2010–2019
Mëngjese të Bukura
Prill 2013


Mëngjese të Bukura

Vëllezër e motra, nuk duhet t’i druhemi së ardhmes, as të ligështohemi në shpresë dhe në marrjen zemër, sepse Perëndia është me ne.

Në një mbrëmje të diele në Jerusalem, Jezusi dhe dishepujt u mblodhën në një dhomë të sipërme që të festonin Pashkën. Burrat që shkuan pas Tij, nuk e dinin që, ky vakt, një ditë do të quhej Darka e Fundit. Po ta kishin ditur këtë dhe kuptimin e saj, do të kishin lotuar.

Mësuesi i tyre, sidoqoftë, e kuptonte fare mirë se prova e rëndë e Gjetsemanit dhe e Golgotës do të fillonte pas pak. Orët më të errëta në historinë e botës qenë të pashmangshme; megjithatë, Jezusi u tha atyre: “Në botë do të keni mundime, por merrni zemër; unë e munda botën” (Gjoni 16:33).

Ne jetojmë sot në një epokë trazirash dhe pasigurie, një kohë për të cilën Zoti i profetizoi Enokut se do të shënohej si “ditët e ligësisë dhe të hakmarrjes” (Moisiu 7:60). Trazira dhe kohë të vështira mund të na presin, prapëseprapë edhe ne kemi shkak të marrim zemër e të gëzohemi sepse ne jetojmë në periudhën e fundit ungjillore, kur Perëndia ka rivendosur Kishën dhe mbretërinë e Tij në tokë në përgatitje për kthimin e Birit të Tij.

Presidenti Bojd K. Paker foli dikur rreth nipërve e mbesave të tij dhe botën gjithnjë e më të trazuar në të cilën ata jetojnë. Ai tha: “Ato do të shohin shumë ngjarje që do të ndodhin gjatë rrjedhës së jetës së tyre. Disa prej tyre do të sfidohen në guximin e tyre dhe do ta tendosin besimin e tyre. Por nëse kërkojnë ndihmë dhe udhëzim plot lutje, do t’u jepet fuqi mbi kundërshtitë.”

Dhe më vonë ai shtoi: “Vlerat morale nga të cilat vetë qytetërimi duhet të mbështetet, po shkatërrohen me një ritëm gjithnjë e në rritje. Megjithatë, nuk i druhem të ardhmes” (“Do Not Fear”, Liahona, maj 2004, f. 77, 78).

Vëllezër e motra, nuk duhet t’i druhemi së ardhmes, as të ligështohemi në shpresë dhe në marrjen zemër, sepse Perëndia është me ne. Mes fjalëve të para të shënuara nga këshilla që Jezusi u dha dishepujve të Tij të sapothirrur në Galile, ishte paralajmërimi trifjalësh: “Mos ki frikë” (Lluka 5:10). Ai e përsëriti atë këshillë shumë herë gjatë shërbesës së Tij. Shenjtorëve të Tij në kohën tonë, Shpëtimtari u ka thënë: “Merrni zemër dhe mos u frikësoni, sepse unë, Zoti, jam me ju dhe do t’ju qëndroj përkrah” (DeB 68:6).

Zoti do të qëndrojë përkrah Kishës dhe popullit të Tij dhe do t’i mbajë ata në mbrojtje deri në ardhjen e Tij. Do të ketë paqe në Sion dhe në kunjet e Tij, sepse Ai ka shpallur ”që mbledhja së bashku mbi tokën e Sionit dhe në kunjat e tij të mund të jetë për mbrojtje e për strehim nga stuhia dhe nga zemërimi, kur të derdhen pa u zvogëluar mbi tërë dheun” (DeB 115:6).

Kisha qëndron si mburojë mbrojtjeje për anëtarët e saj. Megjithëse kushtet në botë mund të jenë shumë të pafavorshme ndonjëherë, shenjtorët besnikë të ditëve të mëvonshme do ta gjejnë shenjtëroren në kunjet e Sionit. Zoti e ka dekretuar se guri i shkëputur nga mali, jo nga dora e njeriut, do të rrotullohet poshtë derisa ta mbushë të gjithë tokën (see Danieli 2:31–45; DeB 65:2). Asnjë fuqi njerëzore s’mund t’ia presë rrugën, sepse Perëndia është autori i kësaj pune dhe Jezu Krishti është guri kryesor i qoshes.

Nefi pa në vegim se në ditët e fundit fuqia e Qengjit të Perëndisë do të zbriste “mbi njerëzit e besëlidhjes së Zotit” dhe ata do të ishin të “armatosur me drejtësi dhe me fuqinë e Perëndisë në lavdi të madhe” (1 Nefi 14:14).

Çdonjëri prej nesh dhe familjet tona, mund të armatosen me fuqinë e Perëndisë si një mbrojtje, nëse do të mbetemi të vërtetë ndaj Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme dhe ta lëmë Shpirtin e Shenjtë të jetë udhërrëfyesi ynë. Sprovat mund të vijnë dhe ne mund të mos e kuptojmë gjithçka që na ndodh neve ose përreth nesh. Por nëse ne mirëbesojmë te Zoti përulësisht, qetësisht, Ai do të na japë forcë dhe udhërrëfim në çdo sfidë të jetës. Kur dëshira jonë e vetme është ta kënaqim Atë, ne do të bekohemi me një paqe të thellë së brendshmi.

