2010–2019
Pasues të Krishtit
Prill 2013


Pasues të Krishtit

Ndjekja e Krishtit nuk është një praktikë e zakonshme apo e rastit, por një zotim i vazhdueshëm dhe një mënyrë jete që zbatohet në të gjitha kohët dhe në të gjitha vendet.

Një nga himnet tona më të dashura, i kënduar këtë mëngjes nga Kori i Tabernakullit, fillon me këto fjalë:

“Eja, më ndiq”, Shpëtu’si tha.

Në gjurm’t e Tij le t’ecim pra,

Ne veç ashtu mund t’jemi një

Me t’lindurin Bir’ q’Ati do.1

Këto fjalë, të frymëzuara nga ftesa më e hershme e Shpëtimtarit drejtuar dishepujve të Tij (shih Mateu 4:19), u shkruan nga Xhon Nikolson, një skocez i kthyer në besim. Si shumë prej udhëheqësve tanë të hershëm, ai kishte pak shkollim zyrtar, por një dashuri të thellë për Shpëtimtarin tonë dhe për planin e shpëtimit.2

Të gjitha mesazhet e kësaj konference na kanë ndihmuar të ecim në gjurmët e Shpëtimtarit tonë, shembulli dhe mësimet e të cilit përcaktojnë shtegun për çdo pasues të Jezu Krishtit.

Sikurse gjithë të krishterët e tjerë, anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme e studiojnë jetën e Shpëtimtarit tonë, siç paraqitet në librat e Dhiatës së Re nga Mateu, Marku, Lluka dhe Gjoni. Unë vërtet do të rishikoj shembuj dhe mësime që gjenden në këta katër libra të Biblës së Shenjtë dhe e ftoj secilin prej nesh të marrë parasysh se si kjo Kisha e rivendosur dhe secili prej nesh kualifikohen si pasues të Krishtit.

Jezusi na mësoi se pagëzimi ishte i domosdoshëm për të hyrë në mbretërinë e Perëndisë (shih Gjoni 3:5). Ai e filloi shërbesën e Tij duke u pagëzuar (shih Marku 1:9) dhe Ai dhe pasuesit e Tij pagëzuan të tjerë (shih Gjoni 3:22–26). Ne bëjmë po të njëjtën gjë.

Jezusi e filloi predikimin e Tij duke i ftuar dëgjuesit e Tij për t’u penduar (shih Mateu 4:17). Ky ende është mesazhi i shërbëtorëve të Tij ndaj botës.

Gjatë gjithë shërbesës së Tij, Jezusi dha urdhërime. Dhe Ai na mësoi: “Nëse më doni, zbatoni urdhërimet e mia” (Gjoni 14:15; shih edhe vargjet 21, 23). Ai pohoi se zbatimi i urdhërimeve të Tij do të kërkonte që pasuesit e Tij të linin atë që Ai e quajti “ajo që vlerësohet shumë ndër njerëzit” (Lluka 16:15) dhe “traditë [e] njerëzve” (Marku 7:8; shih edhe vargun 13). Ai gjithashtu paralajmëroi: “Po të ishit nga bota, bota do të donte të vetët; por sepse nuk jeni nga bota, por unë ju kam zgjedhur nga bota, prandaj bota ju urren” (Gjoni 15:19). Siç deklaroi më pas Apostulli Pjetër, pasuesit e Jezusit duhej të ishin “një popull i fituar” (1 Pjetrit 2:9).

Shenjtorët e ditëve të mëvonshme kuptojnë se ne nuk duhet të jemi “nga bota” ose të lidhur pas “traditës së njerëzve”, por si pasues të tjerë të Krishtit, ne nganjëherë e shohim të vështirë ndarjen e vetvetes nga bota dhe traditat e saj. Disa vetë jetojnë sipas mënyrave të botës ngaqë, sikurse Jezusi tha për disa, të cilëve Ai u dha mësim, ata e “donin lavdinë e njerëzve më tepër, se lavdinë e Perëndisë” (Gjoni 12:43). Këto dështime për ta ndjekur Krishtin janë tepër të shumta dhe tepër të ndjeshme për t’i renditur këtu. Ato përfshijnë gjithçka, nga praktikat e botës, të tilla si saktësia politike dhe veprimet e skajshme në veshje dhe pamje të jashtme, deri te shmangiet nga vlerat bazë të tilla si natyra dhe funksioni i përjetshëm i familjes.

