2010–2019
Shihini të Tjerët ashtu siç Mund të Bëhen
Tetor 2012


Shihini të Tjerët ashtu siç Mund të Bëhen

Ne duhet të zhvillojmë aftësinë për t’i parë njerëzit jo siç janë në këtë çast, por si mund të bëhen.

Vëllezër të mi të dashur, dy herë në vit kjo Qendër madhështore e Konferencave mbushet plot me mbajtës të priftërisë së Perëndisë, ndërsa mblidhemi për të dëgjuar mesazhet e frymëzimit. Ka një ndjenjë të mrekullueshme shpirtërore që përhapet në mbledhjen e përgjithshme të priftërisë të Kishës. Kjo ndjenjë shpirtërore buron nga Qendra e Konferencave dhe hyn në çdo ndërtesë ku mblidhen bijtë e Perëndisë. Ne me siguri e kemi ndier atë ndjenjë shpirtërore sonte.

Disa vite më parë, përpara se të ndërtohej kjo Qendër e bukur e Konferencave, një vizitor te Sheshi i Tempullit në Solt-Lejk-Siti mori pjesë në një sesion të konferencës së përgjithshme në Tabernakull. Ai dëgjoi mesazhet e Vëllezërve. Ai u kushtoi vëmendje lutjeve. Ai dëgjoi muzikën e bukur nga Kori i Tabernakullit. Ai u mahnit nga madhështia e organos së mrekullueshme të Tabernakullit. Pasi përfundoi mbledhja, ai u dëgjua tek thoshte: “Do të jepja gjithçka që kam nëse do ta dija se ajo që këta folës thanë sot ishte e vërtetë”. Në thelb ai po thoshte: “Do të doja që të kisha një dëshmi për ungjillin”.

Nuk ka absolutisht asnjë gjë në këtë botë që do të sillte më shumë ngushëllim dhe lumturi sesa një dëshmi e së vërtetës. Unë besoj se çdo burrë apo i ri këtu sonte ka një dëshmi, ndonëse dëshmitë e tyre ndryshojnë nga shkalla e fuqisë. Nëse ndieni se nuk e keni ende thellësinë e dëshmisë që do të donit, unë ju këshilloj të punoni për ta arritur një dëshmi të tillë. Nëse është e fortë dhe e thellë, punoni që ta mbani të tillë. Sa të bekuar jemi që kemi njohurinë e së vërtetës!

Mesazhi im sonte, vëllezër, është se ka individë të panumërt që pikërisht tani kanë një dëshmi të vogël ose asnjë dëshmi, megjithatë, ata mund dhe do ta marrin një dëshmi të tillë nëse ne do të jemi të gatshëm të bëjmë përpjekje për ta ndarë atë dhe për t’i ndihmuar ata të ndryshojnë. Në disa rase ne mund të ofrojmë nxitjen për ndryshim. Së pari, do t’u drejtohem atyre që janë anëtarë, por që aktualisht nuk janë zotuar plotësisht ndaj ungjillit.

Shumë vite më parë, në një konferencë zone të mbajtur në Helsinki, në Finlandë, dëgjova një mesazh të fuqishëm, të paharrueshëm e nxitës të dhënë gjatë një sesioni për nënat dhe bijat. Nuk e kam harruar atë mesazh, ndonëse kanë kaluar pothuaj 40 vjet që kur e dëgjova atë. Midis shumë të vërtetave për të cilat diskutoi folësja, ajo tha se një grua ka nevojë që t’i thuhet se është e bukur. Ka nevojë që t’i thuhet se është e çmuar. Ka nevojë që t’i thuhet se ka vlerë.

