Të Pasurit e Vizionit për të Vepruar

i Të Shtatëdhjetëve


Nga Plaku O. Vinsent Halek,
Nëse duhet të përparojmë në vend që të shfrenohemi, ne duhet të fitojmë një vizion për veten ashtu si na sheh Shpëtimtari.

Si të gjithë prindërit e mirë, prindërit e mi dëshironin një të ardhme të ndritur për fëmijët e tyre. Babai im nuk ishte anëtar dhe, për shkak të rrethanave të pazakonta që ekzistonin në atë kohë, prindërit e mi vendosën që vëllezërit e motrat e mia dhe unë duhej të largoheshim nga shtëpia në ishull në Samoan Amerikane, në Paqësorin Jugor, dhe të udhëtonim për në Shtetet e Bashkuara për t’u arsimuar.

Vendimi për t’u ndarë prej nesh ishte i vështirë për prindërit e mi, sidomos për mamanë. Ata e dinin se do të kishte sfida të panjohura kur ne të gjendeshim në mjedise të reja. Megjithatë, me besim dhe vendosmëri, ata vazhduan me planin e tyre.

Për shkak se nëna ime u rrit si shenjtore e ditëve të mëvonshme, ajo i njihte parimet e agjërimit e të lutjes dhe të dy prindërit e mi ndien se kishin nevojë që bekimet e qiellit t’i ndihmonin fëmijët e tyre. Me atë dëshirë, ata filluan të caktonin një ditë çdo javë për të agjëruar dhe për t’u lutur për ne. Vizioni i tyre ishte t’i përgatisnin fëmijët për një të ardhme të ndritur. Ata vepruan për shkak të këtij vizioni, ndërsa e ushtruan besimin e tyre nëpërmjet kërkimit të bekimeve të Zotit. Përmes agjërimit dhe lutjes, ata morën sigurinë, ngushëllimin dhe paqen se gjithçka do të ishte në rregull.

Në ç’mënyrë, në mes të sfidave të jetës sonë, e fitojmë vizionin e nevojshëm për të bërë ato gjëra që do të na afrojnë me Shpëtimtarin? Duke folur për vizionin, libri i Fjalëve të Urta na jep mësim këtë të vërtetë: “Kur nuk ka një vizion profetik, populli bëhet i shfrenuar” (Fjalët e Urta 29:18). Nëse duhet të përparojmë në vend që të shfrenohemi, ne duhet të fitojmë një vizion për veten ashtu si na sheh Shpëtimtari.

Shpëtimtari pa më shumë potencial te ata peshkatarë të përulur, të cilët Ai i thirri për ta ndjekur Atë, sesa ata panë në fillim te vetvetja; Ai pa një vizion se cilët mund të bëheshin ata. Ai e njihte mirësinë dhe potencialin e tyre dhe veproi për t’i thirrur ata. Në fillim ata ishin të papërvojë por, ndërsa e ndoqën, panë shembullin e Tij, ndien mësimet e Tij dhe u bënë dishepujt e Tij. Pati një periudhë kur disa nga dishepujt u larguan prej Tij, sepse gjërat që dëgjuan ishin të vështira për ta. I vetëdijshëm se të tjerë mund të largoheshin gjithashtu, Jezusi i pyeti Të Dymbëdhjetët: “A doni edhe ju të largoheni?” (Gjoni 6:67). Përgjigjja e Pjetrit pasqyron mënyrën se si ai kishte ndryshuar dhe kishte marrë vizionin se kush ishte Shpëtimtari. “Te kush të shkojmë? Ti ke fjalë jete të përjetshme” (Gjoni 6:68), iu përgjigj ai.

Me anë të atij vizioni, këta dishepuj besnikë dhe të përkushtuar ishin të gatshëm të bënin gjëra të vështira ndërsa udhëtuan për të predikuar ungjillin dhe për të krijuar Kishën, pasi Shpëtimtari ishte larguar. Përfundimisht, disa prej tyre sakrifikuan jetën për dëshmitë e tyre.

