2010–2019
Zoti nuk Ju ka Harruar Juve
Tetor 2012


Zoti nuk Ju ka Harruar Juve

Ati ynë Qiellor dhe Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti, na njohin dhe na duan. … Ne mund ta ndiejmë dashurinë dhe dhembshurinë e Tyre gjatë vuajtjes sonë.

Kur takojmë motrat anembanë botës, mahnitemi nga forca e dëshmive tuaja. Kaq shumë prej jush janë anëtare të brezit të parë ose të dytë të Kishës. Ne shohim shumë motra duke shërbyer në thirrje të shumta, duke përshkuar distanca të gjata për të marrë pjesë në kishë dhe duke sakrifikuar për të bërë e mbajtur besëlidhjet e shenjta të tempullit. Ne ju nderojmë. Ju jeni pionieret e Zotit të kohës së sotme!

Kohët e fundit bashkëshorti im, Meli, dhe unë takuam një cicerone vullnetare të quajtur Molli Lenthël ndërsa vizituam një muze në Australi. Ne mësuam se Molli, një grua e dashur rreth të 70-ave, nuk kishte fëmijë dhe nuk ishte martuar asnjëherë. Ajo ishte fëmijë i vetëm dhe prindërit e saj kishin ndërruar jetë para shumë vitesh. Njerëzit e saj më të afërt janë dy kushërinj, të cilët jetojnë në një kontinent tjetër. Papritmas, u pushtova nga Shpirti që më dëshmonte, thuajse sikur Ati Qiellor po fliste: “Molli nuk është vetëm! Molli është bija ime! Unë jam i Ati! Ajo është një bijë shumë e rëndësishme në familjen time dhe nuk është asnjëherë vetëm!

Një ndër historitë e mia të parapëlqyera nga jeta e Shpëtimtarit, është ajo e Llazarit. Shkrimet e shenjta na tregojnë se “Jezusi e donte Martën, motrën e saj [Marian] dhe [vëllanë e tyre] Llazarin”1. Jezusit i çuan fjalë se Llazari qe shumë sëmurë, por Jezusi nuk shkoi fill; Ai qëndroi larg edhe dy ditë të tjera, duke shpallur se “kjo sëmundje … është … për lavdinë e Perëndisë, që nëpërmjet saj të përlëvdohet Biri i Perëndisë”2.

Me të dëgjuar se po vinte Jezusi, Marta “i doli përpara”3, duke i treguar Atij se çka kishte ndodhur. Llazari “ishte që prej katër ditësh në varr”4. Marta, e pikëlluar, vrapoi drejt shtëpisë për t’i treguar Marias se Zoti kishte ardhur.5 Maria, e rënduar nga hidhërimi, vrapoi drejt Jezusit, i ra ndër këmbë dhe qau.6

Ne na është thënë se “Jezusi, kur pa se [Maria] … po qan[te], [i] psherëtiu në frymë dhe u trondit”, dhe pyeti se ku e kishin vënë.

Ata i thanë: “Zot, eja e shih!”7.

Më pas, lexojmë disa nga fjalët më të dhembshura e të dashura në shkrimin e shenjtë: “Jezusi qau”8.

Apostulli Xhejms E. Talmeixh shkroi: “Të shikuarit e dy grave shumë të mposhtura nga pikëllimi … bëri që Jezusi të vajtonte [me to], saqë Ai psherëtiu në frymë dhe u trondit thellësisht”9. Kjo përvojë dëshmon për dhembshurinë, ndjeshmërinë dhe dashurinë që Shpëtimtari ynë dhe Ati ynë Qiellor ndiejnë për çdonjërin prej nesh çdo herë që ne rëndohemi nga vuajtja, mëkati, fatkeqësia dhe dhembjet e jetës.