Vëllezër, e di që burrat janë shumë të ngjashëm me gratë në këtë aspekt. Ne kemi nevojë që të na thuhet se jemi të çmuar, se jemi të zotë dhe kemi vlerë. Ne kemi nevojë të na jepet mundësia për të shërbyer. Për ata anëtarë që nuk janë aktivë apo janë ngurrues për të qenë aktivë, ne mund të kërkojmë me lutje ndonjë mënyrë për t’i ndihmuar. T’u kërkojmë atyre që të shërbejnë në disa pozicione mund të jetë thjesht stimuli që iu nevojitet për t’u kthyer në aktivitet të plotë. Por ata udhëheqës që mund të ndihmojnë në këtë aspekt, ndonjëherë nuk janë të gatshëm ta bëjnë këtë. Ne duhet ta ngulisim në mendje që njerëzit mund të ndryshojnë. Ata mund t’i lënë pas veset e këqija. Ata mund të pendohen për shkeljet. Ata mund ta mbajnë priftërinë me denjësi. Dhe mund t’i shërbejnë Zotit me zell. Më lejoni të jap disa shembuj.

Kur u bëra së pari anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, pata mundësinë të shoqëroja Presidentin N. Eldon Taner, këshilltar i Presidentit Dejvid O. Mek-Kei, në një konferencë kunji në Alberta të Kanadasë. Gjatë mbledhjes, presidenti i kunjit lexoi emrat e katër vëllezërve që ishin kualifikuar për t’u shuguruar pleq. Këta ishin burra të cilët Presidenti Taner i njihte, pasi dikur kishte jetuar në atë zonë. Por Presidenti Taner i njihte dhe i mbante mend se si qenë dikur, dhe nuk e dinte që ata kishin ndryshuar krejtësisht jetën e tyre dhe ishin kualifikuar plotësisht për t’u bërë pleq.

Presidenti i kunjit lexoi emrin e burrit të parë dhe i kërkoi të ngrihej në këmbë. Presidenti Taner më pëshpëriti: “Shikoje atë. Nuk e mendova kurrë se do t’ia dilte.” Presidenti i kunjit lexoi emrin e burrit të dytë, dhe ai u ngrit në këmbë. Presidenti Taner më shtyu lehtë sërish dhe shfaqi habinë e tij. Dhe kështu qe me që të katërt vëllezërit.

Pas mbledhjes, Presidenti Taner dhe unë patëm mundësinë t’i përgëzonim këta katër vëllezër. Ata kishin treguar se njerëzit mund të ndryshojnë.

Gjatë viteve 1940 dhe 1950, një drejtor amerikan burgu, Klinton Dafi, ishte i njohur për përpjekjet e tij për të riaftësuar burrat në burgun e tij. Një kritik tha: “A nuk e dini se ujku qimen e ndërron por zakonin s’e harron?”

Drejtori Dafi u përgjigj: “Ti duhet ta dish se unë nuk punoj me ujqër. Unë punoj me njerëz dhe njerëzit ndryshojnë çdo ditë.”1

Shumë vite më parë, pata mundësinë për të shërbyer si president i Misionit të Kanadasë. Atje kishim një degë me një numër shumë të vogël mbajtësish të priftërisë. Ne gjithmonë kishim një misionar që kryesonte në degë. Unë mora një mbresë të fortë se ne duhej të kishim një anëtar të degës që të kryesonte.

Ne kishim një anëtar të rritur në degë, i cili ishte dhjak në Priftërinë Aarone, por që nuk merrte pjesë ose nuk përfshihej mjaftueshëm sa të përparonte në priftëri. U ndieva i frymëzuar që t’i jepja atij thirrjen si president dege. Do ta kujtoj gjithnjë ditën që pata intervistën me të. I thashë se Zoti më kishte frymëzuar që t’i jepja thirrjen për të qenë president i degës. Pas shumë kundërshtimesh nga ana e tij dhe shumë inkurajim nga ana e bashkëshortes së tij, ai tha se do të shërbente. E shugurova prift.

Ishte fillimi i një dite të re për atë burrë. Jeta e tij menjëherë u rregullua dhe ai më siguroi se do t’i jetonte urdhërimet siç pritej që t’i jetonte. Në pak muaj ai u shugurua plak. Ai dhe bashkëshortja e tij përfundimisht shkuan në tempull dhe u vulosën. Fëmijët e tyre shërbyen në misione dhe u martuan në shtëpinë e Zotit.

