2010–2019
Mbroni Fëmijët
Tetor 2012


Mbrojini Fëmijët

Askush nuk duhet t’i bëjë qëndresë lutjes që të bashkohemi për të rritur interesimin tonë për mirëqenien dhe të ardhmen e fëmijëve tanë – brezit të ri.

Të gjithë ne mund t’i kujtojmë ndjenjat tona kur një fëmijë i vogël qante me dënesë dhe na u drejtua për ndihmë. Një Atë i dashur Qiellor na i jep ato ndjenja për të na nxitur që t’i ndihmojmë fëmijët e Tij. Ju lutem, sillini ndër mend ato ndjenja ndërsa po flas për përgjegjësinë tonë që t’i mbrojmë dhe të veprojmë për mirëqenien e fëmijëve.

Unë flas nga këndvështrimi i ungjillit të Jezu Krishtit, përfshirë planin e Tij të shpëtimit. Kjo është thirrja ime. Udhëheqësit vendorë të Kishës kanë përgjegjësi për një zonë të vetme gjeografike, të tillë si një lagje ose kunj, por një Apostull është përgjegjës që t’i dëshmojë të gjithë botës. Në çdo komb, të çfarëdo race dhe besimi, të gjithë fëmijët janë fëmijë të Perëndisë.

Edhe pse nuk flas për sa u përket politikave ose politikës publike, ashtu si udhëheqës të tjerë të Kishës, nuk mund të flas për mirëqenien e fëmijëve pa diskutuar gjithashtu për zgjedhjet e bëra nga qytetarët, nëpunësit publikë dhe punonjësit në organizata private. Ne jemi të gjithë nën urdhrin e Shpëtimtarit për ta dashur e për t’u kujdesur për njëri-tjetrin dhe veçanërisht për të dobëtit e të pambrojturit.

Fëmijët janë jashtëzakonisht të cenueshëm. Ata kanë pak ose aspak fuqi që të mbrohen apo të sigurojnë për vete, si dhe pak ndikim në kaq shumë gjëra që janë jetike për mirëqenien e tyre. Fëmijët kanë nevojë që të tjerët të flasin për ta dhe ata kanë nevojë për vendimmarrës që ta vendosin mirëqenien e tyre përpara interesave egoiste të të rriturve.

I.

Në mbarë botën, ne tronditemi nga miliona fëmijë që bëhen viktima të krimeve dhe egoizmit të lig të të rriturve.

Në disa vende në luftë, fëmijët i rrëmbejnë që të shërbejnë si ushtarë në ushtritë ndërluftuese.

Një raport i Kombeve të Bashkuara vlerëson se mbi dy milionë fëmijë bëhen viktima çdo vit nëpërmjet prostitucionit dhe pornografisë1.

Nga këndvështrimi i planit të shpëtimit, një nga abuzimet më të rënda të fëmijëve është t’u mohosh atyre lindjen. Kjo është një prirje mbarëbotërore. Përqindja kombëtare e lindjeve në Shtetet e Bashkuara është më e ulta në 25 vite2 dhe përqindjet e lindjeve në shumicën e vendeve europiane dhe aziatike janë nën nivelet e zëvendësimit [të popullsisë] prej shumë vitesh. Kjo nuk është thjesht një çështje fetare. Ndërsa brezi i ri zvogëlohet si numër, kulturat dhe madje kombet dobësohen dhe përfundimisht zhduken.

Një nga shkaqet e zvogëlimit të përqindjes së lindjeve është kryerja e aborteve. Në mbarë botën, vlerësohet se kryhen më shumë se 40 milionë aborte në vit3. Shumë ligje e lejojnë ose madje e nxisin abortin, por për ne kjo është një e keqe e madhe. Abuzime të tjera të fëmijëve që ndodhin gjatë shtatzënisë, janë dëmtimet e fetusit që rezultojnë nga ushqimi i papërshtatshëm i nënës ose përdorimi i drogave prej saj.

Ka një ironi tragjike në morinë e fëmijëve të eliminuar ose të dëmtuar para lindjes, ndërkohë që shumë çifte jopjellore kanë mall dhe kërkojnë foshnja që t’i birësojnë.

