Përfshihuni me Zell

Nga Plaku M. Rasëll Ballard,

i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve


M. Rasëll Ballard
Gjëra të mëdha ndodhin dhe barrat lehtësohen nga përpjekjet e shumë duarve “të përfshi[ra] me zell në një kauzë të mirë”.

Plaku Peri, mendoj se duhet të jesh 90-vjeçari më i ri në të gjithë Kishën. E vutë re se si kërceu nga karrigia e tij.

Vëllezërit e motrat e mia të dashura, sa herë shijoj një domate të freskët e të pjekur mirë ose ha një pjeshkë të lëngshme të sapokëputur nga pema, mendja më shkon para 60 vjetësh kur babai im kishte në pronësi një pemëtore të vogël pjeshkësh në Hollëdei të Jutas. Atje ai mbante koshere që të pjalmonin lulet e pjeshkëve të cilat, si përfundim, do të bëheshin pjeshkë shumë të mëdha e të shijshme.

Babai i pëlqente bletët e tij të dashura dhe mrekullohej me mënyrën se si mijëra prej tyre, duke punuar së bashku, e shndërronin nektarin e mbledhur nga lulet e tij të pjeshkës në mjaltë të ëmbël e të artë – një prej ushqimeve më të dobishme të natyrës. Në fakt, dietologët na thonë se është një nga ushqimet që i përfshin të gjitha substancat – enzimat, vitaminat, mineralet dhe ujin – të nevojshme për të siguruar jetën.

Babai im gjithmonë përpiqej të më përfshinte në punën e vet me kosheret e tij, por isha shumë i lumtur ta lija atë që të kujdesej për bletët e tij. Gjithsesi, që prej atyre ditëve, kam mësuar më shumë rreth kosheres së organizuar mjaft mirë – një koloni prej 60.000 bletësh.

Bletët kanë nxitjen e fortë që të pjalmojnë, të mbledhin nektar e ta kondensojnë nektarin në mjaltë. Është zakoni i tyre i mahnitshëm i shkruar në strukturën e tyre gjenetike nga Krijuesi ynë. Është përllogaritur se për të prodhuar vetëm këtë një funt (0.45 kg) mjaltë, një zgjua mesatare prej 20.000 deri 60.000 bletësh duhet bashkërisht të vizitojnë miliona lule dhe të përshkojnë një largësi të barabartë me të udhëtuarin dy herë rreth botës. Gjatë jetës së saj të shkurtër prej vetëm disa javësh deri katër muajsh, ndihmesa e një blete të vetme në mjaltin e prodhuar për zgjoin e saj, është vetëm sa një e dymbëdhjeta e lugës së çajit.

Megjithëse në dukje e parëndësishme krahasuar me sasinë totale, një e dymbëdhjeta lugë-çaji mjaltë e secilës bletë është thelbësore për jetën e zgjoit. Bletët mbështeten te njëra-tjetra. Puna që do të ishte dërrmuese për t’u bërë nga pak bletë, bëhet më e lehtë për shkak se të gjitha bletët bëjnë pjesën e tyre të punës me besnikëri.

Kosherja gjithmonë ka qenë simbol i rëndësishëm në historinë e Kishës sonë. Ne mësojmë në Librin e Mormonit se jareditët morën bletë me vete (shih Ethëri 2:3) kur udhëtuan për në kontinentin amerikan mijëra vjet më parë. Brigam Jangu e zgjodhi kosheren si simbol për të nxitur e frymëzuar energjinë bashkëpunuese, të nevojshme mes pionierëve për ta shndërruar djerrishtën e shkretë e joprodhimtare që rrethonte Liqenin e Madh të Kripur në luginat pjellore që kemi sot. Ne jemi përfituesit e vizionit të tyre të përbashkët dhe punës së tyre të zellshme të përbashkët.

Simboli i kosheres gjendet në pjesët e brendshme dhe të jashtme të shumë prej tempujve tanë. Ky podium ku po qëndroj, është bërë nga druri i një peme arre të rritur në oborrin pas shtëpisë së Presidentit Gordon B. Hinkli dhe është stolisur me figura të gdhendura bletësh.

I gjithë ky simbolizëm dëshmon një fakt: gjëra të mëdha ndodhin dhe barrat lehtësohen nga përpjekjet e shumë duarve “të përfshi[ra] me zell në një kauzë të mirë” (DeB 58:27). Përfytyroni se çfarë mund të arrijnë miliona shenjtorët e ditëve të mëvonshme në botë nëse do të funksiononim si kosherja në zotimin tonë të fokusuar e të përqendruar te mësimet e Zotit Jezu Krisht.

Shpëtimtari dha mësim se urdhërimi i parë dhe i madhi është:

“Duaje Zotin, Perëndinë tënde me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe më gjithë mendjen tënde. …

Dhe i dyti, i ngjashëm me këtë, është: ‘Duaje të afërmin tënd porsi vetveten’.

Nga këto dy urdhërime varet i tërë ligji dhe profetët” (Mateu 22:37, 39–40).

