Urdhërimi i Parë i Madh

Nga Plaku Xhefri R. Holland,

i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve


Xhefri R. Holland
Duhet të bëjmë një jetë prej dishepulli të përkushtuar që të tregojmë dashurinë tonë për Zotin.

Nuk ka pothuaj asnjë grup njerëzish në histori për të cilët të kem më shumë dhembshuri sesa për njëmbëdhjetë apostujt e mbetur fill pas vdekjes së Shpëtimtarit të botës. Mendoj se ndonjëherë harrojmë sesa të papërvojë qenë ende ata dhe sesa tërësisht të varur nga Jezusi duhet të kenë qenë ata. Ai u tha atyre: “Ka kaq kohë që unë jam me ju dhe [ju] nuk më ke[ni] njohur akoma …?”1

Por, sigurisht, sipas tyre Ai thuajse nuk kishte qenë aq gjatë sa duhet me ta. Tre vjet nuk përbëjnë shumë kohë për të thirrur një Kuorum të tërë të Dymbëdhjetë Apostujve prej një grushti të kthyerish të rinj në besim, të largosh prej tyre gabimin e zakoneve të vjetra, t’u mësosh mrekullitë e ungjillit të Jezu Krishtit dhe pastaj t’i lësh të bëjnë përpara me punën derisa edhe ata u vranë. Një e ardhme pothuaj tronditëse për këtë grup pleqsh të saposhuguruar.

Veçanërisht pjesa kur do të liheshin vetëm. Jezusi në mënyrë të përsëritur ishte përpjekur t’u thoshte se nuk do të ishte fizikisht i pranishëm me ta, por ata ose nuk mundeshin ose nuk donin ta kuptonin një mendim kaq pikëllues. Marku shkruan:

“Ai … i mësonte dishepujt e vet dhe u thoshte atyre: ‘Së shpejti Biri i njeriut do të dorëzohet në duart e njerëzve dhe ata do ta vrasin; dhe, pasi të jetë vrarë, ai do të ringjallet ditën e tretë.

Por ata nuk i kuptonin këto fjalë dhe kishin frikë ta pyesnin.”2

Pastaj, pas një kohe aq të shkurtër mësimi [prej Krishtit] e pas edhe më pak kohë përgatitjeje, e papërfytyrueshmja ndodhi, e pabesueshmja qe e vërtetë. Zoti dhe Mësuesi i tyre, Këshilltari e Mbreti i tyre, u kryqëzua. Shërbesa e Tij në vdekshmëri mbaroi dhe Kisha e vogël e në vështirësi që Ai kishte themeluar, dukej e dënuar me përçmim dhe e paracaktuar për t’u shuar. Apostujt e Tij e panë në gjendjen e Tij të ringjallur por edhe kjo vetëm ua shtoi hutimin. Siç, me siguri, duhet të kenë pyetur veten: “Çfarë të bëjmë tani?” ata iu drejtuan për përgjigje Pjetrit, apostullit më të vjetër në shërbesë.

Këtu kërkoj tolerancën tuaj teksa marr pak liri të portretizoj vetë, jo prej shkrimeve të shenjta, atë që këmbyen ata me njëri-tjetrin. Në thelb, Pjetri u tha bashkëpunëtorëve të tij: “Vëllezër, kanë qenë tre vite të lavdishme. Asnjëri nga ne nuk mund t’i kishte përfytyruar kaq pak muaj më parë mrekullitë që kemi parë dhe përvojat hyjnore që kemi gëzuar. Ne kemi folur, jemi lutur e kemi punuar pikërisht me Birin e Vetë Perëndisë. Kemi ecur me Të e kemi qarë me Të dhe natën e atij fundi të tmerrshëm, asnjëri nuk qau më me hidhërim se unë. Por kjo ka mbaruar. Ai ka mbaruar punën e Tij dhe është ngritur nga varri. Ai ka punuar për shpëtimin e Tij dhe tonin. Pra ju pyesni: ‘Çfarë të bëjmë tani?’ Nuk di çfarë t’ju them më shumë sesa që t’i ktheheni jetës suaj të mëparshme me gëzim. Unë kam ndërmend të ‘shkoj të peshkoj’.” Dhe të paktën gjashtë nga dhjetë apostujt e tjerë të mbetur thanë duke rënë dakord: “Po vijmë edhe ne me ty”. Gjoni, i cili qe njëri prej tyre, shkruan: “Dolën dhe hipën menjëherë në barkë”3.

