Çfarë do të Japë Njeriu si Shkëmbim të Shpirtit të Vet?

Nga Plaku Robert C. Gei,

i Të Shtatëdhjetëve


Robert C. Gei
Ne duhet të heqim dorë nga të gjitha mëkatet tona, të mëdha ose të vogla, për shpërblimin e Atit, jetën e përjetshme.

Shpëtimtari një herë u bëri dishepujve të Tij pyetjen në vijim: “Çfarë do të japë njeriu si shkëmbim të shpirtit të vet?”1

Kjo është një pyetje që im atë më mësoi ta mendoja me maturi vite më parë. Ndërsa po rritesha, prindërit e mi më caktuan punë të përditshme përreth shtëpisë dhe më paguanin një shumë të vogël të hollash për atë punë. Shpesh ato para, pak më shumë se 50 qindarka në javë, i përdorja për të shkuar në kinema. Atëherë një biletë filmi kushtonte 25 qindarka për një 11-vjeçar. Më mbeteshin 25 qindarka për t’u shpenzuar me ëmbëlsira, që kushtonin 5 qindarka copa. Një film me pesë ëmbëlsira! Më mirë se kaq nuk bëhej.

Çdo gjë shkoi mirë derisa mbusha 12 vjeç. Një pasdite duke qëndruar në radhë, mora vesh se çmimi i biletës për një 12-vjeçar ishte 35 qindarka dhe kjo do të thoshte dy ëmbëlsira më pak. Jo shumë i përgatitur për ta bërë atë sakrificë, unë arsyetova me vete: “Ti dukesh njëlloj si një javë më parë”. Më pas hipa lart dhe kërkova një biletë 25 qindarkëshe. Sportelisti nuk më pa fare me sy hetues dhe unë bleva pesë ëmbëlsirat e mia të zakonshme në vend që të blija tri.

Më vonë, i ngazëllyer nga arritja ime, nxitova në shtëpi për t’i treguar tim eti për suksesin tim të madh. Kur po i tregoja hollësitë, ai nuk tha asgjë. Kur mbarova, ai thjesht më pa dhe tha: “Bir, a do të shisje shpirtin për një monedhë pesëqindarkëshe?” Fjalët e tij më therën në zemrën time 12-vjeçare. Është një mësim që nuk e kam harruar kurrë.

Vite më vonë, u gjenda duke i bërë po këtë pyetje një mbajtësi më pak aktiv të Priftërisë Melkizedeke. Ai ishte një burrë i mrekullueshëm që e donte familjen e tij. Megjithatë, nuk kishte qenë në kishë për shumë vite. Ai kishte një djalë të talentuar, i cili luante në një skuadër sportive tepër profesionale, e cila udhëtonte nëpër gara e që praktikohej dhe luante ndeshje të dielave. Ajo skuadër kishte fituar kampionate të shumta të rëndësishme. Kur u takuam, e kujtova atë se, si mbajtës i priftërisë, i qe premtuar se, nëse e lartësonte betimin dhe besëlidhjen e tij të priftërisë, ai do të merrte “gjithçka që Ati [ynë] ka”2. Më pas e pyeta: “A ja vlen një kampionat kombëtar më shumë se gjithçka që Ati ka?” Ai me butësi tha: “E kuptoj ku do të dalësh” dhe caktoi një takim për t’u takuar me peshkopin e tij.

Sot është kaq e lehtë të përfshihesh në poteren e botës – pavarësisht qëllimeve tona të mira. Bota na shtyn të “[shohim] përtej shenjës”3. Kohët e fundit dikush më pyeti: “A përbën vërtet problem një pije alkoolike?” A mund ta shihni se është pyetja e kundërshtarit? Kaini pyeti: “Kush është Zoti, që unë duhet ta njoh atë?”4 dhe më pas humbi shpirtin. Satani triumfon me vetëjustifikimin e mëkateve të vogla. Për një shishe qumësht5, një emër të shkruar gabim6, një supë të kuqe7, është bërë tregti me parabirnitë dhe trashëgimitë.