Fjalët e Shpëtimtarit janë të thjeshta, sidoqoftë kuptimi i tyre është i thellë dhe mjaft domethënës. Ne duhet ta duam Perëndinë dhe t’i duam e të kujdesemi për fqinjët tanë si për veten. Përfytyroni se sa të mira mund të bëjmë në botë nëse lidhemi të gjithë së bashku, të bashkuar si pasues të Krishtit, duke iu përgjigjur me zell e vrull nevojave të të tjerëve dhe duke u shërbyer njerëzve rreth nesh – familjeve tona, miqve tanë, fqinjëve tanë, bashkëqytetarëve tanë.

Siç vë në dukje Letra e Jakobit, shërbimi është vetë përkufizimi i fesë së pastër (shih Jakobit [Bibël] 1:27).

Ne lexojmë për shërbimin që japin anëtarët e Kishës nëpër botë dhe veçanërisht shërbimin humanitar të dhënë në kohë krize – zjarri e përmbytjeje dhe tufani e uragani. Këto përgjigje mjaft të nevojshme e mjaft të vlerësuara ndaj urgjencave, sigurisht që duhet të vazhdojnë si një mënyrë e mbajtjes së barrave të njëri-tjetrit. Po në lidhje me jetën tonë të përditshme? Cili do të qe ndikimi i përbashkët i miliona veprimeve të vogla e të dhembshura të kryera çdo ditë nga ne për shkak të dashurisë sonë të çiltër të krishterë për të tjerët? Me kohë kjo do të kishte një ndikim shndërrues mbi të gjithë fëmijët e Atit tonë Qiellor përmes përcjelljes së dashurisë së Tij për ta nëpërmjet nesh. Bota jonë e trazuar ka nevojë për këtë dashuri të Krishtit sot më shumë se asnjëherë dhe do t’i duhet edhe më shumë në vitet e ardhshme.

Këto veprime të thjeshta e të përditshme shërbimi mund të mos duken si diçka e madhe të marra veç e veç, por kur merren parasysh në mënyrë kolektive, ato janë njësoj si një e dymbëdhjeta lugë-çaji mjaltë dhënë zgjoit nga një bletë e vetme. Ka fuqi në dashurinë tonë për Perëndinë dhe për fëmijët e Tij dhe, kur kjo dashuri shfaqet dukshëm në miliona veprimet e mirësisë së krishterë, ajo do ta ëmbëlsojë e ushqejë botën me nektarin jetëdhënës të besimit, shpresës dhe dashurisë hyjnore.

Çfarë na duhet të bëjmë që të jemi më shumë si bletët e përkushtuara dhe ta bëjmë atë përkushtim pjesë të karakterit tonë? Shumë prej nesh janë të përgjegjshëm në frekuentimin e mbledhjeve tona të Kishës. Ne punojmë fort në thirrjet tona, veçanërisht të dielave. Sigurisht kjo është për t’u lavdëruar. Por a janë mendja e zemra jonë të përfshira me po aq zell në veprime të mira gjatë pjesës tjetër të javës? A mos vetëm i bëjmë mekanikisht detyrat tona apo jemi me të vërtetë të kthyer në besim tek ungjilli i Jezu Krishtit? Si e marrim farën e besimit që është ushqyer në mendjen tonë dhe e mbjellin thellë në tokën pjellore të shpirtit tonë? Si e arrijmë ndryshimin e madh të zemrës që Alma thotë se është thelbësor për lumturinë dhe paqen tonë të përjetshme? (Shih Alma 5:12–21.)

Kujtoni, mjalti përmban të gjitha substancat e nevojshme për të siguruar jetën e vdekshme. Dhe doktrina dhe ungjilli i Krishtit janë e vetmja rrugë për të arritur jetën e përjetshme. Vetëm kur dëshmia jonë ta kapërcejë atë që ndodh në mendjen tonë dhe të bëjë strofull thellë në zemrën tonë, atëherë motivimi ynë për të dashur e për të shërbyer do të bëhet si i Shpëtimtarit. Atëherë dhe vetëm atëherë, ne do të bëhemi dishepuj të Krishtit thellësisht të kthyer në besim, të forcuar nga Shpirti për të ndikuar te zemrat e bashkënjerëzve tanë.

Kur zemra jonë të mos vihet më mbi gjërat e kësaj bote, ne nuk do të aspirojmë më për nderet e njerëzve, as do të kërkojmë që vetëm të kënaqim krenarinë tonë (shih DeB 121:35–37). Përkundrazi, ne fitojmë cilësitë si të Krishtit që Jezusi i dha mësim:

  1. Ne jemi të mirësjellshëm dhe zemërbutë e të duruar (shih DeB 121:41).
  2. Ne jemi të mirë, pa hipokrizi apo mashtrim (shih DeB 121:42).
  3. Ne ndiejmë dashuri hyjnore ndaj të gjithë njerëzve (shih DeB 121:45).
  4. Mendimet tona janë përherë të virtytshme (shih DeB 121:45).
  5. Ne nuk dëshirojmë më të bëjmë keq (shih Mosia 5:2).
  6. Fryma e Shenjtë është shoqëruesi ynë i përhershëm, dhe doktrinat e priftërisë pikojnë mbi shpirtin tonë sikurse vesat nga qiejt (shih DeB 121:45–46).

