2010–2019
Një Hap më Pranë Shpëtimtarit
Tetor 2012


Një Hap më Pranë Shpëtimtarit

Kthimi në besim është synimi i të gjithë të nxënit dhe mësimdhënies së ungjillit. Kthimi në besim nuk është një ngjarje që ndodh vetëm njëherë. Të bëhesh më shumë si Shpëtimtari është një synim për të gjithë jetën.

Këtë verë që shkoi, u shfaq te revistat Liahona dhe Ensign një artikull i shkurtër që e kisha shkruar unë. Im bir më dërgoi një mesazh elektronik ku thuhej: “Babi, mbase do ishte mirë të na njoftoje kur të botohet një artikull”. Iu përgjigja: “Doja të shihja nëse po i lexoni revistat e Kishës”. Ai më shkroi sërish duke shpjeguar se e bija 10-vjeçare e kishte “kaluar provën. Ajo e mori revistën Ensign nga kutia postare, u fut në shtëpi dhe e lexoi atë. Pastaj ajo erdhi në dhomën tonë dhe na tregoi artikullin tënd.”

Mbesa ime e lexoi revistën Ensign sepse kishte dëshirë të mësonte. Ajo veproi në mënyrë të pavarur duke ushtruar zgjedhjen e saj të lirë. Presidenca e Parë miratoi së fundi burime të reja të të nxënit për të rinjtë, që do të mbështesin dëshirën e natyrshme të të rinjve për ta mësuar, për ta jetuar dhe për ta ndarë ungjillin. Këto burime të reja janë të disponueshme për t’i shqyrtuar në internet. Në janar do të fillojmë t’i përdorim burimet në orët mësimore. (Mësoni më shumë për burimet e reja të të nxënit për rininë në adresën lds.org/youth/learn.)

Kur jepte mësim Shpëtimtari, liria e zgjedhjes së nxënësit kishte epërsi. Ai na tregoi neve jo vetëm se çfarë të japim mësim, por edhe si të japim mësim. Ai përqendrohej te nevojat e nxënësit. Ai i ndihmonte individët ta zbulonin vetë të vërtetën.1 Ai i dëgjonte gjithnjë pyetjet e tyre.2

Këto burime të reja të të nxënit do të na ndihmojnë të gjithëve të mësojmë dhe të japim mësim në mënyrën e Shpëtimtarit në shtëpitë dhe klasat tona.3 Kur e bëjmë këtë, ne do t’i përgjigjemi ftesës së Tij “eja e më ndiq”4 sikurse dha mësim aq bukur Plaku Robert D. Hejls. Teksa po zhvilloheshin këto burime të reja, unë shihja udhëheqës dhe mësues në organizatat ndihmëse dhe në këshillin e seminarit së bashku me prindërit në mënyrë që të përmbushnin nevojat e nxënësve të tyre. Kam parë të reja në orët e tyre mësimore, të rinj në kuorumet e tyre të Priftërisë Aarone dhe të rinj në Shkollën e së Dielës të mësojnë të ushtrojnë lirinë e tyre të zgjedhjes dhe të veprojnë në mënyrë të pavarur.

Një mësuese e rinisë në Shkollës e së Dielës po vriste mendjen se si t’i ndihmonte dy të rinj me autizëm që të ushtronin lirinë e tyre të zgjedhjes dhe të vepronin në mënyrë të pavarur. Kur ajo i ftoi anëtarët e klasës të tregonin atë që kishin mësuar, ajo u shqetësua se këta dy të rinj mund të mos e pranonin ftesën e saj. Por nuk e bënë. Njëri u ngrit në këmbë për të dhënë mësim atë që kishte mësuar dhe më pas e ftoi shokun e tij të klasës me autizëm që ta ndihmonte. Kur i pari niste të kishte vështirësi, shoku i tij i klasës i qëndronte pranë dhe i pëshpëriste në vesh në mënyrë që të ndiente se po ia dilte mbanë. Atë ditë ata po jepnin mësim që të dy. Ata po jepnin mësim atë që dha Shpëtimtari, por ata po jepnin mësim edhe në mënyrën se si e dha Shpëtimtari. Kur Shpëtimtari dha mësim, Ai veproi prej dashurisë për individin të cilit po i jepte mësim, pikërisht ashtu siç bëri ky shok i klasës për mikun e tij.5

