2010–2019
Të Gatshëm dhe të Denjë për të Shërbyer
Prill 2012


Të Gatshëm dhe të Denjë për të Shërbyer

Mrekullitë gjenden gjithkund kur priftëria kuptohet, kur fuqia e saj nderohet e përdoret siç duhet dhe besimi shfaqet.

Vëllezër të mi të dashur, sa mirë është që takohem me ju edhe një herë. Kurdoherë që jam i pranishëm në mbledhjen e përgjithshme të priftërisë, meditoj rreth mësimeve të disa prej udhëheqësve më fisnikë të Perëndisë që kanë folur në mbledhjet e përgjithshme të priftërisë së Kishës. Shumë kanë ndërruar jetë dhe prapëseprapë na kanë dhënë drejtim të frymëzuar nga mendjet e tyre të ndritshme, nga thellësitë e shpirtrave të tyre dhe nga ngrohtësia e zemrave të tyre. Sonte, do të ndaj me ju disa prej mësimeve lidhur me priftërinë.

Nga Profeti Jozef Smith: “Priftëria është një parim i përjetshëm dhe ekzistonte me Perëndinë që nga përjetësia, dhe do të ekzistojë në përjetësi, pa fillim të ditëve ose fund të viteve”1.

Nga fjalët e Presidentit Uillford Udraf mësojmë: “Priftëria e Shenjtë është udha përmes së cilës Perëndia komunikon dhe merret me njeriun në tokë; dhe lajmëtarët qiellorë që kanë vizituar tokën për të komunikuar me njeriun, janë njerëz që e kishin dhe e nderuan priftërinë ndërsa qenë në mish; dhe gjithçka që Perëndia ka bërë të ndodhë për shpëtimin e njeriut, që nga ardhja e njeriut mbi tokë deri në shëlbimin e botës, ka qenë dhe do të jetë përmes virtytit të priftërisë së përjetshme”2.

Presidenti Jozef F. Smith ka shpjeguar më tej: “Priftëria … është … fuqia e Perëndisë dhënë njeriut përmes së cilës njeriu mund të veprojë në tokë për shpëtimin e familjes njerëzore, në emrin e Atit dhe të Birit dhe të Frymës së Shenjtë, dhe të veprojë arsyeshëm; duke mos supozuar se e ka atë autoritet, duke mos e marrë hua nga brezat që kanë ndërruar jetë dhe kanë ikur, por autoritet që i është dhënë në këtë kohë në të cilën ne jetojmë përmes shërbesës së engjëjve dhe shpirtrave nga lart, drejtpërdrejt nga prania e Perëndisë së Plotfuqishëm3.

Dhe përfundimisht nga Presidenti Xhon Tejlor: “Çfarë është priftëria? … Ajo është qeverisja e Perëndisë, qoftë në tokë ose në qiej, pasi është nëpërmjet asaj fuqie, lirie zgjedhjeje apo atij parimi që të gjitha gjërat qeverisen në tokë dhe në qiej, dhe me anë të asaj fuqie të gjitha gjërat përkrahen dhe mbahen. Ajo i qeveris të gjitha gjërat – ajo i drejton të gjitha gjërat – ajo i mbështet të gjitha gjërat – dhe ka të bëjë me të gjitha gjërat me të cilat lidhet Perëndia dhe e vërteta.”4

Jemi shumë të bekuar që jemi këtu në këto ditë të fundit, kur priftëria e Perëndisë është në tokë. Jemi shumë të privilegjuar që e mbajmë këtë priftëri. Priftëria është më shumë porosi për të shërbyer sesa dhuratë, privilegj për të ngritur shpirtërisht dhe mundësi për të bekuar jetën e të tjerëve.

Nga këto mundësi vijnë përgjegjësitë dhe detyrat. Më pëlqen dhe e dua fort fjalën fisnike detyrë dhe gjithçka që ajo të lë të kuptosh.