Kur marrim parasysh shkëmbimet e pesëqindarkëshit apo kampionatit kombëtar në jetën tonë, ne ose mund t’i vetëjustifikojmë veprimet tona, si Kaini, ose mund të përpiqemi t’i nënshtrohemi vullnetit të Perëndisë. Pyetja që na parashtrohet nuk është nëse jemi duke bërë gjëra që kanë nevojë të korrigjohen, pasi gjithmonë jemi duke i bërë ato. Përkundrazi, pyetja është, a do ta “mpak[im]” apo do ta “mbaro[jmë]” atë që kërkohet nga ne për të bërë vullnetin e Atit?8

Zoti e pëlqen drejtësinë tonë, por kërkon prej nesh pendim dhe nënshtrim të vazhdueshëm. Në Bibël lexojmë se qe një i ri pasanik, mbajtës i urdhërimeve, i cili u gjunjëzua përpara Shpëtimtarit dhe e pyeti se çfarë duhej të bënte që të kishte jetën e përjetshme. Ai u largua me keqardhje kur Shpëtimtari tha: “Një gjë të mungon; … shit të gjitha ato që ke”9.

Sidoqoftë, qe një njeri tjetër i pasur por prej botës, mbreti kryesor lamanit, babai i Lamonit, i cili gjithashtu bëri të njëjtën pyetje për jetën e përjetshme, duke thënë: “Çfarë duhet të bëj që të mund të lind nga Perëndia, duke shkulur këtë shpirt të keq nga gjoksi im dhe të marr Shpirtin e tij[?] … Unë do ta braktis mbretërinë time, që të mund të marr këtë gëzim të madh.”10

A e mbani mend përgjigjen që Zoti i dha mbretit përmes shërbëtorit të Tij, Aaronit? “Në qoftë se ti do të pendohesh për të gjitha mëkatet e tua dhe do të përulesh para Perëndisë dhe të thërrasësh emrin e tij me besim, duke besuar se do të marrësh, atëherë do të marrësh shpresën që dëshiron.”11

Kur mbreti e kuptoi sakrificën e kërkuar, ai e përuli veten dhe ra përmbys, dhe më pas u lut: “O Perëndi, … unë do t’i braktis të gjitha mëkatet e mia për të të njohur”12.

Ky është shkëmbimi që Shpëtimtari po kërkon prej nesh: ne duhet të heqim dorë nga të gjitha mëkatet tona, të mëdha ose të vogla, për shpërblimin e Atit, jetën e përjetshme. Ne duhet të harrojmë historitë vetëjustifikuese, shfajësimet, racionalizimet, mekanizmat mbrojtës, zvarritjet, pamjet e jashtme, krenarinë vetjake, mendimet gjykuese dhe bërjen e gjërave sipas mënyrës sonë. Ne duhet ta veçojmë veten nga të gjitha gjërat e botës dhe të marrim shëmbëlltyrën e Perëndisë në pamjen tonë.13

Vëllezër dhe motra, kujtoni se kjo detyrë është më shumë sesa thjesht mosbërja e gjërave të këqija. Për shkak se armiku ynë është aktiv, edhe ne duhet të veprojmë dhe jo të ulemi [në një gjendje] “të shkujdesur shtangësie”14. Të marrësh pamjen e Perëndisë do të thotë t’i shërbejmë njëri-tjetrit. Ka gjëra që bëjmë që janë të gabuara dhe gjëra që nuk i bëjmë që duhet t’i bëjmë, dhe ne duhet t’i shmangim të dyja llojet e mëkateve.

Ndërsa po shërbeja si president misioni në Afrikë, mora si mësim përgjithnjë këtë të vërtetë të madhe. Isha rrugës për në një mbledhje kur pashë një djalë të vogël të vetëm, duke qarë me dënesë në anë të rrugës. Një zë brenda meje tha: “Ndalo dhe ndihmoje atë djalë”. Sapo e dëgjova këtë zë, brenda sekondës, arsyetova: “Nuk mund të ndalosh. Do të bëhesh vonë. Ti je drejtuesi kryesues dhe nuk mund të shkosh me vonesë.”