Kur e mësojmë dhe e japim mësim fjalën e Tij në mënyrën e Tij, ne e pranojmë ftesën e Tij: “Eja e më ndiq”. Ne e ndjekim Atë hap pas hapi. Me çdo hap, ne afrohemi më shumë me Shpëtimtarin. Ne ndryshojmë. Zoti e dinte se rritja shpirtërore nuk do të ndodhte e gjitha menjëherë. Ajo vjen gradualisht. Sa herë që ne e pranojmë ftesën e Tij dhe zgjedhim ta ndjekim Atë, ne përparojmë drejt shtegut të kthimit të plotë në besim.

Kthimi në besim është synimi i të gjithë të nxënit dhe mësimdhënies së ungjillit. Kthimi në besim nuk është një ngjarje që ndodh vetëm njëherë. Të bëhesh më shumë si Shpëtimtari është një synim për të gjithë jetën. Plaku Dallin H. Ouks na ka kujtuar se nuk mjafton “të dish”. “Të qenit ‘të kthyer në besim’ … kërkon prej nesh që të bëjmë dhe të bëhemi.6 Ndaj të nxënit për kthimin në besim është një proces në vazhdimësi i të diturit, i të njohurit dhe i të bërit. Në të njëjtën mënyrë, mësimdhënia për kthimin në besim kërkon doktrinë kyçe, ftesa për veprim dhe bekime të premtuara.7 Kur ne japim mësim doktrinën e vërtetë, ne e ndihmojmë nxënësin të dijë. Kur i ftojmë të tjerët për të vepruar, ne i ndihmojmë ata të bëjnë ose ta jetojnë doktrinën. Dhe kur vijnë bekimet që ka premtuar Zoti, ne ndryshohemi. Si Alma, ne mund të bëhemi krijesa të reja.8

Burimet e reja të të nxënit për rininë kanë një synim qendror: ta ndihmojnë rininë të kthehet në besim te ungjilli i Jezu Krishtit. Kohët e fundit pashë një të ri në një orë mësimore të rinisë në Shkollën e së Dielës tek e zbulonte vetë të vërtetën. Kur e vura re se ai po haste vështirësi për ta lidhur Shlyerjen me vetë jetën e tij, e pyeta nëse e kishte ndier ndonjëherë faljen. Ai u përgjigj: “Po, si atëherë kur i theva hundën një djali kur po luanim futboll. U ndieva keq për këtë. Pyesja veten se çfarë duhej të bëja që të ndihesha më mirë. Kështu shkova në shtëpinë e tij dhe i kërkova të më falte, por e dija se duhej të bëja më tepër se aq, ndaj u luta dhe më pas ndieva se edhe Ati Qiellor më fali. Kjo është ajo çka do të thotë Shlyerja për mua.”

Kur e ndau këtë përvojë në klasë atë ditë, ai lexoi nga Gjoni 3:16 – “Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin” – dhe më pas dëshmoi për fuqinë e Shlyerjes. Kjo doktrinë nuk qe më një koncept abstrakt për këtë të ri. Ajo u bë pjesë e jetës së tij, sepse ai e bëri vetë pyetjen e tij dhe më pas ushtroi lirinë e vet të zgjedhjes për të vepruar.9

Ky i ri po kthehej më shumë në besim dhe po kështu edhe shokët e tij të klasës. Ata u përqendruan te një doktrinë kyç duke studiuar shkrimet e shenjta. Ata i lidhën ato fjalë të shenjta me vetë jetën e tyre dhe më pas dëshmuan për bekimet që u kishin ardhur si rezultat i të jetuarit të doktrinës. Kur ne e japim mësim ungjillin e Jezu Krishtit, ne përqendrohemi te shkrimet e shenjta dhe te fjalët e profetëve të kohëve të sotme. Ne mbështetemi në tekstin e shenjtë që të na ndihmojë të forcojmë besimin, të ndërtojmë dëshmitë dhe t’i ndihmojmë të gjithë të bëhen plotësisht të kthyer në besim. Burimet e reja të të nxënit për rininë do t’i ndihmojnë të gjithë ata që i përdorin ato për ta kuptuar e për ta jetuar fjalën e Perëndisë.