Në një detyrë apo në një tjetër, në një mjedis apo në një tjetër, kam qenë i pranishëm në mbledhjet e priftërisë për 72 vitet e fundit – që kur u shugurova dhjak në moshën 12 vjeçare. Koha me siguri ecën. Detyra jonë rritet me të njëjtën masë që ecën koha. Detyra nuk zbehet as nuk zvogëlohet. Konflikte shkatërrimtare vijnë e shkojnë, por lufta që zhvillohet për shpirtrat e njerëzve vazhdon pambarim. Si një thirrje e mprehtë vjen fjala e Zotit për ju, për mua dhe për mbajtësit e priftërisë kudo: “Si rrjedhim, tani çdo njeri duhet ta mësojë detyrën e tij dhe të veprojë në thirrjen që është caktuar, gjithë zell”5.

Thirrja e detyrës i erdhi Adamit, Noeut, Abrahamit, Moisiut, Samuelit, Davidit. Ajo i erdhi Profetit Jozef Smith dhe secilit prej pasuesve të tij. Thirrja e detyrës i erdhi djaloshit Nefi kur u udhëzua nga Zoti, përmes të atit, Lehit, për t’u kthyer në Jerusalem me vëllezërit e tij që t’i merrte fletët prej tunxhi Labanit. Vëllezërit e Nefit mërmëritën, duke thënë se ishte një gjë e vështirë ajo që u ishte kërkuar atyre. Cila ishte përgjigjja e Nefit? Ai tha: “Unë do të shkoj dhe do të bëj gjërat që Zoti ka urdhëruar, pasi e di se Zoti nuk u jep urdhërime fëmijëve të njerëzve pa përgatitur një udhë për ta, që ata të mund të plotësojnë gjënë, që ai i urdhëron”6.

Kur e njëjta thirrje vjen tek unë dhe tek ju, cila do të ishte përgjigjja jonë? A do të mërmërisim, sikurse veproi Lamani dhe Lemueli dhe të themi: “Kjo është një gjë e vështirë që na kërkohet”7? Apo, me Nefin, do të shpallnim individualisht: “Unë do të shkoj. Unë do të bëj.” A do të jemi të gatshëm të shërbejmë dhe të bindemi?

Ndonjëherë urtësia e Perëndisë shfaqet si të jetë e marrë ose thjesht shumë e vështirë, por një nga mësimet më të mrekullueshme dhe më të vlefshme që mund të mësojmë në vdekshmëri është se, kur Perëndia flet dhe njeriu bindet, ai njeri do të ketë gjithmonë të drejtë.

Kur mendoj për fjalën detyrë dhe se si përmbushja e detyrës mund të pasurojë jetën tonë dhe jetën e të tjerëve, unë rikujtoj fjalët e shkruara nga një poet dhe krijues i famshëm:

Fjeta dhe ëndërrova

Se jeta qe gëzim;

U zgjova dhe pashë

Se jeta qe detyrë

Veprova dhe vura re se

Detyra ishte gëzim.8

Robert Luis Stivensoni e shprehu në një mënyrë tjetër. Ai tha: “E di se çfarë është kënaqësia, pasi kam bërë punë të mirë”9.

Ndërkohë që përmbushim detyrat tona dhe ushtrojmë priftërinë tonë, do të gjejmë gëzim të vërtetë. Ne do të përjetojmë kënaqësinë e të përmbushurit të detyrave tona.

Neve na janë mësuar detyra të posaçme për priftërinë që mbajmë, qoftë nëse mbajmë Priftërinë Aarone apo Priftërinë Melkizedeke. Unë ju nxis të mendoni për këto detyra dhe më pas të bëni gjithçka brenda fuqisë suaj për t’i realizuar ato. Për ta bërë këtë, secili prej nesh duhet të jetë i denjë. Le të kemi duar të shkathëta, duar të pastra dhe duar të gatshme, që të mund të marrim pjesë në sigurimin e asaj që Ati ynë Qiellor do të donte që të tjerët të merrnin prej Tij. Nëse nuk jemi të denjë, ka mundësi të humbasim fuqinë e priftërisë dhe; nëse e humbasim atë, do të humbasim atë që është e nevojshme për ekzaltimin tonë. Le të jemi të denjë për të shërbyer.