Kur mbërrita në shtëpinë e mbledhjeve, dëgjova po të njëjtin zë të thoshte sërish: “Shko ndihmoje atë djalë”. Atëherë ia dhashë çelësat e mi të makinës një anëtari të Kishës të quajtur Afaz dhe i kërkova ta sillte djalin tek unë. Rreth 20 minuta më vonë, ndieva të më preknin në shpatull. Djali i vogël qe jashtë.

Ai ishte rreth 10 vjeç. Ne morëm vesh se i ati i kishte vdekur dhe e ëma ishte në burg. Ai jetonte në një lagje të varfër të Akrës me një kujdestar, që i jepte ushqim dhe një vend për të fjetur. Për ta siguruar këtë ushqim e vend fjetjeje, ai shiste peshk të thatë nëpër rrugë. Por pas kësaj dite duke bërë tregti me njerëz në rrugë, kur e futi dorën në xhep, zbuloi se kishte një vrimë në të. Ai i kishte humbur të gjitha fitimet e tij. Unë dhe Afazi e dinim menjëherë se nëse ai do të kthehej pa paratë, ai do të quhej gënjeshtar, me shumë gjasa do të rrihej dhe më pas do të flakej në rrugë. Kur e pashë në fillim, qe pikërisht në atë çast paniku të madh. Ne e qetësuam nga ajo gjendje frike, ia zëvendësuam fitimin e humbur dhe e kthyem në shtëpi te kujdestari i tij.

Ndërsa po shkoja në shtëpi atë mbrëmje, unë kuptova dy të vërteta të mëdha. Së pari, e dija si asnjëherë më parë se Perëndia di çdo gjë rreth secilit prej nesh dhe nuk do të na braktisë kurrë; dhe së dyti, e dija se ne gjithmonë duhet t’ia vëmë veshin zërit të Shpirtit brenda nesh dhe të shkojmë “menjëherë”15 kudo që ai na çon, pavarësisht nga frikërat tona apo ndonjë shqetësim.

Një ditë dishepujt e pyetën Shpëtimtarin se cili qe më i madhi në mbretërinë e qiellit. Ai u tha atyre të ktheheshin në besim, të ishin të përulur e të nënshtruar si fëmijët e vegjël. Më pas, Ai tha: “Biri i njeriut erdhi për të shpëtuar atë që [ka] humbur”16. Ai e shpjegoi misionin tonë me atë fjali të vetme. Ne duhet të shkojmë të shpëtojmë – të humburit, ata që quhen të fundit dhe të parëndësishmit. Nuk mjafton të shmangim mëkatin; ne duhet “të duroj[m]ë kryqin e tij”17 dhe “të përfshihe[mi] me zell”18, duke i ndihmuar të tjerët të kthehen në besim. Me dhembshuri dhe dashuri ne përqafojmë plangprishësin19, u përgjigjemi thirrjeve të jetimëve të pikëlluar, lutjeve të atyre në errësirë dhe dëshpërim20 dhe thirrjeve të shqetësuara të familjeve në nevojë. “Satani nuk ka nevojë ta bindë këdo të bëhet si Kaini apo Juda … ,” tha Plaku Nil A. Maksuell. “Ai ka nevojë vetëm të bindë njerëz të aftë … që ta shohin veten si persona asnjanës të sofistikuar.”21

Pas një konference të fundit kunji, një adoleshent m’u afrua dhe më pyeti: “A më do Perëndia?” Jeta jonë e shërbimit gjithmonë pohoftë se Perëndia nuk e braktis asnjërin.

Lidhur me pyetjen “Çfarë do të japë njeriu si shkëmbim të shpirtit të vet?” Satani do të donte që ne ta shisnim jetën për ëmbëlsirat dhe kampionatet e kësaj bote. Megjithatë, Shpëtimtari na thërret, pa na ofruar shpërblime tokësore, që të shkëmbejmë mëkatet tona, të marrim mbi vete pamjen e Tij dhe ta çojmë atë në zemrat e njerëzve brenda mundësive tona. Për shkak të kësaj ne mund të marrim gjithçka që Perëndia ka, që na është thënë se është më e madhe se të gjithë thesaret e marra bashkë të kësaj toke22. A mundet të arrini ta përfytyroni?

