2010–2019
Të Mësuarit me Zemër
Tetor 2012


Të Mësuarit me Zemër

Një mënyrë për të ardhur te Krishti është duke kërkuar t’i mësojmë të vërtetat thelbësore me zemër.

“Ejani] tek unë, që të mund të ndieni dhe të shihni”1. Ky ishte një urdhërim që Shpëtimtari ua bëri banorëve të Amerikës së lashtë. Ata ndien me duart e tyre dhe panë me sytë e tyre se Jezusi ishte Krishti. Ky urdhërim është pikërisht po aq i rëndësishëm për ne sot sa qe për ata në kohën e tyre. Ndërsa vijmë te Krishti, ne mund të ndiejmë dhe “mës[ojmë] me siguri”2 – jo me duart e sytë tanë por me gjithë zemrën e mendjen tonë – se Jezusi është Krishti.

Një mënyrë për të ardhur te Krishti është duke kërkuar t’i mësojmë të vërtetat thelbësore me zemër. Ndërsa e bëjmë këtë, mbresat që vijnë nga Perëndia do të na japin njohuri, të cilën nuk mund ta marrim në asnjë mënyrë tjetër. Apostulli Pjetër e dinte me siguri se Jezusi ishte Krishti, Biri i Perëndisë së Gjallë. Shpëtimtari shpjegoi se burimi i dijenisë së Pjetrit nuk ishte “as mishi as gjaku, por Ati … që është në qiej”3.

Profeti Abinadi shpjegoi rolin e ndjenjave që vijnë në zemrat tona nga Perëndia. Ai dha mësim se ne nuk mund t’i marrim vesh shkrimet e shenjta plotësisht, veç nëse i përdorim zemrat tona që t’i kuptojmë.4

Kjo e vërtetë u shpreh fare mirë në një libër të fëmijëve, The Little Prince [Princi i Vogël] nga Antuan de Sent-Ekzuperi. Në tregim, princi i vogël miqësohet me një dhelpër. Përpara se të ndaheshin, dhelpra i tregoi një sekret princit të vogël. Ajo i tha: “Ja cili është sekreti im … : Është vetëm nëpërmjet zemrës që dikush mund të shohë siç duhet; ajo që është thelbësore është e padukshme për syrin”5.

Vëllai Tomas Koelo, tetëdhjetë e tetë vjeç, është shembull i mirë i një personi që pa me zemrën e tij gjëra thelbësore. Ai qe anëtar besnik i këshillit tonë të lartë në Paisandu, Uruguai. Përpara se të bashkohej me Kishën, ai pësoi një aksident teksa po ngiste motoçikletën. Ndërsa qe i shtrirë përtokë, i paaftë të ngrihej, dy nga misionarët tanë e ndihmuan që të ngrihej dhe të kthehej në shtëpi. Ai tha se ndieu diçka të veçantë kur misionarët erdhën ta ndihmonin. Më vonë, ai sërish përjetoi ndjenja të fuqishme kur misionarët i dhanë mësim. Ndikimi i atyre ndjenjave ishte i tillë saqë ai e lexoi Librin e Mormonit nga fillimi në fund në vetëm pak ditë. Ai u pagëzua dhe shërbeu pa u lodhur nga ajo ditë e tutje. Më kujtohet ai duke e ngarë motoçikletën lart e poshtë rrugëve të qytetit tonë, madje edhe në dimrin e ftohtë dhe me shira, për t’i sjellë të tjerët në Kishë, në mënyrë që ata të mund të shihnin, ndienin dhe dinin me siguri sikurse ai.

Sot, të rrethuar nga kaq shumë informacion, ne mund të mendojmë se kërkimi nëpër një mori faqesh interneti do të na japë gjithçka që kemi nevojë të dimë. Në internet mund të gjejmë informacion të mirë dhe të keq, por vetëm informacioni nuk është i mjaftueshëm. Perëndia na ka dhënë një tjetër burim për njohuri më të madhe,6 madje njohuri të dërguar nga qielli. Ati ynë Qiellor mund të na e japë këtë njohuri kur e kërkojmë në faqen çelestiale me zemrën dhe mendjen tonë. Profeti Jozef Smith tha se kishte “librin më të vjetër në zemrën [e tij], madje dhuratën e Frymës së Shenjtë”7.

Ne e përdorim këtë burim çelestial [Frymën e Shenjtë], kur bëjmë gjëra të tilla si leximi i shkrimeve të shenjta, dëgjimi i profetit të gjallë dhe lutja. Është gjithashtu e rëndësishme të rrimë të qetë8 dhe të ndiejmë e ndjekim nxitjet çelestiale. Kur e bëjmë këtë, do “të ndie[jmë] dhe [do] të sh[ohim]” gjëra që nuk mund të mësohen me teknologjinë bashkëkohore. Sapo të kemi njëfarë përvoje në të kërkuarin në këtë faqe çelestiale, ne do ta dallojmë të vërtetën, edhe kur lexojmë histori jofetare apo tema të tjera. Kërkuesit e sinqertë të së vërtetës do ta dinë të vërtetën e të gjitha gjërave nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë.9