Ka shembuj të tjerë në shkrimet e shenjta të atyre që morën vizionin për ungjillin dhe më pas dolën për të vepruar për shkak të atij vizioni. Profeti Alma e fitoi vizionin e tij kur e dëgjoi Abinadin të jepte mësim dhe të dëshmonte me guxim para mbretit Noe. Alma veproi sipas mësimeve të Abinadit dhe shkoi andej-këtej për të dhënë mësim gjërat që ai kishte mësuar, duke pagëzuar shumë që besonin në fjalët e tij (shih Mosia 17:1–4; 18:1–16). Ndërsa persekutonte shenjtorët e hershëm, Apostulli Pal u kthye në besim në rrugën për Damask dhe më pas veproi duke dhënë mësim e duke dëshmuar për Krishtin (shih Veprat e Apostujve 9:1–6, 20–22, 29).

Në vetë kohën tonë, shumë të rinj, të reja dhe çifte të moshuar kanë pranuar ftesën e profetit të Perëndisë për të shërbyer në misione. Me besim dhe guxim ata largohen nga shtëpitë e tyre dhe çdo gjë e afërt për shkak të besimit të tyre në të mirën e madhe që ata mund të bëjnë si misionarë. Teksa veprojnë sipas vizionit të tyre për të shërbyer, ata bekojnë jetën e shumë njerëzve dhe, gjatë procesit, ndryshojnë vetë jetën e tyre. Në konferencën e kaluar të përgjithshme, Presidenti Tomas S. Monson na falënderoi për shërbimin që i japim njëri-tjetrit dhe na kujtoi përgjegjësinë tonë për të qenë agjentë të Perëndisë që të bekojmë fëmijët e Tij këtu në tokë (shih “Kur Prapë të Takohemi”, Liahona, nëntor 2011, f. 108). Përmbushja e kësaj detyre ka qenë ngushëlluese, teksa anëtarët e Kishës kanë vepruar për shkak të vizionit të tij.

Përpara se Shpëtimtari të largohej, duke e kuptuar se ne do të kishim nevojë për ndihmë, Ai tha: “Nuk do t’ju lë bonjakë” (Gjoni 14:18). Ai u dha mësim dishepujve të Tij: “Ngushëlluesi, Fryma e Shenjtë, që Ati do ta dërgojë në emrin tim, do t’ju mësojë çdo gjë dhe do t’ju kujtojë të gjitha këto që ju thashë” (Gjoni 14:26). Ky është i njëjti Frymë e Shenjtë që mund të na japë mundësinë dhe të na nxisë të bëjmë gjërat që Shpëtimtari, profetët tanë modernë dhe apostujt na japin mësim.

Kur i vëmë në zbatim mësimet e udhëheqësve tanë, ne fitojmë një kuptim më të thellë të vizionit të Shpëtimtarit tonë për ne. Gjatë gjithë kësaj konference, ne kemi marrë këshillë të frymëzuar nga profetët dhe apostujt. Studiojini mësimet e tyre dhe meditojini në zemrat tuaja ndërsa kërkoni Shpirtin e Frymës së Shenjtë që t’ju ndihmojë të merrni një vizion të këtyre mësimeve në jetën tuaj. Ushtrojeni besimin tuaj me anë të atij vizioni, duke vepruar sipas këshillës së tyre.

Hetojini dhe studiojini shkrimet e shenjta me mendimin për të marrë dritë dhe njohuri të mëtejshme për mesazhet e tyre drejtuar juve. Meditojini në zemrën tuaj dhe lejojini t’ju frymëzojnë. Më pas veproni sipas frymëzimit tuaj.

Ndërsa mësojmë si familje, ne veprojmë kur agjërojmë dhe lutemi. Alma foli për agjërimin dhe lutjen si një mënyrë për të marrë siguri kur tha: “Unë kam agjëruar dhe jam lutur për shumë ditë, që t’i di këto gjëra vetë” (Alma 5:46). Ne gjithashtu, arrijmë të njohim mënyrën se si t’u bëjmë ballë sfidave të jetës sonë përmes agjërimit dhe lutjes.

