2010–2019
Bindja ndaj Ligjit Është Liri
Prill 2013


Bindja ndaj Ligjit Është Liri

Burrat dhe gratë e marrin lirinë e tyre të zgjedhjes si një dhuratë nga Perëndia, por liria e tyre dhe, si rrjedhim, lumturia e tyre e përhershme vjen nga bindja ndaj ligjeve të Tij.

Krishtlindjen e fundit mora një dhuratë të veçantë që më solli shumë kujtime. Ma dha mbesa ime. Kishte qenë ndër gjërat që pata lënë në shtëpinë e vjetër të familjes sonë kur u largova pasi qeshë martuar. Dhurata qe ky libër i vogël bojëkafe që mbaj në dorë. Është një libër që u qe dhënë ushtarakëve SHDM që hynë në forcat e armatosura gjatë Luftës II Botërore. Unë personalisht e konsiderova librin si një dhuratë nga Presidenti Hiber J. Grant dhe këshilltarët e tij, J. Ruben Klark i Riu dhe Dejvid O. Mek–Kei.

Në krye të librit, këta tre profetë të Perëndisë shkruanin: “Ngjarjet në shërbimin e armatosur nuk lejojnë që ne të jemi në kontakt personal të vazhdueshëm me ju, qoftë drejtpërdrejt apo me anë të një përfaqësimi personal. Mënyra tjetër më e mirë që kemi, është që t’ju japim juve që shërbeni në ushtri, pjesë të tilla të zbulesës bashkëkohore dhe të shpjegimeve të parimeve të Ungjillit, që do të sjellin te ju, kudo që mund të jeni, shpresë dhe besim të ripërtërirë si edhe qetësim, ngushëllim dhe paqe në shpirt.”1

Sot ne e gjejmë veten në një luftë tjetër. Kjo nuk është një luftë me armatime. Është një luftë me mendime, fjalë dhe vepra. Është një luftë me mëkatin dhe më shumë se kurrë ne kemi nevojë të na kujtojnë për urdhërimet. Laicizmi po bëhet norma dhe shumë nga besimet dhe praktikat e tij janë në luftë të drejtpërdrejtë me ato që qenë krijuar nga Vetë Zoti për të mirën e fëmijëve të Tij.

Në librin e vogël bojëkafe, menjëherë pas letrës nga Presidenca e Parë, është një “Shënim Hyrës drejtuar Njerëzve në Shërbim Ushtarak”, i titulluar Bindja ndaj Ligjit Është Liri. Shënimi bën krahasim midis ligjeve ushtarake, që “janë për të mirën e të gjithë atyre që janë në shërbimin ushtarak” dhe ligjit hyjnor.

Ai deklaron: “Në univers, gjithashtu, ku Perëndia është në komandë, ka një ligj – ligj… universal, të përjetshëm – me disa bekime dhe ndëshkime të pandryshueshme”.

Fjalët e fundit të shënimit përqendrohen te bindja ndaj ligjit të Perëndisë: “Nëse doni të ktheheni tek të dashurit tuaj me kokën lart, … nëse do të jeni burrë dhe të jetoni i lumtur – atëherë zbatoni ligjin e Perëndisë. Duke vepruar kështu ju mund t’u shtoni atyre lirive të paçmueshme që po përpiqeni të mbroni, një tjetër liri tek e cila të tjerët mund të mbështeten mirë, lirinë prej mëkatit; sepse vërtet ‘bindja ndaj ligjit është liri’.”2

Përse fraza “bindja ndaj ligjit është liri” më tingëllonte aq e vërtetë në atë kohë? Përse ajo na tingëllon e vërtetë të gjithë neve sot?

Ndoshta sepse ne kemi njohuri të zbuluar për historinë tonë para lindjes. Ne e dimë se kur Perëndia, Ati Qiellor, na paraqiti planin e Tij në fillim të kohës, Satani donte ta ndryshonte planin. Ai tha se ai do ta shëlbente gjithë njerëzimin. Asnjë shpirt nuk do të humbiste dhe Satani qe i sigurt se mund ta përhapte propozimin e tij. Por ishte një kosto e papranueshme – shkatërrimi i lirisë së zgjedhjes së njeriut, që ishte dhe është një dhuratë e dhënë nga Perëndia (shih Moisiu 4:1–3). Lidhur me këtë dhuratë, Presidenti Harold B. Li tha: “Pas vetë jetës, liria e zgjedhjes është dhurata më e madhe e Perëndisë për njerëzimin”3. Atëherë nuk ishte një gjë e vogël që Satani të shpërfillte lirinë e zgjedhjes së njeriut. Në fakt, ajo u bë çështja kryesore rreth së cilës u zhvillua Lufta në Qiell. Fitorja e Luftës në Qiell qe një fitore për lirinë e zgjedhjes së njeriut.

