2010–2019
Ndihmojini të Vënë Qëllime të Larta
Tetor 2012


Ndihmojini të Vënë Qëllime të Larta

Me drejtimin tuaj, ata që ju udhëhiqni do të jenë në gjendje të shohin, të dëshirojnë e të besojnë se mund ta arrijnë potencialin e tyre të plotë për shërbim në mbretërinë e Perëndisë.

Jam mjaft mirënjohës për këtë mundësi që jam në këtë mbledhje të shkëlqyer të priftërisë, që kam dëgjuar të këtillë mësim e dëshmi të mrekullueshme. Më bëri të mendoja për përvojën time vetjake. Pothuajse çdo gjë që kam qenë në gjendje të përmbush si mbajtës priftërie, është ngaqë persona të caktuar të cilët më njihnin panë tek unë gjëra që unë nuk mund t’i shihja.

Kur isha baba i ri, lutesha që të dija se çfarë kontributesh mund të jepnin fëmijët e mi në mbretërinë e Zotit. Për djemtë, e dija se mund të kishin mundësi priftërore. Për vajzat, e dija se do të jepnin shërbim duke përfaqësuar Zotin. Të gjithë do të bënin punën e Tij. E dija që secili ishte i veçantë nga tjetri dhe, prandaj, Zoti do t’u kishte dhënë dhurata të veçanta që secili t’i përdorte në shërbim të Tij.

Tani, unë s’mund t’i them çdo babai e çdo udhëheqësi të të rinjve hollësitë e asaj që është më e mira për të bërë. Por mund t’ju premtoj se do t’i bekoni ata duke i ndihmuar të dallojnë dhuratat shpirtërore me të cilat u lindën. Çdo njeri është i ndryshëm dhe ka një kontribut të veçantë për të dhënë. Askush nuk është paracaktuar që të dështojë. Ndërsa kërkoni zbulesë që të shihni dhuratat që Perëndia sheh tek ata që ju i udhëhiqni në priftëri – veçanërisht të rinjtë – ju do të bekoheni për ta lartuar fushëpamjen e tyre te shërbimi që mund të kryejnë. Me drejtimin tuaj, ata që ju udhëhiqni do të jenë në gjendje të shohin, të dëshirojnë e të besojnë se mund ta arrijnë potencialin e tyre të plotë për shërbim në mbretërinë e Perëndisë.

Për vetë fëmijët e mi, unë u luta për zbulesë që të dija se si mund ta ndihmoja secilin më vete të përgatitej për mundësi të veçanta për t’i shërbyer Perëndisë. E më pas u përpoqa t’i ndihmoja të përfytyronin, të shpresonin e të punonin për këtë të ardhme. Për secilin bir gdhenda një tabelë me një citim nga shkrimi i shenjtë, që përshkruante dhuratat e tij të veçanta, dhe një figurë që përfaqësonte dhuratën përkatëse. Poshtë figurës dhe mbishkrimit gdhenda datat e pagëzimit e të shugurimit të secilit djalë te detyrat e priftërisë, tok me shenjën e gjatësisë së tij në datën e secilës nga ngjarjet.

Do të përshkruaj tabelat që gdhenda për secilin bir që ta ndihmoja të shihte dhuratat e tij shpirtërore, dhe se çfarë mund të kontribuonte në punën e Zotit. Ju mund të frymëzoheni të dalloni, sikurse unë, dhurata të veçanta dhe mundësi të përveçme për secilin prej të rinjve të cilët i doni e i udhëhiqni.

Kur biri im më i madh u bë dhjak dhe Skautist Shqiponjë, më erdhi në mendje një figurë shqiponjeje teksa mendoja për të dhe të ardhmen e tij. Jetonim në Ajdaho, pranë rrëzës së malit të Tetonit Jugor, ku ngjiteshim së bashku dhe vëzhgonim ngritjen e shqiponjave. Ajo pamje në mendje më dha ndjesinë e fjalëve të Isaias:

“Ai i jep forcë të lodhurit dhe rrit fuqinë e të këputurit.

Të rinjtë mundohen dhe lodhen, të rinjtë e zgjedhur me siguri pengohen dhe rrëzohen,

por ata që shpresojnë te Zoti fitojnë forca të reja, ngrihen me krahë si shqiponja, vrapojnë pa u lodhur dhe ecin pa u lodhur.”1

Në fakt, me më të rriturin, kishim ndaluar ngjitjen poshtë majës së Tetonit Jugor, ngaqë im bir u lodh. Ai dëshiroi të ndalonte. Ai tha: “A do të më vijë keq përherë që nuk e arritëm majën? Babi, vazhdoni ju – nuk dua që të zhgënjeheni.”