Abuzimet në vegjëli ose shpërfillja e fëmijëve, që ndodhin pas lindjes, janë më të dukshme botërisht. Në mbarë botën, gati tetë milionë fëmijë vdesin përpara ditëlindjes së tyre të pestë, shumica prej sëmundjeve edhe të kurueshme edhe të parandalueshme4. Dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë raporton se një në katër fëmijë ka vonesë në rritje, mendërisht dhe fizikisht, për shkak të ushqimit të pamjaftueshëm.5 Duke jetuar dhe duke udhëtuar në mbarë botën, ne udhëheqësit e Kishës shohim shumë nga kjo. Presidenca e përgjithshme e Fillores raporton për fëmijë që jetojnë në kushte “përtej përfytyrimit tonë”. Një nënë në Filipine tha: “Nganjëherë ne nuk kemi para mjaftueshëm për ushqim, por s’ka gjë, sepse kjo më jep mundësinë t’u mësoj fëmijëve të mi për besimin. Ne mblidhemi e lutemi për ndihmë dhe fëmijët e shohin se Zoti na bekon.”6 Në Afrikën e Jugut, një punonjëse e Fillores hasi një vajzë të vogël, të vetmuar dhe të dëshpëruar. Me përgjigje të mekura ndaj pyetjeve të përzemërta, ajo tha se nuk kishte nënë, as baba dhe as gjyshe – vetëm një gjysh që kujdesej për të.7 Tragjedi të tilla janë të zakonshme në një kontinent ku shumë përkujdesës kanë vdekur nga AIDS/SIDA.

Edhe në kombe të pasura, fëmijë të vegjël dhe të rinj dëmtohen nga lënia pas dore. Fëmijët që rriten në varfëri, kanë kujdes më të ulët shëndetësor dhe mundësi të papërshtatshme arsimore. Ata gjithashtu ekspozohen ndaj mjediseve të rrezikshme në rrethanat e tyre fizike e kulturore dhe madje nga shpërfillja prej prindërve të tyre. Plaku Xhefri R. Holland së fundi tregoi përvojën e një polici shdm. Gjatë një hetimi, ai gjeti pesë fëmijë të vegjël të kruspullosur së bashku dhe në përpjekje për të fjetur pa shtrat në një dysheme të pistë, në një banesë ku nëna e tyre dhe njerëz të tjerë po pinin dhe po bënin festë. Në apartament nuk kishte ushqim për të lehtësuar urinë e tyre. Pasi i futi fëmijët në një shtrat të improvizuar, polici u gjunjëzua dhe u lut për mbrojtjen e tyre. Ndërsa eci drejt derës, një prej tyre, rreth gjashtë vjeç, e ndoqi, e rroku nga duart dhe iu përgjërua: “A do të më adoptosh të lutem?”8

Ne kujtojmë mësimet e Shpëtimtarit tonë kur Ai vuri një fëmijë të vogël para pasuesve të Tij dhe shpalli:

“Dhe kushdo që e pranon një fëmijë të vogël si ky në emrin tim, më pranon mua.

Por ai që do të skandalizojë një prej këtyre të vegjëlve që besojnë tek unë, do të jetë më mirë për atë t’i varet në qafë një gur mulliri (që e sjell rrotull gomari) dhe të zhytet në thellësi të detit” (Mateu 18:5–6).

Kur marrim parasysh rreziqet prej të cilave duhet të mbrohen fëmijët, duhet të përfshijmë gjithashtu abuzimin psikologjik. Prindërit ose kujdestarë të tjerë, ose mësuesit, ose bashkëmoshatarët që poshtërojnë, keqtrajtojnë, ose përulin fëmijë apo të rinj, mund të shkaktojnë dëmtim më të qëndrueshëm sesa dëmtimi fizik. Të bërit e një fëmije apo të riu që të ndihet i pavlerë, i padashur, ose i padëshiruar mund të shkaktojë dëmtim të rëndë dhe të zgjatur në mirëqenien dhe zhvillimin emocional të tij apo të saj9. Të rinjtë që po luftojnë me çfarëdo situate të veçantë, përfshirë tërheqjen mes së njëjtës gjini, janë veçanërisht të cenueshëm dhe kanë nevojë për mirëkuptim të përzemërt – jo për keqtrajtim ose refuzim.10

Me ndihmën e Zotit, ne mund të pendohemi e të ndryshojmë dhe të jemi më të përzemërt e të dobishëm ndaj fëmijëve – fëmijëve tanë dhe atyre rreth nesh.

II.