Ndërkohë që u jepja mësim shenjtorëve në Kosta-Rikë, unë ngrita lart një kopje të manualit Teaching, No Greater Call [Mësimdhënia, s’Ka Thirrje më të Madhe] dhe pyeta: “Pra, sa prej jush kanë një kopje të këtij manuali?” Pothuajse të gjithë ngritën dorën. Me një buzëqeshje, thashë: “Dhe vë bast se po e lexoni atë çdo ditë pa përjashtim”. Për habinë time, një motër në rreshtin e parë ngriti dorën, duke treguar se po e lexonte atë përditë. I kërkova të vinte në podium dhe të shpjegohej. Ajo u përgjigj: “Unë e lexoj Librin e Mormonit çdo mëngjes. Pastaj lexoj diçka te manuali Teaching, No Greater Call [Mësimdhënia, s’Ka Thirrje më të Madhe] që të mund t’u mësoj fëmijëve të mi atë që sapo kam mësuar në mënyrën më të mirë të mundshme.”

Ajo dëshironte ta mësonte dhe ta jepte mësim fjalën e Tij në mënyrën e Tij, ndaj e studionte fjalën e Tij në shkrimet e shenjta dhe më pas studionte mënyrën se si ta jepte mësim fjalën e Tij në mënyrë që fëmijët e saj të mund të ktheheshin plotësisht në besim. Modeli i saj i të nxënit dhe i mësimdhënies së ungjillit nuk u krijua i gjithi menjëherë. Ajo mori një vendim për të bërë diçka. Dhe sa më shumë që bënte atë që e dinte se duhej bërë, aq më shumë e forcoi Zoti për të ecur në udhën e Tij.

Ndonjëherë shtegu drejt kthimit në besim mund të jetë i gjatë dhe i vështirë. Kunati im qe pak aktiv në Kishë për 50 vjet. Nuk qe deri në të gjashtëdhjetat e tij që ai nisi ta pranonte ftesën e Shpëtimtarit për t’u kthyer. Shumë njerëz e ndihmuan përgjatë udhës. Një mësues shtëpie i dërgonte një kartolinë çdo muaj për 22 vjet. Por atij iu desh të vendoste se dëshironte të kthehej. Ai duhej të ushtronte lirinë e tij të zgjedhjes. Ai duhej ta ndërmerrte atë hap të parë – dhe pastaj një tjetër dhe një tjetër. Tani ai dhe bashkëshortja e tij janë vulosur së bashku dhe ai po shërben në një peshkopatë.

Së fundi ne i treguam atij videot që janë krijuar për t’i ndihmuar udhëheqësit dhe mësuesit që t’i vënë në zbatim burimet e reja të të nxënit. Pasi i pa videot, kunati im u mbështet prapa në karrige dhe më tha: “Ndoshta po t’i kisha pasur ato kur isha i ri, nuk do të isha bërë joaktiv”.

Disa javë më vonë, takova një të ri që kishte vështirësi. E pyeta nëse ishte anëtar i Kishës. Ai më tha se ishte dyshues për ekzistencën e Perëndisë por që herët në jetën e tij qe njohur me Kishën. Kur i tregova për thirrjen time në Shkollën e së Dielës dhe se do të flisja në konferencën e përgjithshme, ai tha: “Ej, nëse do të flasësh ti, unë do ta shikoj atë sesion”. Shpresoj se ai është duke e parë sot. E di se, nëse po shikon, ai ka mësuar diçka. Kjo qendër konferencash është një vend i pashoq i të nxënit dhe i mësimdhënies për kthimin në besim.

