Të Bëhemi Prindër të Mirë

Nga Plaku L. Tom Peri,

i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve


L. Tom Peri
Ka shumë mënyra se si prindërit e mirë mund të marrin ndihmën dhe mbështetjen për të cilën kanë nevojë, për t’u mësuar ungjillin e Jezu Krishtit fëmijëve të tyre.

Këtë verë, arrita një ngjarje me rëndësi të veçantë – festova 90-vjetorin e ditëlindjes time. Kur arrin etapa të caktuara në jetën tënde, është e dobishme dhe edukative të reflektosh mbi ngjarjet dhe përvojat e së kaluarës. Ju të rinjve që po dëgjoni ose lexoni këtë bisedë, mund të mos ju bëjnë shumë përshtypje 90 vite jetë, por kur u linda unë, të jetoje kaq gjatë konsiderohej një arritje e madhe. Çdo ditë, i jam mirënjohës Atit Qiellor që më ka bekuar me një jetë të gjatë.

Kaq shumë gjëra kanë ndryshuar gjatë jetës sime. Kam parë zhvillimin e periudhës industriale dhe asaj të informacionit. Automobilat e prodhuar në masë, telefoni dhe aeroplani, ishin risitë e mëdha të kohës kur unë isha i vogël. Sot, mënyra se si ne e gjejmë, e ndajmë dhe e përdorim informacionin, ndryshon pothuajse përditë. Në moshën time, mrekullohem me ndryshimin kaq të shpejtë të botës, në të cilën ne të gjithë jetojmë. Shumë nga zbulimet e mëdha të së sotmes zgjojnë kureshtjen me potencialin e tyre për të përmirësuar jetën tonë.

Përmes gjithë ndryshimit të shpejtë që ndodh në botë, ne lutemi dhe punojmë me zell për të garantuar që vlerat e ungjillit të Jezu Krishtit të rezistojnë. Tashmë disa prej tyre janë në rrezik të humbasin. Në krye të listës së këtyre vlerave dhe, si rrjedhim, objektivat kryesorë të kundërshtarit, janë shenjtëria e martesës dhe rëndësia qendrore e familjes. Ato sigurojnë një shtëpi ku ka qëndrueshmëri dhe siguri, ku çdo fëmijë i një Ati të dashur Qiellor mund të ndikohet për mirë dhe të mësojë vlera të tjera të përjetshme.

Vetë familja ime, duke pritur festimin e kësaj etape 90-vjeçare në jetën time, filloi të më ndihmonte që të kujtoja dhe të vlerësoja përvojat e jetës sime të gjatë. Për shembull, mbesa ime mblodhi dhe ndau me mua disa letra që u kisha shkruar prindërve të mi pothuaj 70 vjet më parë nga baza ime ushtarake e marinsave në ishullin e Saipanit në Paqësor gjatë Luftës së II-të Botërore.

Njëra prej këtyre letrave e tërhoqi vëmendjen time në mënyrë të veçantë. Ishte një letër që ia shkrova nënës sime, me qëllim që ta hapte dhe ta lexonte për Festën e Nënës, në vitin 1945. Do të doja të ndaja me ju disa pjesë, me shpresën që ju të shihni përse unë do t’u jem gjithmonë mirënjohës babait dhe nënës sime të dashur, për mësimet që mora nga mësimdhënia e tyre në shtëpi. Prindërit e mi janë shembulli më i mirë që unë kam për prindërit e mirë, të cilët e vunë martesën e tyre dhe rritjen e fëmijëve në mënyrën e duhur, si përparësinë e tyre më të lartë.

Letra ime e 1945-ës për Festën e Nënës fillonte:

“E dashur nënë,

Gjatë katër viteve të fundit kam pasur fatin e keq ta kaloj Festën e Nënës larg teje. Çdo vit kam dashur të isha me ty dhe të të thosha sesa të dua e sa shumë mendoj për ty, por meqë është sërish e pamundur, do të më duhet të bëj gjënë më të mirë që vjen pas kësaj, dhe të të dërgoj mendimet e mia nëpërmjet postës.