Ka pak shembuj të kërcënimeve fizike ose emocionale ndaj fëmijëve aq të rëndësishëm sa ato që rrjedhin nga marrëdhëniet e tyre me prindërit ose kujdestarët e tyre. Presidenti Tomas S. Monson ka folur për ato që ai i quajti “veprime të ulta” të abuzimit ndaj fëmijëve, ku një prind ka dëmtuar ose shpërfytyruar një fëmijë, fizikisht apo emocionalisht11. Jam brengosur kur kam studiuar fakte tronditëse të rasteve të tilla gjatë shërbimit tim në Gjykatën e Lartë të Jutas.

Me rëndësi maksimale për mirëqenien e fëmijëve janë faktet nëse prindërit e tyre ishin të martuar, natyra dhe kohëzgjatja e martesës dhe, më gjerësisht, kultura dhe pritshmëritë për martesën e kujdesin ndaj fëmijëve në vendin ku jetojnë. Dy studiues të familjes shpjegojnë: “Gjatë gjithë historisë, martesa ka qenë së pari dhe mbi të gjitha një institucion për lindjen dhe rritjen e fëmijëve. Ajo ka siguruar nyjen kulturore që kërkon të lidhë babanë me fëmijët e tij duke e angazhuar atë ndaj nënës së fëmijëve të tij. Megjithatë, në kohët aktuale, fëmijët gjithmonë e më shumë po largohen nga qendra e vëmendjes.”12

Një profesor i ligjit në Harvard përshkruan ligjin dhe qëndrimin aktual kundrejt martesës dhe divorcit: “Historia [aktuale] amerikane mbi martesën, siç tregohet nga ligji dhe në literaturën shumë të përhapur, është diçka si kjo: martesa është një marrëdhënie që ekziston kryesisht për përmbushjen e bashkëshortëve individualisht. Nëse pushon së kryeri këtë funksion, askujt nuk i vihet faj dhe secili prej bashkëshortëve mund ta përfundojë atë sipas dëshirës. … Fëmijët mezi shfaqen në histori; më së shumti ata janë personazhe disi të turbullt në sfond.”13

Udhëheqësit e Kishës sonë kanë dhënë mësim se ta shohësh martesën “si një kontratë të thjeshtë ku mund të hysh sipas qejfit … dhe mund ta prishësh në vështirësinë e parë … është një veprim i lig që meriton dënim të rreptë”, veçanërisht aty ku “fëmijëve do t’u shkaktohet vuajtje”14. Dhe fëmijët ndikohen nga divorcet. Më shumë se gjysma e divorceve në një nga vitet e fundit, përfshiu çifte me fëmijë në moshë të mitur.15

Shumë fëmijë do të kishin pasur bekimin e rritjes nga të dy prindërit e tyre vetëm nëse prindërit do të kishin ndjekur këtë mësim të frymëzuar në proklamatën mbi familjen: “Bashkëshorti dhe bashkëshortja kanë një përgjegjësi solemne të duan dhe të kujdesen për njëri-tjetrin dhe për fëmijët e tyre. … Prindërit kanë një detyrë të shenjtë për të rritur fëmijët e tyre me dashuri dhe drejtësi, për të plotësuar nevojat e tyre fizike dhe shpirtërore dhe për t’i mësuar ata ta duan e t’i shërbejnë njëri-tjetrit.”16 Mësimdhënia më e fuqishme për fëmijët është nëpërmjet shembullit të prindërve të tyre. Prindërit që divorcohen, pashmangshmërisht japin një mësim negativ.

Sigurisht ka raste kur një divorc është i domosdoshëm për të mirën e fëmijëve, por këto rrethana janë tepër të rralla17. Në shumicën e grindjeve martesore, prindërit që grinden, duhet t’u japin shumë më tepër peshë interesave të fëmijëve. Me ndihmën e Zotit, ata mund ta bëjnë këtë. Fëmijëve u nevojitet forca emocionale dhe personale që vjen nga rritja prej të dy prindërve, të cilët janë të bashkuar në martesën e tyre dhe synimet e tyre. Si një njeri që u rrita nga një nënë e ve, e di nga përvoja personale se kjo nuk mund të arrihet gjithmonë, por është ideali që duhet të kërkohet kurdoherë që është e mundur.