Motra të dashura, Ati ynë Qiellor dhe Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti, na njohin dhe na duan. Ata e dinë se kur jemi në dhembje apo vuajtje të çfarëdo lloji. Ata nuk thonë: “S’ka problem që po kalon dhembje pikërisht tani sepse shpejt çdo gjë do të shkojë mirë. Ti do të shërohesh, ose bashkëshorti yt do të gjejë një punë apo fëmija juaj i larguar do të kthehet sërish.” Ata e ndiejnë thellësinë e vuajtjes sonë dhe ne mund ta ndiejmë dashurinë dhe dhembshurinë e Tyre gjatë vuajtjes sonë.

Alma dëshmoi:

“Dhe ai do të shkojë përpara, duke vuajtur dhimbje dhe hidhërime dhe tundime të çdo lloji; dhe kjo, që të plotësohet fjala që thotë se ai do të marrë përsipër dhembjet dhe sëmundjet e popullit të tij.

Dhe ai do të marrë përsipër … dobësitë e tyre, që zemra e tij të mund të mbushet me mëshirë, … që ai të mund të dijë, … sesi të ndihmojë popullin e tij sipas dobësive të tyre.”10

Kur ne pyesim veten nëse Shpëtimtari ynë dhe Ati ynë në Qiell na njohin ose se sa mirë na njohin ne personalisht, ne duhet të kujtojmë fjalët e Shpëtimtarit drejtuar Oliver Kaudrit:

“Në qoftë se ti dëshiron dëshmi të mëtejshme, sill ndër mend natën kur më bërtite në zemrën tënde, që të mund të dije lidhur me të vërtetën e këtyre gjërave”11.

Më përpara Shpëtimtari i shpalli atij: “S’ka asnjë tjetër, përveç Perëndisë, që i di mendimet e tua dhe qëllimet e zemrës tënde”12.

Shpëtimtari e kujtoi Oliverin se Ai e dinte çdo hollësi të asaj lutjeje përgjëruese – dhe e mbante mend kohën e saktë, natën.

Shumë vite më parë, bashkëshorti im u sëmur rëndë nga një sëmundje e rrallë. Ndërsa javët kalonin dhe sëmurej më tepër, u binda akoma dhe më shumë se ai po vdiste. Nuk i tregoja askujt për frikën time. Ne kishim një familje të madhe e të re dhe një martesë të lumtur e të përjetshme, dhe mendimi se do humbisja bashkëshortin tim dhe se do t’i rrisja fëmijët e vetme më mbushi me vetmi, dëshpërim dhe madje zemërim. Më vjen turp të them se u largova nga Ati im Qiellor. Për ditë të tëra pushova së luturi; rreshta së shpresuari; qava. Përfundimisht arrita të kuptoj se nuk mund ta bëja këtë e vetme.

Për herë të parë pas shumë ditësh, u gjunjëzova dhe i zbraza zemrën në lutje Atit tim në Qiell, duke iu përgjëruar për falje pasi isha larguar prej Tij, duke i treguar Atij gjithë ndjenjat e mia më të thella dhe përfundimisht duke i thënë se nëse kjo qe ajo që Ai vërtet donte që unë të bëja, unë do ta bëja. Unë e dija se Ai duhet të ketë një plan për jetën tonë.

Ndërsa vazhdova e gjunjëzuar të zbrazja zemrën time në lutje, më pushtoi ndjenja më e ëmbël, më e paqtë dhe e dashur. Ishte sikur po më mbulonte një batanije dashurie. Ishte sikur unë mund ta ndieja Atin Qiellor duke thënë: “Kjo qe e gjitha që Unë kisha nevojë të dija”. Vendosa që asnjëherë nuk do të largohesha sërish prej Tij. Gradualisht dhe mrekullisht, bashkëshorti im filloi ta merrte veten derisa u shërua plotësisht.

