2010–2019
“Sepse Unë Jetoj, Edhe Ju do të Jetoni”
Tetor 2012


“Sepse Unë Jetoj, Edhe Ju do të Jetoni”

Për shkak të Tij, madje Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit, ato ndjenja pikëllimi, vetmie e dëshpërimi një ditë do të përpihen në një plotësi gëzimi.

Kur po shërbenim si misionarë të rinj në Kili, unë dhe shoku im i misionit takuam në degë një familje të përbërë nga shtatë anëtarë. Mamaja merrte pjesë në kishë çdo javë me fëmijët e saj. Ne menduam se ata ishin anëtarë të Kishës për një kohë të gjatë. Pas disa javësh mësuam se ata nuk ishin pagëzuar.

Menjëherë u lidhëm me familjen dhe i kërkuam nëse mund të shkonim te shtëpia e tyre dhe t’u jepnim mësim. Babai nuk ishte i interesuar të mësonte rreth ungjillit, por nuk kishte kundërshtim që të mësonim familjen e tij.

Motra Ramirez përparoi shpejt gjatë mësimeve. Ajo qe plot dëshirë për të mësuar të gjithë doktrinën që ne jepnim mësim. Një mbrëmje, teksa po diskutonim për pagëzimin e foshnjave, dhamë mësim se fëmijët e vegjël janë të pafajshëm dhe nuk kanë nevojë të pagëzohen. Ne e ftuam që të lexonte te libri i Moronit:

“Vër re, unë të them që këtë gjë duhet t’u mësosh – pendim dhe pagëzim për ata që janë të përgjegjshëm dhe që mund të bëjnë mëkat; po, mësoju prindërve se ata duhet të pendohen dhe të pagëzohen, dhe të përulen, sikurse fëmijët e tyre të vegjël dhe të gjithë ata do të shpëtohen me fëmijët e tyre të vegjël.

Dhe se fëmijët e tyre të vegjël nuk kanë nevojë për pendim, as për pagëzim. Vër re, pagëzimi është për pendimin, që të plotësohen urdhërimet për heqjen e mëkateve.

Por fëmijët e vegjël janë gjallë në Krisht, madje që nga krijimi i botës; përndryshe Perëndia do të ishte një Perëndi paragjykues dhe gjithashtu një Perëndi i ndryshueshëm dhe i njëanshëm me njerëzit; pasi, sa fëmijë të vegjël kanë vdekur pa pagëzim!”1

Pasi lexoi këtë shkrim të shenjtë, motra Ramirez filloi të ngashërehej. Unë dhe shoku im i misionit u hutuam. Unë pyeta: “Motra Ramirez, mos kemi thënë ose bërë diçka që të ka lënduar?”

Ajo tha: “Oh jo, Plak [Elder], nuk keni bërë asgjë të gabuar. Gjashtë vjet më parë linda një djalë. Ai vdiq përpara se të mund ta pagëzonim. Prifti ynë na tha se, meqë nuk ishte pagëzuar, ai, për gjithë përjetësinë, do të qëndronte në limbo, [vendin ku shkojnë shpirtrat e të papagëzuarve pas vdekjes sipas fesë katolike]. Për gjashtë vjet e kam mbartur këtë dhembje dhe faj. Dhe duke lexuar këtë shkrim të shenjtë, e di me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë se është i vërtetë. Kam ndier të më hiqet një barrë e rëndë nga vetja, dhe këta janë lot gëzimi.”

M’u kujtuan mësimet e profetit Jozef Smith, që na mësoi këtë doktrinë ngushëlluese: “Zoti merr shumë me vete, madje në foshnjëri, që ata të mund t’i shpëtojnë zilisë së njeriut dhe dhembjeve e të ligave të kësaj bote të tashme; ata qenë tepër të pastër, tepër të dashur, që të jetonin në tokë; prandaj, nëse gjykohet si duhet, në vend që të mbajmë zi, ne kemi arsye të gëzojmë pasi ata janë çliruar nga e liga dhe ne do t’i kemi ata përsëri së shpejti”2.

Pasi vuajti një hidhërim e dhembje thuajse të padurueshme për gjashtë vjet, doktrina e vërtetë, e zbuluar nga një Atë i dashur në Qiell përmes profetit të gjallë, i solli të ëmblën paqe kësaj gruaje të munduar. Është e panevojshme të thuhet se motra Ramirez dhe fëmijët e saj që ishin tetë vjeç e sipër u pagëzuan.

Më kujtohet që i shkrova familjes sime duke u shprehur mirënjohjen që ndieva në zemër për dijeninë e kësaj dhe aq shumë të vërtetave të tjera të qarta e të çmueshme të ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit. Kurrë nuk e kisha përfytyruar se si ky parim i vërtetë e i mrekullueshëm do të më prekte në vitet e ardhshme dhe do të rezultonte të ishte balsami im i Galaadit.