Në këtë vit më shumë se në çdo vit tjetër, mund të shoh se çfarë ka bërë për mua të paturit e një nëne të mrekullueshme. Pikë së pari, më ka marrë malli për gjërat e vogla që bëje për mua. Sa herë që ngrihesha nga krevati në mëngjes, nuk kisha pse të shqetësohesha kurrë nëse do gjeja këmishë dhe çorape të pastra. Gjithçka që duhej të bëja, ishte të hapja sirtarin dhe i gjeja. Gjatë vaktit të drekës, gjithmonë e dija se do të gjeja diçka që më pëlqente, të përgatitur në mënyrën më të mirë të mundshme. Natën, gjithmonë e dija se do të gjeja çarçafë të pastër në krevatin tim dhe tamam aq mbulesa sa duheshin për të qenë shumë rehat. Jetesa në shtëpi ishte me të vërtetë një kënaqësi e madhe”.

Kur i lexova këto dy paragrafë të parë të letrës, u trondita nga ajo se sa mallëngjyes tingëllonin. Ndoshta jeta në një çadër dhe fjetja nën një rrjetë mushkonjash në një shtrat kampi, i zhvendosi mendimet e mia në shtëpinë time tepër të veçantë.

Letra dërguar nënës sime vazhdonte:

“Por ndjenja për ty është më e thellë për shkak të shembullit që më ke dhënë. Jeta ishte kaq e gëzueshme për ne si familje saqë ne donim të ecnim në gjurmët e tua, të përjetonim të njëjtin gëzim që kishim kur ishim të vegjël. Ti gjithmonë gjeje kohën ta çoje familjen tonë te kanioni dhe ne mbështeteshim tek ty për të bërë çdo gjë, duke filluar nga ngjitja në mal deri tek të luajturit me top. Ti dhe Babi kurrë nuk shkonit vetëm për pushime. Familja ishte gjithmonë me ju. Tani që jam larg shtëpisë, më pëlqen të flas gjithmonë rreth jetës në shtëpinë time sepse ishte kaq e gëzueshme. Nuk mund t’i shpërfill mësimet tuaja tani sepse veprimet e mia do të pasqyronin karakterin tuaj. Jeta është shumë sfiduese për mua që të jem i denjë të thirrem i biri i Nora Soni Perit. Jam shumë krenar për këtë titull dhe shpresoj që gjithmonë do të jem i denjë për të.

Shpresoj që viti tjetër të më gjejë me ty, për të të treguar kohën e bukur që dua të kaloj me ty në Festën e Nënës, të cilën e kam planifikuar gjatë katër viteve të kaluara.

Zoti të bekoftë për të gjitha gjërat e mrekullueshme që ti ke bërë për këtë botë të trazuar.

Me gjithë dashurinë time, Tomi”1

Kur e rilexova letrën time, mendova gjithashtu edhe për kulturën e familjes, lagjes, kunjit dhe komunitetit në të cilin u rrita.

Kultura përkufizohet si mënyra e jetesës së një populli. Ka një kulturë unike ungjilli, një grup vlerash dhe pritshmërish dhe praktikash të përbashkëta për të gjithë anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Kjo kulturë e ungjillit ose mënyrë jetese, vjen nga plani i shpëtimit, urdhërimet e Perëndisë dhe mësimet e profetëve të gjallë. Është një demonstrim i mënyrës se si i rrisim familjet tona dhe se si e jetojmë jetën tonë individuale.

Udhëzimi i parë dhënë Adamit për përgjegjësinë e tij në vdekshmëri gjendet te Zanafilla 2:24: “Për këtë arsye njeriu do të braktisë babanë dhe nënën e tij dhe do të bashkohet me gruan e tij, dhe do të jenë një mish i vetëm”.

Bashkimi i një burri dhe një gruaje për të qenë legalisht dhe ligjërisht të martuar, nuk është vetëm një përgatitje për brezat e ardhshëm që të trashëgojnë tokën, por gjithashtu sjell gëzimin dhe kënaqësinë më të madhe që mund të gjendet në këtë përvojë të vdekshme. Kjo është veçanërisht e vërtetë kur fuqitë e priftërisë e shpallin një martesë të jetë për kohën dhe për gjithë përjetësinë. Fëmijët e lindur në martesa të tilla kanë një siguri që nuk gjendet askund tjetër.