Tani, vëllezër e motra, nuk po nxis zell të tepruar apo fanatizëm fetar. Kurrsesi! Thjesht po këshilloj që ne të hedhim hapin tjetër logjik në kthimin tonë të plotë në besim te ungjilli i Krishtit duke i përvetësuar doktrinat e tij thellë brenda zemrës dhe shpirtit tonë në mënyrë që të veprojmë e jetojmë – me integritet moral dhe – në përputhje me atë që themi se besojmë.

Ky integritet moral e thjeshton jetën tonë dhe i rrit ndjeshmëritë tona ndaj Shpirtit dhe nevojave të të tjerëve. I sjell gëzim jetës sonë dhe paqe shpirtit tonë – atë lloj gëzimi e paqeje që na vjen kur pendohemi për mëkatet tona dhe ndjekim Shpëtimtarin duke mbajtur urdhërimet e Tij.

Si e bëjmë [të mundur] këtë ndryshim? Si e rrënjosim këtë dashuri të Krishtit në zemrën tonë? Ka një veprim të thjeshtë e të përditshëm që mund të sjellë ndryshim për çdo anëtar të Kishës, përfshirë ju djem e vajza, ju të rinj e të reja, ju të rritur beqarë dhe ju nëna e etër.

Ai veprim i thjeshtë është: Në lutjen tuaj të mëngjesit çdo ditë të re, kërkojini Atit Qiellor t’ju drejtojë që të dalloni mundësi për t’i shërbyer një prej fëmijëve të Tij të çmuar. Pastaj vazhdojeni gjithë ditën me zemrën plot besim e dashuri, duke kërkuar të gjeni dikë që mund ta ndihmoni. Jini të përqendruar, ashtu si bletët përqendrohen te lulet nga të cilat mbledhin nektarin dhe pjalmin. Nëse e bëni këtë, ndjeshmëritë tuaja shpirtërore do të zhvillohen dhe do të zbuloni mundësi për të shërbyer që kurrë më parë nuk i keni menduar të mundshme.

Presidenti Tomas S. Monson ka dhënë mësim se në shumë raste Ati Qiellor u përgjigjet lutjeve të një personi tjetër nëpërmjet nesh – nëpërmjet meje dhe jush – nëpërmjet fjalëve e veprave tona të dashura, nëpërmjet veprimeve tona të thjeshta të shërbimit e dashurisë.

Dhe Presidenti Spenser W. Kimball tha: “Perëndia na shikon dhe kujdeset për ne. Por zakonisht është nëpërmjet një personi tjetër që Ai i plotëson nevojat tona. Si rrjedhim, është jetike që ne t’i shërbejmë njëri-tjetrit” (Teachings of Presidents of the Church: Spencer W. Kimball [2006], f. 82).

E di se nëse i bëni këto veprime të përditshme shërbimi – në shtëpi, shkollë, punë e kishë – Shpirti do t’ju udhëheqë dhe ju do të jeni në gjendje të dalloni ata që kanë nevojë për shërbimin e veçantë që vetëm ju mund të jeni në gjendje ta jepni. Ju do të shtyheni nga Shpirti dhe do të nxiteni mrekullisht për të ndihmuar në pjalmimin e botës me dashurinë e pastër të Krishtit dhe ungjillin e Tij.

Dhe kujtoni, ashtu si një e dymbëdhjeta lugë-çaji mjaltë e bletës së vogël siguruar për zgjoin, nëse do t’i shumëfishojmë përpjekjet tona me dhjetëra mijërat dhe madje milionat përpjekje plot lutje për të ndarë dashurinë e Perëndisë për fëmijët e Tij nëpërmjet shërbimit të krishterë, [atëherë] do të ketë një forcë në rritje për mirë që do t’i sjellë Dritën e Krishtit kësaj bote përherë e më të errët. Të lidhur së bashku, ne do t’i sjellim dashuri e dhembshuri vetë familjes sonë dhe të vetmuarve, të varfërve, shpirtbrengosurve dhe atyre prej fëmijëve të Atit tonë Qiellor që po kërkojnë të vërtetën dhe paqen.

Lutja ime e përulur, vëllezër e motra, është që ne do të kërkojmë në lutjet tona të përditshme frymëzim që të gjejmë dikë të cilit mund t’i japim ndonjë shërbim kuptimplotë, përfshirë shërbimin e ndarjes të së vërtetës së ungjillit dhe të dëshmisë sonë. Në fund të çdo dite, qofshim në gjendje të themi: “Po”, në përgjigje të pyetjes: “A kam bër’ sot në bot’ un’ ndonjë të mir’? Kam ndihmuar dikë në nevoj’?” (Hymns, nr. 223).

Kjo është puna e Perëndisë. Qofshim në këtë punë po aq besnikë sa bletët e vogla të përkushtuara në punën e tyre, për këtë lutem me përulësi në emrin e Jezu Krishtit, amen.