Do të doja t’u flisja atyre që kanë humbur një fëmijë dhe kanë bërë pyetjen: “Përse mua?” ose madje keni vënë në pikëpyetje vetë besimin tuaj te Ati i dashur në Qiell. Lutja ime është që, me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë, të mund të sjellë ca shpresë, paqe dhe kuptueshmëri. Dëshira ime është që të jem një mjet për të bërë të kthehet besimi juaj në Atin tonë të dashur në Qiell, që i di të gjitha gjërat dhe na lejon të provojmë sfida në mënyrë që të arrijmë ta njohim e ta duam Atë dhe të kuptojmë që pa Të nuk kemi asgjë.

Më 4 shkurt 1990, u lind djali ynë i tretë apo fëmija i gjashtë. E quajtëm Tajson. Ai qe një djalë i vogël e i bukur dhe familja e mirëpriti me zemër të hapur e krahë të hapura. Vëllezërit e motrat e tij qenë shumë krenare për të. Ne të gjithë menduam se qe djali i vogël më i përsosur që kishte lindur ndonjëherë.

Kur qe tetë muajsh, Tajsoni kapërdiu një copë shkumës që e kishte gjetur mbi tapet. Shkumësi ngeci në fytin e Tajsonit dhe ai ndaloi së marri frymë. Vëllai i tij më i madh e solli Tajsonin sipër, duke thirrur me furi: “Bebja nuk merr frymë, bebja nuk merr frymë”. Ne filluam t’i aplikonim ringjalljen zemër-mushkëri dhe telefonuam 911 [urgjencën].

Personeli i ndihmës së parë erdhi dhe e çuan Tajsonin me ngut në spital. Në dhomën e pritjes ne vijuam me lutje të zjarrta teksa i përgjëroheshim Perëndisë për një mrekulli. Pas një periudhe që u duk e gjatë sa një jetë, doktoresha hyri në dhomë dhe tha: “Më vjen shumë keq. Nuk ka asgjë më shumë që mund të bëjmë. Mund të qëndroni këtu aq kohë sa t’ju duket e nevojshme.” Pastaj ajo u largua.

Kur hymë në dhomën ku gjendej i shtrirë Tajsoni, ne pamë topthin tonë të vogël të gëzimit të pajetë. Dukej si të kishte një shkëlqim çelestial përreth trupit të tij të vogël. Ai qe aq rrezatues dhe i dëlirë.

Në atë çast dukej sikur kuptimi i jetës sonë kishte marrë fund. Si mund të ktheheshim te fëmijët e tjerë dhe të përpiqeshim në një farë mënyre t’u shpjegonim se Tajsoni nuk do të vinte në shtëpi?

Do të flas në njëjës teksa rrëfej pjesën e mbetur të kësaj përvoje. Bashkëshortja ime engjëllore dhe unë e përjetuam bashkë këtë sfidë, por nuk ndihem i aftë që të shpreh ndjenjat e një nëne dhe as nuk do të përpiqesha ta bëja këtë.

Është e pamundur të përshkruaj trazimin e ndjenjave që kisha në atë çast në jetën time. Shumicën e kohës ndihesha sikur isha në një ëndërr të keqe e se do të zgjohesha shpejt dhe ky makth i tmerrshëm do të mbaronte. Nuk fjeta për shumë net. Shpesh natën endesha nga një dhomë te tjetra, duke u siguruar që fëmijët tanë të tjerë ishin të gjithë të sigurt.

Ndjenjat e fajit ma dërrmonin shpirtin. Ndihesha tepër fajtor. Nga kjo ndihesha i papastër. Unë isha babai i tij; duhet të kisha bërë më shumë për ta mbrojtur. Sikur vetëm të kisha bërë diçka. Ndonjëherë edhe sot, 22 vjet më vonë, ato ndjenja fillojnë të hyjnë ngadalë në zemrën time dhe më duhet t’i largoj shpejt pasi mund të jenë shkatërrimtare.

Afro një muaj pasi vdiq Tajsoni, pata një intervistë me Plakun Din L. Larsen. Ai kaloi kohë duke më dëgjuar dhe unë do të jem gjithmonë mirënjohës për këshillën dhe dashurinë e tij. Ai tha: “Nuk mendoj se Zoti dëshiron që ti të dënosh veten për vdekjen e djalit tënd të vogël”. Unë ndieva dashurinë e Atit tim Qiellor përmes një prej mjeteve që kishte zgjedhur Ai.

Gjithsesi, mendimet dërrmuese vazhduan të më pushtonin mendjen, dhe shpejt fillova të ndieja zemërim. “Kjo nuk është e drejtë! Si mundi të ma bënte këtë Perëndia? Përse mua? Çfarë bëra për ta merituar këtë?” Ndihesha madje i zemëruar me njerëzit që thjesht po përpiqeshin të na ngushëllonin. Më kujtohen miqtë duke më thënë: “E di se si ndihesh”. Unë do të mendoja me vete: “Ti nuk ja ke idenë se si ndihem. Vetëm më lini të qetë.” Shpejt zbulova që edhe keqardhja për veten mund të jetë shumë ligështuese. Më vinte turp nga vetja që kisha mendime jo të mira për miqtë e dashur që thjesht po përpiqeshin të ndihmonin.

