duke cituar Presidentin Jozef Filding Smith. Dëgjoni me vëmendje: “Unë mbaj priftërinë; ju vëllezër këtu mbani priftërinë; ne kemi marrë Priftërinë Melkizedeke – që u mbajt nga Elia dhe nga profetë të tjerë dhe nga Pjetri, Jakobi dhe Gjoni. Por megjithëse kemi autoritet për të pagëzuar, megjithëse kemi autoritetin për të vendosur duart për dhuratën e Frymës së Shenjtë dhe për të shuguruar të tjerët, dhe për t’i bërë të gjitha këto gjëra, pa fuqinë vulosëse ne nuk do të mund të bënim asgjë, pasi nuk do të kishte vlefshmëri për ato ordinanca që kryem.”

Presidenti Smith vazhdoi:

“Ordinancat më të larta, bekimet më të mëdha që janë thelbësore për ekzaltimin në mbretërinë e Perëndisë dhe që mund të merren vetëm në vende të caktuara, asnjë burrë nuk e ka të drejtën për t’i kryer, po të mos e marrë autoritetin për ta bërë atë nga burri që mban çelësat. …

… Nuk ka asnjë burrë mbi faqen e dheut që ka të drejtën të shkojë përpara dhe të administrojë në ndonjërën prej këtyre ordinancave të këtij ungjilli, përveç në se Presidenti i Kishës, që mban çelësat, të japë miratimin. Ai na ka dhënë autoritet; ai e ka vendosur fuqinë vulosëse në priftërinë tonë sepse ai i mban ato çelësa.”5

E njëjta siguri erdhi nga Presidenti Bojd K. Paker ndërsa shkroi për fuqinë vulosëse. Të di se këto fjalë janë të vërteta është një ngushëllim për mua, ashtu siç do të jetë për familjen që do të vulos më 3 prill: “Pjetri duhet t’i mbante çelësat. Pjetri duhet ta mbante fuqinë vulosëse, … për të lidhur ose për të vulosur në tokë ose për të zgjidhur në tokë dhe do të ishte kështu në qiej. Këta çelësa i përkasin Presidentit të Kishës – profetit, shikuesit dhe zbuluesit. Ajo fuqi e shenjtë vulosëse është me Kishën tani. Asgjë nuk konsiderohet me meditim më të shenjtë nga ata që e dinë domethënien e këtij autoriteti. Asgjë nuk mbahet më pranë. Ka relativisht pak burra të cilëve iu është deleguar kjo fuqi vulosëse në tokë në çfarëdo kohe të dhënë – në çdo tempull ka vëllezër të cilëve iu është dhënë fuqia vulosëse. Asnjë nuk mund ta marrë atë përveçse nga profeti, shikuesi e zbuluesi dhe Presidenti i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.”6

Kur erdhi Elia jo vetëm që iu dha fuqia priftërisë, por kishte edhe zemra për t’u kthyer: “Shpirti, fuqia dhe thirrja e Elijas është që ju keni fuqi të mbani çelësin e zbulesës, ordinancave, orakujve, fuqive dhe indaumenteve të plotësisë së Priftërisë Melkizedeke dhe të mbretërisë së Perëndisë në tokë; dhe për të marrë, siguruar dhe kryer të gjitha ordinancat që i përkasin mbretërisë së Perëndisë, madje në kthimin e zemrave të etërve tek fëmijët dhe të fëmijëve tek etërit, madje atyre që janë në qiell”7.

Ajo ndjenjë e kthimit të zemrës së tij, i ka ardhur tashmë mikut tim dhe familjes së tij. Mund t’ju ketë ardhur juve në këtë mbledhje. Ju mund ta keni përfytyruar në mendjen tuaj, ashtu siç kam bërë unë, fytyrën e babait apo nënës suaj. Fytyra mund të ketë qenë e një motre apo vëllai. Mund të ketë qenë e një bije apo biri.