Gjatë një udhëtimi së fundmi në Nikaragua, vura re një pllakëz metalike në një shtëpi të thjeshtë të një familjeje që vizituam. Aty thuhej: “Dëshmia ime është pasuria ime më e çmuar”. Kështu është edhe për mua. Dëshmia ime është thesari i shpirtit tim dhe, me ndershmërinë e zemrës sime, unë ju lë dëshminë se kjo kishë është Kisha e vërtetë e Perëndisë, se Shpëtimtari ynë qëndron në krye të saj dhe e drejton përmes profetit të Tij të zgjedhur. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Mostrar las referencias

  1.  

    1.  Mateu 16:26.

  2.  

    2.  Doktrina e Besëlidhje 84:38.

  3.  

    3.  Jakobi [LiM] 4:14.

  4.  

    4.  Moisiu 5:16.

  5.  

    5. Një shishe qumësht dhe kulloshtra e saj (ajka) qe thelbi i një debati midis bashkëshortes së Tomas B. Marshit dhe znj. Harris, të cilat kishin rënë dakord t’i bashkonin burimet dhe të bënin djathë. Kur znj. Harris u ankua që znj. Marsh nuk e përfshiu kulloshtrën me qumështin por e mbajti për vete, znj. Harris u ankua dhe më pas gratë u grindën. Tomas Marsh e çoi çështjen te peshkopi, i cili vendosi që znj. Harris kishte të drejtë. Çështja shkoi nga peshkopi te këshilli i lartë, deri te Presidenca e Parë, të cilët të gjithë ranë dakord se znj. Marsh kishte gabuar. Kjo krijoi përçarje midis Tomas Marshit dhe Vëllezërve. Pak pas kësaj, Tomas Marshi dëshmoi përpara një gjyqtari nga Misuri se mormonët qenë armiq të shtetit të Misurit. (Shih George A. Smith, “Discourse”, Deseret News, 16 prill 1856, f. 44.)

  6.  

    6. Kur Profeti Jozef Smith i paraqiti Simonds Rajderit thirrjen që të shërbente si misionar, Rajderi zbuloi se emri i tij ishte shkruar “Raider” në zbulesën e shtypur. Ai u fye dhe kjo e çoi atë në braktisje dhe pjesëmarrjen përfundimtare në lyerjen me zift dhe mbulimin e profetit me pupla. Rajderi nuk e dinte se Jozef Smithi zakonisht ua diktonte zbulesat shkruesve të tij dhe nuk kishte të bënte me drejtshkrimin. (Shih Milton V. Backman Jr., The Heavens Resound: A History of the Latter-day Saints in Ohio, 1830–1838 [1983], f. 93–94; Donald Q. Cannon and Lyndon W. Cook, red., Far West Record: Minutes of The Church of Jesus Christ of Latter-day Saints, 1830–1844 [1983], f. 286.)

  7.  

    7. Te Zanafilla 25, ne mësojmë se Esau ia shet parabirninë Jakobit për “bukë dhe supë me thjerrëza” (vargu 34).

  8.  

    8. Shih Doktrina e Besëlidhje 19:18–19.

  9.  

    9. Shih Marku 10:21–22.

  10.  

    10.  Alma 22:15.

  11.  

    11.  Alma 22:16.

  12.  

    12.  Alma 22:18.

  13.  

    13. Shih Alma 5:14–19.

  14.  

    14.  Alma 60:7.

  15.  

    15.  Marku 1:18.

  16.  

    16.  Mateu 18:11.

  17.  

    17.  Jakobi [LiM] 1:8.

  18.  

    18.  Doktrina e Besëlidhje 58:27.

  19.  

    19. Shih Lluka 15:11–32.

  20.  

    20. Shih Joseph Smith – Historia 1:15–16.

  21.  

    21. Neal A. Maxwell, Deposition of a Disciple (1976), f. 88.

  22.  

    22. Shih Doktrina e Besëlidhje 19:38.