Iu përgjigja: “Unë kurrë nuk do të zhgënjehem dhe ty kurrë nuk do të të vijë keq. Përherë do ta kujtojmë që u ngjitëm këtu së bashku.” Në krye të tabelës së gjatësisë së tij unë gdhenda një shqiponjë dhe mbishkrimin “Me Krahë Shqiponjash”.

Me kalimin e viteve, im bir si misionar u ngrit më lart se ç’e kisha përfytyruar unë në shpresat e mia më të përkëdhelura. Në sfidat e fushës së misionit, disa gjëra nga ato që ai përballoi dukeshin mbi mundësitë e tij. Për djalin që ju e inkurajoni, mund të ndodhë, sikurse me tim bir, që në predikimin e ungjillit në një gjuhë të vështirë Zoti e lartoi më shumë se ç’e kisha menduar të ishte e mundur. Nëse do të përpiqeni me cilindo të ri që t’i kuptojë mundësitë e tij priftërore, unë ju premtoj se Zoti do t’ju tregojë po aq sa t’ju nevojitet. Djali juaj mund të ketë potencial edhe përtej asaj që Zoti do t’ju zbulojë. Ndihmojeni të vërë qëllime të larta.

Djali që ju po inkurajoni, mund të duket shumë i ndrojtur për të qenë një shërbëtor i fuqishëm priftërie. Një tjetër nga bijtë e mi ishte aq i turpshëm kur ishte djalë i vogël, sa nuk do të hynte në dyqan dhe nuk do të fliste as me shitësin. Ishte shumë i ndrojtur. Unë shqetësohesha kur lutesha lidhur me të ardhmen e tij priftërore. E mendoja atë në fushën e misionit – kjo gjë nuk tingëllonte premtuese. Iu drejtova një shkrimi të shenjtë te Fjalët e Urta: “I pabesi ikën me vrap edhe nëse askush nuk e ndjek, por i drejti është i sigurt si një luan”2.

Gdhenda fjalët “I Sigurt si një Luan” në tabelën e tij, nën figurën e një koke luani të madh që hungërinte. Në misionin e tij dhe në vitet që vijuan, ai e përmbushi shpresën e gdhendjes sime. Im bir, dikur i turpshëm, predikoi ungjillin me bindje të lartë dhe përballoi rreziqe me trimëri. Ai u përforcua në përgjegjësitë e tij për të përfaqësuar Zotin.

Kjo mund të ndodhë për të riun që ju po udhëhiqni. Duhet t’i zhvilloni besimin se Zoti mund ta shndërrojë atë në një shërbëtor më trim sesa djali i ndrojtur që ju shihni tani.

Ne e dimë se Zoti i bën të guximshëm shërbëtorët e Tij. Djaloshi Jozef i cili pa Perëndinë Atë dhe Birin e Tij, Jezu Krishtin, në një korije pemësh, u shndërrua në një gjigant shpirtëror. Parli P. Prat e pa këtë kur Profeti Jozef Smith qortoi rojet e ligj të cilët i mbanin ata rob. Plaku Prat shënonte:

“Befas ai u ngrit në këmbë dhe foli me një zë bubullime, apo si luan gjëmues, duke shqiptuar, me aq sa kujtoj, fjalët e mëposhtme:

“‘QETËSI, ju djaj të humnerës së skëterrshme. Në emrin e Jezu Krishtit unë ju qortoj dhe ju urdhëroj të heshtni; unë nuk do të jetoj asnjë minutë tjetër dhe të dëgjoj fjalë të tilla. Ndërpriteni këtë të folur ose unë apo ju do të vdesim KËTË ÇAST!’”

Për atë përvojë, Plaku Prat shkroi: “Dinjitetin dhe madhështinë e kam parë veç njëherë, ndërsa u ngrit në këmbë, i lidhur me zinxhirë, në mesnatë, në një birucë të një katundi pak të njohur të Misurit”3.

Zoti do t’u japë shërbëtorëve të Tij të drejtë mundësi të jenë të guximshëm si luanë kur flasin në emrin e Tij dhe si dëshmitarë në priftërinë e Tij.