Por, për të ardhur keq, peshkimi nuk doli shumë mirë. Natën e tyre të parë të kthimit në liqen ata nuk kapën asgjë – as dhe një peshk të vetëm. Në kohën e daljes së rrezeve të para të agimit, u kthyen të zhgënjyer në drejtim të bregut, ku panë në largësi një siluetë që u thirri: “O djema, a keni kapur ndonjë gjë?” Të zymtë, këta apostuj-të-kthyer-sërish-në-peshkatarë dhanë përgjigjen që asnjë peshkatar nuk dëshiron ta japë. “Nuk kemi kapur asgjë”, mërmëritën dhe, për t’i shtuar fyerje situatës së pafavorshme, ata po thirreshin “djema”4.

“Hidhni rrjetën në anën e djathtë të barkës dhe do të gjeni”5, thërret i huaji – dhe nga ato fjalë të thjeshta, ata shpejt fillojnë ta dallojnë Atë. Vetëm tre vjet më parë po këta burra kishin qenë duke peshkuar në po këtë det. Edhe në atë rast ishin “mundua[r] gjithë natën dhe nuk [kishin] z[ënë] asgjë”6, thotë shkrimi i shenjtë. Por një shok galileas në bregdet u kishte thirrur që t’i hidhnin [prapë] rrjetat e tyre dhe ata kishin zënë “një sasi … të madhe peshku”7 aq sa iu shqyen rrjetat, sasia e kapur mbushte dy barka aq rëndë sa filluan të fundosen.

Tani po ndodhte sërish. Këta “djema” siç u thirrën me të drejtë, i ulën rrjetat e tyre me padurim dhe “s’mundën … ta tërhiqnin nga shumica e peshqve”8. Gjoni tha atë që qe e qartë: “Është Zoti”9. Dhe Pjetri i papërmbajtshëm u hodh nga skaji i barkës.

Pas një ribashkimi të gëzuar me Jezusin e ringjallur, Pjetri pati një bisedë me Shpëtimtarin që e quaj pikën vendimtare të kthesës për shërbesën apostullore në përgjithësi dhe sigurisht për Pjetrin në veçanti, duke e frymëzuar këtë njeri të madh të quajtur shkëmb drejt një jete madhështore shërbimi dhe udhëheqjeje të përkushtuar. Duke vështruar barkat e tyre të dëmtuara, rrjetat e tyre të holluara dhe një grumbull të habitshëm prej 153 peshqish, Jezusi i tha apostullit të Tij më të vjetër: “Pjetër, a më do ti Mua më shumë se gjithë këto?” Pjetri tha: “Po, Zot, ti e di se unë të dua”10.

Shpëtimtari iu përgjigjet këtyre fjalëve, por vazhdon të shikojë në sytë e dishepullit të Tij dhe thotë sërish: “Pjetër, a më do ti Mua?” Me siguri i hutuar disi nga përsëritja e pyetjes, peshkatari i madh përgjigjet për herë të dytë: “Po, Zot, ti e di se unë të dua”11.

Shpëtimtari sërish jep një përgjigje të shkurtër, por me vështrimin ngultas pyet për të tretën herë: “Pjetër, a më do ti Mua?” Me siguri tashmë Pjetri ndihet vërtet në siklet. Ndoshta në zemrën e tij qëndron kujtimi i vetëm disa ditëve më parë kur i ishte bërë një pyetje tjetër tri herë dhe të cilës i ishte përgjigjur me të njëjtën forcë – por në mënyrë mohuese. Ose ndoshta filloi të pyeste veten se mos e keqkuptoi pyetjen e Mësuesit Zot. Ose ndoshta po hetonte zemrën e vet, duke kërkuar konfirmim të ndershëm të përgjigjes që kishte dhënë aq lehtë, pothuajse vetvetishëm. Pavarësisht ndjenjave të veta, Pjetri tha për të tretën herë: “Zot, … ti di se unë të dua”12.