Njeriu që përfytyruat, mund të jetë në botën e shpirtrave ose kontinente larg jush. Por gëzimi erdhi nga një ndjesi se lidhjet me ta janë të sigurta sepse ju jeni ose mund të bëheni të lidhur me ta, me anë të ordinancave të priftërisë që Perëndia do t’i respektojë.

Mbajtësve të Priftërisë Melkizedeke që janë etër në familjet e vulosura, u është mësuar se çfarë duhet të bëjnë. Nuk ka asgjë që ka ardhur apo do të vijë në familjen tuaj, aq të rëndësishme sa bekimet e vulosjes. Nuk ka asgjë më të rëndësishme se nderimi i besëlidhjeve të martesës e familjes që ju bëtë ose do të bëni në tempujt e Perëndisë.

Mënyra për ta bërë atë është e qartë. Shpirti i Shenjtë i Premtimit, nëpërmjet bindjes dhe sakrificës sonë, duhet t’i vulosë besëlidhjet tona të tempullit në mënyrë që të merren në botën që do të vijë. Presidenti Harold B. Li shpjegoi se çfarë do të thotë të vulosesh me anë të Shpirtit të Shenjtë të Premtimit, duke cituar Plakun Melvin J. Ballard: “Ne mund t’i mashtrojmë njerëzit, por nuk mund ta mashtrojmë Frymën e Shenjtë dhe bekimet tona nuk do të jenë të përjetshme, po të mos jenë vulosur gjithashtu nga Shpirti i Shenjtë i premtimit. Fryma e Shenjtë është ai që i lexon mendimet dhe zemrat e njerëzve dhe u jep miratimin e tij vulosës bekimeve të shqiptuara mbi kokat e tyre. Atëherë vulosja është e detyrueshme, e efektshme dhe plotësisht e vlefshme.”8

Kur Motra Ajring dhe unë u vulosëm në Tempullin e Loganit, nuk e kuptova atëherë domethënien e plotë të atij premtimi. Unë ende po përpiqem që të kuptoj gjithë domethënien e tij, por bashkëshortja ime dhe unë vendosëm në fillim të pothuaj 50 viteve të martesës sonë, që ta ftonim sa më shumë të mundeshim Frymën e Shenjtë në jetën tonë dhe në familjen tonë.

Kur isha baba i ri, i vulosur në tempull dhe me zemrën time të kthyer ndaj bashkëshortes sime dhe një familjeje të re, takova Presidentin Jozef Filding Smith për herë të parë. Në dhomën e këshillit të Presidencës së Parë, ku isha ftuar, më erdhi një dëshmi tërësisht e sigurt ndërsa Presidenti Harold B. Li më pyeti mua, duke treguar me gisht për nga Presidenti Smith: “A e beson ti se ky burrë mund të jetë Profeti i Perëndisë?”

Presidenti Smith sapo ishte futur në dhomë dhe nuk kishte thënë ende asnjë fjalë. Unë jam përjetësisht mirënjohës që qeshë në gjendje të përgjigjesha me vendosmëri: “E di se ai është” dhe e dija me aq siguri siç e dija se dielli po ndriçonte, që ai mbante fuqinë vulosëse të priftërisë për të gjithë tokën.

Ajo përvojë u dha fjalëve të Presidentit Smith një fuqi të madhe për mua dhe bashkëshorten time kur, në një sesion konference më 6 prill 1972, Presidenti Jozef Filding Smith dha këshillën vijuese: “Është vullneti i Zotit që të forcohet dhe të ruhet njësia familjare. Ne u lutemi etërve që të marrin vendin që u takon si kreu i shtëpisë. Ne u kërkojmë nënave që t’i mbështesin dhe t’i përkrahin bashkëshortët e tyre dhe të jenë shembuj për fëmijët e tyre.”9

Më lini t’ju sugjeroj katër gjëra që mund të bëni si një baba me priftëri, për ta lartësuar dhe udhëhequr familjen tuaj për t’u kthyer sërish në shtëpi me Atin Qiellor dhe Shpëtimtarin.

