Ai me të Vërtetë na Do

i Të Shtatëdhjetëve


Nga Plaku Pol E. Kolliker,
Për shkak të modelit të përcaktuar qiellor të familjes, ne e kuptojmë më plotësisht mënyrën se si Ati ynë Qiellor me të vërtetë e do secilin prej nesh në mënyrë të barabartë dhe plotësisht.

Më pëlqen kaq shumë të jem me misionarët kohëplotë. Ata janë plot me besim, shpresë dhe dashuri të vërtetë hyjnore. Përvoja e tyre misionare është si një jetë e plotë, ku gjithçka ndodh në vetëm 18 deri në 24 muaj. Ata vijnë në terrenin e misionit tamam si foshnjet shpirtërore me oreks të rëndë për të mësuar dhe largohen nga misioni si të rritur të pjekur, dukshëm të gatshëm për të mposhtur çfarëdolloj dhe të gjitha sfidat e vendosura përpara tyre. Gjithashtu i dua misionarët e devotshëm të moshuar, që janë plot me durim, urtësi dhe vetëbesim të qetë. Ata i sjellin një dhuratë qëndrueshmërie dhe dashurie forcës rinore nga misionarët më të rinj përreth tyre. Së bashku, misionarët me kohë të plotë dhe ata të moshuar janë një forcë e fuqishme e këmbëngulëse për mirë, që është duke pasur një ndikim të thellë në jetën e tyre dhe tek ata që ndikohen nga shërbimi i tyre.

Së fundi, dëgjova dy prej këtyre misionarëve të rinj të mrekullueshëm, teksa rishqyrtuan përvojat dhe përpjekjet e tyre. Në atë moment reflektues, ata menduan për individët që kishin kontaktuar atë ditë, disa prej të cilëve ishin më shumë reagues se të tjerët. Ndërsa morën parasysh rrethanat, ata pyetën: “Në ç’mënyrë mund ta ndihmojmë secilin individ të zhvillojë dëshirën për të ditur më shumë rreth Atit Qiellor? Si i ndihmojmë ata të ndiejnë Shpirtin e Tij? Si mund t’i ndihmojmë ata të dinë se ne i duam?”

Në përfytyrimin tim mund t’i shihja këta dy të rinj tre ose katër vjet pas përfundimit të misioneve të tyre. I përfytyrova ata teksa e kishin gjetur shoqen e tyre të përjetshme dhe duke shërbyer në kuorumet e pleqve ose duke u dhënë mësim një grupi të rinjsh. Tani, në vend që të mendonin rreth kërkuesve të tyre, ata po bënin të njëjtat pyetje rreth anëtarëve të tyre të kuorumit ose të rinjve që ata ishin ngarkuar për t’i ushqyer. Unë pashë se si përvoja e tyre misionare mund të zbatohet si një shembull për ushqimin e të tjerëve gjatë pjesës tjetër të jetës së tyre. Ndërsa kjo mori e dishepujve të drejtë kthehet nga misionet e tyre në shumë vende nëpër botë, ata po bëhen kontribuesit kryesorë në veprën e krijimit të Kishës.

Profeti Lehi i Librit të Mormonit mund të ketë qenë duke medituar të njëjtin grup pyetjesh si këta misionarë kur dëgjoi përgjigjen e bijve të tij për drejtimin dhe vegimin që u kishte dhënë: “Dhe kështu Lamani dhe Lemueli, duke qenë më të mëdhenj, mërmëritën kundër atit të tyre. Dhe mërmëritën, sepse nuk i dinin veprimet e atij Perëndie që i kishte krijuar ata” (1 Nefi 2:12).

Ndoshta të gjithë ne e kemi ndier zhgënjimin që Lehi provoi me dy djemtë e tij më të mëdhenj. Kur përballemi me një fëmijë të lëkundur, një kërkues të paangazhuar apo një plak të ardhshëm joreagues, zemrat tona fryhen siç i ndodhi Lehit dhe ne pyesim: “Si mund t’i ndihmoj ata të ndiejnë dhe të dëgjojnë Shpirtin, në mënyrë që të mos marrin pjesë në hutimet e botës?” Dy shkrime të shenjta janë ngulitur në mendjen time, që mund të na ndihmojnë të gjejmë udhën tonë përmes këtyre hutimeve dhe të ndiejmë fuqinë e dashurisë së Perëndisë.

Nefi na jep çelësin për portën e të mësuarit përmes përvojës së tij personale: “Unë, Nefi, … duke pasur dëshira të mëdha për të ditur misteret e Perëndisë, prandaj i thirra Zotit dhe vini re, ai më vizitoi dhe ma zbuti zemrën, saqë unë besova të gjitha fjalët që ishin thënë nga ati im; prandaj unë nuk ngrita krye kundër tij, si vëllezërit e mi” (1 Nefi 2:16).