Një bir tjetër, madje që fëmijë, kishte një rreth të gjerë miqsh të cilët shpesh i kërkonin shoqëri. Ai krijonte lehtësisht lidhje me njerëzit. Ndërsa lutesha e përpiqesha të parashihja kontributin e tij në mbretërinë e Perëndisë, ndieva se ai do të kishte fuqi për t’i afruar njerëzit bashkë në dashuri e unitet.

Kjo më çoi te rrëfimi i gjendur te Doktrina e Besëlidhje, që përshkruan përpjekjet e pleqve të priftërisë për të ndërtuar Sionin në Misuri deri në brohoritjen prej engjëjve të cilët panë përpjekjet e tyre dhe kontributet e tyre. Ajo kërkoi sakrificë të madhe. Zbulesa në Doktrina e Besëlidhje thotë: “Megjithatë, ju jeni të bekuar, sepse dëshmia që ju keni dhënë, shënohet në qiell, që engjëjt ta vështrojnë; dhe ata gëzohen për ju dhe mëkatet tuaja ju janë falur”4.

Në tabelën e gjatësisë së tim biri, unë gdhenda fjalët “Engjëjt Gëzohen për Ty”.

Aftësia e madhe e këtij biri për të grumbulluar dhe ndikuar te njerëzit u shtri edhe pas viteve të tij shkollore. Tok me bashkëmbajtës të priftërisë, ai organizonte aktivitete kunji të cilat i dhanë rinisë së zonës së tij besim për të duruar e madje për të ngadhënjyer në situata të vështira. Kur ai zhvillonte besimin e këtyre të rinjve dhe të rejava, ai ndihmonte ngritjen e vendrojave të Sionit në qendrat urbane të Amerikës. Në gdhendje vura engjëj që u binin trumbetave, gjë që mund të mos jetë me saktësi mënyra si e bëjnë atë, por ishte më e lehtë të gdhendja një trumbetë, sesa britmën.

Engjëjt gëzojnë teksa udhëheqësit e priftërisë anekënd botës ndërtojnë Sionin në lagjet, kunjet dhe misionet e tyre. E ata do të gëzojnë për të rinjtë e të rejat që ju i ndihmoni për të ndërtuar Sionin kudo që janë dhe në çfarëdo rrethanash që mund të jenë. Sioni është rezultati i njerëzve të bashkuar nga besëlidhja dhe dashuria. Ju ftoj që ta ndihmoni rininë të bashkohet me të.

Për një nga bijtë e mi u nxita të gdhend një diell – d.m.th., diellin në qiell – dhe fjalët e marra nga Lutja Ndërmjetësuese e Shpëtimtarit: “Kjo Është Jeta e Përjetshme”. Pranë përfundimit të shërbesës së Tij në vdekshmëri, Shpëtimtari iu lut Atit të Tij:

“Dhe kjo është jeta e përjetshme, të të njohin ty, të vetmin Perëndi të vërtetë, dhe Jezu Krishtin që ti ke dërguar.

Unë të kam përlëvduar mbi tokë; unë e kam kryer veprën që më ke dhënë të bëj.”5

Im bir ka dhënë shërbim priftërie nëpër tre kontinente, por më të rëndësishmin në shtëpinë e tij dhe brenda familjes së tij. E ka ndërtuar jetën e vet rreth tyre. Ai punon pranë shtëpisë dhe shpeshherë rikthehet për të qenë së bashku me bashkëshorten dhe fëmijët e tij më të vegjël në orën e drekës. Familja e tij jeton shumë pranë meje e Motrës Ajring. Kujdesen për oborrin tonë si të ishte i tyri. Ky bir jeton jo vetëm që të cilësohet i përshtatshëm për jetë të përjetshme, por gjithashtu për të jetuar i rrethuar nga familjarë mirënjohës të cilët ai po mbledh rreth vetes.

Jeta e përjetshme është të jetosh në unitet, në familje, me Atin, Birin dhe Frymën e Shenjtë. Jeta e përjetshme është e mundur vetëm nëpërmjet çelësave të priftërisë së Perëndisë, të cilat u rivendosën përmes Profetit Jozef Smith. T’ia inkurajosh atë qëllim të përjetshëm rinisë që ju udhëhiqni, është një dhuratë e madhe aq sa mund t’u jepnit. Ju do ta bëni këtë kryesisht me anë të shembullit në vetë familjen tuaj. Ata që ju udhëhiqni, mund të mos kenë një familje në Kishë, por ju nxis që t’i ndihmoni të ndiejnë dhe ta dëshirojnë dashurinë për familjen në të dyja anët e velit.