Në ditët e hershme të Rivendosjes, anëtarët e Kishës u përballën me sprova të rënda. Presidenti Brigam Jang tha sa vijon rreth asaj kohe: “Kur u rrethova nga turmat, me vdekjen dhe shkatërrimin që më kërcënonte nga çdo anë, me sa mbaj mend, ndihesha aq i gëzuar [dhe] mirë në shpirtin tim sa edhe tani. E ardhmja dukej e plogësht dhe shumë e errët, por nuk kam parë kurrë një rast në këtë Ungjill në të cilën nuk e dija se rezultatet do t’i sillnin dobi çështjes së të vërtetës” (Teachings of Presidents of the Church: Brigham Young [1997], f. 357).

Shoku im i misionit, Poli, ishte dikush që gjithmonë rrezatonte humor të mirë. Kur ishte baba i ri, ai u prek nga skleroza e shumëfishtë. Prapëseprapë, pavarësisht fatkeqësisë së vijoi, ai vazhdoi t’u shërbente të tjerëve me gëzim dhe humor të mirë. Një herë ai hyri në zyrën time i ulur në karrigen e tij të parë me rrota dhe deklaroi: “Jeta fillon me një karrige me rrota me motor!” Do ta kujtoj gjithnjë atë, pak vite përpara se të vdiste, duke mbajtur lart flakën olimpike teksa levizte në karrigen e tij me rrota nën brohoritjet e qindra vetave. Si ajo flakë përherë e ndezur, besimi i Polit nuk u zbeh kurrë me kohën.

Kur isha student në universitetin “Brigam Jang”, jetoja në një shtëpi me disa të rinj. Shoku im i dhomës, Brusi, ishte ndoshta njeriu më optimist që kam njohur ndonjëherë. Ne kurrë nuk e dëgjonim atë të thoshte ndonjë gjë negative për ndonjë njeri apo rrethanë dhe ishte e pamundur të mos ndiheshe i inkurajuar në praninë e tij. Humori i tij i mirë vinte nga një mirëbesim i qëndrueshëm te Shpëtimtari dhe te ungjilli.

Një ditë të ftohtë dimri, një tjetër mik i imi, Tomi, po ecte drejt kampit të universitetit. Ora ishte vetëm 7:00 e mëngjesit dhe kampi ishte i shkretë dhe i errët. Binte borë e dendur, me një erë të akullt. “Çfarë moti i keq”, mendoi Tomi. Ai eci më përpara, dhe jashtë në errësirë dhe borë, ai dëgjoi dikë duke kënduar.

Pa dyshim, përmes borës së furishme u duk miku ynë përherë optimist, Brusi. Me duart e shtrira nga qielli, ai po këndonte një numër nga komedia muzikore e Broduejit Oklahoma: “O ç’mëngjes i bukur! O ç’ditë e bukur! Kam një ndjenjë të bukur, çdo gjë po shkon siç dua”, (shih Richard Rodgers and Oscar Hammerstein II, “Oh, What a Beautiful Mornin’” [1943]).

Në vitet pasuese, ai zë që këndonte në një stuhi të errët, është bërë për mua një simbol për kuptimin që ka besimi dhe shpresa. Edhe në një botë të errët, ne si shenjtorë të ditëve të mëvonshme mund të këndojmë me gëzim, duke e ditur se fuqitë e qiellit janë me Kishën dhe popullin e Perëndisë. Ne mund të gëzohemi prej dijes se na pret një mëngjes i bukur – agimi i ditës së mijëvjeçarit, kur Biri i Perëndisë do të ngrihet në Lindje dhe do të mbretërojë sërish mbi tokë.

Mendoj edhe për dy mëngjese të tjera të bukura në historinë e botës. Në pranverë të 1820–ës, në mëngjesin e një dite të bukur e të kthjellët në Palmira, Nju–Jork, një djalosh i quajtur Jozef Smith shkoi në një korije pemësh dhe u gjunjëzua në lutje. Përgjigjja e asaj lutjeje, shfaqja e Atit dhe Birit, erdhi në periudhën ungjillore të plotësisë së kohëve dhe gjatë Rivendosjes së Kishës së Jezu Krishtit në tokë.

Sërish një mëngjes tjetër i bukur agoi afro 2.000 vjet më parë pikërisht jashtë qytetit të vjetër me mure të Jerusalemit. Dielli pa dyshim që ndriçoi me rrezatim të veçantë atë mëngjes Pashke. Një grup i vogël grash kishte ardhur të vizitonte një varr në kopsht, duke shpresuar të vajosnin trupin e Zotit të tyre të kryqëzuar. Dy engjëj iu shfaqën dhe shpallën: “Pse e kërkoni të gjallin midis të vdekurve? Ai nuk është këtu, por është ringjallur” (Lluka 24:5–6).

Unë jap dëshmi për ngadhënjimin e Jezu Krishtit mbi mëkatin dhe vdekjen. Unë dëshmoj për planin e mëshirshëm të Atit të Përjetshëm dhe të dashurisë së Tij të përhershme. Kur ngrihemi çdo mëngjes, shikofshim drejt qiellit me besim dhe thënçim: “O ç’mëngjes i bukur”, unë lutem në emrin e Jezu Krishtit, amen.