Zgjimi i dëshirës për të mësuar rreth diçkaje na jep aftësinë shpirtërore për të dëgjuar zërin e qiellit. Gjetja e mënyrës për të zgjuar e ushqyer atë dëshirë është kërkesa dhe përgjegjësia e secilit prej nesh – misionar, prind, mësues, udhëheqës dhe anëtar. Ndërkohë që ndiejmë atë dëshirë duke u formuar në zemrat tona, ne përgatitemi që të përfitojmë nga mësimi i shkrimit të dytë të shenjtë që dëshiroj të përmend.

Në qeshor të vitit 1831, ndërsa po drejtoheshin thirrjet te udhëheqësit e hershëm të Kishës, Jozefit iu tha se “Satani është përhapur në tokë dhe ai shkon duke i mashtruar kombet”. Për të luftuar këtë ndikim hutues, Zoti tha se do të na japë “një model në gjithçka, që [ne] të mos mashtrohe[mi]” (DeB 52:14).

Modelet janë shembuj, drejtues, hapa të përsëritur ose shtigje që dikush ndjek për të qëndruar i rreshtuar me qëllimin e Perëndisë. Nëse këto modele ndiqen, do të na mbajnë të përulur, të zgjuar dhe të aftë të dallojmë zërin e Shpirtit të Shenjtë nga ato zëra që na hutojnë dhe na largojnë. Më pas, Zoti na udhëzon: “Ai që dridhet nën fuqinë time, do të forcohet dhe do të sjellë fryte lavdërimi e urtësie, në përputhje me zbulesat dhe të vërtetat që ju kam dhënë” (DeB 52:17).

Bekimi i lutjes së përulur, të ofruar me qëllim të vërtetë, e lejon Shpirtin e Shenjtë t’i prekë zemrat tona dhe na ndihmon të kujtojmë atë që dinim para se të lindeshim në këtë përvojë të vdekshme. Kur e kuptojmë më qartë planin e Atit tonë Qiellor për ne, ne fillojmë të pranojmë përgjegjësinë tonë për t’i ndihmuar të tjerët të mësojnë e të kuptojnë planin e Tij. E lidhur ngushtë me të ndihmuarin e të tjerëve të kujtojnë është mënyra se si e jetojmë ungjillin dhe e zbatojmë atë në jetën tonë vetjake. Kur e jetojmë vërtet ungjillin sipas modelit të dhënë mësim nga Zoti Jezu Krisht, aftësia jonë për t’i ndihmuar të tjerët rritet. Përvoja në vijim është një shembull i mënyrës se si mund të funksionojë ky parim.

Dy misionarë të rinj trokitën në një derë me shpresën që të gjenin dikë për të pranuar mesazhin e tyre. Dera u hap dhe një burrë trupmadh i përshëndeti ata me një zë antipatik: “Mendova se ju thashë të mos trokisni më në derën time. Ju paralajmërova më parë se, nëse do të vinit përsëri, kjo nuk do të ishte një përvojë e këndshme. Tani më lini të qetë.” Ai me ngut mbylli derën.

Kur misionarët u larguan, misionari më i vjetër e më me përvojë vendosi dorën mbi shpatullën e misionarit më të ri për ta ngushëlluar dhe për t’i dhënë zemër. Pa u vënë re nga ata, burri i pa nga dritarja për t’u siguruar se ata e kishin kuptuar mesazhin e tij. Ai priste që t’i shihte ata tërësisht të qeshur dhe të bënin shaka me përgjigjen e tij të shkurtër e të pasjellshme për vizitën e tyre në tentativë. Megjithatë, ndërsa ai pa shprehjen e mirësisë midis dy misionarëve, zemra e tij u zbut në çast. Ai e hapi sërish derën dhe u kërkoi misionarëve të ktheheshin e të ndanin mesazhin e tyre me të.

Kur i dorëzohemi vullnetit të Perëndisë dhe jetojmë modelin e Tij, ndodh që Shpirti i Tij ndihet. Shpëtimtari dha mësim: “Prej kësaj do t’ju njohin të gjithë që jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin” (Gjoni 13:35). Ky parim i të pasurit të dashurisë për njëri-tjetrin dhe zhvillimit të aftësisë sonë për të qenë me përqendrimin te Krishti në mënyrën si mendojmë, flasim dhe veprojmë, është thelbësor për t’u bërë dishepuj të Krishtit dhe mësues të ungjillit të Tij.