Tabelat e gjatësisë që kam përshkruar janë vetëm njëra mënyrë për t’i ndihmuar të rinjtë të kenë një ide të madhështisë që Perëndia sheh tek ata dhe tek e ardhmja e tyre si edhe të shërbimit të përveçëm që Ai i ka përgatitur të japin. Ai do t’ju ndihmojë që të shihni në ç’mënyrë ta bëni këtë për fëmijët tuaj ose për të rinjtë që ju udhëhiqni. Por, kur kërkoni me ndihmën e lutjes ta kuptoni për vete këtë të ardhme dhe t’ia kumtoni atë të riut vetëm për vetëm, ju do të arrini të dini që Perëndia e njeh dhe e do secilin prej fëmijëve të Tij si individë dhe sheh dhurata të mëdha e të përveçme te çdo një prej tyre.

Si baba, unë u bekova të shoh të ardhme të shkëlqyera në mbretërinë e Perëndisë për bijat e mia sikurse për bijtë e mi. Kur me ndihmën e lutjes kërkoja udhëheqje, më tregohej një mënyrë për t’i ndihmuar bijat e mia të njihnin mirëbesimin që Perëndia kishte tek ato si shërbëtore që mund të ngrenë mbretërinë e Tij.

Kur bijat e mia ishin të reja, pashë se ne mund t’i ndihmonin të tjerët të ndienin dashuri për ata të përtej velit, gjatë gjithë brezave. E dija që dashuria vjen nga shërbimi dhe që frymëzon shpresë për jetë të përjetshme.

Kështu, ne gdhendëm tabaka për brumë, mbi të cilat vinim një bukë të bërë në shtëpi dhe shkonim së bashku për t’ua dhënë ofertën tonë të vejave, të veve dhe familjeve. Mbishkrimi që gdhenda mbi secilën prej atyre tabakave, thoshte: “J’aime et J’espere”, varianti frëngjisht për “Dua dhe Shpresoj”. Prova e dhuratave të tyre të veçanta shpirtërore u shfaq jo thjesht në tabakatë që gdhenda, por më me qartësi kur ne ua shpërndamë ato atyre që u nevojitej, mes dhembjes apo humbjes, siguria se dashuria e Shpëtimtarit dhe Shlyerja e Tij mund të krijonte një ndriçim të përkryer të shpresës. Kjo është jetë e përjetshme për bijat e mia dhe për secilin nga ne.

Tani, ndoshta po mendoni: “Vëllai Ajring, a po thua se duhet të mësoj se si të gdhend?” Përgjigjja është që jo. Unë mësova të gdhend vetëm me ndihmën e një drejtuesi dashamirës e të talentuar, në atë kohë Plaku Bojd K. Paker. Ajo pak aftësi që arrita unë, mund t’i kushtohet dhuratës së tij të shkëlqyer si skalitës dhe durimit të tij si mësues. Vetëm qielli mund të japë një drejtues të tillë si Presidenti Paker. Por ka shumë mënyra me të cilat ju mund të ndikoni në zemrat e fëmijëve pa gdhendur për ta tabela druri ose tabela gjatësie.

Për shembull, teknologjitë e reja të komunikimit lejojnë të ndahen bashkërisht mesazhe besimi dhe shprese nëpër mijëra kilometrat që na ndajnë, në çast dhe me pak ose pa pagesë. Bashkëshortja më ndihmon ta bëj këtë gjë. Fillojmë duke folur në telefon me nipërit e mbesat ose fëmijët që arrijmë të kontaktojmë. U kërkojmë të na tregojnë ngjarje të sukseseve të tyre vetjake dhe të shërbimit të tyre të dhënë. Gjithashtu u lutemi të dërgojnë fotografi të atyre veprimtarive. Ne i përdorim ato fotografi për të ilustruar ca paragrafë teksti. Shtojmë një a dy vargje nga Libri i Mormonit. Ndoshta Nefit dhe Mormonit nuk do t’u bënte shumë përshtypje cilësia shpirtërore e asaj që shkruajmë, apo e përpjekjes së kufizuar që kërkohet për të krijuar atë që ne e quajmë “Ditari i Familjes: Fletët e Vogla”. Por Motra Ajring dhe unë jemi bekuar nga kjo përpjekje. Ne ndihemi të frymëzuar në zgjedhjen e fragmenteve të shkrimit të shenjtë dhe të mesazheve të shkurtra të dëshmisë që shkruajmë. Dhe ne shohim në jetën e tyre prova të kthimit të zemrës së tyre drejt nesh dhe drejt Shpëtimtarit e lart.