Kur i jetojmë parimet që na i kanë mësuar ata që i mbështesim si profetë, shikues dhe zbulues, ne mësojmë në mënyrën e Shpëtimtarit.10 Ne hedhim një hap më shumë drejt Tij. Teksa kjo konferencë shkon drejt përfundimit, i ftoj të gjithë që po e dëgjojnë zërin tim që ta hedhin atë hap. Sikurse nefitët e lashtësisë, ne mund të kthehemi në “shtëpitë [tona] dhe të medito[jmë] mbi gjërat që [janë] thënë dhe t’i kërko[jmë] Atit, në emrin [e Tij], që të mund të kupto[jmë]”.11

Ne dëshirojmë që çdo i ri të kuptojë. Ne dëshirojmë që ata ta mësojnë, ta japin mësim dhe ta jetojnë ungjillin e Jezu Krishtit çdo ditë. Kjo është ajo që Zoti dëshiron për të gjithë fëmijët e Tij. Qoftë nëse jeni një fëmijë, një i ri, apo një i rritur, unë ju ftoj të vini e ta ndiqni në gjurmët e hapave të Tij. Unë dëshmoj që Zoti do të na forcojë në çdo hap që hedhim. Ai do të na ndihmojë të bëjmë pjesën tjetër të udhës. Pastaj, kur të dalin pengesa, ne do të vazhdojmë të ecim. Kur të lindin dyshime, ne do të vazhdojmë të ecim. Ne nuk do të kthehemi kurrë prapa. Ne nuk do të largohemi kurrë.

Unë dëshmoj se Perëndia, Ati, dhe Biri i Tij, Jezu Krishti, jetojnë. Unë dëshmoj se Shpëtimtari vazhdon të na thërrasë pikërisht ashtu siç bëri në kohët e mëparshme që të vijmë tek Ai. Ne të gjithë mund ta pranojmë ftesën e Tij. Ne të gjithë mund ta mësojmë, ta japim mësim dhe ta jetojmë fjalën e Tij në mënyrën e Tij duke hedhur një hap më shumë drejt Shpëtimtarit. Teksa e bëjmë këtë, ne do të bëhemi vërtet të kthyer në besim. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shih Gjoni 3:1–7. Në këtë grup vargjesh Shpëtimtari iu përgjigj pyetjes që shtroi vetë Nikodemi. Ai dha mësim sipas nevojave të Nikodemit. Ai e lejoi Nikodemin që të ushtronte lirinë e tij të zgjedhjes për të mësuar. Ai e ndihmoi Nikodemin ta zbulonte vetë përgjigjen.

  2. Shih Gjoni 3:4; Joseph Smith—Historia 1:18.

  3. Shih “Teaching the Gospel in the Savior’s Way,” lds.org/youth/learn/guidebook/teaching.

  4. Shih Lluka 18:18–22.

  5. Shih 1 Gjonit 4:19.

  6. Dallin H. Oaks, “The Challenge to Become,” Liahona, janar 2001, f. 41: “Të dëshmosh është të dish dhe të shpallësh. Ungjilli na sfidon që të jemi ‘të kthyer në besim’, gjë që kërkon prej nesh që të bëjmë dhe të bëhemi. Nëse ndonjëri prej nesh mbështetet vetëm te njohuria dhe dëshmia jonë për ungjillin, ne jemi në të njëjtën pozitë si Apostujt e bekuar por ende jo të kthyer plotësisht në besim, të cilët Jezusi i sfidoi të ishin ‘të kthyer në besim”. Të gjithë e njohim dikë që ka një dëshmi të fortë por që nuk vepron mbi të në mënyrë që të bëhet i kthyer në besim.”

  7. Shih Abrahami 2:11.

  8. Shih Mosia 27:24–26; 2 Korintasve 5:17.

  9. Shih David A. Bednar, “Duke Ndenjur Zgjuar … me Çdo Ngulmim” Liahona, maj 2010, f. 43: “Ju dhe unë, a po i ndihmojmë fëmijët tanë të bëhen veprues për veten, që veprojnë dhe kërkojnë të mësojnë me anë të studimit dhe me anë të besimit, apo i kemi trajnuar fëmijët tanë të presin që t’u jepet mësim dhe të pësojnë? Ne si prindër, a po u japim kryesisht fëmijëve tanë të hanë të barasvlerëshmin e peshkut shpirtëror, apo po i ndihmojmë ata vazhdimisht të veprojnë, të mësojnë për vete dhe të qëndrojnë të paepur dhe të palëvizshëm? A po i ndihmojmë fëmijët tanë të përfshihen me zell në pyetjen, kërkimin dhe trokitjen?”

  10. Shih Dennis B. Neuenschwander, “Living Prophets, Seers, and Revelators,” Liahona, janar 2001, f. 49–51.

  11. 3 Nefi 17:3.