Satani, gjithsesi, nuk kishte mbaruar. Plani i tij rezervë – plani që po zbatonte që nga koha e Adamit dhe Evës – ishte që të tundonte burrat dhe gratë, në thelb të provonte se ne nuk e meritojmë dhuratën e dhënë nga Perëndia për lirinë e zgjedhjes. Satani ka shumë arsye për të bërë atë që bën. Ndoshta më e fuqishmja është shtysa e hakmarrjes, por ai gjithashtu do që t’i bëjë burrat dhe gratë të mjerë ashtu siç është ai i mjerë. Askush prej nesh nuk duhet ta nënvlerësojë kurrë motivin e Satanit për të pasur sukses. Roli i tij në planin e përjetshëm të Perëndisë krijon “kundërshtim në të gjitha gjërat” (2 Nefi 2:11) dhe provon lirinë tonë të zgjedhjes. Çdo zgjedhje që bëjmë ju dhe unë, është një provë e lirisë sonë të zgjedhjes – nëse zgjedhim të jemi të bindur apo të pabindur ndaj urdhërimeve të Perëndisë është në të vërtetë një zgjedhje midis “liri[s]ë dhe jetë[s] [së] përjetshme” dhe “robëri[s]ë dhe vdekje[s]”.

Kjo doktrinë themelore jepet mësim qartazi te 2 Nefi, kapitulli i dytë: “Kështu që, njerëzit janë të lirë sipas mishit; dhe të gjitha gjërat u janë dhënë atyre të cilat janë të nevojshme për njeriun. Dhe ata janë të lirë të zgjedhin lirinë dhe jetën e përjetshme, nëpërmjet Ndërmjetësit të madh të të gjithë njerëzve, ose të zgjedhin robërinë dhe vdekjen, sipas robërisë dhe fuqisë së djallit; pasi ai kërkon që të gjithë njerëzit të jenë të mjeruar sikurse është ai vetë” (2 Nefi 2:27).

Në shumë mënyra, kjo botë ka qenë gjithmonë në luftë. Unë besoj se kur Presidenca e Parë më dërgoi librin e vogël bojëkafe, ata qenë më të shqetësuar rreth një lufte më të madhe sesa Lufta II Botërore. Unë gjithashtu besoj që ata shpresonin se libri do të ishte një mburojë e besimit kundër Satanit dhe ushtrive të tij në këtë luftë më të madhe – lufta kundër mëkatit – dhe do të shërbente si kujtesë për mua që t’i jetoja urdhërimet e Perëndisë.

Një mënyrë për ta vlerësuar veten dhe për t’u krahasuar me brezat e mëparshëm është nëpërmjet njërit prej standardeve më të vjetra që njeh njeriu – Dhjetë Urdhërimet. Për shumicën e botës së qytetëruar, sidomos botës hebreo–kristiane, Dhjetë Urdhërimet kanë qenë vija ndarëse më e pranuar dhe më e qëndrueshme midis së mirës dhe së keqes.

Sipas gjykimit tim, katër nga Dhjetë Urdhërimet janë marrë aq seriozisht sot sa kurrë më parë. Si kulturë, ne e përbuzim dhe e dënojmë vrasjen, vjedhjen e gënjeshtrën, dhe ne ende besojmë te përgjegjësia e fëmijëve ndaj prindërve të tyre.

Por si një shoqëri më e madhe, ne zakonisht i fshijmë gjashtë udhërimet e tjera:

  • Nëse përparësitë tokësore janë njëfarë treguesi, ne sigurisht kemi “perëndi të tjerë” që i vendosim përpara Perëndisë së vërtetë.

  • Ne krijojmë idhuj njerëzish të famshëm, stilesh jetese, pasurie, dhe po, ndonjëherë shëmbëlltyrash apo skulpturash.

  • Ne e përdorim emrin e Perëndisë në të gjitha mënyrat përdhosëse, përfshirë pasthirrmat tona dhe betimet tona.

  • Ne e përdorim ditën e Shabatit për ndeshjet tona më të mëdha, argëtimet tona më të rëndësishme, pazaret tona më të mëdha dhe praktikisht për çdo gjë tjetër përveç adhurimit.

  • Ne i trajtojmë marrëdhëniet seksuale jashtë martese si çlodhje dhe dëfrim.

  • Dhe makutëria është bërë një mënyrë jetese tejet e zakonshme. (Shih Eksodi 20:3–17.)

Profetët nga të gjitha periudhat ungjillore kanë paralajmëruar vazhdimisht lidhur me dy urdhërimet më serioze – ato që lidhen me vrasjen dhe tradhtinë bashkëshortore. Unë shoh një bazë të përbashkët për këto dy urdhërime vendimtare – besimin se vetë jeta është e drejta e posaçme e Perëndisë dhe se trupat tanë fizikë, tempujt e jetës së vdekshme, duhet të krijohen brenda kufijve që Perëndia ka vendosur. Që njeriu të zëvendësojë me rregullat e tij ligjet e Perëndisë lidhur me krijimin dhe marrjen e një jete, është kulmi i arrogancës dhe i thellësisë së mëkatit.