Fëmijët janë viktimat e para të ligjeve aktuale që lejojnë të ashtuquajturit “divorce pa përgjegjës”. Nga këndvështrimi i fëmijëve, divorci është tepër i lehtë. Duke përmbledhur dekada kërkimesh në shkencat shoqërore, një studiues i kujdesshëm arriti në përfundimin se “struktura familjare që prodhon rezultatet më të mira për fëmijët, mesatarisht, përbëhet nga dy prindërit biologjikë që mbeten të martuar”18. Një autor në New York Times vuri re “faktin mbresëlënës se edhe pse martesa tradicionale është dobësuar në Shtetet e Bashkuara … janë rritur provat për rëndësinë e këtij institucioni për mirëqenien e fëmijëve”19. Ky realitet duhet të japë udhërrëfim të rëndësishëm për prindërit [aktualë] dhe prindërit e ardhshëm në vendimet e tyre në lidhje me martesën dhe divorcin. Neve na duhet gjithashtu që politikanët, politikëbërësit dhe nëpunësit ta shtojnë vëmendjen e tyre ndaj asaj që është më e mira për fëmijët përkundër interesave egoiste të votuesve dhe të zëdhënësve të interesave të të rriturve.

Fëmijët bëhen gjithashtu viktima nga martesat që nuk kryhen. Pak fakte mbi mirëqenien e brezit tonë të ri janë më shqetësuese sesa raporti aktual se 41 për qind e të gjitha lindjeve në Shtetet e Bashkuara u kryen nga gra që nuk ishin të martuara20. Nënat e pamartuara kanë sfida të gjera dhe provat janë të qarta që fëmijët e tyre janë në situatë të rëndësishme të pafavorshme në krahasim me fëmijët e rritur nga prindër të martuar.21

Shumica e fëmijëve të lindur nga nëna të pamartuara – 58 për qind – u lindën nga çifte që po bashkëjetonin22. Çfarëdo gjëje që mund të themi për këto çifte që nuk po martohen, studimet tregojnë se fëmijët e tyre vuajnë situata të rëndësishme të pafavorshme në krahasim me fëmijët e tjerë.23 Për fëmijët, qëndrueshmëria relative e martesës ka rëndësi.

Ne duhet të hamendësojmë të njëjtat situata të pafavorshme për fëmijët që rriten nga çifte të së njëjtës gjini. Literatura e shkencave shoqërore është e diskutueshme dhe me ngarkesë politike për ndikimet afatgjata të saj mbi fëmijët, kryesisht sepse, siç vërejti një autor i New York Times, “martesa brenda së njëjtës gjini është një eksperiment shoqëror dhe, ashtu si për shumicën e eksperimenteve, do të duhet kohë për të kuptuar pasojat e saj”24.

III.

Unë kam folur në emër të fëmijëve – të fëmijëve gjithandej. Disa njerëz mund të mos i pranojnë disa prej këtyre shembujve, por askush nuk duhet t’i bëjë qëndresë lutjes që të bashkohemi për të rritur interesimin tonë për mirëqenien dhe të ardhmen e fëmijëve tanë – brezit të ri.

Ne po flasim për fëmijët e Perëndisë dhe, me ndihmën e Tij të fuqishme, mund të bëjmë më shumë për t’i ndihmuar ata. Në këtë lutje unë u drejohem jo vetëm shenjtorëve të ditëve të mëvonshme por gjithashtu edhe të gjithë njerëzve me besim fetar dhe të tjerëve që kanë një sistem vlerash, i cili i bën t’ua nënshtrojnë nevojat e tyre personale atyre të njerëzve të tjerë, veçanërisht mirëqenies së fëmijëve.25

Njerëzit fetarë gjithashtu janë të vetëdijshëm për mësimin e Shpëtimtarit në Dhiatën e Re se fëmijët e vegjël e të dëlirë janë modele për rolet tona për sa i përket përulësisë dhe aftësisë për të marrë mësim:

“Në të vërtetë po ju them: në qoftë se nuk ktheheni dhe nuk bëheni si fëmijët e vegjël, ju nuk do të hyni fare në mbretërinë e qiejve.

Kush, pra, do të përulet si ky fëmijë i vogël, do të jetë më i madhi në mbretërinë e qiejve” (Mateu 18:3–4).

Në Librin e Mormonit ne lexojmë për Zotin e ngritur që u mëson nefitëve se ata duhet të pendohen dhe të pagëzohen “dhe të bëhe[n] si një fëmijë i vogël” ose nuk do të mund të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë (3 Nefi 11:38; shih edhe Moroni 8:10).