Zgjimi i kësaj dëshire na përgatit të kërkojmë modelet e premtuara. Kërkimi i modeleve na drejton te doktrina e Krishtit sikurse është dhënë mësim nga Shpëtimtari dhe udhëheqësit e Tij profetë. Një model i kësaj doktrine është të durojmë deri në fund: “Dhe të bekuar janë ata që do të përpiqen të sjellin në dritë Sionin tim në atë ditë, pasi ata do të kenë dhuratën dhe fuqinë e Frymës së Shenjtë; dhe në qoftë se durojnë deri në fund, ata do të ngrihen lart në ditën e fundit dhe do të shpëtohen në mbretërinë e përjetshme të Qengjit” (1 Nefi 13:37).

Cila është mënyra përfundimtare nëpërmjet së cilës mund të gëzojmë dhuratën dhe fuqinë e Frymës së Shenjtë? Ajo është fuqia që vjen nga të qenit dishepuj besnikë të Jezu Krishtit. Ajo është dashuria jonë për Të dhe bashkëqeniet tona. Është Shpëtimtari që përcaktoi modelin e dashurisë kur na dha mësim se: “Po ju jap një urdhërim të ri: ta doni njëri-tjetrin; sikurse unë ju kam dashur, ashtu edhe ju ta doni njëri-tjetrin” (Gjoni 13:34).

Presidenti Gordon B. Hinkli pohoi këtë parim kur tha: “Të duash Zotin nuk është thjesht këshillë; nuk është thjesht dashamirëse. Është një urdhërim. … Dashuria e Perëndisë është rrënja e të gjithë virtytit, e të gjithë mirësisë, e të gjithë forcës së karakterit, e të gjithë besnikërisë për të vepruar drejt” (“Words of the Living Prophet”, Liahona, dhjetor 1996, f. 8).

Plani i Atit përcaktoi modelin e organizimit të familjes për të na ndihmuar të mësojmë, zbatojmë dhe kuptojmë fuqinë e dashurisë. Ditën që u krijua familja ime, unë dhe Ana ime e ëmbël shkuam në tempull dhe hymë në besëlidhjen e martesës. Sa shumë mendova se e doja atë atë ditë, por vetëm sa kisha filluar të shihja vizionin e dashurisë. Kur na u bashkuan fëmijët dhe nipërit e mbesat në jetën tonë, dashuria jona u zgjerua për ta dashur secilin prej tyre njëlloj dhe plotësisht. Duket sikur nuk ka mbarim aftësia në rritje për të dashur.

Ndjenja e dashurisë nga Ati ynë Qiellor është si tërheqja e forcës së gravitetit nga qielli. Ndërsa largojmë hutimet që na tërheqin drejt botës dhe ushtrojmë lirinë tonë të zgjedhjes për ta kërkuar Atë, ne hapim zemrat tona drejt një force çelestiale, që na afron drejt Atij. Nefi e përshkroi ndikimin e tij si “deri në tretjen e mishit [të tij]” (2 Nefi 4:21). Po e njëjta fuqi dashurie bëri që Alma të këndonte “këngën e dashurisë shëlbuese” (Alma 5:26; shih edhe vargun 9). Ajo e emocionoi Mormonin në një mënyrë të tillë që ai na këshilloi të “lut[emi] … me të gjithë fuqinë e zemrës [sonë]”, që të mund të mbushemi me dashurinë e Tij (Moroni 7:48).

Si shkrimi i shenjtë modern edhe ai i lashtë janë plot me kujtesa për dashurinë e përjetshme të Atit Qiellor për fëmijët e Tij. Kam besim se krahët e Atit tonë Qiellor shtrihen vazhdimisht, çdo herë të gatshëm për të përqafuar secilin prej nesh dhe për t’i thënë çdonjërit me atë zë të qetë e depërtues: “Të dua”.

Për shkak të modelit të përcaktuar qiellor të familjes, ne e kuptojmë më plotësisht mënyrën se si Ati ynë Qiellor me të vërtetë e do secilin prej nesh në mënyrë të barabartë dhe plotësisht. Unë dëshmoj se kjo është e vërtetë. Perëndia vërtet na njeh dhe na do. Ai na ka dhënë një vizion të vendit të Tij të shenjtë dhe ka thirrur profetë e apostuj që të japin mësim parimet dhe modelet që do të na çojnë tek Ai. Ndërsa orvatemi të zgjojmë dëshirën për të ditur për veten dhe për të tjerët dhe ndërsa jetojmë modelet që zbulojmë, ne do të afrohemi drejt Tij. Unë dëshmoj se Jezusi është vërtet Biri i Perëndisë, Shembulli ynë, Shëlbuesi ynë i dashur, që unë e shpreh në emrin e Jezu Krishtit, amen.