Presidenti Harold B. Li, një nga mësuesit e mrekullueshëm në Kishë, tha: “Kur dikush bëhet mbajtës i priftërisë, ai bëhet vetëveprues para Zotit. Ai duhet ta konsiderojë thirrjen e tij sikur të ishte në punën e Zotit.”10

Gjatë Luftës II Botërore, në pjesën e parë të vitit 1944, një përvojë që përfshiu priftërinë, ndodhi ndërsa flota e Shteteve të Bashkuara po sulmonte për të pushtuar dhe zotëruar Kvajalein Atollin, pjesë e ishujve Marshall dhe që lokalizohej në Oqeanin Paqësor, diku në mes të rrugës mes Australisë dhe Havait. Ajo që ndodhi në këtë histori, u tregua nga një korrespondent – jo anëtar i Kishës – që punonte për një gazetë në Havai. Në artikullin e gazetës së vitit 1944 që shkroi pas përvojës, ai shpjegoi se ai dhe korrespondentë të tjerë ishin pjesë e grupit të dytë që ndiqte flotën në Kvajalein Atoll. Ndërsa bënë përpara, vunë re një marinar të ri duke qëndruar pezull me fytyrë poshtë në ujë, qartësisht i plagosur rëndë. Uji i cekët përreth tij ishte bërë i kuq nga gjaku. Dhe më pas, vunë re një marinar tjetër që po shkonte në drejtim të shokut të tij të plagosur. Marinari i dytë ishte gjithashtu i plagosur, me krahun e majtë që i varej pafuqishëm në anë. Ai ngriti lart kokën e atij që po qëndronte pezull në ujë në mënyrë që ta ruante nga mbytja. Me një zë të tmerruar bëri thirrje për ndihmë. Korrespondentët e panë përsëri djalin që po mbante dhe i thanë: “Bir, askush nuk mund të bëjë asgjë për këtë djalë”.

“Më pas”, shkroi korrespondenti, “unë pashë diçka që nuk e kisha parë kurrë më parë.” Ky djalë, i plagosur vetë keqas, shkoi te bregu me trupin në dukje të pajetë të shokut të vet marinar. Ai “e vuri kokën e shokut të tij mbi gju. … Çfarë pamje e habitshme që qe – këta dy djem të plagosur për vdekje – të dy … të rinj të dëlirë, të pashëm, edhe në situatën e tyre të vështirë. Dhe njëri djalë përkuli kokën e tij pranë tjetrit dhe tha: ‘Unë të urdhëroj ty, në emrin e Jezu Krishtit dhe nëpërmjet fuqisë së priftërisë, të qëndrosh i gjallë derisa të marr ndihmë mjekësore’.” Korrespondenti e përfundoi artikullin e tij: “Të tre ne, [të dy marinarët dhe unë], jemi këtu në spital. Doktorët nuk e dinë [se si ata mbërritën të gjallë], por unë e di.”11

Mrekullitë gjenden gjithkund kur priftëria kuptohet, kur fuqia e saj nderohet e përdoret siç duhet dhe besimi shfaqet. Kur besimi zëvendëson dyshimin, kur shërbimi vetëmohues zhduk përpjekjen egoiste, fuqia e Perëndisë i përmbush qëllimet e Tij.

Thirrja e detyrës mund të vijë qetësisht, ndërsa ne që mbajmë priftërinë u përgjigjemi punëve që na jepen. Presidenti Xhorxh Albert Smith, ai udhëheqës modest por efikas deklaroi: “Së pari është detyra juaj të mësoni atë që dëshiron Zoti dhe pastaj, me anë të fuqisë dhe forcës së Priftërisë së Tij të shenjtë, ta lartësoni [në mënyrë të tillë] thirrjen tuaj në prani të shokëve tuaj … që njerëzit të jenë të gëzuar t’ju ndjekin ju”12.