Ndonjëherë t’ua bëjmë të ditur vëllezërve tanë se kemi nevojë për ta dhe se i çmojmë, mund t’i ndihmojë të ndërmarrin atë hap drejt zotimit dhe aktivitetit të plotë. Kjo mund të jetë e vërtetë për mbajtësit e priftërisë pavarësisht moshës. Është përgjegjësia jonë t’u japim atyre mundësinë që të jetojnë siç duhet. Ne mund t’i ndihmojmë ata t’i mposhtin të metat e tyre. Ne duhet të zhvillojmë aftësinë për t’i parë njerëzit jo siç janë në këtë çast, por si mund të bëhen kur të marrin dëshmi të ungjillit të Krishtit.

Një herë mora pjesë në një mbledhje në Ledvill të Kolorados. Ledvilli ndodhet në një lartësi mbi 3.000 m. E mbaj mend atë mbledhje të veçantë për shkak të lartësisë së madhe, por gjithashtu e mbaj mend për shkak të asaj që ndodhi atë mbrëmje. Atje ishin të pranishëm vetëm një numër i vogël mbajtësish të priftërisë. Sikurse me degën në Misionin Kanadez, ajo degë kryesohej nga një misionar dhe gjithmonë ishte kryesuar nga një i tillë.

Atë natë patëm një mbledhje të këndshme, por ndërsa po këndonim himnin e mbylljes, më erdhi frymëzimi se atje duhej të kryesonte një president dege vendor. U ktheva nga presidenti i misionit dhe e pyeta: “A ndodhet këtu dikush që mund të kryesojë – një burrë nga vendi?”

Ai u përgjigj: “Nuk njoh ndonjë”.

Gjatë këndimit të asaj kënge pashë me kujdes burrat që ishin ulur në tre rreshtat e parë. Vëmendja ime u duk se u përqendrua te njëri prej vëllezërve. “A mundet ai të shërbejë si president dege?”, i thashë presidentit të misionit.

Ai u përgjigj: “Nuk e di. Ndoshta mundet.”

Unë i thashë: “President, do ta marr atë në sallën tjetër dhe do ta intervistoj. Ti fol pas himnit të mbylljes derisa ne të kthehemi.”

Kur të dy ne u kthyem në sallë, presidenti i misionit e mbylli dëshminë e tij. Unë prezantova emrin e vëllait që do të ishte presidenti i ri i degës. Nga ajo ditë e më tej, Ledvill në Kolorado, ka një anëtar nga vendi që e drejton njësinë.

I njëjti parim, vëllezër, zbatohet ndaj atyre që nuk janë ende anëtarë. Ne duhet ta zhvillojmë aftësinë për t’i parë njerëzit jo siç janë, por si mund të bëhen kur të jenë anëtarë të Kishës, kur të kenë një dëshmi për ungjillin dhe kur jeta e tyre të jetë në përputhje me mësimet e tij.

Kohë më parë në vitin 1961 u mbajt një konferencë mbarëbotërore për presidentët e misioneve dhe çdo president misioni në Kishë u soll në Solt-Lejk-Siti për këto mbledhje. Unë erdha në Solt-Lejk-Siti nga misioni im në Toronto, Kanada.

Në një mbledhje të veçantë, N. Eldon Taner, i cili atëherë ishte Ndihmës i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve, sapo ishte kthyer nga përvoja e tij fillestare e kryesimit në misionet në Britaninë e Madhe dhe Europën perëndimore. Ai tregoi për një misionar që kishte qenë misionari më i suksesshëm, të cilin e kishte takuar në të gjitha intervistat që kishte kryer. Ai tha se ndërsa e intervistoi atë misionar, i tha: “Mendoj se të gjithë njerëzit të cilët i ke pagëzuar erdhën në Kishë me anë të rekomandimeve”.

Djali i ri u përgjigj: “Jo, ne i gjetëm të gjithë ata duke shpërndarë pamflete”.