Mësimet e Jezusit nuk kishin si qëllim të ishin teorike. Gjithmonë me to duhej të veprohej. Jezusi na mësoi: “Ai që i dëgjon këto fjalë të mia dhe i vë në praktikë, mund të krahasohet prej meje me një njeri të zgjuar” (Mateu 7:24; shih edhe Lluka 11:28) dhe “Lum ai shërbëtor që, kur kthehet zotëria e tij, e gjen duke bërë kështu” (Mateu 24:46). Në një himn tjetër të dashur ne këndojmë:

Shpëtimtar, mësom’ të t’dua,

N’shtegun që m’tregon të shkoj, …

Shpëtimtar, mësom’ të t’dua –

Zot, un’ do të të ndjek.3

Siç na mësoi Jezusi, ata që e duan Atë, do t’i zbatojnë urdhërimet e Tij. Ata do të jenë të bindur, siç na mësoi këtë mëngjes Presidenti Tomas S. Monson. Ndjekja e Krishtit nuk është një praktikë e zakonshme apo e rastit, por një zotim i vazhdueshëm dhe një mënyrë jete që zbatohet në të gjitha kohët dhe në të gjitha vendet. Shpëtimtari na e mësoi këtë parim dhe se si duhet të kujtoheshim dhe forcoheshim për ta ndjekur atë, kur Ai filloi ordinancën e sakramentit (kungimin, siç e quajnë të tjerët atë). E dimë nga zbulesa moderne se Ai i urdhëroi pasuesit e Tij t’i marrin simbolet në kujtim të Tij (shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, Përkthimi prej Jozef Smithit, Mateu 26:22 [në Mateu 26:26, shënim në fund c], 24 [në shtesën e Biblës]; Përzgjedhje nga Përkthimi i Biblës prej Joseph Smith–it, Marku 14:21–24 [në shtesën e Biblës]). Anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme e ndjekin atë urdhërim çdo javë duke marrë pjesë në një shërbim adhurimi, në të cilin ne marrim nga buka e uji dhe besëlidhim që vërtet do ta kujtojmë gjithmonë Atë dhe do t’i zbatojmë urdhërimet e Tij.

Jezuzi na mësoi se “[njerëzit] duhet të lute[n] vazhdimisht” (Lluka 18:1). Ai gjithashtu e dha atë shembull, të tillë si kur Ai “e kaloi natën duke iu lutur Perëndisë” (Lluka 6:12) përpara se të thërriste Dymbëdhjetë Apostujt e Tij. Si të krishterët e tjerë, ne lutemi në të gjitha shërbesat tona të adhurimit. Ne gjithashtu lutemi për udhëzim dhe japim mësim se duhet të kemi lutje vetjake të shpeshta dhe lutje të përditshme në gjunjë si familje. Sikurse Jezusi, ne i lutemi Atit tonë në Qiell dhe e bëjmë këtë në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit.

Shpëtimtari thirri Dymbëdhjetë Apostuj për të ndihmuar në Kishën e Tij dhe u dha atyre çelësat dhe autoritetin për të vazhduar pas vdekjes së Tij (shih Mateu 16:18–19; Marku 3:14–15; 6:7; Lluka 6:13). Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, si Kisha e rivendosur e Jezu Krishtit, e ndjek këtë shembull në organizimin e saj dhe në dhënien nga ana e saj të çelësave dhe të autoritetit mbi Apostujt.

Disa njerëz që Jezusi i thirri për ta ndjekur Atë, nuk u përgjigjën menjëherë, por kërkuan një vonim që të kujdeseshin për detyrimet e duhura familjare. Jezusi u përgjigj: “Asnjëri që ka vënë dorë në parmendë dhe kthehet e shikon prapa, nuk është i përshtatshëm për mbretërinë e Perëndisë” (Lluka 9:62). Shumë shenjtorë të ditëve të mëvonshme e praktikojnë përparësinë që Jezusi na mësoi. Kjo përfshin shembullin e mrekullueshëm të mijëra misionarëve në moshë dhe të të tjerëve që i kanë lënë fëmijët dhe nipërit e mbesat për të kryer detyrat misionare në të cilat janë thirrur.

Jezusi na mësoi se Perëndia krijoi mashkullin e femrën dhe se një burrë duhet t’i lërë prindërit e tij dhe të bashkohet me gruan e tij (shih Marku 10:6–8). Zotimi ynë ndaj këtij mësimi njihet mirë.