Unë lutem që ne do të përulemi si fëmijë të vegjël dhe do të zgjatemi që t’i mbrojmë fëmijët tanë të vegjël, sepse ata janë e ardhmja për ne, për Kishën tonë dhe për kombet tona. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shih UNICEF, The State of the World’s Children 2005: Childhood Under Threat (2004), f. 26.

  2. Shih Haya El Nasser, “National Birthrate Lowest in 25 Years”, USA Today, 26 korrik 2012, A1.

  3. Shih Gilda Sedgh and others, “Induced Abortion: Incidence and Trends Worldwide from 1995 to 2008”, The Lancet, vëll. 379, nr. 9816 (18 shkurt 2012), f. 625–632.

  4. Shih UNICEF, “Young Child Survival and Development”, http://www.unicef.org/childsurvival/index.html.

  5. Shih World Health Organization, World Health Statistics 2012 (2012), f. 109, 118.

  6. Report of Primary general presidency, 13 shtator 2012.

  7. Report of Primary general presidency.

  8. Shih Xhefri R. Holland, “Izrael, Izrael, Perëndia po Thërret”, (Sistemi Arsimor i Kishës, takim shpirtëror për të rinjtë në moshë madhore, 9 shtator 2012), si.lds.org; shih edhe R. Scott Lloyd, “Zion Not Only Where, but How We Live, Says Elder Holland”, Deseret News, 10 shtator 2012, B2.

  9. Shih Kim Painter, “Parents Can Inflict Deep Emotional Harm”, USA Today, 30 korrik 2012, B8; Rachel Lowry, “Mental Abuse as Injurious as Other Forms of Child Abuse, Study Shows”, Deseret News, 5 gusht 2012, A3.

  10. Shih “End the Abuses”, Deseret News, 12 qershor 2012, A10.

  11. Thomas S. Monson, “A Little Child Shall Lead Them”, Liahona, qershor 2002, 2.

  12. W. Bradford Wilcox and Elizabeth Marquardt, red., The State of Our Unions: Marriage in America (2011), f. 82.

  13. Mary Ann Glendon, Abortion and Divorce in Western Law: American Failures, European Challenges (1987), f. 108.

  14. David O. McKay, “Structure of the Home Threatened by Irresponsibility and Divorce”, Improvement Era, qershor 1969, f. 5.

  15. Shih Diana B. Elliott dhe Tavia Simmons, “Marital Events of Americans: 2009”, American Community Survey Reports, gusht 2011.

  16. “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, Liahona, nëntor 2010, f. 129.

  17. Shih Dallin H. Ouks, “Divorci”, Liahona, maj 2007, f. 71; Konferenca e Përgjithshme, prill 2007, f. 82.

  18. Charles Murray, Coming Apart: The State of White America, 1960–2010 (2012), f. 158.

  19. Ross Douthat, “Gay Parents and the Marriage Debate”, New York Times, 11 qershor 2012, http://douthat.blogs.nytimes.com/2012/06/11/gay-parents-and-the-marriage-debate.

  20. Shih Joyce A. Martin and others, “Births: Final Data for 2010”, National Vital Statistics Reports, vëll. 61, nr. 1 (gusht 2012), f. 10.

  21. Shih William J. Doherty and others, Why Marriage Matters: Twenty-One Conclusions from the Social Sciences (2002); W. Bradford Wilcox and others, Why Marriage Matters: Thirty Conclusions from the Social Sciences, bot. 3-të (2011).

  22. Shih Martin, “Births: Final Data for 2010”, f. 10–11.

  23. Shih Wilcox, Why Marriage Matters.

  24. Douthat, “Gay Parents and the Marriage Debate”. Studimet më të fundit dhe më të plota gjejnë situata të rëndësishme të pafavorshme raportuar nga të rinjtë në moshë madhore me një prind që ka pasur marrëdhënie brenda të njëjtës gjini përpara se fëmija të mbushte 18 vjeç (shih Mark Regnerus, “How Different Are the Adult Children of Parents Who Have Same-Sex Relationships? Findings from the New Family Structures Study”, Social Science Research, vëll. 41 [2012], f. 752–770).

  25. Shenjtorët e ditëve të mëvonshme janë veçanërisht të zotuar ndaj prindërimit si një nga synimet më të rëndësishme në jetë (shih Pew Research Center’s Forum on Religion and Public Life, Mormons in America: Certain in Their Beliefs, Uncertain of Their Place in Society, 12 janar 2012, f. 10, 16, 51).