Së pari, fitoni dhe mbani një dëshmi të sigurt se çelësat e priftërisë janë me ne dhe mbahen nga Presidenti i Kishës. Lutuni për atë çdo ditë. Përgjigjja do të vijë me një shtim të vendosmërisë për ta udhëhequr familjen tuaj, shtim të ndjenjave tuaja të shpresës dhe me lumturi më të madhe në shërbimin tuaj. Ju do të jeni më të gëzuar dhe më optimistë, një bekim i madh për bashkëshorten dhe familjen tuaj.

Kërkesa e dytë është ta doni bashkëshorten tuaj. Do të duhet besim dhe përulësi që t’i vini interesat e saj mbi tuajat në mundimet e jetës. Ju keni përgjegjësinë për të siguruar dhe për ta edukuar familjen me të ndërkohë që u shërbeni të tjerëve. Ndonjëherë, ajo mund t’jua harxhojë të gjithë energjinë dhe forcën që keni. Mosha dhe sëmundja mund t’i shtojnë nevojat e bashkëshortes suaj. Nëse do të zgjidhnit edhe atëherë që ta vinit lumturinë e saj mbi tuajën, ju premtoj se dashuria e saj për ju do të rritet.

Së treti, kërkoni ndihmë nga e gjithë familja që ta doni njëri-tjetrin. Presidenti Ezra Taft Benson dha mësim:

“Duke marrë parasysh përjetësinë, shpëtimi është një përgjegjësi familjare. …

Mbi gjithçka tjetër, fëmijët kanë nevojë të dinë dhe të ndiejnë se i duan, i mirëpresin dhe i vlerësojnë. Ata kanë nevojë që të sigurohen për këtë shpesh. Natyrisht, ky është një rol që prindërit duhet ta përmbushin dhe, më shpesh, nëna mund ta bëjë këtë më së miri.”10

Një burim thelbësor për atë ndjesi që të duan është dashuria nga fëmijët e tjerë në familje. Përkujdesja e vazhdueshme e vëllezërve dhe motrave për njëri-tjetrin do të vijë vetëm me përpjekjen ngulmuese të prindërve dhe me ndihmën e Perëndisë. Ju e dini se ajo është e vërtetë nga përvoja në vetë familjet tuaja. Dhe ajo vërtetohet sa herë që ju lexoni për përplasjet familjare të përjetuara nga Lehi i drejtë dhe gruaja e tij Saria, në analin e Librit të Mormonit.

Sukseset që ata arritën, na sigurojnë neve një udhëzues. Ata ua mësuan ungjillin e Jezu Krishtit kaq mirë dhe kaq me ngulmim, saqë fëmijëve dhe madje disa pasardhësve ndër breza iu zbut zemra kundrejt Perëndisë dhe njëri-tjetrit. Për shembull, Nefi dhe të tjerë u shkruan dhe i ndihmuan pjesëtarët e familjes që kishin qenë armiqtë e tyre. Shpirti ndonjëherë i zbuti zemrat e mijëra vetëve dhe e zëvendësoi urrejtjen me dashurinë.

Një mënyrë se si ju mund t’i imitoni sukseset e Baba Lehit është nga mënyra se si i drejtoni lutjet familjare dhe kohën për familjen, të tilla si mbrëmjet familjare në shtëpi. Jepuni fëmijëve mundësi për t’u lutur kur ata mund të luten për të tjerët në rrethin që ka nevojë për bekime. Dallojini shpejt fillimet e mosmarrëveshjeve dhe vërini në dukje veprat e shërbimit vetmohues, veçanërisht ndaj motrave e vëllezërve. Kur ata luten për njëri-tjetrin dhe i shërbejnë njëri-tjetrit, zemrat do të zbuten dhe do të kthehen te njëri-tjetri dhe te prindërit e tyre.

Mundësia e katërt për ta udhëhequr familjen tuaj në udhën e Zotit, vjen kur nevojitet disiplina. Ne mund ta përmbushim detyrimin tonë për t’i korrigjuar në mënyrën e Zotit dhe për t’i udhëhequr ata drejt jetës së përjetshme.