Në shëmbëlltyrën e njohur të deles së humbur, Jezusi na mësoi se ne duhet të bëjmë gjithçka mundemi për ta kërkuar këdo nga tufa që ka humbur udhën (shih Mateu 18:11–14; Lluka 15:3–7). Siç e dimë, Presidenti Tomas S. Monson ka vënë theksim të madh për këtë drejtim në shembullin dhe mësimet e tij të paharrueshme rreth shpëtimit të burrave dhe të grave.4

Në përpjekjet tona për të shpëtuar dhe shërbyer, ne ndjekim shembullin e pashoq dhe mësimet e dhembshura të Shpëtimtarit tonë rreth dashurisë: “Duaje të afërmin tënd porsi vetveten” (Mateu 22:39). Ai madje na urdhëroi t’i duam armiqtë tanë (shih Lluka 6:27–28). Dhe, në mësimet e Tij të madhërishme në fund të shërbesës së Tij në vdekshmëri, Ai tha:

“Po ju jap një urdhërim të ri: ta doni njëri–tjetrin; sikurse unë ju kam dashur, ashtu edhe ju ta doni njëri–tjetrin.

Prej kësaj do t’ju njohin të gjithë që jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri–tjetrin” (Gjoni 13:34–35).

Si pjesë e dashurisë për njëri–tjetrin, Jezusi na mësoi se kur trajtohemi padrejtësisht nga njerëzit, ne duhet t’i falim ata (shih Mateu 18:21–35; Marku 11:25–26; Lluka 6:37). Ndërsa shumë shqetësohen nga ky urdhërim i vështirë, ne të gjithë i njohim shembujt frymëzues të shenjtorëve të ditëve të mëvonshme, të cilët kanë dhënë falje plot dashuri, edhe për trajtimet më të rënda, të padrejta. Për shembull, Kris Uilliams u mbështet te besimi i tij në Jezu Krishtin për ta falur shoferin e dehur që shkaktoi vdekjen e gruas së tij dhe dy prej fëmijëve të tyre. Vetëm dy ditë pas tragjedisë dhe ende thellësisht i shqetësuar, ky burrë falës, që në atë kohë shërbente si një nga peshkopët tanë, tha: “Si dishepull i Krishtit, nuk kisha asnjë zgjedhje tjetër”5.

Shumica e të krishterëve u japin të varfërve dhe nevojtarëve, siç na mësoi Jezusi (shih Mateu 25:31–46; Marku 14:7). Në ndjekjen e këtij mësimi të Shpëtimtarit tonë, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme dhe anëtarët e saj shquhen. Anëtarët tanë bëjnë kontribute bujare ndaj organizatave bamirëse dhe japin shërbim vetjak dhe dhurata të tjera për të varfrit dhe nevojtarët. Përveç kësaj, anëtarët tanë agjërojnë për dy vakte çdo muaj dhe dhurojnë të paktën vlerën e këtyre vakteve si ofertë agjërimi, të cilën e përdorin peshkopët dhe presidentët tanë të degëve për të ndihmuar anëtarët tanë nevojtarë. Agjërimi ynë për të ndihmuar të uriturit, është një veprim dashurie hyjnore dhe, kur bëhet me qëllim të dëlirë, është një festë shpirtërore.

Akoma më pak i njohur është shërbimi humanitar mbarëbotëror i Kishës sonë. Duke përdorur fonde të dhuruara nga anëtarë bujarë, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme dërgon ushqime, veshje dhe gjëra të tjera të domosdoshme për të lehtësuar vuajtjen e të rriturve dhe të fëmijëve në të gjithë botën. Këto dhurime humanitare, në shumën e qindra miliona dollarësh në dekadën e fundit, bëhen pa marrë parasysh fenë, racën ose kombësinë.

Përpjekja jonë masive e ndihmës pas tërmetit dhe cunamit japonez të 2011–tës siguroi 13 milionë dollarë në para dhe furnizime ndihme. Përveç kësaj, më shumë se 31.000 vullnetarë të sponsorizuar nga Kisha dhanë më shumë se 600.000 orë shërbimi. Ndihma jonë humanitare për viktimat e uraganit Sendi, në pjesën lindore të Shteteve të Bashkuara, përfshiu dhurime të mëdha nga burime të ndryshme, plus thuajse 300.000 orë shërbimi në përpjekjet për pastrim nga rreth 28.000 anëtarë të Kishës. Mes shumë shembujve të tjerë të vitit të kaluar, ne siguruam rreth 300,000 paund (136,000 kg) veshje dhe këpucë për refugjatët në shtetin afrikan të Çadit. Gjatë 25 viteve të fundit, ne kemi ndihmuar rreth 30 milionë njerëz në 179 vende.6 Me të vërtetë, njerëzit e quajtur “mormonë” dinë se si t’u japin të varfërve dhe nevojtarëve.