Ne përjetojmë gjëra të vështira në jetën tonë, që ndonjëherë mund ta dobësojnë vizionin dhe besimin tonë për të bërë gjërat që duhet. Ne ngarkohemi aq shumë saqë shpesh ndihemi të dërrmuar dhe të paaftë për të bërë më shumë. Ndërkohë që secili prej nesh është i ndryshëm, unë përulësisht sugjeroj që ne duhet ta përqendrojmë vizionin tonë te Shpëtimtari dhe mësimet e Tij. Çfarë pa Ai te Pjetri, Jakobi e Gjoni dhe Apostujt e tjerë që e shtynë të vepronte për t’i ftuar ata që ta ndiqnin? Sikurse vizioni i Tij për ta, Shpëtimtari ka një vizion të madh se kush mund të bëhemi. Do të duhet i njëjti besim dhe guxim që kishin Apostujt e parë, në mënyrë që të përqendrohemi mbi ato gjëra që na interesojnë më shumë për të sjellë lumturi të përhershme dhe gëzim të madh.

Kur studiojmë jetën e Shpëtimtarit tonë dhe mësimet e Tij, ne e shohim Atë midis njerëzve duke dhënë mësim, duke u lutur, duke forcuar shpirtërisht dhe duke shëruar. Kur ndjekim shembullin e Tij dhe bëjmë gjërat që e shohim Atë të bëjë, ne fillojmë të shohim një vizion të atyre që mund të bëhemi. Ne do të bekohemi me largpamësi përmes ndihmës së Frymës së Shenjtë për të bërë më shumë të mira. Ndryshimet do të fillojnë të rrjedhin dhe ju do të sillni një organizim të ndryshëm në jetën tuaj, që do t’ju bekojë ju dhe familjen tuaj. Gjatë shërbesës së Tij midis nefitëve, Shpëtimtari pyeti: “Çfarë lloj njerëzish duhet të jeni?” Ai u përgjigj: “Madje siç jam unë” (3 Nefi 27:27). Ne kemi nevojë për ndihmën e Tij që të bëhemi si Ai, dhe Ai na e ka treguar udhën: “Prandaj, kërkoni dhe do t’ju jepet; trokitni dhe do t’ju hapet; pasi ai që kërkon, merr; dhe atij që troket, do t’i hapet” (3 Nefi 27:29).

Unë e di se, ndërsa fitojmë vizionin për veten ashtu si Shpëtimtari na sheh dhe ndërsa veprojmë sipas atij vizioni, jeta jonë do të bekohet në mënyra të paparashikuara. Për shkak të vizionit të prindërve të mi, jeta ime jo vetëm që u bekua nga përvojat arsimore, por unë u gjenda në rrethana ku gjeta dhe përqafova ungjillin. Mbi të gjitha, mësova rëndësinë e prindërve të mirë dhe besnikë. Ta them thjesht, jeta ime ndryshoi përgjithmonë.

Ashtu siç i drejtoi vizioni prindërit e mi për të agjëruar dhe për t’u lutur për mirëqenien e fëmijëve të tyre dhe ashtu siç vegimi i Apostujve të hershëm i drejtoi ata të ndiqnin Shpëtimtarin, po i njëjti vizion është i disponueshëm që të na frymëzojë dhe ndihmojë për të vepruar. Vëllezër dhe motra, ne jemi një popull me një histori vegimi dhe besimi e guximi për të vepruar. Shikojeni se ku kemi ardhur dhe bekimet që kemi marrë! Besoni se Ai mund t’ju bekojë me vizion në jetën tuaj dhe guxim për të vepruar.

Unë ndaj dëshminë time për Shpëtimtarin dhe dëshirën e Tij që ne të kthehemi tek Ai. Për ta bërë këtë, duhet të kemi besimin për të vepruar – për ta ndjekur Atë dhe për t’u bërë si Ai. Gjatë gjithë kohëve të ndryshme të jetës sonë, Ai zgjat dorën e Tij dhe na fton:

“Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse unë jam zemërbutë dhe i përulur nga zemra; dhe ju do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj.

Sepse zgjedha ime është e ëmbël dhe barra ime është e lehtë” (Mateu 11:29–30).

Ashtu sikurse Shpëtimtari pa potencial të madh te dishepujt e Tij të hershëm, Ai gjithashtu sheh të njëjtën gjë te ne. Le ta shohim vetveten ashtu si Shpëtimtari na sheh. Unë lutem që ne do ta kemi atë vizion me besim dhe guxim për të vepruar, në emrin e Jezu Krishtit, amen.