Mësimet që jepen në shtëpi nga prindër të mirë, po bëhen akoma dhe më të rëndësishme në botën e sotme, ku ndikimi i kundërshtarit është kaq i përhapur. Siç e dimë, ai po përpiqet të gërryejë dhe shkatërrojë vetë themelin e shoqërisë sonë – familjen. Në mënyra mjeshtërore dhe të maskuara me kujdes, ai po godet zotimin ndaj jetës familjare kudo në botë dhe po minon kulturën dhe besëlidhjet e shenjtorëve besnikë të ditëve të mëvonshme. Prindërit duhet ta ndajnë mendjen që mësimdhënia në shtëpi është përgjegjësia më e shenjtë dhe më e rëndësishmja. Ndërsa institucione të tjera, të tilla si kisha dhe shkolla, mund t’i ndihmojnë prindërit t’i “[mësojnë] fëmijës rrugën që duhet të ndjekë” (Fjalët e Urta 22:6), përfundimisht, kjo përgjegjësi u bie prindërve. Sipas planit të madh të lumturisë, prindërve të mirë u është besuar kujdesi dhe zhvillimi i fëmijëve të Atit tonë Qiellor.

Në kujdestarinë tonë të jashtëzakonshme prindërore, ka shumë mënyra se si prindërit e mirë mund të marrin ndihmën dhe mbështetjen për të cilën kanë nevojë, për t’u mësuar ungjillin e Jezu Krishtit fëmijëve të tyre. Më lejoni t’ju sugjeroj pesë gjëra që prindërit mund të bëjnë për të krijuar kultura më të forta familjare:

Së pari, prindërit mund të luten me zell, duke i kërkuar Atit të Përjetshëm t’i ndihmojë ata që t’i duan, t’i kuptojnë dhe t’i udhëheqin fëmijët që Ai u ka dërguar atyre.

Së dyti, ata mund të bëjnë lutje familjare, studim të shkrimeve të shenjta e mbrëmje familjare dhe të hanë së bashku sa më shpesh të jetë e mundur, duke e kthyer darkën në një kohë komunikimi dhe mësimdhënieje të vlerave.

Së treti, prindërit mund të përfitojnë plotësisht nga rrjeti mbështetës i Kishës, duke komunikuar me mësuesit e Fillores të fëmijëve të tyre, udhëheqësit e rinisë dhe presidencat e klasave dhe kuorumeve. Duke komunikuar me ata që janë thirrur dhe veçuar që të punojnë me fëmijët e tyre, prindërit mund të sigurojnë një kuptueshmëri thelbësore të nevojave të veçanta dhe specifike të një fëmije.

Së katërti, prindërit mund të ndajnë shpesh dëshmitë e tyre me fëmijët, t’i zotojnë ata për të mbajtur urdhërimet e Perëndisë dhe t’u premtojnë bekimet që Ati ynë Qiellor u premton fëmijëve të Tij besnikë.

Së pesti, ne mund t’i organizojmë familjet tona bazuar në rregulla dhe pritshmëri familjare të qarta e të thjeshta, tradita dhe zakone familjare të shëndetshme dhe “ekonomi familjare”, ku fëmijët kanë përgjegjësi për punët shtëpiake dhe mund të fitojnë një shumë parash, kështu që ata të mund të mësojnë të kenë një buxhet, të kursejnë dhe të paguajnë të dhjetën për paratë që fitojnë.