Teksa ndieva të më gërryenin faji, zemërimi dhe keqardhja për veten, u luta që zemra ime të mund të ndryshonte. Përmes shumë përvojash të shenjta vetjake, Zoti më dha një zemër të re dhe megjithëse ende ndihesha i vetmuar dhe plot dhembje, tërë perspektiva ime ndryshoi. M’u dha njohuria që nuk më kishin vjedhur, por përkundrazi një bekim i madh më priste nëse do të tregoja besnikëri.

Jeta ime filloi të ndryshonte dhe qeshë në gjendje të shihja përpara me shpresë, sesa të shihja prapa me dëshpërim. Dëshmoj se kjo jetë nuk është fundi. Bota e shpirtrave është e vërtetë. Mësimet e profetëve në lidhje me jetën pas vdekjes janë të vërteta. Kjo jetë është thjesht një hap i përkohshëm përpara në rrugën e kthimit tonë për te Ati ynë Qiellor.

Tajsoni ka mbetur pjesë shumë e rëndësishme e familjes sonë. Gjatë viteve ka qenë e mrekullueshme të shihje mëshirën dhe mirësinë e një Ati të dashur në Qiell, që i ka lejuar familjes sonë të ndiente në mënyra tepër të dukshme ndikimin e Tajsonit. Dëshmoj se veli është i hollë. Të njëjtat ndjenja të besnikërisë, dashurisë dhe unitetit familjar nuk mbarojnë kur të dashurit tanë kalojnë nga kjo jetë në anën tjetër; përkundrazi, ato ndjenja rriten.

Ndonjëherë njerëzit do të pyesnin: “Sa kohë t’u desh për ta kaluar?” E vërteta është se asnjëherë nuk do ta kaloni plotësisht derisa të jeni përsëri bashkë me të dashurit tuaj të larguar nga kjo jetë. Unë kurrë nuk do ta kem plotësinë e gëzimit derisa të ribashkohemi mëngjesin e Ringjalljes së Parë.

“Sepse njeriu është shpirt. Elementet janë të përjetshëm dhe shpirti dhe elementet, të lidhur në mënyrë të pandashme, marrin plotësi të gëzimit.

Dhe kur ndahen, njeriu nuk mund të marrë plotësi të gëzimit.”3

Por ndërkohë, siç dha mësim Shpëtimtari, ne mund të vazhdojmë të marrim zemër.4

Kam mësuar se dhimbja e hidhur dhe pothuaj e papërballueshme mund të bëhet e ëmbël kur i drejtoheni Atit tuaj në Qiell dhe luteni për ngushëllimin e Tij që vjen përmes planit të Tij; Birit të Tij, Jezu Krishtit; dhe Ngushëlluesit të Tij, që është Fryma e Shenjtë.

Çfarë bekimi të lavdishëm përbën kjo në jetën tonë! A nuk do të ishte tragjike nëse nuk do të ndienim pikëllim të madh kur humbasim një fëmijë? Sa mirënjohës i jam Atit tim në Qiell që na lejon të duam thellësisht dhe të duam përjetësisht. Sa mirënjohës jam për familjet e përjetshme. Sa mirënjohës jam që Ai ka zbuluar edhe një herë përmes profetëve të Tij të gjallë planin e lavdishëm të shëlbimit.

Kujtoni, kur morët pjesë në ceremoninë e varrimit të të dashurit tuaj, ndjenjat në zemrën tuaj teksa po largoheshit nga varreza dhe u kthyet të shihnit atë arkivol të vetmuar – duke pyetur veten nëse do t’ju pushonte zemra.

Unë dëshmoj se për shkak të Tij, madje Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit, ato ndjenja pikëllimi, vetmie e dëshpërimi një ditë do të përpihen në një plotësi gëzimi. Dëshmoj se mund të mbështetemi tek Ai dhe kur Ai tha:

“Nuk do t’ju lë bonjakë, do të kthehem te ju.

Edhe pak kohë dhe bota nuk do të më shohë më, por ju do të më shihni; sepse unë jetoj, edhe ju do të jetoni.”5

Dëshmoj se, siç thuhet tek Predikoni Ungjillin Tim: “Kur mbështetemi në Shlyerjen e Jezu Krishtit, Ai mund të na ndihmojë të durojmë sprovat, sëmundjet dhe dhembjet tona. Ne mund të mbushemi me gëzim, paqe dhe ngushëllim. Gjithçka që është e padrejtë në jetë, mund të ndreqet me anë të Shlyerjes së Jezu Krishtit.”6

Dëshmoj se në atë mëngjes të shkëlqyer e të lavdishëm të Ringjalljes së Parë, njerëzit e mi dhe tuaj të dashur do të dalin nga varri siç është premtuar nga Vetë Zoti dhe ne do të kemi plotësi të gëzimit. Për shkak se Ai jeton, ata dhe ne do të jetojmë gjithashtu. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.