Në mësimin e Tij të fundit biblik, Shpëtimtari ynë i udhëzoi pasuesit e Tij t’i çonin mësimet e Tij te çdo komb dhe te çdo krijesë. Që nga fillimi i Rivendosjes, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është përpjekur ta ndjekë atë mësim. Edhe kur ishim një kishë e re, e varfër dhe në vështirësi, me vetëm disa mijëra anëtarë, udhëheqësit tanë të hershëm dërguan misionarë përtej oqeaneve, në lindje dhe perëndim. Si popull, ne kemi vazhduar të japim mësim për mesazhin e krishterë derisa sot programi ynë i pashoq misionar ka më shumë se 60.000 misionarë kohëplotë, plus mijëra të tjerë që shërbejnë me kohë të pjesshme. Ne kemi misionarë në mbi 150 shtete dhe territore në mbarë botën.

Si pjesë të Predikimit të Tij të madhërishëm në Mal, Jezusi na mësoi: “Jini, pra, të përkryer, ashtu siç është i përsosur Ati juaj, që është në qiej” (Mateu 5:48). Qëllimi i këtij mësimi dhe qëllimi i ndjekjes së Shpëtimtarit tonë është të vijmë tek Ati, të cilit Shpëtimtari ynë iu drejtua si “Ati im dhe Ati juaj, [dhe] … Perëndia im dhe Perëndia juaj” (Gjoni 20:17).

Nga zbulesa moderne, që gjendet vetëm në ungjillin e rivendosur, ne dimë se urdhërimi për të kërkuar përsosmërinë është pjesë e planit të Perëndisë, Atit, për shpëtimin e fëmijëve të Tij. Sipas atij plani, ne të gjithë jemi trashëgimtarë të prindërve tanë qiellorë. “Ne jemi bij të Perëndisë”, na mësoi Apostulli Pal, “dhe nëse jemi bij, jemi dhe trashëgimtarë, trashëgimtarë të Perëndisë dhe bashkëtrashëgimtarë të Krishtit” (Romakëve 8:16–17). Kjo do të thotë, siç na thuhet në Dhiatën e Re, se ne jemi “trashëgimtarë të jetës së përjetshme” (Titit 3:7) dhe që, nëse vijmë tek Ati, ne do t’i “trashëgoj[më] të gjitha gjërat” (Zbulesa 21:7) – gjithçka që ka Ai – një koncept që mendjet tona të vdekshme mund ta kuptojnë me vështirësi. Por së paku ne mund të kuptojmë se arritja e këtij fati përfundimtar në përjetësi është e mundur vetëm nëse e ndjekim Shpëtimtarin tonë, Jezu Krishtin, i cili na mësoi se “askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje” (Gjoni 14:6). Ne kërkojmë ta ndjekim Atë dhe të bëhemi më shumë si Ai, këtu dhe pas kësaj jete. Prandaj është që në vargjet e fundit të himnit tonë “Eja, Më Ndiq”, ne këndojmë:

Ne dim’ se duhet në k’të jet’,

Që luginës së lot’ve zbret,

Pas Tij të shkojm’. Por a ësht’ mjaft?

Jo, kjo vazhdon në bot’ më lart. …

Frone, sundim, mbret’ri, pushtet,

Lavdi, parajs’ për ne do t’jen’,

Po t’u bindemi përjet’sisht

Fjal’ve të Tij “Eja, më ndiq”7.

Unë dëshmoj për Shpëtimtarin tonë, Jezu Krishtin, mësimet dhe shembullin e të cilit ne kërkojmë të ndjekim. Ai i fton të gjithë, që janë të rënduar, të vijmë tek Ai, të mësojmë prej Tij, ta ndjekim Atë dhe në këtë mënyrë të gjejmë prehje për shpirtrat tanë (shih Mateu 4:19; 11:28). Unë dëshmoj për të vërtetën e mesazhit të Tij dhe për misionin dhe autoritetin hyjnor të Kishës së Tij të rivendosur, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. “Come, Follow Me”, Hymns, nr. 116.

  2. Shih Karen Lynn Davidson, Our Latter–day Hymns: The Stories and the Messages (1988), f. 142–143, 419.

  3. “Lord, I Would Follow Thee”, Hymns, nr. 220.

  4. Shih, për shembull, Heidi S. Swinton, To the Rescue: The Biography of Thomas S. Monson (2010), f. 149–161; Thomas S. Monson, “To the Rescue”, Liahona, korrik 2001, f. 57–60.

  5. Chris Williams, në Jessica Henrie, “Father Relies on Faith to Forgive Intoxicated Teen Driver”, Deseret News, 1 gusht 2012, deseretnews.com/article/865559847/Let-It-Go-Chris-Williams-shares-his-story-of-tragedy-and-forgiveness.html; shih edhe Chris Williams, Let It Go: A True Story of Tragedy and Forgiveness (2012).

  6. Shih “Emergency Response: Church Assists Worldwide”, Church News, 9 mars 2013, f. 9; Welfare Services Emergency Response, “2012 Year in Review”, f. 8.

  7. Hymns, nr. 116.