Këto sugjerime për të krijuar kultura më të forta familjare funksionojnë në harmoni me kulturën e Kishës. Kulturat tona familjare të forcuara, do të jenë një mbrojtje për fëmijët tanë nga “shigjetat e flakta të kundërshtarit” (1 Nefi 15:24) të ngulitura në kulturën e moshatarëve të tyre, në kulturën e argëtimit dhe popullaritetit, kulturën e nderimit të vetes dhe të dhënies së drejtë vetes, si dhe kulturën e internetit dhe të mediave ndaj të cilave ata janë vazhdimisht të ekspozuar. Kulturat e forta familjare do t’i ndihmojnë fëmijët tanë të jetojnë në botë dhe të mos bëhen të “bot[ës]” (Gjoni 15:19).

Presidenti Jozef Filding Smith mësoi: “Është detyra e prindërve t’u mësojnë fëmijëve të tyre këto parime shpëtuese të ungjillit të Jezu Krishtit, kështu që ata do ta dinë përse duhet të pagëzohen dhe që të mund të kenë dëshirë në zemrat e tyre që të vazhdojnë të mbajnë urdhërimet e Perëndisë pasi të pagëzohen, që ata të mund të kthehen në praninë e Tij. Vëllezërit e motrat e mia, a i doni familjet tuaja, fëmijët tuaj; a dëshironi të vuloseni me etërit tuaj dhe nënat tuaja para jush …? Nëse është kështu, atëherë duhet të filloni t’i mësoni që në djep. Duhet t’i mësoni me anë të shembullit si dhe të këshillës.”2

Proklamata mbi familjen thotë:

“Bashkëshorti dhe bashkëshortja kanë një përgjegjësi solemne të duan dhe të kujdesen për njëri-tjetrin dhe për fëmijët e tyre. ‘Bijtë janë një trashëgimi që vjen nga Zoti’ (Psalmi 127:3). Prindërit kanë një detyrë të shenjtë për të rritur fëmijët e tyre me dashuri dhe drejtësi, për të plotësuar nevojat e tyre fizike dhe shpirtërore dhe për t’i mësuar ata ta duan e t’i shërbejnë njëri-tjetrit, të zbatojnë urdhërimet e Perëndisë dhe të jenë qytetarë që u binden ligjeve kudo që jetojnë. …

… Nëpërmjet planit hyjnor, etërit duhet të kryesojnë familjet e tyre me dashuri e drejtësi dhe janë përgjegjës për të siguruar gjërat e nevojshme për jetën dhe mbrojtjen për familjet e tyre. Nënat janë kryesisht përgjegjëse për edukimin e fëmijëve të tyre. Në këto përgjegjësi të shenjta, etërit dhe nënat kanë detyrim të ndihmojnë njëri-tjetrin si partnerë të barabartë.”3

Unë besoj se është sipas qëllimit hyjnor që roli i mëmësisë thekson edukimin dhe mësimin e brezit pasues. Por është e mrekullueshme të shohësh bashkëshortë dhe bashkëshorte që kanë krijuar partneritete të vërteta ku ata përziejnë së bashku ndikimin e tyre dhe komunikojnë në mënyrë efikase si për fëmijët e tyre ashtu edhe me fëmijët e tyre.

Sulmi i furishëm i ligësisë kundër fëmijëve tanë është më i mprehtë dhe më i pacipë se sa ka qenë ndonjëherë. Ndërtimi i një kulture familjare më të fortë shton një shtresë tjetër mbrojtëse për fëmijët tanë, duke i veçuar ata nga ndikimet e botës.

Perëndia ju bekoftë ju nëna dhe etër të mirë në Sion. Ai ka lënë nën kujdesin tuaj fëmijët e Tij të përjetshëm. Si prindër ne bëhemi partnerë, madje bashkohemi me Perëndinë, që të bëjmë të ndodhë vepra dhe lavdia e Tij mes fëmijëve të Tij. Është detyra jonë e shenjtë të bëjmë më të mirën tonë. Për këtë unë dëshmoj, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Mostrar las referencias

  1.  

    1. Letra e Festës së Nënës nga L. Tom Perry drejtuar së ëmës, dërguar nga Saipani, datë 3 maj 1945.

  2.  

    2. Joseph Fielding Smith, në Conference Report, tetor 1948, f. 153.

  3.  

    3. “Familja: Një Proklamatë Drejtuar Botës”, Liahona, nëntor 2010, f. 129.