Të cilës Jezusi iu përgjigj (dhe këtu përsëri pranoj se po jap rrëfimin tim, jo nga shkrimet e shenjta), ndoshta duke thënë diçka të tillë: “Atëherë përse je këtu, Pjetër? Përse jemi kthyer në po të njëjtin breg, pranë po të njëjtave rrjeta, duke bërë po të njëjtën bisedë? A nuk qe e qartë që atëherë dhe a nuk është e qartë tani se nëse dua peshk, mund ta siguroj vetë peshkun? Pjetër, ajo çfarë më duhet janë dishepujt – dhe më duhen përgjithmonë. Më duhet dikush që të kujdeset për delet e mia e të shpëtojë qengjat e mi. Më duhet dikush që të predikojë ungjillin tim e të mbrojë fenë time. Më duhet dikush që më do, që më do plotësisht me të vërtetë dhe e ka për zemër atë që Ati ynë në Qiell më ka thirrur të bëj. Mesazhi ynë nuk është i pafuqi. Nuk është detyrë e përkohshme. Ai nuk është i pafat, nuk është i pashpresë; nuk ka për t’iu dorëzuar hirit të historisë në harresë. Është puna e të Plotfuqishmit dhe ka për të ndryshuar botën. Kështu që për herë të dytë dhe supozoj për herë fundit, Pjetër, po të kërkoj që ta lësh të gjithë këtë dhe të shkosh të japësh mësim e të dëshmosh, të punosh e të shërbesh me besnikëri deri ditën që ata do të bëjnë me ty pikërisht atë që bënë me Mua.”

Pastaj, duke u kthyer nga të gjithë apostujt, Ai mund të ketë thënë diçka të tillë: “A ishit ju po aq marrëzisht të nxituar sa skribët dhe farisenjtë? Sa Herodi e Pilati? A menduat ju, si ata, që kjo punë mund të shuhej thjesht duke më vrarë mua? A menduat ju, si ata, që kryqi dhe gozhdët e varri qenë fundi i gjithë kësaj dhe që secili mund të kthehej hareshëm për të qenë ai njeri çfarëdo që ishte më parë? Djema a nuk jua preku zemrën më thellësisht se kaq jeta ime dhe dashuria ime?”

Vëllezërit e motrat e mia të dashura, nuk jam i sigurt tamam se si do të jetë përvoja jonë Ditën e Gjykimit, por do të jem shumë i habitur nëse, në një çast të caktuar gjatë asaj bisede, Perëndia nuk na pyet pikërisht atë që Krishti i pyeti Pjetrit: “A më doje Mua?” Mendoj se Ai do të dëshirojë të dijë nëse pikërisht në kuptimin tonë të vdekshëm e të papërshtatshëm dhe ndonjëherë fëmijëror të gjërave, a ia arritëm të paktën të kuptonim një urdhërim, të parin dhe më të madhin e të gjithë urdhërimeve – “Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë forcën tënde dhe me gjithë mendjen tënde”13. Dhe nëse në një çast të tillë mund t’ia dalin në një farë mënyre të themi: “Po, Zot, ti e di se unë të dua”, atëherë Ai mund të na kujtojë se tipari themelor i dashurisë është gjithmonë besnikëria.

“Nëse më doni, zbatoni urdhërimet e mia”14, tha Jezusi. Pra [tani] kemi fqinjë për të bekuar, fëmijë për të ruajtur, të varfër për të ngritur moralisht dhe të vërtetën për ta mbrojtur. Kemi gabime për të ndrequr, të vërteta për të shpërndarë dhe të mira për të bërë. Me pak fjalë, duhet të bëjmë një jetë prej dishepulli të përkushtuar që të tregojmë dashurinë tonë për Zotin. Ne nuk mund të dorëzohemi dhe nuk mund të kthehemi mbrapsht. Pas takimit me Birin e gjallë të Perëndisë së gjallë, asgjë nuk është kurrë më siç qe përpara. Kryqëzimi, Shlyerja dhe Ringjallja e Jezusit shënojnë fillimin e jetës së krishterë, jo fundin e saj. Qe kjo e vërtetë, ky realitet, që i mundësoi një grushti galileasish peshkatarë-të-kthyer-sërish-apostuj të cilët pa “as edhe një sinagogë apo shpatë”15 i lanë ato rrjeta për herë të dytë dhe nisën të gdhendnin historinë e botës në të cilën jetojmë tani.