Ju do t’i mbani mend fjalët, por ndoshta mund të mos e keni parë fuqinë e tyre në jetën e një mbajtësi të Priftërisë Melkizedeke që po e përgatit familjen e tij për të jetuar në të njëjtat marrëdhënie që do të kenë në mbretërinë çelestiale: Ju i mbani mend fjalët. Ato janë kaq të njohura:

“Asnjë fuqi apo ndikim nuk mund ose nuk duhet të mbahet me anë të priftërisë, veçse nëpërmjet bindjes, nëpërmjet durimit, nëpërmjet mirësjelljes e zemërbutësisë dhe nëpërmjet dashurisë së pashtirur;

Nëpërmjet mirësisë dhe diturisë së pastër, të cilat do ta zgjerojnë shumë shpirtin, pa hipokrizi dhe pa mashtrim –

Duke qortuar në kohën e duhur me mprehtësi, kur u nxite nga Fryma e Shenjtë; dhe atëherë duke treguar më pas rritje të dashurisë ndaj atij që e ke qortuar, që ai të mos të të vlerësojë si armikun e tij;

Që ai të mund ta dijë se besnikëria jote është më e fortë se zinxhirët e vdekjes.”11

Dhe më vonë vjen premtimi me vlerë të madhe për ne si etër në Sion: “Fryma e Shenjtë do të jetë shoqëruesi yt i vazhdueshëm dhe skeptri yt një skeptër i pandryshueshëm i drejtësisë dhe së vërtetës; dhe sundimi yt do të jetë një sundim i përjetshëm dhe, pa mënyra detyruese, ai do të rrjedhë tek ty përherë e përgjithmonë”12.

Ai është një standard i lartë për ne por, kur i kontrollojmë me besim inatet tona dhe e mposhtim krenarinë tonë, Fryma e Shenjtë jep miratimin e Tij dhe premtimet e besëlidhjet e shenjta bëhen të sigurta.

Ju do t’ia dilni mbanë nëpërmjet besimit se Zoti i dërgoi sërish çelësat e priftërisë, që janë ende me ne – me një lidhje të sigurt dashurie me bashkëshorten tuaj, me ndihmën e Zotit në kthimin e zemrave të fëmijëve tuaj te njëri-tjetri dhe te prindërit në dashuri dhe duke ju udhëzuar me dashuri që të korrigjoni dhe të paralajmëroni në një mënyrë që fton Shpirtin.

Unë e di që Jezusi është Krishti dhe Shpëtimtari ynë. Unë dëshmoj se Presidenti Tomas S. Monson, të cilin do ta dëgjomë tani, mban dhe ushtron të gjithë çelësat e priftërisë në tokë sot. Unë e dua dhe e mbështes atë. Ju dua dhe lutem për ju. Në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.

Show References

  1.  

    1.  Doktrina e Besëlidhje 130:2.

  2.  

    2.  Doktrina e Besëlidhje 38:32–33.

  3.  

    3. Shih Joseph Fielding Smith, Sealing Power and Salvation, Brigham Young University Speeches of the Year (12 janar 1971), speeches.byu.edu.

  4.  

    4.  Mateu 16:19.

  5.  

    5. Joseph Fielding Smith, cituar nga Harold B. Lee, në Conference Report, tetor 1944, f. 75.

  6.  

    6. Bojd K. Paker, “Tempulli i Shenjtë”, Liahona, tetor 2010, f. 34.

  7.  

    7.  Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2009), f. 331.

  8.  

    8. Melvin J. Ballard, cituar nga Harold B. Lee, në Conference Report, tetor 1970, f. 111.

  9.  

    9. Joseph Fielding Smith, “Counsel to the Saints and to the World”, Ensign, korrik 1972, f. 27.

  10.  

    10. Ezra Taft Benson, “Salvation–a Family Affair”, Liahona, nëntor 1992, f. 3, 4.

  11.  

    11.  Doktrina e Besëlidhje 121:41–44.

  12.  

    12.  Doktrina e Besëlidhje 121:46.