Një thirrje e tillë e detyrës – një thirrje shumë më pak dramatike, por që megjithatë ndihmoi për të shpëtuar një shpirt – më erdhi në vitin 1950 kur isha peshkop i sapothirrur. Përgjegjësitë e mia si peshkop qenë të shumta e të ndryshme dhe unë u përpoqa me të gjitha aftësitë e mia që të bëja gjithçka që më kërkohej. Në atë kohë, Shtetet e Bashkuara qenë të përfshira në një tjetër luftë. Për shkak se shumë nga anëtarët tanë po shërbenin në shërbimet ushtarake, një detyrë erdhi nga selia e Kishës për të gjithë peshkopët, që t’i siguronin çdo ushtaraku një abonim në Church News dhe Improvement Era, në atë kohë gazeta të Kishës. Veç kësaj, secilit peshkop iu kërkua të shkruante një letër personale mujore për secilin ushtarak nga lagjja e tij. Lagjja jonë kishte 23 burra që po shërbenin në ushtri. Kuorumet e priftërisë, me përpjekje, siguruan fonde për abonimet në botime. E pranova punën, madje detyrën, për të shkruar 23 letra personale çdo muaj. Pas gjithë atyre viteve, ende i kam kopjet e shumë prej letrave dhe përgjigjeve të marra. Kur i rilexoj këto letra, është e lehtë që të më dalin lot. Është gëzim të mësosh sërish për premtimin e një ushtari për të jetuar ungjillin, vendimin e një marinari për të qëndruar besnik bashkë me familjen e vet.

Një mbrëmje, ia dorëzova një motre në lagje grumbullin me 23 letra për muajin e fundit. Detyra e saj ishte të merrej me postimin dhe të mirëmbante listën e adresave që ndryshonte vazhdimisht. Ajo i hodhi një shikim një zarfi dhe, me buzëqeshje, pyeti: “Peshkop, a nuk shkurajoheni ndonjëherë? Ja dhe një letër tjetër për Vëllain Brisën. Kjo është letra e 17–të që i keni dërguar pa një përgjigje.”

Unë iu përgjigja: “Epo, ndoshta ky do të jetë muaji që do të më shkruajë”. Siç rezultoi, ai ishte muaji. Për herë të parë, ai iu përgjigj letrës sime. Përgjigjja e tij është një kujtim i dashur, një thesar. Ai po shërbente tepër larg, në një vend të thellë, të izoluar, i përmallur për shtëpinë, i vetëm. Ai shkroi: “I dashur Peshkop, unë nuk jam i mirë në të shkruar”. (Mund t’ia kisha thënë këtë shumë muaj më parë.) Letra e tij vijoi: “Faleminderit për Church News dhe gazetat, por mbi të gjitha faleminderit për letrat personale. Kam hapur një faqe të re në jetën time. Jam shuguruar prift në Priftërinë Aarone. Zemra ime është plot me emocione. Jam një njeri i lumtur.”

Vëllai Brisën nuk ishte më i lumtur sesa ishte peshkopi i tij. Kam mësuar si ta zbatoj në jetën time fjalën e urtë: “Bë[ni] detyrën [tuaj]; kjo është më e mira; lërja Zotit të tjerat”13.

Vite më vonë, ndërsa isha i pranishëm në Kunjin e Kotonudit të Solt-Lejkut, kur Xhejms E. Faust shërbente si president i tij, e rrëfeva këtë histori në përpjekje për t’i nxitur njerëzit t’u kushtonin më tepër vëmendje ushtarakëve tanë. Pas mbledhjes, një i ri i pashëm doli përpara. Ma kapi dorën dhe tha: “Peshkop Monson, a më mban mend?”