Vite më vonë, bashkëshorti im dhe unë u gjunjëzuam në krahë të vajzës sonë 17-vjeçare dhe u lutëm që jeta e saj të kursehej. Këtë herë përgjigjja qe “jo”, por po e njëjta ndjenjë dashurie dhe paqeje që Shpëtimtari ynë kishte premtuar ishte po aq e fuqishme dhe ne e dinim se, ndonëse Ati Qiellor po e thërriste atë në shtëpi, çdo gjë do të shkonte mirë. Ne kemi arritur të dimë se çfarë do të thotë të hedhim mbi Zotin barrat tona, të dimë se Ai na do dhe ndien dhembshuri për ne gjatë pikëllimeve dhe vuajtjeve tona.

Një nga çastet më të këndshme babë e bir në Librin e Mormonit është dëshmia e Alma të Riut kundrejt birit të tij Helamanit. Alma përshkroi “tmerr[in e] papërshkrueshëm” që ai ndieu ndërsa përfytyroi daljen në praninë e Perëndisë për t’u gjykuar për shkeljet e tij të shumta. Pasi ndieu dhembjen e të gjitha mëkateve të tij për tri ditë e tri netë, ai u pendua dhe iu përgjërua Shpëtimtarit që të kishte mëshirë për të. Ai i përshkroi Helamanit gëzimin “kaq të mrekulluesh[ëm] dhe kaq të ëmbël” të moskujtimit “më” të dhembjeve të tij. Në vend të ndjenjës së “tmerr[it] të papërshkrueshëm” gjatë mendimit të daljes përpara fronit të Perëndisë, Alma pa një vegim të “Perëndi[s]ë të ulur në fronin e tij” dhe shpalli: “Shpirti im donte të ishte aty”13.

A nuk është kjo mënyra se si ndihemi, motra të mia të dashura, teksa pendohemi dhe mendojmë për dashurinë, mëshirën dhe mirënjohjen që ndiejmë për Atin tonë Qiellor dhe Shpëtimtarin tonë – saqë edhe ne “[duam] që të [jemi] aty”, për t’u përqafuar edhe një herë nga krahët e Tyre të dashur?

Ashtu sikurse Zoti më ka dëshmuar mua që Ai nuk e ka harruar bijën e Tij të çmuar Molli Lenthëlin, unë dëshmoj se Ai nuk ju ka harruar juve! Çfarëdolloj mëkati ose dobësie apo dhembjeje ose lufte ose sprove që po kaloni, Ai i njeh dhe i kupton pikërisht ato çaste. Ai ju do! Dhe Ai do t’ju ndihmojë gjatë atyre çasteve, sikurse veproi me Marian dhe Martën. Ai e ka përjetuar vuajtjen tonë nëpërmjet Shlyerjes, që Ai të mund të dijë se si t’ju ndihmojë. Hidhini mbi Të barrat tuaja. Tregojini Atit tuaj Qiellor se si ndiheni. Tregojini Atij rreth dhembjes e vuajtjeve dhe më pas kalojani ato Atij. Studiojini shkrimet e shenjta çdo ditë. Atje gjithashtu do të gjeni ngushëllim dhe ndihmë të madhe.

Shpëtimtari ynë pyeti:

“Sepse, a mund të harrojë një grua foshnjën e gjirit, që ajo të mos ketë mëshirë për birin e barkut të saj? Po, ata mund të harrojnë, por unë nuk do të harroj. …

… Unë të kam gdhendur në pëllëmbët e duarve të mia.”14

“Kam urdhëruar që askush prej jush nuk duhet të largohet, por në vend të kësaj kam urdhëruar që ju të vini tek unë, që të mund të ndieni dhe të shihni; kështu madje, do të bëni ndaj botës.”15

Kjo është detyra jonë. Ne duhet të ndiejmë dhe të shohim për veten tonë, dhe më pas t’i ndihmojmë të gjithë fëmijët e Atit Qiellor të ndiejnë dhe të shohin e të dinë se Shpëtimtari ynë ka marrë mbi Vete jo vetëm të gjitha mëkatet tona por edhe dhembjet, vuajtjet dhe hidhërimet tona në mënyrë që Ai të mund të dijë se çfarë ndiejmë dhe se si të na ngushëllojë. Unë dëshmoj për Të, në emrin e Jezu Krishtit, amen.