U dëshmoj nga thellësia e zemrës sime, me gjithë forcën e shpirtit tim, të gjithëve që mund ta dëgjojnë zërin tim, se ato çelësa apostullore janë rivendosur në tokë dhe gjenden në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Atyre që ende nuk janë bashkuar me ne në këtë çështje të madhe finale të Krishtit, ne u themi: “Ju lutemi bëjeni atë”. Atyre që dikur qenë me ne por janë tërhequr, duke parapëlqyer të përzgjedhin e marrin pjesë në disa aspekte kulturore të Kishës pa marrë pjesë në bekimet e plota të Rivendosjes dhe duke lënë pjesën tjetër të festës, unë u them se kam frikë se përballeni me shumë net të gjata dhe rrjeta të zbrazura. Thirrja është që të ktheheni, të qëndroni të vërtetë, të doni Perëndinë dhe të jepni një dorë në ndërtimin e mbretërisë. Përfshij në këtë thirrje për besnikëri të palëkundur çdo misionar të kthyer që ka qëndruar ndonjëherë në një vaskë pagëzimi dhe me krahun e ngritur katror ka thënë: “Duke qenë i autorizuar nga Jezu Krishti”16. Ai autorizim kishte qëllim ta ndryshonte përgjithmonë njeriun tuaj të kthyer në besim; por sigurisht që mendohet t’ju ketë ndryshuar edhe ju përgjithmonë. Rinisë së Kishës që po rriten për t’u përfshirë në misione, tempuj e martesë, i themi: “Duajeni Perëndinë dhe qëndroni të pastër nga gjaku e mëkatet e këtij brezi. Ju keni një punë madhështore për të bërë, të theksuar nga lajmërimi i mrekullueshëm që bëri Presidenti Tomas S. Monson dje në mëngjes. Ati juaj në Qiell pret nga ju besnikëri e dashuri në çdo etapë të jetës suaj.”

Të gjithëve që mund të dëgjojnë zërin tim, u them se zëri i Krishtit vjen kumbues përmes korridoreve të kohërave, duke e pyetur secilin prej nesh, ndërsa ka kohë: “A më do ti Mua?” Dhe për gjithsecilin prej nesh, unë përgjigjem me nder e me shpirt: “Po, Zot, ne të duam me të vërtetë”. Dhe pasi kemi vënë “dorë[n] [tonë] në parmendë”17, ne kurrë nuk do të shikojmë prapa derisa kjo punë të ketë mbaruar dhe dashuria për Perëndinë e fqinjin të sundojë botën. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Show References

  1.  

    1.  Gjoni 14:9.

  2.  

    2.  Marku 9:31–32.

  3.  

    3.  Gjoni 21:3.

  4.  

    4. Shih Gjoni 21:5.

  5.  

    5.  Gjoni 21:6.

  6.  

    6.  Lluka 5:5.

  7.  

    7.  Lluka 5:6.

  8.  

    8.  Gjoni 21:6.

  9.  

    9.  Gjoni 21:7.

  10.  

    10.  Gjoni 21:15.

  11.  

    11.  Gjoni 21:16.

  12.  

    12.  Gjoni 21:17.

  13.  

    13.  Lluka 10:27; shih edhe Mateu 22:37–38.

  14.  

    14.  Gjoni 14:15.

  15.  

    15. Frederic W. Farrar, The Life of Christ (1994), f. 656; shih kapitullin 62 për më shumë të dhëna mbi vështirësinë e kësaj Kishe të sapothemeluar.

  16.  

    16.  Doktrina e Besëlidhje 20:73.

  17.  

    17.  Lluka 9:62.