Befas e kuptova se kush ishte. “Vëllai Brisën!” Thirra. “Si jeni? Çfarë po bëni në Kishë?”

Me ngrohtësi e krenari të dukshme, ai u përgjigj: “Jam mirë. Shërbej në presidencën e kuorumit të pleqve. Faleminderit sërish për interesimin tuaj për mua dhe letrat personale që më dërguat dhe që i çmoj.”

Vëllezër, bota është në nevojë për ndihmën tonë. A po bëjmë gjithçka që duhet? A i mbajmë mend fjalët e Presidentit Xhon Tejlor: “Nëse nuk i lartësoni thirrjet tuaja, Perëndia do t’ju mbajë përgjegjës për ata të cilët ju mund t’i kishit shpëtuar, nëse do të kishit bërë detyrën tuaj”14. Ka këmbë që ne mund t’i bëjmë të qëndrueshme, duar që mund t’i shtrëngojmë, mendje që mund t’i nxisim, zemra që mund t’i frymëzojmë dhe shpirtra që mund t’i shpëtojmë. Bekimet e përjetësisë ju presin juve. I juaji është privilegji për të mos qenë spektatorë, por pjesëmarrës në skenën e shërbimit të priftërisë. Le t’ia vëmë veshin kujtuesit frymëzues që gjendet te letra e Jakobit: “Bëhuni bërës të fjalës dhe jo vetëm dëgjues, që gënjejnë vetveten”15.

Le ta mësojmë dhe kuptojmë detyrën tonë. Le të jemi të gatshëm dhe të denjë për të shërbyer. Le të ndjekim hapat e Mësuesit në përmbushjen e detyrës sonë. Ndërsa unë dhe ju ecim në shtegun ku eci Jezusi, do të zbulojmë se Ai është më shumë se foshnja në Bethlehem, më shumë se i biri i marangozit, më shumë se mësuesi më i madh që ka jetuar ndonjëherë. Ne do të arrijmë ta njohim Atë si Birin e Perëndisë, Shpëtimtarin tonë dhe Shëlbuesin tonë. Kur thirrja e detyrës i erdhi Atij, Ai u përgjigj: “Atë, vullneti yt u bëftë dhe lavdia qoftë e jotja përgjithmonë”16. Secili prej nesh veproftë kështu, unë lutem në emrin e Tij të shenjtë, në emrin e Jezu Krishtit, Zotit, amen.

Shënime

  1. Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2009), f. 108.

  2. Teachings of Presidents of the Church: Wilford Woodruff (2004), f. 38.

  3. Joseph F. Smith, Gospel Doctrine, bot. i 5–të (1939), f. 139–140; theksimi i shtuar.

  4. Teachings of Presidents of the Church: John Taylor (2001), f. 119.

  5. Doktrina e Besëlidhje 107:99; theksimi i shtuar.

  6. 1 Nefi 3:7; shih edhe vargjet 1–5.

  7. Shih 1 Nefi 3:5.

  8. Rabindranath Tagore, në William Jay Jacobs, Mother Teresa: Helping the Poor (1991), f. 42.

  9. Robert Louis Stevenson, në Elbert Hubbard II, përmbl., The Note Book of Elbert Hubbard: Mottoes, Epigrams, Short Essays, Passages, Orphic Sayings and Preachments (1927), f. 55.

  10. Stand Ye in Holy Places: Selected Sermons and Writings of President Harold B. Lee (1976), f. 255.

  11. Në Ernest Eberhard Jr., “Giving Our Young Men the Proper Priesthood Perspective”, dorëshkrim, 19 korrik 1971, f. 4–5, Church History Library.

  12. George Albert Smith, në Conference Report, prill 1942, f. 14.

  13. Henry Wadsworth Longfellow, “The Legend Beautiful”, në The Complete Poetical Works of Longfellow (1893), f. 258.

  14. Teachings: John Taylor, f. 164.

  15. Jakobit [Bibla] 1:22.

  16. Moisiu 4:2.