Ndikimet kryesore të këtyre qëndrimeve zhvlerësuese rreth shenjtërisë së martesës janë pasojat te familjet – forca e familjeve po përkeqësohet me një ritëm alarmues. Ky përkeqësim po i shkakton shoqërisë një dëm me përhapje të gjerë. Unë shoh një shkak dhe pasojë të drejtpërdrejtë. Kur shpërfillim zotimin dhe besnikërinë ndaj partnerit/es sonë të martesës, ne heqim ngjitësin që e mban shoqërinë tonë të bashkuar.

Një mënyrë e dobishme për të menduar rreth urdhërimeve është se ato janë këshilla të dashura nga një Atë Qiellor i urtë dhe i gjithëdijshëm. Qëllimi i Tij është lumturia jonë e përjetshme dhe urdhërimet e Tij janë harta rrugore që na ka dhënë për t’u kthyer tek Ai, e cila është e vetmja udhë që ne të jemi përjetësisht të lumtur. Sa të rëndësishme janë shtëpia dhe familja për lumturinë tonë të përjetshme? Në faqen 141 të librit tim të vogël bojëkafe thuhet: “Vërtet qielli ynë është pak më tepër sesa një përfaqësim i shtëpive tona në përjetësi”4.

Doktrina e familjes dhe e shtëpisë qe përsëritur më së fundi me qartësi e forcë të madhe te “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”. Ajo shpalli natyrën e përjetshme të familjeve dhe pastaj shpjegoi lidhjen me adhurimin në tempull. Proklamata shpalli gjithashtu ligjin mbi të cilin bazohet lumturia e përjetshme e familjeve, domethënë: “Fuqitë e shenjta të krijimit të jetës duhet të përdoren vetëm midis burrit dhe gruas, ligjërisht të martuar si bashkëshkort dhe bashkëshorte”5.

Perëndia u zbulon profetëve të Tij se ka të vërteta morale absolute. Mëkati do të jetë gjithmonë mëkat. Mosbindja ndaj urdhërimeve të Zotit gjithmonë do të na heqë bekimet e Tij. Bota ndryshon vazhdimisht dhe befasisht, por Perëndia, urdhërimet e Tij dhe bekimet e premtuara nuk ndryshojnë. Ato janë të përhershme dhe të pandryshueshme. Burrat dhe gratë e marrin lirinë e tyre të zgjedhjes si një dhuratë nga Perëndia, por liria e tyre dhe, si rrjedhim, lumturia e tyre e përhershme vjen nga bindja ndaj ligjeve të Tij. Siç e këshilloi Alma birin e tij të çoroditur Koriantonin: “Ligësia kurrë nuk ka qenë lumturi” (Alma 41:10).

Në këtë ditë të Rivendosjes së plotësisë së ungjillit, Zoti na ka zbuluar përsëri bekimet që na ka premtuar për faktin e të qenit të bindur ndaj urdhërimeve të Tij:

Te Doktrina e Besëlidhje 130, lexojmë:

“Ka një ligj, të shpallur në mënyrë të pakthyeshme në qiell, përpara krijimit të kësaj bote, mbi të cilin të gjitha bekimet bazohen—

Dhe kur ne fitojmë ndonjë bekim nga Perëndia, është me anë të bindjes ndaj atij ligji mbi të cilin ai bazohet” (DeB 130:20–21).

Sigurisht nuk mund të ketë ndonjë doktrinë të shprehur më fort në shkrimet e shenjta sesa urdhërimet e pandryshueshme të Zotit dhe lidhja e tyre me lumturinë e me mirëqenien tonë si individë, familje dhe si shoqëri. Ka parime morale absolute. Mosbindja ndaj urdhërimeve të Zotit gjithmonë do të na heqë bekimet e Tij. Këto gjëra nuk ndryshojnë.

Në një botë ku busulla e parimeve morale të shoqërisë po luhatet, ungjilli i rivendosur i Jezu Krishtit nuk luhatet kurrë dhe nuk duhet ta bëjnë as kunjet dhe lagjet e tij, familjet e tij, as anëtarët e tij të veçantë. Ne nuk duhet të përzgjedhim se cilat urdhërime mendojmë se janë të rëndësishme për t’u mbajtur, por t’i pranojmë të gjitha urdhërimet e Perëndisë. Ne duhet të qëndrojmë të vendosur dhe të patundur, duke pasur besim të plotë te palëkundshmëria e Zotit dhe me besim të përsosur në premtimet e Tij.

Qofshim përherë një dritë në majë të malit, një shembull në mbajtjen e urdhërimeve që kurrë nuk kanë ndryshuar dhe kurrë nuk do të ndryshojnë. Ashtu si ky libër i vogël i nxiti ushtarakët SHDM të qëndrojnë të vendosur moralisht në kohë lufte, qofshim ne, në këtë luftë të ditëve të fundit, një fener për të gjithë tokën dhe veçanërisht për fëmijët e Perëndisë që po kërkojnë bekimet e Zotit. Për këtë unë dëshmoj, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. First Presidency, në Principles of the Gospel (1943), i.

  2. Principles of the Gospel, v, vii, viii.

  3. Teachings of Presidents of the Church: Harold B. Lee (2000), f. 4.

  4. Stephen L Richards, në Principles of the Gospel, f. 141.

  5. “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, Liahona, nëntor 2010, f. 129.