Tani, një paralajmërim: e drejta për të hyrë në këtë faqe çelestiale zvogëlohet nga paudhësia dhe harrimi i Zotit. Nefi u tha vëllezërve të tij se “nuk mund [t’i] ndjeni[n] fjalët e [Zotit]” për shkak se ata ishin “të shpejtë të bëni[n] paudhësi [dhe] të ngadalshëm të kujtoni[n] Zotin”10. Paudhësia e pengon aftësinë tonë për të parë, ndier dhe dashur të tjerët. Të qenit të shpejtë për të kujtuar Zotin duke u lutur “me gjithë fuqinë e zemrës”11 dhe kujtimi i përvojave shpirtërore rrit aftësinë tonë për të parë e ndier gjërat e Krishtit. Tani ju pyes:

  • A e kujtoni paqen që ndiet kur, pas shumë vuajtjeve, iu përgjëruat Atit në lutje të fuqishme?

  • A ju kujtohet ndryshimi i listës së planeve tuaja për të ndjekur nxitjen në zemër?

Njerëzit e mëdhenj në Librin e Mormonit e rritën aftësinë për të arritur njohuri më të madhe duke kujtuar përvojat e tyre kyçe shpirtërore. Alma i fuqizoi dhe forcoi fëmijët e tij duke u kujtuar rreth përvojës së tij të kthimit në besim.12 Helamani u mësoi Nefit dhe Lehit që të mbanin mend – të mbanin mend se ishte mbi shkëmbin e Krishtit që ata duhet të ndërtonin themelin e tyre që djalli të mos kishte fuqi mbi ta.13 Ne duhet të bëjmë të njëjtën gjë. Të kujtuarit e Perëndisë na ndihmon të ndiejmë dhe jetojmë. Kjo i jep kuptim më të thellë fjalëve të mbretit Beniamin, i cili tha: “Dhe tani, O njeri, mbaj mend dhe mos vdis”14.

Një ndër kujtimet më të shenjta që më pëlqen shumë, është ndjenja që pata kur arrita të dija se Libri i Mormonit ishte fjala e Perëndisë. Mësova se ne mund të përjetojmë një gëzim që fjalët nuk mund ta shprehin siç duhet. Pikërisht atë ditë, i gjunjëzuar, ndieva dhe njoha me siguri gjëra që nuk mund t’i kisha mësuar në ndonjë mënyrë tjetër. Një kujtim i tillë është arsye për mirënjohje të përjetshme dhe më forcon në kohë vështirësie.

Ata që marrin njohuri, jo nga mishi e gjaku por nga Ati ynë Qiellor vërtet e dinë me siguri se Jezusi është Krishti dhe se kjo është Kisha e Tij. Pikërisht kjo njohuri jep fuqinë për të bërë ndryshimet e nevojshme për të ardhur te Krishti. Për këtë arsye, ne e ftojmë çdo shpirt tani të pagëzohet, pendohet dhe kthehet tek Ai.15

Duke ardhur te Krishti, çdo shpirt mund të shikojë, të ndiejë dhe të dijë me siguri se Krishti vuajti dhe shleu për mëkatet tona që të mund të kemi jetë të përjetshme. Nëse pendohemi, ne nuk do të vuajmë kot.16 Falë Tij, shpirtrat e plagosur munden të shërohen dhe zemrat e thyera munden të shërohen. Nuk ka asnjë barrë që Ai nuk mund ta lehtësojë apo heqë. Ai i njeh hidhërimet dhe sëmundjet tona. Unë ju premtoj dhe dëshmoj se, kur të gjitha dyert duken të jenë të mbyllura, kur gjithçka tjetër duket se ka mbaruar, Ai nuk do t’ju lerë në baltë. Krishti do të ndihmojë dhe kjo është rrugëdalja, qoftë nëse lufta është me varësinë, depresionin ose diçka tjetër. Ai di “sesi të ndihmojë popullin e tij”17. Martesat dhe familjet që po luftojnë për shkak të çfarëdo arsyeje – sfidave ekonomike, ndikimit të keq të mjeteve të komunikimit apo situatave familjare – do të ndiejnë një ndikim qetësues nga qielli. Është ngushëlluese të “ndie[jmë] dhe të sh[ohim]” që Ai u ngrit së vdekuri “me shërimin në krahët e tij”18, që për shkak të Tij, ne do të takojmë e përqafojmë sërish njerëzit e dashur që kanë ndërruar jetë. Me të vërtetë, kthimi ynë në besim te Ai është shpërblyer me shërimin tonë.19

Unë e di me siguri se e gjitha kjo është e vërtetë. Për këtë arsye e bashkoj zërin tim me atë të banorëve të hershëm të Amerikës së lashtë, duke thirrur: “Hosana! I bekuar qoftë emri i Më të Lartit Perëndi!”20 Ai na jep shpëtim. Jap dëshmi se Jezusi është Krishti, Mesia i shenjtë. Ai është Zoti i Ushtrive, Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.