Gjenden mënyra të tjera për të ardhur në ndihmë; ju tashmë jeni përfshirë në shumë prej tyre. Zakoni i lutjes familjare dhe i leximit të shkrimit të shenjtë do të krijojnë kujtime që mbahen mend më gjatë dhe ndryshime më të mëdha zemre, sesa mund të përfytyroni tani. Madje edhe veprimtari që nuk duken shpirtërore, si pjesëmarrja në një ngjarje atletike ose ndjekja e një filmi, mund të ndikojë në zemrën e fëmijës. Ajo që ka rëndësi nuk është veprimtaria, por ndjenjat që vijnë ndërsa e bëni atë. Kam zbuluar një kriter të mirë për të dalluar veprimtari që kanë mundësinë të sjellin ndryshim të madh në jetën e një të riu. Është që ta sugjerojnë ata veprimtarinë, të nisur nga një interesim që mendojnë se u ka ardhur si dhuratë nga Perëndia. E di nga vetë përvoja ime se kjo është e mundur.

Kur u bëra dhjak, në moshën 12-vjeçare, unë jetoja në Nju-Xhersi, 50 milje (80 km) nga Nju-Jork-Siti. Ëndërroja që të isha një lojtar i madh bejzbolli. Babai pranoi të më merrte që të shihja një lojë që zhvillohej në stadiumin e vjetër dhe historik Janki, në Bronks. Ende arrij të kujtoj vërtitjen e shkopit kur Xho Di-Maxhio shënoi një vrapim rreth e qark, i ulur në ndenjëset qendrore të fushës me babanë tim pranë, të vetmen herë që kemi shkuar bashkë në një ndeshje bejzbolli të ligës kryesore.

Por një ditë tjetër me babanë tim, ndikoi përgjithmonë në jetën time. Ai më solli nga Nju-Xhersi në shtëpinë e një patriarku të shuguruar, në Solt-Lejk-Siti. Nuk e kisha parë asnjëherë më parë atë burrë. Babai më la te pragu i derës. Patriarku më shpuri te një karrige, i vendosi duart mbi kokën time dhe shprehu një bekim si dhuratë nga Perëndia, që përfshiu një shpallje të dëshirës së madhe të zemrës sime.

Ai tha që unë isha një prej atyre për të cilët është thënë: “Lum ata që përpiqen për paqen”.6 Isha aq i befasuar që një plotësisht i panjohur mund ta njihte zemrën time, saqë i hapa sytë për të parë dhomën ku po ndodhte një mrekulli e tillë. Ai bekim i mundësive të mia ka formësuar jetën time, martesën time dhe shërbimin tim në priftëri.

Nga ajo përvojë dhe nga ato në vijim, unë mund të dëshmoj: “Sepse të gjithë nuk e kanë çdo dhuratë të dhënë atyre; sepse ka shumë dhurata dhe çdo njeriu i jepet një dhuratë me anë të Shpirtit të Perëndisë”7.

Nëpërmjet zbulesës së një dhurate nga Zoti, kam qenë në gjendje të dalloj e të përgatitem për mundësi që ta ushtroj për bekimin e atyre që i dua dhe u shërbej.

Perëndia i di dhuratat tona. Sfida që kam për ju dhe për vete është të lutemi për të njohur dhuratat që na janë dhënë, të dimë si t’i zhvillojmë ato dhe të njohim mundësitë që na jep Perëndia për t’u shërbyer të tjerëve. Por më shumë se gjithçka, unë lutem që ju të frymëzoheni për t’i ndihmuar të tjerët të zbulojnë dhuratat e tyre të veçanta nga Perëndia për të shërbyer.

Ju premtoj se, nëse kërkoni, ju do të bekoheni për t’i ndihmuar dhe lartuar të tjerët deri në potencialin e tyre të plotë në shërbim të atyre që ata udhëheqin dhe i duan. Ju dëshmoj që Perëndia jeton, Jezusi është Krishti, kjo është priftëria e Perëndisë, ajo të cilën ne mbajmë, dhe Perëndia na ka përgatitur me dhurata të veçanta për t’i shërbyer Atij përtej shpresave më të dashura që kemi ushqyer. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.