Vëllai Taner e pyeti atë se cili qe ndryshimi lidhur me qasjen e tij – përse ai pati një sukses të tillë të jashtëzakonshëm kur të tjerët nuk e patën. Djali i ri i tha se ai u orvat të pagëzonte çdo person që takoi. Ai tha se nëse do të trokiste në derë dhe do të shihte një burrë duke pirë duhan dhe të veshur me veshje të vjetra, dhe në dukje pa interes për gjë – veçanërisht për fenë – misionari do ta përfytyronte atë në vetë mendjen e tij se si do të dukej ai burrë në një sërë rrethanash të ndryshme. Në mendjen e tij do ta shihte atë si të porsarruar dhe të veshur me këmishë të bardhë dhe pantallona të bardha. Dhe misionari do ta përfytyronte veten duke e drejtuar atë burrë në ujërat e pagëzimit. Ai tha: “Kur e shoh dikë në atë mënyrë, unë kam aftësinë t’ia tregoj atij dëshminë time në një mënyrë që mund të prekë zemrën e tij”.

Ne kemi përgjegjësinë t’i shohim në këtë mënyrë miqtë tanë, kolegët tanë, fqinjët tanë. Sërish, ne kemi përgjegjësinë për t’i parë individët jo siç janë, por përkundrazi, ashtu si mund të bëhen. Do t’ju lutesha që të mendoni për ta në këtë mënyrë.

Vëllezër, Zoti na tha diçka rreth rëndësisë së kësaj priftërie që ne mbajmë. Ai na tha se ne mund ta marrim atë me betim dhe besëlidhje. Ai na dha udhëzimin që ne duhet të jemi besnikë dhe të vërtetë në gjithçka që marrim, dhe se kemi përgjegjësinë për ta mbajtur këtë besëlidhje madje deri në fund. Dhe më pas gjithçka që Ati ka do të na jepet neve.2

Guxim është fjala që ne duhet të dëgjojmë dhe mbajmë pranë zemrave tona – guxim për t’ia kthyer krahët tundimit, guxim për të ngritur zërin tonë gjatë dëshmisë ndaj të gjithë atyre që takojmë, duke kujtuar se çdokush duhet të ketë mundësinë ta dëgjojë mesazhin. Për pjesën më të madhe nuk është një gjë e lehtë për ta bërë këtë. Por ne mund të arrijmë të besojmë në fjalët e Palit drejtuar Timoteut:

“Sepse Perëndia nuk na ka dhënë frymë frike, por force, dashurie dhe urtësie.

Mos ki turp, pra, të dëshmosh Zotin tonë.”3

Në maj të 1974-ës isha me vëllanë Xhon H. Groberg në ishujt tongan. Ne patëm një takim që të vizitonim mbretin e Tongës dhe shkuam me të në një mbledhje zyrtare. Ne shkëmbyem komplimentet e zakonshme. Megjithatë, përpara se të largoheshim, Xhon Grobergu tha diçka që ishte ndryshe nga zakonisht. Ai tha: “Madhëria juaj, ju vërtet duhet të bëheni mormon dhe nënshtetasit tuaj gjithashtu, pasi atëherë problemet tuaja dhe të atyre do të zgjidheshin në shkallë të gjerë”.

Mbreti buzëqeshi shumë dhe u përgjigj: “Xhon Groberg, ndoshta ke të drejtë”.

Mendova për Apostullin Pal përpara Agripës. Mendova për përgjigjen e Agripës ndaj dëshmisë së Palit: “Për pak dhe po ma mbush mendjen të bëhem i krishterë”4. Vëllai Groberg pati guximin ta ndante dëshminë e tij me një mbret.

Sonte ka mijëra mbajtës të priftërisë që po i shërbejnë Zotit me kohë të plotë si misionarë të Tij. Në përgjigje të një thirrjeje për mision, ata kanë lënë pas shtëpinë, familjen, miqtë e shkollën dhe kanë shkuar përpara për të shërbyer. Ata të cilët nuk e kuptojnë, bëjnë pyetjen: “Përse përgjigjen me kaq dëshirë dhe japin me gatishmëri kaq shumë?”

Misionarët tanë mund të përgjigjen fare mirë me fjalët e Palit, atij misionari të pashoq të kohës së hershme: “Sepse, në qoftë se unë predikoj ungjillin, s’ka asgjë që unë të mburrem, sepse kjo është një nevojë që më është ngarkuar; edhe mjerë unë, po nuk predikova ungjillin!”5

Në shkrimet e shenjta nuk ka shpallje më të përshtatshme, përgjegjësi më detyruese dhe udhëzim më të drejtpërdrejtë sesa urdhërimi i dhënë nga Zoti i ringjallur ndërsa iu shfaq në Galile të njëmbëdhjetë dishepujve. Ai tha:

“Mua më është dhënë çdo pushtet në qiell e në tokë.

Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë,

dhe duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që unë ju kam urdhëruar. Dhe ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në mbarim të botës.”6

Ky urdhër hyjnor, i bashkuar me premtimin e tij të lavdishëm, është motoja jonë sot, sikurse qe në meridianin e kohës. Puna misionare është një tipar dallues i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Përherë ka qenë; gjithmonë do të jetë. Sikurse shpalli Profeti Jozef Smith: “Pas gjithçkaje që është thënë, detyra më e madhe dhe më e rëndësishme është të predikojmë Ungjillin”7.

Brenda dy viteve të shkurtër, të gjithë misionarët kohëplotë që shërbejnë aktualisht në këtë ushtri madhështore të Perëndisë, do t’i kenë përfunduar punët e tyre me kohë të plotë dhe do të jenë kthyer në shtëpitë e tyre dhe tek të dashurit e tyre. Zëvendësuesit e tyre gjenden sonte te mbajtësit e Priftërisë Aarone të Kishës. Të rinj, a jeni gati të përgjigjeni? A jeni të gatshëm të punoni? A jeni të përgatitur të shërbeni?

Presidenti Xhon Tejlor i përmblodhi kërkesat: “Lloji i burrave që ne dëshirojmë si mbajtës të këtij mesazhi të ungjillit janë burrat që kanë besim në Perëndi; burrat që kanë besim në fenë e tyre; burrat që e nderojnë priftërinë e tyre; … burra plot me Frymën e Shenjtë dhe fuqinë e Perëndisë[;] … burra të nderit, integritetit moral, virtytit dhe dëlirësisë”8.

Vëllezër, çdonjërit prej nesh i vjen urdhri për të ndarë ungjillin e Krishtit. Kur jeta jonë pajtohet me vetë standardet e Perëndisë, ata të cilët ndikohen nga ne, asnjëherë nuk do të shprehin vajtimin: “Korrja ka mbaruar, vera ka marrë fund dhe ne nuk kemi shpëtuar.”9

Bariu i përsosur i shpirtrave, misionari që shëlbeu njerëzimin, na dha sigurimin e Tij hyjnor:

“Dhe nëse është që ju duhet të punoni gjithë ditët tuaja për t’u shpallur pendim këtyre njerëzve dhe sillni qoftë edhe një shpirt tek unë, sa i madh do të jetë gëzimi juaj me të në mbretërinë e Atit tim!

Dhe tani, nëse gëzimi juaj do të jetë i madh me një shpirt që keni sjellë tek unë në mbretërinë e Atit tim, sa i madh do të jetë gëzimi juaj nëse do të më sillni shumë shpirtra!”10

Unë jap dëshminë time vetjake për Atë që i foli këto fjalë. Ai është biri i Perëndisë, Shëlbuesi ynë dhe Shpëtimtari ynë.

Lutem që do të kemi guximin të zgjasim dorën e miqësisë, këmbënguljen për t’u përpjekur e përpjekur sërish, dhe përulësinë e nevojshme për të kërkuar drejtim nga Ati ynë ndërsa përmbushim urdhrin tonë për të ndarë ungjillin. Përgjegjësinë e kemi ne mbi supe, vëllezër. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.